Reforma shkollore nga brenda jashtë. Politika, praktika dhe performanca Autor Richard F. Elmore

Reforma shkollore nga brenda jashtë. Politika, praktika dhe performanca Autor Richard F. Elmore

Përktheu Valbona Nathanaili

Sa më shumë përpiqemi t’i ndryshojnë gjërat, aq më shumë mbeten të njëjta

Pjesë nga parathënia

Testi më i mirë i një kërkimi shkencor, si i çdo analize, është koha: sa aktual, sa vlera mbart e transmeton jo vetëm për kohën në të cilën u shkrua, por edhe për të ardhmen. Lexuesit e këtij vëllimi do të kenë mundësinë të japin gjykimet e tyre për esetë e përfshira – të cilat u përkasin një dekade reformë arsimore – se sa e plotësojnë standardin e mësipërm. Gjatë mbledhjes së pjesëve të këtij mozaiku, gjithmonë kam pasur kujdes të paraqes para lexuesit vetëm ato shkrime që trajtojnë problemet më të rëndësishme të kësaj periudhe transformimesh dramatike e thelbësore. Plus ça change, plus c’est la même chose*. Kjo është tema e vazhdimësisë dhe e ndryshimit në peizazhin e reformës arsimore, si dhe e veprës sime për këtë tematikë, të cilën kisha dëshirë t’ua bëja me dije në këto fjalë të shkurtra paraprijëse.

Punën time studimore e kam përqendruar në fushën e arsimit, sepse besoj që është një mënyrë e mirë për të kontribuar në mirëqenien e fëmijëve tanë e të gjithë shoqërisë. Për fat të keq, studimi i organizimit dhe politikave në arsim, nuk të mbush me optimizëm. Shpesh të duket sikur je në mitologjinë greke, të sjell ndër mend Sizifin dhe dënimin që iu dha: të ngjiste lart, në kodër, një shkëmb të rëndë, i cili sapo arrinte në majë, i rrëzohej nga duart e çdo gjë riniste përsëri e përsëri nga fillimi. Edhe reforma arsimore është një sipërmarrje e ngjashme: e shohim si rrokulliset nga maja ku e kemi çuar me aq mundim, për të rinisur përsëri nga e para, me gjeneratën tjetër të reformës. Në perspektivën time rreth mundësive të përmirësimit në shkallë të gjerë të arsimit publik, puna që bëhej në distriktin #2 ndikoi jo pak, duke lënë gjurmë në orientimin e mëtejshëm të kërkimeve të mia. Duke parë mësues e fëmijë që punonin së bashku, me mjete për t’u admiruar, në klasat e distriktit #2, më risolli edhe një herë në mendje arsyet se pse vendosa të bëhesha arsimtar. Përvoja më ka ndërgjegjësuar lidhur me fuqinë e madhe që ka ndikimi ynë në jetën e fëmijëve. Është gjë e bukur kur punojmë me ndershmëri e gjallëri dhe përqendrohemi në çështjet më të rëndësishme të punës sonë mësimore. Një frymëzim i tillë vazhdon të ushqejë optimizimin tim në këtë punë, ndonëse jo gjithmonë është i dukshëm në ato që shkruaj.

Esetë e paraqitura në këtë libër materializojnë një pozicion të veçantë analitik, i cili karakterizon gjithë veprimtarinë e punën time si akademik. Një pozicion i tillë mund të shprehet më së miri përmes tezës se “problemet e sistemit janë problemet e njësive të tij më të vogla”. Një tezë e tillë vepron në dy drejtime: efektet e politikave përcaktohen, në një shkallë shumë të rëndësishme, nga kushtet dhe rrethanat që krijohen e janë të pranishme çdo ditë në mjedisin shkollor e në klasë; së dyti, politikëbërësit kanë shumë për të mësuar nga jeta e shkollës dhe e klasës, lidhur me hartimin dhe zbatimin e politikave të mira. Duke vazhduar më tej, reforma shkollore duhet të ndodhë “nga brenda jashtë”. Ky pohim ka qenë një parim i mirë udhëheqës gjatë gjithë punës sime kërkimore shkencore për shkrimin e këtij libri, i qartë e pa mëdyshje, që me nisjen e shkrimit të këtyre radhëve.

 PËRMBAJTJA

Përhapja e reformës në shkallë të gjerë përmes praktikave të mira të shkollimit / Ndërtimi i një strukture të re për lidershipin shkollor/ Mbushja e hendekut ndërmjet standardeve dhe arritjeve. Imperativi për zhvillim profesional në arsim / Kur troket përgjegjësia, a do të jetë dikush që do të duhet të përgjigjet? / Ndërhyrja e pagarantuar / Ndryshime dhe përmirësime në reformën arsimore / Të bësh gjënë e duhur, të dish të bësh gjënë e duhur. Problemi i shkollave që kanë dështuar dhe përgjegjshmëria bazuar në performancë

 Kanë thënë për librin

Sandra Feldman, President nderi i American Federation of Teachers. Dick Elmore na udhëheq drejt një strategjie të qartë e të kuptimtë, që lidh politikën arsimore me ndryshimin në procesin e mësimit. Ai kërkon standarde, motive dhe mbështetje profesionale, që duhet t’i shtohen një sistemi koherent, sepse “mësuesit duhet të ndjejnë se ekzistojnë disa arsye që i detyrojnë të ndryshojnë mësimdhënien e tyre dhe se rezultatet e nxënësve janë prova direkte më e mirë”. Kjo po që është thelbi i çështjes.

Robert B. Schwartz, Ish-President, lektor, Harvard Graduate School of Education: Në dekadën e fundit, në punën time me politikëbërës dhe praktikantë, jam mbështetur përsëri e përsëri në këto ese të Elmore. Ky vëllim do të gjejë zbatim në kurset e mia mbi politikën arsimore.

Marshall S. Smith, Drejtor i programit arsimor pranë fondacionit The William and Flora Hewlett, dhe ish nënsekretar shteti i ShBA për arsimin: Professor Elmore merr në dorë e shqyrton çështjet më të rëndësishme që shqetësojnë arsimin – përmirësimin e mësimdhënies, problemin e përhapjes në shkallë të gjerë, menazhimin e performancës përmes përgjegjshmërisë. Analiza e tij e matur ofron një të kuptuar të thellë dhe, në të njëjtën kohë, edhe shpresë për të ardhmen tonë.

Pjesë nga parathënia

Në botën e analizave politike, batica dhe zbatica e çështjeve politike – shkencëtarët e politikave përgjithësisht e quajnë cikli i të qenit në vëmendje – përgjithësisht procedojnë me intervale tre deri në pesëvjeçarë. Shumë rrallë një çështje e vetme politike tërheq vëmendjen e politikëbërësve për një periudhë më të gjatë se ajo e cituar më lart; shumë rrallë politikëbërësit angazhohen edhe më tej në çështje për të cilat është miratuar fatura e vlerës dhe ka filluar faza e zbatimit. Duket se, vetëm për reformën arsimore, nuk mund të zbatohet ky parim i sjelljes politike. Shtetet jo vetëm kanë mbështetur, me një shkallë të lartë angazhimi e përfshirjeje reformën arsimore, që me zanafillën e saj, fillimet e viteve ‘980, por ato po përpiqen që reforma shkollore të shtrihet deri në shkollë e klasë si dhe të përshtatin sistemet shtetërorë në mënyrë që të jenë në gjendje t’u përgjigjen strategjikisht shkollave e sistemeve shkollore.

 Pjesë nga libri

Krijo struktura që promovojnë përvetësimin e praktikave të reja dhe sisteme stimuli që i mbështesin ato

Përgjithësisht refomatorët bënë supozime pothuaj jorealiste e shumë heroike mbi atë se çfarë është në gjendje të bëjë një qenie njerëzore dhe, më pas, i shtrinë në të gjithë masën e mësuesve. Cremin na paraqet vëzhgimin sa më poshtë rreth arsimit progresiv: Që me fillimet e tij, progresivizmi e vuri mësuesin në një rol pothuaj të pamundur: të ishte mjeshtër në përvetësimin e aftësive; të zotëronte saktësisht njohuritë; pedant në shkencën e pedagogjisë; i gatshëm dhe i hapur për vlerësim social. Është vështirë të thuhet se do të mund të gjenim diku ndonjë ekzemplar të tillë… hendeku ndërmjet realitetit dhe idealit që krijuan ishte i tmerrshëm (1961, fq. 168).

Nga ana tjetër, reformatorët e kurrikulës duket se e ngritën punën e tyre mbi supozimin se, nëse mësuesve u japim një përmbajtje që dukshëm është superiore mbi atë ekzistuese, atëherë ata (mësuesit) do përdorin kurrikulën e re dhe do të kërkojnë të mësojnë atë që u nevojitet për të bërë një mësimdhënie ndryshe. Ajo që nuk u morr parasysh nga një pikëpamje e tillë, ishte modeli i veçantë se si mësuesit angazhohen me synim mësimin e përdorimit të metodave të reja që lidhen me mësimdhënien. Sipas Fullan dhe Miles: “Ndryshimet kërkojnë përfshirjen e procesit të mësimnxënies dhe…të gjitha ndryshimet duhet të kuptohen dhe të lenë shije të mirë si diçka e re” (1992, f. 749). Ndërkohë që njohja jonë nuk është shumë e thellë lidhur me këtë subjekt, ajo që do themi sa më poshtë ja vlen vërtet të duartrokitet: mësuesit kanë shumë më tepër dëshirë të mësojnë direkt, nëpërmjet vëzhgimit të praktikave, sprovave dhe gabimeve që ndodhin në klasën e tyre, se sa nga përshkrime abstrakte mbi modelet e reja të mësimdhënies; ndryshimi i praktikave të mësimdhënies, edhe për mësuesit më të devotshëm, kërkon një kohë të gjatë dhe cikle të ndryshme sprovash dhe gabimesh; mësuesit duhet të ndjejnë se ekzistojnë arsye të forta për t’u imponuar një mësimdhënie ndryshe, ku faktori kryesor duhet të jetë fakti se përmes një të mësuari të tillë nxënësit arrijnë të përvetësojnë më mirë; mësuesve u nevojiten mendime nga burime të besueshëm, të besueshëm për ta, nëse nxënësit po i nxënë më mirë ato që po u mësohen.

Këto janë kushtet që shoqërojnë mësimin e çdo praktike të re dhe të komplikuar. Akoma, përpjekjet e reformatorëve rrallë, për të mos thënë kurrë, nuk i kanë parasysh kushte të tilla kur hartojnë strategjitë për përhapjen e reformës në shkallë të gjerë. Mësuesit shpesh flaken diku, në grupe me diskutime të gjata lidhur me zbatimin e kurrikulës së re e që bëhen për më tepër, larg mjedisit të tyre: klasës. Pjesë e aktivitetit të grupit është përfshirja e mësuesve në hartimin e mësimeve model e më pas, këto modele të ndërtuar në grup, mësuesit duhet t’i zbatojnë kur të kthehen në klasën e tyre. Mësuesve rrallë u kërkohet të gjykojnë nëse praktika të tilla do të mund të realizohen realisht në klasat e tyre, nëse mund të konvertohen në veprime konkrete në klasë dhe aq më shumë, të ftohen për të bashkëpunuar si bashkautorë në krijimin e modeleve të reja. Vlerësimet që mësuesit marrin zakonisht për efektet e punës së tyre, janë në formën e rezultateve të testeve të përgjithshëm dhe që nuk kanë as lidhjen më të vogël me objektivat specifikë të mësimdhënies të re. Me fjalë të tjera, kushtet në të cilat u kërkohet mësuesve të përfshihen në modele të reja mësimdhënie, nuk mbartin asnjë nga këto lloj marrëdhënie, cilado qofshin kërkesat se si këto praktika të reja dhe komplekse do të duhet të zbatohen me sukses. Për pasojë, pse do të dëshironte dikush të ndryshonte mësimdhënien, kur bëhet fjalë për kushte të tilla?

Parakushti kryesor që duhet të vendoset kur duam të zgjidhim problemin e shkallës së përhapjes së reformës, është të insistojmë se reforma do të dijë të shpjegojë kuptimin e ndryshimit të praktikës, se si qeniet njerëzore do të mësojnë të bëjnë gjëra ndryshe, të konkretizuara këto në një teori të veçantë. Aktualisht, janë pak, në mos vetëm ndonjë, teori e mirë konceptuar që plotëson këto kërkesa, ndonëse më sipër kam trajtuar disa. Për më tepër, teori të tilla duhet të kenë kuptim për individin dhe institucionin, të përputhen me normat e tyre. Kështu, nëse i kërkoni një mësuesi të ndryshojë mënyrën se si sillet me nxënësin dhe marrëdhëniet që krijon me kolegët, atëhere stimujt që veprojnë në nivel institucional duhet të riforcojnë dhe promovojnë këto kërkesa. Inkurajimi dhe përfshirja, mundësia për të përvetësuar njohuritë më të fundit në shkencë, koha për t’u fokusuar në kërkesat që shtrojnë detyrat e reja, koha për të vëzhguar të tjerët që po i zbatojnë ato, të gjitha këto janë mënyra që sugjerojmë të bëhen pjesë e mjedisit të stimujve që duhen vendosur në një organizatë me synim reflektimin ndaj kërkesave që shtron mësimi.

Këto katër parime themelore strukturojnë shkëputjen nga strategjitë e reformave të mëparshme në shkallë të gjerë. Nuk ka gjasa që mësuesit ose shkollat do të përgjigjen ndaj emergjencës së përdorimit të praktikave të reja, në një mënyrë ndryshe nga ajo që i janë përgjigjur në të kaluarën, nëse këto praktika nuk legjitimohen me norma që burojnë larg mjedisit në të cilin mësuesi punon në jetën e përditshme. Nuk ka gjasa që praktikat e suksesshme të mund të riprodhojnë vetveten spontanisht, vetëm sepse janë të suksesshme, në mungesë të strukturave dhe proceseve bazuar në teori të qarta se si do të ndodhë ky riprodhim. Dhe përsëri nuk ka gjasa që mësuesit do të jenë të suksesshëm në përvetësimin e praktikave të reja, nëse institucioni në të cilin punon nuk do të ketë një plan të qartë të punës që bën çdo njeri si dhe të mënyrës së shpërblimit të secilës prej tyre.

Secili nga këto parime mund të jetë një objektiv i shkëlqyer për studime dhe praktika të mëtejshme. Madhështia e detyrës na sugjeron se nuk duhet të presim të shohim menjëherë përvetësimin e praktikave të reja premtuese në shkallë të gjerë. Gjithashtu, na ndërgjegjëson se progresi do të vijë nëpërmjet një njohje të qartë se problemet e përhapjes në shkallë të gjerë i kanë rrënjët thellë në normat kulturore e stimujt që përdorin intitucionet dhe nuk mund të zgjidhen me ndryshime të thjeshta në politikat e drejtimit apo këshilla e paralajmërime nga njerëz të ngopur në para. Çështja e shtrirjes së reformës në shkallë të gjerë dhe të praktikave të mira të arsimimit, kërkon asgjë më pak se krijimin dhe riprodhimin e kujdesshëm të alternativave mbi rregullimin e funksionimit të institucioneve ekzistuese dhe të strukturave të stimujve që funksionojnë në to.

Richard F. Elmore është Professor Gregory AnrigEducational Lidership në “Harvard Graduate School of Education” dhe kërkues i avancuar në “Consortium for Policy Research in Education (CPRE)”, një grup universitetesh të angazhuar në kërkime shkencore mbi politikën arsimore lokale dhe shtetërore, themeluar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Së fundmi ka mbajtur disa pozicione në Departamentin e Shëndetit, Arsimit dhe Mirëqenies në ShBA, si dhe në zyrën e arsimit, ShBA. Kërkimet e Elmore fokusohen në ndikimin që politikat federale, shtetërore dhe lokale kanë në shkolla dhe klasa. Fusha kryesore e interesit të tij janë përgjegjshmëria, zgjedhjet e shkollës, ristrukturimi i shkollës dhe si ndryshimet në mësimdhënie dhe mësimnxënie ndikojnë në shkollën si organizatë.

Botime (listuar pjesërisht):

  • 2003 The New Accountability: High Schools and High Stakes Testing (në bashkëpunim me M. Carnoy dhe L. Santee Siskin);
  • 1996 Restructuring the Classroom: Teaching, Learning, and School Organization (bashkautorë P. Peterson dhe S. McCarthey);
  • 1996 Who Chooses, Who Loses? Culture, Institutions, and the Unequal Effects of School Choice (në bashkëpunim me B. Fuller dhe G. Orfield).
  • 1990 Restructuring Schools: The Next Generation of Educational Reform.

Rafti në bibliotekë: Shkenca shoqërore. Arsim. Reforma.

Pasojat e modernitetit. Autor Anthony Giddens

Pasojat e modernitetit. Autor Anthony Giddens

Përkthyen Fatos Tarifa, Valbona Nathanaili, Blerjana Bino

Botuesi: UET Press Faqe: 209 ISBN 978-99956-39-67-9 Viti i botimit: prill 2013

Synopsis

Në veprën e tij “Pasojat e modernitetit”, Anthony Giddens jep një këndvështrim tejet tërheqës e të ri rreth natyrës së modernitetit, si dhe të marrëdhënieve të veçanta që ai arrin të krijojë me format shoqërore tradicionale. Që nga koha e sociologëve klasikë, Giddens shquhet për mënyrën si e përthith gjithë traditën e mendimit në këtë fushë dhe si arrin të ‘luajë’ me teori të ndryshme, duke i vënë përballë njëra-tjetrës dhe përdorur si mjet në formësimin e argumentit të tij. Baza e veprës së tij është jo vetëm e gjithë tradita e krijuar, por edhe punët e mëparshme

Pikëpamjet që shtjellon Giddens në këtë vepër mund të formulohen në këto pyetje dhe në përgjigjet e tyre respektive: Cila është origjina e modernitetit? Cila është natyra e modernitetit? Cilat janë pasojat e modernitetit? A është tejkaluar shoqëria moderne dhe a është zëvendësuar ajo nga një shoqëri postmoderne? Për të zhvilluar një përshkrim sa më të qenësishëm të natyrës së modernitetit, autori përqendrohet në temat e sigurisë versus rrezikut dhe të besimit versus riskut. Për të, zhvillimi i institucioneve shoqërore moderne ka krijuar mundësi shumë më të mëdha tek qeniet njerëzore për të gëzuar një ekzistencë më të sigurt dhe jetesë më të vlerësueshme se në çdo lloj tjetër sistemi para-modern. Por moderniteti mbart, gjithashtu, edhe një anë të errët, e cila zë një vend të rëndësishëm në shekullin e tanishëm dhe që lidhet me natyrën periodike degraduese të veprave moderne industriale, me rritjen e totalitarizmit, kërcënimin për shkatërrimin e mjedisit dhe zhvillimet shqetësuese të fuqive ushtarake dhe armatimeve. Sot, Giddens konsiderohet si një figurë e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe është shndërruar në një ikonë për shumë sociologë në mbarë botën; ndjekësit e mendimit të tij e konsiderojnë gjerësisht si një klasik të ri. Vlerësohet shumë për kritikën ndaj pozitivizmit në shkencat sociale dhe ndaj postmodernizmit, për rëndësinë që i kushton agjencisë sociale dhe për besimin në të ardhmen.

Për të zhvilluar një përshkrim sa më të qenësishëm të natyrës së modernitetit, autori përqendrohet në temat e sigurisë versus rrezikut dhe të besimit versus riskut. Moderniteti është një “thikë me dy presa”. Zhvillimi i institucioneve shoqërore moderne ka krijuar mundësi shumë më të mëdha tek qeniet njerëzore për të gëzuar një ekzistencë më të sigurt dhe jetesë më të vlerësueshme se në çdo lloj tjetër sistemi para-modern. Por moderniteti mbart, gjithashtu, edhe një anë të errët, e cila zë një vend të rëndësishëm në shekullin e tanishëm dhe që lidhet me natyrën periodike degraduese të veprave moderne industriale, me rritjen e totalitarizmit, kërcënimin për shkatërrimin e mjedisit dhe zhvillimet shqetësuese të fuqive ushtarake dhe armatimeve.

Herbert Lindenberger, Stanford University

 Përmbajtja

Ndërprerja e modernitetit/ Siguria dhe rreziku, besimi dhe risku / Sociologjia dhe moderniteti/ Moderniteti, koha dhe hapësira / Çrrënjosja / Besimi / Refleksiviteti i modernitetit / Modernitet apo post-modernitet? / Përmbledhje / Dimensionet institucionale të modernitetit / Globalizimi i modernitetit / Dy perspektiva teorike / Dimensionet e globalizimit / Besimi dhe moderniteti / Besimi në sistemet abstrakte / Besimi dhe ekspertiza / Besimi dhe siguria ontologjike / Para-modernia dhe modernia / Sistemet abstrakte dhe transformimi i intimitetit / Besimi dhe marrëdhëniet personale / Besimi dhe identiteti personal / Risku dhe rreziku në botën moderne / Risku dhe siguria ontologjike / Reagimet përshtatëse / Një fenomenologji e modernitetit / Ç’aftësimi dhe riaftësimi në jetën e përditshme  / Kundërshtimet ndaj post-modernitetit / Udhëtimi me “juggernaut”  / Realizmi utopik  / Orientimet e ardhshme: Roli i lëvizjeve shoqërore  / Post-moderniteti  / A është moderniteti një projekt perëndimor? / Shënimet përmbyllëse

Pjesë nga libri

“Pse ndarja e kohës nga hapësira është kaq e rëndësishme për dinamizmin e jashtëzakonshëm të modernitetit?”

Së pari, kjo lidhet me kushtin kryesor të proceseve të çrrënjosjes, analizuar shkurtimisht më poshtë. Ndarja e kohës nga hapësira dhe formatimi i tyre në dimensione të standardizuara “të zbrasëta” të normalizuara, shkëputi lidhjet ndërmjet aktivitetit shoqëror dhe “rrënjosjes” së tij në veçantitë e kontekstit të prezencës. Institucionet e çrrënjosura zgjeruan shumë distancimin kohë-hapësirë dhe, në të njëjtën kohë, për të pasur këtë ndikim, u mbështetën në koordinimin e kohës me hapësirën. Ky fenomen shërbeu për të ofruar mundësi të shumëfishta ndryshimi nëpërmjet çlirimit nga shtrëngesat e traditës dhe praktikave lokale.

Së dyti, kjo ecuri solli përftimin dhe përdorimin e mekanizmave që kanë të bëjnë me tiparin dallues të jetës shoqërore moderne: organizimin racionalizues. Organizimet (përfshirë shtetet moderne) mund të kenë ndonjëherë cilësi statike, inerciale, të cilat Weber i asocioi me burokracinë, por ndërkohë ato kanë zakonisht një dinamizëm që bie ndesh shumë me rendet paramoderne. Organizimet moderne janë në gjendje të lidhin bashkësitë lokale me ato globale në nivele të pakonceptueshme për shoqëritë tradicionale çka sjell, rrjedhimisht, që këto organizime të ndikojnë jetën e miliona njerëzve në mbarë botën.

Së treti, historia radikale që i bashkëngjitet modernitetit mbështetet mbi modelin e “futjes” në kohë dhe në hapësirë, gjë që nuk ndodhte në civilizimet e mëparshme. “Historia”, si shumatorja sistematike e së shkuarës dhe që na ndihmon në formësimin e së ardhmes, e ka fillesën e parë të madhe me shfaqjen e hershme të shteteve agrarë, por që zhvillimi i institucioneve moderne i dha një shtysë të re thelbësore. Një sistem i standardizuar datimi, tashmë i njohur universalisht, na ofron një përmbledhje të njësisë së kaluar, megjithëse shumë nga “historitë” që e përbëjnë atë mund të jenë subjekt për interpretime kundërshtuese. Për më tepër, marrja si e mirëqenë e kartografimit të përgjithshëm të globit, bën që njësia e së shkuarës të merret një për të gjithë botën; koha dhe hapësira rikombinohen për të formuar një kornizë historiko-botërore të qartë të veprimit dhe përvojës.

 Çfarë është paraja?

Ekonomistët nuk kanë qenë asnjëherë të aftë të pranojnë një përgjigje të përbashkët për këtë pyetje. Sidoqoftë, shkrimet e Keynes japin ndoshta përgjigjen më të mirë mbi fillesën e shpjegimit të kësaj pyetje. Keynes tërheq vëmendjen kur kërkon të theksojë tiparin e dallueshëm të parasë nëpërmjet një analize rigoroze, falë së cilës vepra e tij ndahet nga versionet neoklasike të mendimit ekonomik, në të cilat, sikundër shprehet Leon Walras, “paraja nuk ekziston”. Pikë së pari Keynes dallon paranë si llogari nga paraja si përdorim. Në format e saj të hershme, paraja identifikohet me huadhënien dhe huamarrjen. Kështu, projektimi i “komoditetit-para” është hapi i parë në rrugën e transformimit si mjet shkëmbimi në një ekonomi bazuar në para. Tranzicioni thelbësor i saj nis atëherë kur pranimi i debitit zëvendësohet me komoditete, që u japin udhë një sistemi transaksionesh. Ky “pranim spontan debiti” mund të lëshohet nga çdo bankë dhe përfaqëson “paratë e bankës”. Para banke është njohja e një borxhi privat, ndërkohë që përdorimi i këtij koncepti përhapet gjerësisht në këtë mënyrë. Kjo formë e lëvizjes së parave ndoshta përfshin ndërhyrjen e shtetit, i cili vepron si një garantues i vlerës së tyre. Vetëm shteti (ku këtu kemi parasysh shtetin-komb modern) është në gjendje të shndërrojë shkëmbimet (shitblerjet) e borxheve private sipas një mënyre standarde të pagesës, që do të thotë balancimi i borxhit dhe i kredive në lidhje me një numër të papërcaktuar shitblerjesh apo shkëmbimesh. Kështu, paraja, sipas modelit të saj të zhvillimit, pikëtakohet në termat e kredisë dhe borxhit, ku të gjitha këto përcaktime kanë të bëjnë me një shumësi të shitblerjeve (shkëmbimeve) të përhapura gjerësisht. Kjo është arseja se pse Keynes e lidh kaq ngushtë paranë me kohën.[3] Paraja është një model i lehtësimit, i cili mundëson sigurimin e mjeteve për lidhjen midis kredisë dhe borxhit, në rrethanat kur është e pamundur shitblerja (shkëmbimi) e menjëhershme e mallrave. Ne mund të themi se paraja është mjet i distancimit të kohë-hapësirës. Ndikimet që shfaq paraja në hapësirë përshkruhen nga Simmel, si vijon:

Roli i parasë shoqërohet nga distanca hapësinore që ekziston midis individit dhe pozicionit të saj… Vetëm në rastet kur fitimi i një sipërmarrjeje merr një formë, e cila mund të përçohet lehtë në çfarëdolloj vendi tjetër, vetëm atëherë ai (fitimi) i garanton pronës dhe pronarit një shkallë të lartë të pavarësisë nëpërmjet ndarjes së tyre hapësinore, me fjalë të tjera vetëlëvizshmëri. Pushteti i parasë mundëson lidhjen e distancës ndërmjet pronarit dhe kapitalit të tij, deri aty sa secili prej tyre mund të ndjekë rregullat e përdorimit dhe të zgjerimit në një shkallë shumë më të lartë lirie, sesa në kohën kur pronari dhe kapitalet e tij ishin në marrëdhënie të dyanshme tejet të drejtpërdrejta, pra, kur çdo angazhim ekonomik ishte thjesht personal.

“Struktura dialektore e shqipes. Një qasje e re” Autor Akademik Bahri Beci

“Struktura dialektore e shqipes. Një qasje e re” Autor Akademik Bahri Beci

Recensues: Gianni BELLUSCIO

476 f. ISBN 978-9928-190-82-6  Çmimi 1500 lekë Botues: UET Press

Tiranë, shtator 2016

Fjalë çelës: 1. Gjuhë shqipe 2. Dialektologji 3. Studime

Vepra e akademik B. Beci “Struktura dialektore e shqipes” analizon, në mënyrë kritike, në dritën e të dhënave të ADGJSH-së, dukuritë fonetike, gramatikore dhe leksikore të vlerësuara në studimet e derisotme si tipare dalluese të shqipes dialektore, njësitë dialektore të pranuara në këto studime (dialektet, nëndialektet, grupet e të folmeve etj.), si edhe tiparet e vlerësuara prej autorëve të tyre si dalluese për këto njësi.

Libri ka tri pjesë themelore

Në pjesën e parë, shqyrtohen dukuritë dialektore të shqipes, vihen përballë të dhënat e punimeve të derisotme me të dhënat e ADGJSH-së dhe, mbi këtë bazë, parashtrohen pikëpamjet e përfundimet tona.

Në pjesën e dytë, pasi shqyrtohen në mënyrë kritike pikëpamjet e derisotme për strukturën dialektore të shqipes, jepet pikëpamja jonë për këtë problematikë.

Në pjesën e tretë, shqyrtohen në mënyrë kritike pikëpamjet e derisotme për tiparet dalluese të njësive dialektore të shqipes dhe në vijim jepen për secilën nga njësitë dialektore të pranuar prej nesh tiparet dalluese.

Pra, në këtë libër, përveç të dhënave të reja për veçoritë fonetike, gramatikore dhe leksikore dialektore të shqipes dhe shtrirjes territoriale të tyre, parashtrohet edhe një ndarje e re e strukturës dialektore të saj.

Libri u drejtohet të gjithë atyre që janë të interesuar të njohin dukuritë dialektore të shqipes, strukturën a njësitë dialektore të saj, si edhe tiparet e tyre dalluese. Kuptohet që punimi, në radhë të parë, u drejtohet specialistëve që merren me studimin e dialekteve të shqipes, studentëve, po edhe gjithë të tjerëve që janë të interesuar për të njohur strukturën dialektore të shqipes.

Për të shënuar shtrirjen territoriale të dukurive dialektore, por jo njësitë dialektore të pranuara prej nesh, kemi përdorur emërtimet: të folmet e Shqipërisë së Veriuttë folmet e Shqipërisë së Juguttë folmet veriore të Shqipërisë së Veriut, të folmet qendrore të Shqipërisë së Veriut, të folmet jugore të Shqipërisë së Veriut; të folmet veriore të Shqipërisë së Jugut, të folmet jugore të Shqipërisë së Jugut etj. Në citimet nga autorët e derisotëm për shtrirjen territoriale të dukurive dialektore janë ruajtur emërtimet e përdorura prej tyre.

Në vijim të librit, emërtimet për njësitë dialektore janë të lidhura, ose në varësi, të ndarjes dialektore të propozuar.

Sipas autorit:

  1. Pjesa më e madhe e gjurmimeve në terren dhe e studimeve monografike, përfshirë edhe pesë variantet e tekstit të dialektologjisë shqiptare të botuara nga J. Gjinari (Gjinari 1963; 1969; 1975; 1988; 1989) janë hartuar e botuar në periudhën e monizmit, pra, në kushtet kur këndvështrimi në të gjitha fushat e jetës diktohej nga politika dhe pushteti i kohës në Shqipëri, pra, në kushtet e mungesës së lirisë akademike.

Duke gjykuar vetëm nga problemet e përgjithshme të trajtuara në veprat e mësipërme,  bëhet e qartë se dialektologjia shqiptare ka qenë e orientuar tërësisht drejt literaturës lindore apo ruse. Tërësia e problemeve të trajtuara në pjesët teorike të këtyre teksteve, si edhe autorët të cilëve u referohet, flasin për një orientim tërësisht lindor (Gjinari 1963: 7-20; 1969, 1-35; 1975: 1-32).[1]

Në variantin e botuar më 1988 nga Gjinari, autori nuk i drejtohet më literaturës lindore ose specifikisht asaj ruse, po asaj perëndimore. Në këtë variant citohen, për herë të parë, dy autorë perëndimorë, përkatësisht J. Fourquet dhe J. Séguy (Gjinari 1988: 9-34).

Në dy variantet e hartuara po nga ai, në bashkëpunim me Gj. Shkurtajn, pas zhvillimeve demokratike, përkatësisht më 1997,  2000 (ribotuar më 2003, 2009 dhe 2013) vihet re një kthesë e plotë drejtë literaturës perëndimore (Gjinari, Shkurtaj 1997: 2013).[2]

Në këto botime vihet re fillimi i një kthese edhe në parashtrimin dhe klasifikimin e të dhënave dialektore. Thelbi i ndryshimit pas vitit 1988 është përpjekja për ndryshimin, jo të kritereve të studimit të dukurive dialektore të shqipes, po të kritereve të paraqitjes dhe klasifikimit të të dhënave dialektore. Pra, në parashtrimin e dukurive dialektore kalohet nga një paraqitje dhe klasifikim tradicional në një klasifikim mbi bazën e kritereve funksionale a strukturore, çka e ka ndërlikuar më shumë përshkrimin dhe klasifikimin e dukurive dialektore të shqipes, duke e bërë të papranueshëm, për të mos thënë të gabuar. Janë të njëjtat dukuri fonetike e gramatikore, po të përshkruara e të klasifikuara deri në vitin 1988 me një terminologji tradicionale, kurse, duke filluar nga viti 1988, dukuritë fonetike përshkruhen e klasifikohen me një terminologji funksionale a strukturore, kurse dukuritë morfologjike me një terminologji tradicionale (Gjinari 1988: 37-63, 65-94). Në variantin e tekstit të botuar më 1989, dukuritë fonetike, po edhe ato morfologjike, përshkruhen e klasifikohen me një terminologji funksionale a strukturore (Gjinari 1989: 92-263). Në variantet e tekstit të “Dialektologjisë shqiptare” të botuara më 1997 dhe 2000 (ribotuar më 2003, 2009 dhe 2013) dukuritë fonetike përshkruhen e klasifikohen me një terminologji funksionale a strukturore, kurse dukuritë morfologjike, me një terminologji tradicionale (Gjinari & Shkurtaj, 1997: 109-137- 140-173; 2013: 175-204, 207-343).

Mjafton edhe kaq për të kuptuar që shkenca shqiptare, po edhe studimet për të folmet e gjuhës shqipe ose më konkretisht hartuesit e teksteve të dialektologjisë, kanë qenë nën ndikimin e ideologjisë së kohës. Të gjitha këto nuk kanë kaluar pa ndikim në nivelin e trajtimit, jo vetëm të problematikës teorike, po edhe të përshkrimit e klasifikimit të dukurive konkrete të shqipes dialektore.

  1. Materialet dialektore të mbledhura në periudhën 1944- 1990 për shqipen dialektore kanë problemet e tyre: janë mbledhur gjatë një periudhë relativisht të gjatë kohe (kryesisht në periudhën ndërmjet viteve 50-80); janë mbledhur nga specialistë të ndryshëm, në pak raste edhe nga jo specialistë; janë mbledhur kryesisht mbi bazën e pyetësorit të hartuar nga S. Floqi dhe të pyetësorit të ADGJSH-së; për studimet monografike materialet janë mbledhur nga disa subjekte për çdo pikë, kurse ato për ADGJSH-në janë mbledhur nga një subjekt i vetëm për çdo pikë, kryesisht të moshës mbi 50 vjeç.

Materialet e mbledhura nuk janë të plota, pra, për dukuri të caktuara ose fshatra të caktuara mungojnë të dhënat, edhe kur janë “të plota”, nuk janë plotësisht të krahasueshme. Po kështu nuk mund të thuhet se materialet e mbledhura janë plotësisht të sakta. Vetëm materialet e regjistruara me magnetofon (të tilla ka për shumë të folme) kanë sigurinë dhe mundësinë e një riverifikimi në të ardhmen, kjo vlen sidomos për të dhënat e ADGJSH-së të cilat janë regjistruar tërësisht për secilën pikë të ADGJSH-së.

  1. Mund të pohohet pa frikë se gabojmë se tek ne ka munguar një formim teorik i specializuar në fushën e dialektologjisë. Në studimet përgjithësuese të derisotme për dukuritë dialektore të shqipes dhe strukturën e saj dialektore (kam parasysh kryesisht variantet e tekstit të dialektologjisë) janë trajtuar kryesisht probleme të dialektologjisë së përgjithshme të gjurmuara andej këtej, fillimisht në literaturën ruse dhe vitet e fundit në atë perëndimore, por pa lidhje direkte me problemet konkrete të analizës, vlerësimit e interpretimit të të dhënave dialektore të shqipes dhe të strukturës dialektore të saj.
  2. Konceptimi dhe hartimi edhe i ADGJSH-së është bërë në periudhën e monizmit, pra, siç thamë, në kushtet e mungesës së lirisë akademike në Shqipëri.

Kërkohej që “Hetimi dhe studimi i dialekteve të shqipes të bëhej sipas një metode të përcaktuar e të vetme të mbështetur në metodologjinë e gjuhësisë marksiste (…).” (Gjinari 1989: 18-19), që Atlasi të “përshkohej tej e ndanë nga metodologjia marksiste-leniniste, ashtu si edhe gjithë gjuhësia jonë” (Gjinari 1988: 33). Se çfarë do të thoshte kjo në praktikën e punës për hartimin e ADGJSH-së është e vështirë të kuptohet.

E vërteta është se kërkohej që atlasi të kishte si model përvojën e gjeografisë gjuhësore lindore dhe, më konkretisht, “Atlasin e të folmeve të gjuhës ruse” (Avanesov 1957), po edhe ato të bullgarishtes (Stojkov-Bernštejn: 1964; Stojkov1966) që ishin mbështetur në përvojën ruse. Po a ishin studimet tona dialektologjike të tilla që lejonin zbatimin e përvojës lindore në këtë fushë në hartimin e Atlasit të gjuhës shqipe? Pra, a ishte e mundur të zbatohej në kushtet tona metoda e gjeografisë lindore dhe konkretisht ajo ruse në atë kohë? Përgjigja do të ishte, jo.

Atlasi i gjuhës ruse, po edhe ato të gjuhës bullgare, që do të shërbenin si bazë e Atlasit të gjuhës shqipe, bazoheshin në materiale që ishin përshkrime relativisht të plota të shtresës tradicionale të së folmes. Në këto atlase hartografohej fenomeni gjuhësor si hallkë e plotë, si element i sistemit gjuhësor. Pra, rusët në përgatitjen e atlasit të tyre ishin mbështetur në përshkrime relativisht të plota të shtresës tradicionale të të folmeve dhe i shihnin dukuritë dialektore si pjesë e sistemit gjuhësor, kurse ne do ta përgatitnim ADGJSH-në duke u mbështetur në materiale të mbledhura sipas një pyetësor të hartuar posaçërisht për ADGJSH-në dhe që “pretendonte” të ndiqte dukuritë dialektore në sistem, po që në të vërtetë ndiqte vetëm tiparet dalluese fonetike e morfologjike të tyre.

E themi këtë sepse pyetësori i ADGJSH-së ka në bazë a në themel pyetësorin e S. Floqit, që ndiqte tiparet fonetike e morfologjike dalluese të të folmeve të shqipes, jashtë çdo lidhjeje me vlerën funksionale të tyre dhe sistemin fonetik e morfologjik të tyre. Po ta gjykojmë pyetësorin e ADGJSH-së nga përmbajtja e tij, del se nuk ndiqen, siç pretendohet, dukuritë në sistem, po tiparet dalluese, po edhe kjo nuk bëhet në mënyrë konsekuente.

Këtu duhet shtuar që “Me përjashtim të tri pikave në Kosovë (Hogosht, Cërnicë dhe Trestenik) e të tri pikave në Mal të Zi (Pikal, Tuz dhe Arbënesh), të dhënat për gjithë pikat e tjera të ADGJSH-së në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi dhe Çamëri janë mbledhur tek informues të ardhur në Shqipëri në kohë të ndryshme prej atyre trevave. Për një numër pikash nuk u gjendën subjekte dhe mbetën në hartat e “Atlasit” pa të dhëna (numri përkatës i tyre është futur në katror me ngjyrë gri). Për të plotësuar sadopak këtë boshllëk në zonën e Kosovës dhe të Maqedonisë u shtuan tri pika afër disave nga ato për të cilat nuk u gjetën subjekte, pikat 31A, 48A, 104A (shih: Gjinari, Beci, Shkurtaj, Gosturani 2007/I: 22).

Në këto rrethana përpjekjet tona në këtë libër për të arritur në përfundime shkencore, nuk mund të vlerësohen si përfundimtare, po si një synim për të shmangur, aq sa është e mundur, mangësitë e trajtimeve përgjithësuese të derisotme në këtë fushë, po edhe për të krijuar kushtet për një përqasje të re ndaj kësaj problematike me interes për të njohur jo vetëm gjendjen e sotme të strukturës dialektore të gjuhës shqipe, po edhe historinë e formimit të saj.

[1] Autorët rus që citohen më 1963 janë R. J. Avanesov, J. V. Stalin, V. M. Zhirmunskij, po edhe F. Engels. Më 1969 citohen J. Avanesov dhe K. Marks – F. Engels. Më 1975 citohet vetëm K. Marksi dhe F. Engels.

[2] Autorët të cilëve u referohen janë S. Pop, J. Hauset, J. Fourquet, J. Séguy, J. Jud e K. Jaberg, G. B. Pellegrini, I. Baumer, F. P. Filin, J. Marray (Gjinari & Shkurtaj, 1997); M. A. Borodina, M. Cortelazzo, U. Moseri, C. Crassi, U. Weinreich, W. Labov, I. Horzog, J. Fourquet, J. Séguy, C. Grassi, G. B. Pellegrini, I. Baumer, F. P. Filin, S. Pop (Gjinari & Shkurtaj, 2013).

 

Refleksione rreth librit Rruga e mundimshme e shkollës shqipe Nga Aleko Minga 

Refleksione rreth librit Rruga e mundimshme e shkollës shqipe. Çështje, politika & veprimtari në fushën e arsimit, 1912-1944,

me autor Dr. Valbona Nathanaili 

Nga Aleko Minga 

Merita për përparimin e shkollës shqipe nuk i takon një brezi, apo një periudhe të caktuar në këta një qind vjet. Çdo brez ka kontributin e vet të vyer në këtë visar trashëgimie. Meritojnë respekt dhe nderim personalitetet që kanë pasur barrën e drejtimit, të cilët me vizionin dhe vendimet e marra, i kanë dhënë kahun e duhur dhe impulsin e nevojshëm zhvillimit. Por një vlerësim akoma më të madh meritojnë mësuesit, për përkushtimin dhe sakrificat në kryerjen e misionit të tyre fisnik.

Respekti vërtet i ndjerë dhe i përligjur buron nga njohja, prandaj çdo vepër që na ndihmon të thellojmë dhe të saktësojmë këtë njohje është e mirëpritur. Në këtë prizëm e shoh veprën e hartuar nga Valbona Nathanaili, si një ndihmesë të çmuar dhe, vetë botimin nga UET Press, një tjetër ofertë interesante për publikun e gjerë.

Arkivat, kjo kujtesë e materializuar e shtetit, gjithmonë ngjallin kërshëri, prandaj e shfletova me emocion kopjen e librit që do të shkonte për botim, aq më tepër sepse kishte të bënte me një periudhë për të cilën informacioni ka qenë jo në masën e duhur dhe, për më tepër, hera-herës i servirur jo drejtpërdrejt nga materiale burimore, por përmes interpretimesh paragjykuese.

Valbona Nathanaili ka bërë një zgjedhje të qëlluar që, punën e saj të kujdesshme qëmtuese, e ka përqendruar në harkun kohor të viteve 1912-1944, duke na ofruar materialin dokumentar që gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit për problematikat dhe politikat në fushën e arsimit, në fondin e dikastereve të arsimit, të cilët kanë pasur përgjegjësinë shtetërore kryesore. Për mendimin tim, ka vepruar drejt që spektrin e ka zgjeruar për të përfshirë edhe aktivitete të tjera, për të pasqyruar, sa ka qenë e mundur, realizimin e tyre praktik në përditshmërinë reale.

Parashtrimi i suksesshëm i dokumentacionit s’mund të kryhej pa një punë këmbëngulëse, që kërkonte jo vetëm durim dhe qëndresë, por edhe pasionin e një hulumtuesi të formuar. I ka ushqyer këto cilësi të saj dashuria e hershme, interesi i gjallë dhe përkushtimi me të cilin ka ushtruar për vite mësuesinë. Por në punën që mori përsipër ka ndikuar për mirë formimi i saj në shkencat e sakta, që stërvitin disa mekanizma intelektualë, si dhe logjikën e kërkesat për të qenë i saktë, koherent, sistematik e rigoroz ndaj vetes. Kjo i ka dhënë dorë për të realizuar (po e përmend për të plotësuar idenë) synimin që i kishte vënë vetes “për të pastruar, edhe sado pak, nga shtrembërimet që i është bërë e vazhdon t’i bëhet jo vetëm veprimtarisë, por edhe disa prej figurave që e kanë udhëhequr arsimin në këtë periudhë”, po të përdorim fjalët e saj.

Kriteri kronologjik dhe i ngjashmërive në problematika e zhvillime e përligj plotësisht ndarjen e periudhës 1912-1944 në disa nën-periudha. Autorja është e vetëdijshme se ekzistojnë edhe materiale të tjera arkivore që mund të plotësonin mozaikun e arsimit, por në çdo punë, po nuk u ndoq një radhë, ekziston rreziku të mos shohësh pyllin prej drurëve. Për këtë arsye, përqendrimi parësor në fondet e Ministrisë së Arsimit, ishte filli i Ariadnës për të mos humbur në labirint. Plotësimet e nevojshme do të duhet të realizohen dora-dorës, në “kohë të vet”.

Libri që merrni në dorë ofron një material mirë të mjaftueshëm për meditim vetjak dhe për të krijuar një ide e përfytyrim relativisht të saktë për procesin e zhvillimit të arsimit në periudhën e parë e mjaft të trazuar, por edhe interesante, që zu fill më 1912 dhe u mbyll më 1944.

Ndaj meriton të përgëzohet Valbona Nathanaili për këtë nismë dhe për frytin e angazhimit serioz që investoi për realizimin e saj.

Rruga e mundimshme e shkollës shqipe Autor Valbona Nathanaili

Rruga e mundimshme e shkollës shqipe. Çështje, politika & veprimtari në fushën e arsimit, 1912-1944

Autor Valbona Nathanaili (monografi)

Me parathënie nga Prof. Dr. Aleko Minga

Botues: UET Press, Çmimi në librari 1200 lekë, 330 faqe, formati 230 x 275 m, ISBN 978-9928-190-68-0 Botimi i parë, 7 mars 2016

Libri shoqërohet me një dokumentacion shumë të pasur, faksimile dokumentash, bibliografi, indeks emrash (731 emra), indeks vendesh dhe indeks tematik.

Libri përbëhet nga pesë kre, të ndarë mbi bazën e parimit kronologjik dhe të ngjashmërive në zhvillim. Kreu i parë përfshin periudhën 1912-1920, nga shpallja e Pavarësisë deri në kongresin e Lushnjës. Kjo periudhë shënon fillimin ligjor dhe formal të shtetit shqiptar, gjatë së cilës ndërrohen pesë qeveri dhe vetë epiqendra e shtetit zhvendoset nga Vlora, në Durrës dhe, më tej, në Shkodër. Ministri më jetëgjatë është Luigj Gurakuqi, i pranishëm në këtë post, herë në rolin e Ministrit dhe herë në atë të delegatit të arsimit në 3 qeveri, me një kohëzgjatje, në total, me më shumë se 5 vjet, ose 71.5% të kohës në drejtim (nga 7 vjet që zgjat gjithë kjo periudhë). Të gjitha këto qeveri e kanë shtrirjen e ndikimit dhe të pushtetit të tyre në hapësira më të vogla se ato të shtetit të njohur dhe kemi kapërcim strukturash nga shtet i lirë dhe i pavarur, në principatë dhe nën pushtim. Zgjedhja e Luigj Gurakuqit në krye të punëve të arsimit në 3 qeveri, formalisht dhe parimisht krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, i ka shtuar kësaj periudhe vlerat dhe kontributet në fushën e arsimit kombëtar. Periudha më e konsoliduar në arritje në fushën e arsimit është ajo nën pushtimin austro-hungarez, – vështirë ta artikulosh, por e drejtë ta pranosh.
Kreu i dytë përfshin periudhën 1920-1925, kohë në të cilën shteti shqiptar shtrihet pothuaj në të gjithë territorin që është edhe sot. Ky kre fillon me kongresin e Lushnjës e qeverinë e dalë prej tij dhe mbyllet me shpalljen e Shqipërisë Republikë. Një nga figurat më të spikatura të kësaj kohe është Sotir Peci, në postin e Ministrit të Arsimit në qeverinë e dalë nga kongresi i Lushnjës dhe më vonë përsëri, në qeverinë e drejtuar nga Iliaz Vrioni, 11 korrik 1921 – 16 tetor 1921, ndonëse aktiviteti dhe përfshirja e tij në fushën e arsimit evidentohen që më vitin 1909, me hapjen e shkollës normale të Elbasanit.
Kreu i tretë përfshin periudhën 1925-1939, kohë në të cilën Shqipëria është nën drejtimin e Ahmet Zogut. Pavarësisht formës që ka shteti këtë periudhë, fillimisht republikë dhe më vonë monarki, është periudha më e konsoliduar në drejtim të zhvillimit të arsimit, sepse jo vetëm ka vijimësi dhe pothuaj çdo veprimtari është e dokumentuar, por për herë të parë merr formë një nga reformat më të mëdha në fushën e arsimit, ajo e luftës kundër analfabetizmit. Abdurrahman Dibra, Hil Mosi dhe Mirash Ivanaj janë nga personalitetet më të spikatura të kësaj periudhe. Kontributet e tyre, ndërmjet të tjerave, lidhen me krijimin e legjislacionit të shkollës, krijimin e një sistemi të vetëm shkollor në të gjithë vendin, me programe e tekste krejtësisht të konsoliduara, si dhe me përpjekjet për zgjerimin e sistemit shkollor në të gjitha nivelet.
Në dy kretë e fundit, zhvillimi i arsimit bëhet në kushtet e pushtimit: kreu katërt përfshin periudhën 1939-1943, kur vendi gjendet nën pushtimin italian, ndërsa kreu i katërt përfshin periudhën 1943-1944, kur vendi gjendet nën pushtimin gjerman. Ernest Koliqi është një nga ministrat e arsimit në periudhën e pushtimit të Shqipërisë që ka qëndruar për një kohë më të gjatë në këtë post.
Secili nga kretë copëzohet në periudha më të vogla, të njëjta me ato të qeverive përkatëse, ndërsa aktiviteti i vetë qeverisë fokusohet vetëm në fushën e arsimit. Në rastin e punës dhe aktivitetit të kryer nga ministria e arsimit nën pushtimin italian dhe atë gjerman, është paraqitur në vijimësi, pa e ndarë punën dhe aktivitetin e një qeverie nga një tjetër, sepse ministrat nuk kanë pasur funksion politikëbërës dhe, për më tepër, koha e qëndrimit në detyrë ka qenë relativisht e shkurtër.
Kur është parë e nevojshme, trajtimi i punës dhe veprimtarisë së ministrisë së arsimit paraprihet me një analizë të shkurtër të sfondit historik e politik, pjesë e së cilës ka qenë kjo veprimtari. Më tej, struktura e ndërtimit të përmbajtjes ndjek të njëjtën formë: çështje dhe problematika që lidhen me arsimin, raportime dhe çështje nga rrethet, statistika dhe të dhëna për shkollat e mësuesit, botime në fushën e arsimit, kryesisht tekste shkollore të hartuara e miratuara nga kjo ministri, emërime dhe në detyrë. Disa nga ligjet dhe rregulloret e hartuara dhe të miratuara janë paraqitur të plota, duke i kushtuar kujdes paraqitjes së tyre me të njëjtën gjuhë të përdorur. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar shkollave të hapura nga të huajt dhe shkollave të minoriteteve, duke u ndalur jo vetëm në marrëdhëniet që janë ndërtuar me shtetin shqiptar, por edhe në të dhëna konkrete dhe statistika.
Përmbajtja e librit ndjek veprimtarinë e Ministrisë së Arsimit dhe pasqyron aktivitetin e kryer në zonat që përfshin shteti, si në qeveritë e para, kur shteti shtrihet në vetëm disa nga qytetet e sotme, ashtu edhe në qeveritë e fundit, kur pjesë e Shqipërisë janë edhe Kosova e Tetova. Për disa qeveri, veprimtaria e të cilave ka qenë shumë e kufizuar në kohë, nga një ditë në disa muaj, është mjaftuar vetëm evidentimi i tyre, më shumë për statistikë, se për punën e kryer. Për shumë nga ministrat e arsimit është paraqitur edhe një përmbledhje e jetëshkrimit dhe veprimtarisë së tyre si individë, jo vetëm ajo në detyrën e titullarit të ministrisë së arsimit.

Ndër çështjet që trajtohen në libër: Administrimi i shkollave, hartimi i programeve lëndore, hapja e shkollave te reja, sigurimi i kuadrit arsimor, kualifikimi i mësuesve, inspektimi i shkollave, çështja e botimit të librave mesimore, frekuentimi i rregullt i shkollave prej nxënësve, lufta kundër analfabetizmit, disiplina në shkolla, fillimi i botimit të revistave arsimore, vleresimi i nxënësve, ndalimi i mesimeve private (1919), ndarja e shkollës nga feja, shkollat e huaja dhe minoritetet, ngritja e bibliotekave shkollore, ruajtja e traditës dhe vlerave kombëtare, sistemi i akordimit të bursave për nxënësit, zhvillimi i arsimit profesional, zhvillimi fizik dhe artistik i nxënësve, pagat e mesuesve, mësimi në burgje etj.

Pjesë e librit janë jetëshkrimet e Luigj Gurakuqi, Mihal Turtulli, Sotir Peci, Kristo Floqi, Hil Mosi, Rexhep Mitrovica, Kristo Dako, Aleksander Xhuvani (si zv. ministër i arsimit dhe i pranishëm në organet drejtuese të ministrisë pothuaj gjatë gjithë periudhës 1916-1944),Stavro Vinjau (si zv. ministër i arsimit në qeverinë e Fan Nolit), Koço Kotta, Petro Poga (zv. ministër i arsimit), Xhafer Ypi, Abdurrahman Dibra, Mirash Ivanaj, Nush Bushati dhe Ernest Koliqi.

Veritas. Kolegji Harvard dhe përvoja amerikane Autor Andrew Schlesinger

Veritas. Kolegji Harvard dhe përvoja amerikane Autor Andrew Schlesinger

Libri gjendet në shqip në përkthimin e Elona Kana, Lorena Robo, Nermin Aga

Redaktor Zimo Krutaj ISBN 978-99956-19-73-2

UFO Press, Tiranë, 2011 Çmimi 600 lekë

Kush është e mira e arsimit? Arsimi formon burra të mirë dhe burrat e mirë veprojnë fisnikërisht. Platon

Në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, Universiteti i Harvardi bëri të vetën moton Veritas (e vërteta), duke e perceptuar misionin e kolegjit në kërkim të njohurive të reja si një mënyrë për të qenë më afër Zotit. Imperativët e veritas janë të qenit i hapur, liria në mendim, përplasja e mendimeve të kundërta, zgjidhja e tyre, thënia e të vërtetës. Në librin e tij Veritas, Andrew Schlesinger na paraqet historinë e Harvardit përmes konflikteve që lindën ndërmjet forcave të veritas dhe forcave që pengonin të vërtetën – sektarizmi, aristokracia, racizmi, etnocentrizmi, ekstremizmi … Gjithë libri ngrihet mbi bazën e këtyre konflikteve, për të na dhënë një histori të mrekullueshme, tërheqëse, të Kolegjit Harvard si një Institucion Amerikan.

Nga kapitulli në kapitull do të gjeni veprimet dhe vendimet më të rëndësishme të lidershipit të tij që kanë bërë epokë e i kanë dhënë fizionominë kolegjit, nga kohët puritane e deri në ditët tona. Në libër do të shihni se si ka ndryshuar Harvardi, si është rritur vit pas viti, falë angazhimit ndaj veritas, që e detyroi institucionin të përballej me të renë në fushën e dijes. Burrat dhe gratë që i dhanë emër Harvardit e bënë këtë Harvard që kemi sot ishin shkrimtarë, fetarë, gazetarë, historianë, korrespodentë, filozofë, diplomatë, ministra, presidentë. Historia e Harvardit është historia e një universiteti ku secili do të dëshironte të studionte.

PËRMBAJTJA

Kolegji në periudhën  e kishës puritane Kolegji themelohet si një shtyllë e shoqërisë së re. Të diplomuarit e Harvard-it implikohen në gjyqet e shtrigave të Salemit. Dinastia Mathers përpiqet të marrë pushtetin në kolegj. / Një lindje e re? Një shpërthim i papritur i entuziazmit fetar trondit Kolegjin dhe shkollarët e mbushur me ndenja faji nisin të shqetësohen për shpirtrat e tyre. Tutori Flynt ruan kontrollin. Kolegji nuk e pranon ekstremizmin fetar. / Kohë revolucionare Kolegji ndahet me Kurorën britanike. Mendjet e shkollarëve zhurmëmëdhenj përqendrohen në betejën e Lexington-it dhe Concord-it. John Hancock-u mashtron korporatën për njëzet vjet. / Harvard-i dhe kombi i riKolegji ofendon kalvinistët duke zgjedhur një unitarian si profesor të fesë. Udhëheqja e qetë e presidentit Kirkland përmirëson reputacionin e Harvard-it. Edward Everett-i është një nxënës i shkëlqyer. / Presidenti Quincy takon presidentin Jackson Josiah Quincy tregohet i ashpër me studentët zhurmëmëdhenj dhe i jep një titull honorifik shumë të diskutueshëm presidentit Andrew Jackson, burrit të egër të Tennessee-t. / Harvard-i dhe lufta kundër skllavërisë Ish-studentë të Harvard-it u bënë pjesë e drejtimit të kauzës antiskllavëri, megjithëse simpatitë jugore ishin të forta gjatë viteve 1850 në oborr. Përtej kësaj, lufta nxori në pah anën më të mirë të burrave të Harvard-it. / Harvard-i i presidentit Eliot Charles W. Eliot-i transformon universitetin. Kolegji pranon zezakë. Roosevelt-ët ndjekin Harvard-in. Themelohet Kolegji Radcliffe. Hiqet futbolli. / Harvard-i dhe njerëzit e jashtëm Presidenti Abbott Lawrence Lowell tregon mungesë respekti ndaj çifutëve, zezakëve, grave dhe homoseksualëve. / Harvard-i kundër totalitarëve Presientët James Conant dhe Franklin Roosvelt luftojnë izolacionistët dhe nazistët dhe ndërtojnë bombën atomike. JFK shkon në Harvard. Lufta e Ftohtë sjell McCarthyism-in. / I fundmi “Rebelim i madh” Presidenti Nathan Pussey bën thirrje për një rizgjim fetar, tallet me akronimet  e tmerrshme: JFK, LSD, ROTC, SDS; vuan poshtërimin. / Transformimi i racës dhe gjinisë Harvard-i dhe Radcliffe krijojnë marrëdhënie. Homoseksualët dalin hapur. Universiteti përqafon botën multikulturore, ndërsa shton shuma të jashtëzakonshme parash. / Universiteti i së ardhmes   Presidenti Lawrence Summers vë bast për jetën sipas shkencës, lufton qeverinë federale për kërkimet e qelizës-rrënjë, pret përfitime globale, ndërsa i qëndron besnik Veritas.

Pjesë nga parathënia 

Kushte të domosdoshme të Veritas janë sinqeriteti, liria e mendimit, përplasja e mendimeve, vendosmëria, thënia e së vërtetës. “Ku ka shumë dëshirë për të mësuar, aty domosdoshmërisht do të ketë shumë debate, shkrime e opinione; mendimi për njeriun e mirë është veçse njohje në zhvillim”, shkroi John Milton-i në Areopagitica, cituar nga presidenti Neil Rudenstine. Mendimet e studentëve drejtojnë Veritas. Çdo katër vjet është një gjeneratë e re, një faqe e pastër. Presioni për ndryshim përtërin vetveten. “Nëse ju pyesni kush është e mira e arsimit, përgjigja është e thjeshtë  – arsimi formon burra të mirë, dhe burrat e mirë veprojnë fisnikërisht,” ka vërejtur Platoni, sipas presidentit Derek Bok.

Pjesë nga libri 

Ceremonia e parë e diplomimit të kolegjit u mbajt në 23 shtator 1642, në hollin e gjerë të ndërtesës prej druri me dy magazinat dhe kullën e vet, e menduar prej një pjese si “shumë e bukur për një vend të egër dhe, sidoqoftë, për perceptimin e të tjerëve, shumë e rëndomtë për një kolegj”. Aty pati fjalime në latinisht dhe greqisht, një “analizë hebraike gramatike, logjike dhe retorike” e Psalmeve, një diskutim latin, dhe një darkë të madhe. Titulli i “diplomuar” (Bachelor of Arts) iu dha nëntë djemve të rinj “shpresëdhënës”. Brenda pak vitesh, Dunster-i arriti të siguronte njohjen e diplomave të Harvard-it nga universitetet në Angli. Ai e shihte Harvard-in si një institucion global, që tërhiqte studentë nga “kolonitë, territore dhe vende të tjera, qoftë të Anglisë vetë ose të tjerëve.” Kolegji ishte një fanar i mbretërisë “së dukshme”, ku studentët “instruktoheshin thjesht dhe nxiteshin seriozisht … për të vendosur Krishtin në bazë, si themeli i vetëm i gjithë dijes dhe mësimit të shëndetshëm”.

Pjesë nga libri 

Më 1879, një komitet zonjushash që formuan një shoqëri për “Arsimimin Privat Kolegjial të Femrave”,  morën me qira disa dhoma në një shtëpi të vogël gri në Appian Way. Me aprovimin e Eliot-it u organizua që disa prej profesorëve t’ua përsërisnin leksionet e tyre një grupi zonjushash të reja, të cilat kishin kaluar provimet. 27 femra ndoqën ‘Harvard Annex-in‘ atë vjeshtë; 15 vjet më vonë numri i tyre arriti në dyqind dhe 69 profesorë të Harvard-it  u jepnin mësim. ‘The Annex‘ u riemërua në 1894 si Kolegji Radcliff, sipas emrit të mirëbërëses së parë të Harvardit, Ann Radcliffe, e cila më 1643 dhuroi 100£. Zonja Elizabeth Cary Agassiz ishte presidentja e parë e Radcliffe-it. Një komitet fakulteti, më 1897, i konsideroi standardet e pranimit, arsimimit dhe provimeve në Radcliffe të njëjta me ato të Harvard-it, në të gjitha aspektet (Kolegji për femra në Mount Holyoke u themelua më 1837, të njëjtin vit që Oberlin-i pranoi femra. Vassar u themelua më 1865; Smith dhe Wellesley më 1875.)

Andrew Schlesinger ka mbaruar Harvardin, klasa 1970, diplomuar me magna cum laude. Paraardhësit e tij kanë qenë profesorë historie në harvard. Schlesinger është shkrimtar e producent dhe ka shkruar një sërë dokumentarësh për shumë televizione si ABC, PBC, CNN; është nderuar me dy çmime Emmy, si dhe me çmimet Writers Guild dhe Christopher.

Senator Edward M. Kennedy

“Në kuptimin e plotë të fjalës, Harvard dhe Amerika janë rritur së bashku. Libri i mrekullueshëm i Andrew Schlesinger ecën në gjurmët e një historie të shkëlqyer, ndjek evoluimin e saj dhe na i paraqet të ndërthurura shumë bukur. Historia e trajtuar i bën apel jo vetëm komunitetit të Harvardit, sepse është një paraqitje e jashtëzakonshme e tërë përvojës amerikane.”

Douglas Brinkley

Është e pamundur të shkruash ose mendosh rreth historisë së ShBA, pa marrë në konsideratë rolin jashtëzakonisht të madh që ka luajtur Universiteti i Harvardit në modelimin e qeverive dhe të kulturës sonë. Me Veritas, gazetari Andrew Schlesinger shkëlqen me dritën e një historiani dhe të frymëzon me kulturën e përsosur, gjuhën profesionale dhe mprehtësinë analitike.

Sipas Huffington Post

 Andrew Schlesinger is the author of Veritas: Harvard College and the American Experience and co-editor with his brother Stephen of Journals: 1952–2000 by Arthur M. Schlesinger, Jr. In 1980, he joined ABC News in its documentary division, where his film scripts won two Emmy awards and a Writers Guild Award. He lives in Cambridge, Massachusetts.

Foto kryesore:Kopertina e botimit në gjuhën shqipe

Foto e dytë: Autori i librit, Andrew Schlesinger

Libra për një shoqëri të mirë

Libra për një shoqëri të mirë

Forum në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit

23 prill 2016

Në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Librit”, u zhvillua forumi “Libra për një shoqëri të mirë”, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Sociologjisë dhe Shtëpinë Botuese UET Press. Pjesëmarrës ishin studiues dhe pedagogë nga universitete të ndryshme të vendit, si dhe studentë të degëve të sociologjisë dhe financës nga UET. Synimi i forumit ishte njohja e studentëve me lëvizjen “Për një shoqëri të mirë”, iniciuar nga Instituti Shqiptar i Sociologjisë, si dhe promovimi e njohja e disa studimeve akademike nga fusha të ndryshme të shkencës, në mbështetje të një shoqërie të mirë. Forumi u organizua në dy sesione.

Në sesionin e parë, Prof. Lekë Sokoli (foto në të majtë), drejtor i Institutit, paraqiti parimet e një shoqërie të mirë, si dhe disa botime në këtë fushë, të vendit dhe të huaja, duke e vënë theksin se një shoqëri e mirë nuk mund të konceptohet vetëm si një shumatore e individëve të mirë. Sipas Sokolit, një nga prioritet kryesore të kësaj lëvizjeje është shndërrimi i arsimit në prioritet kombëtar nga të gjitha subjektet politike.

Në sesionin e dytë, nën drejtimin e Dr. Valbona Nathanaili, Drejtore UET Press dhe lektore pranë UET, sipas shembullit të Panairit të Librit në Frankfurt, nën logon “Entropi. Book Pitch”, studiuesit prezantuan punimet e tyre, përkatësisht dr. Ardit Bido me “Kisha Ortodokse Shqiptare. Një histori politike (1878-1937)”. Me parathënie nga prof. dr. Ferit Duka, dr. Roland Lami me “Komunikimi dhe marrëdhënia shoqërore”. Me parathënie nga Kosta Barjaba, prof. asoc. Ilia Larti me “Mësimdhënia dhe të nxënit”, Andon Andoni me “Çekrezi ky rebel i harruar. Jeta dhe vepra e Kost Çekrezit, midis dy luftrave, si kundërshtar i Nolit, Konicës, Zogut dhe Enver Hoxhës”. Me parathënie nga Ilir Ikonomi, dr. Nazmi Xhomara me “Kompetenca shkencore dhe metodologjike e mësimdhënies” dhe msc. Sonila Kapidani me “Studimi i matematikës në shkollë”.

Sipas drejtores së botimeve pranë UET Press, Dr. Valbona Nathanaili (foto në të majtë), është hera e parë që organizojmë një paraqitje të tillë, pasi titujt e lartpërmendur nuk janë botuar të gjithë. Një pjesë e mirë janë projekte për botim të studiuesve. Nuk besoj se mund të listoj të gjitha kriteret që e shndërrojnë një botim në libër për një shoqëri të mirë, por botimet e studiuesve të ndryshëm, sigurisht që janë të tilla. Nga ana tjetër, synimi ynë është jo vetëm të nxisim njohjen dhe provimin ndërmjet studiuesve nga universitete të ndryshme të vendit, por edhe të kontribuojmë në promovimin e studimeve që janë me vlerë për mbarë shoqërinë. Një rol të rëndësishëm luajnë shtëpitë botuese. Ne kishim dëshirë që në këtë ditë të dilnim jashtë aktiviteteve të zakonshme që organizohen me këtë rast. Fokusi ynë është libri akademik dhe promovimi i tij në një grup sa më të gjerë lexuesish. Nathanaili thekson se për shumë njerëz, kur bëhet fjalë për botime shkencore, shpesh dëgjohet të vlerësohen si “të mërzitshëm dhe të nevojshëm vetëm për një grup të caktuar lexuesish, kryesisht nga fusha akademike”. Duhet të përjashtojmë nga gjykimi ynë këto klishe. Studime të tilla janë me shumë vlerë për zhvillimin e shoqërisë sonë, sepse i trajtojnë dukuritë dhe fenomenet në mënyrë korrekte dhe, çfarë është po aq e rëndësishme, ofrojnë rekomandime – përfundon Nathanaili.

Paraqitja e punimeve u shoqërua me diskutime të shumta nga të pranishmit. Për dr. A. Bido, në përputhje me temën e studimit të tij, nuk është e përshtatshme që në shkollat tona të futet mësimi i fesë. Për dr. Natasha Lushaj, studiuese në fushën e letërsisë dhe me përvojë të gjatë në fushën e mësimdhënies, është me shumë vlerë që aktivitete të tilla të mos mbeten vetëm brenda auditorëve të universiteteve, por të marrin përmasa shumë të gjera. Sa i takon mësimdhënies, Lushaj e vendos theksin në të mësuarin me kompetenca. Punimi interesant i studiueses së fushës së artit, S. Kapidani, e vë theksin në rëndësinë që ka kreativiteti në orën e mësimit dhe, në rastin konkret që merr studimi i saj, edhe në atë të matematikës. Albina Rira, studente pranë UET, me fjalën e saj shumë emocionuese, mbylli këtë aktivitet. Rira, në ilustrim të studimit të dr. Xhomara, solli shembullin e një fëmije të veçantë, falë dhuntive të të cilit dhe aftësisë së një prej mësuesve të tij, ishte mundësuar zhvillimi i një metodologjie të re mësimore. Për prof. asoc. Larti është me shumë rëndësi që nëpër shkolla t’i vihet theksi mësimit të sociologjisë, si një premisë shumë e mirë për përgatitjen e qytetarëve për një shoqëri të mirë.

 

Stephen William Hawking

Stephen William Hawking (1942-2018)

Figurë frymëzuese, simbol

Përktheu dhe përshtati Valbona Nathanaili 

Ne jemi produkt i  fluktacioneve kuantike në universin e hershëm. Zoti ka luajtur mirë kumar.

 Stephen William Hawking u lind më 8 janar 1942 (300 vjet mbas vdekjes së Galileut), në Oksford, Angli. Studimet e larta i ka mbaruar për fizikë. Në Kembrixh është nga të parët që fillon kërkimet në fushën e kozmologjisë. Me marrjen e titullit doktor, punon fillimisht si bashkëpunëtor e, më vonë, si profesor pranë Cauis College dhe Gonville College. Nga viti 1973 mban postin e profesorit pranë departamentit të matematikës së aplikuar dhe fizikës teorike. Punimet e tij më të rëndësishme lidhen me ligjet kryesore që udhëheqin universin tonë. Së bashku me Roger Penrose zhvillon tezën se koha dhe hapësira, të përfshira në Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit të Ajnshtajnit, duhet të kenë një fillim, – në Bing Beng, dhe një fund, – në Vrimat e Zeza. Këto rezultate treguan se ishte e nevojshme të unifikohej Relativiteti i Përgjithshëm me Teorinë Kuantike, dy nga zhvillimet më të mëdha shkencore të gjysmës së parë të shekullit të 20-të. Një nga rrjedhojat e një unifikimi të tillë, sipas Hawking, është se vrimat e zeza nuk janë aq të zeza sa mendohet a duken. Ato duhet të emetojnë rrezatim, për rrjedhojë, të zhduken. Një supozim tjetër është se Universi nuk duhet të ketë kufij, ose fund në kohë. Që do të thotë se mënyra se si ka filluar universi është tërësisht e përcaktuar nga ligjet e shkencës.

Disa nga publikimet e tij janë:

  • Makrostruktura e Kohë-hapësirës, në bashkëpunim me G. F. R. Ellis
  • Relativiteti i përgjithshëm: një punim me rastin e përvjetorit të Ajnshtajn-it
  • 300 Vjet Gravitet në bashkëpunim me W. Israel.

Librat më të shitur të Hawking janë “Një histori e shkurtër e kohës, nga Bing Bengu tek Vrimat e Zeza” dhe “Universi në guackë” (2001). Për më shumë: http://www.hawking.org.uk/

ORIGJINA E UNIVERSIT

A na dëgjon kush? Sipas gojëdhënave të fisit Boshongo, në Afrikën Qendrore, në fillim kishte vetëm errësirë, ujë dhe zoti i madh, Bumba. Një ditë Bumba, me dhimbje stomaku, volli diellin. Dielli thau ujin dhe kështu doli toka. Akoma me dhimbje, Bumba volli hënën, yjet e më pas kafshët – krokodilin, leopardin, breshkën dhe, së fundmi, njeriun. Një gojëdhanë e tillë, sikurse shumë të tjera rreth të cilave mund të keni dëgjuar, tentojnë t’i përgjigjen të njëjtave pyetje, që pak a shumë i bëjmë të gjithë: Pse jemi këtu? Nga vimë?

Përgjigja që jepet zakonisht është se njerëzimi duhet të ketë një origjinë jo shumë e hershme, sepse janë të dukshme, edhe në  kohët që ne i quajmë të lashta, progreset e racës njerëzore në teknologji e njohuri. Rrjedhimisht, ekzistenca e tij nuk duhet të jetë shumë e gjatë, përndryshe progresi duhej të ishte shumë më i avancuar. Për shembull, sipas Bishop Usher, në Librin e Gjenezës, krijimi i botës ka ndodhur në ora 9 të mëngjesit, më 27 tetor 4004, para Krishtit. Nga ana tjetër, mjedisi përreth, si malet apo lumenjtë, ndryshojnë shumë pak gjatë një periudhe kohore të barabartë me jetëgjatësinë e një qenie njerëzore. Nga kjo mund të mendojmë se mjedisi përreth ka qenë konstant e ka ekzistuar edhe më parë, si një zbrazëtirë, ose është krijuar në të njëjtën kohë me qeniet njerëzore. Sidoqoftë, asnjë nuk duket i lumtur me idenë e një universi që ka një fillim.

Për shembull Aristoteli, një nga filozofët më të famshëm të antikitetit, besonte se Universi ka ekzistuar gjithmonë. Diçka e përjetshme është më perfekte se diçka e formuar a krijuar. Ai sugjeronte se arsyeja se pse kemi progres, është se katastrofat natyrore e kanë kthyer herë mbas here njerëzimin pas në kohë, duke e detyruar ta nisi nga e para. Arsyeja e besimit në universin e përjetshëm duhet të ketë qenë dëshira për të shmangur ndërhyrjen hyjnore në krijimin e universit, për të hequr dorë nga nevoja e ekzistencës së tij. Nga ana tjetër, ata që besojnë në një fillim të universit, e përdorin si një argument të mirë për të besuar në ekzistencën e Zotit si nevojë për krijimin e tij apo si një lëvizje të parë. Por, ndërkohë që dikush mbron tezën se Universi ka një fillim, natyrshëm i shtrojmë pyetjet: Çfarë ka ndodhur para fillimit? Çfarë po bënte Zoti para krijimit të Botës? Mos ndoshta po përgatiste ferrin për njerëzit që do të bënin pyetje të tilla?

Problemi i ekzistencës a jo të një fillimi të universit, është marrë në shqyrtim edhe nga filozofi i madh gjerman Immanuel Kant. Kant kishte ndjesinë e një kontradikte logjike në arsyetimet e bëra. Nëse universi ka një fillim, pse duhej të prisnim një kohë pafundësisht të gjatë deri në krijimin e tij? Këtë dyshim ai e quajti tezë. Nga ana tjetër, nëse universi ka ekzistuar përgjithmonë, pse ju desh një kohë pafundësisht e gjatë për të arritur në stadin e tanishëm? Sipas Kant, kjo është antiteza. Të dyja, si teza ashtu edhe antiteza, në supozimin e Kantit, lidhen me hamendësimin se në atë kohë, çdo gjë ishte absolute. E thënë ndryshe, kalimi nga e kaluara e pafundme në një të ardhme të pafundme, ka ndodhur pavarësisht me ekzistencën a jo të një universi në sfond. Të njëjtin mendim me Kantin ndajnë edhe shumë shkencëtarë të ditëve të sotme. Duke ecur më tej, më 1915, Ajnshtajni paraqiti Teorinë e tij të Përgjithshme mbi Relativitetin që revolucionarizoi shumë nga konceptet e idetë tona. Në këtë teori, koha dhe hapësira nuk janë më absolute, nuk janë më një sfond konstant për ngjarjet e ndryshme. Sipas Ajnshtajn, si koha ashtu edhe hapësira janë madhësi dinamike, të përcaktuara nga materia dhe energjia në univers, duke bërë të padobishme çdo tezë a hipotezë që flet për kohën para fillimit të universit. Është njësoj si të kërkojmë një pikë jugore në polin e jugut. Nëse në univers koha është e pandryshuar, sikurse përgjithësisht besohej para viteve 1920, nuk duhej të kishte arsye se pse të mos e caktonim kohën arbitrarisht. Çdo i ashtuquajtur fillim i universit do të ishte artificial, në kuptimin se kushdo mund ta shtrinte historinë prapa në kohë, para atij fillimi arbitrar, në varësi të dëshirës a lakmisë së tij. Pra, mund të themi se universi u krijua vjet, ndërkohë që kemi përsëri arsye të themi se duhet të jetë shumë më i vjetër sepse të gjitha ngjarjet fizike dhe kujtesa kolektive na japin të drejtë.

Këtu ka vend për t’u ndalur e për të ngritur pyetje të thella filozofike rreth ekzistencës. Unë do të merrem me to duke krijuar një përqasje pozitiviste, sikurse e quajnë shumica në kohët tona. Sipas kësaj përqasjeje, ne i interpretojmë të dhënat nëpërmjet shqisave tona, në përshtatje me atë model që kemi krijuar për botën. Asnjeri nuk kërkon të dijë nëse ky model paraqet a jo realitetin, por vetëm nëse ky model funksionon. Një model është i mirë nëse është në gjendje së pari të na shpjegojë sa më shumë vëzhgime, në mënyrë të thjeshtë e elegante. Së dyti, sa është në gjendje modeli të bëjë parashikime të veçanta, konkrete, të cilat mund të testohen e ndoshta edhe të hidhen poshtë nga realiteti. Sipas kësaj qasjeje pozitiviste, gjithsekush mund të bëjë krahasime ndërmjet dy modeleve të universit: modelit që pretendon se universi u krijua vjet dhe modelit tjetër, sipas të cilit universi është krijuar shumë më herët. Modeli sipas të cilit universi ka ekzistuar shumë kohë më parë se vjet, mund të shpjegojë fakte të tilla që lidhen për shembull me binjakët identikë, të cilët modeli që pretendon krijimin e universit vjet nuk është në gjendje të na i shpjegojë. Për rrjedhojë, modeli i parë është më i mirë. Duke vazhduar arsyetimet tona, nuk ka kuptim pyetja nëse universi ekzistonte shumë kohë më parë se vjet apo thjesht vetëm u shfaq vjet. Në përqasjen pozitiviste, është e njëjta gjë. Në një univers statik, të pandryshuar, nuk mund të ketë një pikë natyrale fillestare, nisjeje.

Situata ndryshoi rrënjësisht, kur Edwin Huble filloi vëzhgimet me teleskop në Malin Wilson, në vitet 1920. Huble zbuloi se yjet nuk janë të shpërndarë në mënyrë uniforme në hapësirë. Në hapësirë gjenden grumbullime yjore të quajtura galaksi. Duke matur kohën që i duhej dritës të vinte deri tek ne, Huble mund të gjente shpejtësinë me të cilën lëviznin këta yje. Huble besonte se shumë galaktika lëviznin drejt nesh e shumë të tjera largoheshin nga ne. Kjo është ajo që duhej pritur në një univers që nuk ndryshonte me kalimin e kohës. Por, për çudinë e tij, të gjitha galaktikat largoheshin nga ne. Për më tepër, sa më larg nga ne të gjendeshin galaktikat, aq më e madhe ishte shpejtësia me të cilën na largoheshin. Universi nuk ishte i pandryshuar me kalimin e kohës, sikurse gjithkush mendonte në të kaluarën. Universi po zgjerohej. Distanca ndërmjet galaktikave rritej me kalimin e kohës. Zgjerimi i universit ishte një nga zbulimet më të rëndësishme intelektuale të shekullit të 20-të apo të çdo shekulli. Ky zbulim e transformoi debatin nëse universi e ka a jo një fillim. Nëse galaktikat po na largohen atëhere ka qenë një kohë kur ato duhet të kenë qenë më afër? Nëse shpejtësia me të cilën lëvizin është konstante, ato duhet të kenë qenë pranë njera tjetrës afro 15 bilion vjet më parë. Mos është ky atëhere fillimi i universit?

Një fakt i tillë nuk kënaqte shumë fizikanë, të cilët shihnin se si e gjithë fizika e deri asaj kohe po shkërmoqej. Çdokush mund të pajtonte një agjenci jashtë tokësore, e cila nga ana e saj do të merrte Zotin në telefon, për të pyetur se kur u krijua Bota, duke u dhënë kështu fund të gjitha dilemave a hamendësimeve tona. Të tjerë patën fantazinë të thonin se vërtet universi po zgjerohet në kohët e sotme, por sidoqoftë universi nuk ka një fillim. Njëra nga këto teori, e quajtur Teoria e Gjendjes së Qëndrueshme dhe e propozuar nga Bondi, Gold dhe Hoyle më 1948, supozonte se ndërsa galaktikat largoheshin, të tjera galaktika të reja formoheshin vazhdimisht me materien që mbushte hapësirën e universit. Universi ka ekzistuar përgjithmonë dhe po gjithmonë ka patur të njëjtën pamje. Karakteristika e fundit e kësaj teorie pati fatin, sipas pikëpamjes pozitiviste, të testohej nëpërmjet vëzhgimeve tona. Grupi i radio astronomëve në Kembrixh, nën drejtimin e Martin Rylw, arritën të lokalizojnë një sinjal të dobët radio që vinte nga hapësira, rreth viteve 1960. Sinjali dukej i përhapur njëtrajtësisht në qiell, duke dëshmuar se shumica e burimeve të tij duhej të ndodheshin jashtë galaktikës tonë. Burimet, ndonëse të dobëta, duhej të ishin, mesatarisht, tepër larg.

Teoria e Gjendjes së Qëndrueshme parashikoi formën e grafikut të varësisë së numrit të burimeve nga fuqia e burimit. Por vëzhgimet treguan një ndryshim në numrin e burimeve të parashikuara, duke provuar se në të kaluarën, densiteti i burimeve ka qenë më i lartë. Kjo ishte në kundërshtim me supozimin teorik të Teorisë së Gjendjes së Qëndrueshme se çdo gjë ka qenë konstante në kohë. Për këtë, si dhe për arsye të tjera, Teoria e Gjendjes së Qëndrushme u braktis shumë shpejt nga shkencëtarët.

Një përpjekje tjetër për të shmangur teorinë e një fillimi të universit ishte sugjerimi se ka patur paraprakisht një fazë tkurrjeje, por që për shkak të rrotullimit dhe parregullsive të veçuara, e gjithë materia nuk u përqëndrua në të njëjtën zonë. Pjesë të ndryshme të materies u shpërndanë në zona të ndryshme dhe universi mundi të zgjerohet përsëri, me një dendësi që merr vlera të fundme. Dy rusë, Lifshitz dhe Khalatnikov, aktualisht pretendonin se kishin vërtetuar se një tkurrje e përgjithshme pa një simetri perfekte, çon gjithmonë në një tkurrje tjetër me një densitet të fundëm. Një përfundim i tillë ishte shumë i përshtatshëm për materializmin dialektik Marksist Leninist, sepse shmangte pyetjen e padëshiruar rreth krijimit të universit, duke u bërë kështu tepër e besueshme për shkencëtarët Sovjetikë. Në kohën e publikimit të një teorie të tillë, unë isha një student 21 vjeçar, në kërkim të diçkaje që do të kompletonte tezën time të doktoraturës. Unë nuk e besoja të ashtuquajturën provë të tyre dhe vendosëm së bashku me Roger Penrose, të zhvillonim teknika të reja matematike për të studiuar problemin. Ne treguam se universi nuk mund të tkurrej (bounce). Nëse Teoria e Relativitetit të Ajnshtajnit është korrekte, duhet të ketë një singularitet, një pikë me densitet të pafundëm dhe përkulje të hapësirë kohës ku të ketë filluar koha. Prova e vëzhguar që konfirmonte idenë se universi ka patur një densitet shumë të madh në fillim, erdhi në Tetor 1965, pak muaj mbas rezultatit tim të parë singular, me zbulimin e ekzistencës së mikrovalëve të dobëta në hapësirë, të njëjta me mikrovalët e furrës me mikrovalë, por shumë më pak të fuqishme. Ju mund të bindeni për ekzistencën e tyre përmes një eksperimenti të thjeshtë. Çojeni televizorin në një kanal të zbrasët. Një përqindje e vogël e atyre xixave të bardha që ju shihni në ekran, duhet të shkaktohet nga këto mikrovalë. I vetmi interpretim i arsyeshëm i justifikimit të ekzistencës së valëve të tilla, është lindja e tyre nga një gjendje shumë e nxehtë dhe e dendur. Ndërsa universi zgjerohet, rrezatimi është ftohur, duke mbetur ai që vëzhgojmë sot. Ndonëse teoria e singularitetit të Penrozë dhe imja, parashikonin se universi ka një fillim, ajo nuk ishte në gjendje të tregonte se si kishte filluar. Ekuacionet e Relativitetit të Përgjithshëm të Ajnshtajnit, nuk kënaqin singularitetin. Për rrjedhojë, teoria e Ajnshtajnit nuk mund të parashikojë se si ka filluar universi, por vetëm se si do të zhvillohet me fillimin e tij. Ka dy mënyra, nga të cilat njëra mund të merret nga rezultatet e Penrozë dhe të miat. Njëra është që Zoti e filloi universin, për arsye që ne nuk i kuptojmë. Kjo ishte pikëpamja e Papa John Paul-it. Në një konferencë mbi kozmologjinë në Vatikan, Papa pranoi para delegatëve se ishte OK me studimin e universit mbas krijimit të tij, por nuk duhej të bëheshin përpjekje për të shpjeguar vetë fillimin, sepse me të vërtetë ka patur një moment fillimi, por ka qenë vepër e Zotit. Unë në fakt isha i kënaqur që ai nuk ishte në dijeni të një abstrakti që kisha paraqitur në një konferencë, ku sugjeroja pikërisht se si universi kishte filluar. Nuk më pëlqente fare ideja të kisha të bëja përsëri me Inkuizicionin si Galileo.

Interpretim i rezultatit tonë, i cili përkrahet nga shumë shkencëtarë, është se Teoria e Përgjithshme e Relativitetit nuk vërtetohet në fusha shumë të fuqishme gravitacionale, të ngjashme me ato të fillimit të universit. Teoria duhet të zëvendësohet nga një teori akoma më e përgjithshme. Një arsye më shumë është se Relativiteti i Përgjithshëm nuk merr në shqyrtim struktura të vogla të materies, me të cilat merret teoria kuantike. Kur studiohet universi, përmasat e tij janë jashtëzakonisht të mëdha, të pakrahasueshme me përmasat e lëndës që merren në shqyrtim nga teoria kuantike. Por, kur universi ka përmasat e Plankut – trilioni i trilionit të trilionit të centimetrit, të dy shkallët janë të krahasueshme e për rrjedhojë teoria kuantike duhet marrë në konsideratë.

Me synimin për të kuptuar origjinën e universit, ne na duhet të kombinojmë Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit me Teorinë Kuantike. Mënyra më e mirë, me sa duket, për të patur rezultate të kënaqshme, duket përdorimi i idesë së Feynman: e shumës përgjatë historisë. Richard Feynman ishte një burrë plot gjallëri, që kombinonte bukur pasionin me muzikën në Pasadena dhe fizikanin e shkëlqyer në Institutin Kalifornian të Teknologjisë. Ai propozoi se një sistem mund të shkojë nga gjendja A në gjendjen B sipas çdo rruge a ngjarjeje të mundshme. Çdo rrugë a ngjarje ka një amplitudë ose intensitet të caktuar. Propabiliteti i kalimit të sistemit nga A në B mund të merret nga shuma e amplitudave të të gjitha rrugëve. Nëse kemi ngjarjen që hëna shumë shpejt do të bëhet djath, amplituda e një ngjarjeje të tillë është shumë e vogël e me siguri nuk do të kënaqi aspak minjtë. Propabiliteti i gjendjes së universit në kohën që jetojmë mund të merret nga shuma e amplitudave të të gjitha ngjarjeje që kanë çuar në një gjendje të tillë – në gjendjen në të cilën është sot. Por si ka filluar historia?  Kjo është pyetja fillestare, por e shtruar tashmë me nuanca të tjera.  Mos duhet verdikti i një Krijuesi për të treguar se si duhet të fillojë universi? Apo gjendja fillestare e universit, njësoj sikurse gjithë universi, është e përcaktuar nga ligjet e shkencës? Në fakt, një pyetje e tillë duhet të ngrihet, edhe nëse universi ka filluar në një kohë pafundësisht të largët (në të shkuarën). Një pyetje e tillë është akoma më emergjente nëse thuhet se universi ka filluar vetëm 15 miliard vjet më parë. Problemi se çfarë ndodhi në fillim të kohës, është pak a shumë e ngjashme me pyetjen se çfarë ndodh në cepat e botës, kur besohej se bota ishte e sheshtë. Është bota e sheshtë, me detin që derdhet nga anët e saj? Unë e kam provuar këtë eksperimentalisht. I kam rënë përreth botës, dhe nuk kam rënë. Sikurse e dimë të gjithë, problemi se çfarë ndodh në fund të botës, u zgjidh kur njerëzit zbuluan se bota nuk është e rrafshët, por e rrumbullakët. Në lidhje me kohën, duket se gjërat janë ndryshe. Koha duket e ndarë nga hapësira. Përfytyroni modelin e shinave të trenit. Nëse ka një fillim, atëhere na duhet të nisim trenin. Teoria e Përgjithshme e Relativitetit të Ajnshtajnit unifikoi kohën dhe hapësirën, por akoma koha ishte e ndryshme nga hapësira, si një korridor, i cili ka një fillim e një fund ose zgjatet në pafundësi. Sidoqoftë, nëse dikush kombinon Relativitetin e Përgjithshëm me Teorinë Kuantike, sikurse Jim Hartle dhe Unë bëmë, atëhere kohën mund ta marrim si një tjetër drejtim të hapësirës, në kushte të veçanta. Kjo do të thotë se mund të heqim qafe problemin se koha ka një fillim, në të njëjtën mënyrë sikurse shpëtuam nga anët apo fundi i botës (në sensin gjeografik). Supozoni se fillimi i universit ishte njësoj si Poli Jug, me koordinatën gjerësi në rolin e kohës. Universi duhet të fillojë në një pikë, si Poli i Jugut. Ndërkohë që nisemi drejt veriut, rrethi i pikave me të njëjtën gjerësi gjeografike, që përfaqëson përmasat e universit, do të zgjerohet. Pyetja se çfarë ndodhi përpara fillimit të universit bëhet e pakuptimtë, sepse nuk ka Jug në Polin e Jugut.

Koha, e matur në gjerësi gjeografike, mund të ketë një fillim në Polin Jug, por vetë Poli Jug është si çdo pikë tjetër, të paktën kështu më kanë thënë. Unë kam qenë në Antarktidë, por jo në Polin e Jugut. Të njëjtat ligje të Natyrës zbatohen edhe në Polin e Jugut, njësoj sikurse në çdo pikë tjetër. Kjo mund të na ndihmojë në heqjen dorë nga mendimi i një fillimi në kohë të universit, por nga ana tjetër mund të na ndihmojë të kuptojmë se ka vende ku ligjet normale nuk zbatohen.

Fillimi i universit duhet të jetë bërë sipas ligjeve të natyrës. Pamja që paraqesim Jim Hartle dhe Unë, është ajo e një krijimi kuantik të rastësishëm të universit, të ngjashëm me krijimin e bulëzave të avullit në ujin që vlon. Ideja është se mundësia më e madhe e historisë së universit duhet të jetë e ngjashme me sipërfaqen e bulëzave. Gjatë zjerjes së ujit shfaqen e zhduken një sasi e madhe bulëzash uji. Një proces i tillë është i ngjashëm me krijimin e zhdukjen e një sërë universesh, të cilët mund të zgjerohen, por shpërthejnë shpejt, duke qenë akoma në përmasa mikroskopike. Sigurisht që ekziston mundësia e ekzistencës së universeve alternativë, por që nuk paraqesin shumë interes për studimin tonë sa kohë që nuk zgjasin aq në kohë sa të mund të çojnë në krijimin e galaksive e yjeve, aq më tepër në zhvillimin e jetës inteligjente. Megjithatë, pak nga këto bulëza, arrijnë të marrin përmasa të tilla, të cilat mund të jenë të sigurta në një farë mënyre nga ndonjë shpërthim. Ato vazhdojnë të zgjerohen e rrisin përmasat dhe formojnë bulëzat që ne shohim. Përshkrimi i mësipërm vlen për universet që mund të zgjerohen në fazën në të cilën janë. Ky proces quhet inflacion, njësoj sikurse inflacioni në ekonomi me çmimet që rriten çdo vit.

Bota e mban mend inflacionin në Gjermani mbas Luftës së Parë Botërore. Çmimet u rritën me afro 10 milion herë gjatë një periudhe prej 18 muajsh. Por kjo nuk është asgjë me inflacionin në fillimet e universit. Universi zgjerohej me miliona triliona e triliona në fraksione të sekondës. Por, ndryshe nga inflacioni i çmimeve, inflacioni i një universi është një gjë e mirë. Ai prodhon një univers shumë të madh e uniform, tamam ashtu sikurse ne e shohim.  Sidoqoftë, jo tërësisht uniform. Në shumën e historive, histori që janë shumë pak të parregullta, duhet të ketë propabilitet të lartë sa historia e rregullt dhe tërësisht uniforme. Rrjedhimisht teoria parashikon se në fillimet e universit, ai duhet të jetë pak jo uniform. Këto parregullsi do të prodhojnë ndryshime të vogla në intensitetin e sfondit të mikrovalëve kozmike që vijnë nga drejtime të ndryshme. Ekzistenca e një sfondi me mikrovalë është zbuluar nga sateliti dhe përputhet tërësisht me parashikimet teorike. Për rrjedhojë, mund të themi se si fillim jemi në në rrugën e duhur.

Parregullsitë në universin e hershëm do të thotë se në disa zona duhet të kemi densitet më të madh se në të tjera. Tërheqja gravitacionale e zonave me gravitet ekstra do të zvogëlojë zgjerimin e zonës dhe ndoshta mund të shkaktojë formimin e galaksive dhe yjeve. Ne jemi produkt i  fluktacioneve kuantike në universin e hershëm. Zoti ka luajtur mirë kumar. Ne kemi bërë progres të jashtëzakonshëm në kozmologji në këta 100 vitet e fundit. Teoria e Përgjithshme e Realativitetit dhe zbulimi i zgjerimit të universit thërrmuan tabllonë e vjetër të një ekzistence të pafundme apo të një zgjatjeje të pafundme. Në të vërtetë, relativiteti i përgjithshëm parashikon se universi dhe koha vetë duhet të kenë një fillim në bing bang. Gjithashtu po e njëjta teori parashikon fundin në vrimat e zaza. Zbulimi i sfondit të mikrovalëve kozmike dhe vëzhgimi i vrimave të zeza përkrah rezultate të tilla. Ka një ndryshim thelbësor në tabllonë që kemi sot për universin dhe vetë realitetin. Ndonëse Teoria e Përgjithshme e Relativitetit parashikon se universi duhet të ketë ardhur nga një periudhë me kurbaturë shumë të lartë të së kaluarës, nuk na tregon se universi duhet të ketë lindur nga një bing bang.  Kështu, relativiteti i përgjithshëm nuk mund t’i përgjigjet pyetjes më të rëndësishme në kozmologji:  Pse universi është kështu si është?

Nëse relativiteti i përgjithshëm kombinohet me teorinë kuantike, mund të jetë e mundur të parashikojmë se si ka filluar universi. Ai duhet të zgjerohet deri në një masë të caktuar. Gjatë kësaj periudhe inflacioni, harmonizimi i dy teorive parashikon se fluktacione të vogla mund të çojnë në formimin e galaksive, yjeve dhe strukturave të tjeratë universit. Kjo është konfirmuar nga vëzhgimi i jo uniformiteteve të vogla në mikrovalët kozmike, me të njëjtat karakteristika saktësisht me ato të parashikuara teorikisht. Duket se jemi në rrugën e të kuptuarit të origjinës së universit, ndonëse do të duhet shumë më tepër punë e ndoshta shumë më tepër kohë. Një dritare e re në universin e hershëm do të hapet kur të kemi zbuluar valët gravitacionale nëpërmjet matjeve të sakta. Valët gravitacionale vijnë lirisht tek ne, që nga koha e universit të lashtë, të papenguara nga ndonjë formë e materies. Në të kundërt, drita që vjen nga hapësira mund të shpërndahet disa herë nga elektronet e lirë.

Pavarësisht disa sukseve të mëdha që kemi patur, nuk kemi qenë në gjendje të zgjidhim gjithshka. Ne nuk kemi akoma një përqasje të mirë teorike se pse zgjerimi i universit po përshpejtohet përsëri, mbas një periudhe të gjatë kur ky zgjerim ishte zvogëluar. Pa kuptuar procese të tilla, ne nuk mund të jemi të sigurtë për të ardhmen e universit. Do të vazhdojë të zgjerohet përgjithmonë? A është inflacioni një ligj i natyrës? Apo universi me gjasa do të shpërthejë përsëri? Së shpejti presim të kemi rezultatet e vëzhgimeve të reja si dhe teori më të avancuara mbi bazën e këtyre vëzhgimeve. Kozmologjia është një subjekt tepër tërheqës dhe aktiv. Ne po i afrohemi gjithmonë e më shumë pyetjes së vjetër: Pse jemi këtu? Nga vimë?

Faleminderit që më dëgjuat.

 

Histori nga fshati ynë global

Universiteti i Europës Qendrore, në Hungari, i financuar nga Soros rrezikon mbylljen

Ose histori nga fshati ynë global

Informacioni është përshtatur nga BBC, dt. 31 mars 2017

Universiteti i Europës Qendrore (Central European University, akronimet nga anglishtja, CEU) është një institucion i themeluar dhe regjistruar në Shtetin e New York-ut më 1991, si një universitet i pavarur e privat, që ofron studime Master e PhD dhe ku, aktualisht, gjenden të regjistruar 1,440 studentë, konkretisht, 335 nga Hungaria, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga 107 vende. Universiteti mbështetet financiarisht, nga dita e parë e krijimit dhe deri më sot, nga miliarderi G. Soros. Por pavarësisht se është themeluar në ShBA, universiteti vepron vetëm në Hungari.

Situata është turbulluar këto ditë, pas nismës së qeverisë hungareze të krahut djathtë për hartimin e një ligji që kërkon rishikimin e veprimtarisë së të gjithë universiteteve të huaja që operojnë në vend (afro 29), përfshirë edhe Universitetin e Europës Qendrore. Por drejtuesit e CEU pretendojnë se ligji po hartohet vetëm për ta. Synimi është mbyllja e CEU.

Çfarë ka ndodhur? Në fakt, Kryeministri i vendit, Viktor Orban, ka një lidhje direkte me Soros. Menjëherë me përmbysjen e komunizmit, Mr. Orban fitoi një të drejtë studimi për në Oxford, por shpenzimet u mbuluan nga një bursë e ofruar nga Soros. Miqësia e atyre ditëve sot është shndërruar në armiqësi, pas akuzave të Orban për Soros se kërkon protagonizëm në jetën politike të vendit dhe po mbështet rritjen e numrit të emigrantëve në Europë. Por armiqësia e Orban ka gjetur aleatin e saj më të mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, – vetë presidentin, z. Donald Trump.

Nëse ligji aprovohet në parlament, universiteti do mund të vazhdojë punën me plotësimin e dy kushteve kryesore: 1. nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërqeveritare ndërmjet Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Trump, dhe kryeministrit të Hungarisë, z. Viktor Orban, 2. ndërtimin e një kampusi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në shkurt të vitit 2018. Sipas BBC-së, kushti i parë është i pamundur të realizohet politikisht, ndërsa kushti i dytë është i pamundur të realizohet fizikisht.

Akoma, ligji i ri i kërkon universitetit CEU të ndryshojë emrin, të ndërtojë një kampus në New York, të ndryshojë kurrikulën dhe t’i nënshtrohet jo vetëm ligjeve të qeverisë hungareze, por edhe të asaj amerikane. Situata është në zhvillim.

Përshtati: V. Nathanaili

who’s who – Aleksandër Xhuvani Nga Valbona Nathanaili

who’s who – Aleksandër XHUVANI (1880 – 22 nëntor 1961)

Nga Valbona Nathanaili (shkëputur nga libri “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe”)

Studimet e larta i kreu në Athinë për filologji. Veprimtarinë e tij arsimore dhe pedagogjike e filloi si mësues i gjuhës shqipe në kolegjin arbëresh të Shën-Mitër Koronë, gjatë periudhës 1906-1909, punë që e kishte filluar atje patrioti, poeti dhe mendimtari i shquar i arbëreshëve të Italisë, Jeronim De Rada. Me shpalljen e Pavarësisë kthehet në atdhe. Dhjetor 1909 jep mësim në Normalen e Elbasanit dhe drejtor i saj gjatë viteve shkollore 1913-1914; 1917-1920; 1922-1929; 1933-1938. Pjesëmarrës në kongreset arsimorë të viteve 1920, 1922 dhe 1924.

Anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës dhe, më 22 tetor 1920, me dekret të Këshillit të Naltë emërohet kryetar i Komisisë Letrare, me rrogë mujore 500 fr. ar. Teksti i emërimit përmban (Burimi: Arkivi i Shtetit Shqiptar):

  • Na, Këshilli i Shtetit Shqiptar… presim prej teje besnikëri në punë e në detyrë dhe shërbime të drejta, me ndërgjegje të pastër e kombëtare për shtetin tonë e Shqipërinë. Ne duam të na apish fjalën e nderit dhe besën, duke u betuar para nesh”.
    “Unë do të kryej detyrën që më ngarkoni me ndërgjegje e me therori, duke ruajtur ligjet e Shteti Shqiptar e do të jem gjithnji besëtar përpara Këshillës Shqiptare, ruajtësi i Indipendencës të Shqipnis e i Flamurit t’onë.
    Këshilla e Naltë e Shtetit Shqiptar” / Firmosur: Aqif Elbasani

Më 12 dhjetor 1921 emërohet zëvendës ministër i arsimit (dekreti i emërimit mban përsëri firmën e Aqif Elbasani, Burimi: Arkivi i Shtetit Shqiptar).
Kreu një punë të madhe e shumë të vlefshme për krijimin e pasurimin e letërsisë mësimore, si dhe pajisi shkollën me shumë tekste të gjuhës, letërsisë e shkrimeve pedagogjike. Më 1925, duke qenë drejtor i Normales, e thërrasin në Tiranë si anëtar të komisionit të krijuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit, ku merret me rishqyrtimin dhe përmirësimin e të gjitha programeve të shkollave, përpilimin e rregulloreve të shkollave e të internateve; përgatit rregulloret e bursave; harton programe e tekste për gjimnazin e parë shqip që u çel në atë kohë në Tiranë, autor i shumë teksteve shkollorë të kësaj periudhe.

Mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm në qeveritë e kryesuara nga Kostaq Kotta (Qeveria e dytë mbretërore, Ministër i Arsimit Abdurrahman Dibra, 1929) dhe ato të kryesuara nga Pandeli Evangjeli (mars 1930 – prill 1932, ku Ministra Arsimi janë, përkatësisht, Hil Mosi dhe Mirash Ivanaj). Anëtar i Institutit Shqiptar të Studimeve (me dekret të mëkëmbësit të mbretit); shkurt 1940 – qershor 1940 punon si drejtor në Gjimnazin e Shkodrës.

Ministri i Arsimit, Koço Muka, për vitin shkollor 1942-1943, vendos krijimin e një komisioni, të përbërë prej arsimtarësh të sprovuar në çështjet arsimore, që do të merret me shqyrtimin e imtë të të gjitha lëndëve mësimore që zhvillohen në shkollat fillore e të mesme, si dhe me modifikimin e legjislacionit në fuqi. Komisioni do të merret edhe me programet “që të përmirësohen e plotësohen për t’ju përshtatur frymës së shkollës kombëtare”. Gjithashtu, ky komision do të shfaqë mendim për tekstet shkollore që duhet të nxirren jashtë përdorimit, si të papërshtatshëm për qëllimin kombëtar të shkollës, si dhe për ato që do mund të vazhdojnë të përdoren, por duke treguar ndryshimet që mund të bëhen, në mënyrë që të jenë në pajtim të plotë me nevojat dhe interesat e shkollës. Komisioni kryesohet nga Aleksandër Xhuvani.

Pas çlirimit, më 1946, me fillimin e reformës arsimore, punon si punonjës shkencor për hartimin e teksteve dhe programeve të reja të gjuhës e të letërsisë pranë Ministrisë së Arsimit; drejtues i seksionit të Gjuhës e Letërsisë të Institutit të Studimeve (Instituti i shkencave) gjatë periudhës janar 1947-shtator 1953 dhe anëtar i Presidiumit të tij gjatë periudhës 1947-1957; Anëtar i Asamblesë Kushtetuese 2 dhjetor 1945, deputet i Kuvendit Popullor në shumë legjislatura dhe nënkryetar i presidiumit për shumë vjet, gjer në fund të jetës.

Në vitet ‘950 jep mësim në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës.

Botime (listuar jo të gjitha)

Xhuvani u bashkua me mendimin për të marrë si “gjuhë shkrimi” dialektin e Elbasanit. Në Kongresin Arsimor të Lushnjës (1920) thekson se baza e gjuhës së teksteve shkollore duhet të jetë jo thjesht e folmja e Elbasanit, por “dialekti i Elbasanit me disa përmirësime”.

Shtjelloi një veprimtari sistematike, të shumanshme të gjerë e të frytshme si lëvrues i studiues i gjuhës shqipe, strukturës gramatikore dhe visarit leksikor të saj; drejtoi punën për kodifikimin e drejtshkrimit dhe hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimorë 1948, 1951, 1953 e 1956.

Më 1906 boton “Për themelimin e një gjuhe letrare”, në revistën “Albania”, me pseudonimin Dok Sula. Më 1925 boton Njohunit e para të syndaksës shqipe – pjesa e parë për klasat e nalta të fillores, Tiranë.

Më 1923, në bashkëpunim me Pertev Pogonin, boton “Abetar për shkollat fillore të Shqipërisë”. Libri ka 94 faqe dhe është me ilustrime. Vlorë: Shtypshkronja “Vlora”. Seria e botimeve të Ministrisë së Arsimit. Më vitin 1927, vepra botohet e përmirësuar dhe shtypet në Tiranë: Mbrothësia e Kristo Luarasit. Botimi i ri ka një numër më të vogël faqesh, 88. Përmban përsëri ilustrime.

Më 1926 boton Fillime të pedagogjisë, Pjes’ e dytë: Didaktikë e edukatë, botim i M. s’Arsimit, Elbasan, shtyp. Elbasan, 187 faqe, një skicë përmbledhëse e didaktikës dhe edukatës, të cilën e zgjeron më tej në dy vepra të veçanta dhe solide: Fillime të pedagogjisë. Pjes’ e parë: Psikologji e shtime në punë t’edukatës, për shkollat normale e për mësuesit e fillorevet, e pëlqyeme prej M. s’Arsimit, Tiranë: Shtëpia Botonjëse Luarasi, 1933 dhe Fillime të pedagogjisë. Pjes’ e dytë: Didaktika, Tiranë: Shtëpia Botonjëse Luarasi, 1937.

Më 1928 Aforizma pedagogjike, “Mësuesi”, Tiranë, nr. 7-8, 1928, f. 218-221.

Më 1930, së bashku me Kostaq Cipon botojnë tekstin “Fillime të stilistikës e të letërsisë së përgjithshme”. Një ribotim të veprës gjejmë në Prishtinë, nga shtëpia botuese Rilindja (me 228 faqe), më vitin 1982, me redaktor Sabri Hamitin.

Më vitin 1943, boton përmbledhjen (në grup) “Bota shqiptare”, si pjesë e serisë së librave “Libra shteti për shkolla të mesme”:

  • “Bota shqiptare”, libër leximi për kursin e naltë të shkollave të mesme. Botim i Ministrisë së Arsimit. Tiranë, 1943. Libra shteti për shkolla të mesme. Nr. 3, 615 f. Shtypun në Ngrehinën Typografike “Gurakuqi”. Mbledhur  e punuar nga Ernest Koliqi, Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi dhe Eqrem Çabej.

Ndër studiuesit e parë të fjalëformimit, morfologjisë e sintaksës; hartoi punime për kategori të ndryshme të gramatikës, si “Origjina dhe formimi i ndajfoljeve në shqipet”, 1949; “Pjesorja në shqipet” (1954); “Paskajorja në gjuhën shqipe” (1960); “Parafjalët” (1964).

Më 1956 botoi librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”. Në këtë libër, përmbledh rreth 300 fjalë të huaja të radhitura alfabetikisht. Shumica e tyre, mbi 260, janë me prejardhje prej gjuhëve neolatine (prej frëngjishtes e italishtes), rreth 30 janë fjalë turke dhe 5-6 të tjera fjalë sllave e greke. Këto janë, përgjithësisht, fjalë me përdorim të përgjithshëm, që ndesheshin (një pjesë edhe ndeshen) jo rrallë në të folurit e përditshëm, ashtu edhe në shtyp, në radio e në botimet masive. Për secilën prej tyre Prof. A. Xhuvani tregon se si mund të thuhet në shqip dhe jep edhe nga një tog shembujsh me togfjalësha e fjali ku fjala e huaj është zëvendësuar me fjalët a shprehjet shqipe përkatëse.

Në bashkëpunim me Çabej harton dy trajtesa: “Parashtesat” 1956 (ribotuar, 1975) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” 1962 (ishte ndarë nga jeta). Njohësi më i mirë i visarit leksikor të gjuhës shqipe.

Riboton “Fjalorin e gjuhës shqipe” të Kostandin Kristoforidhit më 1961 duke i dhënë një jetë të re këtij fjalori; dha një ndihmesë të vlefshme edhe për “Fjalorin e Gjuhës Shqipe” 1954. Një ndihmesë të mirë i ka dhënë leksikologjisë shqipe dhe teorisë e praktikës së leksikografisë sonë me shkrime e punime të ndryshme, me artikuj e recensione, ndër të cilët mund të përmendim “Kritikë mbi fjalorë të shqipes” 1934; “Çështja e fjalorit të gjuhës shqipe” 1957.

Më 1961 transliteron dhe boton “Fjalor shqip-greqisht hartuar së pari me alfabet greqisht dhe botuar në Athinë më 1904” të Kostandin Kristoforidhit. Botimi ka 397 faqe dhe është botim i Universitetit të Tiranës.

Kontributi i A.Xhuvanit në fushën e psikologjisë ishte i lidhur drejtëpërdrejt me hartimin e tekstit të psikologjisë, me studimet për dukuritë e ndryshme psikike. Vepra më e rëndësishme e tij në fushën e psikologjisë ishte ajo me titull “Fillime të pedagogjisë. Pjesa e parë. Psikologji e shtime në punë t’edukatës për Shkolla Normale e për mësuesit e filloreve”, prej 272 faqesh, botuar në Tiranë më 1933. Për hartimin e kësaj vepre Xhuvani punoi për shumë vite dhe u mbështet në përvojën personale si mësues i psikologjisë në Shkollën Normale të Elbasanit.  Vepra, pas hyrjes, ndahet në tre pjesë. Pjesa e parë titullohet “Të njohurit”. Aty analizohen proceset psikike njohëse. Pjesa e dytë me titull “Të ndiemit e vetvetes” analizon proceset emocionale dhe pjesa e tretë, “Të dashunit” ndalet kryesisht tek vullneti. Gjatë gjithë veprës janë shpjeguar dukuritë psikike, bazat fiziologjike dhe eksperimentale, zhvillimi historik e etnogjenetik së bashku me karakteristikat e tyre. Autori gërsheton elementët e psikologjisë fëminore, pedagogjike dhe, në raste të caktuara, edhe ato të psikologjisë patologjike dhe eksperimentale. Në fund të trajtimit të çdo dukurie psikike, A.Xhuvani i kushton vëmendje përcaktimit të detyrave të prindërve e të mësuesve për zhvillimin e edukimin e drejtë të këtyre dukurive. Xhuvani vlerëson rolin e psikologjisë në punën e mësuesit e të shkollës. Në këtë tekst Xhuvani ka bërë një punë tepër të kujdesshme për terminologjinë psikologjike  në gjuhën shqipe. Teksti mbyllet me një fjalorth prej 253 fjalësh në shqip, italisht dhe gjermanisht.

Me vlerë dhe interes të veçantë për shkencën e psikologjisë paraqitet edhe teskti tjetër i A. Xhuvanit, me titull “Fillime të Pedagogjisë”. Pjesa e dytë. Didaktikë e edukatë për klasën e tretë të Shkollës Normale” (1926, 1937). Në këtë vepër psikologjia vihet në themel të trajtimit të Didaktikës. Ai shtron kërkesën që mësimi të lidhet me një stërvitje e shtjellim të mendjes, me ndjenjat e vullnetin, me një kujtesë të mirë e një fantazi të gjallë, me një zotësi e një të menduar të mprehtë e të drejtë. Kërkon që mësuesi të njohë veçoritë psikologjike të nxënësve t’i nxitë të mendojnë vetë. Përveç këtyre dy teksteve, kontributi i Aleksandër Xhuvanit në fushën e psikologjisë është i lidhur edhe me disa punime, studime e botime. Në mënytë veçantë spikasin studimet e botuara si: Kujtesa, Fantazia, Personaliteti, “Historiku i qendrave të interesës”,  etj.

Përkthime (listuar jo të gjitha) 

I pari përkthim i Aleksandër Xhuvanit, me pseudonimin Dok Sula është një prozë e shkurtër me titull “Çansim i dashurisë”, Albania, 1906. Punën e përkthimit e vazhdon me tregimin “Mësimi i sprasmë”, të shkrimtarit Alfons Dode, botuar në “Kalendari Kombiar”, Sofje, 1913, f. 123-130. Përkthen në prozë odën “Pesë maj” të Aleksandër Manxonit, botuar në Shkëndija, viti I, 1940, nr. 3, f. 27.

Për këtë të fundit, Xhuvani shkruan:

  • Kjo poemë asht një odë e naltë dhe e bukur… U përkthye në shumë gjuhë, si edhe në gjermanishte prej Gëtes… Po e përkthejmë këtu në prozë, ashtu si ua pata mësue dikur nxanësvet të mi në shkollën Normale t’Elbasanit.

Përveç këtyre përkthimeve, Xhuvani përshtati skicën Nëna të Turgenievit, botuar në Antologji, Tiranë, 1946 dhe Tojat e Ibikut, të Shilerit, botuar në Antologji, Tiranë, 1947.

Çmime dhe nderime (listuar jo të gjitha)

Në qershor 1929, dekorohet me urdhrin “Komanduer i Urdhnit Skënderbeg”, për punë të shquar në dobi të shkollës shqip (foto në të majtë).

Dekoruar me Urdhrin e Lirisë së Klasit të Parë, me rastin e 80 vjetorit të lindjes. Mësues i Popullit.

Burime

  • Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë (1986). Studime filologjike dhe pedagogjike për nder të prof. dr. Aleksandër Xhuvanit. Tiranë.
  • Papakristo, S. (1986). Në Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Studime filologjike dhe pedagogjike për nder të prof. dr. Aleksandër Xhuvanit. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë.
  • Temo, S. (1986). Në Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Studime filologjike dhe pedagogjike për nder të prof. dr. Aleksandër Xhuvanit. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë.
  • Bala, V. (1986). Në Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Studime filologjike dhe pedagogjike për nder të prof. dr. Aleksandër Xhuvanit. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë.
  • Lafe, E. (1986). Në Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Studime filologjike dhe pedagogjike për nder të prof. dr. Aleksandër Xhuvanit. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë.

Shënim

Bibliografia e plotë e Aleksandër Xhuvanit gjendet në “Studime filologjike dhe pedagogjike për nder të prof. dr. Aleksandër Xhuvanit”, Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, f. 725-741 dhe numëron 338 artikuj, studime, vepra, botime e ribotime.

Foto kryesore: Faksimile e një prej qarkoreve dërguar shkollave, firmosur në emër të ministrit të Arsimit, nga Aleksandër Xhuvani.

Foto e dytë: Aleksandër XHUVANI