Drama shqipe e arkivit në Teatrin e Metropolit

Komedia

Në kuadër të MetroFest 3 / 2019

Për të tretin vit radhazi, Teatri i Metropolit organizon MetroFest, një festival me drama të vjetra në gjuhën shqipe, shkruar në shqip ose përkthime, që i përkasin periudhës së fillimviteve 1940. Synimi është më shumë se sa vetëm argëtimi i publikut me repertorin e pasur. Synimi ynë është formimi i një mendimi estetik e qytetar, mbushur me nota empatie, po aq edhe me ato të një krenarie kombëtare. Për vitin 2019 është menduar që pjesë e repertorit të jenë edhe autorë bashkëkohorë, duke bërë pjesë të analizës edhe vepra të ditëve tona, ndërsa fokusi është “Komedia”.

Specialistët e Sektorit të Edukimit, Klea Konomi, Elona Hyseni dhe Klesta Shero, nën drejtimin e përgjegjëses së sektorit, Sonila Kapidani, e kanë ndërtuar punën për përzgjedhjen e dramave në tri faza.

Në fazën e parë, grupi i punës ka hulumtuar në arkivat e Bibliotekës Kombëtare veprat me të cilat do të dëshironin të prezantoheshin. Për këtë, gjatë periudhës janar – mars, fillimisht u krijua një listë me veprat e mundshme. Lista paraqitet si më poshtë, sipas rendit alfabetik:

  1. (1995) “Një histori fisnikësh”;
  2. “Karagjozi egërsinë-zbutës” (1932). Komedi me tre akte. Përkthim i lirë nga Skënder Guri;
  3. “Nita”. Dramë me katër ndodhina;
  4. At Shtjefën Gjeçovi (1902-1904) “Shqyptari ngadhnjyes”. Dramë;
  5. Dhimitër Anagnosti “Nata e trokitjeve në xham”. Dramë;
  6. Dhori Koti (1922) “Luloja”. Komedi xbavore në dy akte (Përkthim i shqipëruar);
  7. Dionis Bubani “Poliagjenti 013”. Komedi me tre akte;
  8. Erenler Ajdinlli “Krisma”. Komedi në 5 akte;
  9. Hivzi Sulejmani “Miu në xhep”. Lojë satirike në tri akte;
  10. Jeronim De Rada (1891)‘Sofonizba”;
  11. Josip Rela (1932) “Sot tetë ditë”. Komedi në dy akte;
  12. Jusuf Buxhovi (1984) “Pranverë e zhveshur”;
  13. Kolë Jakova ‘Toka jonë”. Dramë në 4 akte;
  14. Lisandri Kola “E vërteta e Marias”. Dramë me një akt;
  15. Muharrem QENA “Bashkëshortët”. Dramë me tre akte;
  16. Murteza Peza “Parajsi i humbun”. Dramë në dy akte;
  17. O.V.Gorguzi (1925) “Llazua dha Llazovica”. Komedi në dy akte;
  18. P.K. (1921) “Kolltuku”. Komedi një piesësh;
  19. Sabri Hamiti “Futa”. Dramë në 5 Akte;
  20. Tahir Jaha “Eja, Eja”. Komedi në 3 akte;
  21. Xhemal Broja (1958) “Majlinda”. Dramë me tri akte;
  22. Ylljet Aliçka “Letra”. Komedi me një akt.

Pas identifikimit të listës së mësipërme, secili nga anëtarët e grupit lexoi me kujdes veprën. Në muajin prill, që shënon edhe fillimin e fazës së dytë të këtij projekti të rëndësishëm, fokus ishte përsëri leximi i veprave, ose më mirë rileximi dhe analiza në grup e tyre.

Faza e tretë kishte synim gjetjen e korrelacionit ndërmjet veprave në dispozicion dhe synimeve të MetroFest 3 / 2019. Në përfundim, pjesë e MetroFest 2019 janë këto vepra – së bashku me regjisorët që do të merren me vënien në skenë të tyre:

1. Me regji nga Sonila Kapidani: P.K. (1921) “Kolltuku”. Komedi një piesësh. Shtypshkronja Vlorë. Autori identifikohet vetëm me inicialet. Personazhet janë 4: 3 M; 1 F, shtuar edhe 2 episodikë. Vendi i veprimit: një kasolle buzë detit në një ishull. Dialekti: nëndialekti i Vlorës së vitit 1920.

  • Interpretojnë: Bledar Naska, Griseld Kapllanaj, Ismail Shino, Mirela Naska
  • Datat kur mund ta ndiqni: 3, 4, 5, 6 tetor 2019
  • Fabula: Një ish-drejtor teatri, dy aktorë të dashuruar dhe një sufler përfundojnë në një ishull të pabanuar në mes të detit pasi u përmbytet anija. Kjo botë e re kërkon një sistem të ri shtetëror. Monarki apo Republikë? Kush do t’i fitojë zgjedhjet? Kush do ta fitojë “kolltukun”?

2. Me regji nga Rexhina Mollaymeri:Karagjozi egërsinë-zbutës” (1932). Komedi me tre akte, përkthim i lirë nga Skënder Guri. Personazhet 6 M: Karagjozi; Meni (i biri); Taipi (shok i tij); Miti (një djalë i pashëm); Zani (xhaxhai i tij); Tinger Beu. Dialekti: Gegënisht.

  • Interpretojnë: Aleksandër Kondi, Amarildo Bala, Engjëll Hoxha, Griseld Kapllanaj, Hygerta Bushpeni, Juxhin Plovishti, Noel Kokomani, Urim Aliaj.
  • Datat kur mund ta ndiqni: 17, 18, 19, 20 tetor 2019
  • Fabula: Tinger Beu feston ditëlindjen e vajzës dhe vendos të sjellë në fshat kafshë ekzotike nga xhunglat e largëta. Beu ngarkon karagjozin e fshatit që t’ja zbutë kafshët nëpër kafazë përpara se të habisë dynjanë me shfaqjen e tyre. Por karagjozi dembel dhe qejfli i ther kafshet për t’i ngrënë. Çfarë do të bëjë ai kur të vijë Beu për të parë kafshët?

3. Me regji nga Elona Hyseni: Josip Rela (12.10.1932) “Sot tetë ditë”. Komedi në dy akte, shkruar në serbokroatisht. Personazhet 8: 4 M; 4 F. Skenografia: Dhoma e ndenjes në shtëpinë e Dobriqit; Dhoma e ndenjes në shtëpinë e Gërkiqit. Dialekti: Gegënisht. Përkthimi nga Ramiz Kelmendi.

  • Interpretojnë: Alba Shtembari, Erin Kujofsa, Ermir Hoxhaj, Ermir Jonka, Iris Karaxha, Klea Konomi, Paola Xhafa, Xhino Musollari
  • Datat kur mund ta ndiqni: 10, 11, 12, 13 Tetor 2019
  • Fabula: Një djalë dhe një vajzë të dashuruar janë në mes të një dileme. A duhet të fitojë dashuria e tyre për njëri-tjetrin, apo mblesëria e përcaktuar nga familjet e tyre? Po sikur dashuria dhe mblesëria ta kishin syrin në të njëjtin vend? Një komedi keqkuptimesh e sqarimesh.

4. Me regji nga Aldi Hysotoçi: Hivzi Sulejmani “Miu në xhep”. Lojë satirike në tri akte. Vehtjet 4: 2M; 2 F: “Skerco” – nëpunës në moshë mesatare; e shoqja – grua e re me temperament të gjallë; nënpunësja – vajzë e bukur; peronazhet e tjerë janë episodikë dhe të modifikueshëm dhe mund t’i realizojë një aktor: Pipi/djali; Portieri; Qytetar; Pensioneri; Minatori; Studenti; Katundari; Gjuha: Gegënisht. Vendi i veprimit: Zyra e “Skercos” dhe dhoma e ndenjes në shtëpinë e tij.

  • Interpretojnë: Arjon Osmani, Dritan Boriçi, Enisa Hysa, Eriona Kakeli, Gëzim Rudi, Pamela Rexhepi, Theodhora Dhimo
  • Datat kur mund ta ndiqni: 24, 25, 26, 27 tetor 2019
  • Fabula: Skerco është një nëpunës shtetëror, me aspirata për t’u bërë ministër. Në fund të fundit, pse të mos bëhet? Edhe gruaja e tij është dakort që ai e meriton. Ditët e Skercos janë të ngarkuara me hallet e këtij populli që nuk kënaqet kurrë dhe s’ta di as për faleminderit. Ndërkohë që ëndrrat për përfitime të reja vazhdojnë, portieri i sjell Skercos vendim nga lart. A do të ngrihet Skerco në përgjegjësi, apo do të rrëzohet fare?

5. Me regji nga Kastriot Ramollari: Koncert Recital Poetik “Poezia e Lasgush Poradecit: Ndrit vash’ e kulluar, në flakë e pushtuar”.

  • Interpreton: Ligoraq Riza / Muzikantë: Margret Radovani, Ejona Nako / Koreografia: Mario Bali / Valltarë: Mario Bali, Luisa Dinellari
  • Datat kur mund ta ndiqni: 9, 16 tetor 2019
  • Fabula: Një mbrëmje poetike kushtuar poezisë së Lasgush Poradecit, nën interpretimin e aktorit Ligoraq Riza, shoqëruar me muzikë dhe balet, frymëzuar nga vepra e autorit.

6. Me regji nga Terry Paternoster “BESA”

  • Interpreton: Ermir Jonka
  • Datat kur mund ta ndiqni: 22, 23 tetor 2019
  • Fabula: Nën interpretimin e Ermir Jonkës, vjen një monodramë origjinale që dëshmon mbi eksperiencat dhë vështirësitë e një djali të ri emigrant që lundron drejt Italisë.

Ju mirëpresim në Teatrin e Metropolit!

Letrat Nga Myftar Barbullushi

Lionardo, po të shkruaj për një krizë të fortë veshkash, e cila është aq e tmerrshme, sa mund ta përshkruajë vetëm ai që e ka provuar. Më dhanë të pija shumë ujë dhe nxora, me urinë, copëza gurësh në ngjyrë të bardhë. Më pas u qetësova shumë… Me ndihmën e Zotit dhe shpirtit të mirë shpresoj, në pak kohë, të jem i qetë e çlirohem tërësisht prej tyre… (Letra, 325)

Kështu i shkruante, më 23 mars të vitit 1549, i madhi Michelangelo Buonarroti, nipit të tij Lionardo di Buonarroto Simoni.

Ky magjistar i gdhendjes në mermer të veprave të një bukurie të pashoq, me këto fjalë gdhend në imagjinatën tonë çfarë do të thotë krizë e gurit të veshkave, si dhe elemente jashtëzakonisht të domosdoshëm në përcaktimin e diagnozës, dhe sidomos në mjekimin e tyre:

Mëngjes dhe darkë, për rreth dy muaj, po pi ujë prej një burimi që është rreth 40 milje larg nga Roma (Viterbo). Mjekët më thonë se ky ujë shkrin gurët e veshkave…

Prej tij po nxjerr copa gurësh në urinë. Jam aq i lidhur me të, sa nuk pi apo ha asgjë tjetër (Letra 334, datë 8 qershor 1549).

Edhe pse 500 vjet më parë, Michelangelo na ka gdhendur mjekimin tradicional, që edhe sot mbetet bashkëkohor në parandalimin dhe mjekimin e gurëve në veshka: dietë e bollshme me lëngje, shoqëruar me kufizim të kripës dhe proteinave.  

Fizikisht jam aq i lodhur, sa ndjehem sikur të isha plak. Mjekët thonë se gurët më kanë dëmtuar veshkat… (Letra 434)

– shprehet ai, duke pikturuar simptomat e humbjes së funksionit të veshkave. Në ato pak rreshta spikat lodhja e madhe nga helmet organike, që nuk eliminohen dot nga veshkat dhe që shoqërohen me anemi dhe tension të lartë:

Vazhdojnë të më trajtojnë për këtë sëmundje të veshkave, edhe pse kanë shumë shpresa. (Letra 323).

Një përzierje mjalti, uthulle, uji deti dhe bajame të shtypura, e cila duhej të merrej tri herë në ditë, përbënin dietën e detyrueshme, që ai e përshkruan aq bukur në një letër tjetër që i dërgonte miqve.

Por ngjarjet nuk rrjedhin ashtu sikundër shpresohej! Pak kohë pas kësaj letre, gjendja e tij shëndetësore vazhdon të rëndohet. Shumë shpejt ndërron jetë, më 18 shkurt 1564, në moshën 89 vjeçare, edhe pse e ndiqnin mjekët më të mirë të kohës, dy fiorentinasit, Dr. Frederigo Donato dhe Dr. Gerardo Fidellissimi.

Shprehja “Secili piktor pikturon veten e tij” i atribohet Michelangelos, sipas mikut të ngushtë, Giorgio Vasari.

Në buletinet shkencore të kohës, në një studim udhëhequr nga Galeni, shkruhet se veshkat janë të pajisura me një force atraktive, që u mundëson të ndajnë skoriet nga pjesa serioze e gjakut. Duket se Michelangelo e ka ndjekur me shumë seriozitet avancimin e sëmundjes dhe ka qenë familjar me strukturën dhe funksionin e veshkave, sepse në pjesë të ndryshme të  kryeveprave të tij, studiuesit gjejnë ngjashmëri ndërmjet anatomisë së trupit të njeriut dhe pamjes që ofron piktura, pavarësisht tematikës së kërkuar. Në veprën “Ndarja e tokës nga uji”, përpunimi kompjuterik i gjithë kompozimit tregon se është ndërtuar sipas modelit të veshkave.

Zgjedhjet e piktorit dhe dyshimet e studiuesve kanë të gjitha një bazë: dashurinë e vjetër të Michelangelos për funksionimin e trupit të njeriut dhe në veçanti për anatominë, e cila duhet t’i ketë lindur kur djalë i ri, adoleshent, iu bashkua oborrit të Mediçëve, njerëzve të pasur dhe me influencë të Fiorentinës dhe që shpesh etiketohen edhe si kumbarët e tij në art.

Një nga veprat që ka ngjallur më shumë diskutime është piktura që gjendet në tavanin e Kapelës Sistine, e cila përbëhet nga nëntë fragmente, të gjitha në funksion të “Librit të Gjenezës”. Në fragmentin “Zoti krijon Adamin”, dy studiues amerikanë nga spitali “Johns Hopkins”, argumentojnë se autori ka përdorur një prerje tërthore të trurit të njeriut, ndërsa fragmenti “Ndarja e dritës nga errësira” është një ilustrim perfekt i shtyllës kurrizore të njeriut.

Michelangelo di Lodovico Buonarroti Simoni, (6.3.1475 – 18.2.1564, Romë, Itali), ka qenë skulptor, piktor, arkitekt & poet.

Për të kryer këtë vepër Michelangelos i janë dashur plot katër vjet dhe në këta katër vjet ka reflektuar, me sa duket, për atë që Zoti ka krijuar: njeriun jo vetëm si qenie fizike, por edhe si qenie humane, e aftë të mendojë dhe të argumentojë, funksione të cilat i kryen nëpërmjet trurit. Përndryshe, pse Adami duhej vendosur në sfondin e trurit njerëzor?

“Ethet, ijët, dhimbjet, sëmundjet, sytë dhe dhëmbët” janë fjalët që përbëjnë epitafin e tij, gdhendur në vitin 1544, por ku, për fat të keq, evidentohen jo cilësitë, por ankesat e këtij burri të madh nga gurët në veshka.