Aleancat fatale për të qëndruar në pushtet

Në çdo demokraci, vjen një kohë që politikanëve u duhet të përballen me sfida të ashpra. Krizat ekonomike, rritja e pakënaqësisë së publikut dhe rënia e autoritetit të partive politike kryesore kalojnë në sitën e gjykimit edhe politikanët më me përvojë. Nëse në skenën politike shfaqet një i jashtëm, karizmatik dhe me popullaritet, i aftë të sfidojë politikën e deriatëhershme, për politikanët e karrierës që ndiejnë se po humbasin kontrollin, tundimi për të provuar bashkëpunimin me të është shumë i madh. Nga ana tjetër, nëse një nga politikanët e karrierës thyen radhët dhe u bashkohet turmave, përpara se ta bëjnë rivalët e tij, ai mund ta përdorë energjinë dhe bazën e të jashtme për t’ua hedhur kolegëve. Por në të dyja rastet, shpresa e politikanëve të karrierës është që gjithçka të zhvillohet në mënyrë të tillë, që të jetë mbështetje për programin e tyre.

Ky lloj pazari me djallin shpesh degjeneron në interes të të jashtmit rebel, sepse aleanca i siguron kushtet e mjaftueshme për t’u ndier legjitim në pushtetin e pretenduar.

Rasti Hugo Çavez

Venezuela gjithmonë është vetëmburrur me faktin e të qenit demokracia më e vjetër në Afrikën e Jugut, në fuqi nga viti 1958. Çavez, një oficer i ri ushtarak dhe drejtues i një grushti të dështuar shteti, një njeri që nuk kishte mbajtur kurrë një post publik, ishte i jashtëm për politikën. Por ngjitjes së tij drejt pushtetit iu dha një shtysë e mirë nga një i brendshëm i konsumuar i politikës: ish-presidenti Rafael Kaldera, një nga themeluesit e demokracisë venezuelase.

Për një kohë shumë të gjatë, politika venezuelase është dominuar nga dy parti politike: Aksioni Demokratik, një grupim i të majtës së qendrës, dhe Partia Social-Kristiane, një grupim i të djathtës së qendrës (njohur si COPEI). Të dyja partitë alternonin pushtetin, në mënyrë paqësore, për më shumë se tridhjetë vjet. Në fillimvitet 1970, Venezuela konsiderohej si model i demokracisë, në një rajon ku flitej vetëm për grushte shteti dhe diktatura. Gjithsesi, gjatë viteve 1980, ekonomia e vendit, me një varësi të theksuar nga nafta dhe çmimi i saj, u zhyt në një krizë të tejzgjatur rrënimi për më shumë se një dekadë dhe që pothuaj dyfishoi numrin të varfërve. Pa habitur asnjë, pakënaqësia në radhët e popullsisë venezuelase njihte vetëm rritje. Trazirat masive të shkurtit 1989 tregonin se partitë kryesore po përballeshin me vështirësi. Tre vite më pas, në shkurt 1992, një grup ushtarakësh të rinj ngrihen kundër presidentit Karlos Andrés Pérez. Grupi udhëhiqej nga Hugo Çavez. Rebelët vetëquheshin “bolivarë”, në nder të heroit të pavarësisë, Simón Bolívar. Grushti ushtarak dështoi. Por kur Çavez, tashmë i arrestuar, u shfaq në një stacion televiziv dhe foli direkt, duke u kërkuar mbështetësve të dorëzonin armët (sipas Çavez, ata ishin shndërruar tashmë në legjendë, ndonëse misioni, “për momentin”, kishte dështuar), në sytë e shumë venezuelasve, veçanërisht atyre të varfër, u vlerësua si hero. Në vijim të një grushti të dytë shteti në nëntor 1992, por përsëri të dështuar, i burgosuri Çavez vendos të ndryshojë strategji, duke bërë të vetën opsionin e fitimit të pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve. Por kishte nevojë për ndihmë.

Ndonëse ish-presidenti Kaldera (Rafael Antonio Caldera Rodríguez, 24.1.1916- 24.12.2009) ishte një burrë shteti i formuar më së miri, në vitin 1992 karriera e tij pothuaj ishte venitur. Katër vite më parë nuk ia kishte dalë të siguronte nominimin për president nga partia ku aderonte. Për momentin, konsiderohej thjesht një relikte politike. Por senatori shtatëdhjetegjashtë vjeçar akoma e mbante hapur sirtarin ku ruante ëndrrën e kthimit në zyrën presidenciale, ndërkohë që nevoja që kishte Çavez ishte kamerdarja për të cilën kishte nevojë. Natën që Çavez filloi grushtin e shtetit, ish-presidenti mori fjalën gjatë një sesioni të përbashkët të mbajtur në kushtet e emergjencës dhe shfrytëzoi kauzën e rebelëve për të deklaruar:

  • Është e vështirë t’u kërkosh njerëzve të sakrifikojnë veten për lirinë dhe demokracinë kur mendojnë, se liria dhe demokracia nuk janë në gjendje t’u japin ushqim për të ngrënë, nuk janë të afta të parandalojnë rritjen astronomike të kostos së jetesës, nuk mund ta ndalin përfundimisht kamxhikun e tmerrshëm të korrupsionit, që në sytë e gjithë botës po gllabëron, çdo ditë që kalon edhe më shumë, institucionet e Venezuelës.

Ky fjalim frymëzues ringjalli karrierën politike të Kalderas. I formatuar me sistemin antikushtetues të Çavez, përkrahja e ish-presidentit u bymye më së miri, gjë që i mundësoi të dilte i suksesshëm e fitonte një mandat të ri në zgjedhjet presidenciale të vitit 1993.

Flirtimi publik i Kalderas me Çavezin ndikoi më shumë se rritja e numrit të votave në kutitë e votimit për Kalderan. Ai shërbeu edhe si mjet për t’i dhënë një dimension të ri kredibilitetit të Çavezit. Çavez dhe komradët e tij duhej të akuzoheshin për shkatërrimin që kërkonin t’i bënin demokracisë tridhjetekatër vjeçare të vendit. Por në vend që të shkonin në gjyq për grusht shteti dhe kërcënim ekstremist, ish-presidenti u zgjati dorën dhe u ofroi simpatinë e publikut dhe bashkë me to, u hapi derën për t’i bërë pjesë të politikës së ditës të vendit.

Akoma, Kaldera i hapi edhe një derë tjetër Çavezit, atë të vetë pallatit presidencial, me një akt vdekjeprurës që ndërmori ndaj partive tradicionale të Venezuelës. Në një mënyrë jashtëzakonisht të qetë, braktisi COPEI-n, partinë që e kishte themeluar vetë afro gjysmë shekulli më parë, për të trumbetuar krijimin e një force të re të pavarur. Për të qenë korrekt, duhet të themi që partitë ishin në krizë, por ikja e Kalderas, si dhe fushata kundër partive tradicionale të vendit, ishin goditjet që i dhanë fund gjithçkaje. Sistemi i partive kolapsi pas zgjedhjeve të vitit 1993 që nxorën Kalderan si president. Në të njëjtën kohë, ky kolaps i shtroi rrugën e mirëseardhjes të jashtme, atyre që nuk i përkisnin tradicionalisht politikës. Pesë vjet më vonë do të ishte radha e Çavezit.

Nëse vazhdojmë të analizojmë ngjarjet e vitit 1993, duhet të vëmë në dukje se Çavez kishte akoma një problem të madh. Ai ishte në burg dhe priste të dilte në gjyq për tradhti. Por në vitin 1994, Kaldera-president shfuqizon të gjitha akuzat kundër tij. Ky veprim final i hap Çavezit në kuptimin e plotë të fjalës këtë radhë edhe derën e fundit që e kishte të mbyllur, atë të burgut. Sapo lirohet, një gazetar e pyet Çavezit se për ku është nisur. “Drejt pushtetit”, përgjigjet ai. Lirimi i Çavezit ishte një gjest më shumë se popullor dhe Kaldera e kishte premtuar një lëvizje të tillë gjatë fushatës. Njësoj si shumë pjesëtarë të tjerë të elitës venezuelase, edhe Kaldera e vlerësonte Çavezin si një zgjidhje të çastit, diçka që do të fluturonte në erën e parë dikush që do t’i ikte publikut nga qejfi që në zgjedhjet e radhës. Me shfuqizimin e të gjitha akuzave, në vend që Çavez të vazhdonte të kishte detyrimin e paraqitjes në gjykatë dhe më pas të falej, Kaldera e lartëson figurën e tij dhe brenda natës e shndërron drejtuesin e grushtit të shtetit në një kandidat karizmatik për president.

Më 6 dhjetor 1998, Çavez fiton zgjedhjet presidenciale, duke lënë pas, me lehtësi, kandidatin që mbështetej nga politika tradicionale. Në ditën ceremoniale të marrjes së postit, Kaldera, presidenti që po largohej, nuk ishte i pranishëm në betimin e presidentit të ri, ashtu sikundër e kërkonte tradita. Përkundrazi, u detyrua ta ndiqte ceremoninë mënjanë, i pikëlluar.

Përktheu Valbona Nathanaili

Shkëputur nga libri “Si vdesin demokracitë”. Autorë Steven Levitsky & Daniel Ziblatt

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.