Fat i mallkuar…! Nga Fatmir Musai

“Thuaj yjet janë zjarr,
Thuaj Dielli u shua…”…
… Unë për ty nuk shkoj në varr,
Nuk jam lumë, as det… jam krua!

S’më ka shkuar kurrë ndër mend
Të të pyes: – Vdes për mua?!…
S’jam Romeo që u çmend,
Dhe pas meje gjallë të dua!

Një rrëke bëhet përrua,
Një përrua bëhet lumë,
Fjalë e parë e artë, “Të dua!”,
Që prej shekujsh fle në gjumë!

Do ta zgjojmë si dikur
Që të rrojmë mijëra vjet,
Apo do t’i ngremë një mur,
Të mos ecë lumi në det?!

Mos harro, e fshehta ime:
Kur të zgjohesh, mos e tremb,
Se i shfaqen ca vegime
Edhe zemra zë i dhemb!

Leri yjet lart në qiell
Edhe Diellin që u shua,
Edhe poshtë në shkretëtirë,
Ndënë rërë, fshihet një krua!

Mund të thahet shtrati i lumit,
Mund t’i dalë zalli përroit,
Po dhe pas mijëra vjetësh
Nuk shteron uji i kroit!

S’ka nevojë për udhërrëfyes,
Ai udhën e çan vetë,
Pak ta gjerbësh, i ndërkryer,
Dallgë ngre e bëhet det!

Ndaj, gjithë yjet le të digjen
Edhe Dielli bashkë me ta,
Po mos thuaj se ne vdiqëm…
Ky mallkim si Fat na ra!!!

Fatmir Musai u lind në maj të vitit 1945 në qytetin e Elbasanit. Pas mbarimit të gjimnazit, kreu studimet për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës.  Deri në vitin 2007 punon si mësues letërsie në qytetet Librazhd e Elbasan. Nga viti 2007 është Drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore, Turizmit, Artit e Sportit në Bashkinë e Elbasanit.

Në kohëm kur ishte student boton dy librat e parë, “Thirrja e jetës” (poezi) dhe “Në rodhan” (poezi për fëmijë). Nga viti 1978 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë.

Botime:

  • 2019 “Frymoj me yjet”, përmbledhje me krijimtari të përzgjedhur.
  • 2018 “Nga një botë tjetër” Poezi.
  • 2008 “Lind nga perëndon” Poezi
  • 2006 “Dhe engjëjt simulojnë” Tregime, esse e përsiatje
  • 2001 “Sfidë” Poezi