Edukimi i papagallit Nga Rabindranath Tagore

Edukimi i papagallit

Nga Rabindranath Tagore

Përshtati nga anglishtja, Valbona Nathanaili

Na ishte kush na ishte!

Na ishte një herë një mbret që kishte një papagall që e donte shumë. Por Mbreti donte ta edukonte sa më mirë papagallin e tij, pasi të mos shkosh në shkollë është gjë e keqe.

  • Gjëja e parë që më duhet për edukimin e papagallit është t’i siguroj një ndërtesë ku do të arsimohet, – mendoi.

Mbreti mblodhi arkitektët më të mirë të oborrit dhe u kërkoi t’i ndërtonin një kafaz të mrekullueshëm prej ari.

  • Por me çfarë do të mësojë papagalli? Më duhen edhe testet shkollore!

Mbreti mblodhi ekspertët më të mirë për këtë punë. Sipas ekspertëve, tekstet nuk janë kurrë tepër për synimin tonë. Pasi punuan ditë e natë, ia arritën qëllimit.

Pastaj u punësuan mësuesit. Dhe meqënëse ishin më të mirët, paguheshin shumë mirë. Aq e mirë ishte paga, sa me lekët që merrnin nga puna ndërtuan shumë shpejt shtëpi për vete.

Një ditë prej ditësh, Mbreti vendosi të vizitojë shkollën. Kafazi funksiononte më së miri, ndërsa mësuesit e rrethuan dhe filluan t’i tregojnë për metodat që përdornin për mësimin e papagalli. Metodat ishin kaq të mira dhe kaq të shumta, sa mbreti harroi të pyesë për vetë papagallin, kaq i parëndësishëm dukej përpara gjithë atyre arritjeve, ndërsa vetë mësuesit harruan se duhej të flisnin edhe për të.

Nga çfarë pa e dëgjoi,  Mbreti dukej shumë i kënaqur. Çdo gjë ishte perfekt – asnjë e metë.

Sa i takon papagallit, edhe ai nuk kishte pse të qahej – nuk i mungonte asgjë. Për më tepër, gurmazin e kishte të mbushur kaq shumë me gjethet e librave, sa as nuk cicërrinte e as pëshpëriste dot.

Mësimet vazhdonin.

Por një ditë papagalli vdiq! Dhe asnjë nuk kishte idenë më të vogël se kur kishte ndodhur kjo dhe nuk mund të thoshte nëse kishte vdekur dje, pardje… apo para disa kohësh?

Të gjithë i zuri frika! Nipi i Mbretit që ishte në krye të Ministrisë së Arsimit, mori përsipër të raportonte ngjarjen.

  • Zotëri, arsimimi i papagallit përfundoi!
  • Kërceu ndonjëherë? – pyeti Mbreti, kurioz.
  • Kurrë, – ju përgjigj nipi.
  • Po për të fluturuar, fluturoi ndonjëherë?
  • Jo, – pasoi pothuaj e njëjta përgjigje.
  • Më sillni papagallin! – ishte kërkesa e fundit e Mbretit.

Sollën papagallin, i cili iu nënshtrua inspektimeve të rrepta të të gjithë të pranishmëve.

Mbreti preku me gisht trupin e tij. Vetëm gjethet e librave lëshuan një shushurimë të dobët.

Jashtë dritares, fëshfërima e një ere të lehtë pranvere ndërmjet gjetheve të reja të asokas e bënin prillin edhe më të trishtë.

Komenti kryesor që mund t’i bëhet kësaj historie është se kur flasim për arsimin tentojmë të merremi me gjëra të mëdha dhe fokusohemi shumë pak në gjërat e ‘vogla’, sikundër janë fëmijët, kurioziteti dhe dëshira e të cilëve për të mësuar mund të shërbejë si një bërthamë e mrekullueshme rreth së cilës të vërtisim gjithë punën tonë pedagogjike.

Për Tagore, fëmijët janë më të shkathët se të rriturit pasi nuk rëndohen nga pesha e zakoneve të vjetra. Detyra e arsimit është të mbajë gjallë këtë kuriozitet, në respekt të lirisë e individualitetit të fëmijëve.

Në shumicën e shkollave ne kërkojmë të imponohemi me dije e informacion, shpesh në mënyrë vertikale e hierarkike, nga mësuesi te nxënësi. Një karakteristikë tjetër që ndiqet në orën e mësimit është kërkesa për memorizimin e fakteve, teorive e informacioneve të ndryshme, veçanërisht në shkencat politike, histori e gjeografi. Pa nënvlerësuar rolin që ka ky lloj të mësuari, është e rëndësishme të theksojmë se edukimi fillon me mëndjen e fëmijës. Synimi ynë duhet të jetë rritja e lirisë së mendimit në përputhje me mjedisin social pjesë e të cilit është. Artet dhe letërsia janë mënyra shumë të mira për të stimuluar kritikën ndaj atyre zakoneve e traditave që na mbajnë larg ndryshimit, që frenojnë iniciativën për të ecur përpara. Këto përpjekje duhet të fillojnë në moshë sa më të njomë.

Marrë nga libri “The Oxford handbook of Philosophy of education”, edited by Harvey Siegel, 2009, Oxford UniversityPress. 

Përshtati nga anglishtja: Valbona Nathanaili

Pse akoma anglisht? Nga Valbona Nathanaili

Pse akoma anglisht?

Nga Valbona Nathanaili

Deri në fillim të viteve ‘990 misioni i shkollës në sistemin arsimor parauniversitar shqiptar ishte formuluar për të qenë i suksesshëm vetëm brenda një shtrirjeje gjeografike të kufizuar: vetëm në territorin e Shqipërisë. Pothuaj 100% e të diplomuarve në përfundim të këtij cikli shkollimi përgatiteshin, ose për të vazhduar studimet e larta në universitetet që gjendeshin brenda kufijve kombëtarë, ose për të qenë pjesë e forcës së punës që jetonte e punonte në qytetet a fshatrat e po këtij territori. Përgatitja me një platformë të tillë fillonte që në vitet e para të edukimit dhe gjente zbatim me mbarimin e ciklit të studimeve: ishe nga Tirana dhe duhej të mësoje fëmijët e Mirditës apo ishe nga Puka dhe duhej të punoje për hidrocentralin e Sarandës. Në një përmbledhje shumë konçize, të dyja rastet përmblidheshin në formulën “Ku ka nevojë atdheu!” Me apo pa dashje, me apo pa vetëdije, problemet e hapjes së individit dhe të përshtatjes së tij ndaj traditave a zakoneve të zonave të ndryshme të vendit ishin pjesë e realitetit të përditshëm. Sigurisht sa e aftë ishte shkolla dhe sistemi arsimor i asaj kohe t’i përgatiste bijtë e vet për këto sfida kërkon hulumtime të shumta.

Hapja e Shqipërisë ndaj botës dhe e botës ndaj nesh shtroi nevojën e një filozofie të re shkollimi, ose e thënë në pak fjalë konceptimin e një misioni të ri të shkollës, në gjendje të kapërcente kufizimet e hartimit vetëm për një shtrirje gjeografike të caktuar e të mbyllur. Të parët që trokitën në dyert e shkollave me kërkesën për një shkollim më formues, modern e global, ishin prindërit. Për shumë prej tyre, shkollimi në universitetet shtetërore shqiptare apo punësimi në kompanitë lokale të fëmijëve të tyre nuk ishte më arritja më e madhe. Këta përbënin atë pjesë që planifikonte t’i arsimonte fëmijët e tyre për studime jashtë vendit dhe që ushtronin presion të vazhdueshëm për reformimin e shkollimit, me një theks të veçantë në mësimin rrjedhshëm të të paktën një gjuhe të huaj, një fenomen sa shqiptar ashtu edhe botëror. Shqetësimi ynë është nëse sot, në erën globale, kur kufijtë gjeografikë të studimit apo punësimit shkojnë në Europë e Amerikë dhe më tej, në Kinë e Indi, duhet të vazhdojmë të mësojmë anglisht, apo ka ardhur koha ta zëvendësojmë këtë gjuhë me një tjetër!

Pse akoma anglisht?

Sot në botë fliten afro 6900 gjuhë të ndryshme. Gjuha që flitet nga më shumë njerëz në të gjithë botën është gjuha mandarin (kinezçe): kjo gjuhë flitet nga më shumë se një miliard njerëz. Në vend të dytë janë anglishtja, spanjishtja dhe hindishtja, me afro gjysmë miliard njerëz që e flasin secilën. Ndonëse numri i njerëzve që kërkojnë të mësojnë të flasin mandarin dhe spanjisht është gjithmonë në rritje, sipas British Council kjo situatë pritet të ndryshojë në dy dekadat në vijim: deri në fillim të viteve ‘2030 numri i njerëzve që do të flasin anglisht do të jetë në vend të parë, me afro 2 miliard, ose 30% të popullsisë së botës, ose 5 herë më shumë se numri i njerëzve që e kanë anglishten si gjuhë amtare.

Arsyet që rrjeshtohen janë të shumta. Së pari, mënyra dhe niveli i jetesës të cilat admirohen nga një numër i madh njerëzish. Së dyti, fakti që gjuha e shkencës, e biznesit dhe e teknologjisë është anglishtja. Së treti, universitetet më të mira në shkallë botërore gjenden në vendet anglishtfolëse: nga 100 universitetet më të mira në shkallë botërore, 83 për qind gjenden në ShBA, Angli, Kanada dhe Australi dhe vetëm 2 janë në Kinë e po aq në Japoni. Më 2007, sipas një raporti të UNESCO-s, ShBA shpenzonin 9600 dollarë në vit për student, kundrejt Indisë, për shembull, me vetëm 400 dollarë në vit për student. Mbarimi i studimeve në një universitet të mirë, do të thotë siguri në tregun e punës dhe, sigurisht, edhe të ardhura më të mira.

Për arsyet e mësipërme, jo vetëm tek ne, por në pjesën më të madhe të botës, mësimi i anglishtes si gjuhë e huaj kryesore në shkollat e ciklit parauniversitar është në vëmendje të politikëbërësve. Në shumë prej tyre, për të pasur një formim sa më të plotë, kurrikula plotësohet me historinë dhe letërsinë e vendeve anglishtfolëse dhe, sigurisht, me investime të shumta në para, njerëz e programe për të siguruar një performancë sa më të mirë akademike. Nëse bëjmë një histori shumë fragmentare të reformimit të shkollës në vendin tonë sa i takon mësimit të anglishtes, ajo lidhet kryesisht me uljen e moshës së fillimit të mësimit të saj, duke ruajtur pak a shumë po ato orë mësimi/javë. Nga ana tjetër, mësuesit që e japin mësim anglishten përgjithësisht e kanë mësuar anglishten vetë si një gjuhë të huaj dhe, në rastin më të keq, mund të kenë mbaruar për gjeografi e japin anglisht. Për më tepër, nuk mund të flitet për programe të rregullt shkëmbimi ndërmjet shkollave tona me ato në vendet anglishtfolëse me synim sigurimin jo vetëm të përvetësimit më të mirë të gjuhës, por edhe të zgjerimit të përvojës së jetuar, shoqëruar me një rritje të ndërgjegjësimit ndaj kulturave të tjera apo nevojës për të pranuar e mirëpritur diversitetin. Panorama bëhet akoma më e zymtë për gjuhën e huaj të dytë dhe akoma më e zymtë për mësimin e të dyja gjuhëve të huaja në fshatra apo qytete të largëta të vendit. Rrjedhojë është se përsëri, si kur fillonte mësimi i anglishtes në klasë të pestë, ashtu edhe tani që fillon në klasë të dytë apo të tretë, në mbarim të ciklit të plotë parauniversitar nxënësit tanë që kanë ndjekur shkollat publike, sipas kësaj kurrikule ekzistuese dhe këtyre instrumenteve, në përgjithësi, nuk e flasin anglishten rrjedhshëm. Pra, në këta 20 vitet e fundit, ndonëse kemi folur, investuar e promovuar mësimin e anglishtes, në shkollat publike përsëri ka shumë për të bërë.

Fillimi i mësimit të një gjuhe tjetër në vend të anglishtes apo krahas saj, që të shndërrohet në realitet, nëse ecim përsëri me këto reforma dhe fonde, kërkon kohë të zbatohet, sikundër skema efikase që t’u përgjigjen kërkesave specifike. Nuk besoj se është e përshtatshme, nisur nga arsytetimet e mësipërme por jo vetëm, që gjuha mandarin të mësohet në të gjitha shkollat e nivelit parauniversitar. Sigurisht, duke lënë mënjanë kulturën e jashtëzakonshme kineze, akoma nuk kemi lluksin që të ëndërrojmë për një realitet të tillë. Që një fëmijë shqiptar të regjistrohet në një nga dy universitetet më të mira kineze, i duhet të konkurrojë me bashkëmoshatarët e tij kinezë dhe sigurisht, shancet janë pothuaj të papërfillshme, pasi për vetë të rinjtë kinezët janë shumë të vogla, nisur nga popullsia shumë e madhe dhe konkurrenca e jashtëzakonshme. Rasti tjetër, gjithmonë me doza të larta hipotetike, është që një i ri i diplomuar në një universitet shqiptar dhe që në shkollë të mesme ka “mësuar” gjuhën mandarin, të kërkojë të punësohet në një kompani të madhe kineze! Ja vlen që për dy a tre, sikundër edhe për disa, të bëjmë investime kolosale dhe të nxjerrim “kinezë analfabetë”?

Për të qenë më të qetë në vazhdimin e arsyetimeve, janë dy shembuj nga dëshira për shkollim ndryshe në Kinë dhe Kore, në përgjigje të nevojës për të mësuar anglishten rrjedhshëm.

Dy shembuj nga Kina dhe Korea

Kinë. Në vitin 2007, në Shkollën Amerikane (parauniversitare) të Shanghait studionin afro 3000 nxënës, nga të cilët fëmijët kinezë (ata me dy nënshtetësi) përbënin një numër të konsiderueshëm. Sipas prindërve të tyre, një nga mënyrat më të mira të regjistrimit të fëmijës në një universitet amerikan është njohja rrjedhshëm e anglishtes dhe mësimi i anglishtes në një shkollë të huaj me emër është rruga më e mirë.

Kore.  mund të sillen  si shembuj, njëlloj sikundër edhe  dëshira e prindërve për ti edukuar në  shkolla të huaja që gjenden në  vendin e lindjes por me tarifa shumë të larta. të gjithë botën gjen prindër që kërkojnë të çojnë  fëmijët “jashtë” me një theks të veçantë për studime në universitet anglishtfolëse.

Shkollat e shekullit XXI  Dr. Valbona Nathanaili

Shkollat e shekullit XXI

Faktorë që ndikojnë në formatimin e politikave arsimore

 Dr. Valbona Nathanaili

“Politikat shtetërore”, lokale apo kombëtare, luajnë një rol shumë të rëndësishëm në formësimin e asaj që ndodh çdo ditë në shkolla e kolegje, ose në përvojat që përjetojnë të gjithë ata që punojnë e studiojnë në këto institucione.[1]

Ndryshimet në ekonomi, zhvillimet teknologjike dhe intensifikimi i lëvizjeve urbane po e rrisin për­ditë e më shumë trysninë e publikut për shkolla sa më cilësore, pasqyruar në debate të shumta apo materializuar në modele të reja shkollimi. Nga ana tjetër, dimensioni njerëzor i arsimit e komplikon procesin e përshtatjes apo të pasqyrimit të këtyre ndryshimeve, zhvillimeve dhe lëvizjeve, pasi shkollat janë institucione komplekse, shpesh me inerci shumë të madhe. Vizioni ynë është se shkollimi i mirë duhet të ndikojë pozitivisht në modernizimin dhe zhvillimin e shoqërisë, në reduktimin e papunësisë, në rritjen e të ardhurave personale të indi­vidit në zgjerimin e lirive reale që gëzojnë njerëzit, në krijimin e një bote më të sigurt, më të shëndetshme e më të begatë.[2]

Nëpërmjet arsimimit, të mësuarit dhe formimit profesional, njerëzit, me kalimin e kohës, mund të bëhen shumë më tepër produktivë, çka kontribuon në një masë të madhe në procesin e zgjerimit ekonomik.[3]

Shpresa jonë është që shkollat do të mund t’u shërbejnë synimeve të tilla. Mundësitë dhe perspektivat tona varen përfun­dimisht nga institucionet që kemi dhe mënyra si funksionojnë.[4]Arsimimi është procesi i përvetësimit të atyre normave morale e sociale që i kemi vlerësuar si të nevojshme dhe të atyre aftësive që fëmijët tanë duhet të jenë në gjendje t’i përdorin. Kuptohet, jo të gjithë biem dakord për masën e mënyrën e përvetësimit, për meto­dat e përdoruara apo numrin e viteve të shkollimit që kërkojnë. Për më tepër, jo të gjithë jemi të qartë se në ç’mënyrë shkollat do të mund t’u përgjigjen realisht kërke­save tona, por për dy gjëra të gjithë biem dakord: shkollat duhet të ofrojnë shanse të barabarta për të gjithë dhe të jenë cilësore. Vetëm në këtë gjykim të integruar do të mund ta shqyrtojmë dhe ta vlerësojmë drejt institucionin e shkollës.

Shanse të barabarta dhe cilësi

“Shanset e barabarta” lidhen me faktin se në demokraci të gjithë qytetarët duhet të jenë në gjendje të përfitojnë nga mundësitë për arsim, krijuar në funksion të plotësimit të nevojave themelore për të nxënë,[5]për t’u bërë qytetarë aktivë dhe të ndërgjegjshëm, duke nënvizuar këtu faktin se barazi nuk do të thotë që të gjithë fëmijët duhet të mësojnë saktësisht të njëjtat gjëra dhe në të njëjtën mënyrë. Barazi do të thotë që diferencat në interesa dhe në synimet e shkollimit të pasqyrohen në diferenca në dije dhe aftësi, jo si burim pabarazish, por si synim për gjithëpërfshirje. Nga ana tjetër, cilësia në arsim është angazhim, nëpërmjet të cilit fëmijët arrijnë të përvetësojnë shprehitë kryesore në të shkruar e në të folur dhe të formojnë bazat e një të menduari kritik dhe krijues; është synim për ta shtrirë të mësuarin përgjatë gjithë jetës.

Për këto na duhen politikëbërës mendjehapur, të gatshëm të rishqyrtojnë organizimin dhe programet e reja të shkol­lave, që u adresohen nevojave të nxënësve që vijnë nga familje me origjina të ndryshme, kryesisht ato në nevojë apo të nxënësve me aftësi të kufizuara dhe atyre me probleme me mësimnxënien,[6]na duhen kushte të reja nxënieje, si dhe rikonceptim i vetë procesit të nxënies, duke e kuptuar më shumë se veprimtaria e përftimit të disa dijeve, duke e çuar përtej perceptimit të shumatores së disa aftësive dhe duke e vlerësuar në sisteme koordinatash që nuk kanë vetëm boshtin e standardeve.

Formatimi i politikave arsimore

Pyetjes “sa shkollim duhet të kenë fëmijët dhe cilat duhet të jenë drejtimet kryesore të tij?” mund t’i japësh përgjigje nga më të ndryshmet, në varësi të kriterit të analizës. Nëse gjykojmë në termat e vendimmarrjes, përgjigja është se fillimisht kanë qenë çështje familjare: prindërit kishin ekskluzivitetin e zgjedhjes jo vetëm të llojit të arsimit për fëmijën e tyre, por edhe të viteve të shkollimit. Me zhvillimin e shoqërisë, sisteme të ndryshme e kaluan arsimin ose nën drejtimin e fesë, ose të shtetit, duke vendosur, për më tepër, një parakusht të rëndësishëm që lidhej me ndjekjen e detyruar të disa viteve të caktuara shkollimi, pa pyetur tani më për vullnetin a dëshirën e prindërve.[7]

Por, pavarësisht autoritetit drejtues në krye të arsimit, në pjesën më të madhe të vendeve apo në shumicën e kohës, arsimi është parë si një instrument për instalim pushteti dhe forcim autoriteti. Pak vende mund të thonë se synimet arsimore i kanë pasur ose i kanë të pandikuara nga ideologjitë apo propagandat e kohës. Hartimi dhe zbatimi i synimeve arsimore është problem i të gjithëve, në radhë të parë i atyre që janë të lidhur direkt me të. Agjencia njerëzore luan një rol shumë të rëndësishëm.

Të gjithë ata që punojnë shkolla dhe kolegje, që përballen me zbatimin e këtyre politikave, duhet të ndërgjegjëso­hen për kontekstin e tyre politik, të jenë të kujdesshëm në kuptimin e mesazhit, interpretimin dhe zbatimin e tij: çfarë duan të thonë, çfarë kërkojnë të arrijnë dhe çfarë pasojash sjellin. Në vend që të qëndrojnë pasivë, duhet të përfshihen në formësimin e politikave kombëtare që në fazat fillestare, ndoshta nëpërmjet pjesë­marrjes në grupe interesi, në shoqatat e profesionistëve apo forume të ndryshme.[8]

Në ditët tona, faktorët kryesorë që ndikojnë në formatimin e synimeve arsimore në fushën e arsimit janë të shumtë. Ato mund të shtrihen që nga kushtet lokale “të tregut”, deri në ndikimin që ka ekonomia globale.[9] Në këtë analizë, këta faktorë janë ndarë në disa kategori. Nga ana tjetër, duhet pasur në vëmendje se analizohen vetëm në rolin që luajnë në formatimin e politikave si produkte, si rezultate, pa u interesuar pse janë këto politika apo kush janë aktorët që i hartuan.

  1. Ekonomikë. Ndryshimi i sistemit, e thënë ndryshe, ndryshimi i formës së shpërndarjes së të mirave materiale dhe shërbimeve, është shoqëruar gjithmonë me ndryshimet përkatëse në vlera e dije, si dhe në kërkesa për identifikimin e legjitimitetit të tyre. Ristrukturimi i ekonomisë bën apel për krijimin e një sistemi arsimor shumë më tepër përgjegjës ndaj nevojave të tregut të punës, nëpërmjet ndryshimeve thelbësore në atë që mësohet dhe si mësohet. Në periudha të ndryshme të zhvillimit, na është dashur herë pas here të rishikojmë a korrektojmë sistemin tonë arsimor. Një shembull i thjeshtë është ndryshimi në strukturën institucionale të shkollave. Kështu, në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore lindi nevoja për shkolla profesionale, si një mekanizëm që do të afronte shkollat më shumë me ekonominë si dhe do të siguronte një kurrikul më të përshtatshme për një kontigjent të caktuar nxënësish; disa vite më vonë, në vitet ‘950, lindi nevoja për kopshte për fëmijë, duke kontribuar në këtë mënyrë në zgjatjen e periudhës së kohës që fëmijët kalonin në shkollë dhe gërshetuar marrëdhëniet shkollë-familje në nivele shumë të rëndësishme.[10]
  2. Teknologjikë. Edhe ndryshimet teknologjike kërkojnë rishikimin e synimeve arsimore dhe, në veçanti, të përparësive të ndryshme vendosur në kurrikul apo të stileve pedagogjike të të mësuarit. Dalja e teknologjive të reja ka ndryshuar modelet tona të stilit të përditshëm të jetesës, ka ristrukturuar në mënyrë pothuaj të pabesueshme punën dhe zakonet tona të përditshme, ka ristrukturuar klasën dhe mjedisin ku mësohet: dërrasat e zeza po zëvendësohen nga videoprojektorët, detyrat e shtëpisë shpesh dërgohen onlinedhe vetë notat, vlerësimet dhe frekuentimet e nxënësve mund të shihen nga prindërit në web. Shqetësimet e nxënësve tani bëhen objekt i një mase të pafund njerëzish – mjafton një postim në një faqe sociale, pak anglisht dhe nuk ka më të fshehta apo probleme lokale. Për të qenë i suksesshëm, më shumë se nota të mira në shkencat e sakta, të duhet të njohësh e të zotërosh teknologjinë e duhur. Nga ana tjetër, pikërisht për shkak të kësaj teknologjie, mësuesit e dinë se nuk janë më i vetmi burim i besueshëm dijesh, por më shumë një guidë e marrjes së tyre. Mësuesi autoritar po zëvendësohet me mësuesin e hapur ndaj ideve dhe mendimeve të reja.

Nga ana tjetër, nëse keni mbaruar shkollën dhe jeni në kërkim të një vendi pune, do të shihni edhe si teknologjia ndikon në cilësitë që kërkohen për një vend të caktuar pune. Mjafton të hidhni një vështrim përreth dhe do ta keni të lehtë të shihni se teknologjia redukton numrin e aftësive që kërkohen për një punë të veçantë, po në atë masë që rrit shkallën e aftësive të nevojshme për atë vend pune. Për ta bërë situatën më të thjeshtë, po sjellim shembullin e arkëtarit të dyqanit, i cili me një skaner në dorë kalon, sot, të gjitha mallrat e blera nëpërmjet barkodit të tyre, që do të thotë se, për të punësuar një punonjës të tillë sot, do t’i kërkonit të tjera njohuri matematike nga ato që kërkoheshin 50 vjet më parë, kur, për të përpiluar faturën, i duhej të bënte shumatoren e të gjitha vlerave të blera, të zbatonte taksën apo edhe uljen e çmimeve (sigurisht, kur kishte të tilla).[11] Pra, edhe nëse përdorte një makinë llogaritëse, përsëri dijet e tij në matematikë duhej të ishin shumë më të mira e të avancuara se kolegu i tij sot, për të mos folur përpara 70 vjetësh, kur nuk ekzistonte fare një aparat aq i vyer.

  1. Socialë dhe kulturorë. Regjimet politike arsimore ngrihen në koherencë me ndryshimin e vlerave morale dhe vetë arsimi, si institucion social e ideologjik, vepron gjithmonë në sfondin e një strukture të dhënë sociale. Politikat arsimore nuk lindin nga hiçi. Pra, ndryshimet në strukturë, ndonëse ngadalë, mësojnë të pasqyrohen edhe në thelb.[12]
  • Ndërgjegjësimi i shoqërisë. Një numër gjithmonë e më i madh aktorësh kërkojnë të përfshihen në hartimin e politikave arsimore; gjithmonë e më pak njerëzit po i lënë politikat vetëm në duart e politikëbërësve. Shoqatat e mësuesve e të prindërve, shoqatat e grupeve në minorancë apo njerëzve me aftësi të kufizuara, institutet e ndryshme në funksion të zhvillimit profesional, media dhe përdorimi i saj si instrument për referimin dhe diskutimin e çështjeve që na shqetësojnë, janë shembuj shumë të mirë të këtij ndryshimi. Akoma më tej: standardizimi i kurrikulës dhe centralizimi i saj janë në gjendje të na krijojnë një hartë të qartë të përfshirjes ose jo të fëmijëve në procesin e nxënies, gjë që mundëson edhe procesin e monitorimit të zbatimit të këtyre politikave nga një numër më i madh të interesuarish në këtë fushë. Në Ligjin “Për sistemin arsimor parauniversitar”, neni 25, pika 6, pohohet detyrimi që ka Ministria e Arsimit dhe e Shkencës për të publikuar raportin e arritjeve të sistemit arsimor parauniversitar për çdo vit shkollor dhe, në nenin 49, pika 4 të po këtij ligji, nga po kjo ministri kërkohet të sigurojë pjesëmarrjen e Shqipërisë në testime ndërkombëtare.
  • Hapja gjithmonë e më madhe e vendeve dhe shkëmbimet kulturore. Aderimi i vendeve në konventa e marrëveshje të ndryshme përfshin edhe arsimin e, bashkë me të, edhe politikat e tij, pasi vë përballë vlerat globale me ato lokale, atë që kërkojmë të gjithë të arrijmë me atë që jemi mësuar të arrijmë. Zgjerimi i arsimit bazë, sipas Sen, ndikon në përmirësimin e debateve publike, ndërkohë që, zgjerimi i arsimit femëror, mund të reduktojë pabarazinë gjinore në shpërndarjen brenda familjes dhe, gjithashtu, në uljen e normave të pjellorisë apo të vdekshmërisë foshnjore. Këto arritje instrumentale mund të jenë thellësisht të rëndësishme …[13]
  • Lëvizjet demografike. Lëvizjet nga një qytet në tjetrin dhe përqendrimi i tyre në zonat urbane solli, për rrjedhojë, rritjen e numrit të nxënësve në klasa (kujtoni klasat me 50-55 nxënës). Me synimin për t’i mbajtur adoleshentët larg rrugës dhe tregut të punës, politikat e kësaj kohe përqendrohen në krjimin e shkollave të mëdha dhe në mundësitë për akomodimin e një numri sa më të madh nxënësish në mjediset e tyre, përdorimin e kujdesshëm të fjalorit nga ana e mësuesve për të mos krijuar konflikte etnike apo gjetjen e përdorimin e metodave më të përshtatshme mësimdhënieje e nxënieje. Mësuesit, shpesh të paorientuar, rrjedhojë e mungesës së përvojës apo rezistencës ndaj ndryshimit, gjenden përpara zgjedhjeve të vështira se çfarë është e drejtë dhe e gabuar apo si duhet t’i këshillojnë dhe orientojnë nxënësit.
  • Stilet e reja të jetesës, shoqëruar me ndryshime të theksuara në mënyrat tona të të sjellit ndaj autoritetit, ka rritur trysninë për ndryshime në arsim. Një dukuri e tillë vihet re veçanërisht tek të rinjtë, përqendruar kryesisht në zona të zhvilluara urbane, të rritur në familje ku rolet prindërore dhe raportet fëmijë/prind janë larg normave të ngurta e autoritare të këtyre marrëdhënieve. Këto raporte pasqyrohen edhe në marrëdhëniet që kërkojnë të krijojnë në shkollë. Për më tepër, mësuesi nuk është i vetmi i rritur me të cilin ata ndërtojnë kontakte gjatë një dite shkolle. Rritja e numrit të lidhjeve të krijuara shoqërohet me një zbehje të autoritetit klasik të mësuesit, me një konceptim të ri të disiplinës apo edhe mënyrës së bindjes ndaj saj.

Shkolla më të mira, do të thotë një arsimim më i mirë. Duke e vendosur fokusin në politikat që e bëjnë një shkollë dhe shkollim sa më cilësor, ne kërkojmë që roli i tyre të shkojë përtej atij të formimit të kapitalit njerëzor si mjet për prodhimin e të mirave materiale, duke i dhënë zhvillimit karakter social: falë një arsimimi më të mirë, është e natyrshme të presim që edhe arritjet e një personi të jenë më të mira, mundësitë për të drejtuar jetën e tij më të shumta, zgjedhjet më të mirinformuara dhe, duke vazhduar me gjuhën e Sen, fjala e tij merret më seriozisht nga të tjerët.[14]

Referenca

[1] Bell L. & Stevenson H., 2006. “Education policy: process, themes and impact”, Routledge: Oxon, f. 8.

[2] Konferenca Botërore “Arsim për të gjithë”, Jomtien Tailandë, 1990. (cituar: Nathanaili V., 2011. “Reforma dhe legjislacioni në sistemin arsimor parauniversitar”. Tiranë: Albanian University Press, f. 36.

[3]Sen A., 2011, “Zhvillimi si liri”. Tiranë, Albanian University Press, f. 325.

[4] Ibid, f. 157

[5]Konferenca Botërore “Arsim për të gjithë”, Jomtien Tailandë, 1990. (cituar: Nathanaili V., 2011. “Reforma dhe legjislacioni në sistemin arsimor parauniversitar”. Tiranë: Albanian University Press, f. 37.

[6] Elmore R., 2011. “Reforma shkollore nga brenda jashtë. Politika, praktika dhe performanca”, Tiranë: Albanian University Press, f. 29.

[7] Shënim (Nathanaili V.): Ndonëse është jashtë analizës së këtij artikulli, duhet pasur në vëmendje roli i prindit në shumë aspekte të tjera të vendimmarrjes që lidhen me arsimimin e fëmijës së tij. Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Protokolli nr.1, neni 2, “Shteti, në ushtrimin e funksioneve që merr përsipër në fushën e edukimit dhe të arsimit, respekton të drejtën e prindërve për të siguruar këtë edukim dhe arsim në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike”.

[8]Bell L. & Stevenson H., 2006. “Education policy: process, themes and impact”, Routledge: Oxon, f. 8.

[9] Ibid, f 7.

[10] Elmore R., 2011. “Reforma shkollore nga brenda jashtëPolitika, praktika dhe performanca”, Tiranë: Albanian University Press, ff. 28 – 9.

[11] Pierce M. & Stapleton D., 2011. “Drejtori i shkollës i shekullit XXI”, Albanian University Press: Tiranë, f. 85.

[12] Elmore R., 2011. “Reforma shkollore nga brenda jashtëPolitika, praktika dhe performanca”, Tiranë: Albanian University Press, ff. 28-9.

[13] Sen A., 2011, “Zhvillimi si liri”. Tiranë, Albanian University Press, f. 329.

[14] Ibid, f. 326.