Diçka po lëviz Nga Amik Kasoruho

DIÇKA PO LËVIZ

Nga Amik Kasoruho

Shkëputur nga libri “ÇMIMI I NJË ËNDRRE. ZGJIMI I MUNDIMSHËM I SHQIPËRISË”

Botimi i parë: Edizioni VIVERE IN, Roma, 2000

 Fjala i takon gjysma atij që flet dhe gjysma atij që dëgjon

Montaigne

Më 12 dhjetor 1986, mbarë një familje durrsake i bëri bisht mbikëqyrjes së policëve para kangjellave të ambasadës italiane në Tiranë: ia doli të futej në të dhe kërkoi strehim politik. Ky fakt jo vetëm që krijoi një incident diplomatik (autoritetet italiane nuk u dorëzuan para kërkesave të vazhdueshme të qeverisë shqiptare për t’i kthyer të arratisurit), por dalëngadalë mori formën e një prove qëndrueshmërie, duke i dhënë një goditje të fortë ballinës së demokracisë për të cilën kishte folur aq shumë PPSh-ja. Konflikti midis Shqipërisë dhe Italisë, për opinionin publik shqiptar, mori një rëndësi domethënëse: në rast se vëllezërit Popa do t’i dorëzoheshin policisë shqiptare (e cila nuk ngurroi të sajonte aty për aty provat për gjoja një veprimtari keqbërësish të rëndomtë dhe vulgarë), shpresat dhe besimi ndaj botës perëndimore do të kishin pësuar një tronditje jashtëzakonisht të fortë.

Qeveria shqiptare u kufizua me bisedime diplomatike dhe pastaj e la krejt në harresë këte fakt që, në kohë të tjera, mbase do të kishte marrë një kthesë të paparashikuar.

Vëllezërit Popa psherëtinë të lehtësuar. E me ta edhe mbarë vendi: përballë një prove të madhe, qeveria ishte dorëzuar. Këte nuk do ta harronte askush.

Një fat i çuditshëm kishte dashur që administrata Ramiz Alia  të niste me arratisjen e një familjeje dhe të përfundonte me eksodin e dhjetëra-mijëra qytetarëve.

Shqipërinë e vizitoi për herë të dytë Strauss-i. Nuk u mor vesh asgjë nga ç’u diskutua midis tij dhe qeveritarëve të Tiranës dhe aq më pak u panë rezultate. Sidoqoftë edhe në këtë rast shqiptarët u  ndien të motivuar të shpresonin: ishte një gjë krejt e jashtëzakonshme që një personalitet i botës perëndimore vinte në vendin e tyre.

Siç ishte bërë traditë, të nesërmen e mbylljes së punimeve të Kongresit IX të PPSh-së (1987), gazetat, në rubrikën  tyre të zakonshme Të vemë në jetë vendimet e Kongresit të Partisë, që fillonte e shtypej pas çdo kongresi, nisën të botonin një ortek artikujsh që u bënin jehonë atyre vendimeve. Por, ndryshe nga herët e tjera, në ndonjë prej atyre artikujve nxirrnin krye elemente të reja  në plot kuptimin e fjalës: në radhë  të parë toni më i zgjedhur, më intelektual. Pastaj fakti që një pjesë e atyre artikujve ishin nënshkruar jo vetëm nga shkruesit  e zakonshëm rrogëtarë, por edhe nga intelektualë, qofshin edhe komunistë, por që kishin opinione disi të përparuara. Midis këtyre, përshtypje të veçantë bëri një shkrim i nënshkruar nga prof. Hamit Beqja, pedagogjist, në të cilin gjykohej se i kishte kaluar koha luftës kundër trashëgimtarëve (në kuptimin gjeneracional) të “klasave të përmbysura” si shprehje e një interpretimi konservator të përvojës marksiste mbi konceptin e luftës së klasave. Për tematikën që trajtonte dhe për ndonjë pohim të tij pak të shtyrë (Prof. Beqja shkruante se të rinjtë nuk duhet të pësonin për “fajet” e prindërve të tyre, natyrisht, pa dhënë mendim për ato “faje” dhe pa vënë në dyshim kuptimin e fjalës “faje”), artikulli mund të konsiderohej ose një herezi, ose një përmbysje e praktikës së vlerësimit shoqëror. Autori ishte shok i ngushtë i Ramiz Alisë. Ishte pra me vend të mendohej se, në një farë mënyre, luante pak rolin e zëdhënësit të kryetarit të ri të partisë. Artikuj të tillë nuk mund të botoheshin në shtyp pa qenë dhënë më përpara pëlqimi i aparatit ideologjik të PPSh-së. Duhet patur parasysh se Beqja e kishte botuar artikullin e tij në gazetën Zëri i Popullit, organ i KQ së PPSh-së. Natyrisht, në praktikë nuk u bë asgjë. Bijtë e të përndjekurve politikë, si dhe më parë, nuk patën mundësi të ndiqnin studimet universitare, por botimi i një artikulli të tillë të shtynte të mendonte se diçka po ziente. Ishte një përpjekje për të testuar terrenin? Ishte një provokim? Ishte një nga ato spiralet e shumta të taktikës oportuniste që hapeshin kohë mbas kohe për tu mbyllur menjëherë? Edhe kësaj radhe ishte një nga ato slogane që shërbenin si opium për popullin? Ishte një lëvizje për të fituar kohë dhe për të shmangur vëmendjen publike, duke folur për gjëra që për disa brezni ishin konsideruar tabù?

Ndërsa gjindja fillonte të pyeste ç’po ndodhte me të vërtetë, apo thjesht nëse ishte duke ndodhur gjësendi, po në gazetën Zëri i Popullit, pak kohë më vonë u botua një artikull, kësaj here i nënshkruar nga Ylli Popa, kardiolog i njohur i vendit, i cili kishte qenë mjek i Enver Hoxhës, anëtar i Partisë dhe deputet i kuvendit popullor.

Për herë të parë publikisht dhe në një gazetë të KQ vihej në dyshim roli mbizotërues i partisë në jetën e vendit, edhe pse me aludime. Shkruar në një stil shumë tërheqës dhe me një ton thellësisht intelektual, që tregonte një erudicion jo të zakonshëm dhe një kulturë të formuar jo vetëm nga veprat e “korifenjve të marksizëm-leninizmit”, duke perifrazuar burrin e shquar të shtetit francez, Clemenceau, prof. Popa mbronte të drejtën e njeriut të mund të zgjidhte cilën perëndi të nderonte dhe të mos kushtëzohej nga konsiderata të imponuara nga autoritetet. Referimi ndaj njëmendes, ishte shumë i dukshëm. Miti i kryetarit të padiskutueshëm, të vetëm dhe të pagabueshëm, bosht i praktikës diktatoriale vihej në diskutim. Madje edhe më shumë, e zhvishte nga brerorja e mitit.

Vëllai i autorit të artikullit, Agim Popa ishte anëtar i KQ: edhe ai, një arsye më shumë të mendohej se përsëri nuk ishte fjala për një nismë vetjake të autorit të artikullit. Agim Popa kishte punuar shumë vjet në kah të Alisë në aparatin e propagandës së KQ[1] dhe ditët e para të protestës antikomuniste dha dorëheqjen nga PPSh-ja duke botuar edhe një letër të hapur në të cilën paraqiste arsyet që e kishin shtyrë të tërhiqej nga partia. Njerëzit në këtë rrëmujë të folmesh të ndryshme përpiqeshin të kuptonin atë që nuk thuhej haptas.

Shkurt mund të thuhet se nuk po jetohej një gjendje ku nuk lëvizte gjë. Diçka po lëvizte. Elementi i ri që dilte nga këto fakte të pazakonta ishte se disa ndryshime i dëshironin edhe ata që deri atëherë kishin përfituar nga regjimi. Të zgjedhur politikisht dhe të besueshëm, intelektualët e formuar nën regjimin duhej të ishin një mbështetje e pakushtëzuar e politikës së partisë. Por edhe midis tyre u ndje nevoja për të ndryshuar. Ndoshta sepse, duke qenë të privilegjuar, kishin patur mundësi të krijonin një ide të ndryshme të jetës që bëhej përtej kufijve të shtetit; ndoshta sepse gëzonin të drejtën të njiheshin me atë lloj letërsie (politike- filozofike, kulturore, informative, teknike etj.) që ishte krejt e ndaluar për masat, apo gjithsesi për njerëzit që nuk ishin të autorizuar nga autoritetet; ose sepse një pjesë e tyre ndiheshin të fyer o të lënë pas dore kur e shihnin veten që kishin mbi vete drejtues jokompetentë, me të vetmen meritë se i bindeshin qorrazi partisë së Hoxhës dhe se i qëndronin besnikë me fanatizëm. Natyrisht në këtë evolucion nuk duhet përjashtuar faktori oportunizëm, mbase shumë vendimtar, duke konsideruar konjunkturat e reja që po formoheshin më shumë jashtë sesa brenda vendit. Të gjithë e njihnin historinë e Pilatit.

Ata që ishin nga ana tjetër e barrikadës, nuk mund t’ia lejonin vetes të ushqenin iluzione. E kuptonin këtë evolucion të të besuarve të partisë në kundrimin e realitetit, por nuk e harronin thënien e lashtë timeo Danaos et dona ferentes[2] . Një dhuratë kaq e dëshiruar dhe e çmuar siç ishte liria, e ofruar nga ata që deri atëherë kishin bërë gjoja nuk kujtoheshin se liria mungonte kryekëput, a nuk mund të fshihte një qëllim tjetër?

Gjenda ishte e këtillë që çdo hapje dhe nga cilado anë të vinte, do të pranohej mirë e bukur. Në emër të së ardhmes njerëzit ishin gati të falnin një pjesë të padrejtësive që ishin kryer në të kaluarën.

Por Alia, i cili duket se nuk kishte këllqe për të qenë një burrë i vërtetë shteti, nuk e rroku flur çastin e përshtatshëm, u tregua i pavendosur dhe humbi rastin të mbetej në histori. Populli i tij, atëherë humbi mundësinë të rreshtohej në rrugën e ripërtëritjes shoqërore dhe politike midis të parëve në Lindje. Po ishte vetëm çështje kohe.

[1] Lidhjet e miqësisë dhe të farefisnisë midis personazheve të jetës shqiptare të atyre kohëve ndikonin shumë për të interpretuar faktet.

[2] Lat. U trëmbem grekëve edhe kur bëjnë dhurata.

Foto kryesore: Amik Kasoruho në moshën 17-vjeçare, pak përpara arrestimit.

Foto credit: Autori

Si jetonim në komunizëm 1

Si jetonim në komunizëm 1

Histori me lopë, bar, qumësht dhe merceologë

Nga Valbona Nathanaili

1 korrik 2018

Sipas studimeve, funksioni kryesor i trurit është sigurimi i mbijetesës, njësoj si dhëmbët dhe kthetrat te kafshët. Truri është projektuar për logjikë dhe arsyetim, po aq sa dora për të luajtur piano. Truri është ndërtuar në mënyrë të tillë që të na bëjë të pranojmë atë të vërtetë që paraqitet si e vetmja përparësi, që na çon në mbijetesë.

Thënë këto, njerëzit shpesh arsyetojnë nê mënyrë donkishoteske për çështje që duket se i orientojnë në hulli të padëshiruara…

Duhet të kenë qenë fundvitet 1970

Në Ndërmarrjen Tregtare Ushqimore (NTU) të Tiranës, në orën 7 të mëngjesit, bie telefoni te dezhurni dhe lajmërohet se filan dyqan nuk ishte furnizuar me qumësht.

Në atë kohë, të mungonte ushqimi në dyqanet e kryeqytetit ishte baraz me mbledhje partie dhe pushim nga puna.

Këtë përgjegjësi e kishin merceologët.

Dezhurni ia kalon njërës prej tyre që sapo kishte hyrë në zyrë. Pak të thuhet se nuk i kishte mbetur pikë gjaku në fytyrë.

Dialogu:

– Shoqja merceologe, nuk ka qumësht!

– Si nuk ka qumësht? Çfarë thua ore? Shiu ra? – pyet merceologia personin në anën tjetër të linjës.

– Ra! – përgjigjet me gjysmë zëri i ziu.

– Bari u rrit? – vjen menjëherë rrufe pyetja e dytë, ndërsa toni ashpërsohet vazhdomisht.

– U rrit! – përgjigjet zëri gjithnjë e më i mekët.

– Lopët e hëngrën?

– E hëngrën!

– Ku është qumështi?

Përralla e minjve që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin

Përralla e minjve që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin

Përshtati në formën e përrallës, në gjuhën shqip, Valbona Nathanaili

Na ishte kush na ishte!

Na ishin një herë tre minj të vegjël, që vraponin lart e poshtë nëpër arë, shumë të zënë me përgatitjet për të dimëruar.

Miu i parë duhej të siguronte zahiretë. Që do të thotë, se ishte në kërkim të çdo kokrre gruri dhe fare, të cilat sapo i gjente, i çonte me shpejtësi në vrimë.

Miu i dytë duhej të siguronte si të mbroheshin nga të ftohtit. Që do të thotë, se ishte në kërkim të çdo fije kashte dhe pushi, të cilat sapo i gjente, i çonte me shpejtësi në vrimë.

Po miu i tretë? Miu i tretë duhej të ndihmonte dy shokët e tij. Që do të thotë, herë njërin dhe herë tjetrin.

Por jo! Miu i tretë mendonte se kishte gjëra më të rëndësishme për të bërë! Ai ishte i zënë me gjetjen e përgjigjeve për pyetje si: Çfarë është fusha? Pse shkëlqen dielli? Ku mbaron qielli?

Për orë të tëra vëzhgonte qiellin e tokën dhe, më pas, kur kishte menduar shumë në lidhje me to, shtrihej të pushonte për pak kohë. Pastaj fillonte përsëri, me të njëjtin rend. Por nuk mjaftohej vetëm me kaq! Dita e tij mbushej edhe me përshtypjet që merrte kur shihte gjallesa të ndryshme.

Çdo gjë që shihte, i pëlqente ta analizonte.

Dy minjtë punëmëdhenj, ndërsa rraskapiteshin për të mbyllur punët që kishin marrë përsipër, e qortonin ashpër shokun e tyre:

– Sa përtac që je! Por të shohim kur të vijë dimri, sa do të jesh në gjendje t’ia dalësh!

Miu i tretë nuk bënte as përpjekjen më të vogël për të justifikuar veten. Vazhdonte po njësoj!

Muajt kaluan dhe erdhi dimri. Dëbora mbuloi çdo gjë. Vazhdimisht frynte erë. Nata ishte e gjatë dhe dita e errët.

Të tre minjtë u mbyllën në vrimën e tyre të vogël. I kishin të gjitha: ushqim për të ngrënë dhe mjete për të mbajtur të ftohtin larg, por nuk kishin asgjë me çfarë të kalonin ditën, asnjë ide si të shtynin kohën, asnjë lodër të argëtoheshin. Filluan të mërziten!

Atëherë miu i tretë filloi të tregojë histori për dy shokët e tij:

  • Tregoi se si kishte parë, një pasdite, një fëmijë të vogël dhe përshkroi, me sytë që i shkëlqenin, çfarë kishte veshur, si luante dhe si buzëqeshte djali;
  • Tregoi se si kishte parë, një mëngjes, një burrë buzë një pellgu dhe përshkroi, me shumë gjallëri, çfarë kishte veshur, si ishte larë në ujë dhe si përgatitej të shkonte në punë;
  • Tregoi, pastaj, për bisedat që kishte bërë me minjtë e tjerë dhe këngët që kishte mësuar nga një zog…
  • Tregoi për natën dhe ditën, për të ftohtin dhe të ngrohtin, për qiellin dhe yjet…

Vetëm në atë çast, dy miqtë e tij kuptuan se miu i tretë, gjatë gjithë verës, po mblidhte për ta rrezet e diellit, për t’i ngrohur në ditët e dimrit.

Përralla është përshtatur nga libri “Konfuci sipas zemrës. Mençuria e lashtësisë për botën e sotme” Autor Yu Dan, botuar nga Minerva, Tiranë. 

Pamja kryesore: foto credit @ I. Nathanaili

Si të arrijmë të bëjmë shokë të mirë? Konfuci

Njerëzit kanë shokë të ndryshëm në faza të ndryshme të jetës.

Si të arrijmë të bëjmë shokë të mirë, krejtësisht të përshtatshëm për ne, në çdo fazë?

Shkëputur nga libri “Konfuci sipas zemrës”, nga Yu Dan

Shqipëroi: V. Nathanaili

Konfuci thotë se shtatëdhjetë ose tetëdhjetë vjet në jetën e një qenie njerëzore janë një kohë e gjatë, por ajo mund të ndahet në tre faza të rëndësishme: rinia, maturia dhe mosha e vjetër. Në çdo fazë ka gjëra për të cilat duhet të tregojmë kujdes të veçantë, të cilat shpesh herë i quajmë edhe gracka. Nëse ia dilni të kaloni secilën prej këtyre grackave, atëherë nuk do të ndesheni me pengesa serioze në jetë. Por kalimi në secilën prej këtyre grackave, nuk mund të bëhet pa ndihmën e shokëve.

Konfuci thotë: “Në rini, kur gjaku dhe qi, ose forca e jetës, janë ende të paqëndrueshëm, duhet të mbrohemi nga tërheqja e bukurisë femërore”. Të rinjtë janë shumë të prirur të sillen impulsivisht, kështu që duhet të tregojnë kujdes e të shmangin vështirësitë romantike. Vërtet, shohim shpesh studentë të shkollave të mesme ose universiteteve, të shqetësuar për shkak të problemeve emocionale që kanë kaluar. Në këtë fazë të jetës, një shok i mirë është në rolin e vëzhguesit, pra i sheh gjërat me më objektivitet dhe qartësi, kështu që mund të ofrojë zgjidhje për problemet e vështirat, të cilat personalisht mund të mos jemi në gjendje t’i zgjidhim.

Kur kalojmë këtë grackë, arrijmë në moshën e mesme. Për këtë fazë të jetës, Konfuci thotë: “Kur gjaku dhe qi, ose forca e jetës, bëhen të qëndrueshëm, duhet të mbrohemi nga armiqësitë”.

Kur njerëzit arrijnë në moshën e mesme, e kanë stabilizuar jetën familjare dhe kanë arritur të kenë një profesion, kështu që çfarë është më e rëndësishme në këtë kohë? Dëshira për të bërë hapësirë për veten, për të zgjeruar sferën e ndikimit. Nga ana tjetër, kjo është arsye shumë e mirë për të krijuar kontradikta me të tjerët dhe, në rrjedhojë, për të dyja palët, punët të shkojnë gjithnjë e më keq. Kështu që Konfuci na paralajmëron se gjëja më e rëndësishme për njerëzit në moshën e mesme është të tregohen të kujdesshëm që të mos përfshihen në konflikte. Më mirë se të hapësh luftë me të tjerët, është të luftosh me veten, me synim gjetjen e metodave për përmirësim. Nëse, në përfundim, përsëri ju nuk ia arrini ta realizoni një synim të tillë, duhet t’i thoni vetes edhe pse nuk ia dolët, të paktën, në një farë mënyre, jeni bërë njeri më i mirë.

Akoma, në këtë fazë duhet të bëni shokë njerëz që janë të qetë dhe praktikë. Ata do ju ndihmojnë të ndërtoni një perspektivë më të gjerë për fitoret e përkohshme, të ndërtoni strategji më të mira mbrojtjeje, të tejkaloni tundimin e gjërave materiale, të fitoni rehati shpirtërore dhe të gjeni një vend pushimi e prehjeje për shpirtin.

Por për çfarë duhet të jemi të ndërgjegjshëm kur arrijmë në një moshë të mëvonshme? Sipas Konfucit, “Kur gjaku dhe qi, ose forca e jetës, fillojnë të perëndojnë, duhet të mbrohemi nga etja për fitim”.

Në moshën e vjetër, mendja njerëzore ka prirjen për të punuar më ngadalë dhe të jetë më e qetë. Filozofi Bertrand Russell e krahason këtë fazë me ujin e lumit, i cili pasi rrjedh me furi në luginën ndërmjet maleve, sapo i afrohet detit, bëhet i ngadaltë, i gjerë dhe i paqtë. Në këtë fazë të jetës, njerëzit duhet të kenë mësuar të përballen në mënyrë të ndjeshme me zotërimet dhe arritjet.

Kur jemi të rinj, jetojmë një jetë që shton, por në një farë pike të saj, kur arrijmë një moshë të caktuar, duhet të mësojmë të jetojmë një jetë që heq.

Shoqëria na jep mundësinë të kemi miqësi, para, lidhje njerëzore e arritje, të cilat në kohën kur bëhemi të vjetër, të gjitha bashkë, bëjnë shumë, për shembull zotërojmë një shtëpi, mbushur plot me objekte të akumuluar, gradualisht, në vite. Nëse zemra shndërrohet në llojin që lidhet shumë pas gjërave të arritura, do të përfundoni i kapur fort pas tyre.

Për çfarë diskutojnë njerëzit e vjetër me njëri-tjetrin, kur mblidhen bashkë? Pjesën më të madhe të herëve për grindjet e pakënaqësitë që kanë. Ata ankohen se vajzat e djemtë e tyre nuk kanë kohë t’i takojnë, në një mënyrë pak a shumë të tillë: “Kam punuar aq shumë për t’i rritur. Kam bërë gjithçka! Ju kam fshirë të prapmet dhe u kam ndërruar pelenat. Por tani janë të zënë me punë! Nuk kanë kohë të vinë as edhe për një vizitë të shpejtë!” Ata ankohen se shoqëria është e padrejtë: “Në ditët tona ishim të zënë të bënim revolucione dhe gjithë sa fitonim ishin disa jenë në fund të muajit. Vështroni tani nipërit e mbesat tona! Punojnë në një kompani të huaj dhe fitojnë tre deri në katër mijë jenë, menjëherë! A është e drejtë kjo, për njerëz si ne, që kanë punuar me shpirt e me zemër?”

Më mirë se të hapësh luftë me të tjerët, është të luftosh me veten, me synim gjetjen e metodave për përmirësim.

Nëse vazhdoni të flisni në mënyrë të tillë, atëherë edhe gjërat që një herë e një kohë ju kanë dhënë gëzim, do të shndërrohen në burim dhimbjeje, dhe pesha e tyre do ju vejë përfund. Në këtë kohë, keni nevojë për shokë t’ju ndihmojnë të përballeni me termat e rinj të jetës, të mësoni të leni shumë gjëra të kalojnë – në këtë mënyrë, do mund të hidhni pas shpine mërzitë dhe frustrimet.

Një konkluzion tjetër që mund të nxjerrim ndërsa lexojmë, në mënyrë kritike, Analects është se aktualisht nuk ka shumë shembuj që kanë si fabul thjesht miqësinë, por zgjedhjen e miqësisë si një mënyrë jetese. Lloji i shokëve që kemi varet, së pari, nga mençuria dhe aftësia jonë për t’u vetëkultivuar dhe, së dyti, nëse janë të dëmshëm ose na ndihmojnë në jetën tonë.

Thënë shkurt, sapo kemi arritur të fokusohemi në zemrën e shpirtin tonë, si dhe te ata që na rrethojnë, duhet të shqetësohemi se çfarë synimesh duhet të vendosim, ndërsa përpiqemi të bëjmë përpara në jetë.

“Kali, Dreri dhe Gjuetari”, fabul nga Ezopi

Kali, Dreri dhe Gjuetari

Fabul nga Ezopi

Shqipëroi: V. Nathanaili

Na ishin njëherë një Kalë, një Dre dhe një Gjuetar. Por një ditë, Kali u grind me Drerin. I vendosur për të marrë hak, kërkon ndihmën e Gjuetarit.

Gjuetari pranoi, por vuri kushte:

“Nëse dëshiron vërtet të fitosh ndaj Drerit, duhet të më lejosh ta vendos këtë copëz hekuri në gojë, ndërmjet nofullave, që të mund të të orientoj me ndihmën e frerëve. Po ashtu, duhet të më lejosh ta vendos shalën në kurrizin tënd, që të mund të qëndroj mbi ty ndërsa ndjekim armikun”.

Kali i pranoi të dyja kushtet!

Kështu, Gjuetari rregulloi mirë e mirë kapistallin, u ul në shalë dhe, të dy bashkë, u nisën të luftonin me drerin. Dhe fituan!

Në këtë çast, Kali i drejtohet përsëri Gjuetarit:

“Tani që fituam, të lutem m’i hiq këto gjëra nga trupi dhe nga goja.”

“Jo kaq shpejt, miku im”, u përgjigj Gjuetari. “Tashmë që të kam nën kapistall dhe mamuze, preferoj të të mbaj në këtë gjendje.”

.

UNESCO & Trashëgimia e shkruar botërore

UNESCO & Trashëgimia e shkruar botërore

Një nga synimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) është mbrojtja e trashëgimisë botërore. Historia fillon afro 70 vjet më parë, kur u vlerësua si shumë e nevojshme ndërtimi i një dige të madhe në Aswan, për të mbrojtur të gjithë luginën e Nilit – strehë e një numri shumë të madh thesaresh të hershme nubiane, si për shembull tempulli i Abu Simbel – nga përmbytjet e shumta që karakterizojnë zonën. Të vetëdijshëm se këto tempuj dhe objekte mund të jenë nën kërcënimin e vazhdueshëm të dëmtimit apo të shkatërrimit, doli me urgjencë prioriteti për të transhenduar interesat dhe krenarinë kombëtare. Brenda një kohe rekord u gjetën fondet e duhura dhe ekspertiza e nevojshme për t’i çmontuar, zhvendosur e lokalizuar në vende të reja dhe të sigurta. Thirrja e UNESCO-s për të shpëtuar këtë trashëgimi vërtet të çmuar të një prej civilizimeve më të vjetra dhe më të pasura bëri që njerëzit në të gjithë planetin të vlerësojnë dimensionin universal të trashëgimisë kulturore.

Të njëjtën filozofi të ruajtjes dhe promovimit, organizata përdor edhe për pasurinë e shkruar botërore. Ajo krijon një listë, e cila pasurohet nga viti në vit, me vepra e autorë të caktuar. Kriteri kryesor për përfshirjen e një libri ose të një autori në trashëgiminë botërore është vlera që mbart, vlerë e cila duhet të rezultojë e tillë për të gjithë globin. Për shembull, materiali i shkruar të jetë dëshmi e një kulture të lashtë, të tejçojë një mesazh të rëndësishëm, ose të ketë frymëzuar breza të tërë njerëzish.

Nga pasuria jonë e shkruar, për të fat të keq jo në gjuhën shqipe, pjesë e këtij fondi, që nga viti 2005 janë dy kodikët e Beratit, “Beratinus 1” dhe “Beratinus 2”.

“Beratinus 1” daton në shekullin VI. Në “Beratinus 1”, germat janë në ngjyrë të argjendtë; titujt e kapitujve në ngjyrë floriri, ndërsa sfondi i kodikut është e kuqja e purpurt (shpesh njihet edhe si “Kodiku i purpurt i Beratit”). “Beratinus 2” daton në shekullin IX, shkruar gjatë vitit 1013 dhe shpesh njihet edhe me emrin “Kodiku i artë i Anthimit” – e ka marrë këtë emër për nder të Bishopit të Metropolitit të Beratit, Kaninës dhe Vlorës, Anthimis Alexoudes.

Sipas UNESCOs, kriteri i përfshirjes për këto dy botime është:

“Me rëndësi të veçantë për historinë e krishterimit, një nga dëshmitë e para të kalimit nga fjala e shenjtë në shkrimin e shenjtë”.

Të dy kodikët konsiderohen si një pikë e rëndësishme referimi për literaturën biblike dhe liturgjike. Janë shkruar në pergamenë. Çdo faqe ka 16 rreshta dhe mund të numërohen 8-12 shkronja për rresht. Përmbajtja është në greqisht. Faqet kanë format 314×268 mm. Kodikët tanë janë dy ndër shtatë kodikët e purpurt që gjenden sot në botë: përkatësisht, dy gjenden në Itali dhe nga një në Francë, Angli dhe Greqi. Flitet se kur Hitleri dëgjoi për kodikët, dërgoi njerëz për t’i marrë, por dështoi. Për një kohë shumë të gjatë kanë mbijetuar të mbyllur në një pus, brenda një arke metalike. Më vitin 1968, kodikët janë bërë pronë e shtetit shqiptar dhe aktualisht sot ruhen në Arkivin e Shtetit. Më vitin 1971 janë restauruar për herë të parë në Kinë. Më vitin 1974 janë ekspozuar për herë të parë jashtë Shqipërisë, në Francë, në Petit Palas, dhe për herë të fundit kanë udhëtuar jashtë shtetit për në Vatikan, me rastin e dy mijë vjetorit të krishterimit.

Duhet të gëzohemi se një pjesë të mirë të autorëve dhe librave që janë pjesë e kujtesës botërore të UNESCOs mund t’i lexojmë në shqip. Astrid Lindgren, një nga autorët më të përkthyer në botë është në shqip me librin e famshëm “Pipi çorapegjata” – libri ka shitur më shumë se 145 milionë kopje në të gjithë botën. Po ashtu, edhe vepra e Hans Christian Andersen – kujtoni përrallat “Sirena e vogël”, “Rosaku i shëmtuar” ose përralla e mjellmës që u rrit në një familje rosakësh, “Princesha dhe bizelja” etj.

Një tjetër libër i trashëgimisë botërore që e kemi në shqip është edhe “Don Kishoti i Mançës”, ose “Sojliu mendjemprehtë Don Kishoti i Mançës”, me autor Migel de Servantes Saavedra. Në shqip libri ka ardhur nga dy pena të mrekullueshme të shqipërimit: vëllimi i parë nga mjeshtri Fan Noli dhe vëllimi i dytë nga i madhi Petro Zheji. Vëllimi i dytë është botuar për herë të parë në shqip më vitin 1977, me një parathënie të Andrea Varfit. Tirazhi ka qenë 20 000 kopje dhe kushtonte 9 lekë, botim i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”.

Pjesë e pasurisë botërore është edhe Bibla e shtypur nga Gutenberg, rreth viteve 1450. Ky botim i Biblës njihet, ndryshe, edhe si “Bibla 42”, që korrespondon me numrin e rreshtave në një faqe. Është ndër librat e parë të shtypur nga Gutenberg, shpikësi evropian i shtypshkronjës. Mendohet se Gutenbergu duhet të ketë shtypur afro 180 kopje të Biblës me makinën e shtypit të shpikur prej tij, por sot në të gjithë botën gjenden vetëm 48 kopje dhe, për fat të keq, pjesa më e madhe ose janë të dëmtuara, ose nuk janë të plota. Kopja e fundit e Biblës së Gutenbergut është shitur në një ankand më vitin 1978. Një kopje e plotë e këtij botimi të Biblës është pronë e Bibliotekës së Kongresit të ShBA.

Përgatiti: Valbona Nathanaili

Kultura e punës në një kompani japoneze – testoni njohuritë

Kultura e punës në një kompani japoneze – testoni njohuritë

Sa mendoni se e njihni kulturën e punës së një kompanie japoneze? Dy studiues, Yuji Uchiyama & Yasuyuki Matusmoto kanë përgatitur një pyetësor me 25 artikuj (përshtatur në shqip nga Valbona Nathanaili). Në krahun e djathtë të çdo artikulli mund të zgjidhni një nga dy opsionet e ofruara: e vërtetë, ose e gabuar.  Bëhet fjalë për kulturën e punës që shfaqet, përgjithësisht, në kompanitë japoneze. Për të testuar në se përgjigjet e juaja janë të sakta ose jo, kontrolloni më poshtë.

Testoni njohuritë rreth Japonisë

  1. Në mbledhjet e mëngjesit, çdo drejtues grupi, informon pjesëtarët, për incidente personale që mund t’i kenë ndodhur.   E vërtetë □   E gabuar  □
  2. Synimi kryesor i një programi radiofonik ritmik është ngritja e shpirtit të punës dhe nxitja e moralit për ditën e punës që të pret.  E vërtetë □   E gabuar  □
  3. Punonjësit japonezë, të punësuar me pagë, e kanë të thjeshtë të refuzojnë kur u kërkohet të punojnë jashtë orarit. E vërtetë □   E gabuar  □
  4. Punonjësit japonezë, të punësuar me kohë të plotë, kanë prirjen të vendosin, në radhë të parë, detyrat ndaj familjes dhe jo ndaj punës.  E vërtetë □   E gabuar  □
  5. Strategjia më e mirë për të refuzuar ftesën e një drejtuesi për të pirë alkool është informimi i tij për një gjendje jo të mirë shëndetësore. E vërtetë □   E gabuar □ 
  6. Objektivi i edukimit të një punësuari të ri është, në radhë të parë, individualizmi dhe, më pas, bashkëpunimi.  E vërtetë □   E gabuar  □
  7. Të gjitha kompanitë japoneze, njësoj sikurse edhe ato në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përdorin, kryesisht, sistemin e promovimit të punonjësve në bazë të meritës dhe jo atë të moshës. E vërtetë □   E gabuar  □
  8. Në Japoni, njësoj sikurse edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njerëzit që janë në krye të menaxhimit përbëjnë hallkën më të rëndësishme të të gjithë segmentit të menaxhimit. E vërtetë □   E gabuar  □
  9. Biznesmenët që refuzojnë të marrin përsipër detyra individuale, në kuptimin e plotë të fjalës, duhet të heqin shpresat për të bërë përpara në karrierë.  E vërtetë □   E gabuar  □
  10. Objektivi i një transferimi të përkohshëm është zgjerimi i njohurive me strategji të ndryshme menaxhimi. E vërtetë □   E gabuar  □
  11. Ligji japonez i punësimit shprehet për kufirin e lartë të moshës së aftë për punë, kështu që njerëzit, më shumë se 65 vjeç, nuk mund të punojnë.  E vërtetë □   E gabuar  □
  12. Në kartën e biznesit duhet të shënohet edhe adresa e shtëpisë. E vërtetë □   E gabuar  □
  13. Bucho do të thotë menaxher (i përgjithshëm) i një departamenti. E vërtetë □   E gabuar  □
  14. Në japonisht, hai (po) do të thotë gjithmonë “po”. E vërtetë □   E gabuar  □
  15. Meqenëse ekziston nemawashi, pjesa më e madhe e konferencave dhe e takimeve të punës janë sa për sy e faqe.  E vërtetë □   E gabuar  □
  16. Sistemi ringi përfaqëson sistemin e menaxhimit sipas vertikales lart-poshtë. E vërtetë □   E gabuar  □
  17. Kur një i punësuar me kohë të plotë merr pjesë në një udhëtim biznesi, pritshmëritë janë të sjellë dhurata për kolegët, nga të paktën një për çdo tre udhëtime të kësaj natyre. E vërtetë □   E gabuar  □
  18. Ulja e pjesëmarrësve në një mbledhje pune është pjesë e një protokolli, sipas të cilit, njerëzit e posteve më të larta, gicho, pozicionohen më pranë hyrjes. E vërtetë □   E gabuar  □
  19. Në shumë situata biznesi, si për shembull gjatë negocimit për një kontratë të caktuar, të punësuarit me pagë zakonisht përdorin boin (shenjat e gishtërinjve).  E vërtetë □   E gabuar  □
  20. Kur përgatiten për të marrë pjesë në një pritje biznesi, njerëzit që merren me shitjet mësojnë rreth pasioneve e shijeve të atyre menaxherëve, me të cilët kanë në plan të bashkëpunojnë. E vërtetë □   E gabuar  □
  21. Edhe në ditët tona, detyra kryesore e grave japoneze që punojnë në zyra është të shërbejnë ochakumi (çaj) dhe të merren me fotokopje. E vërtetë □   E gabuar  □
  22. Të punësuarit e rinj të një kompanie duhet të jetojnë në konviktet e saj për të paktën një vit. E vërtetë □   E gabuar  □
  23. Një person i punësuar me pagë (ai/ajo), që ka një angazhim të rëndësishëm personal, mund t’i japë këtij angazhimi përparësi kryesore, që do të thotë mund të shmangë pjesëmarrjen në një udhëtim pune që kërkon kompania.  E vërtetë □   E gabuar  □
  24. Kur është koha e dhuratave – që korrespondon me festat e mesvitit dhe të fundvitit – në pjesën më të madhe të rasteve, dhuratat më të përshtatshme janë paratë cash. E vërtetë □   E gabuar  □
  25. Shfrytëzimi i kohës së lirë nuk luan rol të rëndësishëm në një proces negocimi. E vërtetë □   E gabuar  □

Përgjigjet

1 E vërtetë/ 2 E vërtetë/ 3 E gabuar/ 4 E gabuar/ 5 E vërtetë/ 6 E gabuar/ 7 E gabuar/ 8 E gabuar/ 9 E vërtetë/ 10 E vërtetë/ 11 E gabuar/ 12 E gabuar/ 13 E vërtetë/ 14 E gabuar/ 15 E vërtetë/ 16 E gabuar/ 17 E vërtetë/ 18 E gabuar / 19 E gabuar/ 20 E vërtetë/ 21 E gabuar/ 22 E gabuar/ 23 E gabuar/ 24 E gabuar/ 25 E gabuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria

Pjesë nga historia e marrëdhënieve diplomatike

Pas Luftës së Parë Botërore, qeveria amerikane ngurronte ta njihte de jure shtetin shqiptar. Më 27 prill 1922, Sekretari i Shtetit, Charles Evans Hughes, njoftoi Konsullin e Përgjithshëm amerikan në Tanger, Maxwell Blake, se Departamenti i Shtetit po studionte mundësinë e njohjes së Shqipërisë. Ai i kërkoi zotit Blake të shkonte në Shqipëri dhe t’i raportonte mbi gjendjen e vendit, mbi qëndrueshmërinë e qeverisë shqiptare dhe mbi interesat amerikane atje.

Sipas Ilir Ikonomit (Pushtimi, UET Press), ka shumë mundësi që nxitja përfundimtare për njohjen të ketë ardhur nga një letër e 26 prillit 1922 e Sekretarit të Tregtisë, Herbert Hoover, i cili më vonë do të bëhej president. Në letrën dërguar Departamentit të Shtetit, Hoover sugjeronte që t’i kushtohej vemendje çështjes së njohjes së Shqipërisë, duke patur parasysh se kompania amerikane Sinclair Oil po zhvillonte bisedime për një koncesion nafte në Shqipëri.

Blake shkoi në Shqipëri në fillim të qershorit dhe përgatiti një raport mjaft pozitiv për vendin:

  • “Megjithëse shteti shqiptar ende nuk ka dalë përfundimisht nga fazat e eksperimentit shpresëdhënës, – shkruante Blake, – ai është forcuar mjaftueshëm për të patur mbështetje ndërkombëtare. Qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj interesave amerikane është veçanërisht i favorshëm.”

Blake i rekomandon Departamentit të Shtetit njohjen e Shqipërisë. Si argument të parë për rekomandimin e tij, Blake rendit se njohja do të ishte një nxitje morale për popullin shqiptar, “i cili ndodhet në një fazë kritike të luftës së tij për pavarësi”. Sipas Blake, faktorët materialë janë në vend të dytë. Herët a vonë, – shkruante ai, – njohja do të vijë, por do të ishte mirë nëse ajo bëhet menjëherë.

Nga fundi i korrikut 1922, Departamenti i Shtetit i dërgoi një telegram të ngutshëm komisionerit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Maxwell Blake, ku thuhej:

  • “Më 28 korrik, ju mund ta njoftoni me shkrim ministrin e Punëve të Jashtme për njohjen de jure të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara. Me këtë rast, mund të deklaroni se Qeveria e Shteteve të Bashkuara njeh faktin se Shqipëria ka arritur të mbajë me sukses një qeveri kombëtare. Në pritje të veprimit legjislativ nga ana e Kongresit për të vendosur përfaqësi të rregullt diplomatike, ju do të vazhdoni të luani rolin e komisionerit në rangun e ministrit. Fakti i njohjes do të jepet për botim në gazetat e mëngjesit të datës 28 korrik.”

Faik Konica, si kryetar i Vatrës, falënderoi menjëherë nga Bostoni Sekretarin e Shtetit, Hughes. Telegramin e dërgonte “në emër të shqiptarëve që rrojnë n’Amerikë, disa prej të cilëve luftuan e derdhën gjakun e tyre në rreshta t’Ushtrisë Amerikane”.

Gazeta The Christian Science Monitor, në një artikull me titull “Greetings to Independent Albania,” shkruan:

  • “Duke njohur Shqipërinë e pavarur, Departamenti i Shtetit i jep përkrahje morale një race që vlen ta dëgjosh me vëmendje dhe që meriton përkrahje. Për shkaqe të rrjedhura nga luftrat ballkanike dhe pothuajse e harruar fare gjatë Luftës së Madhe, Shqipëria, duke ngritur kokën tani prapë nga greminat, ka probleme të vështira dhe të çuditshme për të zgjidhur. Por megjithë këto vështirësi e pengesa, shqiptarët janë një popull liridashës, trim dhe energjik. Ata meritojnë të kenë ndihmën dhe simpatinë e botës.”

Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve vendosen më 4 dhjetor 1922. Sipas Valbona Nathanaili, ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i akredituar në Tiranë si “I dërguar i jashtëzakonshëm dhe Ministër i plotfuqishëm” është Ulysses Grant-Smith, zyrtar i shërbimit të huaj. Emërimi është bërë më 22 shtator 1922. Letrat kredenciale i paraqet më 4 dhjetor 1922. Më 8 shkurt 1925 përfundon misionin. Më 17 Shkurt, 1930 emërohet Herman Bernstein, nga New-Jorku, i cili bën prezantimin e letrave kredenciale më 28 prill 1930 dhe e përfundon misionin më 24 shtator, 1933.

Më 8 prill 1939 forcat italiane pushtojnë Tiranën. Në këtë periudhë, misionin e drejtonte Hugh G. Grant (i emëruar si “I dërguar i jashtëzakonshëm dhe Ministër i plotfuqishëm” më 9 gusht 1935 dhe paraqitur letrat kredenciale më 8 nëntor 1935).

Marrëdhëniet u ndërprenë më 5 qershor 1939, kur ministri i Jashtëm shqiptar Xhemil Dino e njoftoi ministrin fuqiplotë amerikan Hugh Grant se Italia kishte marrë në kontrollin e saj punët e jashtme të Shqipërisë, si pasojë e pushtimit italian të 7 prillit. Legata u mbyll më 16 shtator 1939.

Legata mbyllet zyrtarisht më 16 shtator 1939. Grant largohet nga Shqipëria më 27 shtator 1939.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ShBA dërgojnë në Shqipëri, në vitin 1945, një mision jozyrtar për të studiuar mundësinë e rivendosjes sëmarrëdhënieve me regjimin e Frontit Nacional-Çlirimtar, por për shkak të mosmarrëveshjeve, Shtetet e Bashkuara e tërheqin misionin në nëntor të vitit 1946.

Marrëdhëniet diplomatike Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Shqipëri rivendosen përsëri më 15 mars 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh, me nënshkrimin në Uashington të memorandumit të mirëkuptimit mes ministrit të Jashtëm shqiptar Muhamet Kapllani dhe ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit Raymond Seitz. Ambasada në Tiranë rihapet më 1 tetor 1991.

Kristofer Hill është “I ngarkuar me punë, ad interim”, i pasuar nga Uilliam Eduin Rajerson, Ambasador i Jashtëzakonshën dhe Fuqiplotë. Rajerson i paraqet kredencialet e tij, qeverisë së Shqipërisë, më 21 dhjetor 1991.

 

Tiranë-Shkup-Tiranë, shënime udhëtimi Nga Valbona Nathanaili 

Tiranë-Shkup-Tiranë, shënime udhëtimi

Nga Valbona Nathanaili 

Thonë se rruga e gjatë është më e shkurtër. Sado paradoks të duket, për të vajtur në Shkup, me makinë, nga Tirana, e mira është t’i dalësh nga Kosova, sepse kërkon më pak kohë. Pra të marrësh Rrugën e Kombit, të kalosh në pikën kufitare të Kukësit, Morinë dhe, që andej, të kërkosh tabelat për në Prishtinë. Pak pa mbërritur në Prishtinë, tabelat të orientojnë për në Shkup. Me një makinë të mirë dhe dy a tre ndalesa, rruga nuk zgjat më shumë se pesë orë. Udhëtimi është i qetë, pa troshitjet e një rruge të keqe dhe pa trafikun e kalimit nga një zonë e banuar në tjetrën, të cilat t’i ofron varianti më i shkurtër gjeografik i po kësaj rruge.

Qëllimi i vizitës ishte pjesëmarrja në konferencën e radhës organizuar nga LSEE – Research on South Eastern Europe, National Bank of the Republic of Macedonia (NBRM) and University American College Skopje (UACS), nga të paktat konferenca, këtu dhe gjithandej, që nuk janë shndërruar në biznes. Por surpriza më e bukur që kishin përgatitur organizatorët ishte një vizitë në disa nga qendrat historike të Shkupit, e cila filloi në kalanë e qytetit, një nga referencat e rezistencës ndaj pushtimit otoman dhe përfundoi në sheshin kryesor të kryeqytetit, rindërtuar i gjithi nga e para, falë një projekti të fuqishëm të qeverisë maqedonase të vitit 2010 dhe në referencë të vetëm një figure, Aleksandrit të Madh. Pjesë e turit ishin edhe një vizitë në xhaminë e Mustafa Pashës, në një han të vjetër, në pazarin e vjetër, në shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës dhe në stacionin e vjetër të trenit, që ishte shkatërruar nga tërmeti i vitit 1963.

Zakonisht vizita të tilla nëpër qendra historike bëhen të lodhshme dhe jo domosdoshmërish janë interesante. Shpesh të duket se do i harrosh sapo të kthesh shpinën. Ose bëhesh aq pragmatisit, sa mendon se janë një qind për qind të tyret dhe vetëm mund t’i admirosh, pa pasur shpresën se do i shohësh të realizuara ndonjëherë në vendin tënd, në mos veprën, të paktën përpjekjet dhe synimet. Mbeten diku në një cep të trurit dhe aktivizohen jo direkt, por në sfondin e një bisede, ose të rritjes si njeri, pra shndërrohen thjesht në përvoja personale. Por në vendet fqinjë nuk është ky rasti. Në Maqedoni veçanërisht. Ku historia e tyre ngatërrohet aq shumë me historinë tonë, ku për çdo ngjarje të ndodhur më shumë se 50 vjet më parë, secili ka variantin e vet të rrëfimit dhe të argumentimit, sepse aq shumë të ngatërruara janë prejardhjet e stërgjyshërve, gjyshërve e prindërve të personazheve më të rëndësishëm të atyre kohërave, sa të duket se ata kanë jetuar në kohën e globalizimit, ndërsa ne po jetojmë në kohën e deglobalizimit.

Një grup shqiptarësh që dëgjojnë një ciceron maqedonas të flasë për Nënë Terezën? Në memorialin e mrekullueshëm ndërtuar në nder të Gonxhe Bojaxhi, pikërisht në vendin ku ishte lindur dhe rritur shenjtorja, pyetja e parë që bëri ciceroni ishte: Nga është grupi? Kur mori vesh se shumica ishin nga Shqipëria e Kosova, i ra shkurt, pak a shumë me këtë fjali: Shqiptarja Gonxhe Bojaxhi, që u lind në Shkup dhe 18 vjeç filloi aktivitetin e saj në Kalkuta. Vizita në memorial ishte e pesta në radhë, por në vazhdë të një filozofie e synimi që dukej e shprehej nga të gjithë: të investojmë për të krijuar historinë tonë, pa grekë, pa bullgarë dhe pa shqiptarë, me grekë, me bullgarë dhe me shqiptarë, pa ndarje dhe pa etiketime, me kujdes dhe me tolerancë.

Në pazarin e vjetër flitej pothuaj vetëm shqip, ndërsa sheshi kryesor i kryeqytetit ishte shndërruar në shtëpinë e re të Aleksandrit të Madh, i përjetësuar në statuja të mëdha guri, vetëm dhe familjarisht, në disa përmasa, në disa faza të jetës, ndërsa gurët e përdorur për të shtruar sheshin ishin marrë nga disa krahina të Maqedonisë, – sipas cicerones, një ide e huazuar nga Parisi. Një muze interesant si ide, por që nuk arritëm ta vizitonim ishte ai i Holokaustit, në nder të viktimave hebreje të Luftës së Dytë Botërore. U sigurova ta pyes disa herë ciceronen nëse në Maqedoni ka pasur viktima nga komuniteti hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe m’u përgjigj se po, ndërsa vetë muzeu ishte ndërtuar me fondet e këtij komunitetit dhe të qeverisë, – shtoi ajo. E kundërta në Shqipëri, ku mburremi se nuk ka asnjë viktimë hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, por nuk kemi ndërtuar një muze për të përjetësuar përpjekjet dhe sakrificat e familjeve dhe të krahinave të ndryshme për t’i mbrojtur ata. Urat e reja të shtuara mbi lumin Vardar, pjesë e të njëjtit projekt të vitit 2010, i japin të gjithë sheshit një pamje solemne, ndërsa muzika e ëmbël që të shoqëron gjatë gjithë sheshit duket sikur kërkon të të zbusë pak, të të kthejë prapa në histori, por me një vështrim të ri dhe me një qasje ndryshe, që pavarësisht se jemi ballkanas, dimë të jetojmë e punojmë edhe në paqe e qetësi.

 

 

Tregu i Pejës dhe djegia e tij nga fashistët italianë, datë 21.3.1943  

Tregu i Pejës dhe djegia e tij nga fashistët italianë, datë 21.3.1943  

Sipas, zëvendës inspektorit të arsimit për Pejën, Rexhep Shpendi, i cili përshkruan djegien e qytetit të Pejës.

Përgatiti: Valbona Nathanaili

Tregu i Pejës u dogj nga ushtria italiane në mbrëmjen e së dielës, më 21 mars 1943. Djegia u provokua nga ish-inspektori federal, z. Severino Riccottini, në këtë mënyrë. Ish inxhinieri i shoqërisë SIMONCINI, i quajtur Laterzza ishte martuar me një vajzë bullgare, të quajtur Donka, eksponente e Partisë Komuniste në Pejë. Mbas kësaj martese, thuhet se edhe inxhinieri u bë antifashist dhe simpatizonte gjithmonë ideologjinë komuniste. Inspektori federal Riccottini, për me ngarkuar shqiptarët e Pejës me faje të rënda shtetërore, shtini besnikët e vetë malazezë në mbrëmjen e datës 21 mars 1943 dhe atentatorët vranë inxhinierin në fjalë tue mos u diktue prej askujt. Po në këtë natë të kobshme, në hotelin “Savoja” të Pejës ndodheshin gjenerali i divizionit “Puglia”, z. Frederico D’Arlen, ish-komandanti i sektorit “Kosova”; gjenerali i divizionit të Shkodrës F. Negri, dhe gjenerali i Pejës, z. Baduino Carlo. Thuhet se këta të gjithë e paskan ditë se do të bëhej djegia e Pejës më datë 21 mars 1943, mbasi çështja ishte me plan më përpara.

Sapo vritet inxhinieri, me një herë lajmërohen gjeneralët, të cilët urdhërojnë ushtrinë të dalë nga kazermat e të shpërndahen në qytet. Pa humbur kohë, thyejnë dyert e dyqaneve, plaçkitin krejt pasurinë e tundshme të tregtarëve dhe hedhin bomba djegëse nëpër godinat e dyqaneve. Në këtë kohë zjarri përhapet me shpejtësi në gjithë qytetin, ndërsa gjeneralët vështronin me kënaqësi nga katet e sipërm të hotel “Savoja”, pikërisht si Neroni që kënaqej duke parë djegien e Romës, ashtu kënaqeshin edhe ata me djegien e Pejës.

Në dritën e këtij zjarri shiheshin oficerë të lartë (si për tregim, kapiteni i karabinierisë, z. Giusseppe Misuraca), të ngarkuar me topa stofrash gjithfarë llojesh me vlerë, të cilat i dërgonin në shtëpitë e malazezëve, ku kishin të dashurat e tyre. Mos të harrojmë se kjo pasuri ishte fituar me djersën e ballit të tregtarëve të varfër shqiptarë.

Godinat e djegura të dyqaneve dhe të shtëpive private kapin shifrën 161. Veç vrasjeve dhe djegieve të shkaktuara nga djegia, vetëm pasuria e plaçkitur nga ushtarët italianë është çmuar, nga Komisioni i Posaçëm i deleguar nga qeveria, në 4 416 540 franga shqiptare.

Të nesërmen, datë 22 mars 1943, gjeneralët shohin gabimin që kanë bërë dhe për të justifikuar këtë katastrofë shkatërrimtare përpara botës së qytetëruar, duan t’i ngarkojnë shqiptarët edhe me më shumë veprime atentative. Kështu, më datë 25 mars 1943, ditën e enjte, në orën 7.50 të mëngjesit, gjeneralët e lartpërmendur organizojnë, me njerëzit e tyre besnikë, vrasjen e Severino Riccottini, ish-inspketor federal në Pejë. Ky atentat i papritur u ngarkohet shqiptarëve, ndërsa familjet shqiptare, të mbetura në rrugë të madhe, pa plang e pa shtëpi, dëneseshin e qajshin për kobin që i kishte gjetë më datë 21 mars 1943. Kinse me kërkesën se duan të gjejnë atentarët e vrasjes, përdoren tortura ndër shqiptarë.

Foto kryesore: Pamje e sotme e qendrës së Pejës