Zhvillimet demokratike do t’i arrijmë vetëm me mjete demokratike Nga Ramiz Alia

ZHVILLIMET DEMOKRATIKE DO T’I ARRIJMË VETËM ME MJETE  DEMOKRATIKE

Mesazh i shokut Ramiz Alia drejtuar popullit

12 dhjetor 1990

Të dashur vëllezër e motra!

Dje, mbrëma, bisedova me një përfaqësi të gjerë të studentëve të Universitetit “Enver Hoxha” për problemet e shqetësimet e tyre, por fola me ta edhe për problemet e shqetësimet që ka i tërë vendi, i tërë populli.

Sot mendova t’i drejtohem gjithë popullit tonë, për të sqaruar disa momente politike të situatës që po kalojmë dhe të një gjendjeje që na preokupon të gjithëve e të gjithë së bashku duhet ta përballojmë.

Ju, tashmë, jeni në dijeni të vendimeve të fundit të Komitetit Qendror të Partisë. Kemi vendosur të thërrasim, vitin që vjen, Kongresin dhe, tashti së afërmi, Aktivin Kombëtar të Partisë, që do të shqyrtojë platformën elektorale të saj për zgjedhjet e Kuvendit Popullor.

Ky aktiv jep mundësinë për të bërë një analizë të situatës që po kalojmë dhe për të caktuar detyrat dhe rolin e komunistëve në periudhën më të afërt.

Kemi bindjen se populli ynë, me atë besim që ka pasur deri më sot, do të qëndrojë i bashkuar me Partinë për ta çuar përpara vendin tonë.

Partia tashmë e shprehu publikisht mendimin e saj, se është në dobi të demokratizimit të mëtejshëm të vendit, të krijimit të organizatave politike të pavarura, sigurisht të atyre që respektojnë ligjet në fuqi dhe u përgjigjen interesave të larta të atdheut dhe të kombit tonë.

Ky qëndrim i urtë i Partisë përfaqëson një tjetër hallkë të rëndësishme të procesit tonë demokratik. Që tashmë është i pakthyeshëm!

Kuptohet se po hyjmë në një fazë të re të marrëdhënieve politike brenda vendit, për të cilën na mungon jo vetëm eksperienca, por edhe mekanizmat e nevojshme juridike, konceptet e etikës politike për gjendje të tilla, praktika e një dialogu me të vërtetë demokratik dhe frytdhënës.

Të gjithë duhet të jemi të preokupuar dhe të punojmë për gjetjen e rrugëve më të mira dhe për krijimin e kushteve sa më optimale e sa më të përshtatshme, për përparimin e ekonomisë, për ruajtjen e të drejtave dhe lirive të individit, për mbrojtjen e interesave thelbësore të kolektivave e shtresave të ndryshme shoqërore dhe, mbi të gjitha, për sigurimin e lirisë, pavarësisë e sovranitetit të atdheut.

Të gjithë jemi të një mendimi për të mirat e demokracisë, por unë kam një preokupacion të cilin dua ta ndaj me ju, të dashur vëllezër e motra komunistë e jo komunistë, dhe t’i bëj thirrje ndërgjegjes politike dhe patriotizmit tuaj për të evituar ndonjë gabim që mund të kishte pasoja për të gjithë vendin. Në disa individë dhe në disa ambiente, demokracia mund të kuptohet si një çlirim nga çdo moral politik dhe nga çdo normë juridike. Disa njerëz mund të kërkojnë t’u imponojnë njerëzve mendimet dhe pikëpamjet e tyre, pa llogaritur interesat e përgjithshme. Në qoftë se të tilla qëndrime dhe veprime do të shtohen e zgjerohen, paraqitet rreziku që vendi të destabilizohet dhe të bjerë në anarki. Në një situatë të tillë, mund të ndodhin edhe incidente që askush nuk do t’i dëshironte.

Shqipëria, populli ynë, ka nevojë për një demokraci bashkëkohore, për një demokraci që ruan vlerat e larta shpirtërore të vjetra e të reja të popullit tonë, një demokraci që bën të mundur zgjidhjen e problemeve nëpërmjet mekanizmave dhe rrugëve më optimale. Një demokraci e vërtetë dhe reale arrihet nëpërmjet dialogut konstruktiv dhe respektimit të interesave të klasës punëtore, të fshatarësisë kooperativiste, të inteligjencës, të grave, të gjithë popullit.

Sot nuk është koha për teorizime, por për diskutime të urta sesi zgjidhen më mirë problemet konkrete që preokupojnë popullin. Prandaj të vëmë në balancën e arsyes logjikën e shëndoshë dhe rekomandimet objektive. Populli ynë nuk do ta pranonte kurrë, që kushdo qoftë, t’ia shkatërronte atë që ka ndërtuar me gjak e sakrifica të mëdha nga Çlirimi e deri më sot.

Një organizatë politike duhet të vlerësohet jo nga parullat dhe jo nga ajo, se sa fort, ose butë i reklamon ato, por nga sinqeriteti i qëllimeve, nga drejtësia e mendimeve, nga respekti për aspiratat e popullit. Humanizmin dhe liritë njerëzore nuk i lindin vogëlsitë, por urtësia dhe shikimi i gjerë i problemeve.

Demokracia dhe pluralizmi, qoftë ky ideologjik apo politik, duhet të çojnë drejt unitetit popullor e kombëtar, jo drejt përçarjes. Ne duhet të shohim e të forcojmë atë që na bashkon si qytetarë të këtij vendi, si bijë e bija të popullit shqiptar, si zotë të Shqipërisë.

Populli ynë ka vuajtur si rrallëkush në histori përçarjen. Po të shohim historinë, ajo na tregon se përçarjen midis shqiptarëve kurdoherë e kanë sjellë forcat e errëta, që kanë punuar kundra interesave të Shqipërisë. Prandaj të mos lejojmë të hyjë dorë e huaj midis nesh.

Zhvillimet demokratike janë një orientim afatgjatë për rrugën që duhet të ndjekë vendi. Unë e kuptoj dhe e vlerësoj dëshirën e gjithë atyre që janë për shpejtimin e reformave që ka ndërmarrë Partia jonë. Dua t’ju siguroj, se edhe ne, iniciatorët e tyre, subjektivisht jemi që të ecim shpejt. Por vetëm dëshirat nuk mjaftojnë. Ne duam t’i arrijmë zhvillimet demokratike vetëm me mjete demokratike, me punë, me kulturë, me mend dhe jo me dhembje e me humbje, të çfarëdolloj qofshin.

Demokraci nuk janë vetëm liritë e të drejtat, siç mund të mendojë ndonjë, demokraci janë edhe detyrat. Ne po punojmë që shteti juridik të ndërtohet i fuqishëm dhe i qëndrueshëm, që jeta e çdo qytetari të jetë e sigurt, që puna e tij të respektohet, që vullneti i tij të mos shtypet, që krijimtaria e tij të mos përçmohet.

Pikërisht për këtë, ligji duhet të jetë mbi këdo e mbi të gjitha. Në qoftë se demokracinë do ta kërkojmë duke shkelur ligjin, atë nuk do ta arrijmë kurrë.

Kemi rastin të tregojmë, se jemi një popull i qytetëruar, që di të mësojë nga përvojat e nga pësimet e vetes e të tjerëve, një popull i urtë e gjakftohtë. Kemi rastin të përgënjeshtrojmë edhe një herë në këto momente akuzat tradicionale që u janë bërë shqiptarëve si njerëz të paqytetëruar.

Është e njohur, se në kohët e proceseve demokratike të shpejta nuk mungojnë të dalin edhe demagogë të ndryshëm politikë, edhe elementë keqdashës, ose edhe provokatorë. Populli, njerëzit e ndershëm e patriotë, duhet të jenë vigjilentë, që të mos rrezikohen interesat e atdheut dhe jeta e popullit. Nuk duhet të harrojmë se kemi edhe armiq që duan të na ndajnë e të na përçajnë, që duan të na shohin keq e më keq. Përpara tyre ne duhet të qëndrojmë gjithnjë të bashkuar e në unitet.

Të dashur motra dhe vëllezër!

Ne kemi hyrë në rrugën e demokracisë dhe jemi të bindur, se edhe këtë betejë të re historike, do ta fitojmë. Po kohët janë të vështira dhe rrugët e demokracisë nuk janë të mbushura me lule. Unë kam besim të plotë te klasa punëtore dhe fshatarësia patriote, te vajzat e djemtë e Shqipërisë, te gratë dhe inteligjenca jonë, se në çdo rast e në çdo situatë do të udhëhiqen nga arsyeja dhe urtësia tradicionale e popullit, nga logjika e tij e shëndoshë, si dhe do të jenë të aftë të kapërcejnë me durim e gjakftohtësi çdo vështirësi.

Do të doja më në fund t’u bëja thirrje komunistëve shqiptarë, që ashtu si kurdoherë u kanë vënë gjoksin punëve të mëdha, të qëndrojnë edhe tani, në ballë të luftës për realizimin e programit të demokratizimit të jetës së vendit që ka ndërmarrë Partia e tyre.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.