Jesolo, aty ku turizmi është shndërruar në art Nga Valbona Nathanaili

Jesolo, aty ku turizmi është shndërruar në art

Nga Valbona Nathanaili

Është vera e dytë që kalojmë pushimet në Jesolo, një zonë e vogël dhe e mrekullueshme turistike pranë Venecias, buzë detit Adriatik. Vjet u bë shkak një nga të njohurit tanë – nipi i tij, i cili sikundër edhe 200 shqiptarë të tjerë, punon në një nga hotelet e qytetit. Mbas një takimi të rastësishëm, të prekshëm sikundër jemi të gjithë për emigrantët tanë, biseda u zhvillua kryesisht rreth punës, vendit, njerëzve, kushteve në anën tjetër të Adriatikut. Dhe çdo përgjigje e tij, gjithmonë shoqërohej me një “uhahu” admiruese nga ne: ka shumë turistë, kryesisht gjermanë e rusë, njerëzit janë shumë të mirë dhe i duan shqiptarët, mjedisi është i shkëlqyer, ushqimi i gatuar me finesë dhe kryesisht kuzhinë e vendit, pastërti dhe kulturë, ka shumë vende të tjera, përveç plazhit, që mund të shihen dhe argëtime që mund të ndiqen, bëjnë turizëm prej afro 70 vjetësh. Këtej natyrshëm lindi ideja: për pushime në Jesolo?

Fillimisht ishim në mëdyshje. Arsyeja kryesore ishte thjesht sepse qyteti gjendet buzë detit Adriatik dhe, sa herë përmendet ky det, e shoqërizoj me plazhin e Durrësit, ku të sheh syri vetëm rrëmujë dhe nuk funksionon asnjë rregull, përpos zhurmës që nuk të ndahet nga mëngjesi në darkë, në kundërshtim të plotë me synimin për të pushuar. Të mos flasim për mungesën e ujit dhe të energjisë elektrike! Ka vite që shkojmë në plazhin e Durrësit vetëm gjatë periudhës së dimrit, kryesisht për ndonjë drekë me bazë peshku dhe shëtitje të shkurtër buzë detit. Dhe nuk mendoj se jemi të vetmit! Duke pasur në mendje Adriatikun tonë, të paktën edhe për 20 vitet e ardhshme deti Adriatik përjashtohej nga opsionet e pushimeve. Por kurrë mos thuaj kurrë, thotë populli. Kështu shmangëm detin Jon dhe Jugun e Shqipërisë, dashurinë tonë pothuaj të vetme për pushime verore, hapëm hartat dhe kërkuam opsione shtesë për në Jesolo: Venecia dhe ishujt që e rrethojnë si dhe udhëtimi me makinë gjatë gjithë vijës Tiranë-Budva-Dubrovnik-Rijeka-Trieste-Jesolo i shtuan opsionet pro idesë fillestare dhe e zhvendosën përgjigjen drejt po-së. Sivjet jo vetëm që ishim nismëtarët për t’u kthyer përsëri në Jesolo, por shtuam edhe numrin e njerëzve që u bashkuan me ne për këto pushime speciale.

Jesolo – pushime speciale

Jesolo është një qytezë e vogël turistike me një vijë bregdetare afro 13 km dhe me jetë sezonale, nga prilli deri në tetor. Pushimet që të ofrohen janë ato klasike: rërë, diell, det plus komoditet dhe aktivitete. Kohë më parë – flasim për periudhën para viteve ’90, kur pushimet e pothuaj të gjithë tiransve vërtiteshin rreth plazhit të Durrësit, u fol se plazhi do të mbyllej se është ndotur – një pjesë e mirë e kanalizimeve të ujrave të zeza e të bardha që në atë kohë përfundonin në det. Në Jesolo është ndryshe: shfrytëzimi i mirëfilltë i plazhit daton që para Luftës së Dytë Botërore dhe përsëri deti është i pastër dhe rëra kristal. Benvenuti in Jesolo, vendi ku më shumë se natyra të mahnit këmbëngulja për shndërrimin e një natyre të zakonshme plazhi në një oaz të mrekullueshëm pushimi e argëtimi!

Brezi i rërës, i pastër dhe i nxehtë, shtrihet deri në një thellësi të caktuar dhe ruhet me fanatizëm. Tabela të ndryshme tregojnë se cila pjesë u takon hoteleve dhe cila pushuesve ditorë që janë të shumtë – për pushuesit ditorë dhe banorët e qytetit është gjithë brezi ranor që fillon nga bregu deri në një thellësi prej afro 15 metrash, ndërkohë që është shumë e thjeshtë të depërtosh nga rruga për në buzë të detit, pavarësisht faktit se plazhet u takojnë hoteleve private; aksesorët e plazhit janë të mirëllogaritur e të vendosur në vendin e duhur: çadra, shezlongë, banja publike, dushe e kioska të vogla për t’u freskuar, ngrënë diçka të thjeshtë apo për të pirë ndonjë kafe speciale. Qetësia është absolute: ndonëse plazhi është i mbushur plot e përplot të duket sikur je vetëm ti! Qetësinë e thyen herë pas here, ose zëri i altoporlantit që lajmëron aktivitetet e shumta që zhvillohen mbasdite vonë apo thërret emrin e ndonjë fëmije që për pak minuta i ka humbur syve e vëmendjes së prindërve, ose afrikanët që, ndryshe nga altoporlanti, me gjysmë zëri dhe të ngarkuar me produkte të ndryshme, përpiqen të të shesin mallra “firmato” me çmime qesharake, për shembull një çantë prada, një peshqir a shall valentino për 10-15 euro. Sigurisht që nuk duhet të gënjeheni dhe të blini – thjesht nuk janë cilësorë, sado të bukur të duken dhe tundues të jetë çmimi – nuk rrojnë më shumë se 4 muaj. Shmangni edhe masazhatoret e ashtuquajtura japoneze ose tajlandaze! Mos i shihni në sy kur kalojnë pranë jush dhe të jeni të sigurt që nuk ndalojnë, për më tepër, qyteti nuk i nxit shitje të tilla dhe ka filluar një fushatë ndërgjegjëzimi.

Nuk e di nëse një pushues gjerman kërkon në një plazh dhe vlerëson si pozitive po ato gjëra që kërkoj edhe unë, për të konkluduar në “pushime klasike perfekte”! Por, e vetmja gjë që më dallon besoj nga ta është se jetoj në anën tjetër të të njëjtit det, kam bërë 1150 km për të mbërritur deri atje dhe refuzoj të bëj plazh, ose të shpenzoj paratë e mia, në “detin tim”, nga i cili më ndajnë vetëm 38 km! Sigurisht, jo për mungesë patriotizmi! Sjell ndër mend një kushërirën time që ka blerë shtëpi në “plazhin” e Durrësit dhe që për të dalë në plazh ka vetëm dy variante: ose të bëjë me kilometra rrugë në kërkim të një plazhi publik (?), ose të qëndrojë e ulur në rrugicën e vetme publike, pingul me vijën bregdetare, që ndan dy plazhe private, 1.5 metra e gjerë. Nuk shtrihet dot pasi është më e gjatë se 1.5 metra dhe i bie që, ose koka, ose këmbët, të shkojnë në plazhin privat, por që gjendet gjithmonë ndonjë që s’di të flasë as shqip që ta kujton se po shkel në pronë private dhe të çohesh sa më shpejt, ndryshe …! Sigurisht që nuk jam kundra pronës private, por mënyrës se si administrohet “prona publike” që, edhe buzë detit ku ke vajtur për t’u shplodhur, të kujton mbrapshtësinë e gjërave të vendit ku jeton dhe të njerëzve që drejtojnë.

Zona që bëhet plazh nga zona ku fillojnë hotelet ndahet nga një rrugicë afro 3 metra e gjerë, e shtruar e tëra me pllaka, paralel me gjithë vijën bregdetare. Rrugica frekuentohet që herët në mëngjes nga të apasionuarit pas vrapit ose ecjes. Përveç se e njëtrajtshme dhe e shtrirë në gjithë gjatësinë e plazhit, të tërheq vëmendjen emërtimi i saj, segmente-segmente, sipas disa prej artistëve bashkëkohorë më të njohur italianë, një lloj mirënjohje për punën e veprën e tyre dhe që qyteti i fton çdo vit për të kaluar pushimet. Iniciativa zë fill më 2001, mbas ristrukturimit të plotë të saj, si dhe falë largpamësisë së presidentit të asaj kohe për promovimin turistik të qytetit, z. Amorino de Zotti. Rrugica u quajt “Lungomare delle stelle”, e ngjashme pak a shumë me “Walk of fame” në HollywoodNë të kanë arritur të gdhendin emrin e tyre Gina Lollobrigida, Alberto Sordi, Mike Bongiorno, Carla Fracci, Nancy Brilli,Christian de Sica, Andrea Bocelli, Katia Ricciarelli, Mara Vernier, Lino Banfi, Sophia Loren e Umberto Veronese.  Sivjet i ftuari i nderit ishte Alessandro del Piero dhe shumë shpejt është edhe ceremonia e inagurimit të segmentit të “lungomare”s- që do të mbajë emrin e futbollistit të njohur. Kërkova të kujtoja ndonjë iniciativë të ngjashme të ndërmarrë edhe në plazhin në anën tjetër të Adriatikut, por në mend sillja Kalin e Trojës, peskavica maqedonase dhe fërgesë tirone …

Çdo gjë duket e mirëmenduar dhe e studiuar. Për të rritur jo vetëm cilësinë e jetës, por edhe të peisazhit ekonomiko-mjedisor si dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm, si një të tërë të qytetit, më 1993 qyteti ftoi një nga urbanistët më të njohur të kohës, Kenzo Tange, që njihet edhe si projektuesi i Japonisë moderne, për të dhënë vizionin për të ardhmen e qytetit dhe për të hartuar masterplanin e tij – informacion që gjendej në ekspozitën fotografike rreth historisë së qytetit të hapur në një nga mjediset e dy kullave që gjenden në “Piazza Drago”.

Hotelet janë nga 2-6 kate dhe me shumë mundësi zgjedhjeje: me vetëm mëngjes, me mëngjes e darkë ose pension i plotë. Kryesisht janë hotele me 3 dhe 4 yje dhe çmimet për “all inclusive” variojnë nga 56 euro/person deri në 165 euro ose më shumë  per person.

Qyteti përshkrohet mespërmes nga një rrugë me trafik të kufizuar gjatë ditës dhe që gjatë mbasdites deri në darkë vonë mund të kalojnë vetëm këmbësorë. E gjithë rruga rrethohet nga dyqane pa fund dhe në sheshet e shumtë zhvillohen aktivitete, koncerte e panaire. Një nga panairet më të bukur me prodhime bio është ai i “Levandës” (bimës me emrin latin lavandula), që zhvillohet për dy-tre ditë në fund të korrikut. Mos humbisni rastin ta vizitoni! E mira është në diellin e pasdites, pasi panorama është shumë e bukur, e përbërë nga vetëm dy ngjyra: e bardha dhe lejlaja, dhe një aromë e jashtëzakonshme që ndjehet që nga larg, por mos përjashtoni edhe mundësinë e blerjes së një a dy produkteve, veçanërisht një lloj vaji erëmirë që prodhojnë për duart.

Rruga ka një bukuri të veçantë dhe merr  nuanca të ndryshme gjatë ditës. Në mëngjes herët – deri në ora 8.00, është shumë e qetë. Qyteti zgjohet vonë! Pothuaj të gjithë dyqanet janë të mbyllur, me përjashtim të disa kafeneve dhe dy librarive që shesin vetëm gazeta në këtë orë të ditës. Kafja është një nga kënaqësitë e mëngjesit – të shijon çdo gllënjkë e saj! Çmimet e kafes variojnë nga 1-2 euro. Edhe dreka e rrugës, nga ora 12.30-16.00 është shumë e qetë dhe me ngjyra të mrekullueshme. Duket sikur çdo gjë merr dritë e shkëlqen. Pothuaj të gjithë dyqanet mbyllen. Shëtitja me biçikletë në këtë orë të ditës është një nga kënaqësitë që nuk duhet humbur. Çdo hotel ka biçikletat e veta që i vë në dispozicion të pushuesve pa pagesë dhe është një mënyrë shumë e mirë jo vetëm për të shëtitur gjithë qytetin, por edhe për të kontrolluar disi kaloritë e një dreke të bollshme ose për të shmangur dembelinë e pasdrekës. Një mundësi për të shëtitur dhe njëkohësisht për të bërë pak sport në këtë orë të ditës është edhe marrja me qira e një lloj karroceje që pedalohet nga 4-6 persona, me një çmim për 8-10 euro/gjysmë ore deri në 17 euro/orë. Darka është finalja e një dite të zakonshme plazhi: fillon kryesisht pas orës 20.00 dhe zgjat deri vonë pas mesnate. Të gjithë në rrugë! Shëtitja e zakonshme që një herë e një kohë tek ne bëhej buzë detit, në Jesolo bëhet në atë rrugë të bukur, ndërkohë që mund të zgjedhësh për të pirë diku një birrë, për të shijuar një akullore, për të parë një koncert ose për të vizituar ndonjë nga ekspozitat e shumta që hapen në qytet, që nuk duhet lënë pa përmendur edhe ekspozita e skulpturave të rërës, çdo vit me një tematikë të veçantë. Besoj se është një nga pedonalet më të bukura që kam parë ndonjëherë. Sipas nuses së pronarit të hotelit ku qëndronim, në atë pedonale shëtisin çdo vit afro 25 milionë turistë. Ndërkohë bëni kujdes me dyqanet që gjenden në buzë të rrugës dhe mos i shpenzoni të gjitha paratë, pasi një variant shumë më i mirë për të bërë shopping është uotlet-i që gjendet vetëm pak kilometra larg Jesolos, përgjatë autostradës Venecia-Trieste (A4), hartën e të cilit mund ta gjeni pranë çdo hoteli: me çmime të mira dhe shumë cilësore, veçanërisht nëse pazarin e vitit e keni lënë për aty.

Një nga argëtimet më të bukura është vizita në Venecia dhe dy ishujt pranë saj: Murano dhe Burano, i pari për kryeveprat e punimit të qelqit dhe i dyti për qëndismat karakteristike. Venecia është një përrallë më vete. Të duket sikur kthehesh prapa në kohë dhe jeton në vitet 1800. Në çdo çast ka diçka që duhet parë e që të tërheq vëmendjen, që do ta marrësh me vete si kujtim: një maskë veneciane, një shëtitje në sheshin San Marco dhe në Ponte Rialto, një foto ku në sfond është ura e psherëtimave, pallati dukal, gondolat … Të gjitha lëvizjet bëhen nëpërmjet trageteve të vegjël – autobuzët e linjës. Sa shumë vizitorë! Sa shumë para që shpenzohet nga turistët në atë qytet!

Rruga  

Në Jesolo mund të shkohet me avion ose me makinë. Varianti i parë është i shkurtër dhe shumë komod. Në këtë rast shfrytëzohet aeroporti i Venecias dhe më tej zgjidhet me autobus ose me mjete të tjera transporti. Ka vetëm vështirësinë që gjatë ditëve të pushimit lëvizjet do jenë të kufizuara, ndonëse në qytet është linja e autobuzëve dhe funksionon edhe shërbimi taksi. Personalisht preferoj variantin me makinë. Në vajtje ja vlen të nisesh një ditë më parë dhe të shmangësh autostradën – është më gjatë por me një natë fjetje sa më afër Rijekës rikuperon energjitë dhe lodhjen, për më tepër e gjithë rruga është shumë e bukur, veçanërisht nëse e ke për herë të parë. Në kthim është mirë të merret autostrada, në të cilën futesh pothuaj sa del nga Jesolo dhe shkon pothuaj deri në Dubrovnik. Një rrugë e shkëlqyer. Por shmangni sa më shumë qëndrimet dhe kontaktet në Kroaci: njerëzit janë të pasjellshëm dhe aspak të gatshëm të ndihmojnë turistët; nuk ofrojnë asnjë shërbim me euro – të tregojnë gjithmonë derën, që do të thotë se duhet të shkosh në change dhe hajde të gjesh ndonjë. Kini kujdes edhe me policinë rrugore – janë më keq se këtu te ne. Sapo kishim kaluar Dubrovnikun dhe po merrnim një të tatëpjetë të vogël – në pesë automjete që ishim në radhë dhe në distancë konstante nga njëri-tjetri për minuta të tëra udhëtim, na ndalën vetëm ne që ishim diku në mes dhe me targa të huaja. Biseda me policët mund të përmblidhet pak a shumë kështu: 30 euro gjobë sepse jeni me shpejtësi. Me çfarë shpejtësie? 53 km/orë. Pse nuk i ndalni edhe makinat e tjera? Nuk kuptojmë anglisht. Dhe gjoba duhet paguar te polici, në dorë! Një vend që ka hyrë në Europë! Policët të kujtonin krejtësisht policinë tonë: kishin zënë “pusi” me një makinë civile në një vend pothuaj të padukshëm nga rruga dhe me matësin e shpejtësisë brenda në makinë ndalnin kë t’u tekej. Më shumë se për të qarë, ishte për të qeshur. Pak a shumë i njëjti problem edhe në supermarket: asnjë nuk flet anglisht dhe krejtësisht indiferent kundrejt çfarëdo kërkese që mund të kesh si i huaj – po flasim në shkëmbim të parave! Kujtoj sa të sjellshëm jemi ne si komb, veçanërisht kur kemi të bëjmë me të huaj: çfarë të duhet, do të flasësh në telefon? Fol nga telefoni im sa të duash. Do të shkosh në filan vend, të çoj unë! Jo, në Kroaci nuk dëgjoje asgjë të tillë. Kur kërkoje të bleje me euro sikur lypje lëmoshë dhe do të ta falnin.

Udhëtimi i kthimit zgjat minimalisht 15 orë, por mos harroni të llogarisni edhe kalimet kufitare – janë plot katër shtete që kalohen: Italia, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia përsëri, Mali i Zi dhe, së fundmi, në mëmëdhe. Një përvojë e bukur!

Drejtim për mbledhjen e folklorit Nga Ernest Koliqi

Drejtim për mbledhjen e folklorit

Nga Ernest Koliqi, Ministër i Arsimit (12 prill 1939 – 3 dhjetor 1941)

Artikulli duhet cituar: Nathanaili, V. (2016). Rruga e mundimshme e shkollës shqipe. Tiranë: UET Press, f. 260-1.

Drejtuar mësuesve 

… Ministria (e Arsimit, shënim, V. Nathanaili) ka hartue nji varg pyetjesh, nja 22, që po ju dërgohen këtu ngjitë e që përfshijnë landën e Folklorës që do të mblidhet. Nga këto 22 pyetje mësuesi do të zgjedhin nji e dy, shumë-shumë tre, e do t’iu përgjigjet tue e shtrue landën shkoqitun e gjat e gjanë.

Veçse puna që ka për t’u-bâ mbi mbledhjen e landës duhet të jetë nji gjâ e bâme me mend, e peshueme dhe e matun mirë. Mësuesi në këtë punë të mbledhjes do të jetë sa mâ shumë objektiv, nuk do të shtojë ndonji gjâ nga fantazija e vet, nuk do të lâjë metë gjëkafshë për çdo arsye qoftë, por do të punojë me ndërgjegje e me kujdes të math, që të dal nji gjâ e vërtetë dhe e plotë, tue pyetë e tue marrë lajme të vërteta e të presë për çdo gjâ.

Drejtim për mbledhjen e folklorit

  1. Si quhet katundi a fshati? A ka pasur emër tjetër më parë? Ç’gojëdhënë mund të ketë rreth themelimit të katundit?
  2. Sa lagje ka katundi dhe si quhen këto? Katundi, më parë, ka pasur emrin e ndonjë prej këtyre lagjeve?
  3. Katundi është po në atë vend që ka qenë edhe më parë, apo tjetërkund? Në qoftë se ka qenë gjetiu, si quhet ky vend?
  4. Ka katundi ndonjë gërmadhë të vjetër? Ndonjë kishë, tyrbe, vend të mirë, kështjellë a qytezë? Ka ndonjë gojëdhënë rreth tyre?
  5. A ndodhet në katund ndonjë krua, burim, përrua, arë a fushë, livadh, pyll, mal, kodër, lis a drú, që të ketë emër më vete? Në qoftë se po, dëfteni emrin e secilit prej këtyre dhe tregoni gojëdhënën që mund të flitet për të.
  6. Tregoni mbiemrin (llagapin) e çdo familje të katundit.
  7. Çfarë rrobash e petkash veshin burrat, gratë, çunat, gocat? Përshkruani shkoqitur këto rroba. Kjo veshje është e vjetër apo e re? Në qoftë e re, me çfarë petkash visheshin më parë? Si i mbajnë, si i veshin e si i lidhin foshnjat?
  8. Tregoni emrat e gjithë enëve të shtëpisë që përdoren për të ngrënë, për të gatuar bukë e për të pirë.
  9. Përshkruani shkoqitun almiset e bujqësisë që përdorin katundarët për punët e tyre bujqësore.
  10. Dëfteni një për një zakonet e lindjes, pagëzimit, synetit, fejesës e vlesës, martesës e vdekjes (të tretat, të shtatat, të nëntat, të dyzetat). Tregoni çfarë urimesh e çfarë thuhet me rastin e këtyre ngjarjeve.
  11. Çfarë festimesh e gatimesh, çfarë zakonesh, bëhen në katund në Ditën e Verës, Ditën e Shingjergjit, Shëmitrit, Shën Vasilit, Shinjonit, Shëmrisë, Rrshajevet a të ndonjë dite tjetër të kremteje të vendit.
  12. Çfarë festimesh bëhen, në ditë të tilla, si Pashkët, Bajram, Kërshndellat?
  13. Çfarë të folme të jashtëzakonshme pëshpëritin bujqit e çfarë mëngjish e praktikash të tjera bëjnë, kur fillojnë një punë së pari (të mbjellunit, të korrunit etj.). Cilat ditë quhen të mbara ose të prapa për fillimin e këtyre punëve?
  14. Si e parashikojnë bujqit ardhjen e kohës së mirë ose të keqe, si shiun, breshrin, borën, dimrin e rreptë ose të butë, vapën e madhe etj.? Për shembull, kur këndon gjelin në një çast të caktuar, kur piqet ndonjë pemë etj.?
  15. Çfarë marrëdhënie ka hëna me veprimet bujqësore ose shtëpiake e çfarë besimesh ka lidhur me to?
  16. Çfarë zakonesh e çfarë besimesh mund të ketë në katund (a në qytet), që bien fort në sy? Për shembull, dita e djegies së rrogozave në Berat, dita e flakadanit, dita e rusicave (kur dikush vishet me gjethe e gjelbërime dhe i derdhin ujë) etj.
  17. Çfarë besimesh ekzistojnë në lidhje me disa sende e objekte shtëpiake, si me zjarrin, ujin, fshesën etj.
  18. Çfarë besimesh mund të ketë, për shembull, kur të tingëllon veshi, kur teshtin dikush, kur kërcet shtëpia, kur të skuqet veshi, kur të ha dora, kur kërcet druri që po ndizet në oxhak, kur thyhet ndonjë enë me verë a raki etj. Kur ndodhin ngjarje të tilla, çfarë fjalësh thuhen, çfarë mëngjie ose yshte bëhet
  19. Çfarë mëngjie ose yshtesh bëhen, kur: bie më sysh (ose kur merret a kur hahet më sysh) fëmija (për shembull, shuhen thëngjij, derdhet plumbi, digjet dafinë, hidhet kripë në zjarr etj.); kur shuplaket (a shitohet a e merr me të randë) njeriu?
  20. Çfarë mëngjie ose yshtesh përdoren, për mos me ranë më sysh, ose për të ruajtur prej syrit të ligë ndonjë fëmijë a ndonjë njeri të shëndoshë a të bukur, ndonjë kafshë a shtazë (i varin ndonjë gjë në qafë, i shkruajnë etj.)?
  21. Çfarë gojëdhëne a legjende flitet rreth zhdukjes së ndonjë familjeje (për shkak mallkimi etj.), shembjes së ndonjë vendi, fortese, shtëpie (e pushtuar, ndoshta, nga xhindet), rreth njerëzve të rrëmbyer nga xhindet ose shpirtrat?
  22. A flitet në katund për shtriga, kuçedra, lugetër, dragonj, lubi, shtojzovalle etj.? Si i përfytyrojmë, çfarë pushtetesh kanë e çfarë zakonesh u japin? Çfarë duhet të thuhet, ose çfarë mëngjie a yshtyn duhet të bëhet, për të larguar shpirtrat prej njerëzve dhe bagëtive?

Shënim

Teksti hyrës është paraqitur me shkurtime, ndërsa sa i takon pyetësorit janë bërë përpjekjet maksimale t’i qëndrohet besnik origjinalit që gjendet në Arkivin e Shtetit Shqiptar.

Foto kryesore: 2017, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, së bashku me drejtorin artistik të “Fustanella festival”, Robert Bisha.

Foto e dytë: Ernest Koliqi, marrë nga gazeta “Minerva”.

 

MENDIMET E JAVËS: Si mbushet shtylla? Nga DON VASI (Hil Mosi)

MENDIMET E JAVËS: Si mbushet shtylla?

Nga DON VASI (Hil Mosi)

I dashuri drejtuer i së përkohëshmes Orë!

Më parë, vinj të ju kërkoj ndjesë se përsè fjalën Orë, që ësht titulli’i së përkohëshmes së juaj, nuk e përdora në formën e çquarë, por të paçquarë.
Besoj se do të më ndjenji për ket guxim! Unë nuk jam i pari që po e bënj një gabim të tillë. Si e dijni edhe zotrija juaj, këtu e disa kohë më parë në qytetin t’onë botohej një gazetë politike, e cila, me gjith që drejtorin e sajë e kish një njieri të përmendur në fushën e letërsisë, titullin e fletores së vet e përdorte në formën e paçquarë… Prandaj edhe unë, nga ana e ime protestonj rreptësisht, që ju e kini patur guximin titullin e rivistës së juaj t’a përdorni në trajtën e çquarë Ora e jo Orë!

Besonj se në ketë pikë që të dy jemi të një-mëndje edhe ju nuk keni se ç’të më përgjigji! Dhëntë Zoti të jetë kështu e jo ndryshme, se atëherë do të më shtrëngoni të ndodhem edhe unë nd’atë gjëndjen t’uaj të vështirë, përpara radhonjësit (me gjith që radhë e radhonjës shkruhet me dy rr, unë për solidaritet po e shkruanj me një r) të shtypëshkronjës, që të më qëndrojë përpara si “xhelat”, duke kërkuar “lëndë”: – Pra gjeri këtu kam shpresë se u muarën vesh edhe me jue edhe juve nuk ju mbetët se ç’të më përgjigji! – Pastaj cili ësht ai, që përgjigjet me fajin e tij?!

Në Nr. 4 të rivistës Orë, mu në faqen 11 pashë një rëfenjë tragjike, (tragjike ndofta nga shkaku se fjala rëfenjë ësht e shkruar me një r), e titulluar “Kërshëndellat”, ku fjala poterë në trajtën e çquarë ësht e përdorur me dy rr poterra, kur se fjala harruar ësht e përdorur me një r! Pandehe ndofta zotni drejtuar, se unë do të ju pyes shkakun e kësaj anomalije? Jo kurr! Unë e dij që ju, me atë cilësin’ e një advokati, që kini, do të më thoni: Hiqnjanji një r asaj fjale, q’e ka tepër edhe vinjani asaj q’e ka mëngu!

Pastaj ankoheni zotëri-a juaj për rradhonjësin, që ju kërkon lëndë! Ju e shihni edhe vetë, se në faqen 12 të rivistës s’uaj Nr. 4, në shtyllën e dytë në të parin paragraf fjala bankoja, e cila ka dy gabime orthografije, si në shkronjën e parë që ësht p në vent të b, ashtu edhe në shkronjën e katërtë që ësht g në vent të k. Mundet që ju do të më përgjigji duke thënë se fjala pangoja ësht shkruar mirë nga shkrimtari, po se rradhonjësi ka bërë një gabim-shtypi duke e rradhosur; po me gjith atë unë nuk do të hesht pa ju përgjigjur me një pyetje: Mirë se bëri një gabim me shkronjën b, të cilën e këmbejti ndë një p, po shkronja k, si mundi të këmbehet me shkronjën g? Pastaj ngjitur me pangon ndodhet edhe fjala turinj, që ësht e shkrojtuar me dy rr turrinj! Po kësaj ç’i thoni?
Më pastaj në faqen 15 e 16 gjith t’atij numri, nën titullin “E kremtja e Kërshëndellave” shihet fjala lugat, që në shumorin përdoret lugetë e lugetët, kur se fjalët që fundojnë nd’at, si lugat, shtrat, surrat, deputat, delegat, kunat, etj. (me ndonjë përjashtim) në shumorin ndrrohen nd’etër, si: lugetër, shtretër, surretër, deputetër, delegetër, kunetër, etj. Në mest të këtyre etj. munt të futni edhe advoketër, etër, mëzetër, etj. (Edhe me që shkrova edhe për ndonjë përjashti, nuk më rrihet pa e dhënë ndonjë shëmbull, si: Hargatët, Kroatët, Gurbatët – me gjith që munt të thohet edhe Gurbetrit, pallatet, katet, sahatet, etj.)

Po sa q’e kisha sosur perjodhin e fundit, më paraqitet miku i im z. X., edhe në një habitje më pyet: Po ç’po shkruani kështu?
Një artikull për të përkohëshmen Orë, i u përgjigja.

Po a nuk e dini ju, – m’a priti z. X. – se për shkrime të gjata duhen 2 franga ar për shqyrtim, e ky shkrim qenka tepër i gjatë, aqë sa ndofta munt të ju kërkojnë edhe 4 franga ar për shqyrtim?

Nuk është për shqyrtim – j’a këtheva unë -. Ky shkrim ësht i kushtuar shtyllës së Orës “MENDIMET E JAVËS”. Un shpresonj që do të më paguhet… edhe shtrënjt! – A nuk e kënduat ju, se radhonjës’i i shtypëshkronjës kërkon gjithnjë lëndë? Ora besonj se do të jetë mjaft e kënaqur, që unë nuk i kërkonj asgjë për shqyrtimin, që i bëra shkrimeve të saja, edhe shpëtova nga tmer’i rradhonjësit, i cili me një arrogancë i qëndron përpara si xhelat!

 

Ish -“21 dhjetori”, përtej nostalgjisë Nga Valbona Nathanaili

Ish -“21 dhjetori”, përtej nostalgjisë

Nga Valbona Nathanaili

Kushdo që jeton në Tiranë ka kaluar të paktën një herë nga “21 dhjetori”, thjesht sepse zona ndodhet në një nyje të rëndësishme kalimi dhe është një nga më të populluarat e më me lëvizje të qytetit. Unë kam jetuar në atë zonë nga vitet 1963-1982 dhe në kujtimet e mia, ajo që unë i referohem si “21 dhjetori”, fillon te i ashtuquajturi sheshi “Mustafa Kemal Atatürk”, aty ku pritet unaza e vogël me rrugën e Kavajës dhe vazhdon në të majtë të unazës, deri te pikëprerja e saj me rrugën “Myslym Shyri”. Zona përfshin tre pallatet nr. 34, 36 & 38 që gjenden buzë rrugës (përballë shkollës “Sabaudin Gabrani”) si dhe ato në brendësi të saj.

‘E kam shtëpinë te 21 dhjetori’ ka shwrbyer si një pikë e mirë orientimi! E dinin të gjithë, sepse sapo kaloje pallatin e parë, nr. 34, në të majtë, ishte një rrugë gjithmonë e pashtruar që të çonte te ndërmarrja e ndërtimit “21 dhjetori”, ku punonin me qindra vetë. Origjina e emrit lidhet me ditëlindjen e ish-udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, shokut Stalin, që për brezin e ri është një diktator më shumë që duhet mësuar në shkollë, por për ne një histori e tërë me pasoja të trishtme, që diktonte jo vetëm emrin rus të ndërmarrjes, por çdo gjë, deri edhe modelin e pallateve, projektuar e ndërtuar sipas ideologjisë komuniste. Pallatet për të cilët bëhet fjalë janë ndërtuar nga të burgosurit dhe apartamentet kanë sipërfaqe e kubaturë përtej modestes, të përbërë nga dy dhoma e një kuzhinë e vogël + një bodrum + një tualet + një ballkon dhe të ulëta. Shtëpi tipike të kohës komuniste që ishin vetëm për të fjetur dhe për të ngrënë e që u shërbenin të gjithëve njëlloj, pavarësisht edukimit që kishe, nevojave që paraqisje ose të ardhurave që prodhoje; fantazia më e madhe e përshtatjes, me rritjen e numrit të anëtarëve të familjes, shkonte te gatimi në banjë ose në ballkon dhe shndërrimi i bodrumit në një tip aneksi të vogël për të larë e mbajtur enët. Nuk di se çfarë bëhet tani dhe si kanë mundur t’i përshtasin fqinjët e mi të dikurshëm kërkesat për banim, por nga jashtë asgjë nuk të kujton të kaluarën, ndonëse janë ndër të paktat pallate në Tiranë që nuk kanë bërë shtesa “gjigande” majtas-djathtas & para-mbrapa. Në ata 18 vjet që kam jetuar në atë zonë, ngjarja më e madhe ishte prishja e dy shtëpive të vogla përdhese dhe ndërtimi i dy pallateve të rinj në hapësirën prapa, në një distancë që sot do të quhej kulmi i lluksit: pothuaj sa bulevardi Zogu I. Dhe diçka tjetër: ndërtimi i pallateve të rinj u bë me punë vullnetare, që do të thotë se punën e të burgosurve e zëvendësoi puna pa pagesë, jashtë orarit normal të punës së zakonshme, e “masave popullore”, do me thënë pjesa tjetër e popullsisë, ajo që nuk ishte e mbyllur në burgun me hekura.

***

Për një periudhë në shpërbërje, sikundër ishte ajo pas viteve ‘990, që bëri rrëmujë, bashkë me idetë e teoritë tona për zhvillim, edhe qytetet e njerëzit, duket se gjithshka që ishte e mundur dje, është në kufijtë e absurdit sot. Pothuaj të gjitha katet e para janë përshtatur në dyqane – me që ra fjala pronarët e tyre quhen më fatlumit – bën përjashtim vetëm apartamenti i fundit në pallatin pranë rrugës “Myslym Shyri”. Në të tre pallatet buzë unazës duhet të jenë afro 51 dyqane, me një larmi të jashtëzakonshme në llojin e shërbimeve që ofrojnë, duke filluar nga rrobat e këpucët, deri tek kafenetë e dyqanet e mishit dhe të ushqimeve, një ideologji zhvillimi që, si me copy-paste, gjendet pothuaj në gjithë Tiranën e, në një vështrim më të gjerë, në gjithë Shqipërinë. Meqënëse kaloj në orë të ndryshme të ditës, vështroj dhe kërkoj blerësit e mundshëm, por ndonëse dyqanet janë plot dhe me çmime të ulëta, ka shumë pak blerës. Moda e ofertave ka përfshirë edhe dyqanet e rrugës, por tabelat konkurruese, të tipit “Çdo artikull 1000 lekë” nuk i bëjnë përshtypje njeriu. Kafenetë u shërbejnë më shumë banorëve të pallatit – secila prej tyre ka nxjerrë nga 3-4 tavolina në trotuar dhe muajt e verës duken të jenë më fitimprurësit; në trotuar, gjatë gjithë gjatësisë së këtyre pallateve, në mëngjes herët deri aty nga ora 12.00, sheh fshatarë që në grupe të vegjël shesin prodhimet e stinës. Në rrugë kalohet ose sepse ke shtëpinë, ose sepse është në rrugën për në shtëpi ose për punë. Asgjë karakteristike që të tërheqë blerës ose vizitorë të mundshëm nga lagjet e tjera, të mos guxojmë të mendojmë për turistë që vinë nga anë e anës sepse zona ka emrin “21 dhjetori” ose sepse është një dëshmi e “tipologjisë së urbanizmit komunist” dhe ka diçka për të parë, diçka për të mbajtur shënim, diçka për të sjellë si argument! Kush ka pasur kohë në këta 20 vjet të mendojë për gjëra të tilla! Çdo gjë është fryt i nismave individuale të banorëve të kateve të para, që në luftë për të siguruar të përditshmen, me mendjen e tyre janë në rregull: kanë marrë maksimumin nga rrëmuja e përgjithshme! Janë pjesët, por mungon e tëra, në të gjitha kuptimet. Pjesa është në funksion të personales dhe jo të së tërës, sepse e tëra është joekzistente. Vetja më duket si emigrante. Asgjë nuk të kujton se je në një nga lagjet më të vjetra të kryeqytetit. Çfarë bëmë? Fakti që janë disa njerëz që po korrin a shijojnë frytet e investimit të tyre, nuk justifikon, as arsyeton, se e mira e tyre është e mira e të gjithëve. Këtë nuk e them unë, e thotë Nietzche! Për më tepër, na këshillon që të jemi të kujdesshëm.

***

Me një histori relativisht të shkurtër zhvillimi, që daton vetëm në vitin 1614, Tirana në prag të 400 vjetorit të formimit të saj ka pak të ofrojë: pak histori, pak arritje, pak traditë. Gjithshka me pikatore! Secili sistem mbajti pak, për të mos thënë asgjë, nga ai i mëparshmi: çdo pushtet pasardhës drejtoi gishtin tek e kaluara dhe quajti të padenjë çdo arritje. Tirana e kohës së turqisë, me ndërtesa të ulëta ndërtuar me materiale rrethanore të paqëndrueshme, u zëvendësua nga Tirana e italianëve; kjo e fundit nga Tirana e komunistëve dhe, për 20 vitet e fundit, nga Tirana e “politikanëve të tranzicionit”. Rritja e pakontrolluar e popullsisë, që për fat të keq, në masën më të madhe, u konceptua thjesht si shpërngulje në Tiranë, si ndërrim rezidence, jo si ndryshim në mënyrën e të menduarit dhe të të jetuarit është një nga karakteristikat e periudhës së fundit e cila, për më tepër, nuk u shoqërua me legjislacion të përshtatshëm ose plane konkrete për veprim nga ana e qytetit. Në mungesë të tyre, shtuar edhe mungesën e ndjenjës së përgjegjësisë se qyteti është një pasuri që duhet ruajtur si dhe të rrënjëve e kujtimeve që i lidhnin me të, katrahura qe e pamatë. Nga ana tjetër, populli thotë se “rrushi sheh rrushin”. Rezultati është ky ku jemi. Më shumë se një qytet komunitar, ku njerëzit interesohen për njëri-tjetrin dhe për të mirën e të tërëve, Tirana ngjason me një kompani biznesi, ku secili individ kërkon të marrë sa më shumë dhe vetëm për vete, ku e drejta dhe e gabuara perceptohet ndryshe dhe normat e vlerat jo domosdoshmërisht janë të përbashkëta.

Mënyra se si po zhvillohet Tirana në përgjithësi dhe lagje ose zona të saj në veçanti, ka mungesë vizioni, mendimi, përshtatje, lidhje të së vjetrës me të renë që do mund të krijonte rrugë ose lagje të afta të rigjeneronin vlera, të ishin atraktive, të prodhonin para jo vetëm për disa familje, por për të gjithë komunitetin, sikundër ndodh në pothuaj të gjithë kryeqytetet e botës. Çfarë do të bëjmë?