UNIVERSI SË PRAPTHI

Nga Moikom Zeqo (3 qershor 1949, Durrës – 15 qershor 2020, Tiranë)

Tiranë, 23 maj 2014

Tërë natën ranë shira të rrëmbyeshëm. Universi shungullonte, tronditej, luhatej nga spektakle bubullimash kapriçioze dhe rrufesh të papërmbajtura. Makabe Zaharias i doli gjumi dy orë mbas mesnatës. Pati ndjesinë se shirat kishin përlagur dhe shfytyruar edhe gjumin e tij të rëndë, të mundimshëm.

Ai me sytë e hapur shihte nga dritarja e studios, ku flinte, vizatimet e zjarrta të jashtësisë së pafundme. Ato ngjanin me një kod kriptologjik të paperceptueshëm dot, deri në fund! Dukej sikur gjendja mendore e gjumit ishte tashmë përtej dritares. Makabe Zaharia psherëtiu. Ah! Të flesh nuk do të thotë se humbet në hiç, në boshllëk. As të qetësohesh, qoftë edhe përkohësisht. Kohët e fundit, ai shikonte ëndrra “së prapthi”. Ai u zgjua duke ëndërruar një objekt leshator, në formën e një shpendi, gjarpri, apo peshku që i hynte në dhomë, por në mënyrë ndryshe, dmth të futet fjala vjen macja jo me pamje nga koka, por nga bishti i saj. Mobiljet e dhomës ishin gjithashtu të kthyera mbrapsht, në një efekt pasqyrë; ai e kishte venë re shpesh këtë kthim mbrapsht të objekteve në hapësirë dhe në kohë, në një numër të madh ëndrrash. Në një ëndërr kishte parë një çift, burrë e grua që i njihte, duke ecur së prapthi, nga dera hynë në garazh dhe i dhanë makinës së prapthi poshtë në rrugicë; pastaj makina u rishfaq, hyri në garazh dhe çifti doli nga makina në mënyrë normale e hynë në shtëpi. Pra ëndrra qe si një film, i treguar fillimisht së prapthi, e pastaj siç duhet. Në një tjetër ëndërr Makabe Zaharia pa disa burra që ecnin së prapthi, duke mbajtur një arkivol, e njëri nga ata tha: “Për t’u djegur mirë i mjaft dru një.” Kur u zgjua ai e kuptoi se edhe fjalia qe thënë së prapthi, se në fakt duhet të kishte qenë: “Një dru mjaft i mirë për t’u djegur.” Kështu ai shihte në ëndrra gjëra të pakonceptueshme: një dhi me fytyrën e Mona Lizës, një anije me vela mes degëve të një pylli të pafund, dëgjonte Simfoninë IX të Bet’hovenit, të orkestruar nga nota e fundit e partiturës drejt (së prapthi) notës së fillimit. Pse ndodhte një gjë e tillë? Ai e dinte se ëndrrat janë kuptime të hibridizuara, ose ekuivalente gjumore të shumë vegimeve, ose edhe të realiteteve. Ah!

Pa sërish drejt dritares. Simbolet e rrufeve feksnin dhe shkarkoheshin. A ka ndonjë ligjësi kozmike në këto sinjale? Kush mund ta dijë këtë gjë? Kush mund të kuptojë diçka? Ah! Makabe Zaharia i mbylli sytë. Qe tepër e mundimshme për të fjetur. Në orën 10 të mëngjesit kishte lënë një takim me gazetaren MRTC, një femër shumë e bukur dhe e re, që punonte si redaktore e rubrikës së kulturës në gazetën kryeqytetase “Eklexior”. Takimi do të bëhej në lokalin “Albanopol”, anës lumit të Lanës, pranë parkut të lodrave të fëmijëve.

Makabe Zaharia, ndryshe nga nata e skëterrshme në ditën e re, ndihej i qetë dhe i këndellur. Iu afrua lokalit. Por mbi të lexoi befas tabelën “Loponabla”. U shtang i tmerruar. Por në çast u qetësua. Ishte leximi sëprapthi – gjë kaq e rëndomtë në ëndrrat e tij. Dreqi e mori! Ah! Ai u fut në lokal. Pa orën e dorës: 9 e 53’.

  • – Mirëmëngjes.

Ai dëgjoi zërin e Laertit, kamerierit. Ai kishte mbaruar studimet universitare për elektronikë, por duke mos gjetur punë, qe bërë kamerier. Djalë simpatik dhe gazmor.

  • – Mirëmëngjes Laert!
  • – Kafe ekspres?
  • – Sigurisht.

Makabe Zaharia i ulur shikoi rreth e qark. Një riprodhim i “Guarnika-s” së Pikassosë në murin majtas, befas iu duk akoma më çuditshëm, në një ripërtëritje konceptuale. Qe “së prapthi”. Po çmendem, mendoi. E pa sërish. Piktura qe kthyer në çast në normalitet.

  • – Ja kafeja.

Ai ngriti kokën dhe pa kamerierin. Sa nuk klithi. Në vend të fytyrës rinore të Laertit pa një fytyrë të plakur, fytyrën e djaloshit, siç do të bëhej mbas 50 vitesh.

  • – Jeni mirë?

Zëri i Laertit qe i shqetësuar. Ai e kishte fituar sërish fytyrën e mrekullueshme rinore.

  • – Jam mirë. Shumë mirë. Faleminderit.

Erdhi MRTC. Bukuri e hajthme. Me lëvizje elegante. U ul përballë Makabe Zaharisë.

  • – Kafe, apo çaj?
  • – Oh, jo. Një gotë xhin dhe ujë të gazuar.
  • – E solle përkthimin?
  • – Po. “Kronikat Marsiane”. Të Rei Bredbëri-t.

Ajo nxori nga një çantë elegante lëkure, që e kishte vendosur në karrigen e tretë bosh të tryezës prej mermeri, një dosje plastike me letra A4 të kompjuterizuara. Sytë i shkëlqenin. Gishtat e saj, sikur vallëzonin si të ndriçuara lehtë nga një dritë e pashpjegueshme. Makabe Zaharia vuri syzet optike (plus 2.5). Hapi dosjen. Shfletoi fletët. Ah! Bredbëri. E adhuronte shkrimtarin amerikan.

  • – E njoh këtë libër, tha. E kam lexuar disa herë në gjuhën e origjinalit. Erdhi rasti ta lexoj edhe në shqip.
  • – Është pak ndryshe, tha ajo. Si të takosh dhe të njohësh një binjak të librit, që fillimisht s’pati një të tillë.
  • – Po, një binjak. Bukur e the. Më vjen mirë që e ke përkthyer.

MRTC mori frymë thellë. Ngjante sikur po rilindej.

Makabe Zaharia ra në një meditim të thellë dhe të shumëfishtë.

  • – E dashur MRTC, tha ai. Do ta lexoj përkthimin tënd. Rei Bredbëri është i veçantë. E dua dhe e çmoj Rei Bredbërin. Është shkrimtar i shkëlqyer.
  • – Me shumë imagjinatë!
  • – Sigurisht. Një kalorës i imagjinatës. Një Kolomb i imagjinatës. Një zbulues i madh! Kronikat Marsiane” janë një fantashkencë (scientifiction). Subjekti: pushtimi dhe kolonizimi nga tokësorët i planetit Mars. Gjenia e Rei Bredbërit e shtjellon temën me tone elegjiakë. Marsianët, që në fillim të librit të fusin tmerrin, në momentin e disfatës dhe të zhdukjes së tyre, të zgjojnë mëshirë të ankthshme. Tokësorët korrin fitore, por shkrimtari nuk gëzohet. Më shumë i trishtuar, madje i dëshpëruar, ai paralajmëron ekspansionin e ardhshëm të tokësorëve në planetin e kuq -, që profecia e tij e zymtë na e zbulon si një shkretëtirë pa përmasa, me rërë në blu të turbullt, me gërmadha qytetesh të ngritura si kuti (peizazh kubist) pranë njëri-tjetrit, me muzgje vjollcë dhe të portokalltë, me anije mekanike antike, për të lëvizur në oqeanin rëror, të frikshëm dhe armiqësor. Bredbëri flet për vitin 2004 – ne ndjejmë se profecia është e hiçtë, e pabesueshme, ndërsa jemi të rënduar nga gravitacioni, lodhja, akumulimi i madh dhe i mjegulluar i së kaluarës luftarake – “dark backward and abysm of Time”, të vargut të Shekspirit.
  • – Viti 2004! E pra tani jemi në vitin 2014. Pushtimi i Marsit nuk ka ndodhur.
  • – As do të ndodhë! Çdo letërsi e madhe është simbolike. Udhëtimi në Mars është metafizik.
  • – Sigurisht metafizik!
  • – Në shekullin e dytë të erës sonë, Lukiani nga Samosata shkroi një tekst mrekullish për Selenitët, të cilët tjerrin dhe endin metalet dhe qelqin, nxjerrin sytë nga vendi dhe i venë përsëri, pinë lëng prej esence ajri. Në shekullin XVI Ariosti imagjinonte një kalorës që kish mbritur në Hënë dhe kish zbuluar atë që i kishte humbur në Tokë: lotët dhe psherëtimat e dashnoreve, kohën e harxhuar kot në kumar, projektet utopike dhe dëshirat e paplotësuara asnjëherë. Në shekullin XVI Kepleri botoi “Gjumin Astronomik” (“Somnium Astronomicum”), që ngjan si transkriptimi i një libri të ëndrrave, ku flet për formimin dhe zakonet e gjarpërinjve në Hënë, madje edhe feksjen në trutë e këtyre zvarranikëve të shumë subjekteve letrare të huazuara misteriozisht nga Homeri, Servantesi dhe Shekspiri.
  • – E habitshme! Mizorisht e habitshme!
  • – Mos u habit. Shkrimtarit i lejohet çdo gjë. Misteri grish motivet.
  • – Misteri? Fetë lidhen me misterin. Shkenca e sulmon misterin Makabe.
  • – Por misteri nuk mposhtet. Teknologjia e sofistikuar hap para nesh shumësinë e papërballueshme të misterit.

Po të tregoj diçka që ngjan e makthshme në universin e pamatshëm të internetit. Ja ç’ka ngjarë këto kohët e fundit. Filmime 11-sekondash me drejtkëndësha të ngjyrosur, me tinguj elektronikë. Në dukje nuk kanë kuptim, por kanë tërhequr edhe vëmendjen e BBC, që investigon. A ka një mesazh të fshehur?

A është një kod për spiunazhin? Një iniciativë e mençur marketingu? Apo një lojë në internet? Mos është shfryrja e ndonjë të çmenduri? Dikush ka ngarkuar për shtatë muaj me radhë në Youtube njërën video pas tjetrës, me një format pothuajse identik: dhjetë pamje drejtkëndëshash ngjyrë të kuqe dhe blu, të cilët alternohen për 11 sekonda, me një muzikë në sfond që gjenerohet nga një kompjuter. Çfarë do të thotë? Kush i ka prodhuar dhe përse?

Kur numri i këtyre videove arriti shifrën mbresëlënëse 80 mijë, publikuesi anonim i tyre u ndal. Stop. Fundi i transmetimeve. Heshtje. Por ndërkohë në internet kishin nisur tam-tamet për të zbuluar kush dhe çfarë fshihet prapa këtij misteri të vogël të rrjetit? Tani me të po merret edhe BBC, e cila ka ngarkuar një specialistin e vet për të investiguar. Dhe që ndoshta ka zbuluar, të paktën pjesërisht, vetë misterin.

Gjithçka nisi në 23 shtator të vitit 2013 në orën 14:45, kur dikush që shfaqej me emrin Webdriver Torso, ngarkoi në Youtube videon e parë të serisë. Njëzetetetë minuta më vonë hodhi një tjetër, pothuajse të njëjtë. Një orë më vonë, një të tretë. Dhe vazhdoi kështu, ditë pas dite, për shtatë muaj me radhë, deri kur krejt papritur u ndal, pasi kishte ngarkuar në kanalin e tij plot 236 orë klipe 11 sekondash: 80 mijë filma të shkurtër, nga 11 sekonda secili.

E para që e pikasi fenomenin ishte e përmuajshmja amerikane “Wired”. Që atëherë, pyetja është vërtitur nëpër internet, mes blogjeve, postimeve në Facebook dhe Twitter: -Kush qëndron prapa kësaj sekuence të çuditshme drejtkëndëshash të kuq dhe blu? Cili është mesazhi i tyre, nëse ka një të tillë? Një hipotezë është që mund të jetë një gjuhë e koduar, që u dërgohet spiunëve apo informatorëve. Një tjetër thotë se bëhet fjalë për një testim, për të zbuluar talente të rinj të kriptografisë. Një burim i tretë thotë se është diçka banale, një nismë marketingu për një produkt – por ende nuk është zbuluar se për çfarë produktesh bëhet fjalë. E përditshmja angleze “The Guardian” ka thënë se ndoshta është rezultat i një konference krijuesish të programeve kompjuterikë, një lloj loje mes inxhinierësh kibernetikë, dhe mendon që edhe kishte pikasur një të dyshuar, një shkencëtar me emrin Isaul Vargas, i cili megjithatë ka mohuar që të ketë të bëjë me videot misterioze. Dikush beson që është pasojë e një programi të kompjuterizuar që është “marrosur” – (një lloj virusi) por efektet e të cilit nuk dihen ende. Dikush tjetër, pak a shumë seriozisht, thotë që janë mesazhe të dërguar në tokë nga një specie aliene jashtëtokësorësh.

Spencer Kelly dhe Stephen Beckett, dy ekspertë të cilëve BBC u ka kërkuar të investigojnë, kanë mbërritur ndoshta pak më pranë të vërtetës. Pikësëpari, duke ekzaminuar të 80 mijë videot, kanë zbuluar që Webdriver Torso ngarkonte të paktën 400 në ditë. Ditën e Krishtlindjeve ka ngarkuar madje një video në çdo dy minuta – praktikisht pa bërë asgjë tjetër, dhe gjithashtu pa humbur kohë për të ngrënë apo për të fjetur. Më tej, duke shmangur një paywall që ishte ngritur për të mbrojtur videon e parë që ishte ngarkuar, zbuluan një klip të një filmi me kartona, “Aqua Teen Hunger Force”, në të cilin tre protagonistët nuk arrijnë të fitojnë një quiz në një klub nate. Në fund, në videon numër 1182, zbuluan një anomali të dytë në krahasim me të tjerat: filmuar nga një ballkon në Paris, një klip prej 6 sekondash i ndërtuar brenda sekuencës së zakonshme me drejtkëndësha të kuq dhe blu, tregon Kullën “Eiffel” të ndriçuar natën, si dhe për një çast pamjen e padallueshme qartë të një personi. A është ai Webdriver Torso? Ndoshta. Edhe sepse, poshtë asaj videoje, ai ka lënë një postim misterioz: “Matei është inteligjent”.

Çdo përpjekje për të kontaktuar autorin e komentit përmes adresës në Google, nuk ka marrë përgjigje: “Një gjë është e sigurt”, konkludojnë dy investiguesit e BBC, “Ka shumë Francë brenda këtij misteri”, duke përfshirë ngjyrat e drejtkëndëshave, që janë ata të flamurit francez. Nëse është një specie aliene, që i ka ngarkuar filmimet në Youtube “shpresojmë që viennent en paix”. Ardhshin paqësisht!

  • – Nuk e di këtë gjë Makabe. Nuk jam e lidhur me internetin deri në këtë pikë. Vetëtimthi duke të dëgjuar, mendova se ndonjë nga marsianët e librit të Rei Bredbërit, hakmerret kibernetikisht me tokësorët rutinorë dhe të vetëkënaqur.
  • – Ndoshta MRTC.
  • – Çdo subjekt prodhon papushim, pulson, shpërndan realitete alternative.
  • – E kam menduar edhe unë.
  • – Kjo do të thotë se letërsia nuk mund të vdesë.
  • – Si mund të vdesë?
  • – Bisedat me ty Makabe, janë gjithmonë ngacmuese!
  • – Oh, jo gjithmonë. Shpesh flas edhe marrëzira. Shpresoj vetëm të mos jem i mërzitshëm. Kjo ma shpif.
  • – S’je asnjëherë i mërzitshëm Makabe.
  • – Faleminderit. Më duket sikur më mëshiron. Ose më miklon.
  • – Jo.
  • – Një njeri i vetmuar si unë, ka shumë përsiatje të kota. Me të sfidoj vetminë universale.
  • – Nuk je i vetmuar Makabe.

Zëri i MRTC qe i ngrohtë, gati ngashërues. Makabe Zaharia u prek. Ai e dinte se MRTC, ndonëse shumë e bukur, qe pa fat në dashuri. Nuk e kishte gjetur kurrë shpirtin e saj binjak. Ah! Dashuria është një fatalitet. Edhe Makabe Zaharia qe i ngjashëm. Po thinjej si një beqar legjendar. Pa me përqendrim disa nga fletët e përkthimit. Ndihej në formulimin e fjalive në shqip diçka e ndrojtur dhe e brishtë, si të thuash, një stil femëror. Gjë e vetëkuptueshme, mendoi. U zhyt në lexim. Bota rreth e qark iu zhduk. Rëra përvëluese e Marsit. Gjiri detar i Currilave, i tharë dhe i vdekur në Mars. Një marsian që quhej Milosao, i vrarë në brigjet e një lumi pa ujëra. Përballë një deti pa ujëra. Befas, shirat e mesnatës që përjetoi edhe në ëndrra në studion e tij, u derdhën në planetin e përzhitur të Marsit. Ah! Vetëtimat e munguara. Drejtkëndësha dhe shirita të kuq e blu. Heraldikë fantazmagorike. Peizazhe së prapthi. Tinguj elektronikë të kozmosit dhe të boshllëkut. Vrimat e Zeza. Sekuenca nga filmat e Kumbrikut dhe Kurosavës. Bomba atomike e Hiroshimës në Mars. Mutantë të Tokës, që bëjnë seks me mutantë të Marsit. Perspektiva negative e objekteve, si në ikonat bizantine mesjetare. Metaforat e futuristëve. Shkretërimi i simetrisë. Plogështia e pasioneve të humbura. Vdekja e ideologjive. Zemra elektrike, që lëvizin pa trupa. Stalakmite marsiane nga djersët e hyjnive që s’janë më. Heshtje nokturne. Perceptime të deformuara. Mungesa e erërave. Noktambulizmi i hapësirës. Koha me frikën e devijimit nga gjithçka.

Lexoi gjatë. Më shumë sesa subjektin, disa subjekte të tjera të panjohura. Motive torturuese. Për një çast, Makabe Zaharia ngriti kokën dhe pa MRTC përballë. U tmerrua. Koka e saj qe zhvendosur mbrapsht dhe ai pa pjesën e pasme të flokëve. Si në tablotë e Rene Magrittit. Kjo zgjati 3 sekonda. Pa sërish normalisht fytyrën botiçeliane të MRTC. Ah!

  • – Përkthimi më duket i rrjedhshëm. I qartë. Shumë mirë.
  • – Faleminderit Makabe. Më vjen mirë. Sidomos kur e thua ti qe je një skeptik i madh.
  • – Skeptik i tmerrshëm.
  • – Nuk e thashë këtë.
  • – Nuk ka ndonjë ndryshim të veçantë midis skeptikut të madh dhe skeptikut të tmerrshëm.
  • – Nuk e thashë në këtë kuptim Makabe.
  • – A e ke lexuar romanin e Rei Bredbërit “Vetmia është një qivur prej qelqi”?
  • – S’më ka rënë në dorë Makabe.
  • – Bëhet fjalë për një njeri që e ka shpallur vdekjen e tij para 20 vjetësh, ndërkohë që pas një muri drejton një studio televizive të suksesshme dhe është truri i të tëra programeve. Shpalli vdekjen e tij për të mbijetuar ndryshe.
  • – Si ka mundësi?
  • – Është kaq e thjeshtë. Edhe shkrimtarët kështu janë. Vetmia e tyre, është vetëshpallje e vdekjes publike.
  • – Jo të gjithë Makabe.
  • – S’flas për 90 përqind të shkrimtarëve që janë mediokër. Vetëm shkrimtarët e mëdhenj janë Të Vetmuarit. Por janë pak. Shumë pak. Sa janë gjallë, s’dihen se kush janë në të vërtetë. Qivuri prej qelqi i vetmisë së tyre është si një kostum kozmonauti.
  • – Edhe njerëzit e rëndomtë janë të vetmuar. Të jesh i vetmuar, s’është privilegj Makabe. Është tirani. Moderniteti është vetmi.
  • – E drejtë MRTC shumë e drejtë. Jetojmë natën dimërore të kapitalizmit të mplakur, ku egoizmi i skajshëm dekreton Vdekjen e Njeriut.
  • – Apokalipsi i Njerëzimit?
  • – Njëfarësoj. Diçka arketipale. Si në romanin e Rei Bredbërit, ku tokësorët i vranë marsianët duke projektuar kështu vetë vdekjen e tyre pa asnjë triumf… dhe të kotë.
  • – Tingëllon e zymtë Makabe!
  • – Por ende s’kanë vdekur shkrimtarët e vërtetë. Ata koncentrojnë dhe mbartin vetë Njerëzimin.
  • – Oh!
  • – Rei Bredbëri ka shkruar disa subjekte akoma më të guximshme për shkrimtarët e vdekur që i adhuronte.
  • – Ashtu? Sa interesante!
  • – Në një tekst të tij, Çarls Dikensi banonte në pension të administruar nga gjyshja reale e Bredbërit. Në një tekst tjetër Bredbëri paraqitet si biri i Edgar Allen Po-së dhe i Emili Dikinsonit. Ai shkruan madje një poemë ku thotë: “Ku je nëna ime Emili Dikenson? Herman Melvili, mbrëmë kur flinte, përmendi në ëndërr emrin tuaj.” Ka shkruar histori dashurie midis dy njerëzve që nuk janë takuar, të lindur në shekuj të ndryshëm dhe hapësira të largëta.
  • – Sa romantike Makabe!
  • – Një romantizëm që e dendëson, e qartëson realizmin. Një libër tjetër i Bredbërit, e transformon Bernard Shoun në një robot për të eksploruar hapësirat. Duket si paturpësi, por është vetëm dashuri e pamatshme për shkrimtarin nga një i ngjashëm.
  • – Libra të tillë e mbajnë gjallë shpirtin njerëzor.
  • – Sigurisht MRTC. Sigurisht e bukura dhe e mençura MRTC. Në një subjekt tjetër të Bredbërit flitet për një proces katastrofik të djegies së librave. Deri sa nuk është djegur edhe libri më i fundit, shpirtrat e shkrimtarëve ende ekzistojnë, ende janë – kur digjet dhe ky libër atëherë tërë shkrimtarët vdesin në çast. Vdes – në një vdekje të dytë Homeri, Dantja, James Joyce-i, Federico Garcia Lorka, Shekspiri dhe Migjeni, Eskili dhe De Rada. Vdes edhe fillestari i talentuar që ka shkruar vetëm poezinë e parë. Mundet që biologjikisht të lindin sërish foshnja, por në asnjë prej tyre nuk do të jetë shkrimtari më, në jetë të jetëve!

Makabe Zaharia pa orën e dorës. Kishin kaluar 3 orë plot.

  • – Do ta marrësh përkthimin për ta lexuar në qetësi, Makabe?
  • – Padyshim.
  • – Është kënaqësi të rrish me ty Makabe.
  • – Kënaqësia është imja e dashur MRTC.
  • – Më duhet të ngrihem. Më duhet të marr pjesë në përurimin e një ekspozite pikturash në Galerinë “Zenit”.
  • – Shko MRTC! Po paguaj unë.
  • – Faleminderit. Do të të telefonoj për t`u takuar sërish në javën e ardhshme.

MRTC u ngrit. Elegante. E magjishme. U drejtua nga dalja e lokalit. Makabe Zaharia pa shpatullat e saj, trupin e hajthëm, këmbët. E tmerrshme. Fytyra e saj qe sëprapthi me ecjen e saj. Sytë e saj të mëdhenj. Buzët e dridhshme. Për 3 sekonda sigurisht. Ai pa pozicionin normal të kokës drejtuar nga dalja në rrugë, pjesën e valëvitëshme të flokëve që i zbrisnin tek supet. U zhduk.

Mbi tryezë ishin fletët e përkthimit. Substanca e së tashmes, si mungesa e së ardhmes. Ah. S’dua të fle më! S’dua të fle më! Kështu klithi pa zë brenda vetes Makabe Zaharia. Mjaft jam qullur dhe mërdhirë, nëpër ëndrrat fatale!

Kanë thënë:

  • Dr. Laidon Shapo: Moikom Zeqo ka qenë një intelektual dhe profesionist kalibri, një atdhetar dhe qytetar model, një personalitet dhe qenie modeste që punoi deri në frymën e fundit! Humbje e pritshme, por prapë shumë e dhimbshme.
  • Prof. Aleksandër Peçi: Moikom Zeqo ka qenë një yll ndriçues në kulturën shqiptare! Një nga intelektualët më të shkëlqyer, që i dha zë mendimit shkencor, poetik, letrar, arkeologjik, historik, filozofik, estetik, muzeal dhe politik! Një gjigand krijues, një mendje enciklopedike, një poliedrik me 62 libra të botuar, explorator i mendimeve të mëdha. Sa shumë nevojë kemi t’i referohemi veprës së jashtëzakonshme të Moikom Zeqo.

Aleancat fatale për të qëndruar në pushtet

Në çdo demokraci, vjen një kohë që politikanëve u duhet të përballen me sfida të ashpra. Krizat ekonomike, rritja e pakënaqësisë së publikut dhe rënia e autoritetit të partive politike kryesore kalojnë në sitën e gjykimit edhe politikanët më me përvojë. Nëse në skenën politike shfaqet një i jashtëm, karizmatik dhe me popullaritet, i aftë të sfidojë politikën e deriatëhershme, për politikanët e karrierës që ndiejnë se po humbasin kontrollin, tundimi për të provuar bashkëpunimin me të është shumë i madh. Nga ana tjetër, nëse një nga politikanët e karrierës thyen radhët dhe u bashkohet turmave, përpara se ta bëjnë rivalët e tij, ai mund ta përdorë energjinë dhe bazën e të jashtme për t’ua hedhur kolegëve. Por në të dyja rastet, shpresa e politikanëve të karrierës është që gjithçka të zhvillohet në mënyrë të tillë, që të jetë mbështetje për programin e tyre.

Ky lloj pazari me djallin shpesh degjeneron në interes të të jashtmit rebel, sepse aleanca i siguron kushtet e mjaftueshme për t’u ndier legjitim në pushtetin e pretenduar.

Rasti Hugo Çavez

Venezuela gjithmonë është vetëmburrur me faktin e të qenit demokracia më e vjetër në Afrikën e Jugut, në fuqi nga viti 1958. Çavez, një oficer i ri ushtarak dhe drejtues i një grushti të dështuar shteti, një njeri që nuk kishte mbajtur kurrë një post publik, ishte i jashtëm për politikën. Por ngjitjes së tij drejt pushtetit iu dha një shtysë e mirë nga një i brendshëm i konsumuar i politikës: ish-presidenti Rafael Kaldera, një nga themeluesit e demokracisë venezuelase.

Për një kohë shumë të gjatë, politika venezuelase është dominuar nga dy parti politike: Aksioni Demokratik, një grupim i të majtës së qendrës, dhe Partia Social-Kristiane, një grupim i të djathtës së qendrës (njohur si COPEI). Të dyja partitë alternonin pushtetin, në mënyrë paqësore, për më shumë se tridhjetë vjet. Në fillimvitet 1970, Venezuela konsiderohej si model i demokracisë, në një rajon ku flitej vetëm për grushte shteti dhe diktatura. Gjithsesi, gjatë viteve 1980, ekonomia e vendit, me një varësi të theksuar nga nafta dhe çmimi i saj, u zhyt në një krizë të tejzgjatur rrënimi për më shumë se një dekadë dhe që pothuaj dyfishoi numrin të varfërve. Pa habitur asnjë, pakënaqësia në radhët e popullsisë venezuelase njihte vetëm rritje. Trazirat masive të shkurtit 1989 tregonin se partitë kryesore po përballeshin me vështirësi. Tre vite më pas, në shkurt 1992, një grup ushtarakësh të rinj ngrihen kundër presidentit Karlos Andrés Pérez. Grupi udhëhiqej nga Hugo Çavez. Rebelët vetëquheshin “bolivarë”, në nder të heroit të pavarësisë, Simón Bolívar. Grushti ushtarak dështoi. Por kur Çavez, tashmë i arrestuar, u shfaq në një stacion televiziv dhe foli direkt, duke u kërkuar mbështetësve të dorëzonin armët (sipas Çavez, ata ishin shndërruar tashmë në legjendë, ndonëse misioni, “për momentin”, kishte dështuar), në sytë e shumë venezuelasve, veçanërisht atyre të varfër, u vlerësua si hero. Në vijim të një grushti të dytë shteti në nëntor 1992, por përsëri të dështuar, i burgosuri Çavez vendos të ndryshojë strategji, duke bërë të vetën opsionin e fitimit të pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve. Por kishte nevojë për ndihmë.

Ndonëse ish-presidenti Kaldera (Rafael Antonio Caldera Rodríguez, 24.1.1916- 24.12.2009) ishte një burrë shteti i formuar më së miri, në vitin 1992 karriera e tij pothuaj ishte venitur. Katër vite më parë nuk ia kishte dalë të siguronte nominimin për president nga partia ku aderonte. Për momentin, konsiderohej thjesht një relikte politike. Por senatori shtatëdhjetegjashtë vjeçar akoma e mbante hapur sirtarin ku ruante ëndrrën e kthimit në zyrën presidenciale, ndërkohë që nevoja që kishte Çavez ishte kamerdarja për të cilën kishte nevojë. Natën që Çavez filloi grushtin e shtetit, ish-presidenti mori fjalën gjatë një sesioni të përbashkët të mbajtur në kushtet e emergjencës dhe shfrytëzoi kauzën e rebelëve për të deklaruar:

  • Është e vështirë t’u kërkosh njerëzve të sakrifikojnë veten për lirinë dhe demokracinë kur mendojnë, se liria dhe demokracia nuk janë në gjendje t’u japin ushqim për të ngrënë, nuk janë të afta të parandalojnë rritjen astronomike të kostos së jetesës, nuk mund ta ndalin përfundimisht kamxhikun e tmerrshëm të korrupsionit, që në sytë e gjithë botës po gllabëron, çdo ditë që kalon edhe më shumë, institucionet e Venezuelës.

Ky fjalim frymëzues ringjalli karrierën politike të Kalderas. I formatuar me sistemin antikushtetues të Çavez, përkrahja e ish-presidentit u bymye më së miri, gjë që i mundësoi të dilte i suksesshëm e fitonte një mandat të ri në zgjedhjet presidenciale të vitit 1993.

Flirtimi publik i Kalderas me Çavezin ndikoi më shumë se rritja e numrit të votave në kutitë e votimit për Kalderan. Ai shërbeu edhe si mjet për t’i dhënë një dimension të ri kredibilitetit të Çavezit. Çavez dhe komradët e tij duhej të akuzoheshin për shkatërrimin që kërkonin t’i bënin demokracisë tridhjetekatër vjeçare të vendit. Por në vend që të shkonin në gjyq për grusht shteti dhe kërcënim ekstremist, ish-presidenti u zgjati dorën dhe u ofroi simpatinë e publikut dhe bashkë me to, u hapi derën për t’i bërë pjesë të politikës së ditës të vendit.

Akoma, Kaldera i hapi edhe një derë tjetër Çavezit, atë të vetë pallatit presidencial, me një akt vdekjeprurës që ndërmori ndaj partive tradicionale të Venezuelës. Në një mënyrë jashtëzakonisht të qetë, braktisi COPEI-n, partinë që e kishte themeluar vetë afro gjysmë shekulli më parë, për të trumbetuar krijimin e një force të re të pavarur. Për të qenë korrekt, duhet të themi që partitë ishin në krizë, por ikja e Kalderas, si dhe fushata kundër partive tradicionale të vendit, ishin goditjet që i dhanë fund gjithçkaje. Sistemi i partive kolapsi pas zgjedhjeve të vitit 1993 që nxorën Kalderan si president. Në të njëjtën kohë, ky kolaps i shtroi rrugën e mirëseardhjes të jashtme, atyre që nuk i përkisnin tradicionalisht politikës. Pesë vjet më vonë do të ishte radha e Çavezit.

Nëse vazhdojmë të analizojmë ngjarjet e vitit 1993, duhet të vëmë në dukje se Çavez kishte akoma një problem të madh. Ai ishte në burg dhe priste të dilte në gjyq për tradhti. Por në vitin 1994, Kaldera-president shfuqizon të gjitha akuzat kundër tij. Ky veprim final i hap Çavezit në kuptimin e plotë të fjalës këtë radhë edhe derën e fundit që e kishte të mbyllur, atë të burgut. Sapo lirohet, një gazetar e pyet Çavezit se për ku është nisur. “Drejt pushtetit”, përgjigjet ai. Lirimi i Çavezit ishte një gjest më shumë se popullor dhe Kaldera e kishte premtuar një lëvizje të tillë gjatë fushatës. Njësoj si shumë pjesëtarë të tjerë të elitës venezuelase, edhe Kaldera e vlerësonte Çavezin si një zgjidhje të çastit, diçka që do të fluturonte në erën e parë dikush që do t’i ikte publikut nga qejfi që në zgjedhjet e radhës. Me shfuqizimin e të gjitha akuzave, në vend që Çavez të vazhdonte të kishte detyrimin e paraqitjes në gjykatë dhe më pas të falej, Kaldera e lartëson figurën e tij dhe brenda natës e shndërron drejtuesin e grushtit të shtetit në një kandidat karizmatik për president.

Më 6 dhjetor 1998, Çavez fiton zgjedhjet presidenciale, duke lënë pas, me lehtësi, kandidatin që mbështetej nga politika tradicionale. Në ditën ceremoniale të marrjes së postit, Kaldera, presidenti që po largohej, nuk ishte i pranishëm në betimin e presidentit të ri, ashtu sikundër e kërkonte tradita. Përkundrazi, u detyrua ta ndiqte ceremoninë mënjanë, i pikëlluar.

Përktheu Valbona Nathanaili

Shkëputur nga libri “Si vdesin demokracitë”. Autorë Steven Levitsky & Daniel Ziblatt

Nonda Bulka

Leusë, 1906 – Tiranë, 14 nëntor 1972

Nga Sterjo Spasse

Tiranë, më 16 nëntor 1972

Pardje, më 14 nëntor 1972, në orën 20:10’ vdiq në spitalin e Onkologjisë në Tiranë i shumëdashuri i ynë NONDA BULKA, një nga figurat e mëdha të kulturës dhe letërsisë sonë, prijësi i shquar, krahë përkrah me Migjenin, i letërsisë përparimtare të viteve ‘30. Në minutat e fundit të jetës, pranë tij u ndodhën Qefserja, e shoqja, Sterjovica ime, Qiroja dhe e shoqja e të vëllait të Nondës, Gabrielit, vdekur edhe ai dy vjet më parë.

Unë me Zisën dhe Shelin arritëm në spital pas gjysmë ore. Që atë natë, të veshur nga Sterjovica e nga dy infermiere, kufomën e shpumë në shtëpinë e tij. (Sterjovica e qau si të qante vëllain e saj, e ligjëroi si dinte të ligjëronte ajo si një amanet që kishte prej tij. Ilinden Spasse).

Në këto momente të vështira të jetës së tij, bashkë me Zisën, i kemi qëndruar shumë afër Nondës: dy vjet më parë jemi interesuar me Zisën, që të nisej për kura jashtë shtetit. Vajti në Bukuresht e pas dy-tri muajve u kthye i përmirësuar. Mirëpo, nuk vajti gjatë. Pas shtatë muajve u keqësua. Përsëri u nis për në Bukuresht, më 21 prill të këtij viti e ndejti gjer më 4 korrik. Në aeroport, kur zbriti na u duk i përmirësuar e optimist. U gëzua se hyri në apartamentin e ri, që nuk i gëzohej dot. Dhe dy muajt e parë dilte nga shtëpia dhe pothuajse përditë vinte tek ne; bënim muhabet, pinim nga një kafe e nuk i gëzohej dot nipit tim, Arian e mbesave. Kemi bërë për kujtim disa fotografi në oborrin e shtëpisë sime bashkë edhe me Zisa Cikulin e këto janë fotografitë e tij të fundit. Në një fotografi ka dalë vetëm me nipin e Arian në krahë. Në një tjetër me Ilon… Fotografi të dhimbshme janë edhe ato që kemi dalë më 2 janar 1972 në shtëpinë e tij me të e Qefseren, me Zisën e Shelin, me Fatmirin e Besën, me Llazarin e Erietën dhe me mua e Sterjovicën. Një kujtim këto nga poeti dhe fotografi Vasil Koçi.

Dy muajt e fundit i rralloi vizitat në shtëpinë tonë: vinte dy-tri herë në javë. Por, një muaj e gjysmë para vdekjes, nuk luajti nga shtrati. Një ditë, me kurajë të madhe, u ngrit nga krevati dhe bëmë një shëtitje deri në Krujë me iniciativën e Behar Shtyllës. Ishte dhe Zisa. E kaluam shumë mirë. Pastaj, të nesërmen, i kënaqur shumë nga shëtitja, përsëri ra në shtrat. Pas disa ditësh u bë një ceremoni e vogël në zyrat e revistës “Hosteni”, ku iu dorëzua Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të parë për aktivitetin e tij gazetaresk. Ishim disa shokë. Gjithsej 10 veta: Dashnor Mamaqi, Dhimitër Shuteriqi, Zisa Cikuli, Fatmir Gjata, Petro Marko, Niko Nikolla, Dhionis Bubani, Aleksandër Banushi, Zef Bumçi etj.

Pasi iu dorëzua Urdhri i Presidiumit të Kuvendit Popullor tha: “Me ilaçe dhe me humor do të luftoj demonin, që më ka kapur për grykë”. Dhe demoni ishte kanceri, që e kish kapur nën gjuhë e prej të cilit vdiq në spital, ku u dergj gati një muaj e ca.

Me Zisën i kemi vajtur çdo ditë, herë paradreke, herë pasdreke. E ngrinim pakëz, e mbështetnim në jastëkët dhe ia bënim: “A pimë nga një cigare?”. Dhe kjo “A pimë një cigare?” na ishte bërë zakon, si të thonim: “A pimë një kafe?”. Se kafen e duhanin që i pinte aq shumë, tani i kishte rralluar fort. Kafe nuk piu fare në spital. Kurse nga 60 cigare që pinte në ditë, dy javët e fundit arriti në dy. Njërën nga këto e pinte kur i shkonim me Zisën. I pëlqente t’i flisnim ne e ai vetëm të dëgjonte. I flisnim për politikën e jashtme, për luftën në Vietnam e për piratët e ajrit., veç gjërave të brendshme. Javën e fundit ra shumë dhe rregullën “A pimë nga një cigare?” tre ditët e fundit e lamë. Në këto ditë na zgjaste dorën, deshte të thoshte diçka, por nuk tha asgjë.

Një ditë para vdekjes, qëllova disa çaste vetëm për vetëm. Më foli greqisht t’i afrohem. Iu afrova, por në atë moment hyri kunata e tij, e po greqisht më tha: “Ajo kupton!” – dhe kështu i mbeti fjala përgjysmë. Nuk di çfarë deshte të thoshte. (Përpara disa kohe, ai i kish lënë amanet Sterjos, që Qefserja të martohej patjetër. Mund të ishte kjo edhe një përsëritje e këtij amaneti. Ilinden Spasse)

Varrimi u bë në orën 14:30’ të datës 15. XI. 1972 në varreza e Sharrës. Pjesëmarrja në varrim ishte shumë e madhe. Katër autobusë e më shumë se 20 vetura, përveç shumë njerëzve që nuk erdhën dot nga mungesa e mjeteve të komunikacionit.

Kjo pjesëmarrje e gjerë ishte mirënjohja më e madhe, që i shprehën Nondës si Qytetar i shquar, si Arsimtar i shquar e më fort si Shkrimtar i shquar.

Frika e mendjes Laidon Shapo

Poezia “Frika e mendjes” është shkëputur nga vëllimi “Prapa mos shih, përpara shko” Autor Laidon Shapo, botim i vitit 2016.

Frika e mendjes Autor Laidon Shapo


Frikë nga gabimi i parë – më shumë nga pasiguria
Frikë nga adoleshenca – më shumë nga pleqëria
Frikë nga provimet – më shumë nga notat e këqija
Frikë nga martesa – më shumë si do rriten fëmija
Frikë nga një punë e re – më shumë nga papunësia
Frikë nga shoqëri e keqe – më shumë nga vetmia
Frikë nga bukuria e tepërt – më shumë nga shëmtia
Frikë nga fluturimi – frikë dhe nga klaustrofobia
Frikë nga tranzicioni – më shumë nga varfëria
Frikë nga e panjohura – më shumë nga padija
Frikë nga zhurmat – frikë dhe nga qetësia
Frikë nga fundi i botës – më shumë nga pafundësia

Frikë nga e djeshmja që pas si hije na ndjek
Frikë dhe nga e sotmja që udhëve na përpjek

Frikë nga e ardhmja që dot s’mund ta dimë
Më shumë frikë nga kjo botë që ikim e vijmë

Tek të gjithë frika hije ka lënë
Por jo të gjithë me frikë në zemër flenë
Disa me të zgjohen dhe bëjnë sikur jetojnë

Të tjerë pa ju dridhur qerpiku në sy frikën shikojnë

Thuhet që frika me njeriun lind e një ditë vdes me të
Nëse nga rrëzimet e jetës dot s’ngrihemi më

Frika zemrën dhe mendjen burgosur na mban
Dhe e nesërmja të humbur betejën pa filluar ka!

Laidon Shapo
Mjek, politika të shëndetit publik

Laidon Shapo ka kryer studimet e larta për Mjekësi, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, Shqipëri. Më pas ka kryer studimet Master në “Shëndet Publik”, pranë “London School of Hygiene and Tropical Medicine”, Londër, Mbretëri Bashkuar. Shapo ka qenë pjesë e grupit të vëzhgimit pranë “Institutit të Shëndetit Publik”, Tiranë, gjatë epidemive të kolerës (1994) dhe poliomielitit (1997-1998), që u përhapën në disa zona të vendit. Nga viti 1998 jeton dhe punon në Londër. Pjesë e karrierës në ishull kanë qenë detyrat si kërkues shkencor, përgjegjës për strategjitë në lidhje me shëndetin publik dhe hartimin e politikave shëndetësore, në disa autoritete lokale të Londrës. Ka punuar si kërkues shkencor pranë “The London School of Hygiene & Tropical Medicine”, si dhe është angazhuar, në të njëjtin rol, pranë “Primary Care Trusts”, pjesë e “Shërbimit Kombëtar të Shëndetit” në Angli. Në periudhën 2000-2001 ka qenë në Shqipëri, në kuadër të një projekti për studimin e diabetit në popullatë, bashkëpunim me “London School of Hygiene and Tropical Medicine”, financuar nga “Welcome trust”, i pari projekt i këtij lloji në Shqipëri. Aktualisht punon pranë Bashkisë së Southwark (South East London), në Departamentin e Shëndetit Publik, ku drejton programin e integrimit të kujdesit shëndetësor dhe atij social.

Dy breza dhe zbori në mes!

Tregim nga Blendi Fevziu

Pak javë më parë, një student i gazetarisë, disi i entuziazmuar për një shkrim që kisha botuar mbi luftën në Irak, më bëri një pyetje sa të thjeshtë, aq edhe të komplikuar, sa m’u duk se do ta kisha shumë të vështirë t’i jepja një përgjigje të saktë.

Çfarë është “zbori”? Dhe, ju lutem, pse e përmendni kaq shpesh në shkrim?

I bindur në vetvete se çdo shqiptar duhet ta njohë mirë një term të tillë, fillova t’i sqaroja jo kuptimin parësor të tij, po përfitimin që kisha pasur personalisht, nga eksperiencat e mia, sa mjerane, aq edhe të mrekullueshme në Mamurras. Pra t’i tregoja se zbori ishte një tentativë që kishte nisur si diçka serioze dhe e rreptë, pasqyrë e qartë dhe e saktë e një regjimi të disiplinuar dhe thuajse ushtarak, por që në vetvete kishte përfunduar, sidomos në vitet e fundit të tij, kur unë isha student, si një lloj kampingu ku universitarët qëndronin bashkë pa pasur nevojë të paguajnë asgjë. Por duke mbajtur, në këmbim, një pushkë të madhe dhe të rëndë, që në dy vitet e fundit, duke e parë se komunizmi kishte marrë rrugën e dreqit, na i zëvendësuan me ca pushkë të lehta dhe mjaft të manovrueshme druri.

Djali i ri më dëgjoi me vëmendje, por nuk duket se u sqarua më shumë se sa në fillim:

  • Ishit ushtarë-ushtarë? Dhe shtoi: – Luftonit vërtet, apo bënit një si punë filmi?

Atëherë u kujtova se studenti i ri ishte vetëm 18 vjeç, dhe se në kohën që zboret dolën nga moda ai nuk kishte qenë më shumë se 5 vjeç, dhe se këtë fjalë mund ta kishte dëgjuar aty-këtu, në biseda të hallakatura, por nuk kishte qenë e mundur ta perceptonte me gjithë kompleksitetin e saj. Përkundrazi, i rritur në një kohë dhe me një filozofi të re, fatkeqësisht apo fatmirësisht, nuk mund të rrokte as atmosferën që kishte pjellë dhe më pas shoqëruar atë fjalën aq të komplikuar, ZBOR, që ai jo vetëm nuk po i jepte dot shpjegimin e kënaqshëm, por as nuk po merrte ndonjë përgjigje të tillë.

Ndërkohë, kur shpjegimi kishte mbaruar dhe ai më tha me një gatishmëri që m’u duk më shumë false, “Aha e kuptova”, vijuam të flasim për luftën në Irak. Me një pasion miklues, djali më sqaroi gjithë lajmet që dinte për luftën, gjithë debatet që bëheshin në sitat e internetit dhe mbi të gjitha, me shumë pasion, të gjitha komentet mbi armatimin e ushtrisë amerikane dhe mënyrën se si do të përdorej ai. Në të vërtetë, djali i ri kishte mbërritur në zyrën time për të më propozuar një edicion special të gazetës “Korrieri”, e cila në prag të luftës në Irak, mund të bënte një shpjegim të mrekullueshëm të armëve që palët do të përdornin në luftë. Duke nisur, padyshim, me SHBA-të.

I befasuar, e dëgjova për të gjitha, duke qenë i bindur se në të vërtetë, ndryshimet e mëdha të sistemit në fillim të viteve ’90, kishin kristalizuar, në Shqipëri, dy botë të ndryshme dhe shpesh të pakuptueshme me njëra tjetrën.

Njërën dukej se e përfaqësonte një brez relativisht në moshë, një brez që ndryshimet e kishin gjetur në kufijtë e të 40-ve dhe që kishte tentuar, por jo gjithnjë me sukses, të ambientohej me ndryshimet e reja.

Grupi i dytë përbëhej nga një komuniteti ku gjallonte një brez i lindur në perëndim të komunizmit dhe i rritur me një mentalitet dhe situatë ndryshe, duke ndërtuar një realitet krejt tjetër nga ai i prindërve të tyre. Në kufijtë e të dyve, dukej sikur endej edhe brezi im. Rënia e komunizmit më kishte gjetur student dhe, tani, përballë djalit të ri që kërkonte me sy zhbirues kuptimin e fjalës Zbor, mund të mburresha se i kuptoja nga pak të dyja. Domethënë mbaja mend ende mësimin e parë të lëndës ushtarake që kisha marrë në vitin e parë gjimnaz dhe që fillonte me përkufizimin e Pushkës “Model 56”: Pushka “Model 56″është një armë e fuqishme zjarri që shërben për asgjësimin e forcave të gjalla të armikut, me zjarr, bajonetë dhe qytë. Nga ana tjetër, kisha një ide jo aq të përciptë për armët dhe ushtritë moderne,  gjë që duhej ta kishin edhe shumë bashkëmoshatarë të mi. Pa menduar që, në të vërtetë, nuk ishte çudi që njohja e të dyjave të më kishte lënë pa njohur me thellësi asnjërën prej tyre.

I tunduar nga ideja e dy brezave dhe mentaliteteve, i çliruar nga koncepti gjysmak i “luftës së brezave”, siç perceptohej në shtyp, tentova të hyj më thellë në këtë konstatim të çuditshëm, përpara të cilit më kishte vënë një moment studenti i ri i gazetarisë. M’u kujtua se disa kohë më parë, në një sondazh informal për gazetën, pothuajse të gjithë gazetashitësit kishin nënvizuar faktin se pjesa më e madhe e lexuesve tundoheshin nga historitë mbi misteret e pushtetarëve të kohës komuniste dhe se midis tyre, historia e Mehmet Shehut, zinte vend të parë. Me këtë logjikë i kishim hyrë pasqyrimit të materialeve të kësaj kohe me shumicë, pa kuptuar se kështu, e kishim shndërruar gazetën në kureshtje për një brez, por absolutisht jo për një pjesë tjetër dhe të rëndësishme të shoqërisë. Të gjithën këtë e kisha vënë re, rastësisht, pas një emisioni televiziv mbi vrasjen apo vetëvrasjen e Mehmet Shehut, që kishte ngjallur jo pak bujë. Të nesërmen, një seri telefonatash dhe letrash më ofronin ndihmën e tyre për të zbardhur çështjen, duke më lënë si garanci fjalë dhe detaje të dëgjuara gjatë jetës së tyre. Të gjithë ishin, kryesisht, njerëz të moshuar, që e kishin njohur atë kohë ose më mirë të thuhet që kishin qenë pjesë e saj. Po atë mëngjes, ndërsa isha ulur me një mik në Hotel Rogner, kamarieri që na shërbente mbërriti me shumë mirësjellje për të më thënë:

– Ma kënaqe dje familjen me atë emisionin për atë politikanin që kishin vrarë. Babai ndenji pa gjumë derisa mbaroi, por më tha që ai ka qenë kriminel dhe të vriste kot.

Djali nuk dinte as emrin e Mehmet Shehut dhe as detaje mbi jetën e tij. Dhe kam përshtypjen që as i interesonte shumë. Në botën e tij të Hotel Rognerit, të mbushur me klientë të huaj dhe me pasionin për bashkishet e majmë, ai ishte thjesht një politikan që e kishin vrarë dikur. Kur ai vetë nuk kishte lindur ende. Padyshim djali dinte pak ose aspak për atë kohë dhe, të gjykoje vitet e komunizmit me mënyrën e arsyetimit të djalit që punonte prej disa muajsh në Hotel Rogner, do të thoshte të mos kuptoje asgjë realisht. Po sipas kësaj logjike, m’u kujtua se dy vjet më parë, në një sondazh të rezervuar, kisha lexuar se 3% e gjimnazistëve të Tiranës nuk e njihnin Enver Hoxhën as si emër dhe jo më veprimtarinë e tij.

I lindur dhe i rritur në vitet e komunizmit, kisha arritur të fitoja dhe të njihja mirë shprehitë elementare të asaj kohe. Kur regjimi ra, nuk kisha mbushur ende 21 vjeç dhe besoja se duke qenë brezi më i ri, i tij, do të kisha më shumë mundësi për të lënë pas shpinë absurdin e një kohe që të gjithë e njihnin mirë. Shumë vite më vonë, më 1998, kur në televizionet private filluan të rishfaqen filmat shqiptarë të dalë nga qarkullimi për më shumë se 8 vjet, disa nga miqtë e mij, prindër të rinj, filluan të përballen me një fenomen interesant. Të mrekulluar nga e folura shqip në një film, fëmijët e tyre, kryesisht shtatë dhe tetëvjeçarë, nguleshin para TV, por shpesh pa kuptuar asgjë.

  • Ç’do më thënë “aksion”? Po “kooperativë”? Po “mikroborgjez”, “shfaqje e huaj”, “revizionist”, “Pioner” dhe “Fatos”?

Kjo seri pyetjesh që s’mbaronte dhe që kërkonte gjithnjë përgjigje, i kishte bërë miqtë e mi të kuptonin befas, se fëmijët e tyre po rriteshin në një kohë tjetër dhe se shpjegimi i atyre fjalëve pa kontekstin e shoqërisë në të cilën kishin lulëzuar ishte më shumë se sa i kotë. Pra, krejtësisht i pakuptueshëm. Këtu kishte nisur befas dallimi dhe ideja se shumë shpejt, do të ishim dy botë të ndryshme, mbase edhe të pakuptueshme. Akoma më keq, ata që ishin disi më të rritur, pra pothuajse adoleshentë, kishin filluar të qeshnin dhe të talleshin me mënyrën se si flisnin dhe arsyetonin personazhet kryesorë të filmave që qenë xhiruar dhe shfaqur dikur, në një tjetër kohë. Ju dukej një botë absurde, aq larg asaj reales, sa ishte e vështirë të imagjinohej që dikur kishte qenë një botë e vërtetë.

Me këtë ide isha ulur edhe vetë para TV për të parë një sekuencë nga filmi “Ballë për Ballë”, që Spartak Ngjela e kishte përdorur në një artikull si shembullin e përmbysjes së vlerave në Shqipërinë postkomuniste. Ushtari shqiptar dhe ai rus, qëndronin të ulur së bashku në stolin e banakut në një klub të bazës së “Pasha Limanit”. Marrëdhëniet qenë tensionuar mes shqiptarëve dhe rusëve, por zyrtarisht asgjë nuk kishte dalë mbi të. E ç’bisedë mund të kenë dy ushtarë, pavarësisht uniformave që mbajnë dhe cepit të globit ku gjenden përballë një gote me birrë, mund të pyeste gjithkush? Atë më normalen, mallin për familjen, për vajzën që duan apo për lejen që po ju afron. Me një ton krejt normal, ushtari rus i tregonte shqiptarit se e dashura e tij e tradhtonte, se kjo e shqetësonte dhe se ishte shumë i mërzitur për këtë. Me një vështrim të ndezur, shqiptari i përgjigjej thatë: “mua nuk më duhet gjë, kjo ndodh tek ju”!

Me logjikën e komunizmit ai ishte vërtet një model i përkryer i “njeriut të ri”. Tradhtia nuk ekzistonte sipas atij modeli, jeta private ishte një lloj mbeturine mikroborgjeze, njeriu duhej të fliste vetëm me shtampat ideologjike që i ofroheshin dhe mbi të gjitha, nuk duhej të fliste me një armik. E imagjinoj admirimin e shikuesve të kinemasë ditën e parë që filmi ka dalë premierë. Admirimin për ushtarin trim, që nuk e lejonte rusin t’i tregonte se si e dashura e tradhtonte dhe mbase nuk do ta priste më. Imagjinoj duartrokitjet e tyre dhe ndjenjën e kënaqësisë ndërsa dilnin nga kinemaja nëpër një rrugë të mbushur me parullat: “Të punojnë, jetojmë dhe luftojmë, si në rrethim” , “Bar do të hamë, por parimet nuk i shkelim”, apo edhe “Votat tona, plumb për armikun”. Por tani, 25 vjet më vonë, ushtari trim dhe i ashpër ngjan çuditërisht komik. Një figurë e ngrirë, antipatike, aspak e admirueshme dhe fare jashtë mode. Ndërkohë, rusi i mjerë dhe i mëshiruar në atë kohë, ngjan një njeri i zakonshëm, me dramat e përditshme të gjithkujt dhe fare normal.

Kohët ishin përmbysur dhe, me gjithë sforcimin, jo gjithnjë dhe jo të gjithë ia arrinim të ishim me ritmin e ri. I vendosur në kufijtë e dy brezave u kujtova, se formimi im, kishte të bënte shumë me atë kohë, se në një mënyrë apo tjetrën, pavarësisht udhëtimeve, gjuhëve, internetit apo gazetarisë, ajo kishte lenë një gjurmë që nuk mund të shlyhej lehtë. Vijoja gjithnjë t’i përgjigjesha njerëzve se banoja në një “shtëpi private”, siç isha mësuar që fëmijë, pa u kujtuar se tashmë shtëpitë qenë të gjitha private; e gjykoja gjithnjë shkollën sipas atij modeli që kisha ndjekur vetë, pa ditur ndonjë gjë të madhe për kreditet apo masterat; vijoja t’i thosha Akademisë së Arteve, Instituti i Lartë i Arteve dhe të njihja me një saktësi prekëse çmimet ushqimore të asaj kohe. Mund të të thoja në çdo kohë që mbaja mend që një pako gjalpë kishte qenë 37 lek, që një vezë kushtonte 8 lekë që bukët qenë 30, 40 dhe 50 lekëshe, por nuk dija asnjë nga çmimet e reja.

Nuk janë dhe aq të rëndësishme mund të thoshte dikush e mbase është edhe kështu, Por janë shenja që tregojnë një lidhje të thellë dhe që askush nga ne nuk e ka të lehtë t’i korrigjojë.

I mendoja të gjitha këto, ndërsa studenti i ri i gazetarisë qëndronte përballë meje, me letrat e printuara nga interneti, që flisnin për armët e ushtrisë amerikane dhe forcën e saj, ndërsa përpiqej, pa ndonjë dëshirë të veçantë, të rrekte kuptimin e fjalës “zbor”.

Një fjalë që kishte qenë jo kaq e thjeshtë për të gjithë ne, që në një kohë të jetës sonë, ishim quajtur të gjithë “zboristë”.

Rruga e mundimshme e shkollës shqipe 1912-1944

Me rastin e katërvjetorit të botimit të librit “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe, çështje, politika & veprimtari në fushën e arsimit, 1912-1944”, autor Valbona Nathanaili

Nga Ben Blushi / Fjala mbajtur në promovimin e librit

Për fat të keq, kushdo që merr këtë libër kupton, se në kohë më të vështira kemi bërë më shumë për arsimin dhe sot që është më e lehtë, po bëjmë më pak, ose nuk po e bëjmë siç duhet. Ndërkohë, jam i bindur, se kushdo që jep kontribut për arsimin i ka bërë nderin më të madh këtij vendi, sepse nëse Shqipëria ka një problem, ky është një problem arsimor dhe kulturor në radhë të parë.

Personalisht nuk kam pasur kohën e mjaftueshme për të lënë ndonjë gjurmë si administrator në arsim dhe shumë njerëz më kanë paragjykuar ‘Po ky ç‘punë ka me arsimin?’. Dhe kjo është nga gjërat që më vjen keq në ato që kam bërë apo që nuk e kam bërë aq sa duhet edhe si duhet, sepse koha ka qenë shumë e shkurtër. Por nga sa kam kuptuar dhe kuptoj sot, arsimi në rastin tonë, së pari, është një detyrim kombëtar dhe, e dyta, është ekonomi. Ndërsa në rastin e Shqipërisë, arsimi është në kuptimin e mirëfilltë të fjalës ekonomi. As punësim, as ekonomi të zhvilluar, as inovacion, as paqe, as harmoni, as solidaritet, as mungesë braktisje apo emigracioni nuk do të kemi kurrë, nëse nuk kemi një sistem arsimor të konsoliduar.

Ben Blushi në promovimin e librit “Rruga e mundimshme e shkollës shqip”

Ndër personalitetet që kanë kontribuar për arsimin shqiptar, njërin prej tyre pata rastin ta shoh në librin e Valbonës. Bëhet fjalë për Mihal Turtulli, një filantrop shumë i madh nga Korça. Pati mundësi të ishte në disa qeveri nga periudha 1912–1944. Turtulli i ka bërë Korçës një nga dhuratat më të mëdha që dikush mund t’i bëjë qytetit. Duke qenë filantrop, njeri i spikatur dhe me kulturë perëndimore i ka dhënë Shqipërisë një nga godinat më të bukura që mund të ketë sot, që për fat të keq pas luftës u kthye në repart ushtarak. Ishte garnizon deri para 10 vitesh edhe me një vendim qeverie i është kthyer universitetit sërish. Mora këtë shembull për të treguar se çfarë pasioni kanë pasur burra të shquar të Shqipërisë 100 vjet përpara për t’i dhuruar arsimit. Kjo nuk ndodh sot. Ka Shqipëria njerëz shumë më të pasur se para 100 vjetësh por nuk ndodh të dhurojnë një shkollë apo bibliotekë.

Libri “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe” është një skedë shumë e shumë e rëndësishme për të gjithë ata që duan të konsumojnë dhe studiojnë historinë e arsimit shqiptar, si një rrugë vërtet shumë e mundimshme, por që mirë apo keq krijoi një elitë politike në vitet 1930-1940, të cilën fatkeqësisht e humbëm.  

Ushtria dhe përshtatja

Ilirjan Kristo

Tregim, nga Ilirjan Kristo

Më 3 janar 1978 më thërritën ushtar. Kisha dëgjuar shumë dhe e prisja me “tmerr”. Por nuk qe e thënë! Fati im, që në të njëjtin vend ku do të shkoja, ishte një shok i ngushtë nga Polikumi, Besnik Alimehmeti. Dita e parë ishte pothuaj e bukur. Ushtarët e vjetër më pritën shumë mirë. Të mos harroj që kishte nga ata që denjuan të më jepnin edhe kurajë, tironsa si puna ime, nga të cilët disa i njihja si fytyrë dhe të tjerë edhe me emra.

Por mbaroi shumë shpejt dhe filloi tjetra, ajo e vërteta, që kishte emrin “përpjekja për përshtatje” dhe nuk mbaroi asnjëherë, deri në fund të ushtrisë.

Kur je ushtar, puna e parë është të mësojnë si të përshtatesh, do apo nuk do, varet sa të pëlqejnë vuajtjet. Pa leksione! Asnjë nuk të flet për këtë temë! Dhe fillon që kur të vjen ajo fleta e vogël për t’u paraqitur. Por kjo është një histori tjetër. Në rastin tim, gjithçka ishte e qartë: “Sa më shpejt, aq më mirë”. Për më tepër, që vullneti për gjëra të tilla nuk më ka munguar. U përshtata me fjetjen dhe zgjimin me komandë, me lodhjen dhe rutinën e përditshme, me mungesën e familjes dhe të miqve. Por ngeca te ushqimi. Problemi im i përjetshëm. Gjithsesi, edhe këtu përsëri me fat. Ushtria ime ishte në Kinostudio, në Tiranë dhe në grupin tonë kishim disa ushtarë nga fshatrat përreth, që i kishin sjellë aty. Të gjithë me mik, për më tepër që për vetëm dy vjet. Dhe ata sillnin ndonjë gjë, që sot mund të thuhet me kuptimin e plotë të fjalës “bio”.  

Në takimin e parë më bëri përshtypje Petrit Sinani, trupvogël, me shumë humor dhe akoma më shumë punëtor. E kishin caktuar bojaxhi. Më pas fillova të njoh edhe të tjerët. Et’hem Grori e merrte çdo gjë seriozisht dhe jo më pak edhe Pëllumb Agaraj, lapraks. Por vetëm Besnikut ia besoja vlerësimet e mia. Dhe të qeshurën. Edhe kjo ishte pjesë e përshtatjes. Mëngjesi fillonte me hap ushtarak dhe këngë partizane për në mencë. Dhe me zërin e lapraksit, Pëllumb Agaraj, që dëgjohej mbi të tjerët. Që nuk i vajti kot: shumë shpejt e caktuan në mencë, “Shpërndarës i ushqimit”. I qeshte fytyra kur ndante groshet dhe supën në darkë.

Në mencë kishim një renditje pak më ndryshe. Afër kisha një ushtar nga Sallqeti, Jakup Shaba, që kishte mbaruar pedagogjiken dhe për një periudhë kohe kishte punuar si mësues. Besniku e donte shumë dhe prej atij fillova ta shoh edhe unë ndryshe. Mbas një muaji që tallesha përditë me llojin e bukës që na jepnin dhe nuk e haja kurrë, Jakupi më merr veçan dhe më thotë: Të keqen vëllai, mos u tall me bukën. Unë jam fshatar. Në fshatin tim prodhojmë grurë dhe hamë bukë misri. Respekt për bukën dhe për ata që e prodhojnë. Më bëri përshtypje toni dhe mënyra si më shihte kur më fliste. Në fund i thashë: “Të jap fjalën që nuk do ta hedh më!”. Edhe sot e kësaj dite e kujtoj vërejtjen e mikut tim të mirë, Jakup Shaba.

Mbas një muaji ushtar kisha marrë 6 muaj “ndalim kazerme”. Sepse përsëri nuk më rrinte goja rehat. Nuk kishte lidhje me bukën, por me përshtatjen.  

Reparti ynë ishte repart ndërlidhje. Komandanti që na mësonte alfabetin Mors ishte tifoz me Dinamon.

Një ditë, më thotë: Shiko, Mujo Targaj është bërë si Tardeli, i Juves, nga mbrojtës po luan në mesfushë.

Këtu mësova një leksion tjetër për përshtatjen. Vazhdimi i historisë është i bukur, ndërsa fundi i kuptueshëm, por po e them:

Nuk durova dhe iu përgjigja: I ke mentë në rregull? Tardelli është lojtar bote, kurse ai Mujo jot është katunar tepelene (të më fali Mujo sot).

Gjithë ushtarët filluan të qeshin, ndërsa komandant Landi u egërsua. Nuk e priste që ndonjë nga ushtarët t’i përgjigjej në atë mënyrë! Pa le të tallej! Por unë e pëlqeja shumë Tardelin! E kisha ndjekur që kur luante me Comon, në kategorinë e dytë. Edhe sot e kësaj dite, duelin e tij sportiv me Kevin Keegan, në nëntor 1977, e mbaj si më të mirin të të gjitha kohërave. Ditën tjetër Petrit Sinani më vuri pseudonimin “TARDEL” dhe sot e kësaj dite jo vetëm që të gjithë më thërrasin Tardel, por ka nga ata që kujtojnë se ky është emri im i vërtetë. Pas kësaj e kishte radhën 6 muaj “ndalim kazerme”.

Fundi i përshtatjes së vjetër

Një ditë isha në shërbim dhe po dëgjoja Kampionatin Italian në radion time “Fatosi”. Jakupi më afrohet dhe më pyet: Çfarë thonë? 

Marco Tardelli

Unë i them: San Siro është mbushur plot dhe nuk ke ku të hedhësh kokrrën e mollës. Sot Tardeli është në shërbim, por do vij një ditë që edhe ai do ulet në rradhët e stadiumit San Siro! Nuk vdes pa e takuar Tardelin origjinal!

Jakupi filloi të qeshë me të madhe. Takon Besnikun dhe i thotë: Si e mban për shok të ngushtë atë. Ai është i çmendur! Por Besniku që më njihte, i përgjigjet: Shabe, po i tha mendja ndonjë gjë Tardelit, ose e bën, ose vdes!

Besniku nuk jeton më, por sa herë luan Juvja dhe Tirona e kujtoj.

Fati (?) e deshi që vërtet ta takoj Tardelin origjinal! Dhe sigurisht, që përsëri nuk më ndenji goja rehat: Në Tiranë ka shumë tifoza të Juves dhe të Italisë. Ty të duan shumë. Po erdhi ndonjë nga miqtë e mi nga Tirana, je gati t’i takosh?

Tardeli origjinal më hodhi dorën në sup dhe m’u përgjigj: Derisa janë miqtë e tu, janë edhe të mitë. Bëju të fala të gjithëve prej meje!

Kafka dhe kukulla udhëtare

Historia është shkëputur nga libri “Kafka and the traveling doll”, nga Jordi Sierra i Fabra, ilustrimet nga Isabel Torner / Shqip: Melsen Kafilaj

Një variant i përmbledhur i së njëjtës histori gjendet edhe në librin “The Brooklyn Follies”, Autor Paul Auster

Shënim: 1. Në lidhje me vajzën e vogël në historinë e mësipërme, kush është dhe çfarë ndodhi më pas me të, askush nuk ka dijeni. Për herë të parë, shkruan shkrimtari nga Katalonia, Jordi Sierra i Fabra. Libri fitoi “Çmimin Kombëtar të Letërsisë për Fëmijë”, në Spanjë, më vitin 2007.

Shënim: 2. Ngjarja zhvillohet në kohën kur Franz Kafka ishte rreth të dyzetave, pak vite përpara se të ndërronte jetë. Franz Kafka nuk kishte fëmijë. Në atë kohë, shoqërohej me Dora Diamant. Jemi në Berlinin e fillim-viteve 1920.

Një mbrëmje, ndërsa ishte duke shëtitur në Parkun e Berlinit, Kafkës i tërhoqi vëmendjen një vajzë e vogël. Vajza po qante, me dënesa! I afrohet dhe e pyet. Pa ndërprerë të qarat, përgjigja ishte se kishte humbur kukullën e saj të preferuar. I mërzitur po aq sa vajza, Kafka i bashkohet kërkimeve me vajzën, por që rezultojnë një përpjekje e kotë.

Franz Kafka (23 vjeç)

Në dëshirën për ta qetësuar, shpik një histori: E dashur, kukulla jote është nisur për një udhëtim. Tani u kujtova! Vajza e sheh me pak mosbesim, që pasohet me pyetjen e natyrshme: Po ju, nga e dini? Oh, mua më ka dërguar një letër, por që për fat të keq e kam harruar në shtëpi. Po të duash – i propozon Kafka – mund të takohemi përsëri nesër dhe të sjell letrën. Ditën tjetër, Kafka i jep vajzës një letër, ‘shkruar’ nga kukulla, ku thuhej: “Të lutem, mos qaj. Jam nisur në një udhëtim për të parë botën. Do të të shkruaj rreth aventurave të mia!”

Kështu nisi një histori, e cila vazhdoi për afro një vit, deri në fund të jetës së Kafkës. Gjatë takimeve, Kafka i lexonte vajzës letrat, shkruar në mënyrë të kujdesshme nga ana e kukullës, në të cilat ajo i tregonte për aventurat dhe bisedat e veta, të cilat vogëlushja i adhuronte.

Më në fund, Kafka i solli vajzës kukullën (ai kishte blerë një të re) – vajza ishte rikthyer në Berlin, pas një udhëtimi të shkurtër.

“Por kjo nuk duket si kukulla ime”- u ankua vogëlushja. Kafka i zgjati vajzës një letër tjetër nga kukulla, në të cilën shkruhej: “Udhëtimet më kanë ndryshuar”.

Vogëlushja përqafoi kukullën e re, e mori dhe iku për në shtëpi, mjaft e lumtur. Vitin tjetër, Kafka ndërron jetë.

Shumë vjet më vonë, vajza, tashmë e rritur, gjen një letër brenda kukullës. Në letrën e vockël, firmosur nga Kafka, shkruhej:

Çdo gjë që do, ndoshta mund të të humbasë një ditë, por në fund dashuria do të rikthehet gjithmonë, në një mënyrë a tjetër!

Franz Kafka

William Butler Yeats

William Butler Yeats (13 qershor 1865 – 28 janar 1939)

Shqip: Valbona Nathanaili

William Butler Yeats është një nga figurat më të shquara të letërsisë së shekullit të kaluar: poet, dramaturg dhe prozator. U lind në Sandymount, Dublin, Ireland. Në moshën dyvjeçare, familja shpërngulet në Londër, por nuk i humbi asnjëherë lidhjet me vendlindjen – një pjesë të mirë të pushimeve i kalonte te gjyshërit. Në moshë të vogël lexonte poezi dhe adhuronte legjendat. Edukimin e ka kryer pjesërisht në vendlindje (shkollën e mesme e ndoqi në Dublin) dhe pjesërisht në Londër. Vëllimin e parë me poezi e ka botuar më vitin 1889, ndërsa dy poezitë e para i boton më vitin 1885, në “Dublin University Review”. Është themeluesi i “Abbey Theatre” (Dublin) dhe një nga drejtuesit e saj. Më vitin 1922, me krijimin e shtetit të lirë irlandez, pranon ftesën për të qenë pjesë e senatit, ku shërben për një periudhë gjashtëvjeçare. Më vitin 1923 fiton Çmimin “Nobel” në letërsi.

Poema “Urim për rrobat e parajsës” botohet për herë të parë më vitin 1899 dhe është pjesë e vëllimit të tretë, të përmbledhjes me poema “Era ndërmjet kallamishteve” (“The Wind among the Reeds”). Poema e krijon rimën me ndihmën e vetëm katër fjalëve. Në përshtatjen shqip, është ruajtur po ajo strukturë.

  • Urim për rrobat e parajsës / Shqip: Valbona Nathanaili

Të kisha të parajsës stolisur rroba

Thurur me të artën dhe të argjendtën dritë,

Blu dhe të zbehta dhe të errëta rroba

Të natës, të dritës dhe të gjysmës dritë,

Të gjitha do t’i kisha hedhur nën këmbët e tua;

Por në varfëri, vetëm ëndrra kam;

Do t’i hedh ëndrrat nën këmbë e tua;

Shkel butë, sepse po shkel mbi ëndrrat që kam.

  • He Wishes for the Cloths of Heave/ William Butler Yeats 

Had I the heavens’ embroidered cloths

Enwrought with golden and silver light,

The blue and the dim and the dark cloths

Of night and light and the half light,

I would spread the cloths under your feet;

But I, being poor, have only my dreams;

I have spread my dreams under your feet;

Tread softly because you tread on my dreams.

Elementi

ELEMENTI Ose Gjithçka ndryshon vetëm nëse bëhet me pasion

Autorë Sir Ken Robinson dhe Lou Aronica

Shqip: Valbona Nathanaili

Botues për gjuhën shqipe: Pema, Prishtinë / 2020.

RRETH AUTORËVE

Sir Ken Robinson, Ph.D., është një nga emrat më të njohur në të gjithë botën për zhvillimin e kreativitetit, risisë dhe potencialeve humane. Robinson ka këshilluar qeveri e korporata, si dhe organizata me shumë ndikim në fushën e kulturës dhe të arsimit. Jeton në Los Angeles, California, SHBA.

Lou Aronica është autor i dy novelave dhe bashkautor në disa vepra, veçuar The Culture Code (së bashku me Clotaire Rapaille). Jeton në Connecticut, SHBA.

Hyrje

Vite më parë kam dëgjuar një histori të mrekullueshme, të cilën kam shumë dëshirë ta tregoj. Mësuesi i një shkolle fillore po zhvillonte orën e vizatimit me një grup fëmijësh gjashtëvjeçarë. Njëri prej tyre – një vajzë e vogël – ulej gjithnjë në fund të klasës. Vajza zakonisht nuk u kushtonte shumë vëmendje mësimeve. Por në orën e vizatimit ishte krejt ndryshe! Atë ditë, për më shumë se njëzet minuta, vajza qëndroi palëvizur as edhe një çast, me krahët që dukej sikur ishin bërë një me fletën ku po vizatonte, krejtësisht e zhytur në atë që po bënte. Një përkushtim i tillë mësuesit iu duk i jashtëzakonshëm, i mrekullueshëm. Iu afrua vajzës së vogël dhe, me një zë mbushur me emocion, e pyeti çfarë po vizatonte. Pa e ngritur aspak kokën, vajza iu përgjigj: “Po pikturoj Zotin!” I befasuar, mësuesi vazhdoi diskutimin: “Por asnjë njeri nuk e di si duket Zoti!”

 “Do ta dinë shumë shpejt!” – ishte përgjigja e vajzës.

Më pëlqen kjo histori, sepse na kujton që fëmijët e vegjël besojnë – në mënyrë të mrekullueshme – në ato që përfytyrojnë. Ndërkohë që shumë nga ne e humbasim këtë besim sa më shumë që rritemi. Pyesni fëmijët e klasës së parë, se cili prej tyre mendon që është kreativ, dhe të gjithë do të ngrenë duart lart. Pyesni studentët e vitit të parë universitet për të njëjtën çështje, dhe shumica prej tyre do të qëndrojnë indiferentë. E kam me shumë pasion kur pohoj, dhe me shumë besim, se të gjithë lindim me aftësi të jashtëzakonshme natyrore, por që shumë prej tyre i humbasim sa më shumë kohë kalojmë në botën reale. Për ironi, një nga shkaktarët kryesorë të këtyre humbjeve është arsimi. Rezultati është që shumë njerëz kurrë nuk arrijnë të zbulojnë talentin e tyre të vërtetë dhe, në rrjedhojë, edhe kurrë nuk arrijnë ta dinë, se çfarë janë në gjendje të arrijnë.

Në këtë kuptim, nuk arrijnë ta dinë edhe se kush janë në të vërtetë.

Personalisht udhëtoj realisht shumë dhe puna më lidh me njerëz nga e gjithë bota, që u përkasin si korporatave, ashtu edhe sistemeve arsimore apo organizatave jo fitimprurëse. Dhe kudo kam takuar studentë në kërkim të së ardhmes, paditur nga ta nisin; si dhe prindër të shqetësuar, në përpjekje për t’i ndihmuar, por që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se i largojnë nga talenti i vërtetë që zotërojnë, në supozimin se fëmijët e tyre duhet të ndjekin të njëjtën rrugë konvencionale suksesi. Akoma, kam takuar punëdhënës që bëjnë maksimumin për të kuptuar si të përdorin sa më mirë talentet e ndryshme që zotërojnë njerëzit në kompanitë e tyre, ndërkohë që kam kohë që nuk numëroj më – sepse janë bërë vërtet shumë – njerëzit që nuk kuptojnë sa të talentuar janë si individë dhe çfarë pasioni fshehin brenda vetes.

Nga ana tjetër, puna më lidh edhe me njerëz që kanë qenë tepër të suksesshëm në ato fusha për të cilat janë të pasionuar dhe, sikundër shprehen, nuk mund ta përfytyrojnë se do mund të kontribuonin në ndonjë sektor tjetër. Besoj se historitë e këtij grupi njerëzish kanë një mesazh të rëndësishëm për të transmetuar rreth natyrës së kapacitetit njerëzor dhe përmbushjes së tij. Më ka rënë rasti të flas në shumë konferenca e takime në të katër anët e botës dhe kam dëgjuar histori si ajo e vajzës së vogël, të paktën po aq sa edhe statistika dhe opinione të ekspertëve të ndryshëm, që përpiqen t’i bindin njerëzit se kemi nevojë, të gjithë, të mendojmë ndryshe për veten dhe në lidhje me çfarë jemi në gjendje të bëjmë me jetën tonë; se si po i edukojmë fëmijët dhe si i drejtojmë kompanitë a institucionet.

Ky libër përmban një diapazon të gjerë historish që kanë në fokus kreativitetin që i ka udhëhequr në jetën profesionale njerëz shumë të ndryshëm. Shumë prej tyre janë intervistuar posaçërisht për këtë libër. Tregimet fillojnë, së pari, se si arritën të njohin talentet e tyre specifikë, dhe më pas se si ia dolën të jetojnë, me sukses të jashtëzakonshëm, duke bërë atë çfarë vërtet donin. Duke dëgjuar këto histori, më bëri përshtypje veçanërisht fakti që karriera e pothuaj të gjithëve nuk ka qenë aspak konvencionale. Ndërkohë që gjithnjë kanë qenë plot me dilema, mëdyshje e ngritje-ulje. Kam kënaqësinë të ndaj me lexuesin, se ndërsa zhvillonim intervistat, dëgjoja shpesh të më pohonin se bisedat në funksion të përgatitjes së librit, u shërbyen si burim për lindjen e ideve dhe përjetimit të përvojave paprovuar kurrë më parë apo të analizojnë, çfarë u ka ndodhur në jetë, sipas kësaj perspektive të re. Momenti i njohjes! Evolucioni i talentit që kanë pasur! Inkurajimi apo dekurajimi nga ana e familjarëve dhe e njerëzve të afërt, si miqve dhe mësuesve. Çfarë i bëri të ecin përpara, ndonëse me sfidën e përballjes me pengesa të shumta!

Dua të theksoj që në fillim se historitë e tyre nuk janë përralla me fund të lumtur. Secili prej tyre kalon një jetë mbushur me sfida dhe jo më pak ndërlikime. Nuk e kanë pasur të lehtë as edhe me karrierën personale, e cila nuk ka ecur sipas një vije të drejtë. Kanë pasur çastet e triumfit, po aq sa edhe ato të rrëzimit. Për asnjërin nuk mund të thuash se ka pasur një jetë “perfekte”, ndërkohë që të gjithë pohojnë një zëri se kanë përjetuar, rregullisht, momente që i kanë bërë të ndihen se gjithçka ishte në perfeksion. Historitë e tyre të mahnitin shumë shpesh.

Por ky libër nuk u drejtohet atyre. Ky libër është për ju!

Synimi pse është shkruar është të ofroj një vizion shumë më të pasur rreth kreativitetit dhe aftësive që zotërojmë ne, si qenie njerëzore, si dhe të mundësive për të përfituar të gjithë nëse arrijmë të kuptojmë si duhet talentet dhe pasionet që kemi. Ky libër analizon çështje që kanë rëndësi të jashtëzakonshme për jetën tonë dhe atë të fëmijëve tanë, për nxënësit e studentët, dhe akoma më shumë për ata që i mësojnë këta nxënës e studentë. Fjala çelës e këtij libri është Elementi, term i cili përdoret për të përshkruar pikëtakimin e gjërave që duam të bëjmë, me gjërat për të cilat jemi të mirë t’i bëjmë. Besoj se është e rëndësishme që secili prej nesh të gjejë Elementin e tij, jo thjesht sepse na ndihmon të ndihemi më të plotësuar, por sepse ndërkohë që bota është në evolucion të vazhdueshëm, e ardhmja e institucioneve që kemi, si edhe e grupeve sociale që u përkasim, varen tërësisht nga vetë ne.

Historia jonë është ajo e një bote në ndryshim si kurrë më parë. Shpresa më e mirë që mund të kemi për të ardhmen është të zhvillojmë një paradigmë të re për aftësinë njerëzore, në gjendje të plotësojë kërkesat për ekzistencë në erën e re. Kemi nevojë të përpunojmë një vlerësim të ri për rëndësinë që ka ushqimi i talentit njerëzor, së bashku me atë të të kuptuarit se si talenti shprehet në mënyra të ndryshme në individë të ndryshëm. Kemi nevojë të krijojmë mjedise – në shkolla, vendet e punës apo edhe në zyrat e administratës publike – që janë në gjendje të nxisin e frymëzojnë çdo individ për t’u rritur nga pikëpamja e kreativitetit. Kemi nevojë të sigurohemi që të gjithë njerëzve u jepet mundësia të bëjnë atë që duhet të bëjnë, të zbulojnë Elementin që gjendet brenda tyre nga vetë ata, sipas mënyrës së tyre.

Ky libër është një himn për diversitetin e mahnitshëm që kanë talenti dhe pasioni njerëzor, si dhe për potencialin e jashtëzakonshëm të rritjes dhe të zhvillimit që fshihet brenda gjithsecilit prej nesh; për nevojën e të kuptuarit të rrethanave që ndihmojnë në lulëzimin e talentit njerëzor, po aq edhe në dështimin me të. Akoma, është një himn për rëndësinë e përfshirjes së të gjithëve shumë më tepër sot, në të tashmen, si dhe domosdoshmërisë për të qenë të përgatitur për një të ardhme tërësisht të panjohur.

Për të dhënë më të mirën e mundshme të vetes sonë dhe të njëri-tjetrit, nevojë urgjente është përqafimi i një konceptimi shumë më të pasur rreth aftësive njerëzore. Kemi nevojë të përqafojmë Elementin!