CIA / Kohët e arta

Fundi i viteve ’40-të dhe vitet ’50-të është koha kur CIA pati rritje të shpejtë të buxhetit, personelit dhe misioneve. Të gjitha drejtoritë dhe funksionet administrative të agjencisë u zgjeruan, por jo në atë shkallë sa drejtoria e operacioneve. Sipas të dhënave, pjesa më e madhe e buxhetit dhe personelit të CIA-s gjatë Luftës së Ftohtë shkon për operacione të ndryshme. Presidenti e përdorte CIA-n për realizimin e aksioneve të fshehta politike dhe ushtarake, që asnjë agjenci tjetër nuk mund t’i kryente dhe që mohoheshin zyrtarisht në publik. Operacionet sekrete të CIA-s u shndërruan në “dorën e fshehtë” të politikës së jashtme amerikane.

CIA-s i lejohej një lloj pavarësie gjatë kryerjes së operacioneve të fshehta, nën mbikëqyrjen e presidentit. Presidentët e rinj nuk e ndryshonin drejtorin e CIA-s dhe nëse nuk ndodhte kështu, ata emëronin një individ, i cili ishte formuar brenda CIA-s dhe divizionit të operacioneve. Një gjë e tillë ka maksimalizuar vazhdimësinë dhe pushtetin e CIA-s gjatë viteve. Kulmi i operacioneve të fshehta përkonte me periudhën kur drejtori i CIA-s ishte Allen Dulles (1952-1961), ndërkohë që vëllai i tij John Foster Dulles ishte sekretar i shtetit.(36) Gjatë viteve të Luftës së Ftohtë CIA kishte liri të konsiderueshme veprimi për operacione të fshehta, për shkak se presidenti dhe pushteti ekzekutiv dominonin politikën e sigurisë kombëtare dhe se në qeveri dhe shoqëri ekzistonte një konsensus i gjerë antikomunist.

Liritë që i jepeshin CIA-s gjatë Luftës së Ftohtë nuk ishin përcaktuar në krijimin e saj. Sipas statutit të CIA-s, në Aktin e Sigurisë Kombëtare të vitit 1947, nuk ishte përcaktuar asnjë rol politik dhe paraushtarak për organizatën. CIA u krijua për t’i siguruar Presidentit të SHBA mundësinë e një shërbimi informativ të angazhuar në mbledhje të dhënash dhe analizë, si dhe të koordinonte komunitetin e inteligjencës, që ekzistonte në atë kohë. Në fakt, “pavarësisht karakterit antikomunist të Doktrinës Truman, pavarësisht prezencës së antikomunistëve në Kongres, askush nuk e përmendi Bashkimin Sovjetik apo shërbimet e tij klandestine, në debatin e Kongresit rreth CIA-s,  para miratimit të Aktit për Sigurinë Kombëtare. Kongresmenët ishin të shqetësuar për reminishencat e mundshme të gestapos në vendin e tyre”. Megjithatë, një nen i statutit të CIA-s e lejonte atë të “ushtronte funksione dhe detyra të tjera zbulimi të lidhura me sigurinë kombëtare, nëse Këshilli i Sigurisë Kombëtare ia kërkonte një gjë të tillë”. Pikërisht ky ishte neni që i shërbeu CIA-s për të justifikuar operacionet e saj të fshehta.(38) Kështu, shumë shpejt CIA u shndërrua në institucion kryesor qeveritar, që organizonte operacione të fshehta jashtë vendit, në mbështetje të politikës së përmbajtjes.

Bota, pas Luftës së II Botërore, siç e shihnin shumë udhëheqës amerikanë, ishte një botë e ndarë mes forcave të së mirës dhe së keqes – bota e lirë, e përfaqësuar nga demokracia, liria dhe krishtërimi i SHBA, përballë bllokut komunist, i përfaqësuar nga komunizmi, totalitarizmi dhe ateizmi i Bashkimit Sovjetik. Bota e dikurshme ishte një rivalitet i vazhdueshëm mes fuqive të mëdha: Bashkimi Sovjetik kërkonte të zgjeronte kontrollin e tij territorial, duke kërcënuar drejtpërsëdrejti interesat dhe status kuonë amerikane. Politikëbërësit amerikanë ishin të zënë me krijimin e aleancave për të penguar zgjerimin e Bashkimit Sovjetik dhe, nëse kjo politikë përmbajtjeje dështonte, atëherë ishin të gatshëm të kalonin në një luftë “të nxehtë”. Njëkohësisht, politikëbërësit amerikanë nisën të mbështeteshin gjithnjë e më shumë tek operacionet e fshehta, për të çuar përpara Luftën e Ftohtë. Mbështetja në operacionet e fshehta, erdhi duke u rritur edhe si pasojë e shijes së hidhur që la tek publiku amerikan, rezultati remí në Luftën e Koresë (ku fundi nuk po shihej dhe trupat amerikanë u kthyen në atdhe të vrarë e të sakatuar.)

CIA u shndërrua në një armë të fuqishme në duart e politikës së jashtme të SHBA menjëherë pas krijimit të saj në vitin 1947. Disa prej aktiviteteve të fshehta të CIA-s jashtë SHBA janë si më poshtë:

  • Manipulimi i zgjedhjeve demokratike jashtë vendit
  • Organizimi i lëvizjeve partizane të rezistencës
  • Rrëzimi i qeverive të huaja
  • Pjesëmarrja në vrasje
  • Mbështetja e qeverive mike, shpesh totalitare
  •  Trajnimi i personelit të huaj të ushtrisë, inteligjencës dhe policisë
  • Ndjekja e një sërë operacioneve të fshehta brenda vendit, kundër qytetarëve amerikane.

Sipas statistikave në vitin 1953 ishin në progres operacione të fshehta të CIA-s në 48 vende jashtë SHBA, ndërkohë që ¾ e buxhetit të agjencisë dhe 2/3 e personelit ishin angazhuar në veprimtari spiunazhi dhe ndërhyrje politike.(39) Një komision i ngritur nga Senati i SHBA në vitin 1975, i cili hetonte inteligjencën e huaj dhe atë ushtarake, mësoi se CIA kishte “organizuar që prej vitit 1961 rreth 900 operacione delikate, si dhe disa mijëra operacione të tjera më të vogla.”(40) Pra, CIA në ditët e saj më të mira ishte e angazhuar në operacione të fshehta në të gjithë botën, ku 1/3 e këtyre operacioneve ndodhnin në demokracitë “pro-perëndimore”.(41) Tabela 8.3 paraqet disa prej operacioneve të fshehta më të mëdha, gjatë ditëve më të mira të CIA-s, të cilat janë bërë publike. Natyra e fshehtë e operacioneve dhe sekreti që i karakterizon, do të thotë se shumica e këtyre operacioneve të CIA mbeten të panjohura.

Një prej aksioneve më të hershme të CIA-s lidhet me përpjekjen për të manipuluar zgjedhjet e përgjithshme në Itali dhe Francë në vitin 1948, përmes një fushate propagandistike. Lufta e II Botërore kishte shkatërruar ekonominë e vendeve evropiane dhe kishte lënë pas destabilitet politik në të gjithë Evropën. Në Francë dhe Itali po lulëzonin parti të ligjshme komuniste. Në Itali, amerikanët ia kishin frikën një fitoreje të Partisë Komuniste Italiane në zgjedhjet e 1948. Një gjë e tillë, do të çonte në rënien e demokracisë italiane dhe në krijimin e një aleati të rëndësishëm strategjik të bllokut komunist. CIA ndërhyri duke financuar dhe mbështetur partinë kristian-demokrate. Kjo ndërhyrje përfshinte gjithashtu përpjekje për të diskretituar fushatën elektorale të partisë komuniste italiane, përmes propagandës dhe dezinformimit që realizohej nga agjentë të paguar, të punësuar në median e shkruar dhe atë elektronike në Itali – reporterë dhe redaktorë gazetash, revistash dhe radiosh. Partia kristian-demokrate arriti të fitonte zgjedhjet, por nuk është i qartë roli që luajti CIA në këtë fitore. Ironia e këtyre operacioneve të fshehta në Itali dhe Francë, është se politika e jashtme amerikane manipuloi zgjedhjet demokratike, ndërkohë që propagandonte demokracinë. Suksesi i CIA-s në operacionet e fshehta të Italisë dhe Francës, i hapi rrugë ndërhyrjeve të tjera në vende demokratike dhe kudo tjetër, ku interesat amerikane ndiheshin të kërcënuara.

Në fundin e viteve ’40-të dhe gjatë viteve ’50-të, CIA mbështeti lëvizjet partizane të rezistencës në vende komuniste për të provokuar destabilitet dhe kryengritje. CIA stërviti emigrantë dhe i transportoi ilegalisht në Shqipëri, Poloni, Jugosllavi, Shtetet Baltike, Gjeorgji dhe Ukrainë. Pasi mbështetësit nacionalistë të Chiang Kai-shek u nxorën jashtë nga Kina kontinentale dhe krijuan një qeveri të re të Tajvanit në Ishullin Formosa, CIA organizoi një lëvizje partizane në Burma, ku ishin vendosur një pjesë e madhe e forcave nacionaliste. Këto përpjekje për rezistencë partizane nuk bënë shumë përpara; në shumicën e rasteve ishin dështim i plotë dhe i menjëhershëm.

Gjatë presidencës së Dwight Eisenhower, CIA realizoi për të parën herë në mënyrë të suksesshme rrëzimin e një qeverie të huaj – grushti i shtetit në Iran në vitin 1953. Historikisht, Irani ishte drejtuar nga dinastia Pahlavi me në krye shahun, në një rajon që tradicionalisht është dominuar nga Britania e Madhe. Lufta e II Botërore çliroi nacionalizmin e Botës së Tretë, që fitoi terren në Iran duke shkaktuar rrëzimin e shahut dhe dinastisë Pahlavi në vitin 1953. Udhëheqësi i nacionalistëve iranianë Mohammed Mossadegh, shpalli një shtet të pavarur dhe neutral në kulmin e Luftës së Ftohtë dhe kërkoi që Britania e Madhe të rinegocionte për kontratën më të favorshme të saj në lidhje me naftën iraniane. Britanikët, perandoria e të cilëve ishte eklipsuar, i kërkuan ndihmë SHBA për të rrëzuar regjimin e ri nacionalist. Politikanët amerikanë dyshonin se Mossadegh bënte lojën e komunistëve dhe Bashkimit Sovjetik. Kështu, CIA dhe MI6 organizuan një grusht ushtarak, i cili rrëzoi Mossadegh dhe rivendosi regjimin e shahut. Pas kësaj, shahu i akordoi kompanive Gulf, Standard of New Jersey, Texaco dhe Socony-Mobil, 40% të aksioneve të naftës iraniane.(42)

Grushti i shtetit i vitit 1954 në Guatemala është një prej aksioneve më të rëndësishme të CIA-s, duke qenë se shërbeu si model për të ardhmen. Guatemala kishte një histori regjimesh diktatoriale. Shija e parë e demokracisë u ndie në Guatemalë në vitin 1950, kur president u zgjodh Jacobo Arbenz Guzman. Megjithatë, marrëdhëniet mes Guatemalës dhe SHBA, u lëkundën kur Arbenz shpalli reformën agrare. Këto reforma zbehën oligarkinë që dominonte ekonominë e Guatemalës dhe preferencat e politikanëve amerikanë. Situata u përkeqësua kur Arbenz shpronësoi 234,000 akra tokë të papunuar, në pronësi të United Fruit Company (kompani amerikane që zotëronte 40% të territorit të Guatemalës). Në fundin e verës të vitit 1953 politikanët amerikanë (presidenti Eisenhower dhe sekretari i shtetit Dulles) arritën në përfundimin se regjimi i Arbenz po merrte gjithnjë e më shumë ngjyrat e një regjimi komunist dhe, si i tillë, paraqiste rrezik për sigurinë kombëtare amerikane. Në maj të vitit 1954 zbarkoi një ngarkesë me armë (çekosllovake) nga blloku sovjetik për ushtrinë e Guatemalës, si kundërpërgjigje pas ndërprerjes së marrëdhënieve nga ana e qeverisë amerikane. Kjo ngjarje, shërbeu si konfirmim dhe justifikim i nevojës për të rrëzuar qeverinë Arbenz.

Që nga fillimi deri në fund, operacioni në Guatemalë u drejtua nga CIA, sepse Amerika Qendrore ishte një rajon i dominuar historikisht nga SHBA. CIA stërviti qindra guatemalas në një plantacion të United Fruit Company, në Hondurasin fqinj dhe zgjodhi Kolonelin Carlos Castillo Armas në krye të operacionit. Më 18 Qershor, forca e vogël ushtarake e kryesuar nga Armas, hyri në Guatemalë dhe iu drejtua kryeqytetit Guatemala City. Faktikisht, Presidenti Arbenz mund të kishte shtypur me shumë lehtësi këtë ushtri të vogël pushtuese por, për shkak të fushatës psikologjike të CIA-s, kjo forcë pushtuese u perceptua si një rrezik i madh dhe i afërt. Operacionet e fshehta psikologjike u përforcuan nga disa avionë të vegjël të pilotuar nga operativë të CIA-s, të cilët bombarduan Guatemala City-n dhe qytete të tjera të rëndësishme. Arbenz e humbi toruan dhe u largua nga Guatemala duke i hapur rrugë diktaturës ushtarake të Castillo Armas-it. Demokracia në Guatemalë u shtyp nga CIA dhe ky vend do t’i rikthehej sistemit demokratik vetëm në vitet ’90-të.(43)

Një lloj tjetër operacioni sekret i CIA-s ishin vrasjet. Gjatë vitit 1960, kriza e pavarësisë në Kongo (e njohur më vonë si Zaire), u hamendësua se CIA u përpoq të vriste të parin kryeministër dhe lider nacionalist afrikan Patrice Lumumba, i cili konsiderohej tepër i pavarur ndaj interesave amerikane dhe i hapur ndaj subversionit komunist. U tha se CIA dështoi në përpjekjet e saj për ta vrarë Lumumbën. Megjithatë, Lumumba u vra, edhe pse është e paqartë se nga kush. Me zhdukjen e Lumumbës dhe disa të tjerëve, CIA dhe qeveria amerikane kishin rrugë të lirë për t’i dhënë pushtetin Mobutu Sese Seko, gjeneral i ushtrisë, i cili për 30 vjet drejtoi një regjim të korruptuar dhe varfëroi vendin.(44)

Por, nga ana tjetër, CIA mbështeste fuqishëm stabilitetin e qeverive të huaja aleate të SHBA. Një mbështetje e tillë përfshinte pjesëmarrjen në shtypjen me dhunë që këto qeveri aleate organizonin kundër popullit të tyre. Në vitin 1950, George Kennan, në një raport dërguar Sekretarit të Shtetit Acheson, shkruan:

  • Ne nuk mund të tregohemi tepër dogmatikë në lidhje me metodat që duhen përdorur kundër komunistëve…. Në rastet kur konceptet dhe traditat e qeverive popullore janë tepër të brishta për të amortizuar intensitetin e sulmit komunist, atëherë ne duhet të pranojmë se mjetet represive nga ana e qeverisë janë përgjigjja e vetme; edhe nëse këto mjete represive ndërmerren nga regjime të cilat nuk përkojnë me konceptet amerikane të demokracisë; regjime dhe metoda të tilla mund të jenë alternativa që ne zgjedhim, madje e vetmja alternativë për të penguar suksesin e komunizmit.

Në Indonezi, qeveria amerikane dhe CIA, që prej vitit 1958, u përpoqën të rrëzonin presidentin Sukarno, një udhëheqës i rëndësishëm i lëvizjes neutrale të Botës së Tretë (si shumë indonezianë, ai kishte vetëm një emër). Pas rrëzimit të tij në vitin 1965, inteligjenca amerikane mbështeti qeverinë e re të gjeneralit Suharto në eliminimin e anëtarëve të partisë komuniste indoneziane dhe shtypjen e të gjithë disidentëve (duke i siguruar ushtrisë indoneziane listën e njerëzve që do të arrestoheshin ose vriteshin). Sipas një ish-zyrtari të ambasadës amerikane, “kjo ishte një ndihmë e madhe për ushtrinë. Ata ndoshta vranë shumë njerëz dhe unë mund t’i kem duart e lyera me gjak, por një gjë e tillë nuk është totalisht e gabuar. Ndonjëherë duhet të godasësh fort në momentin e caktuar.” Statistikat e indonezianëve të vrarë gjatë fushatës goditëse, variojnë nga 300,000 deri në 1 milion, ndërkohë që qindra mijëra u burgosën pa gjyq. CIA e konsideronte fushatën indoneziane një model për operacionet e së ardhmes.(46) Mbështetja e qeverisë amerikane për regjime të dhunshme diktatoriale në të gjithë botën, ishte diçka e zakonshme; përmendim këtu qeverinë Mobutu në Zaire, shahun e Iranit dhe qeverinë Somoza në Nikaragua.

CIA jo vetëm që mbështeste qeveritë aleate, por udhëheqësit e huaj ishin shpesh në listën e pagave të agjencisë. CIA gjithashtu, trajnonte personelin e shërbimeve të huaja të zbulimit dhe i angazhonte ata në operacione të fshehta. Forcat e armatosura dhe policia kombëtare në një sërë vendesh aleate me SHBA, u stërvitën nga ushtria dhe personeli qeveritar amerikan. Kështu, qeveria amerikane ishte fuqimisht e angazhuar në mbështetjen e hapur ose të fshehtë, e cila konsistonte në miliarda dollarë asistencë për qeveritë mike.

Një tjetër “goditje e madhe”, siç u konsiderua në atë kohë nga agjentët e CIA në Afrikën e Jugut, ishte arrestimi i Nelson Mandelës, më 5 gusht 1962. Ai përfaqësonte liderin e fshehtë të Kongresit Kombëtar Afrikan, forcës më të madhe opozitare ndaj qeverisë afrikane dhe sistemit të aparteidit.(47) Nelson Mandela qëndroi në burg deri në shkurt të vitit 1990, kur pushteti i kaloi  maxhorancës me ngjyrë dhe ai u zgjodh presidenti i parë i Afrikës së Jugut.

Një sërë operacionesh të fshehta në kohën e Presidentit Eisenhower, kishin si qëllim të hiqnin qafe Fidel Kastron në Kubë. Operacioni i parë i ngjante pak a shumë operacionit të vitit 1954 në Guatemalë. Qindra kubanë që kishin lënë vendin e tyre dhe jetonin në Majami, u stërvitën nga CIA në Honduras. Në vitin 1961, Presidenti Kennedy mbështeti operacionin e Gjirit të Derrave, gjatë të cilit kubanët u hodhën në sulm, të mbështetur nga ajri, fshehtësisht nga CIA. Pushtimi i Gjirit të Derrave rezultoi një dështim i plotë, Kastro përdori ushtrinë kubane për të shkatërruar dhe kapur forcat pushtuese. Ky operacion ishte operacioni i parë i fshehtë i CIA-s, që u bë publik duke turpëruar kështu qeverinë amerikane dhe presidentin Kennedy.(48)

Që prej kësaj ngjarjeje, presidenti Kennedy dhe vëllai i tij, prokurori i përgjithshëm Robert Kennedy, ndërmorën një hakmarrje të gjerë kundër Fidel Kastros, duke e autorizuar CIA-n të përdorte të gjitha mjetet e mundshme për të destabilizuar Kubën dhe vrarë Fidel Kastron. CIA shkoi aq larg sa u mbështet në ndihmën e Mafias, e cila ruante lidhje të forta në Kubë që në kohën e kazinove, përpara se Kastro të merrte pushtetin. Megjithatë, planet e fshehta për të vrarë Kastron, dështuan. Skemat e tjera të përdorura ishin të stilit James Bond; një puro me LSD, një stilolaps me majë të helmuar; të minonin vendin ku ai zhytej në Karaibe; të spërkasnin këpucët e tij me një substancë, e cila do t’i shkaktonte rënien e mjekrës, që sipas ekspertëve të psikologjisë së luftës do të dëmtonte maskilizmin e tij latin, etj.

Shumë njerëz mendojnë se të gjitha intrigat dhe aktivitetet që përfshinin CIA-n, kubanët, Mafian dhe botën e fshehtë të inteligjencës, kishin të bënin me Lee Harvey Oswald dhe vrasjen e Presidentit J. F. Kennedy.

Dështime të tilla nuk e penguan as CIA-n dhe as presidentin të mbështeteshin në operacione të tjera të fshehta. Kështu, amerikanizimi i luftës në Vietnam, çoi jo vetëm në përpjekje ushtarake për të ruajtur pavarësinë e Vietnamit të Jugut, por edhe në përpjekje të fshehta brenda Vietnamit. Qeveria amerikane me mbështetjen e CIA-s përkrahu presidentin Ngo Dinh Diem që prej vitit 1954. Kur ky i fundit nuk ishte më efikas dhe humbi besueshmërinë si udhëheqës i pavarur i Vietnamit të Jugut, qeveria amerikane organizoi një grusht ushtarak kundër Diem, në vitin 1963. Që prej kësaj kohe, pushtetin në Vietnamin e Jugut e morën njëri pas tjetrit gjeneralë ushtarakë të cilët mbështeteshin dhe më pas rrëzoheshin nga qeveria amerikane. CIA trajnoi anëtarë të fiseve Meo dhe Hmong, për të mbështetur ushtarakisht luftën amerikane duke përfshirë edhe një luftë sekrete në Laos. Por veprimtaria më famëkeqe e CIA-s lidhej me programin Phoenix, i cili kishte të bënte me zhvillimin e një aparati të brendshëm sigurie për identifikimin dhe “neutralizimin” e mijëra vietkongëve të dyshuar dhe mbështetës të komunistëve. Pjesë e operacionit Phoenix ishin burgimet e të pafajshmëve, torturat, terrorizmi dhe vrasjet politike.

Që prej fiaskos në Gjirin e Derrave, CIA nuk kishte më ndikimin dhe efikasitetin e dikurshëm. Raportet e CIA-s humbën besueshmërinë në Shtëpinë e Bardhë, sidomos gjatë presidencës Johnson dhe Nixon. Operacionet ishin më pak të suksesshme se në vitet ’50-të dhe u bënë publike në media. Megjithatë, presidenti sërish u mbështet tek CIA dhe operacionet e saj të fshehta, për të çuar përpara angazhimet ndërkombëtare të SHBA dhe strategjinë e frenimit.

Operacioni i fundit i fshehtë i periudhës në studim, lidhet me grushtin e shtetit në Kili gjatë presidencës Nixon. Që prej fillimit të viteve ‘60 Kili ishte një shtet demokratik. Megjithatë, popullariteti i udhëheqësit kristian-demokrat Eduardo Frei po binte nga fundi i viteve ‘60. Sfiduesi më i fortë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1970, ishte Salvador Allende, një marksist i betuar që besonte në demokracinë socialiste. Pavarësisht ndërhyrjes së CIA-s gjatë zgjedhjeve, Allende u shpall president i Kilit. Politikat ekonomike të Allende inatosën kompanitë shumëkombëshe amerikane, si ITT dhe industrinë e bakrit. Kështu, qeveria amerikane vendosi sanksione ekonomike ndaj Kilit. Fshehtësisht CIA, në kohën e Presidentit Nixon, ndërmori një fushatë për të destabilizuar ekonominë kiliane dhe për të nxitur ushtrinë të hidhej në një grusht shteti. Në vitin 1973, ky grusht shteti ndodhi dhe në pushtet erdhi Augusto Pinochet, i cili vendosi një diktaturë 16 vjeçare.

CIA ishte aktive edhe brenda SHBA, megjithëse një aktivitet i tillë binte në kundërshtim me aktin e sigurisë kombëtare të vitit 1947. CIA shpenzoi miliona dollarë duke financuar qindra individë dhe grupe private të biznesit, fuqisë punëtore, gazetarisë, arsimit, filantropisë, fesë dhe arteve, si mjete për të promovuar mesazhin antikomunist dhe për të shtypur opozitën kundër politikës amerikane të përmbajtjes. Qindra akademikë në mbi 100 kolegje dhe universitete amerikane u bënë pjesë e projekteve të financuara nga CIA, ndërsa Shoqata Kombëtare e Studentëve, më e madhja në vend, u financua kryesisht nga CIA në vitet 1952-1967. Me mijëra të tjerë, pa e ditur dhe tërthorazi, ndihmonin CIA-n duke u bërë pjesë e shoqatave të sponsorizuara prej saj.(50)

Me rritjen e lëvizjes kundër Luftës në Vietnam, në mesin e viteve ‘60, gjatë presidencës Johnson dhe Nixon, CIA ndërmori Operacionin Kaos. Qëllimi i tij ishte të “identifikonte se në ç’masë sovjetikët, ekonomistët kinezë dhe kubanët shfrytëzonin problemet e brendshme të Amerikës, përmes spiunazhit dhe taktikave subversive të përmbysjes.”(51) Në vijim, CIA u përpoq të infiltrohej në lëvizjen kundër luftës dhe të minonte besueshmërinë e saj. Gjithashtu, u hartua një listë kompjuterike me emrat e mbi 300,000 qytetarëve dhe shoqatave të cilat CIA i konsideronte si kërcënime potenciale për sigurinë. Në këtë mënyrë, CIA dhe presidenti shkelën jo vetëm statutin e agjencisë, por përmes operacionit Kaos, u dhunua dhe e drejta kushtetuese e qytetarëve amerikanë për të shprehur lirisht opinionin e tyre dhe për të marrë pjesë në politikën demokratike.

Shkëputur nga libri “Politika e jashtme e SHBA”

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.