Ali Pasha – pjesë nga historia e një personi që ende bën histori

Gjatë vitit 1820 Ali Pashai, për shkak të shtatit të rëndë e kabá nuk ishte më në gjendje të ulej këmbëkryq, por ai sundonte një pashallëk që shtrihej nga Elbasani në veri (sot në Shqipërinë e Mesme) deri në Trikallë në jug të maleve të Pindit. Ky njeri i jashtëzakonshëm i ishte afruar mjaft krijimit të një shteti të vet të pavarur nëpërmjet masakrash, grabitjesh, një politike të jashtme të zgjuar dhe manovrimesh dinastike. Megjithëse përdorte armën e terrorit, ai siguroi shumë pasues nga gjiri i nënshtetasve osmanë me anë të një politike të shkathët klienteliste.

Baza e tij politike ishte më e gjerë nga çka mund të mendohet duke u nisur prej namit që kishte marrë si despot. Edhe pse funksionar osman, ai kurrë nuk diti më shumë se një tufë fjalësh turqisht, por fliste rrjedhshëm greqishten dhe gjuhën e vet amtare, shqipen. Gjatë gjithë karrierës dëshmoi aftësi të mëdha për të shfrytëzuar dallimet fetare e klasore të nënshtetasve e të armiqve të tij, duke i kundërvënë ndaj njëri-tjetrit. Deri para fillimit të kryengritjes greke nga Filiki Hetaria në mars të vitit 1821, Mahmudi II, i cili kishte pasuar Selimin III më 1806, si dhe administrata e Portës e kishin shpërfillur këtë organizatë, duke e quajtur të parëndësishme. Sipas tyre, pengesa kryesore për rivendosjen e autoritetit osman në Ballkan ishte Ali Pashai. Përkundrazi, Aliu e kishte kuptuar mirë rëndësinë e lëvizjes revolucionare greke dhe kishte filluar të studionte rrugët për bashkëpunimin e mundshëm me të. Ndërsa sulltani i shtonte përgatitjet për një mësymje frontale kundër kështjellës së Aliut në qytetin e Janinës në Epirin e Jugut, pashai u kthye me oportunizëm nga helenizmi.

“Revolucioni Grek”, ka theksuar një historian, “shpërtheu sepse osmanët gabimisht vendosën të nënshtronin të vetmin që mund ta kishte parandaluar atë kryengritje – Ali Pashain.” Në të hyrë të pranverës së vitit 1820, rreth 20.000 trupa osmane u grumbulluan para qytetit të Janinës. Të mbështetur nga një numër në rritje armatolësh grekë, forcat e Aliut bënë një qëndresë këmbëngulëse dhe u mbajtën deri në dimrin e ardhshëm. Dështimi i komandantit osman e shtyu Mahmudin të niste garnizone nga Peloponezi në drejtim të veriut për te kështjella e Aliut. Ndërkaq, kreu i Shoqërisë së Miqve, Aleksandër Ipsilantisi, shpërtheu kryengritjen e vet pa sukses në Principatat e Danubit më 6 mars 1821, duke kaluar lumin Pruth nga ana e territorit rus. Tri javë më pas, grekët e Peloponezit, duke përfituar nga mungesa e garnizoneve osmane, shpallën kryengritjen. Lufta Greke për Pavarësi kishte filluar.

Perandoria Osmane shpërtheu e zemëruar. Në Stamboll, Mahmudi II akuzoi patriarkun Gregorias se nuk kishte mundur të përmbante popullsinë e krishterë në Principatat e Danubit, në Peloponez, në Rumeli, në Maqedoni e në Thrakë. Në të hyrë të prillit, jeniçerët dhe bandat turke u lëshuan mbi popullsinë greke të qytetit. Robert Walsh-i, kapelani i ambasadës britanike, pa me sytë e vet sesi një djalë të ri “dy turq e vunë poshtë në gjunjë duke e shtypur për shpatullash dhe sesi një i tretë erdhi me një kamë në dorë… Me një goditje të vetme horizontale ai i preu kokën; trupin pa kokë ia hodhën në një pellg uji në mes të rrugës që ta shkelnin me këmbë kalimtarët, kurse kokën ia vunë për turp në mes të shalëve. Ekzekutorët pastaj vijuan rrugën duke ia lënë trupin dhe kokën që t’ia shqyenin qentë e mbledhur sakaq.” Në të Dielën e Dafinave, në një orvatje të dëshpëruar për t’i ndërprerë këto mizori, Gregoriasi shpalli çkishërimin e të gjithë atyre grekëve, që kishin ngritur krye kundër shtetit osman. Kjo masë nuk e kënaqi Mahmudin dhe gjashtë ditë më pas patriarku u rrëmbye nga një grup policësh osmanë, kur po kremtonte meshën, e u var te porta e Fanarit.

Vrasja e Gregoriasit shënoi fillimin e një fushate spastrimi me vrasje të hierarkisë ortodokse në disa vise të perandorisë. Në Smirnë, popullsia greke u dhjetua nga bandat, të cilat masakruan edhe kryemullain e qytetit si dhe disa nga paria turke, kur këta ndërhynë për të shpëtuar të krishterët.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.