Krijues diplomat apo diplomat krijues? Intervistë me Ambasador Visar Zhiti, shtator 2018

Intervistë me Ambasador Visar Zhiti, shtator 2018

Titullari i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, i Ngarkuari me Punë, në Selinë e Shenjtë në Vatikan dhe në Urdhërin Sovran Militar të Maltës

Tirana Review of Books: Krijues diplomat apo diplomat krijues?

Visar Zhiti: Dilemë e bukur, që ndërthuren, do të thosha… ndokush është “krijues diplomat” e ndokush “diplomat krijues”. Të gjithë janë krijues sipas mënyrave të tyre, ndoshta nga që të gjithë jemi të krijuar, kjo m’u nëpërmen së pari. Pastaj krijimi dhe diplomacia duket sikur nuk bashkohen e megjithatë dhe bashkohen, kanë ndarjet dhe nënndarjet të përziera ndokund në një si qerthull marramëndës, kreativ, me një inteligjencë të thukët.

Është forca e krijimit, aq shumë përbashkuese, e individëve dhe e popujve dhe më përtej, që kanë nevojë për më shumë njohje e marrëdhënie… krahas shkrimtarit duhet dhe diplomati, njëri për ëndrrën, tjetri për lidhjet mes vendeve. Është nevoja e të qenit krijues në botën tonë, që  sikur zvogëlohet, po përsëris këtë thënie siç është bërë zakon të përsëritet edhe në pritjet diplomatike, shoqëruar me një buzëqeshje. Po buzëqeshje diplomatike ka? Buzëqeshja është e njeriut, dhunti e tij vjetër dhe e re, e papërsëritshme në përsëritjet e veta pa fund.

Diplomacia është një pjesë e veprimtarisë së “krijuesit diplomat”, në kuptim e mirë të fjalës, jo në atë zyrtar, dhe diplomati duhet të jetë dhe krijues, në kuptimin zyrtar, aq sa (i) duhet.

Në fund të fundit të dy shkruajnë, diplomati ia dërgon ministrisë së tij, krijuesi botës. Mos duhej të përgjigjesha se si ndihem unë? Krijimi më çoi në ferr dhe pastaj në diplomaci.

Tirana Review of Books: Mendoni se ekziston një model i krijuesit diplomat?

Visar Zhiti: Përvojat vlejnë, seriozet mbeten, madje ato vazhdohen. Shëmbëlltyrat e përforcojnë punën, besoj, për mirë dhe jo për mirë. Modeli? Edhe bëhet pengesë, se është i papërsëritshëm, i takon një kohe, një vendi, një kulture, një karakteri… kështu e mendoj.

Kujtohem që dhe Dantja, mbase poeti më i madh i planetit, ka qenë dhe diplomat. Dhe në shekujt më pas e deri te i XX e tani ka patur shkrimtarë diplomatë, madje dhe nobelistë, dy i kemi fqinjë, poetin Jorgo Seferis, që ka qenë konsull në Korçë, edhe Ivo Andriq, i cila ka dhe një elaborat të kobshëm për përzënien e shqiptarëve nga trojet e tyre në Kosovë.

Dua të përmend një mik tonin, shkrimtarin ballkanas, Luan Starova, ambasador dy herë, në Tunizi në fillim, ku shkruante poezi për t’i shpëtuar sado pak shkretimit, jo të shkretëtirave afrikane, por të shkresave, dhe më pas në Francë, ku dhe ështe botuar e jo vetëm atje.

Në Paris ishte ambasador dhe një bashkëvuajtës yni, intelektuali që vinte nga ferri, përkthyesi i shkëlqyer Jusuf Vrioni, që shkruajti në frengjisht memuaristikë. Edhe poeti Ali Asllani ka përfaqësuar Shqipërinë Mbretërore…

Shëmbuj ka gjithandej, edhe pse jo të shumtë “të krijuesit diplomat”, të sukseshëm ose të kufizuar në arritje, të penguar apo që kanë penguar, që kanë dhënë e janë bërë nder i përfaqësimit, pra aq sa ka emra, mund të ketë dhe modele.

Faik Konica, e lashë për në fund, ishte brilant. Tek ai duket sikur janë shumë bashkë krijuesi me diplomati kurajoz, që ngriti selinë e Shqipërisë së varfër në Uashington, USA, në hotelin më të shtrenjtë. Kjo është metafora e tij, trillan deri në imponim.

Në vitin 1995 u konvertua në katolik, kur atdheu ishte pjesë e perandorisë otomane dhe kështu Faik Demenik Konica iu rikthye fesë së parë të të parëve dhe tregoi se vokacionii shqiptarëve ishte nga kultura Perëndimore.

Modeli, do të thosha, është i parrokshëm…

Ndërkaq nuk do të mjaftonin veç portretet në përfaqësi të pararendësve, që ne sikur nuk e kemi këtë luks, se kush ikën, është i ikur. Modeli s’mbetet…

   Tirana Review of Books: Krijimi përballë motivit, statusit dhe praktikave diplomatike?

Visar Zhiti: Krijimi si letërsi e mirëfillte e atij që i ka rënë fati të jetë dhe diplomat, është i pandalshëm sipas meje dhe i pakushtëzuar, përveçse nga faktori kohë, që të detyron të prodhosh më pak apo që të detyron që botimin ta shtysh për një kohë më volitëshme.

Shkrimtari, nëse është dhe diplomat, nuk fiton shumë nga kjo e dyta, madje dhe humb, ndërsa diplomati duke qënë dhe shkrimtar fiton tmerrësisht shumë. Kam njohur në një takim shkrimtarësh në Slloveni një bullgar, Alek Popov, që e kishin  nxjerrë nga diplomacia për një roman skandaloz, “Misioni Londër”…

Një shkrimtar që i druhet diplomatit brenda vetes, nuk është i mirëfilltë, ndërsa një diplomat që shmang shkrimtarin, po brenda vetes, mbase nuk do t’ia dalë dot.

Puna e diplomatit ka hyrë natyrshëm në poezinë time, besoj. Kam dhe një personazh ambasador në romanin tim “Në kohën e britmes”, për fat të keq një ambasador të dëmshëm.

Në fund të fundit diplomacia është dhe kulturë, një shumatore e veprimeve të një kolektiviteti, të një kohe a të kohëve, rrethanave gjeopolitike dhe të traditës e aktualitetit…

Kam dëgjuar në mjediset diplomatike të një vendi me traditë se diplomacia nuk është që të gënjesh, por të vërtetën të mos e thuash… kurse shkrimtari duhet të ketë lidhje të pandashme me të vërtetën, në kuptim moral të saj, ai s’ka nevojë të gënjejë, ka fiksionin dhe krijimi ka ligjësitë e veta, urdhërin e vet suprem, motivin e vet, statusin, të guxojmë ta themi, “antidiplomat”, por arrin  shumë e më shumë atë që do të arrinte diplomacia në kushte paqeje.

Në kushte lufte flasin armët.

 Tirana Review of Books: Antropologji e diplomatit krijues

Visar Zhiti: Përsëri më avitet imazhi i Faik Konices diplomat, i veshur me fustenellën e bardhë e me qeleshe, rrugëve të Washingtonit. Kostumi ynë kombëtar, i lashtë sa populli, është edhe histori, edhe identitet, fllad shekujsh, art dhe poemë…

Diplomati krijues duhet të njohë dhe të dojë popullin e vet, kulturën e tij, të dijë t’ua tregojë të tjerëve atë, ta shpalosë me art si palat e fustanellës në një valle, të ngjallë kërshërinë e botës, që të kërkojnë të na njohin e të na duan… dhe të investojnë, do të thosha si diplomat tani.

Ndërkaq diplomati krijues duhet të njohë dhe kulturën e vendin ku dërgohet me mision, pse jo edhe duhet ta dojë, të sjellë prej saj, më të mirën, sinjifikativen në vendin e vet, të përbashkojë në dobi të atdheut, të njeriut. Të jetë dhe zëdhënës shpirtëror…

who’s who Llazar (Zai) Fundo Nga Visar Zhiti

Zai Fundo (20 mars 1889 – shtator 1944) – PARARENDËS i BASHKIMIT EUROPIAN

 Nga Visar Zhiti

E pushkatuan në shtator të vitit 1944, në kulmin e forcave burrërore, 45-vjeçar, me shumë kulturë, i pashëm, elegant. Si fillim e torturuan egërsisht, më pas ia thyen eshtrat me porosi të diktatorit të ardhshëm, Enver Hoxha.

Por kush ishte Zai Fundo? Kush e kishte njohur?

Pararendës i Bashkimit Europian, e quan Giovanni Falceta, profesor italian, hulumtues pasionant i jetës së tij.

… kthehej nga internimi në Ventotene, nga andej ku njeriu, në një farë mënyre, është i mbyllur dhe nuk bën dot jetë, nuk shpalos mendjen e nuk sjell bëmat që do të dëshironte, por edhe s’ka ku fshihet.

Ja çfarë shkruan bashkëvuajtësi i tij, prof. Safet Butka:

  • Në Ventotene ishte i internuar edhe një profesor korçar me emrin Llazar Fundo, pra ortodoks. Në fillim ky ishte komunist, sepse e quante komunizmin shpëtim të njerëzimit dhe model të barazisë e të humanizmit. Mirëpo, kur vajti në Rusi dhe e pa me sytë e tij se ç’ishte në praktikë komunizmi, i shkroi një letër Fan Nolit: “Pandeha se komunizmi ishte si Krishti, por ai qenka më i keq se djalli”. Qysh prej asaj kohe ai u bë një antikomunist i vendosur, po aq sa ç’ishte dhe antifashist i betuar. Në Ventotene u bëmë miq.

Një portret të Zai Fundos, dëshmi të shkëlqyer e të dhembshme, copëz jete, na jep një tjetër mik i tij, federalisti italian Altiero Spinelli, ideator i Europës së Bashkuar, në  autobiografinë “Si provova të bëhesha i urtë”:

  • E ndiej për detyrë të flas këtu për Fundon, sepse kemi qenë miq për disa vjet. Ishte më autoritari nga gjithë shqiptarët, sepse kishte një përvojë të gjatë dhe komplekse politike, që iu mungonte jo vetëm pastorëve myslimanë, por edhe intelektualëve, të cilët ishin futur në politikë vetëm së fundi, të shtyrë nga neveria për pushtuesin fashist. Fundo ishte bërë komunist në Paris gjatë studimeve universitare. Duke qenë se besimit të tij i shtohej inteligjenca dhe njohja e jo pak gjuhëve, angazhimi i tij politik kishte arritur përtej Shqipërisë, dhe, kur Dimitrovi ishte arrestuar pas zjarrit në Rajhshtag, Fundo ishte në Berlin si një nga bashkëpunëtorët e tij. I kishte shpëtuar arrestimit dhe kishte rihyrë në Moskë, ku punonte në Internacionale. Kur nisi era e spastrimeve të mëdha, ai, komunist besnik, por i edukuar në një atmosferë kulturore liberale në vendet demokratike, kishte krijuar lidhje me jo pak kundërshtarë të Stalinit…

Në Ventotene ishte afruar në mënyrë të natyrshme me ish-komunistët dhe socialistët, me të cilët fliste shpesh për mallkimin e regjimit të Stalinit. Ndërkaq shëtiste i qetë, i bukur e i drejtë, me flokët biondë që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit, që ishte duke lexuar në greqisht, duke kërkuar tek tekstet antike qetësinë e shpirtit që ia kishte marrë dështimi i përvojës së tij komuniste dhe që nuk e gjente gjëkundi…

Pas 8 shtatorit, kur u lirua dhe grupi i fundit i të internuarve të Ventotenes, Llazar Fundo zbriti në bregun puliez, kaloi në Shqipëri, u njoh me partizanët komunistë, duke u thënë kush ishte dhe që po vinte të luftonte me ta, u vu pas murit dhe u pushkatua. Ishte a s’ishte dyzetë vjeç!  Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton.

Të kujtojmë Llazar Fundon!

 *   *   *

…i përkiste një familjeje tregtare, me origjinë nga Voskopoja. U lind në Goricë të Korçës, më 20 mars 1899. Studioi në Liceun Francez, në Selanik, dhe pastaj për drejtësi në Sorbonë, në Paris. U kthye në atdhe si jurist, u fut në shoqërinë “Bashkimi” dhe, pas vrasjes së Avni Rustemit, u zgjodh kryetar i saj dhe drejtoi gazetën me të njëjtin emër të shoqërisë.

Kur ra qeveria e Nolit, më 1924, Fundoja – 25-vjeçari me sytë që i prushërinin, që gëzonte respekt të tejmë, bashkëpunëtor dhe veprimtar me Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Tajar Zavalanin etj., mërgoi në Itali, Austri, Gjermani, Francë, Rusi. Në Vjenë u lidh me Federatën Komuniste Ballkanike, ku bënte pjesë dhe KONARE-ja dhe Komiteti për Kosovën. Më pas shkoi në Bashkimin Sovjetik, u diplomua për filozofi në Moskë, dha leksione në Leningrad dhe u anëtarësua në Komintern. U interesua për krijimin e një partie komuniste në Shqipëri dhe punoi për grupin komunist të Korçës.

Më 1933 shkoi në Gjermani, i stuhishëm dhe i matur njëkohësisht, shok me Dimitrovin,  dhe pas akuzës për djegien e Rajhshtagut, u largua për në Bashkimin Sovjetik bashkë me gruan me të cilën bashkëjetonte, znj. Maria Margaretha Stemmer. Ishte burrë i pashëm, i dashuruar vazhdimisht, elegant dhe në veshje, me një buzagaz të fshehtë.

Ndikoi shumë te vullnetarët që do të shkonin në Luftën e Spanjës. Pasi doli kundër Stalinit, Kominterni e dënoi me vdekje. Mbi fytyrën e tij ra hija e përzishme e mortjes.  U kthye në atdheun e sapopushtuar nga Italia. Zai Fundo sikur kishte një fytyrë tjetër tani, vegimit qiellor iu shtua më shumë hije toke, ndërkaq ai i ndërpreu marrëdhëniet me Partinë Komuniste dhe Kominternin, u afrua dhe bashkëpunoi me nacionalistët shqiptarë. Nisi punën si mësues gjimnazi, por pas një viti e hoqën për shkak të veprimtarisë së tij antifashiste dhe e internuan në ishullin famëkeq Ventotene. Atje do të ishte me bashkatdhetarët e tij, me intelektualët e njohur Safet Butka, Muzafer Pipa, Isuf Luzaj, me Kryezinjtë e Kosovës etj., por dhe me ideologët italianë të Europës së Bashkuar, Altiero Spinelli, Ernesto Rossi, me të cilët Zai, bashkë me mikun tjetër të tyre Stavri Skëndo, hartuan Manifestin e njohur të Ventotenes, “Për një Europë të lirë dhe të bashkuar…”, që përmban bazën e idealeve për unifikimin e Europës. Zai Fundo tashmë ishte shqiptari europian, mbi supet e tij të brishta po rëndonte një ardhme tjetër, me prarime të bruzta.

Shpesh rrinte i vetëm buzë detit, i ngrysur, si ballkanas ndiente Uliksin brenda vetes dhe dëgjonte sirenat e kthimit…

Pas rënies së fashizmit, Sandro Pertini e mbështeti vëllazërisht Zai Fundon që të rrinte në Romë, ta vazhdonin së bashku luftën, por ai vendosi të shkonte në një tjetër shesh beteje, në atdhe, ku e thërriste fati, drama e shpirtit.

U bashkua me vëllezërit Kryeziu dhe me misionin britanik në Malësinë e Gjakovës. Por aty, në Bytyç, në shtator të vitit 1944 u kap nga partizanët jugosllavë dhe iu dorëzua komunistëve shqiptarë, që e dinin për trockist. Në Kolesian të Kukësit e pushkatuan me ngut, me panik të madh. Duhej masakruar se sikur i trembeshin jo vetëm dijes së tij, por edhe bukurisë së burrit. Kishte shpëtuar nga kthetrat e Stalinit, të Duçes dhe të Hitlerit, por nuk mundi dot t’u shpëtonte të atyre mes të cilëve erdhi të vazhdonte luftën për atdheun e ëndrrës.

Duke vrarë Fundon, ata vranë qysh në fillim filozofinë largpamëse për një Europë të Bashkuar, ku paskësh pasur dhe shqiptarë që paskëshin hedhur hijen e tyre në atë horizont, vranë qytetarinë dhe elegancën, deri edhe modën, atë shamizën në xhep, krehjen dhe brilantinën, një si vezullim të magjishëm…

Përthyerje për të qëmtuar: Teatri i Metropolit ndërmjet zgjedhjeve dhe zgjidhjeve Nga Valbona Nathanaili

Përthyerje për të qëmtuar: Teatri i Metropolit ndërmjet zgjedhjeve dhe zgjidhjeve

Nga Valbona Nathanaili

Më datë 5 dhjetor 2018, Teatri i Metropolit organizoi një tryezë të rrumbullakët, me synimin për të marrë mendime nga një grup ekspertësh për ndikimin në komunitet të dy edicioneve të Metrofest, Metrofest 1 (2017) dhe MetroFest 2 (2018). Është hera e parë që një institucion merr një nismë të tillë dhe duhen përshëndetur, në veçanti, drejtorja Jonida Beqo dhe përgjegjësja për sektorin e edukimit Sonila Kapidani, sikundër t’i falënderoj për të qenë pjesë e panelit.

Duke qenë se e kam ndjekur me vëmendje aktivitetin e Teatrit të Metropolit, duhet theksuar se përgjatë këtyre dy vjetëve, ku përveç shfaqjeve, një vend të rëndësishëm kanë zënë edhe Klubi i leximit, apo shkolla e kurse organizuar me grup-mosha të ndryshme, kam të gjitha arsyet të vendos në sfond të analizës teatrin si agjenci, pra si institucion që funksionon me të gjitha opsionet: ka kapital njerëzor të kualifikuar, ka strategji, ka objektiva për të vepruar në mënyrë të orientuar ndaj botës sociale, një Teatër i Metropolit që lufton Monopolin në mënyrën e të menduarit dhe guxon të përziejë shijet e grupeve të ndryshëm.

***

Në periudhën 1939-1941, që korrespondon me kohën kur Shqipëria ka qenë nën pushtimin italian, Ministër Arsimi ka qenë Ernest Koliqi, një nga mendjet më të shquara të këtij vendi në fushën e kulturës dhe krijimtarisë, njëherazi shumë i diskutuar për arsyet që e kanë shtyrë të pranojë bashkëpunimin me pushtuesit e vendit. Por synimi ynë është të ndalemi në atë dimension të veprimtarisë së tij që e bën me nder dhe për të cilën e respektojmë, krijimtarinë dhe pasionin për kulturën, të cilat nuk i kanë munguar edhe kur ka qenë në postin e ministrit. Në kulmin e veprimtarisë si Ministër i Arsimit, u dërgon të gjitha shkollave një qarkore, nëpërmjet së cilës u kërkon mësuesve të përfshihen në mbledhjen e folklorit në zonat ku japin mësim. Nga 22 pyetje që përmbante qarkorja, mësuesit duhet të zgjidhnin 2-3 “për t’i studiuar e shtjelluar me kujdesin më të madh, peshuem dhe matur mirë, pa shtuar ndonji gja nga fantazija, dhe pa lënë të metë gjëkafshë për çdo arsye qoftë”, – porosiste Koliqi. Disa nga pyetjet për të cilat mund të mblidhnin të dhëna janë:

  • Dëfteni një për një zakonet e lindjes, pagëzimit, synetit, fejesës e vlesës, martesës e vdekjes (të tretat, të shtatat, të nëntat, të dyzetat). Tregoni çfarë urimesh e çfarë thuhet me rastin e këtyre ngjarjeve!
  • Si e parashikojnë bujqit ardhjen e kohës së mirë ose të keqe, si shiun, breshrin, borën, dimrin e rreptë ose të butë, vapën e madhe etj.? Për shembull, kur këndon gjelin në një çast të caktuar, kur piqet ndonjë pemë etj.?
  • Çfarë zakonesh e çfarë besimesh mund të ketë në katund (a në qytet), që bien fort në sy? Për shembull, dita e djegies së rrogozave në Berat, dita e flakadanit, dita e rusicave (kur dikush vishet me gjethe e gjelbërime dhe i derdhin ujë) etj.

Pyetjet e qarkores së Koliqit kërkojnë të evidentojnë atë pjesë të kulturës që njihet si “Kultura e përfaqësimit”, kultura që përbëhet nga besime, norma e vlera kolektive, legjenda e simbole popullore, piktura dhe ikona, ligje e kode kanunore, pra është kultura që përfaqësohet nga një bashkësi faktesh sociale, materiale ose jomateriale që përbëjnë një detyrim moral, një marrëveshje sociale, unike për një vend dhe kohë të caktuar. Lajmi i keq është që kjo pjesë e kulturës jo vetëm nuk përfaqëson individin, por del edhe jashtë sferës së ndërveprimit individ-individ, ndërsa lajmi i mirë është që mund të studiohet dhe analizohet dhe, në terma afatgjatë, edhe të ndryshojë, por kërkon shumë mekanizma. Grupet që merren me studime të kësaj natyre janë nga fusha të ndryshme të dijes dhe, ndonëse secili ka këndin e vet të gjykimit dhe vështrimit, të gjithë bashkohen në një pikë: teatri luan një rol të rëndësishëm dhe është një nga mekanizmat që përshpejton ndryshimin. Thënë ndryshe, teatri është mjedisi në të cilin kultura e përfaqësimit, në rrjedhojë të misionit e funksionit të tij, përthyhet, njësoj me atë që ndodh me dritën gjatë kalimit nga një mjedis në një mjedis tjetër me koeficient të ndryshëm përthyerje. Pra, Teatri përthyen, sepse mjedisi i tij ka koeficient tjetër nga ai i realitetit. Teatri përthyen kur vepron si agjenci, rol të cilin, nga arsyetimet e mësipërme, Teatri i Metropolit e luan plotësisht.

Por çfarë ndodh dhe si mund ta shpjegojmë?

Dukuria e përthyerjes së Teatrit është e lidhur me dy faktorë: mënyrën si funksionojmë ne, si qenie sociale, dhe teatrin si agjenci.

Ne si qenie sociale, në të gjitha shoqëritë dhe në të gjitha kohërat, kemi jetuar të ndarë në grupe sociale, ku gjithmonë grupe të caktuara janë lënë mënjanë, janë stigmatizuar dhe kanë qenë në pozita inferiore me të tjerët, për shembull gratë ndaj burrave, vajzat ndaj djemve, romët ndaj gaxhive, të varfrit ndaj të pasurve, të zinjtë ndaj të bardhëve etj. Pra sfondi social ose paragjykimet që kemi, me ose pa dashje, ndikojnë mënyrën tonë të të arsyetuarit rreth përkatësisë në grup, pavarësisht nëse jetojmë në qytet a në fshat, jemi të rinj a të vjetër. Gjykimi ynë për një grup të caktuar influencohet shumë nga faktorët e mësipërm. Ajo që perceptojmë varet nga pozicioni ku jemi dhe nga ajo që shpresojmë ose jemi të bindur se do të shohim. Thënë këto, ne përbëjmë realitetin dhe materializohemi në pjesën teatrore.

Pra pjesa teatrore, pavarësisht faktit se është vënë në skenë në gjallje të autorit a pas vdekjes së tij, ose pavarësisht kohës që autori vendos në sfond të zhvillimit të ngjarjeve, na informon për kohën në të cilën është krijuar vepra, për kulturën e asaj kohe. Mënyra e ndërtimit dhe e rrjedhës së ngjarjeve, gjuha e përdorur, veshja, simbolikat, arkitektura e skenës janë, të gjitha bashkë, një lloj prerje e këtij realiteti social e kulturor!

Ndërkohë, misioni i teatrit është të tregojë, ndërsa thelbi i agjencisë së tij është paraqitja e një konflikti, konkretisht konfliktit ndërmjet individëve dhe rrethanave ku gjenden.

Sepse Teatri kërkon gjithnjë më shumë se çfarë ofron mjedisi, sepse teatri mban qëndrim, reflekton, hap perspektiva të reja, bind. Teatri gjeneron kënaqësi, i bën spektatorët të përjetojnë akte subversioni ose kritika kulturore pa frikë dhe pa masa vetëmbrojtëse, edhe kur dialogët që zhvillohen janë të mbushur me paragjykime të së shkuarës, thotë Martha Nussbaum.

Teatri na ndihmon të dëgjojmë me vëmendje dhe inteligjencë historinë e tjetrit, të kuptojmë emocionet e dëshirat që ka ose që ëndërron, ta shohim me simpati, të bëhemi tjetri vetë.

Pra, teatri, nëpërmjet agjencisë së tij, vë në lëvizje të menduarin ndryshe, nga këndvështrime të tjera, na ndihmon të kuptojmë sa e vështirë dhe diskriminuese është jeta e personave që u përkasin këtyre grupeve. Dhe të reflektojmë!

Në këtë kuadër, teatri luan rol që kultura e përfaqësimit, sado komplekse, statike dhe e rëndë që të duket, t’i nënshtrohet filtrave e gjykimeve të reja, besimet të rimerren në analizë, ndërsa stereotipet të vihen në pikëpyetje.

Në këtë mënyrë, Teatri shndërrohet në laboratorin e analizës së kulturës së përfaqësimit: çfarë na duhet dhe çfarë jo! Teatri shndërrohet në hapësirën për eksplorimin e çështjeve të vështira pa u zhytur në ankth!

Kujtoni komedinë “Diktatori” (2012) dhe batutën e Sacha Baron Cohen (njëri nga skenaristët dhe aktori kryesor), kur e dashura i thotë jam shtatzënë, ai përgjigjet: Çfarë do të lindësh, djalë apo do të abortosh?

MetroFest 1 (2017) dhe 2 (2018) organizuar nga Teatri i Metropolit kanë pasur pikërisht një synim të tillë: “Drama shqipe si laborator njohjeje dhe kërkimi”. Për më tepër, një nga dramat e zgjedhura është pikërisht nga Koliqi, me titull “Rrajët lëvizin”. Dramat e tjera të MetroFest 2 janë “Kryet e Hudhrës” nga Krist Berisha, “E mbesa e krahinarit” nga Kristo Floqi (edhe z. Floqi ka qenë Ministër i Arsimit, më nëntor 1920, në qeverinë e udhëhequr nga Iliaz Vrioni), “Makaronat e shejtanit” nga Lazër Lumezi dhe “Prangat’ nga Halil Laze.

MetroFest 1 ka pasur këtë repertor: “Loja e mbasdrekës” nga Martin Camaj, “Rrno për me tregue” nga At Zef Pllumi, “Armiq” nga Shpëtim Gina dhe “I biri i Begut” nga Milo Duçi.

Autorët janë shqiptarë, nga troje të ndryshme të Ballkanit, ndërsa veprat janë krijime që shtrihen në një periudhë jo më shumë se 50 vjeçare, përpara dhe mbas vitit 1944 (por jo mbas viteve 1990).

Le të analizojmë shkurtimisht se si e përthyen “Rrajët lëvizin” të Koliqit realitetin tonë sot. Në një vështrim makro, kultura në historinë e Shqipërisë moderne deri më 1990, mund të ndahet në dy periudha, që korrespondojnë edhe me sistemet ideologjike që kemi pasur: para 1944 dhe 1944-1990. Kultura 1944-1990 i takon regjimit komunist. Sistemi komunist, falë periudhës së gjatë që qëndroi në pushtet, si dhe rëndësisë së madhe që i dha kulturës, me njerëzit, fondet dhe instrumentet e shumtë që angazhoi, arriti të ndikojë e ndryshojë pjesë të veçanta të kulturës së përfaqësimit. Le të ndalemi te simbolika e pronës private, që ka lidhje me veprën. Në regjimin e mëparshëm prona u bë baraz me stigmë. Prona u tjetërsua. Kujtoni luftën e klasave, kulakët, shtetëzimet dhe kolektivizimin.

Vepra e Koliqit mbështetet në një nga rastet e tjetërsimit të pronës: me rënien e regjimit komunist, një familje duhet të shpërngulet nga shtëpia ku i ka strehuar regjimi i mëparshëm, sepse janë kthyer pronarët e vërtetë. Këtu më duhet të ndalem për të bërë një ndërhyrje të shkurtër: kjo karakteristikë që kam evidentuar në përmbajtjen e Koliqit, është nga pikëpamja sociologjike dhe nuk është letrare, pra mësuesit e studiuesit e letërsisë kanë vlera të tjera për të evidentuar në atë vepër! Përthyerja e veprës së Koliqit, zgjedhur nga Teatri i Metropolit është edhe më e madhe po t’i shtojmë rastet e realitetit të sotëm, që shumë njerëz, në vijim EDHE të asaj kulture, – pa marrë në analizë faktorë të tjerë të njohur nga të gjithë – morën pronat e tjetrit dhe guxuan t’i tjetërsojnë e të bëhen tjetri “Pronar”.

Koliqi e ka shkruar veprën në fillimvitet 1970 (autori ndërron jetë më 15 janar 1975), por vepra përthyhet në mënyrë perfekte edhe në ditët tona dhe na shtyn të reflektojmë, të rimarrin në analizë, ta vendosim veten në vendin e tjetrit, pra t’u nënshtrohemi gjithë atyre proceseve që renditëm më lart.

Secila nga veprat e shfaqura në kuadër të MetroFest është qëmtuar nga një grup i madh dramash të autorëve shqiptarë dhe me mjeshtëri është vënë në skenë, për të treguar një histori, për të rrëfyer një konflikt individ-realitet, me synimin për ta na bërë të mendojmë nga një këndvështrim tjetër, nga një perspektivë tjetër, këtë radhë jo më si individë, por në grup. Dhe këto janë arsye më shumë për t’i duartrokitur organizatorët dhe ideatorët edhe jashtë skenës.

Dhe për t’u thënë përsëri faleminderit!