Orët prej qelqi të Eni Isufit

Eni Isufi ka lindur në Elbasan, më 25 dhjetor 1987. Sikundër shprehet edhe vetë, në një nga lagjet më të vjetra të qytetit, në Kala. Në moshën 4 vjeçare familja shpërngulet në Tiranë. Studimet i fillon në shkollën “Ali Demi”. Poezinë e parë e shkruan në moshën 9-vjeçare. Megjithëse lindur në Elbasan dhe banuese në Tiranë, sprova e parë i kushtohet detit të Durrësit. Dhe sigurisht me shumë rimë.

  • “Mësuesit ishin shumë motivues! Më bindën t’i botoja poezitë e mia në revistën e shkollës” – shprehet Isufi në një intervistë për Tirana Review of Books.  

Në vitin 1999 prindërit vendosin përsëri të zhvendosen, por këtë radhë destinacioni është jashtë Shqipërisë, Gjermania dhe shumë shpejt edhe më larg, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë zhvendosjeve nga një vend në tjetrin, dashuria për poezinë dhe krijimin mbeten gjithnjë konstante.

Në vitin 2004 është anëtare e Forumit Shqiptar, në të cilin ka mundësi të njihet dhe shkëmbejë përvoja e kritika me krijues të tjerë shqiptarë. Arrin të botojë një përmbledhje me poezi në dy vëllime, në shqip, ‘Fund’ dhe ‘E Telte’.

Ka ruajtur dygjuhësinë, që e sheh si një përparësi, pasi ka mundësi të konsultojë, në origjinal, krijimtari edhe në shqip, edhe anglisht. Dygjuhësia i ka mundësuar të zhvillojë edhe një pasion tjetër, atë të përkthimit: përkthen nga anglishtja në shqip, sikundër edhe nga shqipja në anglisht. Po ashtu, poezia dhe proza e saj janë në dy gjuhë.

Në anglisht krijimet e Isufit janë botuar në revistat ‘Slipstream’, ‘Clean Sheets’ dhe ‘Odyssey: Mediterranean Poetry’.

Pyetjes “Çfarë të frymëzon?”, Isufi i përgjigjet:

  • Krijimtaria ime fokusohet në identitetin tim të dytrajtshëm, por një vend jo pak të rëndësishëm zënë edhe misherimi i miteve. Më frymëzon arti!

Në vitin 2010 bëhet nënshtetase amerikane. Studion letërsi në universitetet e Delaware dhe Rutgers. Autorja shprehet se shumë shpejt do mund të kemi një vëllim poetik në anglisht, por nuk jep një datë të saktë. Pjesë e studimeve dhe hulumtimeve janë edhe gjuhësia e fjalëformimi. Ka pasion fotografinë dhe udhëtimet.  

Tirana Review of Books ka zgjedhur për lexuesin tre poezi nga Eni Isufi: ‘Martesë‘, ‘Gruaja lakuriq‘ dhe ‘Pandihmëshmëri‘.

Martesë

Shtjellë e jetës buzë lumit –

ura të ndërtuara me pole bambush,

gdhendur nga këmbët e fëmijëve –

Varka që kërcënojnë

Të kthehen sërish në dru –

Uji

i përthyen rrezet e diellit

si një pjatë e sermtë nën qiellin bojëhiri.

Uji

i mbushur me peshq të artë që dridhen

e vezullojnë si thika prapa fronit.

Uji

cipëkalter dhe kafnaja poshtë tij –

zambaku që shfletëzohet

si një origam i përkryer

i papritur

si orgazma e parë e gruas.

(2008)

Gruaja lakuriq

Kam qenë gruaja lakuriq në dritare

teksa drita rrihte çarçafët.

Flokët e mi ishin kthyer përpjetë

dhe veç një fije ra rreth një veshi

ku një perlë —

Kam qene gruaja lakuriq duke qepur

me pasditen e dërrmuar mbi prerjet e mia.

Kam qene një grua gjysmë e veshur

e hedhur në qytetin e errët, e thurur

prej shiut që më rrëshqiste kurmit.

Jam lutur për çadra, mbrojtje

ndaj mijëra kamerash të lagura.

Në të njëjtën kohë, lakmoja

kushtim, një disk të gjuajtur mbi lente.

Poshtë mbulesës, ato lëngojnë

në shtretër, kolltukë, nën dritën e llambës.

Kam parë një grua

Të vruguar në rozë agimi, të mbërthyer

pas murit me të kaltër. Këtë mëngjes,

gjalmat më dridhen në pëllëmbë teksa drita

ashpërson përvijimin e një shenje.

Një damkë, një nishan mbi supin tim.

Ndoshta kancer, një bizele.

Kam qenë gruaja me një dorë në grila

të hapur-mbyllura nën gishtëza, penelet e tij.

(2009)

Pandihmëshmëri

Orë qelqi.

Në  to, shoh rërë dhe njerëz.

Në  to, një dhomë e bardhë dhe një kopsht i zbrazet.

Marrëzi a mëmësi.

Dhuratat e gjakosura, të prura nga fshqinjët

ende përgjaken e m’a bëjnë me gisht.

Fërkimi në to, rëra

e bën kohën më të vdekur se ato pa të.

Nënçati dhe pasqyrime, vëllime. 

Shpenzova dhjetë vjet

duke lexuar ato vëllime

dhe boja është bërë prej rëre, tashmë

kokërrimët në orën e rënë.

(2012)