Traktati i Ekstradimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë

Traktati i Ekstradimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë

Ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, më 1 mars 1933 nënshkruhet në Tiranë Traktati i Ekstradimit. Sipas dokumentit, shqipëruar nga Valbona Nathanaili, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkrimi është bërë më 14 nëntor 1935.

Në foto kryesore: Firmat e dy nënshkruesve të këtij dokumenti.

Në foto më poshtë: Dokumenti origjinal

Protokoll shkëmbimi

Të nënshkruarit z. Faik Konitza, i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Washington, dhe z. Cordell Hull, Sekretar Shteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të autorizuar rregullisht nga qeveritë përkatëse, janë takuar me synim shkëmbimin e ratifikimeve të Traktatit të Ekstradimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nënshkruar në Tiranë më 1 mars 1933. Ratifikimet e Traktatit të sipërpërmendur janë krahasuar me kujdes dhe janë gjetur saktësisht me njëri-tjetrin. Shkëmbimi mori jetë këtë ditë, në përputhje me procedurat e zakonshme.

Në dëshmi të së cilës, ata nënshkruan Protokollin e Shkëmbimit të paraqitur dhe e kanë fiksuar atë me vulat e tyre mbi të.

Realizuar në Washington, më datë katërmbëdhjetë nëntor, një mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë.

Faik Konitza

Cordell Hull

 

Fajtorë pa faj  Nga Valbona Nathanaili

Fajtorë pa faj

Ose “Të gjithë që të pasurohen edhe më shumë disa”

 Nga Valbona Nathanaili

29 korrik 2016

Sapo morëm edhe “sihariqin” e fundit nga qeveria: ulet kufiri i taksueshëm i blerjeve on-line në 22 euro. E thënë shkurt: çdo blerje që e kalon këtë shumë, – afro 3000 në lekë shqiptare, taksohet me 22.4% të vlerës së mallit (20% TVSH + 2.4% taksë doganore). Por po të shtojmë edhe faktin që vetëm posta (e shpejtë dhe e sigurt) për të sjellë mallin deri në Shqipëri shkon, përgjithësisht, afro 20 euro, ndërkohë që bankat, tepër vigjilente për raste të tilla, mbajnë komisione, vlera e mallit që mund të sjellësh pa taksuar nuk është më 22 euro, por 0 euro, ose 0 lekë. Një qeveri që ndikohet kaq thjesht e shpejtë nga çdo grykës i pangopur nuk besoj se kemi pasur më parë.  Një qeveri më anti-globale ndërkohë që ka një ministri inovacioni dhe një ministri integrimi vështirë se mund të mendohej. Një qeveri më të djathtë se kjo qeveri e majtë që kanë votuar një milion shqiptar uroj të mos kemi më.

Sipas qeverisë, ky vendim merret “për të shmangur konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import.” Duhet të jetosh në ndonjë planet tjetër që ta besosh një arsyetim të tillë. Ose t’i kesh paratë me thasë e të mos kuptosh luftën për mbijetesë që bëjnë shqiptarët e thjeshtë për t’ia dalë deri në fund të muajit. Ose të jesh aq hundëlesh, sa çdo paaftësi për ta siguruar këtë konkurrencë të ndershme t’ia faturosh popullit. Ose thjesht je injorant në ekonomi e politika dhe ne, populli, si gjithmonë vuajmë mediokritetin dhe grykësinë e atyre që na drejtojnë.

Konkretisht. Subjektet tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend e kanë për detyrë të paguajnë taksa dhe tatime. Nuk çudit njeri kjo. Çudi do të ishte po të kalonin mallrat e tyre pa paguar këto detyrime. Por nuk jemi ne, njerëzit e thjeshtë, fajtorët që në vend ka konkurrencë të pandershme. Pse duhet të ndëshkohemi për një faj që nuk e kemi bërë? Cili gjykatës, veçanërisht tani që jemi edhe të “reformuar”, do guxonte të jepte një verdikt të tillë? Shteti ka mekanizma për ta bërë “zap” konkurrencën e pandershme. Shteti bëri zap, kur deshi, ose kur ishte më i devotshëm se sa duhej, – sipas kryeministrit, – vjedhësit e energjisë elektrike në fshatrat më të humbur të Shqipërisë dhe të mos bëjë dot zap disa “biznesmenë” që bëjnë tregti me çanta e valixhe dore!? Ose që bëjnë blerje on-line me çmime të ulura e kur ka oferta dhe pastaj na i shesin me çmime skandaloze? Po konsumatorin kush e mbron ose do ta mbrojë në raste të tilla? Konkurrenca e pandershme dhe synimi për ta shmangur atë, si shkak për të ulur kufirin e blerjeve të taksueshme on-line është jo i besueshëm si argument. Dhe jo bindës, sepse dukshëm është i njëanshëm: mbron pakicën e pasur dhe dënon shumicën e varfër.

Akoma, pagesa e këtyre taksave nga bizneset nuk është se i varfëron ata – njëlloj do na e faturojnë neve që ri-blejmë atë që ata kanë blerë ose edhe ri-blerë më parë, sepse është biznes fitimprurës, por për blerësit që shfrytëzojnë blerjet on-line është një mundësi e mirë për të pasur diçka cilësore,  – ndonjëherë në të rrallë për hir të së vërtetës, të përballueshme për të ardhurat. Që nuk ta sigurojnë pikërisht këta tregtarë që “qahen” për konkurrencën e pandershme, që arrijnë të lobojnë në shtresat më të larta të vendimmarrjes dhe të ndryshojnë politikat e një shteti. Nga kjo formulë e re e taksimit, shtresa që preket më shumë është e ashtuquajtura e mesme, po ajo që, e njëjta qeveri, ja rriti tatimin në të ardhurat sepse fitonte shumë – e famshmja taksë progresive (!!) Kapitalistët “fshatarë” shqiptarë që ende ulen këmbëkryq në tavolinë e kanë mentalitet të kohës së Zogut, nuk pyesin për disa euro ose lekë më shumë a më pak. Deputetët e ministrat jo e jo – rrobat e tyre nuk duken nga ato që blihen me -60 %. Të varfrit kanë luftën për mbijetesë. Si gjithmonë mbetet shtresa e mesme, ose shtresa “ndërmjet”, mallkimi i së cilës është se di më shumë se duhet dhe punon për fshatarët e mësipërm, por duke qenë e lidhur ngushtësisht me rrogën dhe të ardhurat modeste, është e paaftë për të qenë faktor në ndryshim. Dhe paguan heshtjen dhe komformitetin e vet.

Sipas revistës “Monitor”, referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, është rritur shumë numri i transaksioneve që lidhen me blerjet on-line jashtë vendit. Që do të thotë më pak blerje në qendrat tregtare dhe në dyqanet e butikët që mbushin rrugët e qyteteve tona. Kjo përbën shqetësim jo sepse ka më pak xhiro për pronarët e vegjël në dyqanet e rrugës, por sepse ka më pak blerje në qendrat e mëdha tregtare, pronarët VIP të të cilëve, e kanë të thjeshtë të ndikojnë në vendimmarrjen e qeverisë, sipas parullës: “Të gjithë që të pasurohen edhe më shumë disa”. Një lloj si në komunizëm: vetëm se atëherë të gjithë vishnim pantallona doku dhe fustane me copë turke, ndërsa tani të gjithë të vrapojmë të TEGU e QTU kur bëjnë ulje firmat me çmimet më të ulëta në Europë. I njëjti uniformitet, vetëm se ka ndryshuar marka e lustra. Shqipëria europiane sipas modelit të vitit 2016.

 

Domosdoshmëria që udhëheqësit politikë të mos qëndrojnë “përjetësisht” në drejtim 

Ngritja dhe rënia e kombeve. Forcat e ndryshimit në botën post-krizë Autor Ruchir Sharma

Përktheu Valbona Nathanaili

Shtëpia Botuese “Pema”, Prishtinë, qershor 2017

Pjesë nga libri

Janë të rrallë ata udhëheqës politikë që e kuptojnë se mënyra më e mirë për të siguruar një vend të respektuar në histori është të tërhiqen pas një mandati të suksesshëm. Përkundrazi! Shumë prej tyre aspirojnë të vdesin në postin e kryetarit dhe bëjnë të pamundurën, – duke tejzgjatur kufizimet kohore që ka mandati, zhvendosur sa nga një post drejtues në tjetrin, ose edhe emëruar në poste drejtuese miqtë a të afërmit për të shërbyer në këmbë të tyre. Në Rusi, Putin u dredhoi kufizimeve kohore të mandatit duke u zhvendosur nga zyra e kryeministrit në atë të presidentit dhe anasjelltas. Në Turqi, Erdoğan ka ndjekur një udhë pak a shumë të njëjtë: pasi dështoi në ndryshimin e rregullave që e ndalonin të kandidonte si kryeministër i vendit për herë të katërt, kandidoi për president më vitin 2014 dhe fitoi. Me ardhjen në fuqi, firmosi urdhrin që rezidenca e presidentit të vendit të ishte ajo e ish-kryeministrit, pallati i sapondërtuar nën drejtimin e tij, me një mijë dhoma dhe që kishte kushtuar 600 milionë dollarë. Njëlloj si Putin dhe shumë të tjerë përpara tij, Erdoğan mund të kishte siguruar një trashëgimi të denjë, si një nga udhëheqësit më të mëdhenj të kombit për periudhën e pasluftës, – nëse do të ishte tërhequr me nder pas dy mandateve të njëpasnjëshëm. Por, në vend të kësaj, zgjodhi të qëndrojë dhe të jetë në qendër të një debati kontrovers. Në fund, – thotë Ralph Waldo Emerson, – të gjithë heronjtë janë thjesht njerëz të mërzitshëm.

Është shenjë e keqe për një vend kur udhëheqësit e tij nuk heqin dorë nga privilegjet që të jep pushteti dhe e shohin veten si të personifikuar me kombin. Socialisti bolivian, Evo Morales, e drejtoi vendin përgjatë dy mandateve dhe arriti të krijojë një ekonomi pothuaj të fortë. Më pas, ia arriti të ndryshojë kushtetutën dhe të mundësojë zgjedhjen e vetes edhe për një mandat të tretë, e cila përsëri nuk është shenjë e mirë. Ndërkohë, udhëheqësit aktualë të Brazilit, Malajzisë, Afrikës së Jugut dhe Venezuelës, – të gjithë janë zgjedhur me kujdes nga paraardhësit e tyre dhe kanë ndjekur pothuaj politika krejtësisht të ngjashme. Të tjerë e trashëgojnë pushtetin te të afërmit ose bashkëshortet dhe kjo është arsyeja, pse gruaja ambicioze e presidentit peruvian, Ollanta Humala, gjykohet nga shumë vëzhgues si pasardhësja e mundshme e tij, ose si presidentja e Argjentinës, Cristina Kirchner, mori postin e saj.

Nëse regjimet e konsumuar dhe të vjetër nuk kanë gjasa t’u ofrojnë njerëzve shpresën për reformimin e ekonomisë, e kundërta është e vërtetë për regjimet e rinj. Le të marrim në konsideratë përsëri protestat e verës së vitit 2013: Në atë kohë, në njëmbëdhjetë nga njëzet e një vendet më të mëdha të botës në zhvillim, partitë që përbënin shumicën kishin qëndruar në pushtet për më pak se tetë vjet dhe asnjë nga regjimet e tyre nuk u vendos në shënjestrën e protestave masive. Një rast i debatueshëm mund të jetë Egjipti, ku revoltat e Pranverës Arabe përmbysën dy regjime të njëpasnjëshëm, shumë shpejt, por në vitin 2013 protestat ishin kundër qeverisë ushtarake të ish-Marshallit në terren Abdel Fattah el-Sisi, i cili pothuaj nga të gjithë konsiderohej si mishërimi i diktatorit të vjetër Mubarak. Me pak fjalë, protestat e klasës së mesme në të katër anët e botës kanë qenë kundër regjimeve të konsideruar si në grahmat e fundit të agonisë së tyre, për t’u dhënë mundësi e hapur udhën të rinjve të provojnë vetveten. Këta regjime të rinj mbështeteshin në udhëheqës të pasprovuar në politikë, por të promovuar se do të ndërmerrnin reforma serioze për çuarjen përpara të ekonomisë, si për shembull në Meksikë, Filipine dhe Pakistan. Në këto vende, të rinjtë, të mirë-arsimuarit dhe klasa e mesme nuk kishin arsye të kundërshtonin miqtë e tyre dhe të dilnin në rrugë. Ata kishin arsye të besonin se ndryshimi për mirë është i mundur nën drejtimin e udhëheqësve të rinj. Dhe kështu bënë. Dhe kështu duhet të bëjnë të gjithë ata që vështrojnë këto kombe.

 

 

DY PËRRALLA Nga Johan GALTUNG

DY PËRRALLA GAMILE, NUMRA DHE GJËRA TË TJERA Nga Johan GALTUNG

Përshtati në shqip: Valbona Nathanaili

Përralla e parë 

Na ishte një herë e një kohë një mulla që ishte nisur për në Mekë mbi një gamile. Rrugës, pranë një oazi, sheh tre burra ulur që qanin. Ndalon gamilen dhe i pyet: – Bijtë e mi, çfarë keni? Ata i përgjigjen: – Babai ynë ndërroi jetë. Ne e donim shumë! Oh, – përgjigjet mullai, – besoj edhe ai ju donte shumë dhe, sigurisht, do ketë lënë diçka për ju.

Të tre burrat, ndalojnë vajtimin, e i thonë: Po, na ka lënë! Na la disa gamile. Dëshira e tij ishte që t’i ndanim ndërmjet nesh në këtë formë: djali i parë të marrë 1/2 e tyre, i dyti 1/3 dhe i treti, më i vogli, 1/9. Sigurisht që ne do zbatojmë vullnetin e tij, por ka një problem. Babai na ka lënë 17 gamile dhe, duke qenë se 17 është numër tek, na vjen keq t’i ndajmë gamilet në këtë formë. Ne i duam shumë gamilet, prandaj jemi të mërzitur.

Mullai mendohet pak e u thotë: Unë po ju fal gamilen time. Në këtë mënyrë, ju bëhen 18 dhe 18, duke qenë numër çift, plotpjestohet edhe me 2, edhe me 3 dhe, edhe me 9. Kështu mos u mërzisni.

Burrat u dukën të hutuar fillimisht, por pas insistimit të mullait, e pranuan dhuratën. Të 18 gamilet i ndanë sipas testamentit: 9 gamile mori djali i parë, 6 gamile i dyti dhe 2 gamile i vogli.

Në total: 9+6+2=17.

Mënjanë, “gjallë e shëndoshë” sikundër të gjitha gamilet e tjera, ishte edhe gamilja e mullait.

-Mbaruat? – I pyet mullai. – Jeni të kënaqur tani? A mund ta marr përsëri gamilen time?

Të tre burrat, ndonëse nuk e kuptuan shumë mirë se çfarë ndodhi, i shprehën mirënjohen. Mullai mori gamilen e tij përsëri, i hipi dhe, gjëja e fundit që panë nga ai ishte një re rëre që ngrihej nga pas, ndërkohë që rrezet e fundit të një dielli mbrëmjeje përqafonin tokën.

Përralla e dytë 

Na ishte një herë e një kohë një avokat që ishte nisur për pushime në shkretërirë në një makinë të shtrenjtë. Rrugës, pranë një oazi, sheh tre burra të ulur që qanin. Ndalon makinën dhe i pyet: Çfarë ka ndodhur, pse qani. Ata i përgjigjen: – Babai ynë ndërroi jetë. Ne e donim shumë! Oh, – përgjigjet avokati, – besoj edhe ai ju donte shumë dhe, sigurisht, do ketë lënë diçka për ju. Unë mund t’u ndihmoj të zbatoni vullnetin e tij, kundrejt një pagese, sigurisht.

Të tre burrat, ndalojnë vajtimin, e i thonë: Po, na ka lënë! Na la disa gamile. Dëshira e tij ishte që t’i ndanim ndërmjet nesh në këtë formë: djali i parë të marrë 1/2 e tyre, i dyti 1/3 dhe i treti, më i vogli, 1/6. Sigurisht që ne do zbatojmë vullnetin e tij, por ka një problem. Babai na ka lënë 17 gamile dhe, duke qenë se 17 është numër tek, na vjen keq t’i ndajmë gamilet në këtë formë. Ne i duam shumë gamilet, prandaj jemi të mërzitur.

Avokati mendohet pak e u thotë: Shumë e thjeshtë. Pagesa ime është 5 gamile. Kështu ju mbeten 12. Numri 12, duke qenë numër çift, plotpjestohet edhe me 2, edhe me 3 dhe, edhe me 6. Llogaritë janë: 6 gamile për djalin e parë, 4 gamile për të dytin dhe 2 gamile për të voglin. Në total: 6+4+2=12 dhe pesë gamile për avokatin.

Dhe kështu bënë. Avokati i lidhi gamilet pas makinës, u nis dhe, gjëja e fundit që panë nga ai ishte një re rëre që ngrihej nga pas, ndërkohë që rrezet e fundit të një dielli mbrëmjeje përqafonin tokën.

Foto kryesore: Nga promovimi i librit të autorit të ri Xhuljan Ferzaj, “Aventurat e Piterit”, COD, 2017.

Koncepti i kombit kosovar, ose radikalizmi i një teorie nacionaliste Nga Valbona Nathanaili

Koncepti i kombit kosovar, ose radikalizmi i një teorie nacionaliste

Nga Valbona Nathanaili

Artikulli i Nexhmedin Spahiut me titull “Koncepti i kombit kosovar”, botuar në MAPO datë 25.11.2014, përpiqej të trajtonte, shkencërisht do thosha, atë të ekzistencës së kombit kosovar. Shembujt e shumtë që ilustronin artikullin, kryesisht nga Europa, ishin në funksion të një ideje: sa kohë kemi një shtet kosovar, kemi edhe një komb kosovar. Argumenti përpiqej të merrte nota edhe më bindëse kur citonte planin e Ahtisaarit që përmend kombin kosovar dhe fjalimet e Blair dhe Clinton që i uronin “jetë të gjatë kombit të ri kosovar”.

“Kaq shumë t’i ketë bërë përshtypje redaksisë së MAPO-s ky shkrim, sa pas Ninit të Beogradit ta botojnë edhe në faqet e veta?” – kështu fillonte një nga komentet, i vetmi në fakt deri në mesditë, që shoqëronte botimin online të këtij artikulli.

Po, ia vlen, sepse teoritë nacionaliste ekstreme janë të dëmshme, në mos të rrezikshme, veçanërisht kur përpiqen të ngrihen mbi baza shkencore.

Paraqitja e kombit dhe nacionalizmi

Ndryshe nga z. Spahiu, në vend që të bëj një histori se kur e si ka “lindur” kombi i parë, po paraqes një pikëpamje pothuaj standarde rreth marrëdhënies që ekziston ndërmjet nacionalizmit, kombit-shtet dhe politikave të jashtme, duke marrë si shembull përsëri Europën, por duke e shtrirë deri në ditët e sotme. Vërtet kombet-shtete u zhvilluan në Europë rreth mesit të shekullit XVII, si një mënyrë për të legjitimuar sovranitetin e tyre në territoret përkatëse, – dhe këtu pajtohem tërësisht me z. Spahiu, por autori anashkalon një argument shumë të rëndësishëm, atë të nacionalizmit që përshkon të gjithë Europën e fundit të shekullit XVIII, i cili jo vetëm “betonizoi” një simbiozë të tillë, por edhe identifikoi marrëdhëniet ndërkombëtare me marrëdhëniet ndërmjet kombeve-shtete. Konfuzioni në identifikimin e kombit me shtetin lidhet edhe me anëtarësimin në Organizatën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, ku termi “komb” identifikohet me atë “shtet”, argument të cilin e sjell edhe autori.

Në ditët e sotme një ndarje e tillë, thjesht politike për shumë studiues, po rivalizohet nga ideja se bota, më shumë se në shtete, është e ndarë në kombe, të cilët janë, në mos të vetmit, arsyeja për ndërtimin e politikave luajale ndaj tyre.

Të përkufizosh shtetet është më e thjeshtë se të përkufizosh kombet. Por nëse pothuaj të gjithë janë dakord se çfarë do të quajmë shtet, sa i takon kombeve ka qasje të ndryshme, të cilat gjithsesi, pavarësisht mënyrës si formulohen, në fund takohen në tri pika kryesore: 1. Bashkësia e njerëzve që kanë një histori të përbashkët, një kujtesë kolektive që e bën fatin e individit të njëjtë me të grupit. 2. Ekzistenca e lidhjeve të forta kulturore e gjuhësore, të cilat mundësojnë një komunikim social e në mënyrë perfekte brenda tij. 3. Barazi ndërmjet të gjithë anëtarëve.

Pa i bërë aspak apel historisë së përbashkët të shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri, lidhjeve të forta dhe barazisë që kemi natyrshëm ndërmjet njëri-tjetrit, koncepti i kombit kosovar që servir z. Spahiu, në rastin më të mirë mund të quhet nacionalizëm radikal, i cili sado modern që është si term, përfaqëson një ideologji që frymëzohet nga teori të vjetruara dhe kërkon të mbështetet në deklarata të kujdesshme bërë nga udhëheqës politikë botërorë në një çast delikat për Kosovën. Në nacionalizmin e tij z. Spahiu është i kujdesshëm, pasi shmang llojin etnik. Nacionalizmi i tij është civik, në emër të shtetit dhe vlerave të tij.

Nëse me këtë lloj ideologjie z. Spahiu përpiqet të justifikojë ekzistencën e shtetit kosovar, – së cilës i referohen edhe Blair dhe Clinton në deklaratat e cituara (kombi “i ri” kosovar”), – ato ishin për atë fazë dhe për atë kohë, mbas një periudhe të vështirë vuajtjesh e luftërash.

Në prill 1999, kryeministri i kohës së Anglisë, z. T. Blair, në një fjalim të mbajtur në Chicago për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, argumenton se “parimet e mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti duhen modifikuar për rastet kur qeveritë e një vendi sillen në mënyrë tërësisht johumane ndaj popullsisë së tyre”. Në emër të mbrojtjes së standardeve humanitare, të mospërsëritjes së masakrës së Bosnjës, të frikës se paramilitarët e ushtria e Millosheviçit do mbetnin pa dënuar për krimet e kryera dhe të mospërhapjes së konfliktit në gjithë Ballkanin, filloi të marrë jetë shteti i ri kosovar, por jo kombi kosovar. Ideologjia e nacionalizmit të artikuluar nga z. Spahiu nuk justifikon krijimin e kombit. E anasjellta është e vërtetë.

 

Guximi për të shpresuar Nga Barack Obama

Guximi për të shpresuar Nga Barack Obama

“Kjo është gjenia e vërtetë e Amerikës, besimi – besimi në ëndrrat e thjeshta dhe në mrekullitë e vogla … që mund të themi dhe shkruajmë atë që mendojmë, pa dëgjuar një trokitje të papritur në derë”

Fjala e mbajtur në Kongresin Kombëtar të Demokratëve

Boston, MA, 27 Korrik 2004

Faleminderit shumë. Faleminderit, Dick Durbin. Na bëre të ndiehemi krenarë.

Në emër të shtetit të madh të Ilinoisit, udhëkryq kombesh, Toka e Linkolnit, më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë për privilegjin e fjalimit në këtë Kongres.

Sonte është një nder i veçantë për mua, sepse le ta pranojmë, prania ime në këtë skenë është shumë e pangjashme. Im atë ishte student i huaj në ShBA, pasi ishte lindur dhe rritur në një fshat të vogël në Kenia, duke ruajtur dhitë dhe mësuar në një shkollë – kasolle me çati teneqeje. I ati, – gjyshi im –, ishte guzhinier, shërbëtor shtëpie për britanikët.

Por gjyshi im kishte ëndrra të mëdha për të birin! Përmes punës së vështirë dhe kursimit, im atë arriti të fitojë një bursë për të studiuar në një vend magjik, në Amerikë, që ndriçonte si fener lirie dhe plot mundësi për atë e shumë të tjerë të cilët kishin ardhur më parë.

Ndërkohë që studionte, im atë u njoh me nënën time. Ajo ishte lindur në një qytet në anën tjetër të botës, në Kansas. I ati punonte në një fushë nafte dhe ferma njëkohësisht pothuaj gjatë gjithë kohës së Depresionit. Ditën pas Pearl Harbor im gjysh u regjistrua në ushtri. U bashkua me ushtrinë e Patton e marshoi nëpër Europë. Kurse në shtëpi, gjyshja ime rriti një bebe dhe shkoi të punonte në një linjë për mbledhjen e bombave. Pas luftës, ata studiuan në G.I. Bill, blenë një shtëpi në F.H.A. dhe më vonë u zhvendosën në perëndim për në Hawai, në kërkim të mundësive. Edhe ata kishin ëndrra të mëdha për vajzën e tyre. Një ëndërr e përbashkët e lindur në dy kontinente.

Prindërit e mi kishin jo vetëm një dashuri të pamundur, ata ndanin, gjithashtu, të njëjtin besim në mundësitë e këtij kombi. Ata më dhanë një emër afrikan duke më quajtur Barak, ose ”i bekuar”, duke besuar se në një Amerikë tolerante, emri nuk mund të ishte barrierë për sukses. Ata imagjinuan – më imagjinuan mua që shkoja në shkollat më të mira të vendit, edhe pse nuk ishin të pasur, pasi në një Amerikë bujare nuk ka nevojë të jesh i pasur për të arritur potencialin tënd.

Tani të dy kanë vdekur. Por unë e di se edhe tani, në këtë natë, ata shikojnë poshtë, këtu te unë, me krenari të madhe. Ata qëndrojnë aty – unë jam këtu sot, mirënjohës për diversitetin e trashëgimisë time, i kujdesshëm që ëndrra e prindërve të mi të jetojë tek dy vajzat e mia të çmuara. Qëndroj këtu duke e ditur që historia ime është pjesë e historisë së madhe të Amerikës, plot me mirënjohje ndaj gjithë atyre që erdhën para meje. Historia ime nuk është as e mundshme në asnjë vend tjetër në tokë.

Sot, ne mblidhemi për të afirmuar madhështinë e Kombit tonë – jo për shkak të gjatësisë së qiellgërvishtëseve tona, fuqisë së ushtrisë sonë, ose masës së ekonomisë. Krenaria jonë bazohet në një premisë shumë të thjeshtë, e përmbledhur në një deklaratë të bërë mbi dyqind vjet më parë: “Ne i mbajmë këto të vërteta për të qenë të qartë vetë, se të gjithë njerëzit janë të krijuar të barabartë, se janë pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe e kërkimi i lumturisë.”

Kjo është gjenia e vërtetë e Amerikës, besimi – besimi në ëndrrat e thjeshta dhe në mrekullitë e vogla; që ne mund t’i përçojmë tek fëmijët tanë natën dhe të dimë se ata janë të ushqyer, të veshur dhe të sigurt nga e keqja; që mund të themi dhe shkruajmë atë që mendojmë, pa dëgjuar një trokitje të papritur në derë; që mund të kemi një ide dhe të fillojmë një biznes tonin pa paguar rryshfet; që mund të marrim pjesë në një proces politik pa frikë nga ndëshkimi dhe se secila nga votat tona do të llogaritet e merret në konsideratë.

Këtë vit, në këto zgjedhje, jemi thirrur të riafirmojmë vlerat dhe angazhimet tona, për t’i mbajtur ato edhe në kushtet e një realiteti të ashpër, për të lidhur ato që trashëguam nga stërgjyshërit tanë me premtimin që u kemi bërë brezave që do të vinë.

Amerikanëve të rinj, demokratë, republikanë ose të pavarur, u them sot: ne kemi më shumë punë për të bërë – më shumë për të bërë për punëtorët që takova në Galesburg, Illinois, të cilët po humbin punën në uzinën Maytag sepse po zhvendoset në Meksikë dhe tani u duhet të konkurrojnë me fëmijët e tyre për punë që paguhen vetëm 7 dollarë/ora; më shumë për të bërë për babain, i cili kishte humbur punën dhe gëlltiste lotët, duke menduar se si do t’i paguante 4500 dollarë në muaj për ilaçet e të birit pa sigurime shoqërore; më shumë për të bërë për vajzën në East St. Louis dhe mijëra të tjerë si ajo, që kanë notat e mira, dhuntinë për shkollë, dëshirën për shkollë, por nuk kanë lekët për të shkuar në kolegj.

Tani mos më keqkuptoni. Njerëzit që kam takuar, – në qytete të vogla dhe të mëdha, në darka dhe parkingje zyrash –, nuk presin që qeveria të zgjidhë të gjitha problemet e tyre. Ata e dinë që duhet të punojnë shumë për të vazhduar përpara dhe duan ta bëjnë këtë. Shkoni në kontetë përrreth Chicagos dhe njerëzit do të thonë se nuk duan që paratë e taksave të tyre të harxhohen nga agjenci të ndryshme bamirësie, ose nga Pentagoni. Shkoni, – shkoni në lagjen time të qytetit -, dhe njerëzit do ju thonë se vetëm qeveria nuk mund t’i mësojë fëmijët. Ata e dinë se edhe prindërit duhet t’i mësojnë dhe çfarë t’u mësojnë; që fëmijët nuk mund të mësojnë më shumë nëse ne vetë nuk i rrisim pritshmëritë ndaj tyre, t’u fikim televizorin dhe të çrrënjosin paragjykimin sipas të cilit “një i ri i zi me libër, duket si i bardhë”. Ata i dinë këto gjëra.

Njerëzit nuk presin, – njerëzit nuk presin që qeveria të zgjidhë të gjitha problemet e tyre. Por ata e ndjejnë, thellë brenda vetes, se thjesht me një ndryshim të vogël tek prioritetet, ne mund të sigurojmë që çdo fëmijë në Amerikë të ketë një jetë të përshtatshme dhe që dyert e mundësive të mbeten të hapura për të gjithë.

Ata e dinë që ne mund të bëjmë më mirë. Ata e duan atë zgjedhje.

Në këto zgjedhje elektorale, ne e ofrojmë atë zgjedhje. Partia jonë ka zgjedhur një burrë për të na udhëhequr, i cili mishëron më të mirën që ky vend mund të ofrojë. Dhe ky burrë është John Kerry.

Politika si profesion dhe demokracia jonë e brishtë Nga Valbona Nathanaili

Politika si profesion dhe demokracia jonë e brishtë

Ose topi është i imi dhe penalltinë e gjuaj unë

Nga Valbona Nathanaili

Në mbyllje të këtij legjislacioni, situata politike e krijuar nga afrimi i zgjedhjeve të reja për Kuvendin e Shqipërisë, sado e turbullt që duket nga dilema e pjesëmarrjes a jo të partisë më të madhe opozitare të radhës, duket se bëhet zi fare po të reflektosh në lidhje me deklaratat që dëgjohen nga shumë ish-deputetë të së majtës, të cilët të lënë jashtë listave për deputetë (lexo, punë) të punëdhënësit të tyre, kush më gjatë e kush më shkurt, me apo pa mllefe, me apo pa mallëngjim, po japin deklaratat a porositë e fundit. Por pavarësisht notave emocionale, e vetmja gjë që i bashkon të gjitha bashkë është mënyra se si konceptohet të qenit deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, – një lloj marrëdhënie e krijuar si ndërmjet një punëdhënësi e një punëmarrësi, ku punëmarrësi është deputeti dhe punëdhënësi kryetari i partisë. Dhe kontrata e punës është individuale: unë dhe ti, tamam si në një kompani private, vetëm se në rastin e kompanisë janë në lojë interesat e biznesit të një pronari, të cilat t’i bën të qarta çdo ditë e më shumë, në rastin e partisë është e gjithë Shqipëria dhe të gjithë ata njerëz që i mban ende shpresa se këtë radhë të zgjedhurit do të jenë më të mirë, se do punojnë më shumë për ata dhe më pak për veten e tyre. Gënjeshtra!

Mallëngjimi pas njëzet e shtatë, apo dhjetë, apo pesëmbëdhjetë vitesh për shërbimin në atë detyrë, dëshira për të lënë pasardhës një të ri a një të re, frika se mos zëvendësohen nga ndonjë hajdut pulash janë shumë jo për të na qartësuar se si kanë vegjetuar me heshtjen e bindjen e tyre për vite me radhë ndaj kryetarit të radhës, por shumë për të na këputur edhe fijen e fundit të dyshimit se kryetari i partisë është ai që heq e shton emra në lista, pa asnjë procedurë demokratike në një institucion që me statut e ka që lufton për instalimin e demokracisë. Dhe ata ikin të mallëngjyer që punuan si deputetë për një kohë të gjatë. Kanë keqardhje që nuk do të ulen në të njëjtën karrige që janë ulur për vite me radhë. Që nuk do ngrenë dorën për të votuar me unanimitet çdo ligj që u rrit pagën a pensionin, që u fal kreditë e marra në bankë a u siguron një shtëpi. Që nuk do shikojnë nga dritarja se si ky vend rrënohet përditë e më shumë, vetëm që të fitojë dikush dhe ata të licencojnë fitimin e atij, me kusht që t’u mbetet edhe ndonjë kockë për vete. Në një vend ku përditë pushohen njerëz nga puna sepse janë të djathtë për të majtët dhe të majtë për të djathtët, për një status në facebook, për një shikim vëngër të një politikani, ose thjesht për hiçmosgjë. Në një vend ku dikush që gdhihet në një burg të Francës a Italisë, ngryset në karrigen e deputetit a të këshilltarit a të ministrit në Shqipëri. Ku ka humbur çdo moral për t’i thënë një të riu mëso dhe puno që të ecësh përpara, sepse të thotë se nuk merr vesh nga jeta. Ku modeli më i suksesshëm është fshatari që mbjell drogë, fermeri që i mbyt prodhimet me hormone, krimineli që bëhet politikan dhe politikani që bën biznes me të ardhmen e këtij vendi. Dhe të kesh shqetësim se nga kush do zëvendësohesh? Të kesh ndonjë dyshim? Radha është gati, – dikush me merita të veçanta për kryetarin, që ka zanat buzëqeshjen dhe karakter heshtjen, që ka dhënë prova se është besnik, se nuk flet po fitoi edhe për vete diçka. Ja kush…

Topi është i imi dhe do e gjuaj unë penalltinë, – në fakt është një shprehje që kishte dëshirë ta përdorte një ish-koleg, kur i referohej pronarit të vogël të një kompanie të madhe ku punonte i biri, huazuar nga filmi i famshëm realizuar në kohën e diktaturës. Kryetarët e partive, aka monarkët e rinj të Shqipërisë janë edhe më arrogantë se ai pronari i vogël i kompanisë së madhe që kishte punësuar djalin e kolegut tim. Sepse as nuk përpiqen ta gjuajnë penalltinë, sikur edhe sikur. Aq të qetë e të patrazuar janë në lojën e tyre brenda partisë. Aq të qetë e të patrazuar janë në lojën e tyre me gjithë Shqipërinë. Shndërrimi i politikës në profesion në një vend me probleme me demokracinë e me zhvillimin, të bën po aq fajtor sa edhe hajduti i pulave. Mos ikni jo se do mallëngjehemi bashkë me ju, por kthehuni që të justifikoni ato që keni marrë duke qëndruar në atë vend. Ne e dinim se ju kishim votuar të luftonit për ne me mënyra demokratike, me fjalën, qëndrimin dhe veprimin tuaj.

Foto kryesore:  Momente nga filmi “Tomka dhe shokët e tij”, me skenar nga Nasho Jorgaqi, kompozitor Aleksandër Lalo dhe regji të Xhanfise Keko. Berat, 1997: Prodhim i kinostudios “Shqipëria e Re”.

 

Në emër të korrupsionit dhe kronizimit

Në emër të korrupsionit dhe kronizimit

Një vrasje e paralajmëruar – vritet me eksploziv në makinë gazetarja e “Panama Papers”, Daphne Caruana Galizia

Përgatiti: Valbona Nathanaili

Daphne Caruana Galizia, gazetare investigative dhe blogere nga Malta është vrarë të hënën, datë 16 tetor 2017, pranë shtëpisë së saj. Daphne (53 vjeç) po udhëtonte me një makinë të marrë me qira, kur është hedhur në erë me eksploziv, forca e të cilit ishte aq e fuqishme, sa mbledhja e pjesëve të trupit ka qenë pothuaj e pamundur – raportojnë zyrtarët që po merren me këtë rast. Për momentin nuk ka asnjë të dyshuar, por njëri nga djemtë e saj e ka drejtuar gishtin te paaftësia dhe indiferenca e qeverisë dhe forcave policore, si dhe kulturës së mosndëshkimit që po lulëzon në vend: “Mamaja ime u vra sepse vendosi të mbajë anën e ligjit, kundër atyre që kërkojnë ta shkelin atë. Duke qenë vetëm, ishte e lehtë të shndërrohej në objektiv. Kjo ndodh kur institucionet e shtetit janë të paafta dhe personi i fundit që ngre zërin është shpesh një gazetar”.

Daphne Caruana Galizia ishte e njohur në Maltë për zbulimin dhe denoncimin e rasteve të korrupsionit dhe të kronizmit të kryera nga zyrtarë të lartë në vend, të cilat i botonte kryesisht në blogerin e saj, Running Commentary. Artikujt e Caruana Galizia lexoheshin nga një numër shumë i madh njerëzish – kishte ditë kur numri arrinte në 400 000, ndërkohë që vetë popullsia e Maltës është afro 450 000.

Një pjesë e mirë e artikujve e kishin burimin në Panama Papers. Së fundmi, Daphne Caruana Galizia kishte vënë në shënjestër kryeministrin e vendit Joseph Muscat dhe dy nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, për lidhje me kompani offshore që merreshin me shitjen e pasaportave malteze dhe pagesa të ndryshme për qeverinë e Azerbaxhanit.  Pak më parë, objekt i denoncimeve të saj ka qenë bashkëshortja e kryeministrit, e cila akuzohej si përfituesja e një llogarie të fshehtë bankare në Panama.

Sipas The Guardian, presidentja e vendit, Marie-Louise Coleiro Preca ka bërë thirrje për qetësi: “Në këto momente, kur vendi është tronditur nga një sulm i tillë i dhunshëm, u bëj thirrje të gjithëve të peshojnë fjalët, të kenë kujdes gjykimet dhe të tregojnë solidaritet”.

 

Fjalë e re në fjalorin e gjuhës shqipe: kanabizim Nga Valbona Nathanaili  

Fjalë e re në fjalorin e gjuhës shqipe: kanabizim

Nga Valbona Nathanaili

Aktualiteti i sotëm pasurohet vazhdimisht me ngjarje e dukuri të cilat vite më parë do ishte e pamundur të përfytyroheshin. Përpjekja për t’i shpjeguar sa më qartë, si edhe dëshira për t’i identifikuar sa më thjesht, kanë çuar në lindjen e shumë fjalëve të reja. Vetëm gjatë këtyre dy viteve të fundit fjalori botëror është pasuruar me fjalë të tilla si “Fake News”, “Brexit” dhe “Post-Truth”. Secila prej tyre përmbledh një dukuri aq specifike dhe aq të ditës, aq të panjohur më parë dhe aq befasuese, sa nevoja për identifikimin e tyre ka qenë jo vetëm domosdoshmëri, por edhe një mënyrë e mirë për të ndërgjegjësuar një masë sa më të madhe njerëzish për pasojat e asaj që përfaqësojnë. Akoma, duhet theksuar fakti se të gjitha fjalët propozuar sa më sipër identifikojnë mënyra jo të sinqerta të sjelli, të shprehuri a të vepruari të grupeve të caktuara, të cilat duke shfrytëzuar përparësitë që të jep pushteti, paraja, teknologjia dhe informacioni, kanë përftuar privilegje me natyrë ekonomike e politike. Vendet e zhvilluara, kryesisht ShBA dhe Anglia kanë të drejtën të aplikojnë për të marrë autorësinë e këtyre fjalëve, por jo të koncepteve që përfaqësojnë, sepse duket sa janë të pranishme në mbarë botën.

Por dukuri të ndryshme, karakteristike kryesisht për vendet e botës së tretë, diktojnë nevojën për prezantimin e një fjale të re. Fillimisht po i referohem si shembull vendit tonë. Për një periudhë shumë të gjatë kohore, të themi prej dhjetë vjetësh, secila nga forcat politike që ka qenë në opozitë ka përdorur në mënyrë sistematike togfjalëshin “kanabizim i vendit”. Ky etiketim, pavarësisht llojit të opozitës që e ka përdorur, e majtë a e djathtë, gjithnjë ka referuar një dukuri negative, shoqërizuar me mungesën e pranisë së shtetit, ose të vullnetit të tij për të marrë masa në përputhje me legjislacionin në fuqi, po aq edhe me marrëveshje e protokolle ndërkombëtare. Duke marrë shkas nga sa më sipër, por në një shtjellim më të gjerë të këtij togfjalëshi, pak kohë më parë, kam iniciuar idenë e përdorimit të fjalës “kanabizim” edhe në rastin e universiteteve publike (shih një artikull po në këtë gazetë me një njëjtin titull). Por mendoj se ka ardhur koha jo vetëm për të dhënë një përkufizim të saktë se çfarë kuptojmë me “kanabizim”, por edhe për t’i dhënë statusin e një fjale me të drejta të plota, sikundër edhe fjalët, të themi “Atdhe”, “patriotizëm”, “integrim” etj.

Fakte

  1. Shumë vende të botës së tretë, në periudha të caktuara të historisë së ditëve të sotme, kanë qenë dhe janë në vëmendje të medias ndërkombëtare për shndërrimin e tyre në kultivuesin e furnizuesin kryesor, në nivel rajoni, pse jo edhe botëror, me droga të llojeve të ndryshme, në mënyrë ilegale. Klane të caktuara, etiketuar si mafioze, kanë në pronësi hektarë të tërë ku kultivohet kjo lloj bime, brenda të cilave shteti duket “i pafuqishëm” për të ndërhyrë. Në këto raste, të ardhurat në miliona euro, shkojnë për klanin, ndërsa shteti merr pjesën e tij të korrupsionit përfaqësuar, kryesisht, me zyrtarë të niveleve të ulëta. Një gjendje të tillë shteti shpesh e justifikon me varfërinë dhe e sheh si një zgjidhje për të shfryrë, deri në një farë mase, flluskën e varfërisë.
  2. Një dukuri e re që po vihet re në ditët e sotme, përsëri në vendet e botës së tretë, është zëvendësimi i rolit të klaneve që kultivojnë hektarë të tërë me kanabis në mënyrë ilegale me vetë shtetin. Shteti, në mënyrë të ndërgjegjshme, nëpërmjet disa strukturave specifike, përfaqësuar me njerëz të niveleve më të larta në hierarkinë shtetërore, lejon kultivimin e kanabisit në zona të caktuara, në mënyrë ilegale. Arsyetimi: një vend i varfër ka një vlerë shumë të vogël të shpenzimeve qeveritare. Përfitimi: të ardhurat në miliona euro, përdoren për të mbuluar shpenzime jo vetëm luksi e të mirash të tjera materiale, por edhe për të lobuar në organizata ndërkombëtare, blerë zyrtarë të huaj të akredituar në vend, për të qenë pjesë e aktiviteteve të shumta ndërkombëtare, për të sponsorizuar shkrimin e artikujve në media ndërkombëtare për lulëzimin e vendit, për të ndërtuar një imazh që nuk i përgjigjet realitetit, për të blerë zgjedhjet e ardhshme etj., etj. Një zgjidhje të tillë shteti shpesh e justifikon me nevojën për të shfryrë, në një farë mase, flluskën e varfërisë të shpenzimeve qeveritare.
  3. Zbulimi i shumë “skandaleve financiere”, që flasin për para të transferuara në ishuj financiarë nga shumë personazhe të politikës, biznesit a të kulturës, por lista është e gjatë, tashmë si në vendet në zhvillim, ashtu edhe në vendet e zhvilluara, kanë nxjerrë një të metë të madhe: shumë nga këto transaksione, që shpesh u referohemi si skandale, në fakt janë bërë në përputhje të plotë me ligjet e vendit. Kjo tregon se ligj-hartuesit, kanë lejuar “kultivimin e parcelave të caktuara me kanabis” në ligj, që u mundëson këtyre njerëzve të transferojnë para me ndërgjegje të plotë, për të mbuluar shpenzime që në kushte të tjera nuk do ishin në gjendje t’i kryenin.

Të tre rastet e mësipërme mund të përmblidhen me një fjalë të vetme: kanabizim.

Fjalë e re: kanabizim

Në një kuptim specifik, kanabizimi është një strategji, projektuar dhe zbatuar nga grupe të caktuara, me synim rritjen e të ardhurave nga aktiviteti i paligjshëm i rritjes së kanabisit dhe të ardhurave “me reputacion jo të mirë”, duke deformuar funksionin e misionin e shtetit. Të ardhurat ilegale të përftuara falë kanabizimit, u japin këtyre grupeve pushtet ekonomik dhe politik, përtej atij që mund t’u atribuohej në kushtet e një demokracie të konsoliduar dhe të funksionimit normal të një shteti të së drejtës.

Në një kuptim më të përgjithshëm, kanabizimi është strategjia për të hartuar politika politike dhe ekonomike, në mënyrë të ndërgjegjshme, që rrezikojnë funksionimin normal të sektorit publik dhe bëjnë të cenueshme shumë të drejta që duhet të gëzojnë qytetarët e një vendi demokratik. Kanabizimi është një lloj rendi i ri, në të cilin e shpien shoqërinë pushtetarë të papërgjegjshëm për rolin e misionin që kanë, si dhe për dëmin që i shkaktojnë vendit.

Kur na humbën standardet? Nga Valbona Nathanaili

Kur na humbën standardet?

Nga Valbona Nathanaili

26 shtator 2017

Përpara disa ditësh, në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë u organizua dëgjesa publike me kandidatët për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ose thënë ndryshe, me kandidatët që do të iniciojnë e ndjekin procesin e Vetingut në Shqipëri. Deri këtu çdo gjë dukej normalisht. Por jashtë normales, po aq sa e përfolur dhe e diskutuar në mjedise e nivele të ndryshme, ka qenë pjesa e pyetje-përgjigjeve të drejtuara nga pedagogu i një universiteti privat, pyetje të përgatitura më parë nga vetë ai, ndërkohë që përgjigjet duhej të jepeshin nga kandidatët.

Në fakt, është e vështirë të parashikosh skenarët që hartohen në situata të tilla, veçanërisht kur mendon se procesi duhej të shkonte normalisht, të zhvillohej mbi bazën e disa standardeve e një etike, që ndonëse as nuk i kemi shkruar dhe as nuk i kemi firmosur, mendon se në një shoqëri normale duhet të jenë në përmbajtje dhe themel të çdo marrëdhënie reciproke midis palëve. Por kushdo që ka lexuar “Ushtari i mirë Shvejk”, shkruar rreth viteve 1910 dhe botuar në shqip në fillimin e viteve 1980, e ka shumë më të thjeshtë. Shvejku akuzohet se ka vrarë Perandorin Josef të Parë, por duhet të dalë përpara komisionit të mjekëve të gjykatës, të cilët duhet të vendosin në se e ka kryer a jo krimin për të cilin akuzohet. Pyetjet e komisionit janë të tipit: A është radiumi më i rëndë se plumbi? A besoni në fundin e botës? A do të ishit në gjendje të llogaritnit diametrin e Tokës?

Një qind vjet më pas, tre mjekët e komisionit që morën në pyetje Shvejkun duhet të rrinë të qetë aty ku janë, se vepra e tyre nuk ka vdekur. Mund të ndjehen disi të ofenduar se janë personifikuar në vetëm një njeri, por gjithsesi, të mendosh se shumë të tjerë nuk e kanë pasur këtë fat. Njëri nga anëtarët e komisionit tonë, i cili kishte detyrë të vlerësonte formimin dhe integritetin e kandidatëve, që “akuzohen” se kanë guxuar të aplikojnë për një proces, ku shumë të tjerë as nuk mund të afroheshin, ose nuk kanë pasur kurajën, për një proces, i cili që në fillim është sulmuar, shtyrë, devijuar, nënvlerësuar, parë me mosbesim e etiketuar negativisht, kishte përgatitur pyetje të ngjashme, të tipit: Kush është Alush Dragoshi? Kush u vra më parë, Falcone apo Borselino?

Vërtet, kush është vrarë më parë? Google thotë se Borselino është vrarë më 19 korrik 1992 (52 vjeç), ndërsa Falcone më 23 maj 1992 (53 vjeç), domethënë i bie që Falcone paska ndërruar jetë vetëm dy muaj më parë… Edhe Ministrit të Drejtësisë së Italisë mund të mos i kujtohet se kush është vrarë më parë… Por në ndryshim nga Shvejku, për të cilin komisioni vendosi të anulonte hetimet kundër tij, sepse ishte një “idiot i lindur”, përfaqësuesi i mësipërm i dijes, kishte marrë detyrën t’i shpallte “idiotë të ditës” të gjithë kandidatët. Dhe ia arriti qëllimit.

Në fakt, në se reflekton në lidhje me çfarë ofrojnë regjistrimet video duket, se më shumë se pedagogët, kërkohej të denigrohej vetë procesi. Në Shqipëri nuk është e vështirë të gjesh personazhe të tillë. Por është vështirë të gjesh njerëz që kërkojnë të bëjnë ndryshimin. Kandidatët duhen përgëzuar jo vetëm sepse kanë aplikuar, por parë situatën ku u gjendën, sepse qëndruan deri në fund dhe morën seriozisht disa pyetje që vetëm serioze nuk dukeshin dhe ju përgjigjën një personi që vetëm në atë formë nuk duhej të artikulohej. Shvejku, njësoj si ta, në njërën nga pyetjet u dorëzua “Këtë s’jam në gjendje ta bëj”, por në ndryshim nga ta, mori guximin t’i drejtonte një pyetje anëtarëve të komisionit: “Zotërinj, ta zëmë se kemi një shtëpi trekatëshe. Secili kat i kësaj shtëpie ka tetë dritare. Në pullaz ka dy baxha dhe dy oxhakë. Në secilin kat banojnë dy qiraxhinj. A mund të më thoni tani, zotërinj, se në ç’vit vdiq gjyshja e portierit të shtëpisë?”

Zotëri, pedagog, filozof a çfarë jeni, po marr guximin, njësoj si Shvejku, edhe unë, t’u drejtohem me një pyetje: Ta zëmë se duam të kemi një Këshill të Lartë të Gjyqësorit dhe një Këshill të Lartë të Prokurorisë. Për secilin nga këta këshilla, do zgjedhim nga njëmbëdhjetë kandidatë, që janë, njësoj si ju, pedagogë në universitet. Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkon që secili nga këta kandidatë duhet të dijë se kush ka qenë Alush Dragoshi. A mund të më thoni, se në ç’vit vdiqën standardet e, bashkë me to, edhe çfarë do të thotë të jesh me kulturë në këtë vend?