Veritas. Kolegji Harvard dhe përvoja amerikane Autor Andrew Schlesinger

Veritas. Kolegji Harvard dhe përvoja amerikane Autor Andrew Schlesinger

Libri gjendet në shqip në përkthimin e Elona Kana, Lorena Robo, Nermin Aga

Redaktor Zimo Krutaj ISBN 978-99956-19-73-2

UFO Press, Tiranë, 2011 Çmimi 600 lekë

Kush është e mira e arsimit? Arsimi formon burra të mirë dhe burrat e mirë veprojnë fisnikërisht. Platon

Në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, Universiteti i Harvardi bëri të vetën moton Veritas (e vërteta), duke e perceptuar misionin e kolegjit në kërkim të njohurive të reja si një mënyrë për të qenë më afër Zotit. Imperativët e veritas janë të qenit i hapur, liria në mendim, përplasja e mendimeve të kundërta, zgjidhja e tyre, thënia e të vërtetës. Në librin e tij Veritas, Andrew Schlesinger na paraqet historinë e Harvardit përmes konflikteve që lindën ndërmjet forcave të veritas dhe forcave që pengonin të vërtetën – sektarizmi, aristokracia, racizmi, etnocentrizmi, ekstremizmi … Gjithë libri ngrihet mbi bazën e këtyre konflikteve, për të na dhënë një histori të mrekullueshme, tërheqëse, të Kolegjit Harvard si një Institucion Amerikan.

Nga kapitulli në kapitull do të gjeni veprimet dhe vendimet më të rëndësishme të lidershipit të tij që kanë bërë epokë e i kanë dhënë fizionominë kolegjit, nga kohët puritane e deri në ditët tona. Në libër do të shihni se si ka ndryshuar Harvardi, si është rritur vit pas viti, falë angazhimit ndaj veritas, që e detyroi institucionin të përballej me të renë në fushën e dijes. Burrat dhe gratë që i dhanë emër Harvardit e bënë këtë Harvard që kemi sot ishin shkrimtarë, fetarë, gazetarë, historianë, korrespodentë, filozofë, diplomatë, ministra, presidentë. Historia e Harvardit është historia e një universiteti ku secili do të dëshironte të studionte.

PËRMBAJTJA

Kolegji në periudhën  e kishës puritane Kolegji themelohet si një shtyllë e shoqërisë së re. Të diplomuarit e Harvard-it implikohen në gjyqet e shtrigave të Salemit. Dinastia Mathers përpiqet të marrë pushtetin në kolegj. / Një lindje e re? Një shpërthim i papritur i entuziazmit fetar trondit Kolegjin dhe shkollarët e mbushur me ndenja faji nisin të shqetësohen për shpirtrat e tyre. Tutori Flynt ruan kontrollin. Kolegji nuk e pranon ekstremizmin fetar. / Kohë revolucionare Kolegji ndahet me Kurorën britanike. Mendjet e shkollarëve zhurmëmëdhenj përqendrohen në betejën e Lexington-it dhe Concord-it. John Hancock-u mashtron korporatën për njëzet vjet. / Harvard-i dhe kombi i riKolegji ofendon kalvinistët duke zgjedhur një unitarian si profesor të fesë. Udhëheqja e qetë e presidentit Kirkland përmirëson reputacionin e Harvard-it. Edward Everett-i është një nxënës i shkëlqyer. / Presidenti Quincy takon presidentin Jackson Josiah Quincy tregohet i ashpër me studentët zhurmëmëdhenj dhe i jep një titull honorifik shumë të diskutueshëm presidentit Andrew Jackson, burrit të egër të Tennessee-t. / Harvard-i dhe lufta kundër skllavërisë Ish-studentë të Harvard-it u bënë pjesë e drejtimit të kauzës antiskllavëri, megjithëse simpatitë jugore ishin të forta gjatë viteve 1850 në oborr. Përtej kësaj, lufta nxori në pah anën më të mirë të burrave të Harvard-it. / Harvard-i i presidentit Eliot Charles W. Eliot-i transformon universitetin. Kolegji pranon zezakë. Roosevelt-ët ndjekin Harvard-in. Themelohet Kolegji Radcliffe. Hiqet futbolli. / Harvard-i dhe njerëzit e jashtëm Presidenti Abbott Lawrence Lowell tregon mungesë respekti ndaj çifutëve, zezakëve, grave dhe homoseksualëve. / Harvard-i kundër totalitarëve Presientët James Conant dhe Franklin Roosvelt luftojnë izolacionistët dhe nazistët dhe ndërtojnë bombën atomike. JFK shkon në Harvard. Lufta e Ftohtë sjell McCarthyism-in. / I fundmi “Rebelim i madh” Presidenti Nathan Pussey bën thirrje për një rizgjim fetar, tallet me akronimet  e tmerrshme: JFK, LSD, ROTC, SDS; vuan poshtërimin. / Transformimi i racës dhe gjinisë Harvard-i dhe Radcliffe krijojnë marrëdhënie. Homoseksualët dalin hapur. Universiteti përqafon botën multikulturore, ndërsa shton shuma të jashtëzakonshme parash. / Universiteti i së ardhmes   Presidenti Lawrence Summers vë bast për jetën sipas shkencës, lufton qeverinë federale për kërkimet e qelizës-rrënjë, pret përfitime globale, ndërsa i qëndron besnik Veritas.

Pjesë nga parathënia 

Kushte të domosdoshme të Veritas janë sinqeriteti, liria e mendimit, përplasja e mendimeve, vendosmëria, thënia e së vërtetës. “Ku ka shumë dëshirë për të mësuar, aty domosdoshmërisht do të ketë shumë debate, shkrime e opinione; mendimi për njeriun e mirë është veçse njohje në zhvillim”, shkroi John Milton-i në Areopagitica, cituar nga presidenti Neil Rudenstine. Mendimet e studentëve drejtojnë Veritas. Çdo katër vjet është një gjeneratë e re, një faqe e pastër. Presioni për ndryshim përtërin vetveten. “Nëse ju pyesni kush është e mira e arsimit, përgjigja është e thjeshtë  – arsimi formon burra të mirë, dhe burrat e mirë veprojnë fisnikërisht,” ka vërejtur Platoni, sipas presidentit Derek Bok.

Pjesë nga libri 

Ceremonia e parë e diplomimit të kolegjit u mbajt në 23 shtator 1642, në hollin e gjerë të ndërtesës prej druri me dy magazinat dhe kullën e vet, e menduar prej një pjese si “shumë e bukur për një vend të egër dhe, sidoqoftë, për perceptimin e të tjerëve, shumë e rëndomtë për një kolegj”. Aty pati fjalime në latinisht dhe greqisht, një “analizë hebraike gramatike, logjike dhe retorike” e Psalmeve, një diskutim latin, dhe një darkë të madhe. Titulli i “diplomuar” (Bachelor of Arts) iu dha nëntë djemve të rinj “shpresëdhënës”. Brenda pak vitesh, Dunster-i arriti të siguronte njohjen e diplomave të Harvard-it nga universitetet në Angli. Ai e shihte Harvard-in si një institucion global, që tërhiqte studentë nga “kolonitë, territore dhe vende të tjera, qoftë të Anglisë vetë ose të tjerëve.” Kolegji ishte një fanar i mbretërisë “së dukshme”, ku studentët “instruktoheshin thjesht dhe nxiteshin seriozisht … për të vendosur Krishtin në bazë, si themeli i vetëm i gjithë dijes dhe mësimit të shëndetshëm”.

Pjesë nga libri 

Më 1879, një komitet zonjushash që formuan një shoqëri për “Arsimimin Privat Kolegjial të Femrave”,  morën me qira disa dhoma në një shtëpi të vogël gri në Appian Way. Me aprovimin e Eliot-it u organizua që disa prej profesorëve t’ua përsërisnin leksionet e tyre një grupi zonjushash të reja, të cilat kishin kaluar provimet. 27 femra ndoqën ‘Harvard Annex-in‘ atë vjeshtë; 15 vjet më vonë numri i tyre arriti në dyqind dhe 69 profesorë të Harvard-it  u jepnin mësim. ‘The Annex‘ u riemërua në 1894 si Kolegji Radcliff, sipas emrit të mirëbërëses së parë të Harvardit, Ann Radcliffe, e cila më 1643 dhuroi 100£. Zonja Elizabeth Cary Agassiz ishte presidentja e parë e Radcliffe-it. Një komitet fakulteti, më 1897, i konsideroi standardet e pranimit, arsimimit dhe provimeve në Radcliffe të njëjta me ato të Harvard-it, në të gjitha aspektet (Kolegji për femra në Mount Holyoke u themelua më 1837, të njëjtin vit që Oberlin-i pranoi femra. Vassar u themelua më 1865; Smith dhe Wellesley më 1875.)

Andrew Schlesinger ka mbaruar Harvardin, klasa 1970, diplomuar me magna cum laude. Paraardhësit e tij kanë qenë profesorë historie në harvard. Schlesinger është shkrimtar e producent dhe ka shkruar një sërë dokumentarësh për shumë televizione si ABC, PBC, CNN; është nderuar me dy çmime Emmy, si dhe me çmimet Writers Guild dhe Christopher.

Senator Edward M. Kennedy

“Në kuptimin e plotë të fjalës, Harvard dhe Amerika janë rritur së bashku. Libri i mrekullueshëm i Andrew Schlesinger ecën në gjurmët e një historie të shkëlqyer, ndjek evoluimin e saj dhe na i paraqet të ndërthurura shumë bukur. Historia e trajtuar i bën apel jo vetëm komunitetit të Harvardit, sepse është një paraqitje e jashtëzakonshme e tërë përvojës amerikane.”

Douglas Brinkley

Është e pamundur të shkruash ose mendosh rreth historisë së ShBA, pa marrë në konsideratë rolin jashtëzakonisht të madh që ka luajtur Universiteti i Harvardit në modelimin e qeverive dhe të kulturës sonë. Me Veritas, gazetari Andrew Schlesinger shkëlqen me dritën e një historiani dhe të frymëzon me kulturën e përsosur, gjuhën profesionale dhe mprehtësinë analitike.

Sipas Huffington Post

 Andrew Schlesinger is the author of Veritas: Harvard College and the American Experience and co-editor with his brother Stephen of Journals: 1952–2000 by Arthur M. Schlesinger, Jr. In 1980, he joined ABC News in its documentary division, where his film scripts won two Emmy awards and a Writers Guild Award. He lives in Cambridge, Massachusetts.

Foto kryesore:Kopertina e botimit në gjuhën shqipe

Foto e dytë: Autori i librit, Andrew Schlesinger

Libra për një shoqëri të mirë

Libra për një shoqëri të mirë

Forum në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit

23 prill 2016

Në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Librit”, u zhvillua forumi “Libra për një shoqëri të mirë”, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Sociologjisë dhe Shtëpinë Botuese UET Press. Pjesëmarrës ishin studiues dhe pedagogë nga universitete të ndryshme të vendit, si dhe studentë të degëve të sociologjisë dhe financës nga UET. Synimi i forumit ishte njohja e studentëve me lëvizjen “Për një shoqëri të mirë”, iniciuar nga Instituti Shqiptar i Sociologjisë, si dhe promovimi e njohja e disa studimeve akademike nga fusha të ndryshme të shkencës, në mbështetje të një shoqërie të mirë. Forumi u organizua në dy sesione.

Në sesionin e parë, Prof. Lekë Sokoli (foto në të majtë), drejtor i Institutit, paraqiti parimet e një shoqërie të mirë, si dhe disa botime në këtë fushë, të vendit dhe të huaja, duke e vënë theksin se një shoqëri e mirë nuk mund të konceptohet vetëm si një shumatore e individëve të mirë. Sipas Sokolit, një nga prioritet kryesore të kësaj lëvizjeje është shndërrimi i arsimit në prioritet kombëtar nga të gjitha subjektet politike.

Në sesionin e dytë, nën drejtimin e Dr. Valbona Nathanaili, Drejtore UET Press dhe lektore pranë UET, sipas shembullit të Panairit të Librit në Frankfurt, nën logon “Entropi. Book Pitch”, studiuesit prezantuan punimet e tyre, përkatësisht dr. Ardit Bido me “Kisha Ortodokse Shqiptare. Një histori politike (1878-1937)”. Me parathënie nga prof. dr. Ferit Duka, dr. Roland Lami me “Komunikimi dhe marrëdhënia shoqërore”. Me parathënie nga Kosta Barjaba, prof. asoc. Ilia Larti me “Mësimdhënia dhe të nxënit”, Andon Andoni me “Çekrezi ky rebel i harruar. Jeta dhe vepra e Kost Çekrezit, midis dy luftrave, si kundërshtar i Nolit, Konicës, Zogut dhe Enver Hoxhës”. Me parathënie nga Ilir Ikonomi, dr. Nazmi Xhomara me “Kompetenca shkencore dhe metodologjike e mësimdhënies” dhe msc. Sonila Kapidani me “Studimi i matematikës në shkollë”.

Sipas drejtores së botimeve pranë UET Press, Dr. Valbona Nathanaili (foto në të majtë), është hera e parë që organizojmë një paraqitje të tillë, pasi titujt e lartpërmendur nuk janë botuar të gjithë. Një pjesë e mirë janë projekte për botim të studiuesve. Nuk besoj se mund të listoj të gjitha kriteret që e shndërrojnë një botim në libër për një shoqëri të mirë, por botimet e studiuesve të ndryshëm, sigurisht që janë të tilla. Nga ana tjetër, synimi ynë është jo vetëm të nxisim njohjen dhe provimin ndërmjet studiuesve nga universitete të ndryshme të vendit, por edhe të kontribuojmë në promovimin e studimeve që janë me vlerë për mbarë shoqërinë. Një rol të rëndësishëm luajnë shtëpitë botuese. Ne kishim dëshirë që në këtë ditë të dilnim jashtë aktiviteteve të zakonshme që organizohen me këtë rast. Fokusi ynë është libri akademik dhe promovimi i tij në një grup sa më të gjerë lexuesish. Nathanaili thekson se për shumë njerëz, kur bëhet fjalë për botime shkencore, shpesh dëgjohet të vlerësohen si “të mërzitshëm dhe të nevojshëm vetëm për një grup të caktuar lexuesish, kryesisht nga fusha akademike”. Duhet të përjashtojmë nga gjykimi ynë këto klishe. Studime të tilla janë me shumë vlerë për zhvillimin e shoqërisë sonë, sepse i trajtojnë dukuritë dhe fenomenet në mënyrë korrekte dhe, çfarë është po aq e rëndësishme, ofrojnë rekomandime – përfundon Nathanaili.

Paraqitja e punimeve u shoqërua me diskutime të shumta nga të pranishmit. Për dr. A. Bido, në përputhje me temën e studimit të tij, nuk është e përshtatshme që në shkollat tona të futet mësimi i fesë. Për dr. Natasha Lushaj, studiuese në fushën e letërsisë dhe me përvojë të gjatë në fushën e mësimdhënies, është me shumë vlerë që aktivitete të tilla të mos mbeten vetëm brenda auditorëve të universiteteve, por të marrin përmasa shumë të gjera. Sa i takon mësimdhënies, Lushaj e vendos theksin në të mësuarin me kompetenca. Punimi interesant i studiueses së fushës së artit, S. Kapidani, e vë theksin në rëndësinë që ka kreativiteti në orën e mësimit dhe, në rastin konkret që merr studimi i saj, edhe në atë të matematikës. Albina Rira, studente pranë UET, me fjalën e saj shumë emocionuese, mbylli këtë aktivitet. Rira, në ilustrim të studimit të dr. Xhomara, solli shembullin e një fëmije të veçantë, falë dhuntive të të cilit dhe aftësisë së një prej mësuesve të tij, ishte mundësuar zhvillimi i një metodologjie të re mësimore. Për prof. asoc. Larti është me shumë rëndësi që nëpër shkolla t’i vihet theksi mësimit të sociologjisë, si një premisë shumë e mirë për përgatitjen e qytetarëve për një shoqëri të mirë.

 

Stephen William Hawking

Stephen William Hawking (1942-2018)

Figurë frymëzuese, simbol

Përktheu dhe përshtati Valbona Nathanaili 

Ne jemi produkt i  fluktacioneve kuantike në universin e hershëm. Zoti ka luajtur mirë kumar.

 Stephen William Hawking u lind më 8 janar 1942 (300 vjet mbas vdekjes së Galileut), në Oksford, Angli. Studimet e larta i ka mbaruar për fizikë. Në Kembrixh është nga të parët që fillon kërkimet në fushën e kozmologjisë. Me marrjen e titullit doktor, punon fillimisht si bashkëpunëtor e, më vonë, si profesor pranë Cauis College dhe Gonville College. Nga viti 1973 mban postin e profesorit pranë departamentit të matematikës së aplikuar dhe fizikës teorike. Punimet e tij më të rëndësishme lidhen me ligjet kryesore që udhëheqin universin tonë. Së bashku me Roger Penrose zhvillon tezën se koha dhe hapësira, të përfshira në Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit të Ajnshtajnit, duhet të kenë një fillim, – në Bing Beng, dhe një fund, – në Vrimat e Zeza. Këto rezultate treguan se ishte e nevojshme të unifikohej Relativiteti i Përgjithshëm me Teorinë Kuantike, dy nga zhvillimet më të mëdha shkencore të gjysmës së parë të shekullit të 20-të. Një nga rrjedhojat e një unifikimi të tillë, sipas Hawking, është se vrimat e zeza nuk janë aq të zeza sa mendohet a duken. Ato duhet të emetojnë rrezatim, për rrjedhojë, të zhduken. Një supozim tjetër është se Universi nuk duhet të ketë kufij, ose fund në kohë. Që do të thotë se mënyra se si ka filluar universi është tërësisht e përcaktuar nga ligjet e shkencës.

Disa nga publikimet e tij janë:

  • Makrostruktura e Kohë-hapësirës, në bashkëpunim me G. F. R. Ellis
  • Relativiteti i përgjithshëm: një punim me rastin e përvjetorit të Ajnshtajn-it
  • 300 Vjet Gravitet në bashkëpunim me W. Israel.

Librat më të shitur të Hawking janë “Një histori e shkurtër e kohës, nga Bing Bengu tek Vrimat e Zeza” dhe “Universi në guackë” (2001). Për më shumë: http://www.hawking.org.uk/

ORIGJINA E UNIVERSIT

A na dëgjon kush? Sipas gojëdhënave të fisit Boshongo, në Afrikën Qendrore, në fillim kishte vetëm errësirë, ujë dhe zoti i madh, Bumba. Një ditë Bumba, me dhimbje stomaku, volli diellin. Dielli thau ujin dhe kështu doli toka. Akoma me dhimbje, Bumba volli hënën, yjet e më pas kafshët – krokodilin, leopardin, breshkën dhe, së fundmi, njeriun. Një gojëdhanë e tillë, sikurse shumë të tjera rreth të cilave mund të keni dëgjuar, tentojnë t’i përgjigjen të njëjtave pyetje, që pak a shumë i bëjmë të gjithë: Pse jemi këtu? Nga vimë?

Përgjigja që jepet zakonisht është se njerëzimi duhet të ketë një origjinë jo shumë e hershme, sepse janë të dukshme, edhe në  kohët që ne i quajmë të lashta, progreset e racës njerëzore në teknologji e njohuri. Rrjedhimisht, ekzistenca e tij nuk duhet të jetë shumë e gjatë, përndryshe progresi duhej të ishte shumë më i avancuar. Për shembull, sipas Bishop Usher, në Librin e Gjenezës, krijimi i botës ka ndodhur në ora 9 të mëngjesit, më 27 tetor 4004, para Krishtit. Nga ana tjetër, mjedisi përreth, si malet apo lumenjtë, ndryshojnë shumë pak gjatë një periudhe kohore të barabartë me jetëgjatësinë e një qenie njerëzore. Nga kjo mund të mendojmë se mjedisi përreth ka qenë konstant e ka ekzistuar edhe më parë, si një zbrazëtirë, ose është krijuar në të njëjtën kohë me qeniet njerëzore. Sidoqoftë, asnjë nuk duket i lumtur me idenë e një universi që ka një fillim.

Për shembull Aristoteli, një nga filozofët më të famshëm të antikitetit, besonte se Universi ka ekzistuar gjithmonë. Diçka e përjetshme është më perfekte se diçka e formuar a krijuar. Ai sugjeronte se arsyeja se pse kemi progres, është se katastrofat natyrore e kanë kthyer herë mbas here njerëzimin pas në kohë, duke e detyruar ta nisi nga e para. Arsyeja e besimit në universin e përjetshëm duhet të ketë qenë dëshira për të shmangur ndërhyrjen hyjnore në krijimin e universit, për të hequr dorë nga nevoja e ekzistencës së tij. Nga ana tjetër, ata që besojnë në një fillim të universit, e përdorin si një argument të mirë për të besuar në ekzistencën e Zotit si nevojë për krijimin e tij apo si një lëvizje të parë. Por, ndërkohë që dikush mbron tezën se Universi ka një fillim, natyrshëm i shtrojmë pyetjet: Çfarë ka ndodhur para fillimit? Çfarë po bënte Zoti para krijimit të Botës? Mos ndoshta po përgatiste ferrin për njerëzit që do të bënin pyetje të tilla?

Problemi i ekzistencës a jo të një fillimi të universit, është marrë në shqyrtim edhe nga filozofi i madh gjerman Immanuel Kant. Kant kishte ndjesinë e një kontradikte logjike në arsyetimet e bëra. Nëse universi ka një fillim, pse duhej të prisnim një kohë pafundësisht të gjatë deri në krijimin e tij? Këtë dyshim ai e quajti tezë. Nga ana tjetër, nëse universi ka ekzistuar përgjithmonë, pse ju desh një kohë pafundësisht e gjatë për të arritur në stadin e tanishëm? Sipas Kant, kjo është antiteza. Të dyja, si teza ashtu edhe antiteza, në supozimin e Kantit, lidhen me hamendësimin se në atë kohë, çdo gjë ishte absolute. E thënë ndryshe, kalimi nga e kaluara e pafundme në një të ardhme të pafundme, ka ndodhur pavarësisht me ekzistencën a jo të një universi në sfond. Të njëjtin mendim me Kantin ndajnë edhe shumë shkencëtarë të ditëve të sotme. Duke ecur më tej, më 1915, Ajnshtajni paraqiti Teorinë e tij të Përgjithshme mbi Relativitetin që revolucionarizoi shumë nga konceptet e idetë tona. Në këtë teori, koha dhe hapësira nuk janë më absolute, nuk janë më një sfond konstant për ngjarjet e ndryshme. Sipas Ajnshtajn, si koha ashtu edhe hapësira janë madhësi dinamike, të përcaktuara nga materia dhe energjia në univers, duke bërë të padobishme çdo tezë a hipotezë që flet për kohën para fillimit të universit. Është njësoj si të kërkojmë një pikë jugore në polin e jugut. Nëse në univers koha është e pandryshuar, sikurse përgjithësisht besohej para viteve 1920, nuk duhej të kishte arsye se pse të mos e caktonim kohën arbitrarisht. Çdo i ashtuquajtur fillim i universit do të ishte artificial, në kuptimin se kushdo mund ta shtrinte historinë prapa në kohë, para atij fillimi arbitrar, në varësi të dëshirës a lakmisë së tij. Pra, mund të themi se universi u krijua vjet, ndërkohë që kemi përsëri arsye të themi se duhet të jetë shumë më i vjetër sepse të gjitha ngjarjet fizike dhe kujtesa kolektive na japin të drejtë.

Këtu ka vend për t’u ndalur e për të ngritur pyetje të thella filozofike rreth ekzistencës. Unë do të merrem me to duke krijuar një përqasje pozitiviste, sikurse e quajnë shumica në kohët tona. Sipas kësaj përqasjeje, ne i interpretojmë të dhënat nëpërmjet shqisave tona, në përshtatje me atë model që kemi krijuar për botën. Asnjeri nuk kërkon të dijë nëse ky model paraqet a jo realitetin, por vetëm nëse ky model funksionon. Një model është i mirë nëse është në gjendje së pari të na shpjegojë sa më shumë vëzhgime, në mënyrë të thjeshtë e elegante. Së dyti, sa është në gjendje modeli të bëjë parashikime të veçanta, konkrete, të cilat mund të testohen e ndoshta edhe të hidhen poshtë nga realiteti. Sipas kësaj qasjeje pozitiviste, gjithsekush mund të bëjë krahasime ndërmjet dy modeleve të universit: modelit që pretendon se universi u krijua vjet dhe modelit tjetër, sipas të cilit universi është krijuar shumë më herët. Modeli sipas të cilit universi ka ekzistuar shumë kohë më parë se vjet, mund të shpjegojë fakte të tilla që lidhen për shembull me binjakët identikë, të cilët modeli që pretendon krijimin e universit vjet nuk është në gjendje të na i shpjegojë. Për rrjedhojë, modeli i parë është më i mirë. Duke vazhduar arsyetimet tona, nuk ka kuptim pyetja nëse universi ekzistonte shumë kohë më parë se vjet apo thjesht vetëm u shfaq vjet. Në përqasjen pozitiviste, është e njëjta gjë. Në një univers statik, të pandryshuar, nuk mund të ketë një pikë natyrale fillestare, nisjeje.

Situata ndryshoi rrënjësisht, kur Edwin Huble filloi vëzhgimet me teleskop në Malin Wilson, në vitet 1920. Huble zbuloi se yjet nuk janë të shpërndarë në mënyrë uniforme në hapësirë. Në hapësirë gjenden grumbullime yjore të quajtura galaksi. Duke matur kohën që i duhej dritës të vinte deri tek ne, Huble mund të gjente shpejtësinë me të cilën lëviznin këta yje. Huble besonte se shumë galaktika lëviznin drejt nesh e shumë të tjera largoheshin nga ne. Kjo është ajo që duhej pritur në një univers që nuk ndryshonte me kalimin e kohës. Por, për çudinë e tij, të gjitha galaktikat largoheshin nga ne. Për më tepër, sa më larg nga ne të gjendeshin galaktikat, aq më e madhe ishte shpejtësia me të cilën na largoheshin. Universi nuk ishte i pandryshuar me kalimin e kohës, sikurse gjithkush mendonte në të kaluarën. Universi po zgjerohej. Distanca ndërmjet galaktikave rritej me kalimin e kohës. Zgjerimi i universit ishte një nga zbulimet më të rëndësishme intelektuale të shekullit të 20-të apo të çdo shekulli. Ky zbulim e transformoi debatin nëse universi e ka a jo një fillim. Nëse galaktikat po na largohen atëhere ka qenë një kohë kur ato duhet të kenë qenë më afër? Nëse shpejtësia me të cilën lëvizin është konstante, ato duhet të kenë qenë pranë njera tjetrës afro 15 bilion vjet më parë. Mos është ky atëhere fillimi i universit?

Një fakt i tillë nuk kënaqte shumë fizikanë, të cilët shihnin se si e gjithë fizika e deri asaj kohe po shkërmoqej. Çdokush mund të pajtonte një agjenci jashtë tokësore, e cila nga ana e saj do të merrte Zotin në telefon, për të pyetur se kur u krijua Bota, duke u dhënë kështu fund të gjitha dilemave a hamendësimeve tona. Të tjerë patën fantazinë të thonin se vërtet universi po zgjerohet në kohët e sotme, por sidoqoftë universi nuk ka një fillim. Njëra nga këto teori, e quajtur Teoria e Gjendjes së Qëndrueshme dhe e propozuar nga Bondi, Gold dhe Hoyle më 1948, supozonte se ndërsa galaktikat largoheshin, të tjera galaktika të reja formoheshin vazhdimisht me materien që mbushte hapësirën e universit. Universi ka ekzistuar përgjithmonë dhe po gjithmonë ka patur të njëjtën pamje. Karakteristika e fundit e kësaj teorie pati fatin, sipas pikëpamjes pozitiviste, të testohej nëpërmjet vëzhgimeve tona. Grupi i radio astronomëve në Kembrixh, nën drejtimin e Martin Rylw, arritën të lokalizojnë një sinjal të dobët radio që vinte nga hapësira, rreth viteve 1960. Sinjali dukej i përhapur njëtrajtësisht në qiell, duke dëshmuar se shumica e burimeve të tij duhej të ndodheshin jashtë galaktikës tonë. Burimet, ndonëse të dobëta, duhej të ishin, mesatarisht, tepër larg.

Teoria e Gjendjes së Qëndrueshme parashikoi formën e grafikut të varësisë së numrit të burimeve nga fuqia e burimit. Por vëzhgimet treguan një ndryshim në numrin e burimeve të parashikuara, duke provuar se në të kaluarën, densiteti i burimeve ka qenë më i lartë. Kjo ishte në kundërshtim me supozimin teorik të Teorisë së Gjendjes së Qëndrueshme se çdo gjë ka qenë konstante në kohë. Për këtë, si dhe për arsye të tjera, Teoria e Gjendjes së Qëndrushme u braktis shumë shpejt nga shkencëtarët.

Një përpjekje tjetër për të shmangur teorinë e një fillimi të universit ishte sugjerimi se ka patur paraprakisht një fazë tkurrjeje, por që për shkak të rrotullimit dhe parregullsive të veçuara, e gjithë materia nuk u përqëndrua në të njëjtën zonë. Pjesë të ndryshme të materies u shpërndanë në zona të ndryshme dhe universi mundi të zgjerohet përsëri, me një dendësi që merr vlera të fundme. Dy rusë, Lifshitz dhe Khalatnikov, aktualisht pretendonin se kishin vërtetuar se një tkurrje e përgjithshme pa një simetri perfekte, çon gjithmonë në një tkurrje tjetër me një densitet të fundëm. Një përfundim i tillë ishte shumë i përshtatshëm për materializmin dialektik Marksist Leninist, sepse shmangte pyetjen e padëshiruar rreth krijimit të universit, duke u bërë kështu tepër e besueshme për shkencëtarët Sovjetikë. Në kohën e publikimit të një teorie të tillë, unë isha një student 21 vjeçar, në kërkim të diçkaje që do të kompletonte tezën time të doktoraturës. Unë nuk e besoja të ashtuquajturën provë të tyre dhe vendosëm së bashku me Roger Penrose, të zhvillonim teknika të reja matematike për të studiuar problemin. Ne treguam se universi nuk mund të tkurrej (bounce). Nëse Teoria e Relativitetit të Ajnshtajnit është korrekte, duhet të ketë një singularitet, një pikë me densitet të pafundëm dhe përkulje të hapësirë kohës ku të ketë filluar koha. Prova e vëzhguar që konfirmonte idenë se universi ka patur një densitet shumë të madh në fillim, erdhi në Tetor 1965, pak muaj mbas rezultatit tim të parë singular, me zbulimin e ekzistencës së mikrovalëve të dobëta në hapësirë, të njëjta me mikrovalët e furrës me mikrovalë, por shumë më pak të fuqishme. Ju mund të bindeni për ekzistencën e tyre përmes një eksperimenti të thjeshtë. Çojeni televizorin në një kanal të zbrasët. Një përqindje e vogël e atyre xixave të bardha që ju shihni në ekran, duhet të shkaktohet nga këto mikrovalë. I vetmi interpretim i arsyeshëm i justifikimit të ekzistencës së valëve të tilla, është lindja e tyre nga një gjendje shumë e nxehtë dhe e dendur. Ndërsa universi zgjerohet, rrezatimi është ftohur, duke mbetur ai që vëzhgojmë sot. Ndonëse teoria e singularitetit të Penrozë dhe imja, parashikonin se universi ka një fillim, ajo nuk ishte në gjendje të tregonte se si kishte filluar. Ekuacionet e Relativitetit të Përgjithshëm të Ajnshtajnit, nuk kënaqin singularitetin. Për rrjedhojë, teoria e Ajnshtajnit nuk mund të parashikojë se si ka filluar universi, por vetëm se si do të zhvillohet me fillimin e tij. Ka dy mënyra, nga të cilat njëra mund të merret nga rezultatet e Penrozë dhe të miat. Njëra është që Zoti e filloi universin, për arsye që ne nuk i kuptojmë. Kjo ishte pikëpamja e Papa John Paul-it. Në një konferencë mbi kozmologjinë në Vatikan, Papa pranoi para delegatëve se ishte OK me studimin e universit mbas krijimit të tij, por nuk duhej të bëheshin përpjekje për të shpjeguar vetë fillimin, sepse me të vërtetë ka patur një moment fillimi, por ka qenë vepër e Zotit. Unë në fakt isha i kënaqur që ai nuk ishte në dijeni të një abstrakti që kisha paraqitur në një konferencë, ku sugjeroja pikërisht se si universi kishte filluar. Nuk më pëlqente fare ideja të kisha të bëja përsëri me Inkuizicionin si Galileo.

Interpretim i rezultatit tonë, i cili përkrahet nga shumë shkencëtarë, është se Teoria e Përgjithshme e Relativitetit nuk vërtetohet në fusha shumë të fuqishme gravitacionale, të ngjashme me ato të fillimit të universit. Teoria duhet të zëvendësohet nga një teori akoma më e përgjithshme. Një arsye më shumë është se Relativiteti i Përgjithshëm nuk merr në shqyrtim struktura të vogla të materies, me të cilat merret teoria kuantike. Kur studiohet universi, përmasat e tij janë jashtëzakonisht të mëdha, të pakrahasueshme me përmasat e lëndës që merren në shqyrtim nga teoria kuantike. Por, kur universi ka përmasat e Plankut – trilioni i trilionit të trilionit të centimetrit, të dy shkallët janë të krahasueshme e për rrjedhojë teoria kuantike duhet marrë në konsideratë.

Me synimin për të kuptuar origjinën e universit, ne na duhet të kombinojmë Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit me Teorinë Kuantike. Mënyra më e mirë, me sa duket, për të patur rezultate të kënaqshme, duket përdorimi i idesë së Feynman: e shumës përgjatë historisë. Richard Feynman ishte një burrë plot gjallëri, që kombinonte bukur pasionin me muzikën në Pasadena dhe fizikanin e shkëlqyer në Institutin Kalifornian të Teknologjisë. Ai propozoi se një sistem mund të shkojë nga gjendja A në gjendjen B sipas çdo rruge a ngjarjeje të mundshme. Çdo rrugë a ngjarje ka një amplitudë ose intensitet të caktuar. Propabiliteti i kalimit të sistemit nga A në B mund të merret nga shuma e amplitudave të të gjitha rrugëve. Nëse kemi ngjarjen që hëna shumë shpejt do të bëhet djath, amplituda e një ngjarjeje të tillë është shumë e vogël e me siguri nuk do të kënaqi aspak minjtë. Propabiliteti i gjendjes së universit në kohën që jetojmë mund të merret nga shuma e amplitudave të të gjitha ngjarjeje që kanë çuar në një gjendje të tillë – në gjendjen në të cilën është sot. Por si ka filluar historia?  Kjo është pyetja fillestare, por e shtruar tashmë me nuanca të tjera.  Mos duhet verdikti i një Krijuesi për të treguar se si duhet të fillojë universi? Apo gjendja fillestare e universit, njësoj sikurse gjithë universi, është e përcaktuar nga ligjet e shkencës? Në fakt, një pyetje e tillë duhet të ngrihet, edhe nëse universi ka filluar në një kohë pafundësisht të largët (në të shkuarën). Një pyetje e tillë është akoma më emergjente nëse thuhet se universi ka filluar vetëm 15 miliard vjet më parë. Problemi se çfarë ndodhi në fillim të kohës, është pak a shumë e ngjashme me pyetjen se çfarë ndodh në cepat e botës, kur besohej se bota ishte e sheshtë. Është bota e sheshtë, me detin që derdhet nga anët e saj? Unë e kam provuar këtë eksperimentalisht. I kam rënë përreth botës, dhe nuk kam rënë. Sikurse e dimë të gjithë, problemi se çfarë ndodh në fund të botës, u zgjidh kur njerëzit zbuluan se bota nuk është e rrafshët, por e rrumbullakët. Në lidhje me kohën, duket se gjërat janë ndryshe. Koha duket e ndarë nga hapësira. Përfytyroni modelin e shinave të trenit. Nëse ka një fillim, atëhere na duhet të nisim trenin. Teoria e Përgjithshme e Relativitetit të Ajnshtajnit unifikoi kohën dhe hapësirën, por akoma koha ishte e ndryshme nga hapësira, si një korridor, i cili ka një fillim e një fund ose zgjatet në pafundësi. Sidoqoftë, nëse dikush kombinon Relativitetin e Përgjithshëm me Teorinë Kuantike, sikurse Jim Hartle dhe Unë bëmë, atëhere kohën mund ta marrim si një tjetër drejtim të hapësirës, në kushte të veçanta. Kjo do të thotë se mund të heqim qafe problemin se koha ka një fillim, në të njëjtën mënyrë sikurse shpëtuam nga anët apo fundi i botës (në sensin gjeografik). Supozoni se fillimi i universit ishte njësoj si Poli Jug, me koordinatën gjerësi në rolin e kohës. Universi duhet të fillojë në një pikë, si Poli i Jugut. Ndërkohë që nisemi drejt veriut, rrethi i pikave me të njëjtën gjerësi gjeografike, që përfaqëson përmasat e universit, do të zgjerohet. Pyetja se çfarë ndodhi përpara fillimit të universit bëhet e pakuptimtë, sepse nuk ka Jug në Polin e Jugut.

Koha, e matur në gjerësi gjeografike, mund të ketë një fillim në Polin Jug, por vetë Poli Jug është si çdo pikë tjetër, të paktën kështu më kanë thënë. Unë kam qenë në Antarktidë, por jo në Polin e Jugut. Të njëjtat ligje të Natyrës zbatohen edhe në Polin e Jugut, njësoj sikurse në çdo pikë tjetër. Kjo mund të na ndihmojë në heqjen dorë nga mendimi i një fillimi në kohë të universit, por nga ana tjetër mund të na ndihmojë të kuptojmë se ka vende ku ligjet normale nuk zbatohen.

Fillimi i universit duhet të jetë bërë sipas ligjeve të natyrës. Pamja që paraqesim Jim Hartle dhe Unë, është ajo e një krijimi kuantik të rastësishëm të universit, të ngjashëm me krijimin e bulëzave të avullit në ujin që vlon. Ideja është se mundësia më e madhe e historisë së universit duhet të jetë e ngjashme me sipërfaqen e bulëzave. Gjatë zjerjes së ujit shfaqen e zhduken një sasi e madhe bulëzash uji. Një proces i tillë është i ngjashëm me krijimin e zhdukjen e një sërë universesh, të cilët mund të zgjerohen, por shpërthejnë shpejt, duke qenë akoma në përmasa mikroskopike. Sigurisht që ekziston mundësia e ekzistencës së universeve alternativë, por që nuk paraqesin shumë interes për studimin tonë sa kohë që nuk zgjasin aq në kohë sa të mund të çojnë në krijimin e galaksive e yjeve, aq më tepër në zhvillimin e jetës inteligjente. Megjithatë, pak nga këto bulëza, arrijnë të marrin përmasa të tilla, të cilat mund të jenë të sigurta në një farë mënyre nga ndonjë shpërthim. Ato vazhdojnë të zgjerohen e rrisin përmasat dhe formojnë bulëzat që ne shohim. Përshkrimi i mësipërm vlen për universet që mund të zgjerohen në fazën në të cilën janë. Ky proces quhet inflacion, njësoj sikurse inflacioni në ekonomi me çmimet që rriten çdo vit.

Bota e mban mend inflacionin në Gjermani mbas Luftës së Parë Botërore. Çmimet u rritën me afro 10 milion herë gjatë një periudhe prej 18 muajsh. Por kjo nuk është asgjë me inflacionin në fillimet e universit. Universi zgjerohej me miliona triliona e triliona në fraksione të sekondës. Por, ndryshe nga inflacioni i çmimeve, inflacioni i një universi është një gjë e mirë. Ai prodhon një univers shumë të madh e uniform, tamam ashtu sikurse ne e shohim.  Sidoqoftë, jo tërësisht uniform. Në shumën e historive, histori që janë shumë pak të parregullta, duhet të ketë propabilitet të lartë sa historia e rregullt dhe tërësisht uniforme. Rrjedhimisht teoria parashikon se në fillimet e universit, ai duhet të jetë pak jo uniform. Këto parregullsi do të prodhojnë ndryshime të vogla në intensitetin e sfondit të mikrovalëve kozmike që vijnë nga drejtime të ndryshme. Ekzistenca e një sfondi me mikrovalë është zbuluar nga sateliti dhe përputhet tërësisht me parashikimet teorike. Për rrjedhojë, mund të themi se si fillim jemi në në rrugën e duhur.

Parregullsitë në universin e hershëm do të thotë se në disa zona duhet të kemi densitet më të madh se në të tjera. Tërheqja gravitacionale e zonave me gravitet ekstra do të zvogëlojë zgjerimin e zonës dhe ndoshta mund të shkaktojë formimin e galaksive dhe yjeve. Ne jemi produkt i  fluktacioneve kuantike në universin e hershëm. Zoti ka luajtur mirë kumar. Ne kemi bërë progres të jashtëzakonshëm në kozmologji në këta 100 vitet e fundit. Teoria e Përgjithshme e Realativitetit dhe zbulimi i zgjerimit të universit thërrmuan tabllonë e vjetër të një ekzistence të pafundme apo të një zgjatjeje të pafundme. Në të vërtetë, relativiteti i përgjithshëm parashikon se universi dhe koha vetë duhet të kenë një fillim në bing bang. Gjithashtu po e njëjta teori parashikon fundin në vrimat e zaza. Zbulimi i sfondit të mikrovalëve kozmike dhe vëzhgimi i vrimave të zeza përkrah rezultate të tilla. Ka një ndryshim thelbësor në tabllonë që kemi sot për universin dhe vetë realitetin. Ndonëse Teoria e Përgjithshme e Relativitetit parashikon se universi duhet të ketë ardhur nga një periudhë me kurbaturë shumë të lartë të së kaluarës, nuk na tregon se universi duhet të ketë lindur nga një bing bang.  Kështu, relativiteti i përgjithshëm nuk mund t’i përgjigjet pyetjes më të rëndësishme në kozmologji:  Pse universi është kështu si është?

Nëse relativiteti i përgjithshëm kombinohet me teorinë kuantike, mund të jetë e mundur të parashikojmë se si ka filluar universi. Ai duhet të zgjerohet deri në një masë të caktuar. Gjatë kësaj periudhe inflacioni, harmonizimi i dy teorive parashikon se fluktacione të vogla mund të çojnë në formimin e galaksive, yjeve dhe strukturave të tjeratë universit. Kjo është konfirmuar nga vëzhgimi i jo uniformiteteve të vogla në mikrovalët kozmike, me të njëjtat karakteristika saktësisht me ato të parashikuara teorikisht. Duket se jemi në rrugën e të kuptuarit të origjinës së universit, ndonëse do të duhet shumë më tepër punë e ndoshta shumë më tepër kohë. Një dritare e re në universin e hershëm do të hapet kur të kemi zbuluar valët gravitacionale nëpërmjet matjeve të sakta. Valët gravitacionale vijnë lirisht tek ne, që nga koha e universit të lashtë, të papenguara nga ndonjë formë e materies. Në të kundërt, drita që vjen nga hapësira mund të shpërndahet disa herë nga elektronet e lirë.

Pavarësisht disa sukseve të mëdha që kemi patur, nuk kemi qenë në gjendje të zgjidhim gjithshka. Ne nuk kemi akoma një përqasje të mirë teorike se pse zgjerimi i universit po përshpejtohet përsëri, mbas një periudhe të gjatë kur ky zgjerim ishte zvogëluar. Pa kuptuar procese të tilla, ne nuk mund të jemi të sigurtë për të ardhmen e universit. Do të vazhdojë të zgjerohet përgjithmonë? A është inflacioni një ligj i natyrës? Apo universi me gjasa do të shpërthejë përsëri? Së shpejti presim të kemi rezultatet e vëzhgimeve të reja si dhe teori më të avancuara mbi bazën e këtyre vëzhgimeve. Kozmologjia është një subjekt tepër tërheqës dhe aktiv. Ne po i afrohemi gjithmonë e më shumë pyetjes së vjetër: Pse jemi këtu? Nga vimë?

Faleminderit që më dëgjuat.

 

Histori nga fshati ynë global

Universiteti i Europës Qendrore, në Hungari, i financuar nga Soros rrezikon mbylljen

Ose histori nga fshati ynë global

Informacioni është përshtatur nga BBC, dt. 31 mars 2017

Universiteti i Europës Qendrore (Central European University, akronimet nga anglishtja, CEU) është një institucion i themeluar dhe regjistruar në Shtetin e New York-ut më 1991, si një universitet i pavarur e privat, që ofron studime Master e PhD dhe ku, aktualisht, gjenden të regjistruar 1,440 studentë, konkretisht, 335 nga Hungaria, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga 107 vende. Universiteti mbështetet financiarisht, nga dita e parë e krijimit dhe deri më sot, nga miliarderi G. Soros. Por pavarësisht se është themeluar në ShBA, universiteti vepron vetëm në Hungari.

Situata është turbulluar këto ditë, pas nismës së qeverisë hungareze të krahut djathtë për hartimin e një ligji që kërkon rishikimin e veprimtarisë së të gjithë universiteteve të huaja që operojnë në vend (afro 29), përfshirë edhe Universitetin e Europës Qendrore. Por drejtuesit e CEU pretendojnë se ligji po hartohet vetëm për ta. Synimi është mbyllja e CEU.

Çfarë ka ndodhur? Në fakt, Kryeministri i vendit, Viktor Orban, ka një lidhje direkte me Soros. Menjëherë me përmbysjen e komunizmit, Mr. Orban fitoi një të drejtë studimi për në Oxford, por shpenzimet u mbuluan nga një bursë e ofruar nga Soros. Miqësia e atyre ditëve sot është shndërruar në armiqësi, pas akuzave të Orban për Soros se kërkon protagonizëm në jetën politike të vendit dhe po mbështet rritjen e numrit të emigrantëve në Europë. Por armiqësia e Orban ka gjetur aleatin e saj më të mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, – vetë presidentin, z. Donald Trump.

Nëse ligji aprovohet në parlament, universiteti do mund të vazhdojë punën me plotësimin e dy kushteve kryesore: 1. nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërqeveritare ndërmjet Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Trump, dhe kryeministrit të Hungarisë, z. Viktor Orban, 2. ndërtimin e një kampusi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në shkurt të vitit 2018. Sipas BBC-së, kushti i parë është i pamundur të realizohet politikisht, ndërsa kushti i dytë është i pamundur të realizohet fizikisht.

Akoma, ligji i ri i kërkon universitetit CEU të ndryshojë emrin, të ndërtojë një kampus në New York, të ndryshojë kurrikulën dhe t’i nënshtrohet jo vetëm ligjeve të qeverisë hungareze, por edhe të asaj amerikane. Situata është në zhvillim.

Përshtati: V. Nathanaili

who’s who – Aleksandër Xhuvani Nga Valbona Nathanaili

who’s who – Aleksandër XHUVANI (1880 – 22 nëntor 1961)

Nga Valbona Nathanaili (shkëputur nga libri “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe”)

Studimet e larta i kreu në Athinë për filologji. Veprimtarinë e tij arsimore dhe pedagogjike e filloi si mësues i gjuhës shqipe në kolegjin arbëresh të Shën-Mitër Koronë, gjatë periudhës 1906-1909, punë që e kishte filluar atje patrioti, poeti dhe mendimtari i shquar i arbëreshëve të Italisë, Jeronim De Rada. Me shpalljen e Pavarësisë kthehet në atdhe. Dhjetor 1909 jep mësim në Normalen e Elbasanit dhe drejtor i saj gjatë viteve shkollore 1913-1914; 1917-1920; 1922-1929; 1933-1938. Pjesëmarrës në kongreset arsimorë të viteve 1920, 1922 dhe 1924.

Anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës dhe, më 22 tetor 1920, me dekret të Këshillit të Naltë emërohet kryetar i Komisisë Letrare, me rrogë mujore 500 fr. ar. Teksti i emërimit përmban (Burimi: Arkivi i Shtetit Shqiptar):

  • Na, Këshilli i Shtetit Shqiptar… presim prej teje besnikëri në punë e në detyrë dhe shërbime të drejta, me ndërgjegje të pastër e kombëtare për shtetin tonë e Shqipërinë. Ne duam të na apish fjalën e nderit dhe besën, duke u betuar para nesh”.
    “Unë do të kryej detyrën që më ngarkoni me ndërgjegje e me therori, duke ruajtur ligjet e Shteti Shqiptar e do të jem gjithnji besëtar përpara Këshillës Shqiptare, ruajtësi i Indipendencës të Shqipnis e i Flamurit t’onë.
    Këshilla e Naltë e Shtetit Shqiptar” / Firmosur: Aqif Elbasani

Më 12 dhjetor 1921 emërohet zëvendës ministër i arsimit (dekreti i emërimit mban përsëri firmën e Aqif Elbasani, Burimi: Arkivi i Shtetit Shqiptar).
Kreu një punë të madhe e shumë të vlefshme për krijimin e pasurimin e letërsisë mësimore, si dhe pajisi shkollën me shumë tekste të gjuhës, letërsisë e shkrimeve pedagogjike. Më 1925, duke qenë drejtor i Normales, e thërrasin në Tiranë si anëtar të komisionit të krijuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit, ku merret me rishqyrtimin dhe përmirësimin e të gjitha programeve të shkollave, përpilimin e rregulloreve të shkollave e të internateve; përgatit rregulloret e bursave; harton programe e tekste për gjimnazin e parë shqip që u çel në atë kohë në Tiranë, autor i shumë teksteve shkollorë të kësaj periudhe.

Mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm në qeveritë e kryesuara nga Kostaq Kotta (Qeveria e dytë mbretërore, Ministër i Arsimit Abdurrahman Dibra, 1929) dhe ato të kryesuara nga Pandeli Evangjeli (mars 1930 – prill 1932, ku Ministra Arsimi janë, përkatësisht, Hil Mosi dhe Mirash Ivanaj). Anëtar i Institutit Shqiptar të Studimeve (me dekret të mëkëmbësit të mbretit); shkurt 1940 – qershor 1940 punon si drejtor në Gjimnazin e Shkodrës.

Ministri i Arsimit, Koço Muka, për vitin shkollor 1942-1943, vendos krijimin e një komisioni, të përbërë prej arsimtarësh të sprovuar në çështjet arsimore, që do të merret me shqyrtimin e imtë të të gjitha lëndëve mësimore që zhvillohen në shkollat fillore e të mesme, si dhe me modifikimin e legjislacionit në fuqi. Komisioni do të merret edhe me programet “që të përmirësohen e plotësohen për t’ju përshtatur frymës së shkollës kombëtare”. Gjithashtu, ky komision do të shfaqë mendim për tekstet shkollore që duhet të nxirren jashtë përdorimit, si të papërshtatshëm për qëllimin kombëtar të shkollës, si dhe për ato që do mund të vazhdojnë të përdoren, por duke treguar ndryshimet që mund të bëhen, në mënyrë që të jenë në pajtim të plotë me nevojat dhe interesat e shkollës. Komisioni kryesohet nga Aleksandër Xhuvani.

Pas çlirimit, më 1946, me fillimin e reformës arsimore, punon si punonjës shkencor për hartimin e teksteve dhe programeve të reja të gjuhës e të letërsisë pranë Ministrisë së Arsimit; drejtues i seksionit të Gjuhës e Letërsisë të Institutit të Studimeve (Instituti i shkencave) gjatë periudhës janar 1947-shtator 1953 dhe anëtar i Presidiumit të tij gjatë periudhës 1947-1957; Anëtar i Asamblesë Kushtetuese 2 dhjetor 1945, deputet i Kuvendit Popullor në shumë legjislatura dhe nënkryetar i presidiumit për shumë vjet, gjer në fund të jetës.

Në vitet ‘950 jep mësim në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës.

Botime (listuar jo të gjitha)

Xhuvani u bashkua me mendimin për të marrë si “gjuhë shkrimi” dialektin e Elbasanit. Në Kongresin Arsimor të Lushnjës (1920) thekson se baza e gjuhës së teksteve shkollore duhet të jetë jo thjesht e folmja e Elbasanit, por “dialekti i Elbasanit me disa përmirësime”.

Shtjelloi një veprimtari sistematike, të shumanshme të gjerë e të frytshme si lëvrues i studiues i gjuhës shqipe, strukturës gramatikore dhe visarit leksikor të saj; drejtoi punën për kodifikimin e drejtshkrimit dhe hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimorë 1948, 1951, 1953 e 1956.

Më 1906 boton “Për themelimin e një gjuhe letrare”, në revistën “Albania”, me pseudonimin Dok Sula. Më 1925 boton Njohunit e para të syndaksës shqipe – pjesa e parë për klasat e nalta të fillores, Tiranë.

Më 1923, në bashkëpunim me Pertev Pogonin, boton “Abetar për shkollat fillore të Shqipërisë”. Libri ka 94 faqe dhe është me ilustrime. Vlorë: Shtypshkronja “Vlora”. Seria e botimeve të Ministrisë së Arsimit. Më vitin 1927, vepra botohet e përmirësuar dhe shtypet në Tiranë: Mbrothësia e Kristo Luarasit. Botimi i ri ka një numër më të vogël faqesh, 88. Përmban përsëri ilustrime.

Më 1926 boton Fillime të pedagogjisë, Pjes’ e dytë: Didaktikë e edukatë, botim i M. s’Arsimit, Elbasan, shtyp. Elbasan, 187 faqe, një skicë përmbledhëse e didaktikës dhe edukatës, të cilën e zgjeron më tej në dy vepra të veçanta dhe solide: Fillime të pedagogjisë. Pjes’ e parë: Psikologji e shtime në punë t’edukatës, për shkollat normale e për mësuesit e fillorevet, e pëlqyeme prej M. s’Arsimit, Tiranë: Shtëpia Botonjëse Luarasi, 1933 dhe Fillime të pedagogjisë. Pjes’ e dytë: Didaktika, Tiranë: Shtëpia Botonjëse Luarasi, 1937.

Më 1928 Aforizma pedagogjike, “Mësuesi”, Tiranë, nr. 7-8, 1928, f. 218-221.

Më 1930, së bashku me Kostaq Cipon botojnë tekstin “Fillime të stilistikës e të letërsisë së përgjithshme”. Një ribotim të veprës gjejmë në Prishtinë, nga shtëpia botuese Rilindja (me 228 faqe), më vitin 1982, me redaktor Sabri Hamitin.

Më vitin 1943, boton përmbledhjen (në grup) “Bota shqiptare”, si pjesë e serisë së librave “Libra shteti për shkolla të mesme”:

  • “Bota shqiptare”, libër leximi për kursin e naltë të shkollave të mesme. Botim i Ministrisë së Arsimit. Tiranë, 1943. Libra shteti për shkolla të mesme. Nr. 3, 615 f. Shtypun në Ngrehinën Typografike “Gurakuqi”. Mbledhur  e punuar nga Ernest Koliqi, Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi dhe Eqrem Çabej.

Ndër studiuesit e parë të fjalëformimit, morfologjisë e sintaksës; hartoi punime për kategori të ndryshme të gramatikës, si “Origjina dhe formimi i ndajfoljeve në shqipet”, 1949; “Pjesorja në shqipet” (1954); “Paskajorja në gjuhën shqipe” (1960); “Parafjalët” (1964).

Më 1956 botoi librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”. Në këtë libër, përmbledh rreth 300 fjalë të huaja të radhitura alfabetikisht. Shumica e tyre, mbi 260, janë me prejardhje prej gjuhëve neolatine (prej frëngjishtes e italishtes), rreth 30 janë fjalë turke dhe 5-6 të tjera fjalë sllave e greke. Këto janë, përgjithësisht, fjalë me përdorim të përgjithshëm, që ndesheshin (një pjesë edhe ndeshen) jo rrallë në të folurit e përditshëm, ashtu edhe në shtyp, në radio e në botimet masive. Për secilën prej tyre Prof. A. Xhuvani tregon se si mund të thuhet në shqip dhe jep edhe nga një tog shembujsh me togfjalësha e fjali ku fjala e huaj është zëvendësuar me fjalët a shprehjet shqipe përkatëse.

Në bashkëpunim me Çabej harton dy trajtesa: “Parashtesat” 1956 (ribotuar, 1975) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” 1962 (ishte ndarë nga jeta). Njohësi më i mirë i visarit leksikor të gjuhës shqipe.

Riboton “Fjalorin e gjuhës shqipe” të Kostandin Kristoforidhit më 1961 duke i dhënë një jetë të re këtij fjalori; dha një ndihmesë të vlefshme edhe për “Fjalorin e Gjuhës Shqipe” 1954. Një ndihmesë të mirë i ka dhënë leksikologjisë shqipe dhe teorisë e praktikës së leksikografisë sonë me shkrime e punime të ndryshme, me artikuj e recensione, ndër të cilët mund të përmendim “Kritikë mbi fjalorë të shqipes” 1934; “Çështja e fjalorit të gjuhës shqipe” 1957.

Më 1961 transliteron dhe boton “Fjalor shqip-greqisht hartuar së pari me alfabet greqisht dhe botuar në Athinë më 1904” të Kostandin Kristoforidhit. Botimi ka 397 faqe dhe është botim i Universitetit të Tiranës.

Kontributi i A.Xhuvanit në fushën e psikologjisë ishte i lidhur drejtëpërdrejt me hartimin e tekstit të psikologjisë, me studimet për dukuritë e ndryshme psikike. Vepra më e rëndësishme e tij në fushën e psikologjisë ishte ajo me titull “Fillime të pedagogjisë. Pjesa e parë. Psikologji e shtime në punë t’edukatës për Shkolla Normale e për mësuesit e filloreve”, prej 272 faqesh, botuar në Tiranë më 1933. Për hartimin e kësaj vepre Xhuvani punoi për shumë vite dhe u mbështet në përvojën personale si mësues i psikologjisë në Shkollën Normale të Elbasanit.  Vepra, pas hyrjes, ndahet në tre pjesë. Pjesa e parë titullohet “Të njohurit”. Aty analizohen proceset psikike njohëse. Pjesa e dytë me titull “Të ndiemit e vetvetes” analizon proceset emocionale dhe pjesa e tretë, “Të dashunit” ndalet kryesisht tek vullneti. Gjatë gjithë veprës janë shpjeguar dukuritë psikike, bazat fiziologjike dhe eksperimentale, zhvillimi historik e etnogjenetik së bashku me karakteristikat e tyre. Autori gërsheton elementët e psikologjisë fëminore, pedagogjike dhe, në raste të caktuara, edhe ato të psikologjisë patologjike dhe eksperimentale. Në fund të trajtimit të çdo dukurie psikike, A.Xhuvani i kushton vëmendje përcaktimit të detyrave të prindërve e të mësuesve për zhvillimin e edukimin e drejtë të këtyre dukurive. Xhuvani vlerëson rolin e psikologjisë në punën e mësuesit e të shkollës. Në këtë tekst Xhuvani ka bërë një punë tepër të kujdesshme për terminologjinë psikologjike  në gjuhën shqipe. Teksti mbyllet me një fjalorth prej 253 fjalësh në shqip, italisht dhe gjermanisht.

Me vlerë dhe interes të veçantë për shkencën e psikologjisë paraqitet edhe teskti tjetër i A. Xhuvanit, me titull “Fillime të Pedagogjisë”. Pjesa e dytë. Didaktikë e edukatë për klasën e tretë të Shkollës Normale” (1926, 1937). Në këtë vepër psikologjia vihet në themel të trajtimit të Didaktikës. Ai shtron kërkesën që mësimi të lidhet me një stërvitje e shtjellim të mendjes, me ndjenjat e vullnetin, me një kujtesë të mirë e një fantazi të gjallë, me një zotësi e një të menduar të mprehtë e të drejtë. Kërkon që mësuesi të njohë veçoritë psikologjike të nxënësve t’i nxitë të mendojnë vetë. Përveç këtyre dy teksteve, kontributi i Aleksandër Xhuvanit në fushën e psikologjisë është i lidhur edhe me disa punime, studime e botime. Në mënytë veçantë spikasin studimet e botuara si: Kujtesa, Fantazia, Personaliteti, “Historiku i qendrave të interesës”,  etj.

Përkthime (listuar jo të gjitha) 

I pari përkthim i Aleksandër Xhuvanit, me pseudonimin Dok Sula është një prozë e shkurtër me titull “Çansim i dashurisë”, Albania, 1906. Punën e përkthimit e vazhdon me tregimin “Mësimi i sprasmë”, të shkrimtarit Alfons Dode, botuar në “Kalendari Kombiar”, Sofje, 1913, f. 123-130. Përkthen në prozë odën “Pesë maj” të Aleksandër Manxonit, botuar në Shkëndija, viti I, 1940, nr. 3, f. 27.

Për këtë të fundit, Xhuvani shkruan:

  • Kjo poemë asht një odë e naltë dhe e bukur… U përkthye në shumë gjuhë, si edhe në gjermanishte prej Gëtes… Po e përkthejmë këtu në prozë, ashtu si ua pata mësue dikur nxanësvet të mi në shkollën Normale t’Elbasanit.

Përveç këtyre përkthimeve, Xhuvani përshtati skicën Nëna të Turgenievit, botuar në Antologji, Tiranë, 1946 dhe Tojat e Ibikut, të Shilerit, botuar në Antologji, Tiranë, 1947.

Çmime dhe nderime (listuar jo të gjitha)

Në qershor 1929, dekorohet me urdhrin “Komanduer i Urdhnit Skënderbeg”, për punë të shquar në dobi të shkollës shqip (foto në të majtë).

Dekoruar me Urdhrin e Lirisë së Klasit të Parë, me rastin e 80 vjetorit të lindjes. Mësues i Popullit.

Burime

  • Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë (1986). Studime filologjike dhe pedagogjike për nder të prof. dr. Aleksandër Xhuvanit. Tiranë.
  • Papakristo, S. (1986). Në Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Studime filologjike dhe pedagogjike për nder të prof. dr. Aleksandër Xhuvanit. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë.
  • Temo, S. (1986). Në Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Studime filologjike dhe pedagogjike për nder të prof. dr. Aleksandër Xhuvanit. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë.
  • Bala, V. (1986). Në Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Studime filologjike dhe pedagogjike për nder të prof. dr. Aleksandër Xhuvanit. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë.
  • Lafe, E. (1986). Në Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Studime filologjike dhe pedagogjike për nder të prof. dr. Aleksandër Xhuvanit. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë.

Shënim

Bibliografia e plotë e Aleksandër Xhuvanit gjendet në “Studime filologjike dhe pedagogjike për nder të prof. dr. Aleksandër Xhuvanit”, Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, f. 725-741 dhe numëron 338 artikuj, studime, vepra, botime e ribotime.

Foto kryesore: Faksimile e një prej qarkoreve dërguar shkollave, firmosur në emër të ministrit të Arsimit, nga Aleksandër Xhuvani.

Foto e dytë: Aleksandër XHUVANI

who’s who – Kristo DAKO (21 dhjetor 1876 – 26 dhjetor 1941)

Rubrika: Histori

who’s who – Kristo DAKO (21 dhjetor 1876 – 26 dhjetor 1941)

Nga Valbona Nathanaili 

U lind në Korçë. I biri i Anastasit. Më 1885 rrëzohet nga një pemë, thyen këmbën e mbetet sakat (saktësim: kjo fjalë është përdorur në dokumentet e arkivuara)  për gjithë jetën. Në moshën 11 vjeçare i vdes i jati. Më 1890, emigrojnë familjarisht në Bukuresht, Rumani. Studimet e mesme dhe të larta i mbaron në Bukuresht. Më 1902 diplomohet për matematikë pranë Universitetit të Bukureshtit. Duke qenë ende student, përfshihet në lëvizjen për çështjen kombëtare shqiptare. Për shkak të aktivitetit, arrestohet për pak kohë. Gjatë kësaj periudhe është sekretar i shoqërisë “Shpresa” dhe shkruan artikuj për revista të ndryshme shqiptare. Aty njihet me bashkëshorten e ardhshme, Sevasti Qiriazin. Më 1906 zhvendosen së bashku në Amerikë.

Regjistrohet në fakultetin e filozofisë. Gjatë pushimeve të verës hap kurse për mësimin e gjuhës shqipe dhe të anglishtes për bashkatdhetarët, e cila shpesh njihet si shkolla e parë shqipe në ShBA. Petro Nini Luarasi është një nga mësuesit e kësaj shkolle. Më 19 shtator 1908 themelon shoqërinë “Djelli i Shqipërisë”.

Më 1909 ndërpret studimet dhe kthehet në Shqipëri, ku ndjek aktivitetin patriotik që zhvillohet në vend. Më 1910, për shkak të këtij aktiviteti arrestohet dhe dënohet nga gjyqi ushtarak në Ferizaj. Mbahet në burg për një kohë të shkurtër, por vazhdon veprimtarinë patriotike edhe pas lirimit. Më 1912 kthehet përsëri në Amerikë për të vazhduar studimet e ndërprera universitare dhe aktivitetin patriotik. Më 1913 diplomohet në filozofi dhe është president i Vatrës; redaktor i të përjavshmes “Dielli” (11 korrik 1913 – 26 gusht 1913) dhe menaxher i saj (11 korrik 1913 – 22 korrik 1913). Më 1914 kthehet përsëri në Shqipëri për një kohë të shkurtër. Vendoset në Korçë, ku së bashku me Themistokli Gërmenjin vazhdojnë luftën kundër Athinës, të bindur se ndonëse ushtria greke ishte larguar nga jugu i Shqipërisë, përpjekjet dhe pretendimet e saj për territore shqiptare vazhdojnë të jenë po aq të forta. Duke qenë se nuk kanë mjetet e duhura financiare, largohet për në Rumani.

Më 1915, Komiteti i Lidhjes Kombëtare vendos që Themistokli Gërmenji të kthehet në Shqipëri, ndërsa Dako me të shoqen dhe të kunatën, të shkojnë në Amerikë për të punuar për çështjen shqiptare. Deri më 1920, koha e qëndrimit të tretë në Amerikë, Dako themelon Partinë Politike Shqiptare, me një aktivitet të ndarë nga ai i Vatrës. Më 18 maj 1919, Partia Politike e themeluar prej tij, harton një rezolutë për çështjen e Vlorës. Bashkëpunon me shtypin vendas për të propaganduar çështjen shqiptare dhe vënë në dukje pretendimet greke për Shqipërinë e Jugut. Së bashku me të shoqen, Sevasti Qirjazi, dhe të motrën e vëllain e saj, njihen për veprimtarinë në dobi të shkollës shqipe dhe si personat më me ndikim në kolonitë shqiptare të ShBA.

Ministër i Arsimit në qeverinë e kryesuar nga Hasan Prishtina, por për një periudhë shumë të shkurtër kohore dhe sigurisht pa pasur kohë të zbatojë idetë e tij sa i takon edukimit. Me ardhjen në fuqi përsëri të Ahmet Zogut, dëbohet nga Shqipëria dhe kthehet përsëri në Rumani, por si rrjedhojë e presionit të komunitetit shqiptar në Amerikë, Zogu tërheq vendimin dhe lejon kthimin e tij në atdhe. Gjatë kësaj periudhe jep mësim në shkollën e kunatit, Gjerasim Qiriazi, hapur më 15 tetor 1891 (në atë kohë, Gjerasim Qiriazi punonte për British and Foreign Bible Society, me qendër në Manastir dhe me ndihmën e Naim Frashërit, kishte mundur të marrë leje në autoritetet përkatëse në Stamboll dhe kishte hapur në Korçë shkollën e parë shqipe për vajza “Qiriazi”).

Kristo Dako fliste rrjedhshëm 5 gjuhë të huaja, rumanisht, anglisht, frëngjisht, italisht e greqisht, si dhe njihte latinishten e greqishten e vjetër.

Botime (listuar jo të gjitha)

  • 1937 Zogu the first King of the Albanian. A sketch of his life and times.” Tiranë: Kristo Luarasi, f. 164, nga të cilat 15 faqe me ilustrime, portrete dhe harta.
  • 1937 Shënime historike nga jeta dhe veprat e Nalt Madhërisë së Tij Zogu i Parë, Mbret i shqiptarëve. Boston, Pa vit botimi. 158 f., me foto; 18 cm. Rishtypje sipas botimit të vitit 1937 në Tiranë, nga shtëpia botuese “Kristo Luarasi”. Në ff. 3-5 gjendet një letër e Terenc Toçi drejtuar autorit.
  • 1919 Albania: the master key to the Near East. Boston: Grimes Co. 290 f., 5 fl. Harta, 22 cm. Shënime me komente për librin nga M. Frashëri.
  • 1917 Arithmetikë praktike.Massachusetts, botimi i dytë, 72 f.
  • 1912 Mësime filltare të algjebrës elementare. Korçë: Shtypshkronja Tregtare Ndërkombëtare, 94 f. Në f. 3 ka një parathënie të autorit.
  • 1911 Cilët janë Shqipëtarët?Manastir: Shtypshkronja Tregtare Ndërkombëtare, 37 f.

Foto kryesore: Faksimile e një pjese të dokumentit të kategorizimit të arkivës personale të Kristo Dakos pranë Arkivit Qendror të Shtetit. Arkiva personale “Kristo Dako” është dorëzuar më 26.3.1975, nga Aleksandër Kristo Dako. Arkiva përmban 46 artikuj, korrespodenca, publikime e letra rreth veprimtarisë e aktivitetit të Kristo Dakos, si dhe një biografi të hollësishme. Në paraqitjen e jetëshkrimit të z. Kristo Dako, këto materiale kanë qenë burimi kryesor referues.

Foto e dytë: Kristo Dako

Karta e madhe e universiteteve

KARTA E MADHE E UNIVERSITETEVE

BOLONJË, ITALI, 18 SHTATOR 1988

Përshtati në shqip, Valbona Nathanaili

Ne, rektorët nënshkrues të Universiteteve Europiane, mbledhur në Bolonjë me rastin e nëntëqind vjetorit të universitetit më të vjetër në Europë, katër vjet para heqjes përfundimtare të kufijve ndërmjet shteteve të Komunitetit Europian; duke parashikuar bashkëpunim gjithëpërfshirës ndërmjet gjithë kombeve Europiane dhe duke besuar se njerëzit dhe Shtetet duhet të bëhen më shumë se kurrë të vetëdijshëm për rolin që u kërkohet të luajnë universitetet në një shoqëri përherë në ndryshim dhe rritje ndërkombëtare, gjykojmë se:

 1)      ndërsa i afrohemi fundit të këtij mijëvjeçari, e ardhmja e njerëzimit varet kryesisht nga zhvillimi kulturor, shkencor e teknik; kjo ndërtohet në qendrat e kulturës, dijes e kërkimit shkencor, përfaqësuar nga universitetet e vërtetë;

2)      detyra e universiteteve për të shpërndarë dijen në brezat e rinj nënkupton që, në botën e sotme, ato duhet t`i shërbejnë shoqërisë si një e tërë; dhe se e ardhmja kulturore, sociale dhe ekonomike e shoqërisë kërkon, në veçanti, një investim të konsiderueshëm në vazhdimësinë e arsimit

3)      universitetet duhet t’u japin brezave të ardhshëm arsimim dhe aftësim, që do t’i mësojë ata, dhe nëpërmjet tyre të tjerët, të respektojnë harmonitë e mëdha të mjedisit të tyre natyror dhe të vetë jetës.

Ne, rektorët nënshkrues të Universiteteve Europiane, deklarojmë para të gjithë Shteteve dhe ndërgjegjes së të gjithë kombeve, parimet themelore të cilat duhet, tani dhe përgjithmonë, të shërbejnë si bazë në drejtimin e universiteteve.

PARIME THEMELORE

  1. Universiteti është institucion autonom në zemër të shoqërive të organizuara në mënyra të ndryshme, për shkak të pozicionit gjeografik dhe trashëgimisë historike; prodhon, ekzaminon, vlerëson dhe transmeton kulturën nëpërmjet kërkimit shkencor dhe mësimdhënies. Për të përmbushur nevojat e botës përrreth, kërkimi shkencor dhe mësimdhënia duhet të jenë moralisht dhe intelektualisht të pavaruara nga autoriteti politik dhe pushteti ekonomik.
  2. Mësimdhënia dhe kërkimi shkencor në universitete duhet të jenë të pandara, në mënyrë që shkollimi i ofruar të mos mbesë mbrapa nevojave për ndryshim, kërkesave të shoqërisë dhe përparimit të njohurive shkencore.
  3. Liria në kërkim shkencor dhe trainim është parimi themelor i jetës universitare; qeveritë dhe universitetet, aq sa varet nga to, duhet të sigurojnë respektimin e këtij parimi themelor. Duke refuzuar intolerancën dhe duke qenë gjithmonë i hapur për dialog, universiteti është një vendtakim ideal për: profesorët,të aftë të transmetojnë njohuritë e tyre dhe në gjendje t’i zhvillojnë më së miri ato përmes kërkimeve shkencore dhe risive; studentët, të aftë e me vullnet për të pasuruar mendjet e tyre me këto njohuri.
  4. Universiteti është bartës i traditës humanitare Europiane; kujdesi i tij i vazhdueshëm është mbledhja e dijes universale; për të pëmbushur tendencën e tij, ai shkon përtej kufijve gjeografikë e politikë dhe afirmon nevojën vitale për kultura të ndryshme për të njohur dhe ndikuar njëri tjetrin.

MJETET

Për të përftuar këto synime, duke ndjekur parime të tilla, shtrohet nevoja për mjete efektive, të përshtatshme për kushtet aktuale:

  1. Për të ruajtur lirinë për kërkime shkencore dhe në mësimdhënie, instrumentat e përshtatshëm për të realizuar këtë liri duhet t’u bëhen të mundshme të gjithë anëtarëve të komunitetit universitar.
  2. Rekrutimi i mësuesve dhe rregullimi i statusit të tyre, duhet t’u bindet parimeve se kërkimi shkencor është i pandarë nga mësimdhënia.
  3. Çdo universitet duhet – me luhatje të vogla për rrethana të veçanta, të sigurojë që liria e studentëve të tij është në siguri të plotë dhe se ata i kanë të gjitha kushtet nëpërmjet të cilave mund të marrin kulturën dhe trainimin, të cilat kanë si qëllim t’i përftojnë.
  4. Universitetet, – veçanërisht në Europë, sa i përket shkëmbimit të ndërsjelltë të informacionit, dokumentacionit dhe projekteve të shpeshta të përbashkëta për avancimin e të mësuarit, shihen si thelbësorë në përparimin e vazhdueshëm të dijes. Prandaj, sikurse në vitet e hershme të historisë së tyre, ato inkurajojnë lëvizjen ndërmjet mësuesve dhe nxënësve; për më tepër, ata konsiderojnë një politikë të përgjithshme rreth ekuivalentimit të statusit, titujve, provimeve (pa paragjykuar diplomat kombëtare) dhe dhënien e bursave të domosdoshme për përmbushjen e misionit të tyre në kushtet që mbizotërojnë mjedisin tonë sot.

Ne, rektorët nënshkrues, në emër të Universiteteve tona, marrim përsipër të bëjmë gjithçka kemi në dorë, për të inkurajuar çdo Shtet, po ashtu edhe organizatat ndërkombëtare që punojnë në këtë fushë, të modelojnë politikën e tyre duke këmbëngulur mbi këtë Magna Charta, e cila shpreh dëshirën unanime të universiteteve, të përkufizuar dhe deklaruar lirisht.

 Bolonjë, 18 shtator 1988

Pse MAS duhet të ndryshojë qasjen e regjistrimit të kandidatëve për studentë në institucionet e arsimit të lartë (IAL) Dr. Valbona Nathanaili

Pse MAS duhet të ndryshojë qasjen e regjistrimit të kandidatëve për studentë në institucionet e arsimit të lartë (IAL)

Dr. Valbona Nathanaili

18 gusht 2017

Fillimisht duhet të theksojmë se nga viti 1990 dhe deri më sot, mënyrat dhe kërkesat për pranimin e kandidatëve për studentë në institucionet e arsimit të lartë, në Shqipëri, kanë ndryshuar disa herë, duke kaluar nga një model në një tjetër, nga një përvojë në një tjetër. Por pavarësisht zgjedhjeve që janë bërë, sado karakteristika të ndryshme apo të përbashkëta që mund të kenë pasur, të gjitha mund të përmblidhen në një emërues: janë hartuar në zyrat e MAS, larg kërkesave dhe nevojave që ka pasur realisht vendi, herë në emër të politikës dhe herë në emër të paaftësisë. Rrallë me profesionalizëm. Nëse ka fushë ku është eksperimentuar më shumë është arsimi. Nëse ka fushë ku shteti ka kërkuar të ruajë me çdo kusht monopolin e kontrollit është përsëri arsimi. Dhe këtu nuk flasim vetëm për sistemin parauniversitar, por edhe për atë universitar dhe, brenda këtij niveli, nuk bëhet fjalë vetëm për universitetet publike, por edhe për ato private. Ndërhyrja e fundit e shtetit në këtë nivel u manifestua edhe në procesin e pranimit dhe regjistrimit të kandidatëve për studentë për vitin akademik 2016-2017. Shteti ishte frymëzuesi dhe zbatuesi i mënyrës së pranimit, ofruar dhe reklamuar nën sloganin “meritë-preferencë”.

Duke arsyetuar me termat e qeverisë, si dhe në kuadrin e një analize cilësore, – në Shqipëri, – filozofia e sistemit “meritë-preferencë” i ka rrënjët në periudhën e fund-viteve 1980, kur “merita” për studime universitare caktohej nga komiteti i partisë, në bazë të sfondit ideologjik të familjes dhe të notës mesatare të gjimnazit të kandidatit për student.  Disa dekada më vonë, pasi kemi kaluar kaq drama, tragjike e komike njëkohësisht, në fushën e arsimit të lartë, në shtator 2016, të gjitha mediet e vendit raportonin një situatë në kufijtë paradoksit sa i takon procesit të zgjedhjes e pranimit të maturantëve të brezit 2015-2016 në institucionet e arsimit të lartë, ku me qindra kandidatura nuk figuronin fituese në degët e ëndërruara dhe akoma më shumë nuk figuronin fare fituese. Për fatkeqësinë tonë, shumë prej tyre me mesatare të mirë dhe shumë të mirë. Sipas deklaratave të kryeministrit në media, kjo sepse fitojnë “më të mirët” dhe janë ata që zgjidhen fillimisht, nga sistemi, për të kryer studimet në një degë të caktuar të arsimit të lartë, për t’u lënë radhë të tjerëve, atyre “më pak të mirë”, të zgjedhin. Në të njëjtin nivel arsyetimi ishin edhe deklaratat e ministrit të radhës së arsimit.

Por me gjithë refrenin ngushëllues të duetit kryeministër-ministër, pyetjet që shtrohen janë të shumta: Pse regjistrimi i kandidatëve për studentë në institucionet e arsimit të lartë në prag të vitit akademik 2016-2017 prodhoi aq shumë pakënaqësi, – pakënaqësi te studentët, pakënaqësi te prindërit dhe pakënaqësi te vetë stafet e universiteteve? Pse një proces i propaganduar si “Meritë-preferencë” nuk siguroi balancën e duhur ndërmjet meritës dhe preferencës për shumicën e kandidatëve për studentëve? Pse sistemi i përzgjedhjes rezultoi një proces i stërgjatë regjistrimesh dhe u shoqërua me sorollatje të kandidatëve për studentë nga një universitet në tjetrin, nga një raund aplikimesh në tjetrin, nga një vlerësim në tjetrin? Na duhet të ndryshojmë algoritmin e zgjedhjes, apo duhet të heqim dorë tërësisht nga kjo lloj filozofie e zgjedhjes?

Duke qenë se e gjithë përzgjedhja bazohet në rezultatet e shkollës së mesme, konvertuar vetëm në një lloj arritje, – në notë, – problematikat e shfaqura gjatë procesit të zgjedhjes, pranimit e regjistrimit të kandidatëve për studentë për sa më sipër, mund të ndahen në dy lloje: ato me natyrë teknike dhe ato me natyrë ideologjike.

Të natyrës teknike: 1. Numri i madh i zgjedhjeve për çdo student: sipas sistemit, çdo kandidat zgjedh 10 programe studimi. Ky numër zgjedhjesh, që në vështrim të parë është mundësi për më shumë, e shndërron mundësinë në absurditet, ndërsa vetë kandidatët, me frikën se mund të humbin të drejtën e studimit, të zgjedhin jo më në bazë të dëshirës dhe të talentit, por të probabilitetit për të fituar. 2. Përfshirja e MAS, nëpërmjet agjencive të saj në procesin e vlerësimit, rankimit dhe ndarjes së kandidatëve për studentë në universitete të ndryshme është shpenzim kohe dhe energjie. 3. Pjesëmarrja e kandidatëve për studentë në disa raunde zgjedhjeje dhe vlerësimi, përpos ngarkesës emocionale, është edhe shpenzim kohe dhe energjie.

Të natyrës ideologjike: 1. Sistemi fut në një thes të gjitha llojet e shkollave të arsimit të mesëm parauniversitar dhe atij të lartë. Futja në një thes e të gjitha llojeve të arsimit të mesëm parauniversitar bën barazimin e cilësisë së notës në të gjitha shkollat, ndërkohë që vetë MAS, për çdo rreth, në fund të çdo viti shkollor, bën një renditje të shkollave nga më e mira në më e dobëta, që nënkupton, nga vetë ajo,  se puna që kryhet në shkolla nuk ka të njëjtën cilësi. Me referimin e mësipërm, – dhe besoj të pranuar nga të gjithë, – është shumë e vështirë të dalësh me mesatare 10 në një nga gjimnazet më të mirë të Tiranës dhe shumë e thjeshtë në një nga gjimnazet më të dobët të saj. Për të mos folur për gjimnazet më të dobët të një qyteti në cep të Shqipërisë.  2. Sistemi penalizon të talentuarit. 3. Sistemi është i pandershëm sepse vë shenjën e barazimit ndërmjet të gjithë universiteteve, ndërkohë që u ofron njëlloj, të varfërve dhe të pasurve, alternativa të njëjta shkollimi në lidhje me pagesën. 4. Sistemi është i pandershëm sepsenuk ka punë Ministria e Arsimit të përcaktojë, mbi bazën e një formule matematikore, sado e koklavitur dhe me variabla të jetë ajo, se për çfarë është i aftë dhe ku do japë më të mirën secili prej atyre mijëra maturantëve që kanë aplikuar për të vazhduar studimet në shkollën e lartë, – kjo është një punë që u takon universiteteve. 5 Sistemi është i pandershëm sepse premtimi ishte që shkolla e mesme dhe rezultatet e saj do ishin dëshmi për mbarimin e këtij niveli, dhe jo kusht për hyrje në universitet. 6. Sistemi është i pandershëm sepse futi kritere të reja, ndërkohë që nxënësit i kishin bërë zgjedhjet tre vjet më parë, mbi bazën e kritereve të tjera, të ndryshëm nga këta të rinj. 7. Sistemi është i pandershëm sepse vetë shkollat e mesme, për mungesë të kuadrove dhe të teksteve, nuk ofronin shumë nga lëndët që ju duheshin nxënësve për të marrë pikët maksimale, pra jo për mungesë të dëshirës, vullnetit a talentit të nxënësve për të qenë “më të mirët”.

Duke ju kthyer përsëri problematikës në vendin tonë për pranimet e regjistrimet në vitin akademik 2016-2017 dhe e qartë të njëjtat problematika do të kemi edhe këtë vit shkollor, 2017-2018, sa kohë që kemi të njëjtën qasje e filozofi si një vit më parë, nxitja për përfshirje në edukim duhet të jetë pjesë e politikave dhe e strategjisë së MAS dhe jo caktimi se kush student duhet të mësojë ku dhe çfarë. Me thellimin e hendekut ndërmjet të varfërve dhe të pasurve, Universiteti është një nga mundësitë, në mos e vetmja, për një zhvendosje vertikale në shkallët e shoqërisë dhe të ekonomisë të shtresave më të dobëta dhe më të varfra. Nga ana tjetër, sa më shumë njerëz me një diplomë universitare, aq më solide është një shoqëri në vlera dhe në ekonomi. MAS duhet të heqë dorë nga praktika e deritanishme e rankimit dhe e regjistrimit të kandidatëve në universitet. Në planin njerëzor, praktika e ndjekur nuk shpërblen përpjekjet reale, nuk promovon talentet, nuk lejon një shans të dytë. Në po këtë plan, praktika e ndjekur përjashton përgjithmonë nga një mundësi ata që mundësitë u ofrohen më vonë. Në planin institucional, praktika e ndjekur mbyt nismat për të ofruar programe regjistrimi me shumë alternativa e mundësi, kufizon autonominë e universiteteve.

Ministria e Arsimit dhe agjencitë e varura nga ajo mund të merren me përllogaritjen e pikëve a të mesatares me të cilën një nxënës ka mbaruar shkollën e mesme, por jo të rankojë në bazë të tyre meritat. Merita nuk është vetëm notë. Të paktën në rastin e regjistrimeve për në universitet.

Procesi i vlerësimit dhe rankimit të kandidatëve për studentë duhet të zhvillohet në universitet, iniciuar dhe drejtuar nga stafet akademike përkatëse, në bazë të kritereve të caktuar nga vetë ata, ku nota mesatare, – çfarëdo emri që t’i vihet: e ponderuar ose jo e ponderuar, mesatare e tre viteve e të gjitha lëndëve apo e disa lëndëve – është një nga kushtet për pranim, kusht i nevojshëm, por jo edhe i mjaftueshëm. MAS ka rol vetëm monitorues. Një lloj si në pjesën më të madhe, në mos të gjithë universitetet e botës.

Në mendimin tim, universitet duhet të ushtrojnë trysni mbi ministrinë e arsimit për të ndryshuar mënyrën e zbatimit të sistemit “meritë-preferencë”. MAS duhet të luajë rol në monitorimin e procesit të regjistrimit, por jo në vetë procesin.  Duhet të hiqet mesatarja si kusht për aplikim në universitet. Degë të ndryshme në universitet mund të jenë me numër të mbyllur, ose me numër të hapur. Universitet duhet të ushtrojnë trysni për të realizuar vlerësimin e jashtëm nga agjenci të jashtme të akredituara dhe për të mbyllur çdo institucion të arsimit të lartë që nuk vepron në përputhje me kushtet e licencimit. Këto akreditime duhet të jenë periodike.

Ndërkohë, duhet theksuar fakti se ndonëse është viti i dytë që shtrohet i njëjti problem, disa faktorë negativë në krahasim me një vit më parë mund të jenë miminimizuar, a shmangur, por përsëri mjaftojnë për të ngritur zërin kundra, sepse padrejtësia që vazhdon t’u bëhet këtyre brezave po merr përmasa gjithnjë e më të frikshme. Çfarë po u bëjmë të rinjve tanë? Nuk mjaftuan 27 vjet demokraci për të zgjidhur të paktën këtë çështje?

Jam besnik ndaj Mbretit t’Italisë dhe të Shqipnisë, Perandor i Ethiopisë dhe të trashëgimtarëve të Tij mbretnuer

Rubrika: Histori / Burimi: Arkiva Qendrore e Shtetit

Jam besnik ndaj Mbretit t’Italisë dhe të Shqipnisë, Perandor i Ethiopisë dhe të trashëgimtarëve të Tij mbretnuer

Nga Valbona Nathanaili 

Në fund të vitit shkollor 1938-1939, mësuesit në të gjithë vendin duhet të nënshkruajnë një formular-tip besnikërie ndaj “Mbretit t’Italisë dhe të Shqipnisë, Perandor i Ethiopisë dhe të trashëgimtarëve të Tij mbretnuer” dhe angazhim për mospjesëmarrje në parti dhe/ose shoqata kundër regjimit.

AQSh, Fondi i Inspektoratit të Arsimit Korçë, viti 1939 dosja nr. 129, përmban shumë formularë të kësaj natyre. Shumë prej tyre janë të plotësuar me shkrim dore dhe, shumë të tjerë, janë të gatshëm, vetëm plotësohet emri e mbiemri dhe, në fund, është nënshkrimi, por thelbi, gjithmonë, është i njëjtë. Kërkesa përcillet nëpërmjet drejtorisë arsimore përkatëse.

Ministrisë së Arsimit, Tiranë
Ndërmjet inspektorisë së arsimit, Korçë

  • E nënshkruara ………………., mësuese në shkollat fillore të qytetit të Korçës, ka nderin me lutë që të kini mirësinë me e pranue që të bajnë betimin e besnikërisë ndaj Mbretit t’Italisë dhe të Shqipnisë, Perandor i Ethiopisë dhe të trashëgimtarëve të Tij mbretnuer.
    Deklaron njëkohësisht se nuk ka qenë dhe as ka për të qenë pjesëtar në partina politike ose Shoqata kundër regjimit dhe se don të vazhdojë rregullisht në detyrë.
    Me nderime ………..

Foto kryesore: Vizitë e studenteve shqiptare në Itali dhe pritja e tyre nga Musolini në Pallatin “Venezia”, selia e kryeministrit italian të kohës, Romë 1940.

Skemat shabllone dhe të shëmtuara të shpërndarjes së tekstit mësimor në shkollat publike Nga Valbona Nathanaili

Skemat shabllone dhe të shëmtuara të shpërndarjes së tekstit mësimor në shkollat publike

Nga Valbona Nathanaili

6 shtator 2017

Në pritje të fillimit të vitit shkollor, ka filluar shpërndarja e teksteve mësimore për nxënësit e sistemit parauniversitar. Por pamja që shihet në të gjithë Tiranën është pothuaj e njëjtë: prindër në radhë, përpara librarive a njësive të ndryshme, të mërzitur dhe të pakënaqur, që shtyhen për të blerë librat e fëmijëve. Dhe e tillë ka qenë edhe vjet, edhe dy vjet më parë… Sigurisht që si problem është i përkohshëm dhe zgjidhet në harkun e një a dy javëve, sa të pajisen të gjithë me të gjithë paketën e librave të një klase, por shqetësimi që ngjall, e ka burimin në vetëm një pyetje: pse vazhdojmë të mbartim të njëjtat probleme nga viti në vit? Dhe më pas, natyrshëm mund të shtosh, “Pse sivjet nuk u zgjodh një skemë e re, ose së paku pse nuk u shtuan pikat e shpërndarjes së teksteve shkollore?” A ka njeri në MAS që ecën rrugëve të Tiranës dhe sheh, sikundër edhe unë e shumë qytetarë të tjerë, se çfarë bëhet nëpër pikat ku shpërndahen tekstet mësimore? Ose të paktën të ketë parë një herë emisionin e lajmeve në një nga TV e shumta ku është ngritur vazhdimisht ky problem? Dhe të reflektojë…

Kohë më parë tekstet mësimore shpërndaheshin nëpër shkolla. Sigurisht që me mënyrën e organizimit edhe ajo lloj shpërndarjeje linte shumë për të dëshiruar: një ose dy mësues, që shisnin të gjithë librat, për të gjithë nxënësit, libra të cilët “strehoheshin” në klasën më të madhe të shkollës, kryesisht në palestër. Dhe shpesh edhe sherr për lekët që nuk dilnin tamam a pretendime për shpërblime të pamjaftueshme për mësuesit që merreshin me shitjet. Në reagim, shteti gjeti zgjidhjen më të lehtë: këtë proces ia kaloi privatit. Të guxosh të ngresh probleme sot që adresojnë privatin është herezi, po aq sa të flisje kundër regjimit në kohën e diktaturës. Përpos faktit që qeveria aktuale e ka shndërruar në formulë gati magjike partneritetin privat-publik dhe e ka bërë kryefjalë të çdo procesi a aktiviteti, edhe atij më të thjeshtit. Por kur nuk funksionon, patjetër që duhet shtruar si shqetësim, jo për të luftuar privatin, por për të gjetur zgjidhjen që kënaq publikun, veçanërisht kur bëhet fjalë për shkollën dhe dashurinë për të.

Duke vazhduar me analizën tonë, është fakt se shumë librari nuk i marrin përsipër shitjet e teksteve mësimore për shkak të volumit shumë të madh të punës brenda një kohe shumë të kufizuar, ndërkohë që fitimi, nëse numri i pikave të shitjes rritet, nuk është në përpjesëtim të drejtë me andrallat që e shoqërojnë këtë proces. Kështu kemi pak pika shpërndarjeje dhe shumë rrëmujë e pakënaqësi. Ndërsa formula partneritet privat-publik, ofruar si zgjidhje për vepra të përmasave shumë të mëdha e të një rëndësie të veçantë, në shtete të zhvilluar që drejtohen nga forca të djathta dhe ku niveli i ndërgjegjes së privatit është i tillë që bën dallimin ndërmjet përfitimit personal dhe kontributit publik, si çdo gjë që zbatohet në vendin tonë ka degjeneruar. Kjo formulë zbatohet edhe në procese të këtij niveli thjesht sepse përtohet të mobilizohen njerëzit që punojnë në administratë, sikundër edhe pse zgjidhen të punësohen njerëz që t’i shërbejnë partisë e miqve të saj, jo publikut.

Gjetja e skemave të përshtatshme për shpërndarjen e teksteve për nxënësit që presin të fillojnë vitin e ri shkollor nuk besoj se është ndonjë punë e vështirë, por bëhet e pamundur, ose thjesht neglizhohet, sepse në asnjë rast nuk mendohet se këta fëmijë që presin kanë nevojë ta ndjejnë shkollën, të vendosin kontakte, ta njohin e ta duan dhe të gjitha fillojnë me librin. Por kontaktin e parë e kanë me radhën te trotuari për ta blerë atë dhe njohjen me zërin e ashpër të shitësit: U mësuat keq ju, doni pa radhë, aty të prisni! Pale kur e mbyll dyqanin se thotë që kam pushimin e drekës dhe kërkon të ktheheni më vonë… Edhe për të hipur në anijet refugjate kishte radhë, jo më për të blerë dy libra që ju duhen për shkollën. Popull i paduruar!

Dhe pastaj kërkojmë dashuri për shkollën! Dhe kur pretendojmë të duan edhe librin!

Në mendimin tim, kthimi edhe një herë në skemën e mëparshme të shpërndarjes së librave në shkollat publike, por me më shumë alternativa dhe opsione në përfitim të të dyja palëve: mësuesve e fëmijëve, shkollës e publikut, është jo vetëm e mundshme, por edhe më e mira që mund të ofrojmë për këtë proces. Veçanërisht në qytetet e mëdha, ku ka më shumë shkolla. Sipas shembullit të shkollave private, të cilat shpërndarjen e teksteve mësimore për nxënësit e tyre nuk ja kanë besuar skemës së MAS, por pak ditë përpara fillimit të vitit shkollor, në varësi të numrit të nxënësve të regjistruar, tërheqin nga shtëpitë botuese tekstet përkatëse dhe ua japin nxënësve në shkollë, në mjediset e tyre. Dhe me fjalët e ngrohta të mirëseardhjes.

Sigurisht që rikthimi në skemën e mëparshme, por sipas një spiraleje pozitive, ka andralla dhe dhimbje koke për drejtuesit e shkollave dhe punonjësit e drejtorive arsimore e të ministrisë përkatëse dhe nuk jam e sigurt nëse janë të gatshëm të bëjnë “sakrifica” të tilla: “Punë e madhe se mbajtën radhë disa orë e u shqetësuan e mërzitën disa ditë prindërit, ose punë e madhe se fëmijët nuk erdhën në shkollë disa ditë përpara fillimit zyrtar të saj, ku edhe njihen me shkollën e mësuesit dhe, edhe të tërheqin librat me të cilët do mësojnë një vit të tërë. Jemi rehat! Rrofshin zgjidhjet e thjeshta! Rroftë privati! Në fund të fundit, pse e kemi këtë post, si do shpërblehemi për besnikërinë ndaj partisë dhe udhëheqjes?”

Këtu merr fund çdo përpjekje dhe nuk ka shpresë për përmirësim. Dhe edhe vitin tjetër skema do jetë po ajo, po aq e shëmtuar dhe e pashpresë, në mos do dalë shumë shpejt ndonjë zëdhënës i papërtuar të shkruajë se ja, ka njerëz që nuk e duan privatin.

Foto kryesore: Pikë për shpërndarjen e librit shkollor në rrugën “Fortuzi” (foto credit: V. Nathanaili)