ZBOR / Novelë nga Shkëlqim Çela

Shkëputur nga libri Embriologji (Tri novela: Përgjuesit/ Zbor/ Yje të pash(q)uar) / Fitues i Çmimit “Kadare” për vitin 2016/ MAPO Editions/ ISBN 978-9928-213-01-3

PJESA E PARË  

Ëndrrën erotike të gjumit të drekës ia ndërpreu një zë që bërtiste me sa kishte në kokë “Doli, or doli!” Më tepër se ëndërr ishte një vegim, bluar ngadalë në mokra dëshirash që rrinin tërë kohën zgjuar, vajisur e djersitur nën çarçafët besnikë. Zakonisht ishin zukatjet e mizave apo cijatjet turjelë të mushkonjave ato që e përmendnin nga fluturimi puplor nën shtresat e shurdhëta të kambrikut me përfytyrimin e Mirës. “Bzzzz” fluturake brofnin nga asgjëja, teksa ai me të tijën po i hiqte asaj këmishën najlon, “pesëqindshen”, dantella e së cilës dilte si lulefaji nga fundet e fustanet fërfëllitës të ish-shoqes së klasës. Kishte kohë që e dëshironte. Pa e shfaqur. Përpos një here kur nuk ish përmbajtur ngaqë Cakja kish thënë “Ajo Mira ma ka mu si kuletë beu”, duke shenjuar me gishtat e të dy duarve organin seksual. Si kuleta e sat ëme, i ishte kthyer ai dhe aty për aty kishte krisur sherri. Ishin ndarë të dy me kokat e epuara mbrasht, horizontalisht, që të ndalonin gjakun që u rridhte nga hundët. U quajt sikur duelin e kish fituar ai, pasi veç hundëve përshesh, i kish lënë Cakes edhe një sy të nxirë. Vetë ish ndarë me një dhëmb të goditur paq, që për fat nuk ish thyer, vetëm ishte mpirë për dy ditë rresht. Por këtë s’e dinte njeri dhe kjo ishte kryesorja. Një sy i nxirë bën figurë. Nuk thonë kot “e nxiu”. Thonë edhe që “i theu dhëmbët” sa për atë punë, çka është edhe më keq në hierarkinë e rrahjes, por ai shpëtoi nga kjo. Një shije e hidhët mbeti prapëseprapë nga i gjithë ai “konflagracion”, siç e quajti Turi, sepse Cakja, para se të vinte te “kuleta e beut”, kishte thënë si pa të keq se s’ka mundësi që Mira të mos ketë dashnor atje, në Tiranë. Madje “kuleta” u përdor si argument kryesor që pse Mira nuk mund të mos kishte…, ah, as edhe ta mendonte s’donte.

Ajo ishte studente e vitit të parë në universitet, ndërsa ai bënte të shpifurin stazh në prodhim për djemtë pas gjimnazit, një zdërhallje në fermë. Stazhi u shndërrua në muhabete pa fund me Turin, kryesisht për femra. Mpleksur me copa këngësh të pista. Rrugës pashë atë variantin. Cilën? Atë fiksimin tim. Po ti fiksim ke gjysmën e shkollës! Cilën pe? Ku? Ballkonet me lëvere shpaloseshin të gufmuara nga një erë velash, ato të “fiksimeve” dilnin të bardha si ëndrra, tek ndernin në tel ndonjë “fanellë mishi” prej leshi zmeril me të fshehta të frikshme çobenësh, dhe hidhnin ndonjë isharet si pëllumbi i bekuar glasën, domethënë bënin ndonjë shenjë që s’merrej vesh mirë ç’qe, pra sinjal “ambigue” – kjo prapë sipas Turit, i cili po mësonte anglishten si gjuhë me të ardhme.

Shenjat ishin të vagëta nga ato ballkone, thjesht ndonjë shikim pak më i zgjatur në drejtim të syve të tyre fosforeshentë, mbushur plot me folje dëshirore të parregullta. Por edhe më shumë se aq s’mund të pritej; jo për t’i marrë gjërat në favor, kupton, por thjesht s’duhej harruar se brenda atyre apartamenteve kish koka përgjuese-dyshuese-vigjëluese vëllezërish lubi, si edhe prindërish xhelatë, Vrana Kontër të zymtë, të vranët, nga vjen edhe emri Vrana, e ke menduar ndonjëherë…? Ehhh…

Ky babai yt, o një palo njeri,

që s’të le me djemtë të bëç dashuri…

Dhe po ashtu, si një gjendër e keqe shqetësonte edhe xhongla e së “drejtës së studimit”, që lidhej me aq shumë gjëra, në fakt me të gjitha gjërat në jetë, sepse pa të “do përfundosh një copë xhenerik në SMT-në e qytetit, duart me graso gjithë jetën”, rrota të dhëmbëzuara, ingranazhe me një fjalë, lecka vaji dhe motorë që kullojnë gjak të zi…, pra “jetë qeni do bëç, do të të marrin ushtar, nizam thuaj, në kazermat burg; do të jeç një rrul i qethur zero (këtu pëllëmba atërore jepej përpara për të treguar rrafshimin e flokëve nën z-në rrafshuese të fjalës zero), një zarbo që keqtrajtohet nga të gjithë, si nga dautët, domethënë ushtarët e vjetër, edhe nga oficerët. Ndaj të them të bëhesh kuadro, dëgjon?”

Fjala “kuadër” përsëritej aq herë, saqë po shndërrohej në një specie të re njeriu sipëran në pemën e evolucionit që e kishin bërë në shkollë, një homo differentis me kollare shtrënguar në një jakë ngërçi, me stilograf kinez “shtatëqindsh” (domethënë më i shtrenjtë edhe se pesëqindshet, këmishat luksoze me dantellë) dhe çantë të errët, gjithëditëse, “çamtë” në të folmen e prindit, që ishte trofeja e çmuar, shpëtimi nga “kasmaja” fatale, edhe pse nëpër parrulla kazma ishte gjithnjë e pranishme në njërën dorë.

Kuadër ishte një farë Grali i shenjtë, i ruajtur dhe i mbikëqyrur nga “biografia”, kuçedra me shumë koka. Me shumë fise. E nënës, e babës, e krushqive. Si e ke biografinë? Të mirë e kam, shyqyr. “Unë rrjedh nga një familje fshatare e varfër, e lidhur ngushtë me Partinë dhe luftën nacional-çlirimtare.” Kjo hyrje e biografisë, e shkruar me kujdes si të ish një letër dashurie nga ato të romaneve të vjetra frënge, bashkëngjitur lutjes për të drejtë studimi, vërshonte butë si një uverturë opere, me plotësime të kujdesshme të prindit, theksoje “si mishi me kockën”, pra “lidhur ngushtë si mishi me kockën me Partinë”. Seç kishte një gjë dinosaurësh biografia, fosile nga pyje të lashtë, njerëz që diç kishin bërë dikur, në epoka të tjera…

Ç’u japin kaq rëndësi këtyre gjërave, s’e kuptoj. Ashtu thua ti, përgjigjej Turi, fosile e karboniferë, por ato dëftejnë se ç’je ti në të vërtetë. Ou, e si kështu?, ndërkryhej ai. Po ja, vazhdonte Turi me një tallje nën zë, në qoftë se jashtëtokësorët vëzhgojnë Tokën nga atje ku janë, gjashtëdhjetë a shtatëdhjetë milionë vite drite lart, çfarë kujton ti se shohin, mua dhe ty? Jo, or mik i dashur, jo, shohin pikërisht ata dinosaurët që ti i përçmon. Janë të thella gjërat, thellohu, e përmbyllte Turi gjithnjë me fytyrën serioze dhe hijerëndë. Ai shkrofëtinte me një mllef si teshtimë e mbytur. Përkundër Turit, ai nuk ishte krejt me fat me biografinë. E kishte (ah!) një problemth. Si një sëmundje të fshehtë. Dikush në fisin nga ana e nënës diçka kishte bërë, jo tamam një gabim politik, por një tjetër gjë që fqinjëronte me atë gabim: kishte qenë avokat, një punë veçanërisht e keqe kjo, dhe sido që nga ana e babait fisi ishte i konsoliduar krenarisht, një hekur-beton me 34 anëtarë e kandidatë partie, përsëri nuk i dihej, ajo puna e avokatisë mund të dilte si një pengesë e pakapërcyeshme, mund të ngrinte gardhe vetullash vigjilente nëpër zyrat e Komiteteve. I ati kish vajtur, ish sqaruar, jo, jo, shoku sekretar, nuk ka qenë latifondist, avokat ka qenë (këtu zëri përthyhej)… Një mut janë, s’vononte zëri i sekretarit, pastaj vijonin fjalët mirëkuptuese dhe afruese “Ramiz”, “plenum”, “nuk do t’ju falim te armiku”…, çka e forconte shpresën për të drejtë studimi. E drejtë që, veç të tjerash, mbase e afronte dhe me Mirën.

Mirën e dëshironte qyshse ajo gjatë një ekskursioni i kish dhënë një gjysmë molle, duke i thënë “e vogël, por e ëmbël”, me një shikim ashtu. Mira ishte trupvogël, por e mbushur. E mbushur. Ajo “mb” gufmonte hareshëm pjesë të ndryshme të trupit të saj, dukshëm deri në mizori. “Kuletën e beut” Turi e kish përkthyer si “Bey’s wallet”. Ngjante si emër grupi anglez, apo edhe italian. Anglez më shumë. Se ç’qe një emision, që tingëllonte si “hith paratë”, apo “hidh paradë”, diçka me paradë, por pa tanke, ushtri popullore, raketa, komitet qendror, komitet anësor… amore, felicita (ah, të hëngsha piçkën, moj lufkë), radio me tranzistor Iliria, mizat e gjithëgjendshme ia prishnin vegimet më keq se lajmet me zë solemn të Virgjil Kules, Alfons Gurashit, si edhe goditja e prerë njërrokëshe e stapit të mizave, që tregonte se i ati po bënte kërdinë nga dhoma ngjitur.

I ati mburrej që s’dilte kurrë huq kur vriste miza. Armën e quante stap, një shkop në majë të të cilit ishte mbërthyer me thumba këpucari një copë meshine si llapë. “Tang!” dëgjohej goditja, dhe një tjetër njollë zgërlaqej mbi mur, për t’u përtharë ngadalë në muajt që vinin. Në atë zhurmë goditjeje kishte autoritet – “Këtu ka zot hauri!” Por sot nuk ishin mizat që i prishën si tjetërherë ëndrrën me Mirë, ishte zëri therës i vëllait të vogël që po afronte me të shpejtë:

“Doli, or doli!”

E dinte. Me siguri absolute. Nuk kishte çfarë të dilte tjetër veç saj. E drejta e studimit, kunadheja leshraverdhë. Doli. E kishte lënë më në fund guvën e ankthit.

Doli hëna, doli ylli,

e drejt’e studimit nga pylli.

U ngrit me vrap të takonte Turin. E gjeti duke provuar një palë pantallona doku.

– Si të duken? Mirë për Tiranë?

– Për çfarë të doli bursa ty?

– Matematikë-fizikë. Po ty?

– Gjeologji.

– Urith, domethënë?

– Eeee.

– Po mirë, të paktën s’je në bujqësore, si Lavdoshi. Ose si Luftimi i Sabriut.

– Po ai ç’ne? Ai sikur është begs.

– Po edhe ata kanë degë të ndryshme atje në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve.

– Ëhë?

– I ka dalë për kundërajror.

– Kundërajror?

– E! Repartet kundërajrore janë të vogla, nëpër pika të larta malesh dhe kanë zakonisht nga 2 oficerë. Kështu që dezhurni bie një natë po, një natë jo. “Një natë te topi, një natë te gopi!”

– Hihihi… Hej, po në Tiranë, femrat vuuuu, ë?

– S’diskutohet!

 – Erdhi ditë e fukarait!

– T’ia shikosh fotografitë Lames që është në vit të tretë atje, rrjesht, radhë-radhë, si m’i do, bjonde, kuqse, ezmere…, nam or nam i zi.

– Lamja s’është gjë as nga pamja.

– Shkruan letra dashurie. Student. Kushedi si i duket këtu. Nga jashtë u dëgjua zhurmë dhe disa zëra që jepnin urdhra. Ernesti u ngrit në këmbë.

– Ika, – tha, – se im atë kur vjen nga zbori është gjithë nerva e hajt e dëgjoje.

PJESA E DYTË

Zboristët u dukën në hyrje të qytezës. Në krye të kolonës ishte një oficer rreth të dyzetave hipur mbi një kalë të bëshëm ushtrie, ndërsa të tjerët gjithë djersë e të lodhur, me pushkët e pajisjet në krahë, po e ndiqnin pas. Ai dëgjoi dikë me një mitraloz në kurriz që shfryu me zë të ulët: “Ec, or kalë, të qifsha ngarkesën”. Shkoi me ngut në shtëpi, si një mace që ndjen ndonjë tingull të padukshëm rreziku.

Kur i ati hyri, në shtëpi u dha duhma e rrobave ushtarake, e cila ruante ende një erë të rëndë magazine. Ernesti doli nga dhoma e tij. I ati ishte ulur në karrige me këmbët në një legen me ujë me kripë dhe po pinte cigare. Mirë që i ka lënë këpucët me kambale jashtë, tha ai me vete. Këmbët e të atit dukeshin të fryra e të kuqe. Fytyra e tij fliste me vetulla, “më ler rehat”.

– Urime për bursën! – tha.

– E paske marrë vesh?

– E!

– Qenke lodhur. Nga ishit?

– Mo më pyet!

– …

– Ishim në Bureto, ku tjetër?

– Në Bureto?

– E! Se mos na binte greku.

– Po s’i more dot një numër më të mëdha këpucët?

– Të mëdha i mora haletë, po prapë më vranë e më bënë thjamë. E kam këmbën jangllësh unë.

– Nc nc nc.

– Le që u meruam edhe për bukë.

– Pse?

– Ç’pyet! Mezi mbërritëm në majë të Buretos, hapëm çadrat, vumë kazanin e madh me fasule, se na shkoi gjuha poshtë, kur do ti, sa u bënë të flamosurat fasule, ia behu një zëvendësministër që nga Tirana me helikopter. Jemi në kohë lufte, tha. Armiku ka infiltruar agjentë mes nesh. Ushqimi është i helmuar! Një shqelm kazanit në lëndinë e mëteposhtë.

– Mos! Nc nc. Po pastaj?

– U kthyem, po mbemë në Urë të Leklit për nja tetë a nëntë orë.

– Po ç’ne?

– Aty do zbarkonin desantët ajrorë. Nga Italia.

Nga jashtë erdhi përsëri zhurmë. U dëgjua edhe një krismë arme. Ernesti brofi jashtë pas të atit. Shqoi gjitonin Gani me kobure në dorë. Njerëz përreth, të ndërkryer. S’po merrej vesh se ç’qe, por me siguri një gjë e keqe ish. Gurët e zallit në sheshin që vazhdonte pas asfaltit të gërryer u ashpërsuan befasisht. Sheshi u hap i pabesë dhe i rrezikshëm. Ndjeu të atin që erdhi pranë. Ai e urdhëroi të shkonte brenda. Dëgjoi fjalët “flagrancë”, “putanë”, “rruspi” dhe “hak plumbin”. Domethënë Shollohov. Libër i ndaluar nën dyshek. Me faqet erotike shenjuar gjithë kujdes. Ose mbajtur mend përmendësh.

Më vonë mori vesh që nënoficeri i mëhallës, Ganiu, kishte gjetur gruan me dikë. Ajo nuk e priste të shoqin të vinte atë ditë nga zbori. “Dikë”-ja ishte Këno qejflliu, samarxhiu i qytezës. Kush tjetër mund të ish? Ganiu e kish qëlluar me pistoletë. Kish dalë huq, për fat të mirë. Disa thanë që arma nuk kish ndezur fare. Por këta nuk e shpjegonin dot krismën. Në mëhallë pas asaj dite do të qarkullonte shprehja “qëllove si kalama, o Gani”. Një jazëk i përgjithshëm mbulonte gjithçka, si squfuri gjethet e hardhive të sëmura me hi. “Jazëk që s’i vrau dot të dy, as gjysëm metro lark. U rroftë zbori e stërvitja!”

Dyshimi, si squfuri që vriste hirin, do të vazhdonte gjatë të pluhuroste çdo gjë, bukët dyzetëshe, rakinë me hile, rakinë safi, bisedat në klubin e trishtë me tym cigaresh të mykura “Partizan”, burrat si të prerë në besë. Vigjilent’. Pa “ë” të zëshme. Dhe të pazëshme. Gratë si shfajësime menstruale. Të kujdesshme. Me këputje isoje. Me ëëë në fund.

Vazhdon…

Lamtumirë Mjeshtër…!

Nga Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë

Njoftim i datës 7 maj 2020

Kolegë të nderuar!

Me keqardhje të madhe ju njoftojmë, lajmin e papritur të humbjes së jetës, së arkitektit të njohur, “Mjeshtër në Arkitekturë”, z. Maks Velo.

U largua një figurë poliedrike intelektuale, një artist e arkitekt, i cili me të gjithë krijimtarinë e tij hodhi bazat e modernes në Arkitekturën Shqiptare.

Prej kohësh Velo ishte shndërruar, natyrshëm, në figurën publike profesionale më interesante në vend, përfaqësues i mendimit progresiv në arkitekturë. Projektet e Maks Velos fillojnë më vitet 1960 – 1970 të shekullit të kaluar, dhe shërbyen si fillesat e një arkitekture moderne e inovative, në kundërshtim me formalizmat neo-klasike të regjimit të atëhershëm.

Cilësia e veçantë e krijimtarisë së tij, që u konsolidua edhe më shumë në vitet në vijim, si dhe oponenca, në fjalë dhe vepra, kundër ngushtësisë së mendimit gjatë diktaturës  komuniste, u bënë shkas për ta izoluar dhe internuar: në vitin 1973 u përndoq dhe u burgos nga regjimi i kohës, për cilësinë “ndryshe” të arkitekturës e artit.

Kontributi i i Maks Velos në arkitekturë është atipik në raport me kohën dhe vendin ku janë ndërtuar veprat me projektet e tij.

Disa nga veprat më të rëndësishme që trashëgojmë sot, projektuar nga arkitekti Maks Velo (vetëm, ose në bashkëpunim), janë:

  • Parku i Madh i Liqenit, Tiranë dhe shtëpizat e vogla shplodhëse në të.
  • Shkolla 8 vjeçare “Emin Duraku”, Tiranë;
  • Objekt banimi pranë Hotel Tiranës (pallati me kube);
  • Godina e ish-ATSH, Tiranë;
  • Ish-hotel “Arbana”, Tiranë;
  • Kinemaja e Laprakës, Tiranë;
  • Kinema “Pionieri”, Tiranë;
  • “Uzina Mekanike”, Peshkopi.

Maks Velo, me dinamizmin dhe thellësinë e mendimit që kishte për arkitekturën, urbanistikën, artin, por edhe për tema të ndryshme kulturore në përgjithësi, do të shërbejë si model për çdo arkitekt dhe intelektual në vend.

Maksi nuk ngurroi kurrë të fliste dhe të ngrinte zërin, për tema të nxehta që shqetësonin shoqërinë shqiptare.

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërise, në vitin 2019, e vlerësoi me çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë”. 

Në emër të Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë ngushëllojmë përzemërsisht të gjithë të dashurit dhe miqtë.

Althea-s, nga burgu

Nga Richard Lovelace (9 dhjetor 1617 – 1657)

Shqip: Valbona Nathanaili

Gurët e murit nuk e bëjnë një burg

As shufrat e hekurit një qeli;

Ndoshta vlejnë për një murg

Me mendjen në të pafajshmen qetësi.

Nëse kam lirinë të dashuroj

Dhe shpirtin mbushur në lumturi,

Me engjëjt që vallëzojnë lart

Mund të krahasohet një e tillë liri.

Përkthimi: deri ku mund të shkojmë?

Nga Valbona Nathanaili

Debati për lirinë që duhet të ketë një përkthyes, kur është në procesin e zhvendosjes së një vepre nga gjuha origjinale në gjuhën e tij, mbetet gjithnjë i hapur. Në përgjithësi, specialistët e fushës – dhe këtu kam parasysh, kryesisht, redaktorët që merren me tekstet e përkthyer – janë partizanë të të qëndruarit sa më besnik të tekstit origjinal. Për ta, çdo fjalë e shtuar apo fjali e ndryshuar është ‘të fusësh diçka nga vetja’, thënë shpesh me konotacion negativ, pse jo, edhe referuar mungesë profesionalizmi! Ndërsa lexuesi kërkon të ketë në dorë një tekst, që edhe pse i përkthyer, të reflektojë gjithçka ai pret nga një vepër e mirë. Më poshtë është shkëputur një pjesë nga një prej kryeveprave të Shakespeare, Hamleti, në të dyja gjuhët, anglisht dhe shqip, përpara dhe pas zhvendosjes nga Mjeshtri i Madh Fan S. Noli. Bëhet fjalë për përshëndetjet që Hamleti shkëmben me dy miq të tij, Rozenkrancin dhe Gildensternin, që kanë ardhur për vizitë në oborrin danez.

Varianti shqip gjendet në veprën “Jul Cezari, Hamleti, Makbethi, Otelloja”. Autor: Uiliam Shekspir. Përkthyes: Fan S. Noli. Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1982 (f. 287, 289). Varianti anglisht është e thjeshtë të gjendet në ueb. Gjykimi i lihet lexuesit!

Hamleti (anglisht)

  • “My excellent good friends! How dost thou, Guildenstern? Ah,
  • Rosencrantz! Good lads, how do you both?
  • … what have you,
  • My good friends, deserved at the hands of fortune
  • That she sends you to prison hither?”

Hamleti (shqip)

  • “Të mirë dhe të dashur miq të mi! Si je, Gildenstern?
  • Ah, Rozenkranc! Të dashur shokë, si më jeni?
  • … Ç’i keni bërë fatbardhësisë, miq të dashur, që
  • Ju dërgoi në këtë burg?”

Pyetja e habit Gildensternin, i cili e pyet Hamletin se çfarë kupton me “burg” (në këta dialogë nuk ka ndryshime të qenësishme):

Gildensterni (shqip): “Burg, Imzot?” / Hamleti (shqip):  “Danimarka është një burg.”

Rozenkranci qesh dhe i përgjigjet, se nëse kjo është e vërtetë, atëherë “është burg e tërë bota”.

Vazhdimi i dialogut:

Hamleti (anglisht)

  • “A goodly one, in which there are many confines, wards and dungeons, Denmark being one of the worst.”

Hamleti (shqip)

  •  “Burg i vërtetë, në të cilin ka shumë qelira, vrima dhe bodrume, dhe Danimarka është një nga më të ligat.”

Por Rozenkranci deklaron: “S’jemi n’atë mendje, imzot!” Përgjigja e Hamletit:

Hamleti (anglisht)

  • “Tis  none  to  you  for  there  is  nothing  either good or bad, but thinking makes it so: to me it is a prison.”

Hamleti (shqip)

  • “Ahere, s’është burg për ju; se s’ka as të mirë, as të ligë, po mendja na i bën ashtu. Për mua është burg.”

Intervistë me Valbona Nathanaili / Diplomat apo krijues?

Intervistë me Valbona Nathanaili / Autore e librit “Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë”

MAPO Zonja Nathanaili, ju sapo keni publikuar librin “Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë”, si lindi ideja për këtë libër?

Valbona Nathanaili Më shumë se ide, botimi i këtij titulli ishte zgjedhje nga disa projekte për botime që paraqiti Qendra UET pranë UET-Press. Një titull i tillë vjen për herë të parë në shqip. Në gjuhë të huaj do të gjeni plot libra të ngjashëm, ose të paktën që i kushtohen veprimtarisë së ambasadorëve të “rekrutuar” nga fusha e krijimtarisë, por në shqip mungonte. Për të sistemuar mënyrën e paraqitjes, si dhe për zgjedhjen e materialeve që do të përfshiheshin, kam shfletuar dhe jam konsultuar me shumë libra të kësaj lloj literature, botuar në vende të ndryshme të botës. Libri u pasurua dhe u konsolidua gjithmonë e më shumë falë bashkëpunimeve që kam pasur me secilin prej “personazheve” të librit, direkt me ta ose me të afërmit e tyre. Veprimtaria krijuese, sikundër edhe aktiviteti i pasur i secilit në fushën e diplomacisë dhe të krijimtarisë, besoj se jo vetëm i japin librit vlera të veçanta, por e fusin në librat që duhet të jenë pjesë e bibliotekës së çdo lexuesi.

Arkiva e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë ishte një burim i shkëlqyer. Sa më shumë shfletoja materialet e gjetura, aq më shumë pasurohej libri në ide e tematika dhe aq më e vështirë bëhej zgjedhja: çfarë do paraqes dhe çfarë do mbahet për një botim të dytë. Në këtë botim, linjat kryesore të librit janë tri: 1. Veprimtaria krijuese dhe diplomatike e çdo ambasadori. 2. Forumi me katër pyetje. 3. Një profil kulturor dhe të dhëna për ambasadorët e parë të akredituar në Shqipëri ose nga Shqipëria për disa vende, me të cilat marrëdhëniet diplomatike gjithmonë kanë pasur një peshë të veçantë, ku po veçoj Francën, Jugosllavinë dhe Rusinë.

MAPO Në kopertinë janë disa nga emrat më të njohur të penës, saqë pakkush mban mend se ata kanë qenë dhe ambasadorë, ndërsa disa të tjerë njihen më shumë për punën e diplomatit, cili ishte synimi i këtij libri dhe, a është ezauruar tërësisht brenda tij lista e diplomatëve-shkrimtarë ose e shkrimtarëve-diplomatë?

Valbona Nathanaili Është shumë i vërtetë pohimi juaj, ndërkohë mendoj se e bën edhe më tërheqës, pasi e plotëson njohjen tonë. Librin, disa e kanë quajtur antologji dhe të tjerë, album. Unë e kam klasifikuar në kolanën tonë “Scripta imanent” – e shkruara mbetet, që i përfshin edhe klasifikimet e mëparshme, por që nën këtë klasifikim merr përmasat që synonte: evidentimin e punës dhe të mendimit krijues të disa prej njerëzve më të shquar që për periudha të veçanta, duke qenë krijues, janë thirrur në shërbimin diplomatik për të përfaqësuar vendin tonë në nivelet më të larta.

Për shkak të zgjedhjeve të zgjuara që shteti ynë ka bërë, herë pas here, në fushën e përfaqësimit me krijues ambasadorë e diplomatë, lista me emra, kandidatë për t’u përfshirë në libër, rezultoi shumë e gjatë. Në këtë vëllim, pas hartimit të kësaj liste janë përfshirë kryesisht ata për të cilët u krijua mundësia e kontaktit ose e gjetjes së materialeve. Lexuesi ka në dorë vëllimin e parë. Mendoj që vitin tjetër të kem gati edhe vëllimin e dytë të tij.

MAPO Sipas jush, është diplomati që kërkon letërsinë, apo e kundërta? Cili është pikëtakimi mes shkrimtarit dhe diplomatit?

Valbona Nathanaili Mendoj që është diplomacia që kërkon jo vetëm letërsinë, por krijimtarinë në përgjithësi. Për këtë arsye janë bërë pjesë e librit jo vetëm shkrimtarë e artistë, por edhe akademikë. Është e rëndësishme të theksojmë se në Francë, për periudha të gjata kohore dhe në mënyrë periodike, janë akredituar ambasadorë me një trashëgimi të pasur në fushën e letrave, shpesh herë pa asnjë formim a përvojë të mëparshme në diplomaci. Historia e përfaqësimit në Francë, në libër, fillon në vitin 1947 dhe mbyllet më 2013. Javer Malo emërohet më 1947, fillimisht, si Atashe shtypi e Sekretar i parë, ndërsa më vonë, më 1967, rikthehet përsëri në rolin e ambasadorit; Misto Treska është ambasadori ynë më 1979; Luan Rama më 1997; Jusuf Vrioni në UNESCO (me seli në Francë) më 1998 dhe Ylljet Aliçka më 2007, të cilët të gjithë bashkë, me veprën dhe punën e tyre pothuaj e kanë institucionalizuar kriterin kryesor të zgjedhjes për t’u akredituar në këtë shtet, atë të “të qenit krijues”. Por jo vetëm. Duket se edhe në ShBA kërkohet të ruhet e njëjta traditë, themelet e së cilës u betonuan nga puna, përkushtimi e krijimtaria e Faik Konicës. Me vendosjen sërish të marrëdhënieve me ShBA, Pëllumb Kulla, një nga autorët shqiptarë më prodhimtarë, shumëdimensional sa i takon llojit të letërsisë së lëvruar dhe kontributeve në kulturë, ishte ndër ambasadorët e parë të akredituar në këtë shtet mbas viteve ’90. Zgjedhje me nivele po aq të mira përfaqësimi kanë qenë edhe Teodor Laço dhe Piro Milkani, autorë, përkthyes, skenaristë, regjisorë e aktorë, të cilët i kanë shërbyer vendit, përkatësisht, në Rusi dhe Çeki.

Nga fusha e akademisë janë përfshirë Vasil Nathanaili, Agim Nesho, Arben Cici dhe Shaban Murati. Jo për koincidencë, por si zgjedhje, Nathanaili ka studiuar mjekësi në Romë dhe juridik në Tiranë. Për ata që e njohin diplomacinë, Nathanaili quhet diplomat-karriere. Ka qenë ambasador në Beograd, Moskë dhe Pekin në periudhat më “të lulëzuara” të marrëdhënieve tona me to. Agim Nesho është diplomuar dhe ka mbrojtur doktoraturën në inxhinieri. Njëlloj si Nathanaili, edhe Nesho ka kohë që i është kushtuar diplomacisë dhe ka shërbyer në vende e organizata kyç: ShBA dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Arben Cici është laureuar për gjuhë të huaja, ka mbrojtur doktoraturën në Shkenca historike të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në intervalet nga një shërbim diplomatik në tjetrin, gjithmonë i është kthyer katedrës universitare, me dëshirën për të përçuar te studentët jo vetëm bagazhin e pasur të dijeve, por edhe përvojën e fituar nga një karrierë e konsoliduar. Shaban Murati njihet për kontributet e vyera në fushën e diplomacisë e të publicistikës dhe i ka shërbyer vendit në disa misione diplomatike. Pikëtakimi i krijuesit me diplomatin mendoj se qëndron pikërisht në rolin e përbashkët: atë të përfaqësimit të vendit, të kulturës e vlerave më të mira. E thënë thjesht, në faktin se duke qenë intelektualë, dinë të përfaqësojnë denjësisht shoqërinë shqiptare. Lavdia e punës së tyre përmblidhet në përmbushjen e aspiratave tona se janë në gjendje të ndihmojnë në begatinë dhe lartësimin e Shqipërisë.

Faleminderit!

Rrëfim për babanë, për Veip Trimin dhe për vete

Nga Sefedin Çela

Duhet të ketë qenë vera e vitit 1972. Prej disa muajsh isha transferuar në gazetën lokale, në Skrapar, saktësisht nga 1 prilli, dita e gënjeshtrave. Më 5 shtator ishte 30 vjetori i Çlirimit të rrethit. Më kishte ftuar për kafe te “Sorkadhja” Bardhyl Ylli, drejtori i Muzeut, i të vetmit muze në Çorovodë, dhe për këtë arsye edhe me funksion të dyfishtë: historik dhe etnografik, njëfarësoj MAPO-je me “artikuj të përzier”. Po rikonceptohej përmbajtja e rifreskoheshin stendat për festën. Ishte menduar të viheshin emrat e fotot e gjithë dëshmorëve dhe ish-partizanëve të rrethit. Bardhyli më kërkoi një foto të babait, mundësisht me veshje partizane, për ta vendosur në stendë. Ky ishte sebepi i kafes!

Por nuk kishim asnjë foto të babait partizan! I kishin shkuar plumbat anash, në betejën e Qafës së Kiçokut, ndërsa më korrik të vitit 1943 i kishte rrëmbyer plumbi shokun në krah, Shabanin, që e kishte si vëlla, me shtëpitë në fshat aq afër, sa dasmat i bënin me portat hapur, si një familje, po foto nuk kishte ardhur siraja të bënte. As edhe një për be! Asokohe, paralufte, në fshat mund të vinte rrallë e tek ndonjë kallajxhi nga Përmeti, po fotograf nuk mbahej mend të kish ardhur. Kishim vetëm një foto prej tij, dalë në Tiranë, kur punonte në pemëtore, të zmadhuar s’di nga kush dhe varur në mur, në odën e mesit, krah vendit ku varej llamba. Të shumtën e herës shihja gjyshen të zgjatej e të fshinte me pëllëmbë xhamin e kornizës. E fshinte me përparëse, ndërsa nga sytë i rridhnin lotët vu e vu, si çezmë.

Ajo foto më kujtonte dhimbjen, atë dhimbje që nuk të ndahet deri në fund të jetës. Gjyshja nuk kishte djalë a vajzë tjetër, as nënë e babë, as motër e vëlla. Disa i ishin shuar në një ditë të vetme në masakrën e Vlushës, një fshat i fshehur thellë në një rrëzë, që gjermanët as do ta gjenin dot pa kallauzë. E keqja gjen kallauzë pa vjen e mbahet mend për atë gjëmë. Gjyshes i kishte mbetur vetëm ajo fotografi, varur në mur, tek e cila varej përditë dhe ajo. “Dëgjo, thotë Bardhyli, po të jap një zgjidhje të veçantë, se e sjell rasti. Kemi një piktor që na vjen në ndihmë, Stefanin, punon në komunalen e qytetit. E njeh Stefanin? Merre atë foto nga korniza për disa ditë, pozo dhe vetë e vuala!” Vuala, ishte e vetmja fjalë frëngjisht që dinte Bardhyli, por që e gjente të udhës ta përdorte sa herë i duhej të dilte nga një situatë ku nuk donte të ishte.

“Si u bëka kjo punë, i them, se jam i biri dhe kam emrin e tij nuk do të thotë se jam vet ai. Qëllimi justifikon mjetin, thuaj ti?” “I ngjet shumë tëtati e je afërsisht në moshën kur ishte partizan. Më beso, nuk e kam nga vetja, ma ka thënë Veip Gogo. Te vetja edhe mund të dyshoj po te Veip trimi? Kurrë!” – i vuri pikën Bardhyli.

Kisha dëgjuar që fëmijë për Veipin. Thonin se ai parashikonte prishjen dhe ndreqjen e motit, kohën me shi a breshër dhe kohën me diell, sipas dhimbjes së kockave. I kishin mbetur në trup disa copëra predhash që nga koha e luftës. Thuhej se mblidhte vetëtimat mbi vete si rrufepritëse. Kishte zjarrin brenda vetes, ndaj dukej kuqs, nga fytyra te flokët,madje dhe nga qepallat e syve. Kur isha në konvikt, në shtatëvjeçare, rastësisht u ndodha ngjitur me të, te dyqani i Togut, në cep te urës. Dikush i foli “si je, Veip Çepani?”, që mua m’u duk se i tha “si je, Veip Trimi”, se nga anët tona është e rrallë të dëgjosh të të thërrasin emër e mbiemër bashkë, aq më tepër me emrin e fshatit për mbiemër. Pa e parë me sy e përfytyroja si hero, si ata për të cilët kisha lexuar në librat e këndimit a të historisë, me fotografi sa gjysma e faqes . Ai nuk ngjiste fare me ata, i kishte duart të ashpra, duar bujku, me gishta të trashë; blinte te Togu gozhdë për qereste, gërshërë për të krasitur pemët e guna të rrahura në dëstilë, blinte kripë për gjellë e kripë për bagëtinë, blinte ato që nuk i bënte dot me duart e veta.

Njëherë te dyqani, si padashur, e preka te krahu, për të parë sa i vërtetë ishte. Thoshin se ai kishte disa dekorata, po jo aq sa plagë kishte marrë, veç nuk e kisha parë me ndonjë prej tyre në gjoks. Kur isha student e kisha dëshirë të shkruaja, më shkonte shpesh mendja te ai, po asnjëherë nuk guxova, e kisha më të lehtë të trilloja dhe të shkruaja fabula që i besoja edhe vetë, se sa t’i afrohesha Veipit . Kisha frikë mos i lëndoja plagët, apo mos e ngrija akull, si shtatore, aq sa ai të thoshte “ky nuk jam unë”, mos e ktheja në njeri të radhës, me gishta tërë kallo e me flokë si shtupë harruar pa qethur, i pangjashëm me ata heronj, për të cilët kisha lexuar dhe që i doja.Po ai trim që kishte marrë katër plagë në katër beteja të ndryshme, në kohë paqeje kishte hedhur armët e kohës së paqes e ishte dorëzuar! Nuk kisha dëgjuar të trembej e dorëzohej njeri në kohë paqeje. Nuk kisha dëgjuar që nga kjo proçkë që kish bërë, në vend që të përçmohej – nderohej. Asnjë trim tjetër nuk e kishte bërë. Pse e kishte bërë?

Pas pesë muaj zbor pasuniversitar në një repart ushtarak instruksioni në Shkodër, në 4 janar 1972 fillova punë si redaktor te “Zëri i Rinisë”. Në muajin shkurt rregullova një shërbim në Skrapar. Historia e Veipit më vërtitej në mendje e nuk mund ta shkruaja dot. Më trondiste ajo që kishte bërë në luftë e më trondiste ajo që kishte bërë në paqe. Pse e kishte bërë?
E dija se ai nuk ia shkrepte me gazetarët, ndoshta se nuk donte. U prezantova si nip në Prishtë e bëra një orë vrap deri në qendrën e lokalitetit në Çepan, ku kishte shtëpinë.” Pse, pse, pse?” më rrihte trurin si çekan. Fill pas luftës e kishin vënë të drejtonte rrethin. Pa u bërë një viti u thotë atyre mbi krye “faleminderit shumë, po nuk e bëkam dot. Do të kthehem në fshat”. Dhe u kthye. Pse? Në vend që ta pyesja unë, filloi të më pyesë ai. U desh t’i them si quhesha, më pa mirë e mirë, më vuri dorën në sup e tha “ kam qenë në luftë me një djalë nga Polena me emrin tënd, që i ngjan shumë, pa më thuaj kush je”. I thashë se jam i biri, i thashë dhe si kishte ngjarë që mbaja të njëjtin emër. E dinte si kishte ndodhur, si e treti tim atë malaria dhe e ftohura e rëndë e marrë në ujërat e lumit nga Jagodina te Ura e Kuçit në dimër të 44-ës, si e kishin shtruar ilegalisht në spitalin e Tiranës dhe si u lirua nga ushtria në 45-ën pa e marrë më veten. E hëngri lufta në lulen e rinisë – tha. Disa me plumb, disa me sëmundje. Të gjithë kemi nga një mardha.
Me mbajti për darkë e nuk e pata më të vështirë të pyes e të përgjigjem. Ika, tha, se ishte një luftë që duhej bërë me armë të tjera, që unë nuk i kisha. Nuk ishte njësoj si të tërhiqje këmbëzën e pushkës, unë vetëm atë dija të bëja. Ajo që di të bësh më mirë të bën trim. Nuk ishte lapsi arma ime, gishtat e mi nuk mblidheshin ta mbanin dot, ishte top i rëndë për mua. Njeriu duhet të thotë atë që di të bëjë e duhet të thotë edhe atë që s’di ta bëjë Nuk bëra ndonjë turp, ore! Nuk u shtira, thash të vërtetën. Po tani më ka zënë syri lloj-lloj maluketërish që mbajnë, pa pikë zori, pesha të rënda që nuk kanë bythë t’i mbajnë e meazallah se duan të shkulen. Nuk di pse ndodh kështu, pse paqja e prishka njeriun! S’them se jam bërë pishman për atë që bëra atëherë. Vetëm se tani them a jam po aq trim sa ta bëja dhe njëherë tjetër? Jam lodhur a jam plakur që më shkon mendja kështu?

Dy muaj pas kësaj bisede me Veipin, më 1 prill, ditën e gënjeshtrave, unë lashë “Zërin e Rinisë” e iu përgjigja thirrjes për t’u kthyer në vendlindje, në gazetën lokale të sapohapur. Nuk dola vullnetar, jo, po më kërkoi rrethi nga kisha marrë bursën për në universitet, rrethi i vendlindjes! Lashë një apartament që rastësisht fati ma kishte sjellë në dorë si në përrallë, te i cili sa kisha vënë një bravë të re, lashë kokën mënjanë në godinën 18 të vajzave në Qytetin Studenti – gruan time të ardhshme, me të cilën kaloja si në ëndërr mbasditet – e u nisa drejt një xhepi, ku nuk kishte më rrugë për më tej. Isha i ri! Isha në një kohë kur atë që bëra unë nuk isha i vetmi që e bëja. E kishte bërë im atë, e kishte bërë Veipi me katër plagë, e kishin bërë mijëra djem dhe vajza Nuk e di ishte kurajë apo çmenduri, aventurë apo hap revolucionar, a të gjitha bashkë, po e bëra. Nuk ishte e njëjta me atë që kishte bërë Veipi në kohë lufte e në kohë paqeje, por në mos e ngjashme, ishte si e gatuar në një magje. Stefan Beruka ishte një i ri nga minoriteti, me një mënyrë të foluri që të bënte për të qeshur edhe kur nuk thoshte asgjë për të qeshur, vetëm nga theksi që u vinte fjalëve. Ishte i sjellshëm dhe i gatshëm për t’u gjendur, nga ata që është më mirë t’i kesh se sa të të kenë mik. I dhashë një kopje të fotos së vetme të babait, që e hoqa me kujdes nga korniza. Ai bëri disa vizatime e foto me mua dhe kaq. Kjo qe e gjitha… Ditën tjetër solli këtë vizatim portret që shikoni sot – babain si nuk e kisha parë asnjëherë e si doja ta shihja, partizan me yll në ballë.

Edhe Stefani ishte nga ata dhjetëra e qindra djem e vajza, mësues, inxhinierë, mjekë, merceologë nga gjithë Shqipëria, që kishin ardhur në Skrapar jo se kishin zgjedhur, jo thjesht për të marrë një rrogë, por edhe për të bërë secili diçka për këtë dhe të përbashkët. Ne ishim një brez që nuk u bëmë bisht detyrave. Vumë nga një tullë e nuk hoqëm tulla. Atdheu nuk është as ideologji dhe as fe. Atdheu është besim. Atdheu është të punosh për të dhe ta quash detyrë e akt moral. Atdheu është dhe mision. Kështu a qenë dhe kështu do të jetë. Në atdhe mund të bësh ekonomi tregu e prokopi, si i thonë, po me atdheun shkëmbim tregu nuk mund të bësh kurrë! Brezi ynë nuk përbetohej për flamurin duke bërë shqiponjën me kryqëzim gishtash, betimi ynë ishte gatishmëria për të qenë atje ku kishte nevojë të ishim, pa bërë sikur. Ndërtuam si mundëm, nuk kemi pse turpërohemi. Turpi le t’u mbetet atyre që shpërdoruan mundin e gatishmërinë tonë. Zhgënjimi ynë le të jetë kryqi i tyre.

Babai ishte vetëm 33 vjeç, në moshën e Jezuit, kur u nda prej nesh. Jezu Krishti kishte qenë marangoz, nuk kishte lindur shenjt: martirizimi për të tjerët e bëri shenjt. Im atë nuk ishte Jezui, nuk mbajti kryqin për të tjerët si ai, besimi i tij ishte liria. Dinte të punonte tokën e të shartonte pemë, zanate që i kishte mësuar si punëtor krahu në pemëtoren e Tiranës. Robtohej për të ndërtuar jetën për familjen e vet, po iu desh të luftojë edhe me pushkë për liri, pa kursyer asgjë e pa kërkuar asgjë. Diç kam bërë dhe unë, bëj t’i them, kam bërë përditë betejat e mia të vogla për të qenë i denjë, nuk kam kryqëzuar duart.

Shoh këto ditë si vështrojnë nga portretet në rrugët e Tiranës bashkëluftëtarët e bashkëmoshatarët e tij, mbetur përherë të rinj. Me sytë e mendjes, midis tyre shoh babain tim me këtë portret, që ka diçka prej kohës, prej tij, prej meje, prej Bardhyl Yllit e prej Stefan Berukës. Nuk pate kohë të më zhgënjesh, baba, i them. Jeta jote e shkurtër ishte jetë e denjë biri, burri e ati. Jam krenar që kam emrin tënd e që jam biri yt!

  • O djema ç’po ngjan me ju,
  • Vitet tutje, ju tëhu

Ata nuk kursyen rininë e jetën. Populli i përjetësoi në ndërgjegjen e vet, u ngriti piedestalin me këngë. I shohim ashtu si ishin, trima, të rinj e të bukur. S’ka krrakashkrues që t’i nxijë! Nuk i nxihen pendët korbit. Ata janë Bijtë e Shqipes të Flamurit të Lirisë, jo të shqiponjës me kryqëzim gishtash mburravecësh.

Urtësia e Kadaresë në rrëfimin e fëminisë së tij

(Kadaré, Shakespeare dhe fantazmat)

Nga Alberto Frashëri

Më 6 janar 2019 gazeta e rëndësishme italiane “La Repubblica” botoi një tregim të Ismail Kadaresë me titull “Unë nuk kam frikë”. Kjo javë e ditëlindjes së njeriut më të shquar të letrave dhe të botës kulturore moderne shqiptare do të kishte nevojë për botime të veçanta e të rëndësishme mbi veprën e tij.

Unë po kufizohem me disa mendime rreth këtij tregimi brilant dhe afiniteteve interesante që ai shpreh me jetën e Kadaresë dhe, sidomos, me disa pamje të realitetit shqiptar. Nuk është e lehtë të flasësh për një vepër të porsabotuar të një prej shkrimtarëve më të famshëm të kohës sonë. Vepra e tij shumë herë ka shprehur ide që nuk çfaqen drejtpërdrejt, por që burojnë nga veçoritë e një stili unikal dhe nga mendimi i kulluar i autorit që lexuesit e të gjitha gjuhëve kanë kuptuar pa vështirësi. Në veprën letrare të këtij prozatori të rallë ajo që nënkuptohet e nuk shqiptohet hapur, shpesh herë është më e rëndësishme nga ajo që fjala formalisht rrëfen. Kjo cilësi dallon shkrimtarët e mëdhenj, mes të cilëve Kadareja tashmë ka merituar një nga piedestalet më të lartë. Tregimi i Kadaresë, rrëfyer nga goja e një fëmije me urtësinë dhe përvojën e pafund të autorit, më sjell ndërmend prirjen dhe raportin e veçantë që Kadareja ka me botën e legjendave dhe fantazinë që ato krijojnë. Natyrisht unë nuk pretendoj të sjell pikërisht mendimin e autorit dhe idenë e tij në këtë tregim. Shpesh herë rreth një vepre artistike bëhen komente apo reçensione me konkluzione apo “zbulime” për të cilat autori as që ka menduar ndonjëherë. Kjo ndodh sepse një vepër artistike, pikturë, poezi, roman apo muzikë, bëjnë të mundur interpretime të ndryshme që pajtohen me natyrën e veprës, por që nuk përputhen gjithmonë me synimet originale të autorit. Prandaj për çdo devijim nga ana ime kundrejt mendimit të autorit, i kërkoj ndjesë atij dhe lexuesve. Pra unë do të përpiqem shkurtimisht të shpjegoj idenë që kam krijuar për këtë tregim të Kadaresë. Ky është një tregim me të cilin duket sikur autori kërkon t’i besojë lexuesit disa të vërteta që lidhen edhe me raportin e vështirë që ai ka patur dhe ka me një pjesë të papërfillëshme të vendit të tij.

Me dy fjalë, tregimi “Unë nuk kam frikë” rrëfen kujtime fëminore të Kadaresë në Gjirokastrën e tij. Ai flet për familje e shtëpi të periudhës perandorake turke, të mbretërisë shqiptare e, më pas, edhe të republikës, shtrat i një totalitarismi të pamëshirshëm e absurd. Një humor i lehtë dhe elegant shoqëron rrëfimin fëminor të Kadaresë. Ai si fëmijë vëzhgon dhe përpiqet të kuptojë dallimet mes monarkisë, perandorisë dhe repubblikës, duke u nisur nga karakteristikat e shtëpive dhe sjelljet e njerëzve që banonin në to.

  • Ne fëmijëve, na pëlqenin më shumë shtëpitë e kohës së mbretërisë, edhe pse ishin më të mbledhura, por në ato flitej më shumë dhe me fjalë të ëmbla. Në shtëpitë e tjera ka heshtje dhe shpesh herë ato janë të frikëshme për shkak të hajdutëve dhe fantazmave që herë pas here futen në to… Në atë periudhë, hajdutët dhe fantazmat ishin kudo të pranishme: hajdutë apo banditë, hije e fantazma. Boshllëku, mediokriteti, fanatizmi i regjimit shndrrohen në bindje dhe ide të rëndomta që përligjin dhunën e pakufishme dhe për këtë sajohet fantazma, armiku që duhet çfarosur nga faqja e dheut… Në radio, flisnin ditë e natë për hije të krijuara nga fashizmi, nga Amerika e Izraeli. Hije dhe fantazma. Fëmija natën kishte frikë kur dëgjonte kujisjen, gërvimën e trarëve nën peshën e përleshjes mes hajdutëve dhe fantazmave. Nuk dinte fëmija se cilin të preferonte: hajdutin apo fantazmën. Hajdutët u ngjanin njerëzve të ndershëm, ishin mësues, avoketër, inxhinjerë që Republika i kishte shpallur si banditë, si agjentë anglo-amerikanë, ndërsa fantazmat ishin gënjeshtra, shpifja dhe fanatizmi.

Në këtë këndvështrim fëmija donte të largonte fantazmat nga bota e tij. Fëmija ishte i zhgënjyer nga Republika që tregohej e ashpër me banditët dhe mike e fantazmave. Atij i vjen në ndihmë Shakespeare, inglizi i famshëm që kishte shkruar edhe për fantazmat në tragjedinë e Hamletit. Aty ai kishte mësuar që ki-ki-ri-kiii i gjelave në prag të agimit i largonte fantazmat që i trembeshin gjelit, lajmëtar i një dite të re. Por e keqja ishte që familjet e fisme nuk mbanin pula e gjela në shtëpitë e tyre. Kur iu rrëfye gjyshes për këtë merak të madh ajo i kujtoi gjelat e fqinjëve dhe ky ishte shpëtimi. Ishte ki-ki-ri-kiii i gjelave fqinjë që i largoi fantazmat nga çatia e tij. Dhe ki-ki-ri-kiii i gjelave të Ficove, Xhaxhive dhe fqinjëve të tjerë u përhap kudo nga malet e Lunxherisë përmes Shqipërisë, Dalmacisë, në Austri e Danimarkë deri në trojet e inglizit që mbante atë emër të çuditshëm, Sha-kes-pea-re. Ishte i madhi i shkrimtarëve që kish dashur të shpëtonte njeriun nga fantazmat.

  • “Ndërsa mendja më shkonte kah Poli i Veriut, një gjumë i thellë, më i ëmbli që kisha shijuar, më mori në krahët e tij.”

Komicitetin e gjelit lajmëtar dhe ki-ki-ri-kun e tij mund ta interpretojme si lindjen e një ditë të re, si një triumf të së Vërtetës kundër fantazmave të gënjeshtrës e të thashethemeve të pafund që aq shumë e dëmtojnë të sotmen dhe të ardhmen e një komuniteti e, ndonjëherë, edhe të një kombi. Kadareja ka shumë arsye për të kujtuar dramën e njeriut të thjeshtë e të ndershëm që bie nën hijen e fantazmave të së keqes e të gënjeshtrës, pas të cilave fshihet dhuna, padrejtësia. Por nuk është hera e parë që ai e bën këtë. Ai i ka njohur fantazmat duke filluar nga agimi i krijimtarisë së tij. Ai e ka përjetuar frikën prej tyre, e ka ndjerë pranë si asnjë tjetër në historinë e arteve dhe letërsisë të regjimit totalitar në Shqipëri. Por në këto dekadat e fundit ai ka përjetuar të tjera zhgënjime, për mendimin tim, për shkak të disa opinioneve absurde dhe antikombëtare.

Nuk dimë si mund të deshifrohet ideja, qëllimi i këtij tregimi tipik kadarian, mes alegorisë dhe realitetit, frikës dhe fantazmave. Megjithatë ka disa koinçidenca që duhet t’i pranojmë me bindje e që na bëjnë të mundur një interpretim të ketij tregimi të jashtëzakonshëm, si art e si përmbajtje. Tregimi i Kadaresë na lejon të bëjmë një interpretim të natyrshëm e aktual të fabulës që shpreh, të fantazmave të republikës kundër qytetarëve më të shquar të saj. Republika shpalli si banditë ajkën e saj, atë pjesë të shoqërisë që simbolizonte vetëdijen për lirinë e humbur nga regjimi totalitar i Hoxhës. Shpifjet dhe dyshimet ishin fantazmat që ndrydhën pamjen shpirtënore të kombit, talentet e tij. Me sa duket ajo, e ashtuquajtura metodologji fantazmagorike e regjimit, vazhdon të mbijetojë në mes nesh, çuditërisht e mëkuar nga shovinizmat e gadishullit të mplakur të Ilirisë.

Çdo vit, në prag të punimeve përzgjedhëse të komisionit për çmimin Nobel, del ndonjë teoricien i lirisë dhe kritikon Kadarenë si njeri të hierarkive të regjimit “republikan”. Këtë mund ta kurdisë vetëm padituria, injoranca e atij që vihet në rolin e fantazmës kundër banditëve të sajuar. Pikërisht siç bënte Hoxha me idhtarët e tij. Në këto tre dekadat e fundit, pranë datave historike të rëndësishme, shkruhen e botohen artikuj të rremë e të turpshëm kundër figurave të nderuara të botës shqiptare. Kjo po bëhet sistematikisht në indiferencën e fajshme të istitucioneve të shtetit shqiptar. Këto që shohim e dëgjojmë janë hije e fantazma të shovinizmave ballkanike që kanë vrarë priftërinj ortodoksë pse bënin meshën në gjuhën e nënës pra në shqipe të kulluar, kanë vrarë mësues të gjuhës shqipe, kanë persekutuar e masakruar popullsinë e pafajshme të krahinës iliro-epirote vetëm pse kultivonte gjuhën shqipe. Sot me keqardhje dhe në indiferencën totale të klasës politike goditen figurat e shquara të historisë e të kulturës kombëtare: hidhen teza absurde mbi origjinën e Gjergj Kastriotit, braktisen në harresë të fajshme figura si Naimi, Fishta, Mjeda, Migjeni, Noli deri dhe te Kadareja. Prej tre dekadash Kisha Ortodokse Autoqefale, që Noli i madh e bëri të pavarur nga fondamentalizmat orientale e shoviniste, e ka humbur sharmin e kombit që nuk e administron me duart e veta pamjen fetare e shpirtënore të jetës së tij.

Noli… dua të kujtoj që, pas Naim Frashërit, vepra e Nolit dhe e Kadaresë shprehin përpjekjen gjeniale të tyre për një shqipe moderne në pajtim me potencialet e jashtëzakonëshme që ka kjo gjuhë. Të rinjtë shqiptarë, edhe pse të shkolluar, nuk njohin universin kulturor të kombit, nuk njohin personalitetet e shquara dhe as veprat e tyre.

Në historinë e letrave të Europës Lindore dhe të regjimeve totalitare në përgjithësi, rasti Kadaré do konsideruar me plotë bindje si unikal. Asnjë artist nuk ka guxuar të shkruajë e të rrezikojë si ai nën thundrën e regjimeve totalitare. Kur lexonim “Dimrin e madh”, kishim të qartë se si Kadarè nxirrte në pah ligësinë dhe fanatizmin ideologjik të shefit të kuadrit që bënte politikën e partisë dhe që nën peshën e mëkateve ishte shtrëmbëruar në formën eshkronjës Z (xeta). Kur lexonim “Pallatin e ëndrave” përfytyronim Komitetin Qëndror si shtabi i kobshëm i paudhësive të Hoxhës kundër kombit të tij. Asnjë shkrimtar nuk ka guxuar të bëjë atë që arriti të shkruajë e të botojë Kadareja. Ai, për mendimin tim, është i vetmi njeri i kulturës që me vetëdije të plotë ka rrezikuar e shkruar kundër regjimit me format më të rafinuara të artit që mrekullisht gjuha shqipe arrin të shprehë. Ai shkruante për Diellin dhe ne nënkuptonim erresirën në të cilën bënim sikur jetonim. Këtë mund ta bëjë vetëm një artist, qytetar patriot e demokrat i kulluar.

Nuk mund të mos kujtojmë si e trajtonte Naimi i madh problemin e Gënjeshtrës e të së Vërtetës. Filozofia e poezisë naimjane ndër të tjera theksonte nevojën e kërkimit të së Vërtetës si kusht të përparimit të individit, të familjes e të kombit. Ai e trajtoi këtë problem në vargje, me qartësi e thjeshtësi gjeniale, duke shprehur parimet mbi të Vërtetën në pajtim me konceptet sokratiane, kristiane e islamike: kërkimi i të Vërtetës e çliron njeriun dhe i jep kuptim e dinjitet ekzistencës individuale e kolektive. Është mahnitëse mënyra dhe thjeshtësia me të cilën poetët e Rilindjes Kombëtare e kanë konsideruar problemin e të Vërtetës, Mirësisë, të Bukurisë dhe harmoninë e tyre të pafund si kusht themelor për shpëtimin e Njeriut, të Njerëzimit e si thelb të demokracisë. Fenomeni i Rilindjes Kombëtare tregoi me qartësi dhe e bëri realitet këtë parim . . . themelor për të ardhmen e kombit. Njerëzit më të ndritur të kombit formohen nën ndikimin e kulturës, traditave e historisë kombëtare. Nga ana tjetër ata e ndikojnë pozitivisht atë burim, dmth Universin Filozofik e Kulturor të kombit.

Sot, e them me keqardhje, dëgjojmë e lexojmë shprehje apo komente mbi figura të rëndësishme të kombit që të brengosin e të revoltojnë për ligësinë dhe injorancën që shprehin duke mos kursyer as Nolin apo Nanë Terezën. Figura si Ismail Kadarè dhe Nanë Tereza nderojnë kohën tonë në të gjitha sferat e kulturës botënore. Sot dhe në të ardhmen ato janë e do të jenë nga monumentet më të shquara të botës shqiptare.

ZHGUALLI I LEGJENDËS

Nga FATMIR MUSAI

Fatmir Musai

Ishte një natë radiografike. Mbase kështu do ta quante, pas më tepër se një shekull, radiologu i qytetit të vogël rrëzë Tomorit, i cili kishte zënë të shkruante tregimet e para. E kush më tepër se një mjek radiolog do ta merrte shtysën e parë, për tregimin e parë, pikërisht nga esenca e profesionit të tij? Nga celuloidi i radiografisë? Ndërkohë që ashti i legjendës qëndronte thellë brenda zhguallit të asaj ngjarje të kahershme.

Plaka Nafije kishte vite e vite që nuk ishte më por, ashtu si zgërbonjat që jetojnë edhe pas vdekjes së drurëve, jehonat e atyre vargjeve ende kumbonin në veshët e tij që nga fëmijëria.

  • – Hyjtana, moj hyjtana, / Hajt të shkojmë në Lapardha…! / Jelekun me sumbulla / Kush ta dha, moj, kush ta dha?!
  • – Ma ka dhënë nënëza, / Xhanëza, kurbanëza!

Kjo ishte ajo çka kishte mbetur nga legjenda. Pse mos të themi më mirë, se pikërisht humbja e ngjarjes kishte kalçifikuar tek radiologu zhguallin e legjendës, të cilin ai duhej ta rindërtonte me një materie të re. Jo balsamosje, por ta kthente në një qenie të gjallë, që të mos kishte vdekje kurrë.

Një fjalë goje, por hajde e bëje. Dhe pikërisht atëherë kur i erdhi në majë të hundës dhe i kërkoi falje zanatit të vet prej radiologu, të cilin për pak sa s’e tradhtoi, pikërisht atëherë qielli i terrtë i rrokopujës që i sundonte në tru, befas iu kthjelltësua. Vetëm nga një trevargësh që e pat lexuar dikur, diku:

  • Retë e stërzgjatura të kësaj nate / Si brinjë të mjegullta nën zbehtësinë e hënës, / Më shëmbëllejnë me një radiografi gjigande!

Ai brofi në këmbë dhe për pak sa s’thirri: “Eureka”! Që në të ngrysur doli në ballkonin e shtëpisë dhe kundroi qiellin. Hëna premtonte të ishte e plotë dhe nuk mungonin as konfiguracionet e reve. Pas disa orësh, mendoi, sigurisht që tabloja e stërmadhe radiografike mbi kokën e tij do të bëhej më e dukshme, ashtu si ato copëza celuloidi që ai i vendoste me kujdes në syprinën vertikale prej xhami dhe mjaftonte vetëm “shtrak-u” i ndezjes së llampës së pasme, që skeleti kockor i pacientit të deshifrohej pamëshirshëm. Ashtu si hëna do të ndriçonte celuloidin e reve dhe ai do të mundej të deshifronte skeletin e asaj ngjarjeje të kahmotshme.

Kërka i vërtitej prej kohësh në tru. Kështu u thoshte këngëve plaka Nafije, kërka. Kur ia kishte thënë këtë variant fonetik mikut të tij që drejtonte Institutin e Folklorit, ky i fundit kishte luajtur nga vendi i befasuar. Kërka? Vërtetë? Po kështu u thonë këngëve dhe sot në Kalabri! Interesant! Për mua ka vetëm një shpjegim. Është ruajtur forma e vjetër e fjalës këngë. Një formë gati pesëshekullore!

Ai pastaj i kishte treguar lashtësinë e plakës Nafije, izolimin e saj vitet e fundit, para se të vdiste. Më gjatë ishte ndalur në fshatin e plakës, në Kishtë. Interesant, kishte thënë sërish ai i folklorit. Kishtë? Tingëllon si kishë. Ose, më saktë, është pikërisht toponimi i një kishe. Po, e

kishte inkurajuar radiologu. Në qendër të fshatit janë rrënojat e një kishe të hershme dhe vendasit e thërrasin atë rrënojë “Kisha”. Janë malësorë të gjatë, çuditërisht të gjatë, më të gjatët që kam parë, vazhdoi me pasion ai. Ashtu si Shkëmbi i Bletës që u qëndron mbi krye. Një izolim fantastik ku dëshmitar i gjërave është vetëm qielli i pandryshuar që u qëndron mbi krye.

Sikur të ishte astronom, apo diçka midis astronomit dhe astrologut, radiologu ishte harruar duke vërejtur radiografinë e stërmadhe të qiellit të asaj nate. Hëna e plotë, e bardhë, çuditërisht e bardhë, si një llampë neon, e nxirrte qartësisht në pah radiografinë qiellore. Re të stërzgjatura, paralele, ca më të ngushta, ca të kithta, më të shkurtëra, ca zgjatime të pakuptimta apo të rastësishme, ravijëzonin një skelet gjigand prehistorik. Madje, mendoi doktorri, kjo radiografi qiellore është më e saktë se ato të kabinetit tim. Ato janë statike, të stampuara një herë e mirë në celuloid dhe s’ka zot që t’i lëvizë një milimetër. Ndërsa radiografia e këtij qielli më duket si ekrani radioskopik, ku eshtrat lëvizin harmonishëm nën efektin e frymëmarrjes. Është qielli që merr frymë me puhizën e erës dhe ajo bën të lëvizin ritmikisht retë-kocka.

Kështu duhet të ketë qenë edhe atëherë. Ja, një qiell i tillë gri, i stamposur po në një radiografi të tillë. Diku andej tutje, andej ku pikërisht gjendej Kishta, ai sikur dalloi një konfiguracion të çuditshëm: Një nuse hipur mbi mushkë dhe një djalë që tërhiqte frerin!

Hyjtana, moj hyjtana, përsëriti vetvetishëm. Duhet të jetë djali që grah mushkën. Dhe duhet të jetë mushkë patjetër, se mbi të ecën nusja, jo djali. Ndryshe do të ishte kalë. Po përse kërkojnë të shkojnë pikërisht në Lapardha? Dhe përse hajdutshe, natën? Mos kemi të bëjmë me një rrëmbim? Me një rrëmbim nëpër natë, ku dëshmitare e vetme është vetëm hëna?…

Hijedrita e tre qenieve lëvizëse sikur ulej ngadalë përgjatë shpatit të një tjetër hijeje të stërmadhe. Duhet të jetë profili i Shkëmbit të Bletës. Nga hojet e tij shekullore rrjedh një rrëke e tërë mjalti. Ai e ndjente ëmbëlsirën në fjalët e djalit që s’e lëshonte frerin nga dora: Jelekun me sumbulla, kush ta dha, moj, kush ta dha?! Dhe kishte të drejtë ta përsëriste në mënyrë ngjethëse, këmbëngulëse pyetjen. Sepse kishte bërë rreth njëqind kilometra nga fshati i tij, Lapardhaja, për në Kishtën e largët e të izoluar malore, atje ku njerëzit ishin aq të gjatë sa bisedonin me hënën, atje ku njerëzit ushqeheshin me hojet e Shkëmbit të Bletës, atje ku njerëzit faleshin vetëm në rrënojat e një kishe, ndonëse shumëkush kishte emra myslimanë.

Përse, vallë, t’ia kenë refuzuar dorën e vajzës? Sepse ai patjetër duhet të ketë dërguar lajmës! Mos ndoshta se fshati i tij ishte fare i hapur, i ekspozuar ndaj botës së madhe? Se në të kishte vetëm baltë dhe asgjë nga ato që kishte Kishta?! Apo thjesht s’u kishte pëlqyer emri Lapardha, që u ka tingëlluar diçka si lapra, lepra, lapërdhi, apo kushedi ç’i ka shkrepur tjetër në mendje këshillit të pleqve kur është mbledhur për ta pleqëruar dhe vendosur fatin e Nafijes! Ah, përsëri Nafije! Për të disatën herë sepse, ashtu vetëvetiu, krejt padashje, kishte zënë ta quante protagonisten e tij me emrin e plakës Nafije.

Jo-ja kishte qenë fatale për të dy! Nuk kishte apelim dhe ai vendosi ta hipte mbi legjendë dhe ta sillte në shtëpinë e tij. Nëpër një qiell nate ku hëna shkrepte kujtesën e saj të fokusuar mbi celuloidin qiellor. Po ç’ishte ky jelek i zbukuruar me qëndisma të lashta, me sumbulla prej ari, që i lëbyrnin sytë tek pasqyronin rrezet e hënës?! Ai kishte menduar se nusja e tij do të hipte mbi mushkë vetëm me rrobat e trupit, pa patur kohë të hiqte diçka nga sënduku. I pat thënë se kjo do ta komprometonte ikjen, bile dhe vetë legjendën që po ngjizej. Por ajo s’e paskësh dëgjuar. Ndaj ai donte të dinte për këtë surprizë, për këtë denatyrim, ”kush ta dha, moj, kush ta dha?!” Apo, mos vallë, dikush ishte kundër vullnetit të këshillit të pleqësisë…?! Jo, jo, kjo do të ishte e tepërt!

Përgjigja ishte sa befasuese, aq edhe ngjethëse. Sikur nuk dilte nga kraharori i një vajze të rrëmbyer por nga dënesa e kraharorit qiellor, i cili, në ato çaste duhet të ketë pulsuar fort dhe brinjët e reve të kenë kërcyer jashtë radiografisë: Ma ka dhënë nënëza, xhanëza, kurbanëza!

Po i afrohem kreshendos, mendoi radiologu. Një kreshendo ngjethëse, plot mister, ku magjia e ndriçimit të krejt tablosë ruhet e shfaqet krejt papritur vetëm në fundin e skajshëm. Vetëm në tri fjalët përmbyllëse që kthjellojnë gjithçka: nënëza, xhanëza, kurbanëza. Sikur të ishin kode që zgjidhnin enigma të lashta, sekreti i tyre ishte stamposur dhimbshëm në fund të çdo fjale. Ishte prapashtesa e njëjtë “za“, ku pikonte deri në drithërimë dashuria, mirënjohja, frika se mos dilte sekreti, për të cilin, “nënë-za“ mund ta pësonte. Në atë “za“ të vockël, ashtu si në një kod interneti, ishte sintetizuar një mal i tërë informacioni, që nga përbetimi për ruajtje të fshehtësisë dhe deri tek sakrilegji i asaj që kishte ndodhur.

Kurbanëza! Kurban unë për ty, moj bijë! Le të më bëjnë kurban ata të pleqësisë! Unë do ta ruaj sekretin që ti do të rrëmbehesh kur të dalë hëna e plotë. Madje s’të lë pa të dhënë edhe jelekun me sumbulla që ta kam bërë, ja, me këto duar, kur ëndërroja të të nisja nuse mbi mushkën e kuqe. Në fund të sepetit ta kisha vënë, që të mos merrte dritë dhe t’i iknin ngjyrat. Po s’qe e thënë, moj bijë! S’qe e thënë! Medet, medet!

Ky duhet të ketë qenë monologu i kurbanëzës që nga ajo ditë kur vajza i pati sjellë haberin se në ndajnatën e hënës së plotë ai do ta priste rrëzë Shkëmbit të Bletës për ta hipur mbi shalën e mushkës së kuqe. Ndërsa vajzës nuk i tha asgjë. Vetëm vari napën e zezë mbi fytyrë dhe diç mërmëriti me vete, një si lutje a bekim. Kur erdhi dita dhe ora, kur hëna e plotë e kishte bërë gati blicin e vet për ta shkrepur e për ta përjetësuar rrëmbimin, ajo e puthi lehtë të bijën. I vuri një dorë mbi kokë, si në ceremonitë pagane të bekimit, ngriti fytyrën nga dëshmitarja e vetme e asaj nate, nga hëna pesëmbëdhjetëshe dhe foli:

  • Ma nusëro çupën, moj e bekuara e qiellit, se unë, murga, s’e ndjek dot! M’ia ndriço rrugën nëpër gërxhe e shkrepa, m’ia ruaj bukurinë atje tek do të vejë, m’ia mbyll lehtë sytë kur të sosë nga kjo botë! Se unë, kurbanëza, s’do ta shoh më dritën time. Por do të dal çdo pesëmbëdhjetë ditë, kur ti të vish e plotë, do të dal tek Shkëmbi i Bletës dhe do të të pyes për gazin tim të shuar. Dhe ti do të më përgjigjesh, o e bekuara e qiellit!

. . . . .

Radiologu heshti. Ishte lodhur së medituari. Legjenda qenkej e rëndë për t’u mbajtur nga një njeri i vetëm. Aq më tepër nga dikush që ende s’e kishte hedhur në letër tregimin e parë. Por tashmë ai e kishte shkruar atë në trurin e tij, ashtu turbull-turbull, si një konfiguracion fantazme. Ashtu lehtësisht të shprishshme, si kjo radiografi qiellore tepër tekanjoze.

Teksa mendonte kështu, madje disi i lehtësuar, sepse tashmë i kishte mbetur vetëm puna më e lehtë e shkrimtarit, ajo e tavolinës, ai befas ndjeu një zhurmë, një si uturimë të largët. Ngriti kokën lart dhe vuri re një dritë të kuqe që po e çante mespërmes radiografinë e stërmadhe sipër tij, ndërkohë që skeleti i mjegullt i qiellit ishte çarë mespërmes, sikur një heshtë e stërgjatë të përshkonte tej e tej legjendën.

Mos! Ç’bëni kështu, për pak sa nuk uluriti ai! Por gjithshka ishte e kotë. Shigjeta fatale, një avion i orëve të vona, e kishte shprishur magjinë. Dritëzat e tij të kuqe shëmbëllenin me pika gjaku. Duket se ishin pikat e gjakut të legjendës, ndërsa avioni i bëhej si një bacil në mushkëritë e qiellit. Ai vari kokën fare i këputur. Qëndroi disa çaste i palëvizur, pastaj diç iu kujtua dhe tha me zë: Mua këtu më ke! Sa herë që të bëhesh e plotë, moj e bekuara e qiellit, unë do të të pyes për legjendën time.

who’s who Fatmir Musai

Fatmir Musai u lind në maj të vitit 1955 në qytetin e Elbasanit. Pas mbarimit të gjimnazit, kreu studimet për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës.  Deri në vitin 2007 punon si mësues letërsie në qytetet Librazhd e Elbasan. Nga viti 2007 është Drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore, Turizmit, Artit e Sportit në Bashkinë e Elbasanit.

Në kohën kur ishte student boton dy librat e parë, “Thirrja e jetës” (poezi) dhe “Në rodhan” (poezi për fëmijë). Nga viti 1978 është anëtar i “Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve” të Shqipërisë.

Botime (listuar pjesërisht)

  • 2019 “Frymoj me yjet”, përmbledhje me krijimtari të përzgjedhur.
  • 2018 “Nga një botë tjetër” Poezi.
  • 2008 “Lind nga perëndon” Poezi
  • 2006 “Dhe engjëjt simulojnë” Tregime, esse e përsiatje
  • 2001 “Sfidë” Poezi

Fatos Arapi Poezi

(Zvërnec, 19 korrik 1930 – Tiranë, 11 tetor 2018)

Gloria Victis

(Lavdi Humbësve)

Sepse jemi ne humbësit e mëdhenj.
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Sepse ne, vetëm ne, dimë të gabojmë.
Ne gabojmë në miqësi, dhe humbasim.
Ne gabojmë në dashuri, dhe humbasim.
Ne gabojmë në shpresat tona, dhe humbasim
Zaret e bardhë të fateve tona
Ne i hedhim para – dhe vazhdojmë
T’i hedhim ato edhe mbasi ta kemi kaluar Rubikonin.
Të gjithë na kanë faj dhe askush.
Të tjerët vetëm fitojnë,
Ndërsa ne jemi populli humbës

I humbjeve të mëdha. Zemra jonë
Eshtë një mollë e artë dhimbjeje.
Nuk duam të njohim pushtetin e errët të smirës,
Dhe gabojmë, nuk e njohim
Lakminë akrep të pushtetit, dhe gabojmë.
Sepse ne-vetëm ne! Dimë të gabojmë.
Këmbët tona të zbathura janë ato gjethe vjeshte
Që bien dhe ecin në rrugë; shpirti ynë
Eshtë prej lënde të brymtë trishtimi,
Të gjithë mund ta vrasin.
Të tjerët jo, ata janë fitonjës të përjetshëm,
Ata s’humbasin kurrë, sepse
Kurrë nuk gabojnë.

Ndërsa ne gabojmë – ashtu siç dimë vetëm ne!
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Dhe i kemi kthyer krahët lavdisë fitonjëse.
Ne njohim vetëm lavdinë e popullit
Të humbjeve të mëdha. Sepse ne
– po vetëm ne!-
Jemi të vërtetë.

Si s’të desha pak më shumë

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë.
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.


Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër.
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:

“Si s’të desha pak më tepër…

Projektet e mbështetura nga Ministria e Kulturës e Republikës të Shqipërisë

Periudha: 2015-2019

Nga Valbona Nathanaili

Synimi i këtij artikulli është të krijohet një ide e përgjithshme nga publiku i interesuar për fondet financiare të akorduara nga Ministria e Kulturës në mbështetje të shoqërisë civile dhe individëve gjatë periudhës kohore 2015-2019, për këto terma: sa është shuma totale e vënë në dispozicion (për thirrjet e dhjetorit), sa është numri i projekteve të mbështetura, vlerësuar në një perspektivë krahasuese (organizatë/individë), sa kanë qenë shumat minimale dhe maksimale të përftuara në çdo vit, si dhe kush është përgjegjës për alokimin e tyre.

Të dhënat janë nxjerrë nga faqja on-line e Ministrisë së Kulturës (programi i transparencës, “Regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve”, prill 2015-dhjetor 2018 (https://kultura.gov.al/regjistri-i-kerkesave-dhe-pergjigjeve/), si dhe nga publikimi i rezultateve të thirrjeve.

Nga të dhënat, numri i projekteve hartuar nga individë dhe të mbështetur financiarisht, për periudhën 2015-2019 ka ardhur në rritje. Ekziston prirja, që aplikimet e këtij grupi të jenë individuale, pra kryesisht një person i vetëm; rrallë aplikohet në grupe prej dy anëtarësh.

Sa i takon organizatave që kërkojnë mbështetje financiare në fushën e librit dhe të kulturës, ka prej tyre që kanë ruajtur të njëjtën tematikë, veçanërisht ato që merren me organizimin e panaireve të ndryshme të librit, si dhe të koncerteve. Fitues të fondeve janë edhe disa universitete private: Universiteti Metropolitan i Tiranës (çdo vit rresht, gjatë periudhës 2016-2019, nëpërmjet qendrës Metroresearch), Universiteti Polis dhe Universiteti Europian i Tiranës.

Nga të dhënat e “Regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve”, në përgjigje të një kërkese ardhur pranë protokollit, Ministria e Kulturës nuk ka ushtruar audite as për organizatat, as për individët, për mënyrën si janë shpenzuar fondet e dhëna prej saj për periudhën  2016 – 2017.

Në vitin 2015 (thirrja për aplikime dhjetor 2014), shuma e fondeve publike për subjektet e shoqërisë civile (individë dhe organizata) është 23 milion lekë; shuma minimale e përfituar nga një organizatë për këtë vit është 200,000 lekë, ndërsa shuma maksimale është 2,119,000  lekë.

Në vitin 2016 (thirrja për aplikime dhjetor 2015), shuma e fondeve publike për subjektet e shoqërisë civile (individë dhe organizata) është 54.7 milion lekë; shuma minimale e përfituar është 195,300 lekë, ndërsa shuma maksimale është 1,500,000  lekë; nga 92 projekte të mbështetura nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, 20 kanë qenë individualë (kryesisht një person dhe shumë rrallë 2). Ndryshe, projektet e suksesshme fituar nga individët kanë qenë në masën 22%. (Në total, shuma e fondeve publike të akorduara nga Ministria e Kulturës për vitin 2016, për projekte artistike në fushën e art, kulturë dhe trashëgimi kulturore, në mbështetje të subjekteve të shoqërisë civile është 147,593,227 lekë).

Në vitin 2017 (thirrja për aplikime dhjetor 2016), shuma minimale e përftuar është 200,000 lekë dhe shuma maksimale e përfituar është 1,600,000 lekë; nga 123 projekte të mbështetura nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, 51 kanë qenë individualë (kryesisht një person dhe shumë rrallë 2). Ndryshe, projektet e suksesshme fituar nga individët kanë qenë në masën 42%. (Në total, shuma e fondeve publike të akorduara nga Ministria e Kulturës për vitin 2017, për projekte artistike në fushën e art, kulturë dhe trashëgimi kulturore, në mbështetje të subjekteve të shoqërisë civile, është 157,655,671 lekë).

Në vitin 2018 (thirrja për aplikime dhjetor 2017), nga 128 projekte të mbështetura nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, 32 kanë qenë individualë (kryesisht një person dhe shumë rrallë 2). Ndryshe, projektet e suksesshme fituar nga individët kanë qenë në masën 25%.

Në vitin 2019 (thirrja për aplikime dhjetor 2018), nga 151 projekte të mbështetura nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, 50 kanë qenë individualë (kryesisht një person dhe shumë rrallë 2). Ndryshe, projektet e suksesshme fituar nga individët kanë qenë në masën 33%.

Për katër vitet e marrë në konsideratë (2016-2019) janë mbështetur në total, në shifra absolute, 494 projekte, nga të cilët 153 kanë qenë individualë, ose ndryshe, projektet e suksesshme fituar nga individët kanë qenë në masën 31%.

Nga të njëjtat burime, për vitet 2016 dhe 2017 nuk ka pasur asnjë shërbim të prokuruar për këto organizata që kanë marrë fondet. Për këto dy vite janë shpërndarë, në total, 77.7 milionë lekë vetëm për këtë thirrje.

Procedurat për dhënien e fondeve për OJF-të, sipas burimeve të mësipërme ndjekin këtë procedurë (Burimi: Regjistri i mësipërm, nr. 56, datë 7.03.2018, kërkesë për informacion): me urdhër të Ministrit përkatës, krijohet Kolegjiumi, i përbërë nga pesë punonjës ekzistues të Ministrisë së Kulturës (i përkohshëm, shpërndahet me mbylljen e thirrjes), të cilit i bashkangjiten 5 punonjës në rolin e një sekretarie teknike, si dhe 1 punonjës i Drejtorisë së Financës. Propozimet nga Kolegjiumi shkojnë te Ministri, i cili merr vendimin.

Në faqen e Ministrisë të dhënat për projektet kanë vetëm këto të dhëna: fushën ku zbatohet projekti, titullin, emrin e aplikantit, qytetin ku zbatohet dhe periudhën (ose kohëzgjatjen e zbatimit).

Nga të dhënat, projektet zbatohen kryesisht në Tiranë. Për vitin 2019, nga 151 projekte, 63 prej tyre zbatohen vetëm në Tiranë (ose 42%) dhe afro 18 të tjera e kanë edhe Tiranën si vend ku zbatohen.

Nuk ka asnjë të dhënë për objektivat e projekteve, për rastet e suksesit, për perfomancën, për mësimet e nxjerra, për rekomandimet që mund t’u bëhen të interesuarve në të njëjtën fushë, për aktivitetet e kryera, për mënyrën si janë seleksionuar, për vendin ku depozitohen rezultatet e projektit, për të metat që janë vënë re, për synimin për t’i replikuar në sa më shumë rrethe e zona.

Së fundmi, ka arsye të shtrohet pyetja, që nëse një organizatë a shoqatë mbështetet për katër a pesë vjet me të njëjtin projekt, atëherë ai projekt nuk i takon më organizatës a shoqatës, por Ministrisë së Kulturës, ose të paktën nuk duhet të përfshihet në një thirrje ku supozohet se të gjithë e fillojnë startin me të njëjtat kushte: konkurrojnë me ide të reja, të panjohura për Kolegjiumin e Ministrisë dhe për vetë Ministrin.