Alda Merini Poezi Zgjedhur dhe shqipëruar nga Natasha Lushaj
Alda Merini Poezi
Zgjedhur dhe shqipëruar nga Natasha Lushaj
“Gjithnjë më kanë gjykuar si të çuditshme, ose të ndryshme, por e di çfarë? Kjo më ka pëlqyer gjithnjë aq shumë. Nuk do të doja të shihesha si gjithë të tjerët, sepse unë, pjesën tjetër të botës, e urrej.”
Anija e shkretëtirës
Brenda trupit kam një anije të fshehtë
anije shumëformëshe fantazmash
herë trap lumi
herë këmbanë
e herë veç një yrt filigramash.
Është dora e Fatimas në duna rëre
trëndafil që s’e njeh stinën
një perlë e tejdukshme zemre:
më shtie frikën.
Kur dashuron
Nuk dashurohet me zemër,
dashurohet me shpirt
i mbarsur me çaste dashurie.
Nuk dashuron nëse s’ndien dhimbje,
s’është më dashuri
nëse s’ke frikë mos e humbasësh.
Por kur vërtet dashuron,
ti jeton
ndoshta keq, a mirë,
por jeton.
E di kur vdes?
Kur pushon së dashuruari;
bëhesh asgjë
kur s’të dashurojnë më.
Nëse të plagos dashuria
shëroi plagët
dhe beso,
je gjallë.
Për atë që do
për atë që të do.
Çmendur prej teje, dashuri
Dashuri, prej teje jam çmendur,
se ti vjen e më gjen pas gjurmësh
endjeve mbetur
me lodra të thyera fjalësh.
T’i dhuroj të gjitha po deshe,
tek e fundit
jam veç një vajzuke
me lotë të kripur mbuluar
dhe poezi që s’duken,
që do veç të fjetet
mbi një fashë qielli yjuar
si nën krahë hyjnie
dhe për ty erë e ëmbël të mbetet
një këngë dashurie.
Pjesë nga “”La terra santa”
Dje kam vuajtur nga dhimbja,
s’dija që kisha një faqe të përgjakur,
buzët prej metali të fortë,
mungesë të plotë horizonti.
Dhimbja është pa të nesërme,
është një turi kali që t’i ngurtëson
gjunjët e fuqishme,
por dje jam rrëzuar përdhe,
buzët m’u kyçën
e frika më hyri në gjoks
me një fishkëllimë të mprehtë,
dhe burimet reshtën së buluari,
uji i tyre i butë
ishte vetëm një det dhimbjesh
ku zhytesha e përgjumur,
por edhe atëherë kisha frikë
nga engjëjt përreth.
Po, meqë janë të butë dhe të njohur,
pse më tmerron ngrirja?
Të pres
dhe çdo ditë
shuhem pak nga pak,
po harroj edhe fytyrën tënde.
Më pyesin nëse dëshpërimi im
është po aq i madh sa mungesa jote.
Jo, është diçka më shumë:
është fiksimi pas idesë së vdekjes
që s’po di të ta dhuroj…
Leave a Reply
Want to join the discussion?Feel free to contribute!