Intervistë me Valbona Nathanaili / Diplomat apo krijues?

Intervistë me Valbona Nathanaili / Autore e librit “Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë”

MAPO Zonja Nathanaili, ju sapo keni publikuar librin “Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë”, si lindi ideja për këtë libër?

Valbona Nathanaili Më shumë se ide, botimi i këtij titulli ishte zgjedhje nga disa projekte për botime që paraqiti Qendra UET pranë UET-Press. Një titull i tillë vjen për herë të parë në shqip. Në gjuhë të huaj do të gjeni plot libra të ngjashëm, ose të paktën që i kushtohen veprimtarisë së ambasadorëve të “rekrutuar” nga fusha e krijimtarisë, por në shqip mungonte. Për të sistemuar mënyrën e paraqitjes, si dhe për zgjedhjen e materialeve që do të përfshiheshin, kam shfletuar dhe jam konsultuar me shumë libra të kësaj lloj literature, botuar në vende të ndryshme të botës. Libri u pasurua dhe u konsolidua gjithmonë e më shumë falë bashkëpunimeve që kam pasur me secilin prej “personazheve” të librit, direkt me ta ose me të afërmit e tyre. Veprimtaria krijuese, sikundër edhe aktiviteti i pasur i secilit në fushën e diplomacisë dhe të krijimtarisë, besoj se jo vetëm i japin librit vlera të veçanta, por e fusin në librat që duhet të jenë pjesë e bibliotekës së çdo lexuesi.

Arkiva e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë ishte një burim i shkëlqyer. Sa më shumë shfletoja materialet e gjetura, aq më shumë pasurohej libri në ide e tematika dhe aq më e vështirë bëhej zgjedhja: çfarë do paraqes dhe çfarë do mbahet për një botim të dytë. Në këtë botim, linjat kryesore të librit janë tri: 1. Veprimtaria krijuese dhe diplomatike e çdo ambasadori. 2. Forumi me katër pyetje. 3. Një profil kulturor dhe të dhëna për ambasadorët e parë të akredituar në Shqipëri ose nga Shqipëria për disa vende, me të cilat marrëdhëniet diplomatike gjithmonë kanë pasur një peshë të veçantë, ku po veçoj Francën, Jugosllavinë dhe Rusinë.

MAPO Në kopertinë janë disa nga emrat më të njohur të penës, saqë pakkush mban mend se ata kanë qenë dhe ambasadorë, ndërsa disa të tjerë njihen më shumë për punën e diplomatit, cili ishte synimi i këtij libri dhe, a është ezauruar tërësisht brenda tij lista e diplomatëve-shkrimtarë ose e shkrimtarëve-diplomatë?

Valbona Nathanaili Është shumë i vërtetë pohimi juaj, ndërkohë mendoj se e bën edhe më tërheqës, pasi e plotëson njohjen tonë. Librin, disa e kanë quajtur antologji dhe të tjerë, album. Unë e kam klasifikuar në kolanën tonë “Scripta imanent” – e shkruara mbetet, që i përfshin edhe klasifikimet e mëparshme, por që nën këtë klasifikim merr përmasat që synonte: evidentimin e punës dhe të mendimit krijues të disa prej njerëzve më të shquar që për periudha të veçanta, duke qenë krijues, janë thirrur në shërbimin diplomatik për të përfaqësuar vendin tonë në nivelet më të larta.

Për shkak të zgjedhjeve të zgjuara që shteti ynë ka bërë, herë pas here, në fushën e përfaqësimit me krijues ambasadorë e diplomatë, lista me emra, kandidatë për t’u përfshirë në libër, rezultoi shumë e gjatë. Në këtë vëllim, pas hartimit të kësaj liste janë përfshirë kryesisht ata për të cilët u krijua mundësia e kontaktit ose e gjetjes së materialeve. Lexuesi ka në dorë vëllimin e parë. Mendoj që vitin tjetër të kem gati edhe vëllimin e dytë të tij.

MAPO Sipas jush, është diplomati që kërkon letërsinë, apo e kundërta? Cili është pikëtakimi mes shkrimtarit dhe diplomatit?

Valbona Nathanaili Mendoj që është diplomacia që kërkon jo vetëm letërsinë, por krijimtarinë në përgjithësi. Për këtë arsye janë bërë pjesë e librit jo vetëm shkrimtarë e artistë, por edhe akademikë. Është e rëndësishme të theksojmë se në Francë, për periudha të gjata kohore dhe në mënyrë periodike, janë akredituar ambasadorë me një trashëgimi të pasur në fushën e letrave, shpesh herë pa asnjë formim a përvojë të mëparshme në diplomaci. Historia e përfaqësimit në Francë, në libër, fillon në vitin 1947 dhe mbyllet më 2013. Javer Malo emërohet më 1947, fillimisht, si Atashe shtypi e Sekretar i parë, ndërsa më vonë, më 1967, rikthehet përsëri në rolin e ambasadorit; Misto Treska është ambasadori ynë më 1979; Luan Rama më 1997; Jusuf Vrioni në UNESCO (me seli në Francë) më 1998 dhe Ylljet Aliçka më 2007, të cilët të gjithë bashkë, me veprën dhe punën e tyre pothuaj e kanë institucionalizuar kriterin kryesor të zgjedhjes për t’u akredituar në këtë shtet, atë të “të qenit krijues”. Por jo vetëm. Duket se edhe në ShBA kërkohet të ruhet e njëjta traditë, themelet e së cilës u betonuan nga puna, përkushtimi e krijimtaria e Faik Konicës. Me vendosjen sërish të marrëdhënieve me ShBA, Pëllumb Kulla, një nga autorët shqiptarë më prodhimtarë, shumëdimensional sa i takon llojit të letërsisë së lëvruar dhe kontributeve në kulturë, ishte ndër ambasadorët e parë të akredituar në këtë shtet mbas viteve ’90. Zgjedhje me nivele po aq të mira përfaqësimi kanë qenë edhe Teodor Laço dhe Piro Milkani, autorë, përkthyes, skenaristë, regjisorë e aktorë, të cilët i kanë shërbyer vendit, përkatësisht, në Rusi dhe Çeki.

Nga fusha e akademisë janë përfshirë Vasil Nathanaili, Agim Nesho, Arben Cici dhe Shaban Murati. Jo për koincidencë, por si zgjedhje, Nathanaili ka studiuar mjekësi në Romë dhe juridik në Tiranë. Për ata që e njohin diplomacinë, Nathanaili quhet diplomat-karriere. Ka qenë ambasador në Beograd, Moskë dhe Pekin në periudhat më “të lulëzuara” të marrëdhënieve tona me to. Agim Nesho është diplomuar dhe ka mbrojtur doktoraturën në inxhinieri. Njëlloj si Nathanaili, edhe Nesho ka kohë që i është kushtuar diplomacisë dhe ka shërbyer në vende e organizata kyç: ShBA dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Arben Cici është laureuar për gjuhë të huaja, ka mbrojtur doktoraturën në Shkenca historike të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në intervalet nga një shërbim diplomatik në tjetrin, gjithmonë i është kthyer katedrës universitare, me dëshirën për të përçuar te studentët jo vetëm bagazhin e pasur të dijeve, por edhe përvojën e fituar nga një karrierë e konsoliduar. Shaban Murati njihet për kontributet e vyera në fushën e diplomacisë e të publicistikës dhe i ka shërbyer vendit në disa misione diplomatike. Pikëtakimi i krijuesit me diplomatin mendoj se qëndron pikërisht në rolin e përbashkët: atë të përfaqësimit të vendit, të kulturës e vlerave më të mira. E thënë thjesht, në faktin se duke qenë intelektualë, dinë të përfaqësojnë denjësisht shoqërinë shqiptare. Lavdia e punës së tyre përmblidhet në përmbushjen e aspiratave tona se janë në gjendje të ndihmojnë në begatinë dhe lartësimin e Shqipërisë.

Faleminderit!

Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë

Refleksione rreth librit ” Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë” Autor Valbona Nathanaili

Nga Alma Mile

Mes diplomatit krijues dhe krijuesit diplomat, shumica zgjedhin këtë të fundit, por fati e deshi që në rrethana të caktuara ata duhet të bënin diplomatin, pse jo diplomatin krijues, në varësi të situatave. “Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë”.

Kështu titullohet libri i autores Valbona Nathanaili, pjesë e kolanës “Scripta manent” i botimeve “UET Press”. Në këtë libër, format albumi, Nathanaili hedh dritë mbi atë çka arti dhe letërsia i ka dhënë diplomacisë dhe anasjelltas. Duke hedhur një sy të shpejtë, vëren se kontributi që njerëzit e artit dhe kulturës kanë dhënë në diplomaci nuk ka qenë aspak modest. Ka pasur mes tyre shkrimtarë, regjisorë, përkthyes, që kanë përfaqësuar dhe promovuar Shqipërinë në vende të ndryshme të botës, që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Rusi, në Francë, Çeki etj. Në shumë syresh lista e veprave në lëmë të kulturës dhe vlerësimet aty është pa dyshim më e gjatë se ajo në karrierën diplomatike. Udhën krijuesve në diplomaci duket se ua ka hapur pikërisht Faik Konica, ndërsa të tjerë do të vijonin deri ditëve tona, si Jusuf Vrioni, Pëllumb Kulla, Luan Rama, Ylljet Aliçka, Pirro Milkani, Teodor Laço, Misto Treska, Javer Malo. Janë bërë pjesë e këtij botimi edhe diplomatët Vasil Nathanaili, Arben Cici, Agim Nesho, Shaban Murati, me kontribute në sferën akademike dhe të botimeve në fushën e diplomacisë. Por ky libër nuk është shterues. Ai është vetëm vëllimi i parë, në pritje të një të dyti, në të cilin pritet të përfshihen edhe të tjerë emra të rëndësishëm të diplomacisë dhe letrave shqipe, si Besnik Mustafaj, Agim Isaku, Visar Zhiti, Neritan Ceka etj. “Që prej krijimit të shtetit shqiptar, bashkëjetesa mes ‘dy zanateve’ ka qenë e vazhdueshme, duke vendosur një marrëdhënie harmonike mes gjuhës dhe realitetit, duke e shndërruar atë në një traditë gati-gati të institucionalizuar”, shkruan Ylljet Aliçka në parathënien që shoqëron librin.


Libri
“Libri ka si synim kryesor të hulumtojë në fushën e diplomacisë shqiptare dhe të identifikojë kontributet e atij grupi përfaqësuesish të shtetit shqiptar në botë që janë “rekrutuar” nga fusha të krijimtarisë, përfshirë kulturën dhe sferën akademike. Akoma, të evidentojë llojin e komunikimit që kanë arritur të ndërtojnë e vendosin, sa kanë qenë të aftë të promovojnë Shqipërinë, vlerat e kulturës sonë”, shpjegon Nathanaili. Për nga mënyra se si është ndërtuar, libri do të mund t’u vinte jo pak në ndihmë studiuesve e studentëve, por edhe lexuesit kurioz, i cili përmes faqeve të këtij libri mund të gjejë një informacion të bollshëm mbi figurat e përzgjedhura në këtë botim. Për çdonjërin prej tyre gjejmë biografi, vepra, çmime, citime, vlerësime, faksimile dokumentesh, raportime nga përfaqësitë në të cilat shërbenin, problemet kryesore që kanë trajtuar në periudha të ndryshme, fotografi, që botohen për herë të parë etj.

“Nga dokumentet e hulumtuara, listimi i tematikës së çështjeve kryesore të diskutuara ose bërë prezent në marrëdhëniet ndërmjet Ministrisë sonë të Jashtme me shtetin përkatës, e integruar në jetëshkrimin dhe veprimtarinë e shumë prej ambasadorëve, mendoj se ndihmon për të krijuar një ide më të qartë jo vetëm për punën e kryer nga secili prej tyre, por edhe për natyrën që kanë pasur këto marrëdhënie, ose për të gjykuar si kanë evoluar nga viti në vit. Një burim i veçantë informacioni kanë qenë shkresat që përmbanin vendimin e emërimit në postin e ambasadorit. Edhe një shkresë e thjeshtë tregon shumë. Të ndihmon të kuptosh strukturën vendimmarrëse nga kanë ardhur propozimet dhe ku është marrë vendimi: Ministrinë e Jashtme, Kryeministri apo Presidencë. Akoma, nëpërmjet kësaj mund të gjykojmë për kulturën e institucionit e gjuhën e përdorur”, tregon Nathanaili, e cila zbulon edhe kuriozitete të tipit që, deri në fund të vitit 1950 vazhdon të përdoret fjala “zoti”, e cila më zëvendësohet nga “shoku”.

Ka dokumente që ende vulosen me V.F.L.P Vdekje Fashizmit! – Liri Popullit! Dhe të tjera që kanë ende simbolet e qeverisë të paraluftës.

Diplomatët

SHBA dhe OKB

  • Faik Konica Ambasadori i parë shqiptar në Shtet e Bashkuara të Amerikës (Ministër Fuqiplotë i Republikës, më vonë Mbretërisë së Shqipërisë në SHBA) 1926-1939
  • Pëllumb Kulla Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, përfaqësues i përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombëve të Bashkuara, New York, SHBA Dhjetor 1993-shtator 1997
  • Agim Nesho Përfaqësues i përhershëm (i dhjeti në radhë) i Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të bashkuara, New York 1997-2006 / Ambasador i ngarkuar, Shef i misionit shqiptar në SHBA 2005-2006

Jugosllavia dhe Rusia

  • Vasil Nathanaili – Sekretar i parë i Legatës së Republikës së Shqipërisë në Beograd, Jugosllavi 13 nëntor 1945-shkurt 1947 / I dërguari i jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë i RP pranë Presidiumit të Sovjetit Suprem të Republikave Socialiste Sovjetike, Moskë Tetor 1949-1953 / Ministër fuqiplotë i R.P.SH. në Sofje, Bullgari Gusht 1953-1954 / Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në R.P.SH., Pekin, R.P. Kinë 18 mars 1966-7 janar 1969 / Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i R.P.SH. në Mbretërinë e Kamboxhias (jo rezident) 16 maj 1966-7 janar 1969
  • Teodor Laço Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Federatën Rusë 2006-2008 / Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Kazakistan, Bjellorusi, Uzbekistan (jo rezident) 2006-2008

Franca

  • Javer Malo Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Francës Qershor 1967-shtator 1975 / Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Holandë, Belgjikë dhe Luksemburg (jo rezident) 1972-1975 / Ambasador i Shqipërisë pranë UNESCO-s Qershor 1967-shtator 1975
  • Misto Treska Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Francës 1979-janar 1981 / Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Holandë, Belgjikë dhe Luksemburg (jo rezident) 1979-1981 / Ambasador i Shqipërisë pranë UNESCO-s 1979-1981
  • Luan Rama Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Francës, Republikën e Portugalisë dhe principatën e Monakos 1997-2001 / I dërguar a.i. i Shqipërisë në Paris dhe Delegat i Përhershëm i Shqipërisë në UNESCO 1991-1993
  • Jusuf Vrioni Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, delegat i Përhershëm i Shqipërisë në UNESCO 1998-2001
  • Ylljet Aliçka Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Francës, Republikën e Portugalisë dhe Principatën e Monakos 2007-2013 / Ambasador i Shqipërisë pranë UNESCO-s 2008-2010

Çeki, Danimarkë, Maqedoni

  • Piro Milkani Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Çeke 1998-2002 / Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Sllovake (jo rezident) 1998-2002
  • Arben Cici Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Danimarkës Tetor 2010-tetor 2014-10-20 / Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë. Ambasador në Bosnje-Hercegovinë (jo rezident) Shtator 2000-gusht 2006 / Ambasador Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Federatën Rusë. Ambasador në Bjellorusi, Moldavi, Armeni, Gjeorgji, Kazakistan dhe Uzbekistan (jo rezident) Tetor 1992-shtator 1995
  • Shaban Murati Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni 1993-1997 / Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Suedisë 2002-2007 / Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Finlandë, Norvegji, Islandë (jo rezident) 2002-2007

Rruga e mundimshme e shkollës shqipe

Refleksione rreth librit “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe, 1912-1944”, autor Valbona Nathanaili (Monografi)

Nga BEN ANDONI

Duhet të kesh durimin e znj. Nathanaili që të bësh një studim të tillë, por ajo jo vetëm e ka mbaruar në kohë (7 Mars), por na ka dhënë një panoramë tejet interesante të zhvillimit arsimor shqiptar të para Luftës së Dytë Botërore me librin e saj “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe”.
Çështjet më interesante që ka adresuar kanë qenë etapat në të cilat eci zhvillimi arsimor kombëtar para Luftës, problemet e shkollës kombëtare dhe kontributi i qeverive të ndryshme dhe sidomos e Ahmet Zogut. Për fat të keq një sërë dokumentesh, që përcjellin këtë libër, sipas autores, po prishen dhe del imperativi i digjitalizimit të menjëhershëm të tyre. Sa i përket librit të saj, autorja ka meritën se ka ditur të punojë me një metodikë të qartë, duke na treguar një hulumtuese shumë serioze.

“Janë disa emra që dua të veçoj, si Luigj Gurakuqi, Kostaq Kotta, Kristo Floqi, Rexhep Mitrovica, Sotir Peci, Abdurrahman Dibra, Hil Mosi e Mirash Ivanaj. Periudha më e “begatë” në zhvillimin e arsimit është ajo 1925-1939. Sa i takon legjislacionit, nga qeveria në qeveri bëhet më i pasur dhe më i plotë. Po ashtu edhe çështjet me të cilat merret Ministria e Arsimit”, shprehet ajo…Nuk mund të thuhet se është një botim që një hulumtues vogëlsish ta quajë i përkryer, por është tejet ndihës për studiuesit që do ecin pas saj. Përmes këtij hulumtimi, që besojmë se sot, duhet t’ia kenë zili shumë kolegë, fakti është se ajo ka përcjellë një nga fushat më me reputacion të shoqërisë shqiptare, por njëkohësisht atë që ka kontribuar si ascila fushë në fytyrën që ka vendi ynë sot.

Për të kuptuar vështirësinë e saj duhet të kuptohet se koha që i referohet ajo, kishte mungesë, për të thënë më mirë, uri totale për arsimtarë. Dhe, sot, mund të duket realisht për të qeshur, por realisht duhet të kishte mësues që së pari të kishin njohuri për gjuhën kombëtare, që për hir të së vërtetës, edhe vetë ishte në fillimet e trajtesës shkencore.

Trajtimi i Nathanailit botuar cilësisht nga UET-ja është thjesht historik edhe pse sot mund të komentohet shumë për rezultatet reale të asaj kohe, por ajo na ka prezantuar një metodikë që mund të jetë shumë e mirë për të ardhmen.

Ngarkesa dhe serioziteti i librit është se janë shfrytëzuar maksimalisht fondet e Ministrisë së Arsimit të kohës, duke na shfaqur realisht një krijuese tejet të angazhuar për të hedhur dritë si pak kush në një fushë tepër impenjative për Shqipërinë.

Puna e saj ka bërë identifikimin e çdo qeverie dhe sfondin historik në të cilën ka vepruar, mbi bazën e rendit kronologjik, një eksplorim dinamik i dokumentacionit të krijuar nga çdo qeveri dhe kategorizimi i tyre sipas këtij protokolli: çështje dhe problematika me të cilat është marrë Ministria e Arsimit, ku janë veçuar disa nga politikat dhe veprimtaritë kryesore; Identifikimin e prioriteteve të punës së çdo ministri, sikundër edhe pasqyrimin e jetëshkrimit të disa prej ministrave që kanë qëndruar jo vetëm për një kohë të gjatë në detyrë, por që edhe me punën, pasionin e kulturën e tyre i dhanë një impuls pozitiv zhvillimit të arsimit në atë kohë.

Por libri ka dhe shumë statistikë. Nuk mund të thuhet se vetë autorja mund të besojë se libri është shterues, pasi koha tregoi edhe mungesa, ku kuptohet se ka diferencë dokumenti që parashtrohet dhe mënyra sesi implementohet, një fakt që e jetojmë në ditët tona dhe që më sa duket nuk ka qenë pjesë përbërëse e punës së studiueses së njohur që gjejmë kohë ta falënderojmë për punën e saj Valbona Nathanaili prej vitesh i është dedikuar arsimit shqiptar, por në vitet e fundit është duke drejtuar një politikë botimesh në UET, që po rezulton e vlefshme. E veçantë është se nuk e ka braktisur punën studimore, dhe prej saj kemi këtë herë këtë botim të vyer, të titulluar “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe”. Ku përmes një vështrimi të kujdesshëm që përcjell vitet e ngritjes dhe forcimit të jetës shqiptare jepet dhe ecuria e njërës prej fushave që duhej të zhvillohej para të tjerave dhe madje t’u ndihte atyre në ngritjen e vendit tonë…Dhe, autorja e dha kontributin e saj ndaj arsimit pikërisht me këtë studim të plotë historik.

Refleksione

Refleksione rreth librit “Komunikimi dhe kultura: imazhi në veprim” të studiuesit Ylljet Aliçkaj

Nga Prof. Dr. Aleksandër Dhima (Parathënia)

E kam pritur me interes botimin e një përmbledhjeje të tillë, jo se nuk e dija që Ylljet Aliçka është një prej autorëve të shquar bashkëkohorë në lëmin e letrave shqipe, por se ai i përqaset me guxim edhe një dimensioni tjetër, po aq të rëndësishëm në jetën shoqërore, atij të vëzhguesit të imët të realiteteve kulturore, që janë pjesë e pandarë e tharmit etnik të popullit tonë.

Përmbledhja në fjalë, që i jepet publikut shqiptar, përfshin 26 studime, ese kritike, analiza psikologjike mbi natyrën njerëzore, intervista mbi dimensionin artistik/ vlerësim personal dhe të autorëve të tjerë si dhe opinione prognostike për qenësinë e identitetit shqiptar dhe të kuptuarit e vetvetes, të mbështetura fort në përvojën e tij të gjatë në ballafaqim me realitetin shqiptar dhe me të huajt.

Mendoj që kontributet e z. Aliçkaj në këtë përmbledhje të ndahen në: shkrime për histori të jetuara; konvergjenca të shkrimtarit krijues me diplomatin aktiv në çështjen e imazhit të shqiptarëve, midis alibive (të synuara enkas) dhe realitetit të prekshëm; statusi i letërsisë shqipe në mesin e letërsisë evropiane; ndikimi i vlerave dhe antivlerave nga e kaluara; trashëgimia kulturore në ballafaqim me incentivat e integrimit evropian të shqiptarëve; shfrytëzimi i trashëgimisë proverbiale nga retorika politike; sensi i humbur i paskomunizmit; sfidat dhe dilemat për politikën kulturore në realitetin e sotëm të Shqipërisë etj.

Ajo që më bën më tepër përshtypje në këtë mori temash e problemesh është karakteri aktual i tyre: aty ku mesazhi jepet në formën më të thjeshtë, të kapshme nga të gjithë (veç po s’deshëm ta kapim), ai ka një impakt të vërtetë për ne, që jetojmë në këtë mikrokozmos paksa të çuditshëm: shqiptarët i konceptojnë ngjarjet dhe përvojat që hasin gjatë jetës së tyre mbi bazën e një organizimi konjitiv ende defektuoz, nisur nga një pragmatizëm fals që nuk i lejon të shohin përtej së tashmes, d.m.th. se si mund të modifikohet më von perceptimi nga ky lloj “strukturimi” aktual. Mesazhe të fuqishme gjenden gjithkund përgjatë librit, por unë s’dua ta shuaj kureshtjen e lexuesve; ata le ta gjejnë vetë ”ku u dhemb”, dhe besoj se nuk do ta kenë të vështirë. Sepse Ylljet Aliçka është sa i koklavitur (në dukje) aq edhe i kapshëm në përcjelljen e mesazhit.

Përtej mesazheve të freskëta për kohën që jetojmë, unë do të ndalesha me shumë dëshirë në disa dimensione me vlerë të shtuar, në këndvështrimin shkencor-akademik, bash në sferën e antropologjisë kulturore.

1. Kolegu Ylljet Aliçka, me një aftësi mjeshtërore poliedrike, na ka dhënë përmes kësaj përmbledhjeje punimesh një model të ri të komunikimit kulturor me publikun vendas dhe të huaj. Tashmë dihet se, ashtu siç ndikon kultura mbi komunikimin, edhe ky i fundit ndikon mbi të parën dhe përforcon tipare të veçanta të saj. Mënyra me të cilën komunikon autori në një kontekst kulturor të kultivuar përforcon identitetin kulturor të tij/ tonë prej shqiptari. Sepse e gjithë vepra e deritanishme e tij është, para së gjithash, ritual– qoftë ndonjëherë edhe sarkastik-që kontribuon pa mëdyshje në atù-në e një sensi identiteti, për shkak se në brendësi të tij gjallon çdo qelizë e tharmit letrar, politik, diplomatik dhe shkencor të Aliçkës (kështu ka qejf ai të thirret prej kolegëve dhe miqve).

Këtë dhunti, autori e transplanton natyrshëm, para së gjithash në sferën diplomatike, ku është shquar si një nga diplomatët shqiptarë më të suksesshëm të brezit bashkëkohor:

  • Strategjitë diplomatike të vendeve të njohura gjithmonë e më shumë po i modelojnë konturet e diplomacisë mbi baza antropologjike, si dhe duke angazhuar refleksione mbi identitetet. Kjo sepse sot, në atë që quhet diplomaci bashkëkohore të një bote globale, nuk ka më prirje për një rrezatim të njëanshëm, por ndikime të ndërsjella aspiratash, për t’iu drejtuar burimeve të tjera të dijes e të kulturës. Shkëputur nga libri Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë, autor V. Nathanaili,  f. 49.

Dallimet në fe, gjuhë, në prirjet ideologjike, në mënyrat e ndryshme të organizimit shtetëror dhe shoqëror si dhe niveli i ndryshëm i kulturës dhe i emancipimit, pra identitetet në një botë kulturalisht të larmishme, bëhen shpesh burim për konflikte, në vend që të jenë motiv për plotësim dhe kompensim të njëri-tjetrit. Në vorbullën e gjatë të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, këto dallime kanë krijuar paragjykime, të cilat pastaj kanë ushqyer kastat politike dhe janë shfrytëzuar prej tyre si psikoza kolektive për përplasje dhe ballafaqime.

Një ndër problemet madhore në kohën e sotme lidhet me identitetin kulturor, veçanërisht të popujve të vegjël, siç janë popujt e Ballkanit. Hapësira kulturore shqiptare ka qëlluar në kryqëzim të kulturave dhe të qytetërimeve të Lindjes dhe Perëndimit. Ky ka qenë fati historik i saj. Duke qenë në këtë udhëkryq, shqiptarët vërtet kanë përfituar, por edhe e kanë pësuar nga trysnia e kulturave të tjera, duke qenë se ndikimi ka pasur një prapavijë asimiluese, me synimin për t’i “zhbërë” shqiptarët etnikisht, politikisht dhe ekonomikisht. Mu për shkak të këtij realiteti të hidhur historik, siç shprehet me të drejtë autori:

  • … faktorët përcaktues të individit janë parë vetëm me ngjyrime patriotike, morale, parimore, në formë idealesh, duke injoruar kështu aspektin pragmatik të identifikimit, duke harruar me ose pa qëllim shtysat apo interesat ekonomike e ato të protagonizmit në përcaktimin e identitetit në realitetet e reja politike, ekonomike e shoqërore. Fushatat e zgjedhjeve, f. 93-94.

Tejkalimi i praktikave të mëparshme kulturore e drejton shoqërinë e sotme shqiptare për kah një alternative/ dileme të re, me shfaqjet e veta në ekonomi, në kulturë dhe në politikë. Relativizmi i kufijve dhe mjetet e jashtëzakonshme të komunikimit, liria e lëvizjes, të drejtat e njeriut, eurokultura etj., kanë krijuar një bazë të fortë për një besim dhe projektim të së ardhmes, si dhe për blatimin e ideve evropianiste në praktikën politiko-diplomatike të vendit.

Por, me gjithë këtë zhvillim- për të qenë të sinqertë-mbeten përsëri dilema dhe ndrydhje; është po ajo dilemë që ka ekzistuar qysh në gjenezë të qenies njerëzore: konflikti midis individit, grupeve të individëve dhe shoqërisë në tërësi, dallimi midis “të përveçmes” dhe “të përgjithshmes”, midis identitetit dhe anonimatit, midis trashëgimisë, historisë dhe cilësisë së re të jetës. Ndoshta (fatmirësisht), të gjitha këto shqetësime e të tjera si këto, i gjithë ky ankth “nacionalist” do të konsiderohen pas shumë kohësh si paragjykime të kota, si anakronizma. E, përpara se të arrijmë deri atje, Aliçka na “qetëson”, duke na përvijuar me qartësi prirjen e përgjithshme të shqiptarit për “shkrirje” të natyrshme në strukturat ekonomiko-politike dhe shoqërore evropiane e njëkohësisht duke ruajtur identitetin e tij kombëtar, kudo ku ai jeton:

  • Nëse do më duhej ta përmblidhja me një frazë vlerën e punës së fotografit Roland Tasho, me këtë vepër mund të them se lajtmotivi i këtij albumi është vërtetësia e të kuptuarit dhe sinqeriteti i zbulimit të integrimit dinjitoz të shqiptarëve në Francë, të cilët krahas afirmimit të tyre në realitetin e ri, i kanë qëndruar besnik prejardhjes dhe të qenit shqiptar. Parathënie e albumit “Shqiptarët e Francës”, f. 79.

Sidoqoftë, problemi ndërlikohet nga fakti se sot vetë individi është “në hall”, sepse ai duhet të zgjedhë detyrimisht midis etnocentrizmit dhe eurocentrizmit. A ka më hapësirë në këtë botë për kulturat e vogla? A do të pajtohet bota e ardhshme me “tretjen e parashikuar” të këtyre kulturave në shtete e qytetërime të veçanta? Për fat, të mirë a të keq, ka diçka që na bën të gjithë ne, shqiptarëve, të afërt me njëri-tjetrin. Janë dhjetëra situata, që kanë shënjuar një pjesë të rëndësishme të jetës ose formimit psiko-somatik shqiptar, kaq të veçanta dhe të ndryshme nga çdo detaj që pati blatuar formimin e një populli ose të disa popujve të tjerë në të njëjtën epokë. Atëherë, dilema të tilla mund të shkaktojnë kriza të mëdha të identitetit. E, në këto dilema, njeriu i thjeshtë nuk duhet të lihet i vetëm dhe në udhëkryq. Në këtë pikë, autori nuk na lë të hamendësojmë gjatë, duke qenë ekspert me përvojë i strukturave euro-atlantike, kur na këshillon të mos biem në pozitat e nënshtrimit dhe të servilizmit neo-bizantin:

  • A është interesi aktual i Perëndimit për Shqipërinë emergjencë, partneritet, bashkëpunim apo alibi? E vërteta është se realiteti shqiptar po dëshmon se është më i ndërlikuar dhe më i copëtuar se parimet e vetë organizmave ndërkombëtare… çështja e imazhit është në radhë të parë çështje kulturore dhe kulturalisht klishetë e glorifikimit të gjithçkaje që vjen nga jashtë janë ende evidente në Shqipëri… Fatkeqësisht, ne po e kuptojmë me shumë vonesë se nuk jemi as më të mirë, as më të këqij se popujt e tjerë, se glorifikimi pa kushte i gjithë asaj që vjen nga jashtë dhe nënshtrimi servil ndaj saj nxit pështirosjen dhe të fundos më keq në pozitat e nënshtrimit… Imazhi i Shqipërisë midis alibive dhe realitetit, f. 72,74.

Nga ana tjetër, Aliçka spikat për guximin qytetar, kur i sheh “në sy” dobësitë tona dhe ato të komunitetit ndërkombëtar lidhur me imazhin shpesh negativ mbi Shqipërinë dhe shqiptarët:

  • Fatkeqësisht, ne po e kuptojmë me shumë vonesë se nuk jemi as më të mirë, as më të këqij se popujt e tjerë, se glorifikimi pa kushte i gjithë asaj që vjen nga jashtë dhe nënshtrimi servil ndaj saj nxit pështirosjen dhe të fundos më keq në pozitat e nënshtrimit. Po aty, f. 74.

Temën e imazhit, autori e trajton më tej në mënyrë të qartë në disa studime, ese dhe intervista, botuar kohë pas kohe në organet e shtypit dhe transmetuar nga mediet audio-vizuale të botës perëndimore:

  • …Shumë nga klishetë, apo shabllonet e krijuara për imazhin jo gjithnjë pozitiv për Shqipërinë, në pjesën më të madhe e kanë burimin nga keqinformimi apo mosnjohja reciproke. Fushatat e zgjedhjeve, f. 96-97.

Me këtë sentencë, Aliçka i del përballë dyzimit të realitetit, që mund ta detyronte individin shqiptar të ngatërrohej dhe të mos ishte i aftë t’i takojë një “kohe të përcaktuar”, por të pluskojë nëpër kohëra, ide e koncepte të ndryshme. Realiteti kulturor ka dëshmuar shpesh herë se shqiptarit, të frikësuar se mos humbasë “të vjetrën” dhe shpesh me dëshirën për të fituar “të renë” (koncepte këto që, si pa kuptuar, i përplasen atij me njëri-tjetrin), i ndodh një rrëmujë e vërtetë ekzistenciale dhe e gjithë kjo duket sikur justifikohet me zhvillimin pasmodern, pa e ditur që këtë “amulli sociale” e krijojnë pikërisht “rrënjët” e tij.

Në të kaluarën e vendit, individët që arrinin vetërealizimin ishin të pakët. Por, në shoqërinë e re pasdiktatoriale, çdo individ mund të ngjitet në majë të “piramidës së Moslovit”, sepse gjithkush është tashmë i brumosur me një “magji” të re, të fragmentarizuar dhe refleksive; shqiptarët janë tashmë “të detyruar” ta rivështrojë jetën për të “rilindur si të vetërealizuar”- një gjendje kjo, pa të cilën do të ndiheshin përgjithmonë të pakënaqur.Por, bash në këtë hulli, mund të hasim një problem të ri në marrëdhëniet brenda shoqërisë sonë: nga kjo gjendje e re, realiteti kulturor do të “copëtohej” me vështirësi, sepse- në rrethana të tilla- çdo gjë do të ishte e kontrolluar dhe e planifikuar, jo në sajë të aftësive personale, por të dëshirës së grupit ku bën pjesë individi dhe ku dëshira personale degjeneron shpesh në dëshirën e liderit, çka – në shumicën dërrmuese të rasteve – nuk pasqyron gjë tjetër veçse një gjendje paramoderne të zhvillimit.

Duke pasur parasysh këtë prirje të mundshme dhe për të rekomanduar rrugët për shmangien e saj, autori i qaset një teme tjetër me interes në aspektin kulturor, që ka të bëjë me identitetin kolektiv. Individi, si një konsumues kulturor, është aktiv në kërkimin dhe riprodhimin e vlerave, pra ai mund të bëhet njëkohësisht krijues kulturor. Individët, me gjithë subjektivizmin e tyre, mund të çlirohen nga disa korniza shoqërore dhe kulturore, me ç’rast fusha e kulturës do të zgjerohej në fushë të ”shoqërisë masive”, d.m.th. kultura nuk do të kuptohej më si “kulturë e lartë elitare” apo si “art elitar”, por si një “kulturë e popullarizuar”.

2.  Dimensioni i dytë që më ngacmoi në shkruarjen e këtyre radhëve ka të bëjë me shfrytëzimin e trashëgimisë popullore, konkretisht të proverbave, në parullat politike të ditës. Këtë studim fondamental, autori e ka hartuar në bashkëpunim me znj. Bisej Kapo, një ndër asistentet më premtuese të Universitetit Europian të Tiranës në sferën e shkencave politike. Aty zbërthehet përmbajtja strukturore dhe funksionale e dikotomisë proverba / parulla politike, duke e marrë nxitjen nga libri dhe skenari me të njëjtin titull i filmit ”Parullat në gur” që shënoi rrugëtimin e suksesshëm të autorit në panteonin e letërsisë bashkëkohore shqiptare.

Së pari, është për t’u vlerësuar fakti që Ylljet Aliçka, me këtë studim, inauguron në Shqipëri një fushë të re si pariemologjia, që – për hir të vërtetës – njihet pak ose aspak në vendet e Evropës lindore. Ndaj edhe interesi për të ia vlente të përfshihej në këtë libër. Meqenëse vërtetësia e brendshme natyrore që mbartin proverbat i bën ato lehtësisht të asimilueshme nga masa e gjerë e popullit, ato mbeten ”pjesë e fshehur e taktikave manipulative të përpunimit të opinionit publik”, siç shprehet me të drejtë Aliçka, çka do t’i shërbente ideologjisë totalitare (në rastin shqiptar) për ligjërimin politik të tjetërsuar, mbi bazën e logjikës së ”veprimit të grupit”:

  • Në vetvete, ligjërimi politik nuk përmban vetëm një kuptim, por në varësi të konteksteve dhe ideologjive mbart një forcë kontrolluese, bindëse dhe manipuluese, që mund të çojë në krijimin dhe ndryshimin e identiteteve dhe në (ri)dimensionimin apo konfirmimin e ideologjive, duke ndryshuar kështu apo forcuar identitetet në kontekste të dhëna sociale, pra vetë strukturat. Shfrytëzimi i trashëgimisë proverbiale, f. 54.

Përdorimi i proverbave ligjërimin e liderëve politikë totalitarë ka funksion të dyfishtë: nga njëra anë, ky lloj ligjërimi ka natyrë performuese; nga ana tjetër, ai krijon bindje, si pasojë e përsëritjes në kontekste të ndryshme kulturore, prej nga i hapet rruga manipulimit të dëshiruar. Ky ”funksion i dyfishtë” i proverbës shfrytëzohet nga retorika politike si “aftësi rigjeneruese” e parullave politike, që – me shumë gjasë – s’e kanë të vështirë mandej të përftojnë statusin e proverbës në realitetin e ri politik. Autori e konkretizon këtë deduksion përmes shembujve konkretë nga periudha komuniste:

  • Proverbat mbartin, në themel, një emocion, një identitet kolektiv i cili përshfaqet nëpërmjet shprehjeve të së shkuarës, pra përmes kujtesës kolektive të një vendi. Si rrjedhojë e kësaj force që kanë, ato janë shfrytëzuar edhe nga ligjërimi politik komunist. Enver Hoxha, në një farë mënyre, ashtu si edhe bashkë-udhëheqësit e fraksioneve të ndryshme ideologjike, ka përdorur dhe ka praktikuar me mjeshtëri këtë trashëgimi në funksion të propagandës komuniste. Por ajo që vihet re është, se përpos instrumentalizimit të këtyre proverbave, parullat politike në vetvete kanë mundur të hynë në përdorimin e përditshëm të shoqërisë, duke përftuar statusin e proverbës. Po aty, f. 57-58.

Të mos harrojmë se kjo prirje vazhdon edhe në ditët e sotme. Shumica e politikanëve shqiptarë janë mjeshtër të komunikimit me publikun; nëpërmjet këtij komunikimi, ata transmetojnë forcën e manipulimit dhe ky bashkëudhëtar i tyre – sidomos në ngjarje të rëndësishme politike – shndërrohet në mekanizëm për kontrollin, qoftë edhe të pjesshëm, të medies. Njoftimet për shtyp, deklaratat, intervistat, ftesat në televizione etj. janë të gjitha pjesë e këtij lloj komunikimi; gjatë fushatave elektorale, këto “ngasje” shndërrohen në ”armët” kryesore të politikanëve dhe kandidatëve të ndryshëm.

Nga ana tjetër, ligjërimi (qoftë ky edhe i natyrës politike) nënkupton përfshirjen e audiencës në situata, praktika dhe kontekste sociale reale, mjafton që fjalët e përdorura nga ligjëruesi ta shprehin ashtu siç duhet (ose siç shpresohet) mesazhin e tyre. Këtu jemi përpara një paradigme tjetër të rëndësishme që lidhet me kuptimin e drejtë / të qashtër, të gabuar apo të tjetërsuar të fjalës. Fjalitë e vendosura në një rend strukturor të përcaktuar mund të arrijnë deri aty sa ta shpjegojnë realitetin duke e ndryshuar atë enkas. Kjo ndodh sepse gjuha, si dukuri sociale, është produkt i zhvillimit shoqëror; për rrjedhojë, ajo pasqyron edhe vizione semantikisht të ndryshme mbi botëkuptimin.

Me të drejtë, autori citon në këtë rast Bourdieu-në, sipas të cilit “struktura të pa-tjetërsueshme njerëzore konceptohen në mënyra të ndryshme, si rrjedhojë e faktit që çdo komunitet njerëzor i jep fjalës kuptimin që do”. Kjo paradigmë ngjan më se e vërtetë, po të kemi parasysh faktin se në botën shoqërore ekzistojnë edhe struktura subjektive (në rastin konkret: lidershipi politik), të cilat janë në gjendje të pengojnë veprimin e strukturave objektive, ose të ndikojnë në përfytyrimin e njerëzve mbi ’to. Dhe, efekti i një veprimi të tillë është më efikas kur ata i drejtohen sistemeve simbolike, sidomos gjuhës, mitologjisë dhe traditës popullore.

Përkundër këtij ndikimi të imponuar, Ylljet Aliçka i kthehet dilemës: kush e ka “pësuar” më tepër në diktaturë, kolektivi apo individi? Sipas tij, “dramatikja [e kohës] zbulohet më mirë në të përditshmen, në rutinën e zakonshme, se sa në heroizma”. Ndaj, shumica e personazheve të tij janë njerëz të zakonshëm. Por, a përbën shumësia e këtyre njerëzve të thjeshtë, ”të prerë njëlloj”, një ”dhuratë” të sistemit të kohës? Dhe më tej, a la ajo mendësi pasoja në memorien kolektive? Patjetër po, madje në formën e një ndjesie irracionale, çka Aliçka e vë formalisht ”në gojën” e shkrimtares austriake Anne Kim, por mendoj që mesazhi i mëposhtëm, në mënyrën e thurjes, është më tepër një aset i tij personal i karakterit ekzistencial:

  • Burri përpiqet të rifitojë ndjesinë se po jeton duke kundërshtuar botën, por e kaluara nuk pranon të ketë të bëjë me të tashmen. Ai përpiqet t’i japë jetës së tij një histori të re, por shpejt kupton se është i paaftë t’i kontrollojë, depozitojë a shprehë kujtimet e tij. Sepse kujtimi është ndjenjë dhe si çdo ndjenjë është i vështirë për t’u shprehur dhe ashtu, i terrorizuar nga pamje të pamëshirshme, teksa përfytyron gjëra të panjohura apo fantazma me syze dielli, i dobësuar nga pritja, burri vret veten nga padurimi i dhembjes. Viktimat s’e kanë thënë ende fjalën e fundit, f. 20.

Kur vendosën ta ndryshonin sistemin politik, shqiptarët s’e patën menduar se duhej të ishin vigjilentë ndaj fiction-eve që i prisnin… Dhe çuditemi sot, pse ishim aq naivë; harrojmë se, duke u bërë gjasme më të zgjuar, s’po e ”kapim” dot kohën. A ka gjë më përvëluese se kjo? Dhe unë mendoj se mesazhi i Adam Michnik për “sensin e humbur të paskomunizmit”, që riprodhohet në këtë libër në mënyrë mjeshtërore nga Aliçka për t’iu kundërvënë qytetarisht paligjshmërive korruptive (shih: “Njeriu e provon sa i ndershëm është vetëm kur ballafaqohet me një ofertë të mirë korrupsioni”) apo intrigës dhe shpifjes, aq më keq me mjete gjuhësore-letrare (shih kritikën ndaj Rudolf Markut) i tejkalon shumë herë kolanat e çdo editoriali të gazetave tona të përditshme, që rendin gjithnjë e më tepër kah scoop-eve të kronikës së zezë, pa u shqetësuar për dukuri të tilla kapitale si “pastrimi/ [në fakt] harresa kolektive”, që s’na lënë të ecim përpara me ”kutin” e kohës.

Në këtë drejtim ngrenë kokë, herë pas here, edhe ndoca blasfemi nga të huajt, siç është rasti i akuzës së ish-prokurores së Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte, mbi transplantimin dhe trafikun e organeve [të ushtarëve serbë të vrarë nga UÇK-ja], që paskërkesh ndodhur pikërisht në një zonë ku Ylljet Aliçka kishte shërbyer dikur si mësues. Kush më mirë dhe drejtpërdrejt se autori i ka dhënë përgjigje dërrmuese kësaj alibie të shëmtuar, që synon të ulë vlerat morale të këtij populli apo që mendon se shqiptari e ka humbur tashmë pa kthim ndjesinë e të qenit evropian?

Ja çfarë shkruan autori lidhur me këtë rast, të bujshëm në pamje të parë, meqë jehona e kësaj shpifjeje ordinere kundrejt një populli të tërë bujar kapleu edhe Komisionin ad hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës:

  • … Shqiptarët kanë pasur gjithnjë vështirësi për të kuptuar orvatjet e veshura me një “objektivitet të ashpër” të Znj. Del Ponte… Mos jemi përballë një improvizimi emocional të Znj. Del Ponte në kërkim të ndonjë lanxhoje…? Por historia i ka bërë shqiptarët (dhe jo vetëm ata) të kuptojnë. Historia i ka mësuar, gjithashtu, se shpifja turbullon, por është e vërteta që qetëson. Këto mësime të historisë marrin një tjetër vlerë nëse rikujtojmë se urrejtja e shqiptarëve nuk është aq e rrezikshme sa miqësia e tyre. Urrejtja nuk është aq e rrezikshme sa miqësia, f. 34, 35, 36.

Dhe mendoni që Aliçka e ka bërë këtë deklaratë në maj 2008, kur Kosova në shkurt të atij viti kishte përjetuar ngjarjen më të madhe kombëtare mbas 100 vjetësh robërie! Ja edhe një mesazh i ndjerë që na bën të shohim te figura e Ylljet Aliçkës patriotin realist. Dhe është për t’u përshëndetur fakti që kjo deklaratë riprodhohet tashmë në botimet tona, meqenëse fillimisht u botua në frëngjisht në ”Courrier des Balkans”, në Paris.

3. Lidhur me dimensionin e tretë të natyrës kulturore që dëshiroj të prek në këtë Parathënie, ai ka të bëjë me disa mendime të vyera të autorit mbi sfidat e reformës kulturore që duhet të ndërmerren për t’i dhënë jetë rolit që i takon aksionit kulturor mbarëkombëtar në krijimin e një shoqërie të hapur, që përmbush njëkohësisht aspiratat evropiane të shoqërisë shqiptare. Mesazhi më i rëndësishëm që përcillet përmes këtij aksioni është: instancat vendimmarrëse dhe publike ta shndërrojnë lirinë kulturore në një nga shtyllate shtetit. Për ta konkretizuar këtë ide, autori ka renditur disa nga prioritetet kryesore që duhet të plotësojë reforma kulturore, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Sipas opinionit të autorit, në paketën ligjore të kësaj fushe nuk është punuar ende mbi bazën e një strategjie afatgjatë, për shkak të nevojave emergjente të tranzicionit, përkatësisht në mbështetje të iniciativave spontane. Por, edhe sa duhet të presim që të kapërcehet kjo fazë kalimtare? Kush e mban përgjegjësinë institucionale, politike, si dhe qytetare për një ”javashllëk” të tillë? Mos vallë na mban shpresa se kultura përshtatet më shpejt se sa strukturat ekonomike e sociale?

Së pari, nuk na lejohet të postulojmë se kultura nuk mund të ndryshojë sensin (drejtimin) e saj origjinal nga ku e ka burimin. Të dhënat e antropologjisë kulturore na tregojnë se globalizmi sjell njohuri të reja kulturore; si proces i gjithanshëm dhe i kudondodhshëm, ai mund të sjellë në të ardhmen edhe koncepte kulturore krejt të ndryshme nga ato të një vendi të caktuar ”të sotëm”, por do t’i lërë gjithmonë rrugë të hapur zgjidhjeve më të pranueshme.

Së dyti, integrimi kulturor sipas “kutit” evropian kërkon domosdo qartësim të përgjegjësive dhe të barazisë së të drejtës për kulturë për të gjithë shtetasit, pavarësisht nga përkatësia etnike, feja, raca etj.

Së treti, nxitja e misioneve madhore për zhvillimin dhe studimin e trashëgimisë së përbashkët kombëtare nuk duhet të bjerë ndesh me studimin e thelluar të realiteteve/ veçantive lokale e rajonale kulturore.

Mendimet e mësipërme po i hedh në letër duke qenë plotësisht në një mendje me idetë e Aliçkës në “Raportin” që ai i pati paraqitur Drejtorisë së Përgjithshme të UNESCO-s pranë Komisionit Evropian në Bruksel në vitin 2000, të riprodhuara shqip në këtë botim. Për sa i përket analizave që Y. Aliçka, si ekspert i çështjeve të kulturës, bën rreth politikave kulturore të Qeverisë, unë ndaj, gjithashtu, të njëjtat dilema me të lidhur me të ardhmen e identitetit të kulturës shqiptare:

  • Asnjë komb europian, historikisht i lumtur apo fatkeq, nuk ka hequr dorë nga gjuha e tij letrare, nga letërsia dhe arti i tij, nga perceptimi i tij unik i vlerave të jetës si vlera kulturore. Ruajtja dhe shpëtimi i individualitetit të kulturës shqiptare duhet të jetë kushti sine qua non i aksionit të saj. Në këtë kuptim, mbrojtja e saj nuk është vetëm një simptomë e situatës së kulturës shqiptare sot, por vetë simboli i saj efikas. Sfida të reformës kulturore në Shqipëri, f. 178.

Përballë kësaj situate, sot kërkohet me emergjencë përpunimi i mënyrave më të përshtatshme për vendosjen e një kontakti dinjitoz të kulturës shqiptare në kuadrin e kulturave evropiane. Dhe, natyrisht, mjeti më i shpejtë dhe më efikas për arritjen e këtij objektivi madhor nuk mund t’i ngarkohet diplomacisë, por vendimmarrësve lokalë që veprojnë në lëmi të kulturës dhe që duhet të nxisin pjesëmarrjen publike në programet kulturore komunitare të BE-së. Sipas autorit, Shqipëria ka shumë për të prezantuar nga përvoja e saj e lashtë dhe e re, por ka nevojë për hapësirën që i takon, si dhe për një njohje reciproke të lirë:

  • Vetë identiteti kulturor shqiptar nuk është reduktuar në etninë, por është parë në plane të ndryshme si histori, kulturë, edukim, situatë shoqërore. Historia ka dëshmuar se ai komb që ka vuajtur e luftuar për dinjitetin e tij kombëtar dhe identitetin e tij kulturor është gjithnjë më tolerant e më i kulturuar se të tjerët. Po aty, f. 179.

Në kuadrin e reformës dhe politikave të reja kulturore, autori nuk mund të mos qëmtonte në disa shkrime indikatorët dhe faktorët që ndërhyjnë në një ”prerje” të tillë dhe që mund të pengojnë simbiozën e natyrshme midis vektorëve të ndryshëm kulturorë:

  • Njëkohësisht, vëmendja tregohet në praktikë ndaj asaj që quhet kulturë legjitime apo e kultivuar duke injoruar kulturat popullore tradicionale, kulturat popullore urbane të lidhura me rininë, kulturat minoritare dhe kulturat e emigranteve. Sot vihet re një mungesë harmonizimi ndërmjet, objektivave të politikës kulturore që synojnë rimëkëmbjen kombëtare, me ato të individëve apo grupeve individësh, të cilët kërkojnë, para së gjithash, t’u përgjigjesh nevojave të tyre më imediate. Po aty, f. 189.

Në vazhdim të këtij arsyetimi, autori jep mendimin e tij të vyer për një politikë të re kulturore, e cila do të modifikonte rrënjësisht procesin e integrimit evropian të vendit, meqenëse vetë kultura i kapërcen natyrshëm kufijtë shtetërorë, aq më lehtë në trevat ballkanike, ku pjesë të tëra të traditës popullore (materiale dhe sidomos asaj shpirtërore) pleksen ngushtë dhe ndërveprojnë me njëra-tjetrën.

Fjala e Y. Aliçkës, mbajtur në Strasburg, në Këshillin e Evropës, në vitin 1992, e botuar e plotë në këtë libër, do të shërbente si një model parimor konkret për ndërhyrjen kulturore të BE-së, nëpërmjet programeve të agjencive bashkëpunuese ndër-rajonale.

Në përfundim, shpreh bindjen se njerëz të tillë, si Ylljet Aliçka, na duhen fort dhe ata duhet t’i mbështesim e përshëndesim në aktivitetin e tyre prodhues, mbi të gjitha për kurajën qytetare dhe për impenjimin shkencor në vërtetimin e asaj çka jemi, në ballafaqim me vetveten dhe me botën e qytetëruar, pjesë përbërëse e së cilës duhet të jemi. Por, jo me fjalë, përkundrazi me vepra. Ndaj them se këtë vëllim duhet ta lexojmë me kujdes, jo për të shuar kuriozitetin, por për ta studiuar.

Unë shpreh bindjen se Ylljet Aliçka do të motivohet nga ky botim për të na dhënë vepra të tjera të ndjera – jo vetëm letrare (ku ai, tashmë, e ka përballuar “provën e Prokrustit”), por sidomos të karakterit akademiko – shkencor, përderisa më duket se po i kushton vëmendje më tepër se më parë një jete për shkencën.