Andrea Nathanaili është një qytetar i mirë i vendit tim…

Nga Luan Rama

Andrea Nathanailin e njoh që prej vitit 1983. Ai mësues e unë nxënës në gjimnazin e Rrëshenit. E për 36 vjet me radhë mbetëm miq, konstant në respektin e ndërsjellë, pavarësisht kohës e dallgëve a rrjedhave të saj.

Unë e kam parë gjithmonë si mësues, e ai mua asnjëherë si nxënës, edhe kur unë isha vërtetë nxënësi i tij.

Në rrjedhë të viteve, respekti e vlerësimi im për të u bënë edhe më të konsoliduar, edhe më të ndjeshëm, pasi Andrea nuk të provokon ndjesi tjetër përveç respektit e mirënjohjes.

Mbeta pa fjalë kur dëgjova se e kanë arrestuar dhe, duke shpresuar se do të ishte lajthitje, prita që gjykata ta korrigjonte lajthitjen e prokurorisë në seancën procedurale të masës së sigurisë!

Por jo, e mbajtën në arrest për një akuzë që as nuk e kuptova e as nuk e kuptoj! Nuk është hera e parë dhe as rasti i vetëm që edhe gjykata lajthit. Paska ndikuar, thonë, për t’i hequr gjobën një subjekti (prej dy vitesh është në pension, ndonëse vazhdon të jetë Profesor i jashtëm, i lëndës “Legjislacioni në media”, që e ligjëron prej dhjetë vitesh, në Departamentin e Gazetarisë, pranë Fakultetit të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës), tek AMA (Autoriteti I Mbikëqyrjes Audiovizive). Mundet, këtë nuk e di.

Por di që Andrea është njeri shumë korrekt, është qytetar i mirë dhe kudo ka punuar ndershmërisht! Ata që e njohin, ata që kanë punuar me të mund të thonë të njëjtën gjë! Andrea nuk është nga ata njerëz që shkel ligjin. Nuk e ka bërë kurrë! Nuk ia lejon tradita e familjes, nuk ia lejon formimi, edukata, karakteri i tij. Unë nuk e di se çfarë ka në dosjen që po hetohet duke e mbajtur të arrestuar Andrean. Por unë di që Andrea Nathanaili, në 36 vjet që prej kur e njoh, kurrë nuk ka pasur lidhje me shkelësit e ligjit. Nuk e besoj të ketë as sot.

Unë nuk e di se përse po e mbajnë të arrestuar Andrea Nathanailin, por di që po mbajnë në burg një njeri që deri ditën kur doli në pension, punoi me përkushtim e ndershmëri, kudo që iu dha mundësia të shërbejë, prej ditës së parë, kur 23 vjeç djalë e emëruan mësues në rrethin e Mirditës.

Unë di që po mbajnë në burg një qytetar të mirë të vendit tim, ndërkohë që shumë të tjerë, shumë prej atyre që kapardisen në pushtet a opozitë, me lidhje gjithfarëshe me kriminelë e trafikantë, me të korruptuar e me ata që vjedhin e blejnë vota, janë ende në parlament, votojnë ligje e mbajnë fjalime për luftën kundër krimit e korrupsionit, pasi kanë dëgjuar një natë më parë zërin e tyre në përgjimet e prokurorisë si pjesëtarë të bandës së krimit të zgjedhjeve!

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.