Librat dhe leximi në rrëfimin e kuratores Eleni Laperi

Eleni Laperi

Ka kryer studimet pranë Institutit të Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) dhe diplomuar në pikturë. Ka punuar si dizajner dhe kuratore. Eksperte në fushën e artit.

Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Eleni Laperi: Së fundmi po lexoj ‘Fascist virilities, rhetoric, ideology, and social fantasy in Italy’, të Barbara Spackman. Është një studim i cili po më ndihmon të kuptoj më mirë tiparet e artit të realizmit socialist te ne, si dhe lidhjet e tërthorta që ka me konceptin fashist të burrërisë.

Kur dhe ku lexoni?

Eleni Laperi: Zakonisht lexoj herët në mëngjes, në shtëpi. Një libër e mbaj në çantë dhe lexoj kurdo që kam kohë të lirë gjatë ditës apo në kafenenë time të preferuar, te hotel “Tirana”, rrethuar me erza prej Shqipërie, ku shkoj të pi një kafe në qetësi.

Cili është libri i fundit që keni lexuar dhe iu ka ardhur keq që e mbaruat?

Eleni Laperi: ‘L’amica geniale’ e autores Elena Ferrante. Është historia e përpjekjeve për emancipim i dy vajzave dhe mjedisit ku ato jetonin në Italinë e pasluftës së Dytë Botërore. Është një histori që ka shumë ngjashmëri me Shqipërinë dhe përpjekjet e grave e vajzave shqiptare të fillimviteve ’90, përpjekje që ende nuk i gjen në letërsinë tonë.

Çfarë gjinie libri preferoni në përgjithësi të lexoni?

Eleni Laperi: Në përgjithësi tani lexoj libra historikë, studime mbi artin, filozofi.

Cili ka qenë libri më i preferuar për ju kur ishit fëmijë? Ndonjë personazh që ju ka shërbyer si model?

Eleni Laperi: ‘Aventurat e Çipolinos’ të Gianni Rodari dhe më pas ‘Zemra’ e Edmondo de Amicis. Janë libra që ndihmojnë një fëmijë të bëhet Njeri.

Personazhet -modele kanë qenë shumë, sepse ndryshonin me kalimin e viteve. Po më shumë ishin të fushës së artit, pasi më interesonte të mësoja si e organizonin ditën, si punonin.

Cili është libri që mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Eleni Laperi: ‘Journal du regard’ i Bernard Noel. Janë poezi, përsiatje, vëzhgime filozofike të një poeti të njohur francez, si Noel, i cili me gjuhë të thjeshtë të zbulon çfarë fshihet prapa vështrimit.

Nëse do ju kërkonin t’i rekomandonit një libër Presidentit të Shqipërisë, cilin titull do zgjidhnit?

Eleni Laperi: Platonin, ‘Republika’. Nuk e di si do jenë presidentët e ardhshëm të Shqipërisë, po deri tani ‘etërve’ të kombit tonë u ka munguar Largpamësia. Për ne, që ndër shekuj kemi provuar vetëm shijen e diktaturave, demokracia është diçka e re, shije dhe dije e paprovuar më parë. Platoni te ‘Republika’ është i pari që zbulon embrionin e dijeve të ardhme, zbulon lidhjen e filozofisë me politikën. Ne kemi nevojë ta fillojmë nga ‘i pari’.

Mund të na përshkruani vendin dhe kohën ideale për lexim?

Eleni Laperi: Kur jam vetëm, kur është qetësi, kur është freskët, në kolltukun tim.

Kush është shkrimtari i ditëve tona që ju admironi më shumë?

Eleni Laperi: Shkrimtari, kritiku dhe filozofi Umberto Eco. Gjatë leximit të krijimeve të tij gjithnjë më shoqëron habia, kënaqësia e zbulimit të sjelljeve e fenomeneve që i kemi para syve e nuk i dallojmë.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur? Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Eleni Laperi: ‘Ushtari i mirë Shvejk’ i Jaroslav Hashek, por vetëm botimi i parë, i përkthyer nga Gezim Erebara dhe Tonin Bushati, përkthim në shqip i paarritshëm.

Kam derdhur lot ndërsa lexoja librin e Khaled Hosseini, i përkthyer me titullin ‘Gjuetari i balonave’. Nuk e di pse, ndoshta se në të gjej edhe pak ‘Shqipëri’, gjej vuajtje që i kemi kaluar edhe ne, gjej edhe një shpirtmadhësi para së cilës nuk mund të mos lotosh.

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?

Eleni Laperi: Dëshira për të lënë të shkruar çfarë di për gjërat që dua shumë.

Cilat histori ju tërheqin më shumë?

Eleni Laperi: Tani më tërheqin historitë e vërteta. P.sh. libri ‘Giuro che non avrò piu fame’ i Aldo Cazzullo. Mendoj se ne kemi nevojë për libra e filma, që të frymëzojnë për të gjetur energji pozitive, emancipuese, pasi shqiptarët sot kanë me tepri shembuj sjelljeje politikanësh, personazhe si tutorë, mafiozë apo prostituta.

Ka ndonjë shkrimtar që ju e vlerësoni, por mendoni se të tjerët nuk e vlerësojnë si duhet?

Eleni Laperi: Mitrush Kuteli. Tregimet, përrallat e tij me një gjuhë të pasur shqipe, me fjalë aq të bukura, të zgjedhura me kujdes, që zbulojnë një dashuri të madhe për vendin e njerëzit, gjithnjë më kanë zgjeruar frymëmarrjen. Mendoj se vepra e tij duhej të studiohej në të gjitha nivelet e shkollës sonë pikërisht për këto tipare që mbart. Fatkeqësisht tekstet shkollore te ne gjithnjë i janë nënshtruar përzgjedhjes me frymë militantizmi: dje ai nuk studiohej në shkollë, pasi trajtohej si kundërshtar i regjimit; sot në shkolla studiohen autorë që kanë qenë kundërshtarë të regjimit të kaluar, edhe kur nuk kanë ndonjë vlerë në njohjen dhe përdorimin e gjuhës shqipe.

Cili është libri më i bukur që iu kanë bërë dhuratë?

Eleni Laperi: ‘Honey from a Weed’, i Patience Gray. Është libër i një autoreje, që njihet pak. Është më e njohur në studiuesit e kulinarisë. Po për mua është një burim dijesh mbi rëndësinë e jashtëzakonshme të gjërave të thjeshta në jetën e njeriut, nevoja për të cilat po ndjehet gjithnjë e më shumë.

Nëse do ju kërkonin të shkruanit një biografi, kë figurë do të zgjidhnit?

Eleni Laperi: E kam zgjedhur: Kolë Idromeno. Është shembulli i njeriut, i cili u përpoq të ndërtonte të bukurën në të gjitha fushat e jetës së një qyteti, të Shkodrës, në një kohë kur sundonte injoranca, varfëria dhe sundimi i huaj. Është një njeri i madh i kombit tonë, i cili ende nuk është vlerësuar, ndërkohë që kemi memorialë edhe për armiqtë e kombit.

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Eleni Laperi: Nuk besoj se ka një libër, i cili do ishte njësoj i domosdoshëm për të gjithë. Po për shqiptarët e mbytur në letërsi politike dhe kujtime politikanësh, do sugjeroja të lexonin libra për ushqimin, për të kthyer vëmendjen e tyre nga vetja dhe nga pasuritë natyrore të vendit tone, nga puna dhe nga përkorja.

Librat dhe leximi në rrëfimin e studiuesit Alberto Frashër

Alberto Frashëri

Kam lindur, rastësisht, në Berat, më 1945. Rritur në Tiranë. Fëmijëria, edhe pse me vështirësi ekonomike, rrodhi e pasur shpirtërisht, me lojëra në grupe fëmijësh në ajër të pastër, me libra e deri edhe me shahun e fushën e tenisit “Nallbani”, pranë shtëpisë sime. Këto e superonin vështirësinë e prindërve për të na rritur, ushqyer e veshur. Komshinjtë, tiranas nga Farka, ishin njerëz fisnikë e të paharrueshëm. Kur fillova universitetin, Ramizi, shoku dhe fqinji im, do të nisej ushtar dhe, siç ishte zakoni, të afërmit i dhuruan një sasi lekësh. Me to bleu një çadër, më të shtrenjtën, por në darkë erdhi e ma dhuroi: “Që të mos lagesh kur shkon në shkollë”, – më tha.

Universiteti kaloi fluturimthi me shokë të mirë, shumë prej të cilëve kishin vështirësi të mëdha ekonomike si edhe unë. Një grup profesorësh të aftë, po aq sa edhe njerëz të vyer, ndikuan pozitivisht formimin tonë kulturor. A. Minga, M.Naqo,  P. Pilika e A. Karçanaj ishin matematikanë me integritet e moral të lartë dhe njerëz të pavarur. Dolëm në jetë, në teatrin e hipokrizisë të një regjimi mizor. Pak prej nesh patën fatin të gëzojnë frytin e studimeve! Kemi punuar edhe në krah të ndonjërit që denonconte kolegët për herezi kundër partisë. Një shoqja ime pësoi një fatkeqësi të tillë dhe bëri shumë vite burg, edhe pse ishte e bija e një artisti të njohur. Beci, e quanim ne, shokët e saj. Këto janë të vërtetat që karakterizuan jetën tonë e që nuk duhen harruar. Të tjerat kanë më pak rëndësi…

Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Alberto Frashëri: Vazhdimisht mbaj mbi komodinë Biblën (Ungjillin), një libër të historisë antike dhe një libër të tretë që e ndërroj herë pas here. Ky i treti zakonisht është mbi filozofinë e shkencave ose ndonjë ese mbi artin. Zakonisht shkoj në shtrat afër mesnatës, por gjithmonë lexoj ndonjë gjysmë ore. Natyrisht, leximet e mesnatës janë fragmentare. Bibla është një libër themelor për të kuptuar raportin e njeriut me fenë. Çuditërisht, në ato që tregon, shpesh herë gjejmë kohën tonë. Fjala vjen, Përmbytja Universale, Kulla e Babelit rrëfejnë korruptimin e cilësive njerëzore dhe dënimin e Perëndisë duke shpëtuar njeriun e thjeshtë Noè dhe speciet e botës së gjallë. Kjo është pikërisht dilema e madhe e njerëzimit e këtyre kohëve: babëzia dhe kotësia po rrezikojnë jetën e planetit! Por Natyra gjithnjë ka zgjidhje: zhduk nga faqja e Dheut shkakun, pra specien tonë, pikërisht si bëri Perëndia kur shpëtoi të urtin Noè bashkë me të gjitha speciet dhe dënoi vetëm Njeriun, fajtor i përmbytjes universale. Bibla është një libër i magjishëm.

Kur dhe ku lexoni?

Alberto Frashëri: Në familjen time shohim pak televizor. Kryesisht ndonjë film dhe programe të natyrës enciklopedike: natyrë, art, muzikë, shkenca dhe histori. Janë programe shumë të pasura dhe interesante. Për të lexuar zgjedh intervalet e ditës kur jam i qetë. Leximi është si ajo puna e verës që nuk të shijon në çdo rrethanë. Zakonisht lexoj ulur në një poltronë ose në tryezën e punës në studion time, – një studio e thjeshtë, por komode dhe e pajisur mirë. Dritarja e saj sheh parkun publik mjaft të gjelbëruar që kemi rrotull shtëpisë.

Cili është libri i fundit që keni lexuar dhe iu ka ardhur keq që e mbaruat?

Alberto Frashëri: Para pak kohe, fundi i vitit 2017, historiania Fatbardha Demi më shkruante se i duhej një libër i shek. XVIII, të autorit arbëresh Nicolò Chetta (Nikolla Keta) me titull “Tesoro di notizie su de’macedoni” (Palermo, 1777). Bëra një kërkim dhe më së fundi e gjeta në Bibliotekën e komunës Piana degli Albanesi, afër Palermos. Ata kishin një ribotim të vitit 2007, sjellë nga Universiteti i Palermos. Këtë libër ma dërguan pranë Bibliotekës së Ternit ku unë jetoj. Më dërguan edhe një tjetër libër, “Lexicò”, të po atij autori arbëresh, të cilin ma dhuruan. E skanova vëllimin prej 560 faqesh të veprës së parë dhe ia dërgova Dr. F. Demit, bashkë me “Lexicò”, atje ku gjendej në atë kohë, në Paris. Më pas, në qershor 2018, e lexova veprën e Nikolla Ketës dhe mbeta pa fjalë. Titulli “Thesar njoftimesh mbi maqedonasit” dëshmon që ajo vepër është vërtet një thesar që duhet njohur nga shqiptarët dhe historianët. Autori, me një prozë elegante dhe logjikë bindëse, argumenton që maqedonasit janë ilirë dhe se gjuha e tyre ishte ilirishtja. Vepra më habiti për vlerën e madhe që shpreh dhe më ballafaqoi me varfërinë dhe pakujdesinë që tregojmë për çështjen kombëtare. Më bëri të ndjehem keq! Si është e mundur që një vepër të tillë madhore, ne, intelektualët, të mos e njohim dhe të mos kemi asnjë ide për ekzistencën e saj? Ky është libri i fundit leximi i të cilit më pezmatoi.  

Çfarë gjinie libri preferoni në përgjithësi të lexoni?

Alberto Frashëri: Në rininë time lexoja më shumë romane, tregime dhe poezi, por isha ambientuar edhe me lexime të natyrës historike apo që kishin lidhje me muzikën. Me kalimin e moshës leximi orientohet shpesh herë kah interesat që na dikton jeta. Në këtë orientim ndikon shumë edhe aftësia për të kuptuar, që sipas njeriut, me kalimin e kohës, mund të kufizohet ose, në të kundërt, të perfeksionohet. Sot unë lexoj më shumë libra me përsiatje, ese apo saggistica, siç quhet në italisht.

Cili ka qenë libri më i preferuar për ju kur ishit fëmijë? Ndonjë personazh që ju ka shërbyer si model?

Alberto Frashëri: Nga më të preferuarit ka qenë romani “Djemtë e rrugës Pal”. Mbaj mend që një mbrëmje, rreth orës 19, prindërit më dërguan të prisja motrën time më të madhe që do të dilte nga shkolla ku kishin një lloj aktiviteti. Kjo detyrë më ndërpreu leximin e librit. Por unë mora librin me vete dhe e prita motrën buzë rrugës, duke lexuar në trotuar, nën dritën e një shtylle. Bota e fëmijëve të atij libri, nga më të lexuarit e të gjitha kohërave, i ngjante shumë fëmijërisë sonë: lodra në rrugicat dhe kopshtijet e lagjeve, në natyrë dhe me pasion, duke rrezikuar edhe të vriteshim. Krahasuar me fëmijët e sotëm mund të them se kemi qenë të privilegjuar, sepse u rritëm më pranë Natyrës.

Kam adhuruar shumë personazhe, si Andrew Manson (Çittadella, A. Cronin), Andrea Bollkonski (Lufta dhe Paqja, Tolstoj). Nga kohët më moderne do të citoja Winston Smith (George Orwell) apo personalitetin kompleks të Dorian Grey (OscarWilde) i aftë të fusë lexuesin në meditime të thella. Nuk di të përcaktoj ndonjë personazh që të më ketë shërbyer si model. Natyrisht, duhet të jem ndikuar nga jeta e personazheve të tillë. Kush lexon edhe bashkëjeton, në një farë kuptimi, me personazhet virtualë të librave.

Cili është libri që mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Alberto Frashëri: Janë poezitë e Rilindjes Kombëtare, për vlerat universale që shprehin për botën shqiptare dhe të ardhmen e saj. Jo të gjitha kombet kanë patur një Rilindje të tillë, të ndritur, largpamëse e thellësisht europiane. Pra është aroma e përjetshme që sjellin “Lulet e Verës” ajo që ndjej të kem më pranë.

Nëse do ju kërkonin t’i rekomandonit një libër Presidentit të Italisë, cilin titull do zgjidhnit? Po për Presidentin e Shqipërisë?

Alberto Frashëri: Presidentit të Italisë do i këshilloja të lexonte historianin e epokës klasike të Romës në veprën “Natura – Storia, libri III, faqe 102-110) sipas të cilit, “Populli ilir është themelor për zhvillimin e popujve pre-historikë. Sipas legjendës, nga 9 të rinj ilirë e 9 virgjëresha ilire lindën 12 popuj.” [ Plinio, Natura, Storia, III, p.102 – 110 ] Popujt fqinjë duhet të njohin më mirë njëri tjetrin e jo të shprehin superioritete fiktive. Shqiptarët janë një komb i shquar, por ju mungon vetëdija për potencialet njerëzore që kanë… dhe ky është një problem i madh.

Ndërsa për Presidentin e Shqipërisë do rekomandoja të zgjohet nga gjumi një gjysmë ore më herët për të lexuar e mësuar përmendësh vargje të Naimit, Fishtës, Mjedës, Nolit dhe Migjenit.

Kush është shkrimtari i ditëve tona që ju admironi më shumë?

Alberto Frashëri: Peter Cameron, pa tjetër, dhe romani i tij, “Një ditë kjo dhimbje do të jetë e dobishme”. Ky libër është shkruar në vetën e parë, pra komunikon mirë me lexuesin. Protagonisti, James Sveck, i rrëfen lexuesit jetën e vet dhe arsyen që e kanë shndërruar në një individ të paadaptueshëm, që unë e përkthej në njeri të lirë e të pakonformueshëm. Pikërisht pavarësia intelektuale dhe mendimi i lirë e bëjnë njeriun të paadaptueshëm. Ky argument është një nga problemet më të mprehta të kohës sonë.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur? Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Alberto Frashëri: Një shoqe e Adelinës, gruas sime, na dërgoi si dhuratë nga New York-u librine Pëllumb Kullës, “Rrëfenja nga Amerika”. Adelina e lexonte dhe qeshte me shumëshpirt. E lexova edhe unë. Mendoj që është libri që shpreh më mirë se çdo tjetër komicitetin që fshihet në natyrën e kombit shqiptar. Një komicitet shumë origjinal dhe i natyrshëm.

Para 3 vjetësh më huazuan një libër pa kopertinë të Kristaq Mishës që denonconte, në Kongresin e Paqes në Paris, krimet e urryera kundër popullsisë çame dhe dëbimin e tyre nga Çamëria kah fundi i Luftës së Dytë Botërore. Libri ishte mjaft i dëmtuar, por lexohej qartë. Edhe pse e njoh relativisht mirë problemin çam, asnjë libër nuk më ka prekur sa ai. Shqiptarët duhet t’i njohin ato të vërteta tragjike dhe t’i vlerësojnë në kuadrin e historisë, pikërisht si ngulën këmbë armenët për gati një shekull deri sa ia arritën qëllimit. E gjithë bota e njohu dhe e dënoi gjenocidin turk kundër armenëve.

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?

Alberto Frashëri: Më ka pëlqyer letërsia që në moshë të njomë, por për ne ka qenë e vështirë të shkruanim atë që mendonim. Shkruaja ndonjë poezi dhe pas pak ditësh e grisja. Një nga ato e pati ruajtur Rinush Idrizi, kritik i letërsisë dhe mësuesi i talentuar në gjimnazin “Sami Frashëri”. Idrizi ma dërgoi atë poezi aty nga viti 1994, nga ShBA, ku kishte emigruar. Më arriti me një postë speciale dhe, ndonëse e shkruar në vjeshtën e vitit 1966, përsëri lexohej mjaft mirë, edhe pse fija e letrës ishte zverdhur dhe dukej si relike. Poezia quhej “Natën e mirë”. E ruaj ende me një farë nostalgjie…

Unë studiova matematikë dhe jam marrë gjithë jetën me të. Matematika dhe fizika janë dy shkenca të një bukurie impresionante. Natyrisht atë finesë e bukuri intrigante e perceptojnë ata që e kuptojnë thellë… pikërisht ashtu si ndodh me muzikën klasike. Muzika e Bach-ut, fjala vjen, dëgjohet thuajse prej 4 shekujsh. Por edhe në rastin e muzikës klasike, bukurinë e saj e perceptojnë vetëm ata që e kuptojnë atë, pikërisht si matematika apo fizika. Kur u nisa për në Itali u premtova miqve që do të shkruaja diçka për realitetin që njohëm e jetuam. Në të vërtetë kam shkruar e botuar shumë më tepër nga sa kisha menduar. Ishte një detyrë kundrejt vetes sime dhe njerëzve me të cilët kisha ndarë të mirën e të keqen në ato vite të errëta të totalitarizmit në Shqipëri. Mendoj që njeriu nuk mund ta kuptojë veten dhe as mund të shkojë kah e ardhmja, nëse nuk njeh dhe kupton të kaluarën. Kjo bindje përbën ndoshta forcën që më ka shtyrë të shkruaj e më ka frymëzuar.

Cilat histori ju tërheqin më shumë?  

Alberto Frashëri: Pas mbarimit të studimeve universitare lexova shumë kujtime të figurave të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, nga mareshalët rusë deri te Winston Churchill. Autorët rusë na i sillte një shok i diplomuar në fizikë, e ëma e të cilit punonte në Bibliotekën e Universitetit të Tiranës. Në Bibliotekën Kombëtare (e vjetra) disa vajza të reja kishin besim dhe na jepnin për në sallë ose në shtëpi libra si ai i volumeve të Churchill-it që porsa kishin hyrë në bibliotekë. Por pasioni im për historinë ka qenë dhe mbetet antikiteti dhe kultura e tij. Jo më pak më kanë tërhequr dhe interesuar evolucioni i shkencave dhe historia e muzikës, që mendoj që i njoh jo pak.

Ka ndonjë shkrimtar që ju e vlerësoni, por mendoni se të tjerët nuk e vlerësojnë si duhet?

Alberto Frashëri: Gjuha shqipe ka bërë të mundur përkthime të jashtëzakonshme, si dhe ka prodhuar prozë origjinale dhe poetë të një cilësi të rallë, si Naimi, Fishta, Mjeda, Noli, Poradeci… Ata ishin lirikë e mendimtarë të shquar. Të gjithë! Por ka edhe një të jashtëzakonshëm: Migjeni. Ndjeshmëria e tij artistike dhe njerëzore janë të pakrahasueshme edhe në sfondin e letërsisë botërore. Unë e kam cituar në romanin “La Quinta” gjeninë e këtij artisti të madh me tre vargjet e famshme, me të cilat ai i lutet Zotit për një simfoni. Në italisht nuk ishte e lehtë, megjithatë përkthimi im ishte ky:

  • Ti prego o mio Signore, di una sinfonia,
  • dai suoni d’argento e accordi dorati,
  • piena d’amore e dai sogni celesti.

[Dalla poesia “Preghiera” di Migieni]

Nuk njohim një tjetër poet që t’i ketë kërkuar Zotit muzikën si natyrë të dytë të njeriut, që edhe në mjerim kërkon dhe gjen një mbështetje shpirtërore te muzika. Kjo ndjeshmëri e Migjenit shpreh, sipas mendimit tim, nivelin e lartë të krijimtarisë popullore të kombit që brenda kufijve të të folmes shqip ka pavdekësuar, në valle, këngë e kabà jetën me gëzimet, vuajtjet dhe forcën e tij. Këtë poet të rinjtë duhet ta njohin në të gjitha pamjet e krijimtarisë, si dhe të jetë objekt studimi dhe promovimi nga të gjitha instancat e botës kulturore të kombit. Krijimtaria e Migjenit dhe e poetëve si ata që citova më lart janë një monument kulture që shteti duhet t’i mbrojë si sytë e ballit. Ai duhet popullarizuar në nivelin që meriton.

Cili është libri më i bukur që ju kanë bërë dhuratë?

Alberto Frashëri: Isha thuajse adoleshent kur babai më dhuroi veprën e plotë “Lufta dhe Paqja” (Lev Tolstoj). Ky autor i madh bashkon, në veprën e tij, thelbin njerëzor të jetës: miqësinë, mediokritetin, familjen, dashurinë, luftën dhe, bashkë me to, edhe rilindjen morale, shpirtërore të njeriut. Janë të rrallë personazhet e skalitur si Natasha Rostova, Andea Bollkonski apo Pjer Bezuhov. E kam lexuar edhe më pas dhe shumë herë i jam kthyer duke rilexuar pjesë të veçanta të kësaj vepre madhore. Dua të theksoj që në të gjitha klasifikimet “mbi 10 shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave” gjejmë, të paktën, një ose më shumë nga rusët Dostojevski, Tolstoj apo Nabokov.

Nëse do ju kërkonin të shkruanit një biografi, kë figurë do të zgjidhnit?

Alberto Frashëri: Do të më pëlqente të analizoja figurën e qytetarit të madh të kohës sonë, Albert Einstein. Kjo dëshirë nënkupton raportin e veprës shkencore të tij me pikëpamjet që ai ka mbi shoqërinë. Njoh relativisht mirë krizën e shkencave, (fizikë e matematikë) nga gjysma e dytë e shek. XIX e më pas, përfshirë problemet që lidhen me lindjen e teorisë së relativitetit special; nga ana tjetër këto nuk janë krejt të pavarura nga botëkuptimi që Einstein shpreh për botën dhe shoqërinë. Einstein ka për botën (shkenca, shoqëria dhe liria e individit) një këndvështrim që karakterizon një nga mendimtarët më të thellë të historisë.

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Alberto Frashëri: Varet nga mosha! Fëmija duhet të lexojë patjetër libra, si fjala vjen, “Zemra” (E. de Amicis), por edhe klasikë të tjerë, si “Djemtë e rrugës Pal” (Ferenc Molnàr – Neumann), “Bijtë e kapitenit Grant” (Jule Verne). Mendoj që edhe pse koha jeton evolucionin e vet, ajo lë pas, në kuptimin e vlerave edukative, një thelb universal: pamjet njerëzore të qenies sonë, si bujaria, miqësia, dashuria. Në moshë të rritur… ? Pyetje e vështirë, sepse janë shumë librat që njeriu duhet të lexojë patjetër për të kuptuar veten dhe kohën e tij. Kjo lyp leximin e autoreve të lashtë, klasikë e modernë. Pa njohur të kaluarën do të thotë të ecësh kuturù, pa një pikënisje, pa një origjinë. Njohja e të kaluarës është si një far që e kemi pas shpine e që na ndriçon udhën përpara, kah e ardhmja. Bibla, Omeri, Dante, Shakespeare, Goethe, Dostojevski, Tolstoi, Balzak dhe shkrimtarët e mëdhenj të shekullit të fundit duhen lexuar nga të gjithë. Për shpirtin kritik të shkrimtarit George Orwell do të rekomandoja si lexim të domosdoshëm librin e tij “1984”, që ndihmon mjaft për të kuptuar kohën tonë. Në jetën e protagonistit Winston Smith gjej shumë ide të përbashkëta me romanin “La Quinta”, edhe pse stilet dhe trajtimet janë krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Mendoj që në kohën e propagandave të furishme të pushtetit e të publicitetit mediokër që dominojnë informacionin edhe në vendet demokratike, letërsia duhet të shprehë urtësinë dhe meditimin si një natyrë të dytë të saj. Sot për qytetarët është më i nevojshëm se kurrë një formim kulturor që ta plazmojë atë si një krijesë që mendon dhe ka pikëpamje të pavarura për botën, që zotëron bindje personale. Formimi i mirë kulturor bën që njeriu të mos jetojë nën ngasjen e impulseve të çastit, por ta ndërtojë të ardhmen me koherencë, sipas një projekti të qartë.

Librat dhe leximi në rrëfimin e poetit Riza Braholli

Riza Braholli

U lind në Mborje, Korçë, më 1960. Ka botuar qysh herët në shtypin letrar dhe atë joletrar. Ka kryer studimet e larta pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi, Tiranë. Po pranë këtij fakulteti ka marrë titullin Master me temën “Tipologjia e poezisë së Frederik Rreshpjes”, si dhe ka fituar gradën shkencore “Doktor” me studimin “Poetika e refuzimit estetik në poezinë tonë (Zef Zorba dhe Frederik Rreshpja). Ka punuar si redaktor letrar në disa shtëpi të ndryshme botuese. Aktualisht punon si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën e mesme profesionale Hoteleri Turizëm Tiranë. Ka botuar vëllimet me poezi “Qaj shqip”, “Mallkim virgjërie”, “Prekja e dritës”, “Letra për t’u djegur”; vëllimin poetik për fëmijë “Vallja e tingujve”; romanin “Djali i pëllumbave”; vëllimin me tregime “Nata e bardhë e Anës”.

Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Riza Braholli: Kam një shprehje që përkon me këtë pyetje, për librat që më rrëmbejnë mendjen e zemrën: “Këtë libër e mbaj te koka e krevatit”. Janë disa që s’i heq nga dora e nga sytë. I mbaj një kohë, i ndërroj, e u rikthehem prapë. Herë Ricosin e herë Camajn, herë Danten e herë Shekspirin apo Homerin e sidomos Frederik Rreshpjen, aq sa më duket sikur bisedoj me të. Para gjumit parapëlqej të lexoj kryesisht poezi, ose dhe ndonjë libër me ese mbi poezinë dhe, sidomos, kur i kanë shkruar poetë. Poezia, më shumë se çdo art tjetër, të çon në një realitet të panjohur, në një gjendje tjetër të ndjeri e të menduari, që shkon përtej sendeve dhe krijon brenda nesh atë kënaqësinë e çuditshme e të fshehtë të njohjes të së panjohurës.

Aktualisht mbi komodinë kam esetë e Seferisit dhe poezitë e Fatos Arapit. Herë më duken sikur mendojnë e ndjejnë të dy njëlloj dhe herë të tjera ndahen, marrin përkatësinë e vendit brenda hapësirës sonë ballkanike. Lexoj sipas gjendjes sime shpirtërore. Kur dua t’i iki realitetit lexoj poezi, kur ndihem i freskët dhe me energji lexoj ese. Kur jam shumë i lodhur, edhe nëse nuk i hap, i mbaj aty, vetëm për të ndjerë praninë e tyre. Mjafton që shoh kopertinën dhe emrin dhe pastaj zë mendoj sikur të jem duke kuvenduar me ta…

Kur dhe ku lexoni?

Riza Braholli: Kudo dhe kurdo që të më jepet mundësia. Lexoj më shumë në shtëpi dhe pasdite vonë deri në mesnatë, kur të tjerët kanë rënë për të fjetur. Ngelesh vetëm me personazhet, me ritmet apo mendimet dhe kalimi në atë gjendjen tjetër fluide e fluturuese, kur e humb ndjesinë e forcës së rëndesës… Në vetmi nuk të tremb askush. Janë çastet kur lexuesi vjen në gjendjen krijuese të shkrimtarit. Jo më kot teoritë receptive e konsiderojnë lexuesin si bashkautor të një vepre… Gjithsesi, edhe shkolla është vendi ku ulem shpesh të lexoj, në orët kur s’kam mësim, ndonjëherë dhe në udhëtimet e shkurtra në autobuzin urban. Madje, në këto raste, leximi më çlodh dhe më shpëton nga rrëmuja e zallamahia e autobusit. Sado e çuditshme të duket, por gjej përqendrim.

Cili është libri i fundit që keni lexuar dhe iu ka ardhur keq që e mbaruat?

Riza Braholli: Libri i fundit që kam lexuar ka qenë “Kur sunduesit grinden”, i Ismail Kadaresë. Është libër mbi të cilin zbraza gjithë impresionet e deduksionet e mia, me leximin vetëm të faqeve të para! Shpresoj të dalë ndonjë shkrim nga e gjithë kjo!

Sa i takon librit të fundit që kam lexuar dhe më ka ardhur keq që e kam mbaruar, referoj përsëri Kadarenë, mbetem përsi te i njëjti autor. Të ndjekësh rrëfimin dhe hulumtimet, zhbirimet, analizat e deduksionet e Kadaresë mbi dy nga poetët më të mëdhenj të Rusisë, si dhe të ecësh bashkë me të nëpër labirintet e mendjes së diktatorëve, si Stalini dhe Enver Hoxha, përshkruar me një penë e gjuhë aq të hollë, depërtuese dhe analitike për çdo detaj, është përherë e panginjshme dhe të vjen keq që e mbaron pa mbaruar deri në fund.

Çfarë gjinie libri preferoni në përgjithësi të lexoni?

Riza Braholli: Në fëmijërinë time kam qenë lexues që gëlltisja gjithçka që më binte në dorë: prozë, romane e tregime dhe të gjitha nga shumë. Dukej sikur i haja! Shpesh edhe nga një në ditë, aq sa një herë u bëra me dhimbje koke dhe përfundova te mjeku. Një nga këta libra ka qenë “E kuqja dhe e zeza”, e Stendalit. Poezi lexoja më pak. Ishin dhe më të rrallë si libra. Ishte koha kur identifikohesha me personazhet e heronjtë e romaneve. Në moshën njëzetvjeçare fillova të ndjej shumë etje për poezinë. Ishte koha kur rashë në kontakt me poezinë e Ricosit, Nerudës, Hikmetit. Poezia u bë prioritare. Pak nga pak, përveç leximit, fillova edhe të shkruaj poezitë e para. Por poezia është një Circe: të do vetëm për vete e të mban të burgosur në ishullin e saj. Me pak rreshta është e aftë të të çojë në hapësira të pafund të menduari dhe ndjesie… Poezi lirike, qoftë epikë apo baladë, po qe e thellë, nuk të nginj asnjëherë. Këtu është dhe e bukura e saj, ndaj dhe i kthehemi e i rikthehemi me etje pa fund. Me poezinë e mirë, ndodh si lulja me bletën: bleta shkon e kthehet te lulja e ngarkuar me pjalm, por nektari i saj s’ka mbarim. Për të shkaktuar të njëjtën ndjesi, një romani i duhen dhjetëra dhe, ndonjëherë, edhe qindra faqe. Përveç kësaj, nëse je poet, e ke të nevojshme të verifikosh veten, nivelin tënd ndër mijërat e qindra mijërat që shkruajnë. Sot shkruhet shumë poezi, – në të gjithë botën – dhe ti duhet të dish kush shkruan, si shkruan, konceptet format e reja të shprehjes poetike, teknikat që përdor, në çfarë qiej e ujëra fluturon e noton poezia bashkëkohore, sidomos, ajo përtej botës shqiptare.

Tjetër arsye është dhe koha. Në ritmin marrafrymës së përditshmërisë, midis punëve e ngutjeve pa fund që kemi, me shkurtësinë e thukësinë e saj, poezia është më e volitshmja. E lexon kudo e kurdo. Poezia të miklon me muzikë e me ngjyra, të robëron me lojën e të paimagjinueshmes e befasinë, të deh me thellësinë e naivitetit fëmijëror që të ofron. Nuk e di kush e ka thënë: “Poezia është një fëmijë i talentuar”. Arti, në fund të fundit, është një lojë e zemrës dhe e mendjes dhe kush di të luajë më mirë e më seriozisht se një fëmijë!?

Cili ka qenë libri më i preferuar për ju kur ishit fëmijë? Ndonjë personazh që ju ka shërbyer si model?

Riza Braholli: Do veçoja “Të vegjëlit”, një përmbledhje me vjersha, tregime e përralla e poetit tonë të madh me fytyrë, shpirt e mendje profeti, Naim Frashërit. Unë vij nga një familje e varfër e kohës së diktaturës. Jetonim në një dhomë të vetme. Deri sa u bëra 15 vjeç as që bëhej fjalë që prindërit e mi, përveç librave të shkollës, të mendonin se duhej të më blinin edhe ndonjë libër me vjersha apo përralla, siç ndodhi më pas me fëmijët e mi. Kontaktet e para me leximin, përveç abetares dhe këndimit, i kam me gazetat. Babai im, për të ma shkathtësuar leximin, më jepte t’i lexoja gazetën. Bënte sikur nuk shikonte mirë nga sytë e më thoshte: ma lexo, pak, Riza këtë artikullin. As që i bija hiles përse! Fluturoja! Isha i rëndësishëm, po ndihmoja babain tim të dashur. Sigurisht që ato që shkruheshin as që më hynin në kokë dhe i lexoja thjesht e mekanikisht, por synimi më frymëzonte e i jepte, deri edhe zërit tim, një tingull të veçantë, më burrëror.

Kam qenë në klasën e dytë apo të tretë kur, për herë të parë, më ka rënë në dorë libri “Të vegjëlit”, i Naim Frashërit. Nuk e di ç’botë mrekullish m’u hap! Më dha një si ëndje parajsore me ndjesi qielli e fluturimi. Është më shumë se të biesh në dashuri. Të mos flesh dot, ta mbash mendjen aty ditë e natë, të ndjesh në vete fatin që të ka rënë, që ti po zbulon botë, të cilat shokët e tu as që i imagjinojnë! Lexoja përrallëzat, por dhe vjershat e fabulat dhe sot them se ai njeri, poet apo profet, si ma ka ënda ta quaj, ishte i pari që hapi para meje livadhet e hapësirat e pafund të bukurisë së fjalës e të magjisë së artit. Aty u dashurova me fjalën, me përrallën, me mençurinë e fabulës dhe muzikën, por dhe me mirësinë, butësinë prej profeti. Nuk e di sa të drejtë kam, por e kam të ngulitur në mendje se po lexove Naimin me zemër të hapur, nuk mund të bëhesh kurrë i keq. Arti e fryma e poezisë së tij është si të ndjesh praninë e Zotit. Ëmbëlsia e tij rridhte nëpër vargje, nëpër rreshta dhe më s’u shkëputa dot… Tërë jetën kam mbetur rob i lojës magjike të tij me fjalën, me imazhet, mirësinë, butësinë, ngrohtësinë e lirinë e mendjes që kapërcen kohërat dhe hapësirat.

Personazhi që më ka mbetur në mendje e në zemër nga ajo kohë dhe që madje doja t’i ngjaja, ka qenë Edmond Dantesi. Kam qenë tek të trembëdhjetat kur e kam lexuar. Ishte koha kur kisha filluar të dashuroja. Një dashuri platonike dhe e njëanshme – vetëm nga unë dhe në heshtje. Më rrëmbeu dhe ato ditë të leximit të tij kam qenë vetëm i mahnitur dhe i dashuruar me figurën e tij dhe të Mercedesit. Unë isha një Edmond Dantes dhe ajo Mercedesi. Intriga e atij libri është kurthi më i bukur artistik që unë kam hasur ndonjëherë nëpër librat që kam lexuar. Nëpër tërë atë lojë marrëdhëniesh në rrafshin e veprimit, por sidomos atij psikologjik, lëviz figura e heshtur, e zgjuar dhe plot dramë e Edmond Dantesit. Gjithë ajo dramë, ku përzihet pabesia, erosi, pasuria përrallore, hakmarrja, ekzotikja dhe triumfi mbi ligësinë është sa joshëse, aq edhe frymëzuese për mendjen e një adoleshenti. Duke e lexuar kërshërohesha e vuaja, pastaj ngazëllehesha, derisa më në fund u realizua fundi i dëshiruar, por dhe i trishtueshëm i asaj aventure të bukur.

Cili është libri që mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Riza Braholli: Hamletit! Hamleti i Shekspirit s’më ka lënë asnjëherë të qetë. E kam parë dhjetëra herë film, e kam lexuar disa herë, kam lexuar dhe mjaft studime për figurën e tij dhe përsëri nuk jam nginjur. Gjithmonë ka diçka që më thërret dhe më bën t’i bindem e t’i qasem me një lehtësi të përunjur e njëkohësisht me dëshirë të etshme… mbase tragjizmi i tij i komplikuar ekzistencial e moral, ose sepse më vjen keq për të, ose sepse shpesh e urrej që u bë shkak për vdekjen e asaj Ofelie të ëndërrt. Në tërë atë terr gjaku e pisllëku bashku, Ofelia është drita e kulluar që ndriçon dhe Shekspiri e bën kurban të makutërisë për pushtet, duke ndërtuar kontraste të fuqishme, për të theksuar dy anët e kundërta të atij realiteti që më së shumti se mesjetar është njerëzor.

Mund të na përshkruani vendin dhe kohën ideale për lexim?

Riza Braholli: Për të lexuar një libër, së pari, duhet gjetur vetmia. Është ajo që ta jep përqendrimin. Vetmia është një pikëprerje e qenies me kohën dhe hapësirën dhe do vendin dhe kohën e duhur.

Idealja për mua do të ishte një qoshk i ngrohtë, me aq dritë sa të mund të lexoja mirë, pa mu lodhur sytë e, natyrisht, larg zhurmave, aq sa të mund ta dëgjoj, kur më flet vetja ime e dytë. Dhe, për këtë më shërben dhoma e gjumit. Atje mund t’i përhap librat kudo, pa më thënë kush gjë dhe mbi të gjitha kam fatin të kem qetësinë e vetminë time të dëshiruar. Orët, deri në kapërcyell të mesnatës janë më produktivet, jo vetëm për lexim, por edhe për të krijuar.

Kush është shkrimtari i ditëve tona që ju admironi më shumë?

Riza Braholli: Ismail Kadare. I veçantë e i diskutueshëm në tërë kompleksitetin e vet, arti i tij del mbi të zakonshmen dhe hyn te arti i madh botëror, duke zënë vend në polisistemin periferik të kulturës evropiane e, në një farë mënyre, duke u kthyer në një qendër që e krijon periferia. Është e para herë, mendoj, që letërsia shqipe arrin të krijojë një qendër të tillë, pikërisht në periferinë e saj. Nëse ka një autor që pohon këtë këndvështrim teorik, është ky shkrimtar.

Arsye tjetër: ai është shkrimtari i gjuhës sime dhe unë vë re dhe marr nga tekstet e tij edhe vibrimin më të hollë mental, emocional e ndjesor, por edhe tehun më të hollë të thikës së sarkazmës e groteskut të tij. Gjuha e tij poetike, fjala e mendimi kanë dendësi e ngarkesë atomike, si art e si mesazh, në pikëpjekje me veprat më të mëdha artistike botërore me mesazhe universale si Homeri, Eskili, Dante, Shekspiri apo Servantesi.

Gjithashtu, historia e vendit tim, në letrat e tij, rreket t’i ikë inferioritetit dhe kemi një rijetëzim, por modern, të ideve të mëdha të Rilindjes sonë kombëtare. Sepse veprat e tij, si rrallë shkrimtar tjetër të sotëm, mund t’i lexosh e rilexosh pa ua arritur dot fundin. Ato të grishin herë pas here, si çdo art tjetër i madh për t’i rilexuar.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur? Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Riza Braholli: Nuk kam as dilemën më të vogël: “Ushtari i mirë Zhvejk”. Është i pakrahasueshëm. Kur e kam lexuar për herë të parë kam qenë gjimnazist. E lexoja e qeshja me të madhe. Nëna ime, që shihte gjithë çudi nga unë, i thoshte tim eti: “Pupu! Do na shkallohet ky me këto libra”.

Gjuha e Zhvejkut kapërcen gati një shekull dhe ka mbetur në memorjen e njerëzimit për finesën e mençurinë e hollë që mbart. Gjuha e tij e shëndetshme e kapërcen të zakonshmen, duke zënë kryevendin e letërsisë botërore pranë Servantesit, Xhon Suiftit dhe Mark Tuenit.

Kam qarë, po, kam qarë shumë herë, për shumë heronj e personazhe. Madje edhe tashti që e di si krijohen figurat, heronjtë, nuk i shpëtoj dot kësaj gjëje. E dini që kam qarë dhe për personazhin tim te romani “Djali i Pëllumbave”? Djalit i vdes i ati dhe skena është shumë elegjiake. Ngjarjen po e trilloja vetë, por fill pas tri ditësh, kur e kisha ripunuar mirë, – mbase është për të qeshur… – fillova të qaj dhe vetë. Është fuqia e artit që të bën të lotosh; dhe është kaq çliruese! Nëna ime kur qante vëllain e saj, vdekur në moshë të re, kur donin ta pushonin, lutej: “Më lini ta dëfrej barkun…”! E pra, të qarët, është një lloj kënaqësie e trishtë e njeriut. Qan për fatin e një personazhi dhe e bën tënden dhimbjen e dikujt tjetër, qindra apo mijëra kilometra larg, në kohën tënde apo në të tjera kohë. Të qarit është një katarsis i vërtetë, – të bën më të mirë e më të dhembshur, ndonëse, në të njëjtën kohë, të mbush me zemërim për shkaktarin e atyre lotëve.

E kujtoj si sot “Lulet e mollës” të Xhon Gollsuorthit. Që në fillim të librit mbushesh me një dhimbje, që do të ndjekë gjatë gjithë leximit të tij. Braktisja, pastaj vdekja e Migenës, nën atë rrëfim poetik, të ëmbël e pranveror, plot aromë nën lulet e mollës, do ngashërrente në lot çdo zemër të re adoleshenti. Po kush nuk ka qarë për Migenën dhe dashurinë e saj të braktisur… Në adoleshencën time më ka dhënë aq dhembje, sa më ka bërë të qaj e të trishtohem, sikur të më kishte ndodhur mua. Kush i komandon ato lotë që nuk të pyesin? Arti, historia e rrëfyer me një gjuhë plot aromë.

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?

Riza Braholli: Shumëçka, por më shumë dhimbjet dhe realiteti që më sjellin kujtimet dhe e kaluara. Ka një shprehje ndër poetë: “Vargun e parë e ulin zotat”. Sigurisht Muza, perëndesha e frymëzimit. Por ku e gjejnë vargun apo rreshtin (për prozën) që na e pëshpëritin në vesh? Ato/Ajo është sipër nesh, kudo, brenda nesh dhe merr prej pjalmit të imazheve e vogëlsirave që kemi mbledhur përditë nëpër ditët, orët, minutat; nga çdo gjë që ka zënë vend në qenien tonë të ndërgjegjshme e të pandërgjegjshme, në udhët ku shkelim, ku prekim, ku shohim, ku dëgjojmë e vuajmë e hidhërohemi e gëzohemi e lumturohemi. Mbushet si bleta me pjalmin e mbledhur nëpër këto ditë dhe na i pëshpërit me anën e pavetëdijes sonë, me një zë urdhërues e të pakundërshtues si një kumt. Ja, ky është frymëzimi. Ne nuk e dimë çdo të shkruajmë pas pak, sot, nesër, pasnesër. Është kumti që na pëshpërit e panjohura në vesh për një dhimbje që të vlon brenda e të duhet ta nxjerrësh jashtë. Të shkruarit është shpëtim, çlirim nga ajo që është akumuluar dhe çdo shkrimtar derdh pikërisht këtë akumulim, pra është realiteti, por janë dhe leximet. Format e të shkruarit s’kanë fund, kështu që dhe frymëzimet dhe mënyra e ardhjes së tyre s’kanë fund.

Cilat histori ju tërheqin më shumë?

Riza Braholli: Kam qenë i vogël, kur rrija pas të mëdhenjve e dëgjoja historitë e tyre që më linin gojëhapur. Mbase ka filluar me përrallat. Mahnitesha pas tyre, i përpija. I lutesha xhaxhait tim që tregonte mjeshtërisht dhe ai nuk përtonte aspak. Tregon edhe sot. Ka rritur disa breza me rrëfenjat e përrallat e tij. Personazhet zbrisnin nga pyjet e qielli, dilnin nga uji, deti, lumenjtë apo nëntoka dhe endeshin e punonin e aventuroheshin nëpër mjedise që unë i njihja. Këtu qëndron dhe bukuria e artit: sa më shumë që ti ushqehesh me të, aq më shumë të shtohet uria. Sokakët e portat, çatitë e oborret apo të gjitha toponimitë e Mborjes sime i gjeje nën këmbët e në praninë e heronjve të këtyre përrallave. Dhe ato e bënin imagjinatën time të fluturonte dhe të ishte përherë edhe më e panginjur, edhe më e etshme.

Pastaj fillova të rritesha dhe shijet e mia u bënë gjithnjë e më të ashpra. Fundet e lumtura të përrallave nuk më linin më aq shumë mbresa. Ndodhi si me pijet: kërkoja të ishin më të hidhura, më të forta e më pak të ëmbla. Vëmendja e kureshtja ime donte të pinte ujë nga rrëfimet me ngjarje reale, që ishin të shumta e kishin të bënin me jetën: lindjet, martesat, vdekjet, heroizmat, tradhtitë apo besnikëritë që shpesh, përfundonin me ikje vajzash e grash, me ndarje apo rrëmbime, me heroizma, drama apo tragjedi.

Nëse më duhet të them se çfarë historish më pëlqejnë më shumë, janë ato që kanë në thelb të tyre drama komplekse, me përplasje të fuqishme shoqërore e erotike.

Ka ndonjë shkrimtar që ju e vlerësoni, por mendoni se të tjerët nuk e vlerësojnë si duhet?

Riza Braholli: Do të veçoja Frederik Rreshpjen. Për interpretimin e poezisë së tij kam punuar disa vjet duke mbrojtur dhe tezën e doktoraturës me të dhe mendoj se figurës dhe poezisë së tij duhet t’i bëhet vend ndër poetët klasikë të poezisë shqipe. Ka disa studiues e poetë që janë marrë me Rreshpjen dhe nën zë të gjithë e duan, por duhet të studiohet edhe nëpër aulat e universiteteve. Jemi me fat që gjuha shqipe ka një poet si ai.

Cili është libri më i bukur që iu kanë bërë dhuratë?

Riza Braholli: “Meshari”, i transliteruar nga dora e Prof. “Eqerem Çabejt”, dhuratë për 7 Marsin, nga nxënësit e mi, klasa maturë 2013 e “Hoteleri-Turizmi”.

Nëse do ju kërkonin të shkruanit një biografi, kë figurë do të zgjidhnit?

Riza Braholli: Ismail Kadarenë. Është një figurë e ndërlikuar, me plot mistere hijedritash, në marrëdhënie dashurie dhe akullsie me pushtetin, por dhe në një proces dramatik krijimi. Është një figurë që të tremb me lartësinë dhe vendin që ka fituar, por dhe që të josh duke të ftuar për sfida.

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Riza Braholli: Nuk duhet të ketë lexues që të mos e kalojë nëpër sy, në mendje e në zemër “Iliadën”. Me të fillon dhe mbaron letërsia e madhe antike, klasike e moderne. Sidomos nëse aspiron të bëhesh shkrimtar apo poet…

Librat dhe leximi në rrëfimin e shkrimtares Sonila Strakosha

Sonila Strakosha

Lindur dhe rritur në Tiranë. Ka kryer studimet e larta pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi, Tiranë. Ka punuar disa vite si mësuese e letërsisë dhe e gjuhës shqipe në ciklin tetëvjeçar, në shkollën italiane “Galileo Galilei”. Aty njihet me bashkëshortin e ardhshëm. Më pas largohen drejt Italisë dhe akoma më larg, në Kazablanka (Marok), ku punon si edukatore e ciklit parashkollor. Në vitin 2003, familja e shtuar edhe me një djalë, zhvendoset në Torino të Italisë. Dy vitet e fundit ka publikuar dy romane, ku trajtohen temat e emigracionit dhe të dhunës fizike e psikologjike ndaj femrës. Bashkëpunon me shtëpitë botuese “Europa Edizioni”, Itali dhe “Caosfera”, Itali. Disa shkrime të Strakoshës janë bërë pjesë e antologjive të ndryshme. Së shpejti del në qarkullim romani i tretë, me shtëpinë botuese “Besa”, Tiranë, e cila ka në vëmendje dhe fokus edhe autorë nga Shqipëria dhe Ballkani. Shtëpia Botuese “Aletti editore” ka zgjedhur disa poezi të Strakoshës për t’u interpretuar dhe publikuar në YouTube nga Alessandro Quasimodo, regjisor dhe aktor.

Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Sonila Strakosha: Ashtu si në jetë, edhe në zgjedhjen e një libri jam shumë instiktive. Shpesh blej një libër e tërhequr vetëm nga titulli apo kopertina. Nuk lexoj domosdoshmërish emra të njohur e të afirmuar. Më pëlqen të eksperimentoj edhe me zgjedhjen e një libri. Ndonjëherë gaboj, por më së shumti zgjedhjet e mia nuk më tradhtojnë. Mbi komodinën time mund të ketë libra nga më të ndryshmit, por përgjithësisht preferoj stilin sentimental, rozë. Librat romantikë mbeten të preferuarit e mi. Mendoj se leximi duhet të shërbejë, sigurisht, për të ndihmuar në formimin dhe zgjerimin e njohurive tona, por (dhe këtë më pëlqen ta theksoj) edhe për të na lejuar t’i dedikohemi për pak kohë vetvetes, të hyjmë në një botë vetëm tonën dhe të përqendrohemi në dimensionin ku na çojnë faqet e shfletuara. Leximi duhet të jetë, mbi të gjitha, relaks, qetësi, paqe, dashuri, edhe pse shumë shpesh ndodh të takojmë libra që të tronditin, apo të godasin fort në shpirt. Për shembull, kjo më ka ndodhur kur kam lexuar “Se questo è un uomo” Primo Levi. Në vogëli e njëjta gjendje më ka ngërthyer kur kam mbaruar “Ditari i Ana Frank” apo “Djaloshi zezak” dhe shumë tituj të tjerë.

Aktualisht mbi komodinë kam librin “Dolce Attesa” të Tony Parsons. Historia e tri motrave shumë të  ndryshme nga njëra-tjetra në këndvështrime për jetën, qasje dhe dëshira a jo me të  qenurit nënë; raporti që ato kanë me partnerët dhe si e konceptojnë dashurinë. Interesant m’u duk fakti se si një shkrimtar mashkull ka arritur ta përshkruajë botën femërore në mënyrë aq shumë të arrirë.

Kur dhe ku lexoni?

Sonila Strakosha: Adhuroj leximin pasdite, në ballkon (kur klima ma jep këtë mundësi), ose në shtrat, përpara gjumit.

Cili është libri i fundit që keni lexuar dhe iu ka ardhur keq që e mbaruat?

Sonila Strakosha: Libri që sapo kam mbaruar dhe më erdhi keq që u ndava prej tij është “L’altra storia di noi” e Jennifer Weiner. Libri tregon një histori të bukur miqësie, të cilën rrethanat e jetës, edhe pse jo të lehta, nuk do të arrijnë ta copëtojnë.

Çfarë gjinie libri preferoni në përgjithësi të lexoni?

Sonila Strakosha: Preferoj gjininë sentiment. Shumë librave klasikë të letërsisë botërore u jam rikthyer më shumë se një herë. Por nuk lexoj vetëm një gjini. Adhuroj të lexoj edhe thriller, giallo, aventurë. Më afashinon shumë, për shembull, Agatha Cristie, Camilleri, Grisham, Falletti, por në këtë moment po me apasionon shumë Wibur Smith.

Cili ka qenë libri më i preferuar për ju kur ishit fëmijë? Ndonjë personazh që ju ka shërbyer si model?

Sonila Strakosha: Libri im i preferuar, jo vetëm kur kam qenë fëmijë, por dhe sot, mbetet “Zemër” e de Amicis. Nuk kam ndonjë personazh si model, por për shembull tani që po mendohem, më shkoi mendja tek “Allie”, personazhi i librit “Le pagine della nostra vita” e Sparks. Një vajzë që vendos të ndjekë rrugën që i tregon zemra, duke sfiduar çdo vështirësi dhe mëdyshje. Jam ndjerë shumë pranë personazhit të Elizabet Benet tek “Krenari dhe gjykim” (“Orgoglio e Pregiudizio” titulli në italisht).

Cili është libri që mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Sonila Strakosha: Ka shumë libra të cilëve u jam kthyer e kthyer… Për shembull, “Të mjerët”, “Lufta dhe paqja” “Va dove ti porta il cuore”, “Oliver Tuist”, “Il vicolo della duchesca” dhe shumë të tjerë. Adhuroj Viktor Hygo dhe stilin e tij të të shkruarit, që për mua është romantik dhe realist në të njëjtën kohë. Një ndër librat që më ka rrëmbyer dhe  i jam rikthyer me dëshirë të madhe është “Thuaji zemres po” i Susanna Tamaro.

Nëse do ju kërkonin t’i rekomandonit një libër Presidentit të Italisë, cilin titull do zgjidhnit? Po për Presidentin e Shqipërisë?

Sonila Strakosha: Më befasoi pyetja se çfarë libri do t’i rekomandoja presidentit të Italisë dhe atij të Shqipërisë! Sinqerisht u zura ngushtë, sepse zgjedhja do të ishte shumë e vështirë, por vendosa të mbetem tek lidhjet e mia të hershme, pra tek fëmijëria. Libri “Zemër” mendoj se duhet lexuar nga çdo individ, sepse ka aq shumë vlera njerëzore dhe është i mbushur me domethënie të shprehura në mënyrë të thjeshtë, por dhe të fuqishme, aq sa mund të bëhet i prekshëm e i kuptueshëm për fëmijët, por njëkohësisht tepër interesant dhe domethënës edhe për të rriturit. Do e këshilloja këtë libër për të gjithë, jo vetëm për presidentin. Me siguri Presidentët këtë libër e kanë shfletuar që në fëmijëri, por mua ky titull m’u tipos në kokë. E kam lexuar në shqip dhe në italisht, por të them të vërtetën, në gjuhën italiane më ka tërhequr disi më tepër. Nuk di çfarë të them për sa i përket një titulli, që mund t’i sugjeroja Presidentit të Italisë. Nuk po shkruaj emrat më të njohur të letërsisë shqipe, siç ndoshta mund të pritej. Po të them një libër, që mua personalisht më ka rrëmbeyer për vërtetësinë dhe sinqeritetin e të shkruarit, “Retë dhe gurët” e Petro Marko. Nëpërmjet biografisë së tij. Marko tregon dhe gjendjen historike, sociale të Shqipërisë në kohë të ndryshme, lidhjet e pashmangshme që në kohëra Italia dhe Shqipëria kanë patur. Do të ishte mirë që një president italian të mund, sadopak, të kuptojë edhe gjendjen e mjerë në të cilën ra Shqipëria gjatë sundimit diktatorial, gjendje e cila shfaqet shumë qartë dhe dhimbshëm nëpërmjet jetës së Petro Markos.

Mund të na përshkruani vendin dhe kohën ideale për lexim?

Sonila Strakosha: Vendi im ideal për t’iu dedikuar leximit është në hijen e një tarrace, në vetmi, por edhe në darkë vonë: unë, libri dhe drita qetësuese e abazhurit. Leximi është një moment vetëm i imi.

Kush është shkrimtari i ditëve tona që ju admironi më shumë?

Sonila Strakosha: Ka shumë shkrimtarë që admiroj, por po përmend thjesht poezinë e Dritëro Agollit, Xhevahir Spahiut, Lasgush Poradecit. Pastaj për arsye krejt të tjera më ka emocionuar pena e fuqishme e Fishtës, Migjenit dhe Nolit.

Një shkrimtare e ditëve tona që unë e kam adhuruar në adoleshencë ka qenë Diana Çuli. Më vjen vërtet keq të konstatoj që nuk shkruan shumë… ose mbase mua nuk më kanë rënë në dotë shumë libra të saj në këta vitet e fundit.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur? Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Sonila Strakosha: Libri i fundit që më ka bërë të buzeqesh është “Singolare Feminile” e Modignani. Ka më se një vit që e kam lexuar, por mbaj mend që e mbylla dhe buzëqesha, mbase sepse e prisja ndryshe nga ç’doli… mbase u zhgënjeva disi… Pritshmeria ime pasi pata lexuar libra të tjerë të kësaj autoreje, qe ndoshta më e madhe.

Kam qarë me shumë libra. Mund të përmend ketu “Tre shokë” dhe “Manastiri i Parmës”. Tani kur kujtoj ato momente më vjen për të qeshur…

Kam qarë së fundmi edhe me librin që kam shkruar dhe do të publikohet këtu, në Itali, në mars. Është ndjesi e çuditshme kur qan me librin që ke shkruar vetë!

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?

Sonila Strakosha: Frymëzimi për të shkruar më ka rrëmbyer që e vogël. Kur diçka tërhiqte vëmendjen time ndjeja dëshirën ta shprehja atë ç’ka provoja nëpërmjet fjalës së shkruar. Për një kohë të gjatë kam mbajtur ditare dhe më vjen vërtet keq që shumë prej ditarëve të dikurshëm, për papërgjegjshmëri o pakujdesi timen, nuk i zotëroj më. Më pëlqen ta hedh në letër ndjenjën, sensacionin apo emocionin e momentit, është një farë qetësie e përkohshme, sikur me çliron, me shplodh ideja që mendimet e mia të  gjithfarëllojshme i ruaj diku, jo vetëm brenda vetes, por dhe diku gjetkë, mbase një dëshirë e fshehtë për t’u shprehur me ditarin, për t’u hapur në një farë mënyre me dikë. Një nevojë imja të shprehem pa patur njerëz përreth, meqenëse jam tepër e rezervuar dhe fanatike në shprehjen e emocioneve. Arsyeja që i shkruaj është ndoshta ajo nevoja që ka shpirti të hapet diku, pa frikën se do ta gjykojnë. Arsyeja pse shkruaj është mbase dhe dëshira që t’i transmetoj dikujt atë që mbaj brenda. Shpesh hyj dhe bëhem vetë pjesë e asaj ç’ka tregoj, më pëlqen të ngatërrohem me ngjarjen të cilën shtjelloj, dhe perceptimet e mia të ndërthuren me dimensionin që jam duke krijuar. Kur nis të shkruaj diçka asnjëherë nuk di si do ta shtjelloj apo përfundoj atë krijim, dhe ky fakt më dëfren. përveçse duhet ta pranoj që edhe më lodh ndonjëherë e më mundon, por është një lodhje e ëmbël. Jeta do më dukej shumë e varfër pa mundësinë për të shkruar. Shumë gjera që kam shkruar do të mbeten përgjithmonë vetëm të miat, sepse e di që nuk do të marr guximin t’i bëj asnjëherë publike, por ndodh që mbas vitesh të lexoj ndonjë varg apo ese të shkurtër dhe buzëqesh e provoj dhembshuri për veten dhe për naivitetin e kohës së cilës i përkasin.

  • Të gjithë si një vajzë fare të urtë më njihnin

Të heshtur, të qetë, ndoshta melankolike

Zhurmën e shpirtit tim s’mund ta dëgjonin

Askush s’lexonte dot në brendësinë time.

  • Sa shumë qetësia ime njerëzit i gënjente

Përshtypje të gabuar të gjithëve u falte

Në fakt dukja ime që qetësi tregonte

Një glob të tërë kaosi e gjëmimesh mbante.

Para disa ditësh për shembull, buzëqesha me veten duke lexuar keto vargje… dhe këtë here paskam dëshirë t’i ndaj me lesuesin!

Cilat histori ju tërheqin më shumë?

Sonila Strakosha: Mbetem ëndërrimtare e pashërueshme dhe ky fakt më ndjek si në të shkruar, por dhe në lexim. Pëlqej, më së shumti, histori të rrjedhshme, jo të rënda, të  lehta, romantike, por kjo nuk më ka penguar të lexoj edhe gjini e stile të tjera. Por nuk di a do arrij të shkruaj ndonjëherë ngjarje të rënda, të forta, krude, ku të transmetoj dhimbje të pashmangshme të një realiteti të keq e të dhimbshëm. Mbetem romantike edhe në realitetet e rënda me të cilët hap një vepër (shembull romani që do të publikohet së shpejti) dhe mundohem të gjej një zgjidhje jo tragjike ose jo krejtësisht të hidhur. Ka gjithmonë poezi, shumë ndjenjë dhe shumë shpresë në shkrimet e mia. Nuk i shmangem dot të bukurës, të drejtës, mirësisë. Mundohem që në një mënyrë a në një tjetër, duke u munduar të mos dukem artificiale në përshkrimin e asaj ç’ka tregoj, t’i jap jetë fitores, e ndjej në lëkurë dëshirën që kam për të triumfuar mirësia, edhe pse jam e bindur që në jetë shpesh ndodh e kundërta. Ndoshta brenda, brenda vetes time, ka shumë prej fëmijës së dikurshëm…

Këtë fakt ma theksoi edhe editori që do më publikojë librin. I kisha thënë që po shkruaja një pjesë të fortë, të dhimbshme, por në fund nuk ia dola dot të fundosja krijimin tim në terr të plotë, edhe pse e bindur që historia që po tregoja kishte të bënte shumë pak me “fundet e bukura të perrallave”, por u mundova të gjeja mënyrën për të mos e “dënuar” veprën time vetëm me hidhërim.

Mendoj se çdo shpirt ka të ngjizur një mënyrë dhe një stil unik të shprehuri apo të shkruari, mua më ka rënë për hise kjo mënyrë… që mbase mund të rezultojë më pak realiste në disa raste, por mendoj që arti është i gjithanshëm, ka nevoje për vërtetësi, realizëm, qartësi, dhe gjithashtu edhe për ëndërr, romance, ëmbëlsi, shpresë që ndonjëherë jeta të mund vërtet të jetë “pak përrallë e vërtetë”.

Ka ndonjë shkrimtar që ju e vlerësoni, por mendoni se të tjerët nuk e vlerësojnë si duhet?

Sonila Strakosha: Pyetje në se ka ndonjë shkrimtar që për mua nuk vlerësohet sa duhet nuk di si t’i përgjigjem konkretisht. Më vjen ndër mend Gabriel Garcia Marquez. Është, sigurisht, tejet i vlerësuar, por në disa raste lexoj reagime apo komente përbuzëse në lidhje me veprën e tij, si dhe gjykime të tipit: shumë i zgjatur në përshkrime, apo një stil që lodh ose i vështirë për t’u kapur etj. Ja me këto gjykime nuk jam dakord. E konsideroj veprën e Maquez gjeniale, të mrekullueshme! Kur vendos të lexosh një autor duhet të hysh brenda botës së tij, të kuptosh natyrën e njeriut që shkruan, të lexosh nëpërmjet rreshtave perceptimet njerëzore që provon shkrimtari, ndjenjën me të cilën po krijon boten e tij në libër. Vetëm në këtë mënyrë do të kuptosh tërësisht një libër, vetëm në këtë mënyrë do të mund të mësosh sa mund ka hedhur shkrimtari në veprën e tij. Duhet të bëhesh një me librin, të hysh brenda dhe jo ta lexosh i distancuar. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të kuptohet, plotësisht, gjenialiteti dhe paarritshmeria ndjesore dhe humane e Marquez (të cilin unë, personalisht, e adhuroj).

Cili është libri më i bukur që iu kanë bërë dhuratë?

Sonila Strakosha: Më kanë bërë shumë libra dhuratë. Vendosa të shkruaj një rast të bukur, që më ka emocionuar. Kur im bir ishte i vogël në shkollë fillore, e shoqërova një ditë tek shtëpia e një shokut të tij për të kaluar mbasditen së bashku. Ndërsa të vegjlit luanin, unë me të ëmën e djalit u humbëm në bisedat tona të përgjithshme mbi jetën, fëmijët etj… Mes të tjerash, në një moment i thashë bashkëbisedueses që kam qenë gjithmonë e apasionuar pas përrallave të Hans Christian Andersen dhe që vazhdoja t’i lexoja me kënaqësi edhe në moshë madhore. Kur erdhi ora që do largoheshim, shoku i djalit tim erdhi dhe më solli një libër që dukej se kishte mbështjellë me shpejtësi me dy letra. ku kishte vizatuar shkollën dhe parkun. E kishte paketuar librin në mënyrën e tij. Qe një dhuratë për mua. Brenda mbështjellë ishte libri me përrallat e H.C. Andersen. Për mua mbetet një dhuratë, surprizë, vërtet e dashur.

Nëse do ju kërkonin të shkruanit një biografi, kë figurë do të zgjidhnit?

Sonila Strakosha: Do të ishte shumë bukur të mund të shkruaja një biografi për Nënë Terezën. Një figurë e mrekullueshme, të cilën e kam adhuruar për thjeshtësinë, përulësinë dhe madhështinë që e ka karakterizuar gjithmonë. Ose për jetën e Vaçe Zeles. Akoma, do më pëlqente të tregoja mbi jetën e shumë femrave e grave të persekutuara nga diktatura komuniste. Mund të përmend këtu Liri Belishovën. Më rrëqethet mishi kur lexoj mbi jetën e saj. Ose një tjetër vajzë, Marie Tuci. Kur kam lexuar mbi fundin tragjik të Maries jam hidhëruar dhe befasuar. Mund të shkruaja me qindra emra… mendoj se për këto figura duhet shkruar gjithmonë, nuk duhet t’ia lemë harresës t’i marrë.

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Sonila Strakosha: Libra të këshillueshëm për t’u lexuar janë vërtet shumë. Varet edhe nga preferencat e gjithsecilit prej nesh, por unë rekomandoj të lexohet nga të gjithë, të vegjël e të rritur, libri “Zemër” për vlerat edukative, letrare, humane që mbart. Këshilloj edhe librin “Thuaji zemres po” (“va dove ti porta il cuore” italisht). Më vjen të qesh se në dy tituj që shkrova, gjendet fjala “zemër”.

who’s who Lazër Shanto

Nga Visar Zhiti

Lazër Shanto u lind në Shkodër, më 2 shtator 1892. U shkollua në kolegjin Saverian dhe në Seminarin papnor në Shkodër me pedagog Ndre Mjedën e etër të tjerë jezuitë. Përvetësoi latinishten, greqishten e vjetër e italishten. Është shqiptari i parë që njeh shkëlqyeshëm gjuhën esperanto. Pasi kreu studimet e larta teologjike në Universitetin e Insbrukut, shërbeu si famullitar në Pulaj, Beltojë, Velipojë, Rrjoll, Sheldî.

Sa të bukur janë qytetet nëpër Europë, por qielli tek ne është madhështor, ka shumë dramë… – deklaronte Shanto.

Përkthente! Botimet e para i bëri te “Lajmtari i zemrës s’Jezu Krishtit”, “Kalendari i veprës pijore” etj.

Nxori “Për natë kazanash”, një përmbledhje me lojëra, kashë-e-lasha e proverba. Bashkëpunoi me Anton Harapin për “Ora e Maleve”, ku spikati dhe si poet satirik, me një gjuhë të gjallë e argëtuese. Por ai dinte të ishte dhe epik e me alegorira.

Do të shkëlqente si orator. Shkrimi për Luigj Gurakuqin ose Fjala e tij në funeralin e Avni Rustemit do të trondisnin shpirtrat. Ashtu i veshur me të zeza, me ballin e gjerë e sy të butë, por gjithë vendosmëri, vazhdimisht kërkonte të bënte… por e kapën dhe e burgosën si organizator në Revolucionin e Qershorit të 1924-ës. Mbas disa muajsh u fal nga qeveria e Zogut dhe u largua për në Jugosllavi, nga ku vazhdonte të dërgonte shkrime.

Në veprën e tij shpaloset natyrshëm estetika me prirjet e saj letrare të fillimit të shekullit XX, si ajo franceze e gjermane, kurse në poezi është leopardian.

Iku në Vjenë e më pas famullitar i fshatit Bienne, ku predikoi gjermanisht, dhe në La Motte te kantonit Vaud, në frëngjisht. Por gjithnjë ajo buzëqeshja e tij e mirë. Mbi supe ndiente hijen e maleve të veta. Kishte etje për fjalën shqipe dhe përkthente Vilhelm Telin e Faustin dhe çonte pjesë të tyre në shtypin shqiptar.

Pasi Shqipëria u pushtua nga Italia, ashtu si shumë mërgimtarë të tjerë, edhe Lazër Shantoja u kthye në atdhe. Në vendlindje iu bë një pritje tepër e ngrohtë. Teksa endej rrugëve me kalldrëm të qytetit, hapat sikur merrnin tjetër porosi nga toka…

U bë drejtor i shoqërisë Letrare “Dante Aligieri”.

Më 1941 bashkë me Ernest Koliqin, Mustafa Krujën, Zef Valentinin, Karl Gurakuqin, Xhevat Korçën (që do të dënoheshin më pas të gjithë nga regjimi që do të vinte), themeluan në Tiranë Institutin e Studimeve Shqiptare.

Pas kapitullimit të Italisë, më shtator 1943, u mor veç me përkthime të veprave të mëdha, por e trondiste lufta vëllavrasëse që kishte filluar në Shqipëri. Në janar të vitit 1945 e arrestuan forcat partizane, e zbritën të lidhur. Filluan torturat. Mes rënkimesh, u tha me zë të mekur: …e kam dijtë me kohë se komunistët janë veç trathtarë!…

Buzëqeshja e tij e çiltër ra bashkë me dhëmbët mbi dyshemenë e përgjakur.

who’s who Llazar (Zai) Fundo Nga Visar Zhiti

Zai Fundo (20 mars 1889 – shtator 1944) – PARARENDËS i BASHKIMIT EUROPIAN

 Nga Visar Zhiti

E pushkatuan në shtator të vitit 1944, në kulmin e forcave burrërore, 45-vjeçar, me shumë kulturë, i pashëm, elegant. Si fillim e torturuan egërsisht, më pas ia thyen eshtrat me porosi të diktatorit të ardhshëm, Enver Hoxha.

Por kush ishte Zai Fundo? Kush e kishte njohur?

Pararendës i Bashkimit Europian, e quan Giovanni Falceta, profesor italian, hulumtues pasionant i jetës së tij.

… kthehej nga internimi në Ventotene, nga andej ku njeriu, në një farë mënyre, është i mbyllur dhe nuk bën dot jetë, nuk shpalos mendjen e nuk sjell bëmat që do të dëshironte, por edhe s’ka ku fshihet.

Ja çfarë shkruan bashkëvuajtësi i tij, prof. Safet Butka:

  • Në Ventotene ishte i internuar edhe një profesor korçar me emrin Llazar Fundo, pra ortodoks. Në fillim ky ishte komunist, sepse e quante komunizmin shpëtim të njerëzimit dhe model të barazisë e të humanizmit. Mirëpo, kur vajti në Rusi dhe e pa me sytë e tij se ç’ishte në praktikë komunizmi, i shkroi një letër Fan Nolit: “Pandeha se komunizmi ishte si Krishti, por ai qenka më i keq se djalli”. Qysh prej asaj kohe ai u bë një antikomunist i vendosur, po aq sa ç’ishte dhe antifashist i betuar. Në Ventotene u bëmë miq.

Një portret të Zai Fundos, dëshmi të shkëlqyer e të dhembshme, copëz jete, na jep një tjetër mik i tij, federalisti italian Altiero Spinelli, ideator i Europës së Bashkuar, në  autobiografinë “Si provova të bëhesha i urtë”:

  • E ndiej për detyrë të flas këtu për Fundon, sepse kemi qenë miq për disa vjet. Ishte më autoritari nga gjithë shqiptarët, sepse kishte një përvojë të gjatë dhe komplekse politike, që iu mungonte jo vetëm pastorëve myslimanë, por edhe intelektualëve, të cilët ishin futur në politikë vetëm së fundi, të shtyrë nga neveria për pushtuesin fashist. Fundo ishte bërë komunist në Paris gjatë studimeve universitare. Duke qenë se besimit të tij i shtohej inteligjenca dhe njohja e jo pak gjuhëve, angazhimi i tij politik kishte arritur përtej Shqipërisë, dhe, kur Dimitrovi ishte arrestuar pas zjarrit në Rajhshtag, Fundo ishte në Berlin si një nga bashkëpunëtorët e tij. I kishte shpëtuar arrestimit dhe kishte rihyrë në Moskë, ku punonte në Internacionale. Kur nisi era e spastrimeve të mëdha, ai, komunist besnik, por i edukuar në një atmosferë kulturore liberale në vendet demokratike, kishte krijuar lidhje me jo pak kundërshtarë të Stalinit…

Në Ventotene ishte afruar në mënyrë të natyrshme me ish-komunistët dhe socialistët, me të cilët fliste shpesh për mallkimin e regjimit të Stalinit. Ndërkaq shëtiste i qetë, i bukur e i drejtë, me flokët biondë që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit, që ishte duke lexuar në greqisht, duke kërkuar tek tekstet antike qetësinë e shpirtit që ia kishte marrë dështimi i përvojës së tij komuniste dhe që nuk e gjente gjëkundi…

Pas 8 shtatorit, kur u lirua dhe grupi i fundit i të internuarve të Ventotenes, Llazar Fundo zbriti në bregun puliez, kaloi në Shqipëri, u njoh me partizanët komunistë, duke u thënë kush ishte dhe që po vinte të luftonte me ta, u vu pas murit dhe u pushkatua. Ishte a s’ishte dyzetë vjeç!  Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton.

Të kujtojmë Llazar Fundon!

 *   *   *

…i përkiste një familjeje tregtare, me origjinë nga Voskopoja. U lind në Goricë të Korçës, më 20 mars 1899. Studioi në Liceun Francez, në Selanik, dhe pastaj për drejtësi në Sorbonë, në Paris. U kthye në atdhe si jurist, u fut në shoqërinë “Bashkimi” dhe, pas vrasjes së Avni Rustemit, u zgjodh kryetar i saj dhe drejtoi gazetën me të njëjtin emër të shoqërisë.

Kur ra qeveria e Nolit, më 1924, Fundoja – 25-vjeçari me sytë që i prushërinin, që gëzonte respekt të tejmë, bashkëpunëtor dhe veprimtar me Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Tajar Zavalanin etj., mërgoi në Itali, Austri, Gjermani, Francë, Rusi. Në Vjenë u lidh me Federatën Komuniste Ballkanike, ku bënte pjesë dhe KONARE-ja dhe Komiteti për Kosovën. Më pas shkoi në Bashkimin Sovjetik, u diplomua për filozofi në Moskë, dha leksione në Leningrad dhe u anëtarësua në Komintern. U interesua për krijimin e një partie komuniste në Shqipëri dhe punoi për grupin komunist të Korçës.

Më 1933 shkoi në Gjermani, i stuhishëm dhe i matur njëkohësisht, shok me Dimitrovin,  dhe pas akuzës për djegien e Rajhshtagut, u largua për në Bashkimin Sovjetik bashkë me gruan me të cilën bashkëjetonte, znj. Maria Margaretha Stemmer. Ishte burrë i pashëm, i dashuruar vazhdimisht, elegant dhe në veshje, me një buzagaz të fshehtë.

Ndikoi shumë te vullnetarët që do të shkonin në Luftën e Spanjës. Pasi doli kundër Stalinit, Kominterni e dënoi me vdekje. Mbi fytyrën e tij ra hija e përzishme e mortjes.  U kthye në atdheun e sapopushtuar nga Italia. Zai Fundo sikur kishte një fytyrë tjetër tani, vegimit qiellor iu shtua më shumë hije toke, ndërkaq ai i ndërpreu marrëdhëniet me Partinë Komuniste dhe Kominternin, u afrua dhe bashkëpunoi me nacionalistët shqiptarë. Nisi punën si mësues gjimnazi, por pas një viti e hoqën për shkak të veprimtarisë së tij antifashiste dhe e internuan në ishullin famëkeq Ventotene. Atje do të ishte me bashkatdhetarët e tij, me intelektualët e njohur Safet Butka, Muzafer Pipa, Isuf Luzaj, me Kryezinjtë e Kosovës etj., por dhe me ideologët italianë të Europës së Bashkuar, Altiero Spinelli, Ernesto Rossi, me të cilët Zai, bashkë me mikun tjetër të tyre Stavri Skëndo, hartuan Manifestin e njohur të Ventotenes, “Për një Europë të lirë dhe të bashkuar…”, që përmban bazën e idealeve për unifikimin e Europës. Zai Fundo tashmë ishte shqiptari europian, mbi supet e tij të brishta po rëndonte një ardhme tjetër, me prarime të bruzta.

Shpesh rrinte i vetëm buzë detit, i ngrysur, si ballkanas ndiente Uliksin brenda vetes dhe dëgjonte sirenat e kthimit…

Pas rënies së fashizmit, Sandro Pertini e mbështeti vëllazërisht Zai Fundon që të rrinte në Romë, ta vazhdonin së bashku luftën, por ai vendosi të shkonte në një tjetër shesh beteje, në atdhe, ku e thërriste fati, drama e shpirtit.

U bashkua me vëllezërit Kryeziu dhe me misionin britanik në Malësinë e Gjakovës. Por aty, në Bytyç, në shtator të vitit 1944 u kap nga partizanët jugosllavë dhe iu dorëzua komunistëve shqiptarë, që e dinin për trockist. Në Kolesian të Kukësit e pushkatuan me ngut, me panik të madh. Duhej masakruar se sikur i trembeshin jo vetëm dijes së tij, por edhe bukurisë së burrit. Kishte shpëtuar nga kthetrat e Stalinit, të Duçes dhe të Hitlerit, por nuk mundi dot t’u shpëtonte të atyre mes të cilëve erdhi të vazhdonte luftën për atdheun e ëndrrës.

Duke vrarë Fundon, ata vranë qysh në fillim filozofinë largpamëse për një Europë të Bashkuar, ku paskësh pasur dhe shqiptarë që paskëshin hedhur hijen e tyre në atë horizont, vranë qytetarinë dhe elegancën, deri edhe modën, atë shamizën në xhep, krehjen dhe brilantinën, një si vezullim të magjishëm…

Përthyerje për të qëmtuar: Teatri i Metropolit ndërmjet zgjedhjeve dhe zgjidhjeve Nga Valbona Nathanaili

Përthyerje për të qëmtuar: Teatri i Metropolit ndërmjet zgjedhjeve dhe zgjidhjeve

Nga Valbona Nathanaili

Më datë 5 dhjetor 2018, Teatri i Metropolit organizoi një tryezë të rrumbullakët, me synimin për të marrë mendime nga një grup ekspertësh për ndikimin në komunitet të dy edicioneve të Metrofest, Metrofest 1 (2017) dhe MetroFest 2 (2018). Është hera e parë që një institucion merr një nismë të tillë dhe duhen përshëndetur, në veçanti, drejtorja Jonida Beqo dhe përgjegjësja për sektorin e edukimit Sonila Kapidani, sikundër t’i falënderoj për të qenë pjesë e panelit.

Duke qenë se e kam ndjekur me vëmendje aktivitetin e Teatrit të Metropolit, duhet theksuar se përgjatë këtyre dy vjetëve, ku përveç shfaqjeve, një vend të rëndësishëm kanë zënë edhe Klubi i leximit, apo shkolla e kurse organizuar me grup-mosha të ndryshme, kam të gjitha arsyet të vendos në sfond të analizës teatrin si agjenci, pra si institucion që funksionon me të gjitha opsionet: ka kapital njerëzor të kualifikuar, ka strategji, ka objektiva për të vepruar në mënyrë të orientuar ndaj botës sociale, një Teatër i Metropolit që lufton Monopolin në mënyrën e të menduarit dhe guxon të përziejë shijet e grupeve të ndryshëm.

***

Në periudhën 1939-1941, që korrespondon me kohën kur Shqipëria ka qenë nën pushtimin italian, Ministër Arsimi ka qenë Ernest Koliqi, një nga mendjet më të shquara të këtij vendi në fushën e kulturës dhe krijimtarisë, njëherazi shumë i diskutuar për arsyet që e kanë shtyrë të pranojë bashkëpunimin me pushtuesit e vendit. Por synimi ynë është të ndalemi në atë dimension të veprimtarisë së tij që e bën me nder dhe për të cilën e respektojmë, krijimtarinë dhe pasionin për kulturën, të cilat nuk i kanë munguar edhe kur ka qenë në postin e ministrit. Në kulmin e veprimtarisë si Ministër i Arsimit, u dërgon të gjitha shkollave një qarkore, nëpërmjet së cilës u kërkon mësuesve të përfshihen në mbledhjen e folklorit në zonat ku japin mësim. Nga 22 pyetje që përmbante qarkorja, mësuesit duhet të zgjidhnin 2-3 “për t’i studiuar e shtjelluar me kujdesin më të madh, peshuem dhe matur mirë, pa shtuar ndonji gja nga fantazija, dhe pa lënë të metë gjëkafshë për çdo arsye qoftë”, – porosiste Koliqi. Disa nga pyetjet për të cilat mund të mblidhnin të dhëna janë:

  • Dëfteni një për një zakonet e lindjes, pagëzimit, synetit, fejesës e vlesës, martesës e vdekjes (të tretat, të shtatat, të nëntat, të dyzetat). Tregoni çfarë urimesh e çfarë thuhet me rastin e këtyre ngjarjeve!
  • Si e parashikojnë bujqit ardhjen e kohës së mirë ose të keqe, si shiun, breshrin, borën, dimrin e rreptë ose të butë, vapën e madhe etj.? Për shembull, kur këndon gjelin në një çast të caktuar, kur piqet ndonjë pemë etj.?
  • Çfarë zakonesh e çfarë besimesh mund të ketë në katund (a në qytet), që bien fort në sy? Për shembull, dita e djegies së rrogozave në Berat, dita e flakadanit, dita e rusicave (kur dikush vishet me gjethe e gjelbërime dhe i derdhin ujë) etj.

Pyetjet e qarkores së Koliqit kërkojnë të evidentojnë atë pjesë të kulturës që njihet si “Kultura e përfaqësimit”, kultura që përbëhet nga besime, norma e vlera kolektive, legjenda e simbole popullore, piktura dhe ikona, ligje e kode kanunore, pra është kultura që përfaqësohet nga një bashkësi faktesh sociale, materiale ose jomateriale që përbëjnë një detyrim moral, një marrëveshje sociale, unike për një vend dhe kohë të caktuar. Lajmi i keq është që kjo pjesë e kulturës jo vetëm nuk përfaqëson individin, por del edhe jashtë sferës së ndërveprimit individ-individ, ndërsa lajmi i mirë është që mund të studiohet dhe analizohet dhe, në terma afatgjatë, edhe të ndryshojë, por kërkon shumë mekanizma. Grupet që merren me studime të kësaj natyre janë nga fusha të ndryshme të dijes dhe, ndonëse secili ka këndin e vet të gjykimit dhe vështrimit, të gjithë bashkohen në një pikë: teatri luan një rol të rëndësishëm dhe është një nga mekanizmat që përshpejton ndryshimin. Thënë ndryshe, teatri është mjedisi në të cilin kultura e përfaqësimit, në rrjedhojë të misionit e funksionit të tij, përthyhet, njësoj me atë që ndodh me dritën gjatë kalimit nga një mjedis në një mjedis tjetër me koeficient të ndryshëm përthyerje. Pra, Teatri përthyen, sepse mjedisi i tij ka koeficient tjetër nga ai i realitetit. Teatri përthyen kur vepron si agjenci, rol të cilin, nga arsyetimet e mësipërme, Teatri i Metropolit e luan plotësisht.

Por çfarë ndodh dhe si mund ta shpjegojmë?

Dukuria e përthyerjes së Teatrit është e lidhur me dy faktorë: mënyrën si funksionojmë ne, si qenie sociale, dhe teatrin si agjenci.

Ne si qenie sociale, në të gjitha shoqëritë dhe në të gjitha kohërat, kemi jetuar të ndarë në grupe sociale, ku gjithmonë grupe të caktuara janë lënë mënjanë, janë stigmatizuar dhe kanë qenë në pozita inferiore me të tjerët, për shembull gratë ndaj burrave, vajzat ndaj djemve, romët ndaj gaxhive, të varfrit ndaj të pasurve, të zinjtë ndaj të bardhëve etj. Pra sfondi social ose paragjykimet që kemi, me ose pa dashje, ndikojnë mënyrën tonë të të arsyetuarit rreth përkatësisë në grup, pavarësisht nëse jetojmë në qytet a në fshat, jemi të rinj a të vjetër. Gjykimi ynë për një grup të caktuar influencohet shumë nga faktorët e mësipërm. Ajo që perceptojmë varet nga pozicioni ku jemi dhe nga ajo që shpresojmë ose jemi të bindur se do të shohim. Thënë këto, ne përbëjmë realitetin dhe materializohemi në pjesën teatrore.

Pra pjesa teatrore, pavarësisht faktit se është vënë në skenë në gjallje të autorit a pas vdekjes së tij, ose pavarësisht kohës që autori vendos në sfond të zhvillimit të ngjarjeve, na informon për kohën në të cilën është krijuar vepra, për kulturën e asaj kohe. Mënyra e ndërtimit dhe e rrjedhës së ngjarjeve, gjuha e përdorur, veshja, simbolikat, arkitektura e skenës janë, të gjitha bashkë, një lloj prerje e këtij realiteti social e kulturor!

Ndërkohë, misioni i teatrit është të tregojë, ndërsa thelbi i agjencisë së tij është paraqitja e një konflikti, konkretisht konfliktit ndërmjet individëve dhe rrethanave ku gjenden.

Sepse Teatri kërkon gjithnjë më shumë se çfarë ofron mjedisi, sepse teatri mban qëndrim, reflekton, hap perspektiva të reja, bind. Teatri gjeneron kënaqësi, i bën spektatorët të përjetojnë akte subversioni ose kritika kulturore pa frikë dhe pa masa vetëmbrojtëse, edhe kur dialogët që zhvillohen janë të mbushur me paragjykime të së shkuarës, thotë Martha Nussbaum.

Teatri na ndihmon të dëgjojmë me vëmendje dhe inteligjencë historinë e tjetrit, të kuptojmë emocionet e dëshirat që ka ose që ëndërron, ta shohim me simpati, të bëhemi tjetri vetë.

Pra, teatri, nëpërmjet agjencisë së tij, vë në lëvizje të menduarin ndryshe, nga këndvështrime të tjera, na ndihmon të kuptojmë sa e vështirë dhe diskriminuese është jeta e personave që u përkasin këtyre grupeve. Dhe të reflektojmë!

Në këtë kuadër, teatri luan rol që kultura e përfaqësimit, sado komplekse, statike dhe e rëndë që të duket, t’i nënshtrohet filtrave e gjykimeve të reja, besimet të rimerren në analizë, ndërsa stereotipet të vihen në pikëpyetje.

Në këtë mënyrë, Teatri shndërrohet në laboratorin e analizës së kulturës së përfaqësimit: çfarë na duhet dhe çfarë jo! Teatri shndërrohet në hapësirën për eksplorimin e çështjeve të vështira pa u zhytur në ankth!

Kujtoni komedinë “Diktatori” (2012) dhe batutën e Sacha Baron Cohen (njëri nga skenaristët dhe aktori kryesor), kur e dashura i thotë jam shtatzënë, ai përgjigjet: Çfarë do të lindësh, djalë apo do të abortosh?

MetroFest 1 (2017) dhe 2 (2018) organizuar nga Teatri i Metropolit kanë pasur pikërisht një synim të tillë: “Drama shqipe si laborator njohjeje dhe kërkimi”. Për më tepër, një nga dramat e zgjedhura është pikërisht nga Koliqi, me titull “Rrajët lëvizin”. Dramat e tjera të MetroFest 2 janë “Kryet e Hudhrës” nga Krist Berisha, “E mbesa e krahinarit” nga Kristo Floqi (edhe z. Floqi ka qenë Ministër i Arsimit, më nëntor 1920, në qeverinë e udhëhequr nga Iliaz Vrioni), “Makaronat e shejtanit” nga Lazër Lumezi dhe “Prangat’ nga Halil Laze.

MetroFest 1 ka pasur këtë repertor: “Loja e mbasdrekës” nga Martin Camaj, “Rrno për me tregue” nga At Zef Pllumi, “Armiq” nga Shpëtim Gina dhe “I biri i Begut” nga Milo Duçi.

Autorët janë shqiptarë, nga troje të ndryshme të Ballkanit, ndërsa veprat janë krijime që shtrihen në një periudhë jo më shumë se 50 vjeçare, përpara dhe mbas vitit 1944 (por jo mbas viteve 1990).

Le të analizojmë shkurtimisht se si e përthyen “Rrajët lëvizin” të Koliqit realitetin tonë sot. Në një vështrim makro, kultura në historinë e Shqipërisë moderne deri më 1990, mund të ndahet në dy periudha, që korrespondojnë edhe me sistemet ideologjike që kemi pasur: para 1944 dhe 1944-1990. Kultura 1944-1990 i takon regjimit komunist. Sistemi komunist, falë periudhës së gjatë që qëndroi në pushtet, si dhe rëndësisë së madhe që i dha kulturës, me njerëzit, fondet dhe instrumentet e shumtë që angazhoi, arriti të ndikojë e ndryshojë pjesë të veçanta të kulturës së përfaqësimit. Le të ndalemi te simbolika e pronës private, që ka lidhje me veprën. Në regjimin e mëparshëm prona u bë baraz me stigmë. Prona u tjetërsua. Kujtoni luftën e klasave, kulakët, shtetëzimet dhe kolektivizimin.

Vepra e Koliqit mbështetet në një nga rastet e tjetërsimit të pronës: me rënien e regjimit komunist, një familje duhet të shpërngulet nga shtëpia ku i ka strehuar regjimi i mëparshëm, sepse janë kthyer pronarët e vërtetë. Këtu më duhet të ndalem për të bërë një ndërhyrje të shkurtër: kjo karakteristikë që kam evidentuar në përmbajtjen e Koliqit, është nga pikëpamja sociologjike dhe nuk është letrare, pra mësuesit e studiuesit e letërsisë kanë vlera të tjera për të evidentuar në atë vepër! Përthyerja e veprës së Koliqit, zgjedhur nga Teatri i Metropolit është edhe më e madhe po t’i shtojmë rastet e realitetit të sotëm, që shumë njerëz, në vijim EDHE të asaj kulture, – pa marrë në analizë faktorë të tjerë të njohur nga të gjithë – morën pronat e tjetrit dhe guxuan t’i tjetërsojnë e të bëhen tjetri “Pronar”.

Koliqi e ka shkruar veprën në fillimvitet 1970 (autori ndërron jetë më 15 janar 1975), por vepra përthyhet në mënyrë perfekte edhe në ditët tona dhe na shtyn të reflektojmë, të rimarrin në analizë, ta vendosim veten në vendin e tjetrit, pra t’u nënshtrohemi gjithë atyre proceseve që renditëm më lart.

Secila nga veprat e shfaqura në kuadër të MetroFest është qëmtuar nga një grup i madh dramash të autorëve shqiptarë dhe me mjeshtëri është vënë në skenë, për të treguar një histori, për të rrëfyer një konflikt individ-realitet, me synimin për ta na bërë të mendojmë nga një këndvështrim tjetër, nga një perspektivë tjetër, këtë radhë jo më si individë, por në grup. Dhe këto janë arsye më shumë për t’i duartrokitur organizatorët dhe ideatorët edhe jashtë skenës.

Dhe për t’u thënë përsëri faleminderit!

who’s who – Amik Kasaruho

who’s who – Amik Kasaruho

Nga Valbona Nathanaili

Lindur më 20 nëntor 1932 – 4 maj 2014, Tiranë.

Në vitin e tretë të shkollës së mesme, Amik Kasoruho arrestohet si kundërshtar i regjimit dhe vuan shtatë vjet në burgun e Burrelit.  Babai i tij pushkatohet pa gjyq. I përjashtuar përgjithmonë nga të gjitha shkollat e Shqipërisë, Kasoruho u dëbua për njëzet e shtatë vjet bashkë me familjen në fshatin Gosë të Kavajës.

Prej vitit 1990-2009, jetoi si emigrant në Itali. Gjatë gjithë jetës, është marrë  me publicistikë, përkthime, studime dhe shkrime librash, të cilat u botuan vetëm mbas vitit 1990.

Njohës i disa gjuhëve të huaja. Krijimtaria e tij më e madhe është në fushën e përkthimit dhe të publicistikës. Në Itali ka botuar librat:

  • Një ankth gjysmëshekullor,
  • Çmimi i një ëndrre,
  • Mes burgut dhe Zotit,
  • Fluturimi i gjatë i një ore.

Në Prishtinë  ka botuar romanin

  • Ikje nga trilli i perëndive.

Ka përkthyer dhe botuar në Itali më shumë se dhjetë vepra, prozë dhe poezi të autorëve shqiptarë; në shqip mbi gjashtëdhjetë përkthime nga Pirandelo, Allende, Robbins, Rowlling, Brontè, Hawthorne, etj.

2009 -2014 ka jetuar në Tiranë.

 

 

Profeti modern i shqiptarizmit Nga Riza Braholli

Profeti modern i shqiptarizmit (ese kritike)
Nga Riza Braholli
Shënime për poezinë “Vallja shqiptare” të Ismail Kadare

Ky shkrim e ka zanafillën kohë më parë, gjatë një ore mësimi, teksa u shpjegoja nxënësve gjuhën dhe llojet e shumta të komunikimit, ndërsa për të qenë sa më interesant në ato që referoj, bazohem në poezinë “Vallja shqiptare” të Ismail Kadaresë. E lexoj shpesh këtë poezi dhe gjithmonë më ngjall një lloj shije të mirë e pikante, ndërsa imazhet tejet origjinale, thellësia e mendimit dhe mesazhi duken drita e shkëlqyer që ndriçon një monument madhështor.

Tash vonë m’u kujtua përsëri, në një nga ditët e kësaj vjeshte, duke pirë kafe me një nga miqtë e mi më të dashur, me poetin zemër e mendjedritur Petrit Ruka dhe bisedonim rreth poezisë e folklorit, poetëve e krijuesve që kanë hapur hulli e kanë lënë gjurmë të thella me lëvrimin e tyre të shkrimit shqip. E nëse bëhet fjalë për letërsinë e sotme shqipe, nuk ka si të mos shkojë fjala te kontributi estetiko-poetik i Ismail Kadaresë. Aty u përforcua edhe më ideja e një shkrimi për poezinë në fjalë që sot po përpiqem ta konkretizoj.

“Vallja shqiptare” e Ismail Kadaresë, me të gjitha detajet e imazhet e saj, shërbyen si një pikënisje për të folur rreth valles, shenjave, marrëdhënieve të saj me muzikën, shenjimin e një bote në erë, nevojën njerëzore për të shprehur nëpërmjet kësaj gjuhe atë marrëdhënie që ndodh midis trupit e shpirtit, midis tokës dhe qiellit; diçka që është e prekshme nga syri, e perceptueshme nga mendja dhe e ndjerë nga zemra. Arti i ngritur mbi vallen më kishte dhënë kështu një tempo më shumë në ligjërimin tim, sepse pashë që nxënësit atë ditë po më dëgjonin më të heshtur, më të përqendruar, me më shumë mendje e zemër të hapur.

Pse? Mbase, sepse vetë poezia i dha ligjërimit tim përjetime e pamje të pashlyeshme, që më vinin edhe nga fëmijëria. Që sa e mbaj mend këtë botë, vallja ka qenë bashkudhëtarja ime. E kam parë si hiqej, hidhej e dridhej nëpër dasma, festa apo skena; si mrekulloheshin njerëzit e si përfshiheshin në të, duke harruar ku ishin e kush ishin: rangun, shtresën, radhën, racën apo gjininë. Ritmet dhe lëvizjet e tyre i çonin njerëzit në një tjetër hapësirë, në një tjetër mendësi, ndjesi sociale e demokratike, që t’i iknin realitetit të përditshëm.

Më kujtohet Devolliçja magjike, valltarët e veshur me takije, xhamadanë të qëndisur, këmisha të bardha, fustanella e opinga me xhufka. Hynin në skenë të lehtë si ajri, duke tundur shamitë në erë. Fillonte muzika dhe opingat e tyre, me ato zjarret e kuqe të vegjël mbi to, trokisnin lehtë, sikur nuk i mbante dheu e donin të niseshin. Në fillim rrëshqisnin me majat e gishtave, centimetër për centimetër, pastaj me hapa të vegjël, e pastaj mbi thembra mbi dyshemenë apo lëndinën, ku hiqej vallja, mbështetur mbi gjokset e supet e njëri-tjetrit me krahët e lidhura, sikur të donin të pushtonin tokën, hapësirën, kohën: ngadalë, të vendosur e të sigurt, derisa ajo kthehej në një vrundull energjie të papërmbajtur, një qerthull ere e çuditshme që dilte nga shpirtrat e atyre burrave të dalldisur pas muzikës e lëvizjes, në një tjetër kohë, në një tjetër hapësirë përjetimi: valltarët ngriheshin drejt tavanit, më saktë, drejt qiellit dhe e godisnin me kokë apo i jepnin dyshemesë një të goditur me thembrën e këmbës, sa tundej krejt shtëpia, si për të thënë se dhoma ishte e ngushtë, e vogël dhe donin t’i thyenin muret, tavanet, dyshemenë dhe marrëdhënia e tyre duhet të ishte me tokën, me qiellin. Në lëndinat ishte ndryshe, vëmendjen e merrte shamia që tundej në erë sipas ritmit; mua më dukej sikur në dorë mbanin një copëz reje të bardhë, që lëkundej nga erërat e buta të jugës midis qiellit të kaltër. Dhe, të jem i drejtë, me xhelozinë e të qenit bir i asaj treve, ku kërcehej e luhej ajo valle, ma donte zemra që Kadareja ta kishte marrë flakën e krijimit të kësaj poezie atje, prej saj, prej Devolliçes apo Gorarçes, që janë gati e njëjta valle, por me rifinitura të veçanta të lëvizjeve; te ato xhufka të kuqe mbi opinga që kisha parë dhe unë dhe që seç më ndiznin ca zjarre adhurimi e mitizimi në zemër.

Megjithatë, sapo çlirohesh nga hapësira e ngushtë, përjetimi shkon më tej e më përtej fushave, kodrave e maleve, lëndinave e livadheve të këtyre trojeve, në festat pagane e ato fetare, në dasmat e në sheshet e luftës, para e pas saj; dhe që nga vallja e Osman Takës apo vallet e Labërisë, vallja e Librazhdit, Myzeqarja, e Kolonjës e Librazhdit, apo Dardharja me finesën e kërcimit të grave veshur me kostumet kuq e zi e deri te vallet e skajeve më veriore të etnisë sonë: Rrugovarja, Vallja e Tropojës, e Kukësit, e Dibrës apo Vallja e Shpatave. E më përtej këtyre, vallja kthehet në një simbol të fuqishëm shprehjeje e komunikimi artistik të paimagjinueshëm. Gjuha e saj nëpërmjet kodifikimit të këtyre lëvizjeve nëpërmjet muzikës dhe shpesh, e shtuar në vlera edhe me peshën e fjalës, shenjave në erë apo në sinjalet që i jep tokës dhe njerëzve përreth, bëhet menjëherë e perceptueshme dhe e asimilueshme, deri në atë shkallë, sa nxit dëshirën për t’u përfshirë në të, në atë vorbull të një realiteti tjetër, që e jep vetëm arti i valles, drejt një lumturie, shprehje dashurie, ëndërrimi, guximi apo trimërie.

Sa herë e lexoj këtë poezi më habit thjeshtësia dhe madhështia e fillimit të saj; më duket kaq tokësor e njëherësh aq edhe i pazëvendësueshëm vargu i saj i parë:

  • Tri herë opinga rahu dheun…

Ka muzikë aty, pezulli, heshtje para gjëmimit; një uverturë e tërë mund të ngjizet e të luhet me të. Të sjell ndër mend një stuhi që pritet të fillojë pas kësaj qetësie, që prishet nga tri trokitje që fshehin e mbartin në vete gjëmime e vetëtima. Kështu je i detyruar të hapësh, jo vetëm veshët, por krejt kraharorin, krejt qenien për ta shijuar, për ta përballuar e për ta festuar atë që do të vijë. Nuk është një shenjë dokudo, por një sinjal që e animon dheun, një komunikim me tokën, me Perëndinë e lashtë, mbase, me më të lashtën, me Gjean. Pra, troket në derën e Perëndisë … Sikur kërkoi leje prej tij. Ç’lajm do të japë e ç’lajm do të marrë? Marrëdhënia, njëherësh, shndërrohet në një marrëdhënie kozmike e mistike të qenies me botën. Mesazhi nuk është më aq i thjeshtë e komunikimi nuk është më vetëm njerëzor: është i gjithë universi, e gjithë plotësia që merr pjesë në këtë marrëdhënie dhe shkëmbim të mesazheve mes tyre me një pafundësi interpretimesh.

Dhe më pas:

  • tri herë shamia palët ndehu…

Po pse tri herë e jo katër dy apo pesë? Edhe këmba, e zëvendësuar me opingën – duke na dhënë një metonimi të goditur – aq trokitje jep: tri herë opinga rrahu dheun. Simboli i treshit? Duket si interpretim i sforcuar, por nuk mund ta shmangim këtë simbol fatik e biblik, aq shumë të përdorur në poezinë botërore, sidomos kur vetë marrëdhënia që krijohet është metafizike, në kufijtë e abstraktes: marrëdhënia e përjetshme midis qiellit e dheut, tokës apo trupit e shpirtit që na sjell kështu në një përfundim të veçantë, siç është përzierja e të përjetuarit pagan me atë teik, duke i dhënë rëndësi e peshë asaj çka ndodh dhe jo filozofimit për të arritur në përfundime për to. Kështu kemi trinomin tokë-njeri-qiell. Pra, midis tokës dhe qiellit, njeriu, valltari që luan dhe që është mesazher midis tyre, që çon e merr lajme, një Hermes që e bën këtë botë të qenësishme e të njësishme me të gjitha shtresimet, valencat apo ngjyrimet e saj.

Por le të mbetemi te shamia, që:

  • …palët ndehu / me qetësi dhe madhështi.

Me një ligjërim metonimik, ajo animohet si gjymtyrë e qenies njerëzore, një zgjatim i saj dhe simbol e shenjëzim, pikërisht, i lëvizjes. Madje të fokusimit te ky send që i tejkalon përmasat e qenësinë e një objekti të zakonshëm. Shamia gati kthehet në një shpend, në një shqiponjë. Mjafton të zëvendësojmë palët ndehu me krahët ndehu, të shoqëruar me dy epitete epike: me qetësi dhe madhështi. Krahët mund t’i ndehë vetëm një shpend i madh; dhe nga të gjithë shpezët që njohim krahët mund t’i ndehë e shpalosë me qetësi dhe madhështi vetëm shqiponja. Vini re: jo, t’i hapë, por t’i ndehë, ku lëvizja përfundon me një pozicionim statik e të palëvizshëm në erë, në qiell, siç rëndom ndodh me këtë zog të fuqishëm e madhështor, që është dhe simboli i flamurit tonë. Kështu, ky element bëhet pjesë e një qenieje më shumë se njerëzore, e një vepruesi që është i ndërthurur e i pashkëputur nga elementet e sendet përreth, diçka që është send e ide, qenie e mesazh bashkë, duke e çuar përpara e duke e dimensionuar edhe më përfytyrimin, mendimin dhe idenë për atë ç’ka përfaqëson lëvizja, këmba, muzika, veshja, ngjyrat, mjetet e shpesh edhe fjala me të cilat realizohet kjo marrëdhënie mistike e poetike; madje, të gjitha bashkë, si një shfaqje e plotë dhe unike e mesazhit poetik dhe estetik.

Pastaj poeti na çon në zanafillë:

  • Kështu midis qiellit edhe botës / Vallja u lind, vallja u shpall…

dhe më tej na shpjegon dhe qëllimin dhe mesazhin e saj të madh, përse u lind e përse u shpall. Të bën përshtypje mënyra sesi ai e jep këtë lajm: me një timbër të gëzuar që zakonisht jepet nga lindja e diçkaje të madhe, të paimagjinuar, fjala vjen, siç ndodh me lindjen e ngjalljen Krishtit: “Krishti u ngjall”. Vallja u lind, vallja u shpall. Pra ajo, lindet dhe shpallet, ashtu siç lindet dhe shpallet një mbretëri apo një kushtetutë, një kumt i madh; dhe lajmi kalon me shenja nëpërmjet syve e gojës së erës, vesh më vesh, fushë më fushë, mal më mal, siç kalojnë vetëm lajmet a kumtet e mëdha që ndryshojnë historitë.

Vallja, ky monument artistik njerëzor i gjithkohshëm, me një kod të gjithkuptueshëm e gjithënjerëzor, ashtu si edhe muzika, përtej ndarjes së kombeve, erdhi si një mjet universal:

  • Këmba sinjale i çon tokës / Dhe dora qiellit i jep lajm.

Pra, siç e thamë dhe më lart, valltari bën, pikërisht, atë që bëjnë profetët, mesazherët apo të dërguarit e mëdhenj të njerëzimit, marrin e japin, bëhen ndërlidhës të tokës me qiellin, kryejnë atë që në filozofi quhet marrëdhënie midis tokësores dhe qiellores, midis materies e shpirtit. Mos është i fshehur dhe Dionisi aty? Mbase… edhe Dionisi edhe Apoloni. Sipas Niçes po: Apoloni nuk mund të jetonte pa Dionisin! Pra, ajo që është materie dhe ajo që rrjedh prej materies e natyrës vetë e që quhet ideale, iluzion, ëndërr, shpirt. Kështu ndodh dhe me lëvizjet dhe me ndjesitë që rrjedhin prej tyre. Kur njerëzimi filloi të hyjë në erën e moralit, një mënyrë për të fshehur lakuriqësinë e trupave dhe të veprimeve e ndjenjave ishte edhe nëpërmjet lëvizjeve dhe tingullit, si gjuhët më të gjithkuptueshme, por edhe me kuptimet më të fshehura.

Vështrimi kozmik e poetik i Kadaresë na e rrokullis vallen në kohërat sikur të ishte një gur hobeje në një hapësirë pa kahje: “tutje”, në një cak pafundësie, sa në gjenezën e lashtë, aq edhe drejt ardhmërisë, vetëm me dy vargje për nga fryma e përfytyrimit epik homerik:

  • Dhe vallja rrokulliset tutje / Në kohëra hedhur si hobe.

Zhvendosja që u bën tablove, si për nga fuqia e krijimit, ashtu edhe ajo e përfytyrimit është me përmasa epike. Tërë historia e zhvillimit të valles është thukur, në mënyrën më të mundshme, vetëm në këto dy vargje. Me dy vargjet e tjerë ai na jep një thelbësim të saj, gjithë epizmin, lirizmin e dramacitetin që mbart, në tërë kompleksitetin e tyre, duke e metonimizuar sikur të ishte një qenie e perëndishme apo si një Hermes, lajmëtar mitologjik që fluturon në mënyrë të përhershme midis qiellit e tokës, për të përmbushur misionin, duke mbartur sa lulet e prillit, sa borërat e dimrave:

  • Prilli përsipër i hedh lule, / Dhjetori borën shkund atje.

Ajo është mesazhere dhe vetëm mbart mesazhe tragjedi, dramë apo bubullima gëzimesh e finesa lumturie. Duket sikur na thotë se ky është fati i saj (valles), me mision epik e lirik, destinuar të përshkruajë historinë e qenies njerëzore dhe të një etnie e kombi të veçantë.

Nëse në tre strofat e para, Kadare përqendrohet te simbolika e valles dhe çfarë ajo është në shumësinë e pafundësinë e universit e në marrëdhënien që ka me qenien e me botën, në dy strofat e fundit përqendrohet në mënyrë të posaçme te “Vallja shqiptare”:

  • Valle shqiptare, shenja n’erë / Ylbere tirqesh tej-tëhu / Kush ju kërceu ju njëherë / Dhe këmbët rob s’i mbenë te ju?

Këtu do të na duhet të ndalemi tek një veçori e tërë veprës së Kadaresë, të fillit që e përshkon krejt veprën e tij, fillit historik e kombëtar. I dashuruar me atdheun e tij, në pamundësi të datave dhe fjalëve të shkruara, nga ato që quhen dokumente historike, me një grusht vlerash e të dhënash të nxjerra, pikërisht, nga folklori nga këngët, vallet dhe, duke marrë lëndën e tij e duke e kaluar nëpër enzimën e tij krijuese të pashoqe, ai gjakon dhe arrin të krijojë një Shqipëri ashtu siç e gjen në lëndën artistike të popullit: një Shqipëri të begatë arbërore, si te folklori ynë i arbëreshëve, ashtu siç ai e përfytyron dhe e ëndërron, pa ndryshkun osman dhe tjetërsimin kulturor e asimilues; dhe jo që t’i shërbejë shkrimit të historisë, por ngulitjes së vetëdijes kombëtare në zemrat e mendjet e shqiptarëve. Kështu, pa pikën e drojës, na duhet të pohojmë se Kadareja kthehet në një mesazher e nuk e teproj nëse them një profet i ri e modern i shqiptarizmit, që filloi me Rilindjen kombëtare. Në veprën e tij, shqiptari, kombi dhe liria, janë tre elemente, tre dimensione të pandashëm të një trupi apo qenësie që plotësojnë njëra-tjetrën në një tërësi tridimensionale, që në veprën e tij shfaqet si një konvergim drejt një pike, te historia e qenësia e kombit shqiptar, me synimin e ngjizjes së mëtejshme të një ndërgjegjeje kombëtare, por me thelb modern.

Në këtë vijimësi na duhet ta nënvizojmë edhe këtë krijim. Ajo është valle si gjithë simotrat e tjera në botë, por ai e sjell edhe me të veçantat e saj. Cilat janë karakterizimet që i bën? Shenja n’erë dhe Ylbere tirqesh tej-tëhu. Vërejmë dy sintagma pa folje. Pra, nga ana stilistikore, shikojmë një ndërtim mungesor, që i jep dorë dendësimit të kuptimësisë e domethënieve, përveç metonimisë që përdor për heqjen e valles: tej-tëhu. Tej-tëhu e kthen hapësirën në përmasa të papërcaktuara e të stërmëdha për një lëvizje valleje, duke e kthyer në një supervalle e, kështu, në një valle mbarëshqiptare. Pra, shohim përpjekjen e tij, deri në gjakim, për të shkruar dhe ngulitur në mendjet e zemrat e shqiptarëve vlerat, qenësinë e historinë e kombit tonë, duke vazhduar programin e Rilindjes sonë kombëtare në kushtet e sotme moderne. Kjo dhe virtuoziteti me të cilin është krijuar e gjithë vepra e tij na çon në atë që unë nuk kam pikën e drojës ta them dhe që e kam shpallur që në titull: I. Kadare, profet i shqiptarizmit.

Mitizimi i valles, si vlerë shpirtërore e artistike jepet thjesht, por duke mihur në krenarinë që e ruajnë pikërisht vallja apo kënga. Tek të dyja strofat, ky mitizim i saj, me të gjithë vlerat që mbart, është i tërthortë e metonimik: Kush ju kërceu ju njëherë / Dhe këmbët rob s’i mbenë te ju. Si tek këto dy vargje dhe te dy vargjet e tjera: Kush ra midis vorbullës suaj / Dhe s’u përzhit, dhe s’u përflak, ai e potencon shprehjen dhe i jep jetë e hapësirë qëllimit të tij, pikërisht, duke na dhënë atë çka reflekton kjo gjë e shpirtëzuar si një magji e përkryer, që ne i shohim vetëm pasojat dhe prej tyre na duhet të ndërtojmë madhështinë e saj. Kjo vjen nëpërmjet një shtresimi figurativ, metaforik e metonimik, duke na dhënë analogji apo zëvendësim kuptimesh, si p.sh. pasojën për objektin: varësinë e këmbëve që janë të urdhëruara nga dëshirat e pasioni i magjisë që fsheh vallja; dhe zjarrin, më saktë vorbullës së flakës, që përzhit e përflak si një perëndi zjarri.

Dhe për ta mbyllur me një dyvargësh përsëri metaforik, të pakrahasueshëm për nga bukuria, epizmi dhe fuqia shprehëse që përcjellin:

  • Ju bubullima me opinga, / Që nëpër shekuj bridhni varg

duke ia dhënë të gjithë ngarkesën kuptimore një pranëvënieje të tillë të paimagjinueshme, siç është: bubullima me opinga, por që ia jep abstraktimi i thellë dhe logjika koherente artistike e kuptimore e tërësisë ideore dhe poetike. Le të ndalemi te secila fjalë; secila është një figurë më vete, po aq sa është e varur dhe e plotësuar kuptimisht nga njëra-tjetra. Metonimia “bubullima”, që nënkupton valltarët apo vallet e tyre, plotësohet e rritet kuptimisht me metoniminë tjetër me opinga, që me mjetin për lëvizjen, zëvendëson kuptimisht hapat në valle, por, gjithashtu, me pranëvënien e tyre, duke na dhënë një sintagmë të plotë metonimike: bubullima me opinga që bredhin nëpër shekuj, kohëra, ashtu si vetë Kadareja, që nuk do të ndalet në shekujt e afërt, por rreket e bredh edhe ai larg, për t’i çelur udhën e prosperitetit kombit tonë, duke u shndërruar në një profet modern të shqiptarizmit.

Foto kryesore

Alexandre Gabriel Decamps “Albanian Dancers” (Private collection)

http://www.artchive.com/web_gallery/A/Alexandre-Gabriel-Decamps/Albanian-Dancers.html

Vallja shqiptare Nga Ismail Kadare

Tri herë opinga rrahu dheun
Sikur kërkoi leje prej tij;
Pastaj shamia palët ndehu
Me qetësi dhe madhështi.

Kështu mes qiellit dhe tokës
Vallja u lind, vallja u shpall;
Këmba sinjale i çon tokës
Dhe dora qiellit i jep lajm.

Dhe vallja rrokulliset tutje
Mbi kohra hedhur si hobe;
Prilli përsipër i hedh lule,
Dhjetori borën shkund atje.

Valle shqiptare, shënja në erë
Ylbere tirqesh tej-e-tehu;
Kush ju kërceu ju njëherë
Dhe këmbët rob s’i mbenë tek ju?

Kush ra midis vorbullës suaj
Dhe s’u përzhit dhe s’u përflak,
Ju bubullima me opinga
Që nëpër shekuj brodhët varg?

Qeveria e Pandeli Evangjelit – sipas burimeve diplomatike të kohës

Qeveria e Pandeli Evangjelit

Qeveria e Pandeli Evangjelit, e cila u reformua në fillim të vitit 1933 qëndroi në pushtet gjatë gjithë vitit 1934. Përbërja e saj në fillim të vitit është si më poshtë:

  • Pandeli Evangjeli: Kryeministër / Vasil Avrami: Ministër i Drejtësisë / Musa Juka: Ministër i Brendshëm dhe Ministër në detyrë i Ekonomisë Kombëtare / Xhafer Vila: Ministër i Jashtëm / Mirash Ivanaj: Ministër i Arsimit  Publik / Sandër Saraçi: Ministër i Punëve Publike

Pati vetëm një ndryshim gjatë gjithë vitit. U vendos që gjatë verës të bëhej një emërim i përhershëm në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare. Portofoli iu besua z.Dhimitër Berati, më parë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Vlerësimi i cilësisë së anëtarëve të Kabinetit

Vlerësimi i cilësisë së anëtarëve të Kabinetit, bërë në raportin e vitit të kaluar, qëndron akoma.

Pandeli Evangjeli, Kryeministri, ndërsa vitet kalojnë – po kryen vitin e tij të pestë në atë post- po bëhet edhe më solemn, më i mbyllur dhe më këmbëngulës. Cilësitë e tij të mira çarmatosin kriticizimin; është i ndershëm, me paraqitje të jashtme të këndshme dhe mjaft i përgjegjshëm për detyrën që kryen.

Musa Juka, Ministër i Brendshëm, ka cilësi që kundërshtojnë metodat e tij të pakëndshme turke për sigurimin e rendit, sepse ai zotëron energji të pashtershme dhe njeh shumë mirë jetën e brendshme të vendit. Por është revoltuese vendi që ai i lë spiunazhit dhe organizimit të intrigave si një mjet për të siguruar respekt ndaj autoritetit.

Ministri i ri i Ekonomisë Kombëtare premton të jetë një aset i mirë, edhe pse duket pak i mërzitshëm dhe i rëndë, përsëri ka aftësi të admirueshme pune, zotëron gjithashtu njohuri për çështjet ekonomike dhe një logjikë të mirë.

Për ministrin e Punëve të Jashtme, Xhafer Bej Vila, duhet të themi se, edhe pse i mungonte guximi, krahasuar jo vetëm me Mbretin Zog, por edhe me kolegë të tij, veçanërisht me më të çarturin ndër ta Mirash Ivanaj, ministër i Arsimit, aktivitetet e të cilit në fushën e shkollave private bënë që Shqipëria të turbullonte marrëdhëniet me të gjithë fqinjët e saj – ai arriti të vendoste marrëdhënie miqësore me përfaqësuesit e huaj me të cilët e lidhte puna, dhe të cilët çmonin sinqeritetin e qëllimeve të tij dhe vështirësitë e pozicionit të tij.

Foto kryesore: Grup deputetësh duke dalë nga Pallati Mbretëror (godina e sotme e Akademisë së Shkencave). Deputetët mbajnë veshje kombëtare, të cilat ishin prodhuar enkas për ta për t’u përdorur në ditë festash. Në qendër, me frak, Pandeli Evangjeli, Kryetar i Parlamentit dhe në krah të tij Koço Kota, Kryeministër.