Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë

Refleksione rreth librit ” Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë” Autor Valbona Nathanaili

Nga Alma Mile

Mes diplomatit krijues dhe krijuesit diplomat, shumica zgjedhin këtë të fundit, por fati e deshi që në rrethana të caktuara ata duhet të bënin diplomatin, pse jo diplomatin krijues, në varësi të situatave. “Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë”.

Kështu titullohet libri i autores Valbona Nathanaili, pjesë e kolanës “Scripta manent” i botimeve “UET Press”. Në këtë libër, format albumi, Nathanaili hedh dritë mbi atë çka arti dhe letërsia i ka dhënë diplomacisë dhe anasjelltas. Duke hedhur një sy të shpejtë, vëren se kontributi që njerëzit e artit dhe kulturës kanë dhënë në diplomaci nuk ka qenë aspak modest. Ka pasur mes tyre shkrimtarë, regjisorë, përkthyes, që kanë përfaqësuar dhe promovuar Shqipërinë në vende të ndryshme të botës, që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Rusi, në Francë, Çeki etj. Në shumë syresh lista e veprave në lëmë të kulturës dhe vlerësimet aty është pa dyshim më e gjatë se ajo në karrierën diplomatike. Udhën krijuesve në diplomaci duket se ua ka hapur pikërisht Faik Konica, ndërsa të tjerë do të vijonin deri ditëve tona, si Jusuf Vrioni, Pëllumb Kulla, Luan Rama, Ylljet Aliçka, Pirro Milkani, Teodor Laço, Misto Treska, Javer Malo. Janë bërë pjesë e këtij botimi edhe diplomatët Vasil Nathanaili, Arben Cici, Agim Nesho, Shaban Murati, me kontribute në sferën akademike dhe të botimeve në fushën e diplomacisë. Por ky libër nuk është shterues. Ai është vetëm vëllimi i parë, në pritje të një të dyti, në të cilin pritet të përfshihen edhe të tjerë emra të rëndësishëm të diplomacisë dhe letrave shqipe, si Besnik Mustafaj, Agim Isaku, Visar Zhiti, Neritan Ceka etj. “Që prej krijimit të shtetit shqiptar, bashkëjetesa mes ‘dy zanateve’ ka qenë e vazhdueshme, duke vendosur një marrëdhënie harmonike mes gjuhës dhe realitetit, duke e shndërruar atë në një traditë gati-gati të institucionalizuar”, shkruan Ylljet Aliçka në parathënien që shoqëron librin.


Libri
“Libri ka si synim kryesor të hulumtojë në fushën e diplomacisë shqiptare dhe të identifikojë kontributet e atij grupi përfaqësuesish të shtetit shqiptar në botë që janë “rekrutuar” nga fusha të krijimtarisë, përfshirë kulturën dhe sferën akademike. Akoma, të evidentojë llojin e komunikimit që kanë arritur të ndërtojnë e vendosin, sa kanë qenë të aftë të promovojnë Shqipërinë, vlerat e kulturës sonë”, shpjegon Nathanaili. Për nga mënyra se si është ndërtuar, libri do të mund t’u vinte jo pak në ndihmë studiuesve e studentëve, por edhe lexuesit kurioz, i cili përmes faqeve të këtij libri mund të gjejë një informacion të bollshëm mbi figurat e përzgjedhura në këtë botim. Për çdonjërin prej tyre gjejmë biografi, vepra, çmime, citime, vlerësime, faksimile dokumentesh, raportime nga përfaqësitë në të cilat shërbenin, problemet kryesore që kanë trajtuar në periudha të ndryshme, fotografi, që botohen për herë të parë etj.

“Nga dokumentet e hulumtuara, listimi i tematikës së çështjeve kryesore të diskutuara ose bërë prezent në marrëdhëniet ndërmjet Ministrisë sonë të Jashtme me shtetin përkatës, e integruar në jetëshkrimin dhe veprimtarinë e shumë prej ambasadorëve, mendoj se ndihmon për të krijuar një ide më të qartë jo vetëm për punën e kryer nga secili prej tyre, por edhe për natyrën që kanë pasur këto marrëdhënie, ose për të gjykuar si kanë evoluar nga viti në vit. Një burim i veçantë informacioni kanë qenë shkresat që përmbanin vendimin e emërimit në postin e ambasadorit. Edhe një shkresë e thjeshtë tregon shumë. Të ndihmon të kuptosh strukturën vendimmarrëse nga kanë ardhur propozimet dhe ku është marrë vendimi: Ministrinë e Jashtme, Kryeministri apo Presidencë. Akoma, nëpërmjet kësaj mund të gjykojmë për kulturën e institucionit e gjuhën e përdorur”, tregon Nathanaili, e cila zbulon edhe kuriozitete të tipit që, deri në fund të vitit 1950 vazhdon të përdoret fjala “zoti”, e cila më zëvendësohet nga “shoku”.

Ka dokumente që ende vulosen me V.F.L.P Vdekje Fashizmit! – Liri Popullit! Dhe të tjera që kanë ende simbolet e qeverisë të paraluftës.

Diplomatët

SHBA dhe OKB

  • Faik Konica Ambasadori i parë shqiptar në Shtet e Bashkuara të Amerikës (Ministër Fuqiplotë i Republikës, më vonë Mbretërisë së Shqipërisë në SHBA) 1926-1939
  • Pëllumb Kulla Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, përfaqësues i përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombëve të Bashkuara, New York, SHBA Dhjetor 1993-shtator 1997
  • Agim Nesho Përfaqësues i përhershëm (i dhjeti në radhë) i Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të bashkuara, New York 1997-2006 / Ambasador i ngarkuar, Shef i misionit shqiptar në SHBA 2005-2006

Jugosllavia dhe Rusia

  • Vasil Nathanaili – Sekretar i parë i Legatës së Republikës së Shqipërisë në Beograd, Jugosllavi 13 nëntor 1945-shkurt 1947 / I dërguari i jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë i RP pranë Presidiumit të Sovjetit Suprem të Republikave Socialiste Sovjetike, Moskë Tetor 1949-1953 / Ministër fuqiplotë i R.P.SH. në Sofje, Bullgari Gusht 1953-1954 / Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në R.P.SH., Pekin, R.P. Kinë 18 mars 1966-7 janar 1969 / Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i R.P.SH. në Mbretërinë e Kamboxhias (jo rezident) 16 maj 1966-7 janar 1969
  • Teodor Laço Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Federatën Rusë 2006-2008 / Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Kazakistan, Bjellorusi, Uzbekistan (jo rezident) 2006-2008

Franca

  • Javer Malo Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Francës Qershor 1967-shtator 1975 / Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Holandë, Belgjikë dhe Luksemburg (jo rezident) 1972-1975 / Ambasador i Shqipërisë pranë UNESCO-s Qershor 1967-shtator 1975
  • Misto Treska Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Francës 1979-janar 1981 / Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Holandë, Belgjikë dhe Luksemburg (jo rezident) 1979-1981 / Ambasador i Shqipërisë pranë UNESCO-s 1979-1981
  • Luan Rama Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Francës, Republikën e Portugalisë dhe principatën e Monakos 1997-2001 / I dërguar a.i. i Shqipërisë në Paris dhe Delegat i Përhershëm i Shqipërisë në UNESCO 1991-1993
  • Jusuf Vrioni Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, delegat i Përhershëm i Shqipërisë në UNESCO 1998-2001
  • Ylljet Aliçka Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Francës, Republikën e Portugalisë dhe Principatën e Monakos 2007-2013 / Ambasador i Shqipërisë pranë UNESCO-s 2008-2010

Çeki, Danimarkë, Maqedoni

  • Piro Milkani Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Çeke 1998-2002 / Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Sllovake (jo rezident) 1998-2002
  • Arben Cici Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Danimarkës Tetor 2010-tetor 2014-10-20 / Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë. Ambasador në Bosnje-Hercegovinë (jo rezident) Shtator 2000-gusht 2006 / Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Federatën Rusë. Ambasador në Bjellorusi, Moldavi, Armeni, Gjeorgji, Kazakistan dhe Uzbekistan (jo rezident) Tetor 1992-shtator 1995
  • Shaban Murati Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni 1993-1997 / Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Suedisë 2002-2007 / Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Finlandë, Norvegji, Islandë (jo rezident) 2002-2007
0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.