ÇFARË ËSHTË JETA?

MENDJA DHE MATERIA & SHËNIME AUTOBIOGRAFIKE

ERWIN SCHRODINGER / Shqip: Valbona NATHANAILI

Parathëniet për botimin shqip: Steve Fuller /Valbona Nathanaili

ÇFARË ËSHTË JETA? ASPEKTI FIZIK I QELIZAVE TË GJALLA

Bazuar në leksionet, mbajtur nën kujdesin e “Dublin Institute for Advanced Studies”, Trinity College, Dublin, më shkurt 1943

Në kujtim të prindërve të mi

Hyrje

Një shkencëtar supozohet të ketë njohuri të thella dhe të plota, të përftuara teorikisht dhe praktikisht, për një disiplinë të caktuar, dhe, në rrjedhojë, në përgjithësi nuk presim të flasë apo të shkruajë për një çështje në të cilën nuk është mjeshtër. Një pohim i tillë njihet si çështje e detyrimit fisnik. Për synimin e këtij libri, kërkoj faljen tuaj për heqjen dorë nga termi fisnik, nëse kemi një të tillë, dhe në rrjedhojë të çlirohem edhe nga detyrimi përkatës. Arsyet janë sa më poshtë:

Nga të parët tanë kemi trashëguar dëshirën e etur për dije të njehsuar dhe gjithëpërfshirëse. Ndërsa vetë emri që u kemi dhënë institucioneve më të larta të të nxënit na kujton, se që nga koha e antikitetit dhe në vijim, përgjatë gjithë shekujve, aspekti universal ka qenë ai dhe vetëm ai që i kemi dhënë kredite të plota. Por përhapja, në gjerësi dhe thellësi, e degëve të shumëllojshme të dijes përgjatë një dhe dyqind viteve të fundit, na ka vënë përballë një dilemë të çuditshme. Qartësisht e dimë që kemi filluar, vetëm tani, të mbledhim material të besueshëm nga shkenca të ndryshme për t’i përzier së bashku dhe marrë, në total, atë që njohim si të tërë. Por nga ana tjetër, është bërë pothuaj e pamundur për një mendje të vetme të komandojë, plotësisht, më shumë se një porcion të vogël, të specializuar, të saj.

Nuk shoh tjetër shpëtim nga kjo dilemë (në dëshirën që, së paku, synimi të mos na humbasë), përveç se disa nga ne duhet të ndërmarrin nismën e sintezës së fakteve dhe të teorive – ndonëse janë dije të fituara nga të tjerët dhe disa prej tyre janë edhe jo të plota – edhe pse me riskun e të dukurit budalla.

Kaq shumë fjalë për ndjesën time!

Vështirësitë e gjuhës nuk janë të papërfillshme. Gjuha amtare e një personi është veshja që i rri më bukur atij. Asnjë njeri nuk ndihet i qetë, nëse gjuha e tij nuk kuptohet dhe, për këtë arsye, duhet zëvendësuar me një të re. Falenderimet e mia shkojnë për Dr. Inkster (Trinity College, Dublin), Dr. Padraig Browne (St. Patrick’s College, Maynooth) dhe së fundmi, por jo më pak i rëndësishmi, për z. S. C. Roberts. Kanë pasur shumë vështirësi të përshtasnin veshjen e re gjuhësore në të folurën time. Por vështirësitë janë shtuar akoma më shumë nga vetë unë, që padashje, kam shmangur veshjen e re, në favor të modës sime ‘origjinale’. Për të gjitha ato fjalë që u kanë mbijetuar përpjekjeve dashamirëse të miqve të mi, hesapet duhen bërë me mua dhe jo me ta.

Kemi menduar që, në përgjithësi, titujt e seksioneve të jenë një lloj përmbledhjeje e përmbajtjes, ndërsa teksti i çdo Kreu duhet lexuar in continuo.

E.S. / Dublin / Shtator, 1944

Homo liber nulla de re minus quam de morte cogitat; et ejus sapientia non mortis sed vitae meditatio est. SPIN0ZA’S Ethics, Pt IV, Prop. 67.

(Nuk ka asgjë tjetër, për të cilën një njeri i lirë mendon më pak se sa vdekja! Mençuria është të ndërmjetësojmë për jetën, jo për vdekjen!)

KREU I / Qasja e fizikës klasike ndaj subjektit

Cogito ergo sum (Mendoj, pa jam) DESCARTES

KARAKTERI I PËRGJITHSHËM DHE SYNIMI I NJË HULUMTIMI

Ky libër i vogël ka lindur nga një kurs leksionesh publike, mbajtur nga një fizikan teorik përpara një audience me afro katërqind pjesëmarrës, të cilët nuk hoqën dorë nga ndjekja, edhe pse u paralajmëruan që në krye se subjekti-lëndë ishte i vështirë, nga ato që nuk e kanë termin popullor, edhe pse një nga armët më të frikshme, deduksioni matematik, vështirë se do të përdorej. Arsyeja e mospërdorimit nuk ishte se lënda ishte aq e thjeshtë sa mund të shpjegohej edhe pa matematikë. Përkundrazi, ishte shumë përfshirëse për të qenë plotësisht e arritshme vetëm me matematikë. Një karakteristikë tjetër, e cila shërbeu, së paku, për të nxitur një lloj popullariteti, ishte synimi i lektorit për të qartësuar një ide fundamentale, e cila qëndron në kufirin ndërmjet biologjisë dhe fizikës, si për biologun, ashtu edhe për fizikanin.

Sot për sot, pavarësisht shumëllojshmërisë së temave të përfshira, e gjithë sipërmarrja është në funksion të përçimit të vetëm një ideje – një koment i vogël për një çështje të madhe dhe të rëndësishme. Me synimin për të mos humbur fokusimin, është e dobishme të parashtrojmë një plan, shkurtimisht, që në krye të herës.

Pyetja e madhe dhe e rëndësishme, si dhe shumë e debatuar, është:

  • Si është e mundur, që ngjarje që marrin jetë, në hapësirë dhe kohë, në kufijtë e një organizmi të gjallë, të studiohen nga fizika dhe kimia?

Një përgjigje paraprake, që ky libër i vogël do të përpiqet të parashtrojë dhe formulojë, mund të përmblidhet si më poshtë:

  • Paaftësia e dukshme, e fizikës dhe e kimisë së sotme, për të studiuar ngjarje të tilla, nuk është aspak arsye për të dyshuar se ato nuk mund të studiohen nga këto shkenca.

FIZIKA STATISTIKE / DIFERENCAT THELBËSORE NË STRUKTURË

Do të ishte një vërejtje tepër e parëndësishme, nëse pohimi i mësipërm do të ishte vetëm në funksion të shpresës së arritjes në të ardhmen, çfarë nuk është arritur në të shkuarën. Në fakt, kuptimi është shumë më tepër pozitiv, që do të thotë se paaftësia, deri në momentin që flasim, vërtet duhet marrë në konsideratë.

Gjithsesi sot, falë punës së palodhur të biologëve, kryesisht të atyre të gjenetikës, përgjatë tridhjetë a dyzet viteve të fundit, kemi mundësinë të njohim mjaft rreth strukturës materiale të organizmave dhe funksioneve të tyre, të pohojmë dhe të themi me saktësi pse, fizikanët dhe kimistët e ditëve të sotme, mund të mos e dinë se çfarë ndodh në hapësirën dhe kohën e një organizmi të gjallë.

Rregullsia e atomeve në pjesët më vitale të një organizmi, po aq sa edhe bashkëveprimi ndërmjet këtyre rregullsive ndryshojnë, në mënyrë thelbësore, nga rregullsitë e atomeve të cilët fizikanët dhe kimistët i kanë pasur objekt të eksperimenteve dhe kërkimit shkencor teorik. Ndërsa diferenca, që unë sapo e cilësova si thelbësore, është e llojit që mund të duket lehtësisht e thjeshtë për cilido, përveç se për një fizikan, që është tërësisht i ngjizur me dijen se ligjet e fizikës dhe të kimisë janë tërësisht statistikorë. Pikërisht për shkak të pikëpamjes statistikore, strukturat e pjesëve vitale të organizmave të gjalla ndryshojnë kaq tërësisht nga çdo pjesë tjetër e lëndës që ne, fizikanët dhe kimistët, kemi mundur të menaxhojmë në laboratorët tanë, apo edhe në trurin tonë, ndërsa jemi ulur e punojmë përballë tavolinës së punës. Është pothuaj në kufijtë e të pamendueshmes që ligjet dhe rregullsitë që kemi zbuluar, të ndodhë që të zbatohen, menjëherë, në sjelljen e sistemeve, struktura e të cilëve nuk shfaq atë në të cilën këto ligje dhe rregullsi bazohen.

Nga jo-fizikanët nuk pritet të kapin – jo më të vlerësojnë domethënien e – diferencës në ‘strukturën statistikore’ formuluar në termat aq abstraktë që sapo i përdora. Për t’i dhënë pohimit ngjyra dhe jetë, më lejoni të them që tani se çfarë do të shpjegohet pak më vonë me më shumë detaje, domethënë, se pjesa më esenciale e një qelize të gjallë – fibra kromozotike – në mënyrë shumë të përshtatshme mund të quhet kristal aperiodik. Deri më tani, në fizikë jemi marrë vetëm me kristale periodikë. Për mendjen e një fizikani modest, këto të fundit, janë objekte shumë interesantë dhe të komplikuar, sepse përbëjnë një nga strukturat lëndore më komplekse dhe të mrekullueshme nëpërmjet të cilave natyra e pajetë shpalos misteret e saj. Por që nëse i krahasojmë me kristalet periodikë, duken shumë të parashikueshëm dhe të mërzitshëm. Diferenca në struktura është e njëjtë me atë që ekziston ndërmjet një letre muri, në të cilën modeli përsëritet e përsëritet në mënyrë të mërzitshme me të njëjtën periodë, dhe një kryevepre zbukurimi, të themi një modeli të Rafaelit, i cili jo vetëm nuk e përmban budallallëkun e përsëritjes, por shpalos një dizajn të ndërlikuar, koherent dhe plot kuptim, projektuar nga Mjeshtri i Madh.

Kur them, se falë hulumtimeve të bëra, kristalet periodikë kanë një nga strukturat me komplekse, kam në mendje pikërisht një fizikan. Në fakt, kimia organike, duke studiuar molekula gjithnjë e më komplekse, i është afruar shumë më tepër, në mendimin tim, ‘kristalit aperiodik’, që është mbartësi i jetës. Në rrjedhojë, çudia është që kimia organike ka bërë, tashmë, kontribute të mëdha dhe të rëndësishme sa i takon problemit të jetës, aty ku fizikanët kanë bërë pothuaj asgjë.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.