Çfarë mund të bëni për vendin tuaj?

Fjalimi i Presidentit të SHBA, John F. Kennedy, në ceremoninë e betimit

20 janar 1961 / Washington, D.C.

Fjalimi zgjati 14 minuta! / 1355 fjalë

Le të përhapet fjala, si tek miqtë dhe armiqtë, se që nga ky moment dhe nga ky vend, se pishtari i ka kaluar një brezi të ri amerikanësh, lindur në këtë shekull, kalitur nga lufta, disiplinuar nga një paqe e vështirë dhe e hidhur dhe krenarë për trashëgiminë e lashtë, që nuk dëshirojnë të jenë dëshmitarë ose të lejojnë shkeljen e ngadaltë të atyre të drejtave njerëzore, ndaj të cilave ky komb është zotuar gjithmonë, dhe për të cilat ne sot zotohemi në vendin tonë dhe përpara botës…

Le ta dijë çdo komb, pavarësisht nëse na do të mirën ose të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do të durojmë çdo barrë, do të përballemi me çdo vështirësi, do të mbështesim çdo mik, do t’i kundërvihemi çdo armiku, në mënyrë që të sigurojmë mbijetesën dhe suksesin e lirisë…

Shteteve të reja, të cilat i mirëpresim në radhët e vendeve të lira, u zotohemi me fjalën tonë, se sundimi kolonial nuk do të zhduket thjesht dhe vetëm për t’u zëvendësuar nga një tjetër tirani më e hekurt. Ne nuk do të presim që ata gjithmonë të mbështesin këndvështrimin tonë, por gjithmonë do të shpresojmë se ata do të mbështetin fuqishëm lirinë e tyre; mbajmë gjithnjë parasysh se, në të shkuarën, ata që e kërkuan marrëzisht pushtetin duke i hipur tigrit në kurriz, në përpjekje për ta kalëruar, përfunduan të gllabëruar nga ai.

Atyre njerëzve, që jetojnë në kasolle dhe në fshatrat e gjysmës së botës, duke luftuar për të thyer zinxhirët e një mjerimi të tejskajshëm, u japim fjalën se do të bëjmë përpjekjet tona maksimale për t’i ndihmuar që të ndihmojnë vetveten, për aq kohë sa të jetë e nevojshme; dhe jo sepse komunistët mund të bëjnë të njëjtën gjë, jo sepse duam votat e tyre, por sepse kjo është e drejtë. Nëse një shoqëri e lirë nuk mund të ndihmojë shumicën e varfër, atëherë ajo nuk mund të mbrojë as pakicën e pasur.

Republikave simotra në jug të kufirit tonë, u ofrojmë një zotim të veçantë: për t’i shndërruar fjalët tona të mira në vepra të mira, në një aleancë për progres; për t’i ndihmuar njerëzit e lirë dhe qeveritë e lira të çlirohen nga zinxhirët e varfërisë. Ky revolucion paqësor shprese nuk mund të bëhet pre e fuqive armiqësore. Le ta dinë të gjithë fqinjët tanë, se ne do të bashkohemi me ta për t’iu kundërvënë agresionit ose subversionit kudo në Amerikë. Le ta dinë të gjitha fuqitë e tjera, se kjo “hemisferë” do të vazhdojë të jetë zot në shtëpinë e vet…

Asnjë prej dy grupeve të mëdha dhe të fuqishme të kombeve nuk ndihet mirë nga gjendja aktuale. Të dyja palët janë të mbingarkuara nga kostoja e armëve moderne. Të dyja palët janë në gjendje alarmi nga përhapja e qëndrueshme e fuqisë së atomit vdekjeprurës. Por megjithatë, të dyja grupet janë akoma të impenjuar në një garë për të ndryshuar ekuilibrin e pasigurive terrorizuese, i cili mban pezull shpërthimin e luftës së fundit të njerëzimit…

Kështu që le të rifillojmë, duke mbajtur mend të dyja palët, se mirësjellja nuk është shenjë e dobësisë dhe se sinqeriteti duhet gjithmonë të provohet. Asnjëherë nuk duhet të bisedojmë nga frika. Por edhe, asnjëherë, nuk duhet të kemi frikë të bisedojmë.

Sirena po na mbledh tani sërish, jo si një thirrje për të marrë armët, megjithëse për armët kemi nevojë, jo si një thirrje për të luftuar, megjithëse jemi të përfshirë në luftë tashmë, por si një thirrje për të duruar barrën e një beteje të errët dhe të gjatë, vit pas viti…

Në historinë e gjatë të botës, vetëm pak brezave u është dhënë roli i mbrojtësve të lirisë, në momentin kur ajo rrezikohet më tepër. Unë nuk zmbrapsem nga kjo përgjegjësi, unë e mirëpres atë.

Bashkëkombësit e mi amerikanë: mos pyesni çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju; pyesni çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj.

Miqtë e mi në të katër anët e botës botë, mos pyesni çfarë do të bëjë Amerika për ju, por çfarë mund të bëjmë ne, të gjithë bashkë, për lirinë e njeriut!

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.