Arianna Huffington: Pengesat më të mëdha janë dyshimi te vetvetja dhe mosaprovimi i të tjerëve

Kur Arianna Stasinopoulos ishte adoleshente, në Greqi, më vitet 1960, papritmas i lindi një pasion, një ëndërr. Ndërsa shfletonte një revistë, pa një foto të Universitetit të Cambridge, në Angli. Ishte vetëm trembëdhjetë vjeç, por menjëherë vendosi se ishte i vetmi vend ku duhej të kryente studimet. Por të gjithëve që u tha për vendimin e saj, edhe shokëve dhe shoqeve, e vlerësuan si ide qesharake. Ishte vajzë, universiteti ishte shumë i shtrenjtë dhe, për më tepër, jo vetëm që ishte një më të njohurit në të gjithë botën, por edhe nuk kishte asnjë lidhje atje. Shumë shpejt, të gjithë e harruan bisedën e bërë, sepse asnjë nuk e mori seriozisht. Asnjë, me përjashtim të vetë Ariannës. Dhe të një personi tjetër.

 Mamasë! Mamaja vendosi se duhej të zbulonin nëse ëndrra e së bijës kishte, sikur edhe gjasën më të vogël, të shndërrohej në realitet. Pyeti dhe mësoi se Arianna mund të aplikonte për një bursë. Gjeti edhe biletat e avionit, “për të vajtur fizikisht, deri në Angli, dhe të shihnin me sy Cambridge-n. Gjë që është shembulli perfekt i asaj që sot e quajmë vizualizim”. Fluturimi deri në Londër ishte i gjatë dhe gjithë kohës që ishin në Cambridge ra shi. Arianna dhe mamaja nuk takuan asnjë nga universiteti. Thjesht u sollën vërdallë nëpër kampus dhe përfytyruan si do të ishte po të jetoje aty. Me një ëndërr edhe më të fortë e reale, Arianna aplikoi me të mbaruar shkollën e mesme.

Për kënaqësinë e saj dhe habinë e surprizën e të gjithëve (me përjashtim të mamasë), Cambridge e pranon Ariannën – dhe i ofrojnë edhe bursë studimi. Në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare zhvendoset në Angli dhe ndjek studimet në Universitetin e Cambridge-t. Diplomohet me Master në Ekonomi. Në moshën njëzet e një vjeçare është femra e parë që merr presidencën e klubit të famshëm të debatit, në “Cambridge Union”.

Sot jeton në ShBA, është autore e njëmbëdhjetë librave që trajtojnë tema historike, kulturore dhe politike, shkruan artikuj editorialë në një gazetë kombëtare dhe drejton një tavolinë të rrumbullakët ku trajtohen tema politike, me temë E majta, e djathta dhe qendra, në një radio publike kombëtare. Më maj 2005, themelon Huffington Post, një ueb me lajme dhe blog, që është shndërruar “në një nga më të lexuarit dhe më të cituarit e mediave në Internet”. Më vitin 2006, revista Time e vendos në listën e njëqind njerëzve më me ndikim në botë.

Marrë në konsideratë sukseset e arritura, Huffington shprehet se pengesat më të mëdha janë dyshimi te vetvetja dhe mosaprovimi i të tjerëve. Pengesa që janë edhe më të theksuara te gratë:

  • “Kur ftoj gra të ndryshme të shkruajnë për blogun e Huffington Post, habitem sa shpesh dëgjoj të thonë se e kishin të vështirë të besonin se ajo që shkruanin kishte vlerë… edhe kur ishin shkrimtare të njohura. Kështu, shpesh mendoj që ne, gratë, ndalojmë së provuari, sepse nuk na pëlqen të marrim riskun e dështimit. Për ne është një lloj çmimi ‘miratimi nga të tjerët’ dhe nuk e duam riskun.”
  • “Gratë vazhdojnë të kenë një marrëdhënie jo të lehtë me pushtetin dhe me tiparet që duhet të ketë një udhëheqës. Është ajo frika e brendshme që na thotë, se nëse do të jemi vërtet të pushtetshme do të konsiderohemi si të vrazhdëta, ose shtytëse, ose të ashpra – epitete që godasin direkt feminitetin tonë. Akoma jemi duke punuar për të tejkaluar frikën, se pushteti dhe mangësitë në feminitet janë, respektivisht, ekskluzive.”

Huffington deklaron se kanë qenë dy faktorë kryesorë që e ndihmuan të ndiqte ëndrrën e adoleshencës. Së pari, nuk e kuptova plotësisht se në çfarë rrethesh po hyja: “Shijen e parë të udhëheqjes e mora kur isha tërësisht një e jashtme injorante. Ndodhi në kohën e kolegjit, kur u zgjodha presidente e Klubit të Debatit të “Cambridge Union”. Duke qenë se isha rritur në Greqi, nuk kisha dëgjuar kurrë për “Cambridge Union” ose “Oxford Union”, sikundër nuk njihja vendin që zinin në kulturën angleze. Në rrjedhojë, nuk kisha asnjë paragjykim, të llojit të rëndësisë që kishin, të cilat ndoshta pengonin vajzat britanike edhe të mendonin se mund ta provonin për një pozicion të tillë… Në këtë mënyrë, them se kam qenë e bekuar që e fillova karrierën jashtë mjedisit tim të shtëpisë. Sigurisht që kisha problemet e mia, për shembull theksi im ishte qesharak dhe shpesh kam qenë edhe objekt humori për mënyrën e të folurit. Por në të njëjtën kohë mësova, se është më e thjeshtë të tejkalohen gjykimet e të tjerëve, se sa gjykimet që ne vetë kemi për veten tonë, që shndërrohen në një frikë të brendshme.”

Së dyti, mbështetja e pakufizuar e mamasë. “Nuk besoj se gjërat që kam bërë në jetë, do të ishin të mundura pa ndihmën e saj. Mamaja më jepte siguri, më krijonte ndjesinë që nuk kishte rëndësi nëse do ia dilja a jo. Më jepte çfarë unë shpresoj t’u jap sot vajzave të mia, ndjesinë që duhej të synoja për lart, yjet, një synim që duhej kombinuar me dije të forta, por që edhe nëse nuk i arrija, nuk do më donte më pak. Më ndihmoi të kuptoj, se edhe dështimi është pjesë e jetës.”

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.