Absurditetet shqiptare

Beteja për të dhuruar libra për shkollat publike të sistemit tonë arsimor

Valbona Nathanaili

Astasia është drejtoreshë në një shkollë 9-vjeçare publike –  të paktën kështu u prezantua kur e pyeta për emrin e plotë, në një bisedë telefonike të pak ditëve më parë. Biseda u zhvillua afro një javë nga dita që kisha qenë në shkollë. Synimi ishte të dhuroja për bibliotekën pesë kopje librash të titujve “Vajza dhe dinozauri” (Autor Hollie Hughes), “Një dëshirë për Krishtlindje” (Autor Katherine Rundell) dhe “Edukimi liberal” (Autor Valbona Nathanaili, Martha Nussbaum dhe Steve Fuller), në emër të një ish-nxënësi.

Por drejtoresha refuzoi t’i pranojë librat! Diçka e papritur! E habitshme dhe në kufijtë e paradoksit! Prisja një përgjigje krejt tjetër! Ndryshe nga falenderimet për të njëjtin veprim, me disa institucione arsimore private, drejtuesi i një institucioni arsimor publik ishte kategorik në refuzim! I theksova edhe një herë se librat janë dhuratë dhe nuk ka asnjë detyrim, thjesht janë për bibliotekën e shkollës, – nga një ish nxënës, për ta bërë dhuratën edhe më tërheqëse, ose më mirë model, për të vepruar sipas të njëjtës praktikë edhe vetë ajo, si të gjithë drejtorët e shkollave në të gjithë botën!

Drejtoresha Astasi që ka emrin e gjyshes (kështu më tha në bisedën telefonike, kur doja të sigurohesha për emrin) nuk dëgjonte fare! Më deklaroi se librat kanë përmbajtje fetare! Pse? Sepse në titull – nënvizoi drejtoresha – në njërin nga librat është fjala “Krishtlindje”! Më pas, këmbënguli që titujt nuk janë pjesë e fondit të librave të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe e mbylli edhe me një “arsye më të fortë”, pas të cilës nuk pranonte asnjë shpjegim apo debat: në shkollën “time” nuk hyn asnjë material, asnjë, as edhe dhuratë – si në rastin e mësipërm – që nuk vjen nga Ministria e Arsimit! Edhe kompjuterin e zyrës drejtoresha thotë se e ka marrë nga Ministria e Arsimit! Në fakt nuk e pyeta dhe nuk më duhej fare!      

Është pak të thuash zhgënjim për përgjigjen! Termi më i saktë është tronditje! Tronditje për mungesë profesionalizmi dhe përgjegjshmërie, etike dhe komunikimi, vendimmarrje dhe fryme bashkëpunimi nga një drejtues i një institucioni arsimor publik. Si ka mundësi që një institucion arsimor publik, me zero fonde për libra për bibliotekën e shkollës, të paktën prej dy vitesh, refuzon kategorikisht një dhuratë të tillë?

Nga librat që dëshirojmë t’i bëjmë dhuratë shkollës, dy titujt e parë, në gjuhën origjinale janë botuar nga “Bloomsbury Publishing” dhe janë ndër më të shiturit dhe të përkthyerit në të katër anët e botës, ndërsa titulli i tretë, ka autorësinë edhe të dy profesorëve të huaj, Martha Nussbaum, profesore e të drejtës, etikës dhe filozofisë në Universitetin e Çikagos, diplomuar në Harvard dhe Brown, si dhe Steve Fuller, profesor i filozofisë  në Universitetin e Warwick-ut, i njohur kryesisht në fushën e filozofisë së inteligjencës artificiale dhe trans-humanizmit, dhe të dy anëtarë të akademive të shkencave të vendeve përkatëse. Por drejtoresha e një institucioni arsimor publik në kryeqytetin e një vendi që quhet Shqipëri thotë se ato libra nuk i duhen shkollës së saj!

Shpresa e vetme është që drejtoresha as nuk i ka shfletuar librat dhe jo më të pretendojmë t’i ketë lexuar! Dhe nuk ka vënë as edhe ndonjë mësues tjetër ta kryente si punë! Sigurisht asnjë nga librat nuk është fetar apo nuk ka përmbajtje të tillë, por edhe po të kishin, me konotacionin negativ të drejtoreshës dhe refuzimin kategorik të saj, profesionalizmin e reduktojnë në zero, përgjegjshmërinë e bëjnë inekzistente, vendimmarrjen personale dhe bazuar në mungesë të dhënash e vizioni, ndërsa etikën dhe komunikimin i çojnë disa vite-dritë larg. Për të shtuar, që kur flasim për fenë, duhet të kemi parasysh se Ministria e Arsimit ka ndërmarrë nismën e edukimit fetar në shkolla! Pra, të paktën fjala “Krishtlindje” nuk duhet të jetë tabu për drejtoreshën!    

Sikur vetëm parathënien e librit “Edukimi liberal” të kishte mundur drejtoresha të lexonte, do kuptonte misionin e këtyre botimeve: të nxisin leximin e librave tek fëmijët dhe përfshirjen e tyre në aktivitete që shkojnë përtej orës së mësimit. Ndërkohë, të gjithë titujt janë të rinj, pra botime të këtyre viteve të fundit dhe kopjet janë të papërdorura.

Në një intervistë dhënë për televizionet pas përmbytjes së shkollës nga ujërat e zeza, afro tre vjet më parë, e njëjta drejtoreshë paraqitet shumë e vëmendshme dhe e kujdesshme për punën e kryer nga punonjësit e komunales për pastrimin e fekaleve nga oborri i shkollës. Afro 80 përqind të intervistës, drejtoresha flet me detaje për punën e palodhur dhe me përgjegjësi të ndërmarrjes komunale dhe se si autoboti thithte me shpejtësi ujërat e zeza. Është e çuditshme, pse për rastin e librave, drejtoresha nuk tregoi të njëjtën vëmendje! Pse i mungon po ai vullnet i mirë, me të cilin lavdëron autobotin? 

Rruga kryesore për pasurimin e bibliotekave të institucioneve arsimore publike është Ministria e Arsimit. Por në një raport për fondet e miratuara për vitin 2020, në pikën D, shpenzime për investime kapitale, llogari 231, ndërmjet të tjerave Ministria deklaron se “Në programin 09120 kemi pasur fond të miratuar në shumën 10,000,000 lekë për krijimin e fondeve të biliotekave të institucioneve arsimore të arsimit të mesëm të ulët, fond i cili pas rishkimit mbeti në shumën 1,700,000 lekë. Nuk është realizuar procedura e prokurimit për arsye të situatës së krijuar nga Covid 19. Në periudhën janar-qershor 2020 për arsye të pezullimit të prokurimeve nga Agjencia e Prokurimeve Publike dhe më pas për arsye të situatës nuk u mblodhën dot në kohë kërkesat e ZVAP-ve për krijimin e bibliotekave në institucionet arsimore të tyre”.  

Pyetja e natyrshme është: në mungesë të këtyre fondeve, çfarë udhëzimesh kanë drejtuesit e shkollave për pasurimin e bibliotekave?

Pra, kur shteti nuk është në gjendje t’u përgjigjet shkollave me fonde për libra, a ka përpiluar ndonjë kriter apo rregullore për funksionimin e bibliotekave të shkollave dhe pranimin e dhuratave? Thjesht disa libra më shumë për një bibliotekë! Edhe për kaq duhet të marrësh rrugën deri në Ministrinë e Arsimit? Më hapi punë edhe me botuesit në Angli, si dhe me Nussbaum dhe Fuller, që t’u shpjegoj se librat e tyre janë fetarë për Astasinë, që ka emrin e gjyshes, drejtoreshë e një institucioni arsimor publik në kryeqytetin e vendit tim!  

Sa absurditete prodhon ky vend! Nuk e di, nëse më shtohet apo pakësohet dashuria për të!

P.S. Çdo koinçidencë me emra është rastësi. Çdo koinçidencë në mentalitet është fatkeqësi për ne dhe sistemin e emërimeve!

1 reply

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.