who’s who – Sotir Peci

Sotir Peci (13 korrik 1873 – 10 prill 1932)

Nga Valbona Nathanaili

Sotir Peci u lind në Dardhë të Korçës. Ndjek gjimnazin grek në qytetin e Korçës. Diplomohet për fizikë pranë Universitetit të Athinës.

Për një periudhë kohore jeton në Rumani dhe, më 1905, emigron në ShBA.

Drejtor i fletores “Kombi”, e para gazetë shqiptare që botohet në gjuhën shqipe në Boston të Amerikës, gjatë periudhës 1906-1908, numri i parë i së cilës del më 15 qershor 1906. Një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Pecit në botimin e revistës është Fan Noli. Sipas Pecit, shkrimtarët janë pjellë e rrethanave në të cilat jetojnë, janë rrethanat historiko-shoqërore ato që krijojnë mundësinë e daljes së një talenti letrar.

  • “Tërë luftërat për liri, tërë kryengritjet kundrë zgjedhës, – shkruan ai në “Një vjershëtor kryengritës” (Kombi, Boston, 1908, 9 maj), – kanë krijuar vetë vjershëtorët e tyre… Homerë e polli lufta heroike e Trojës, Tirteun lufta e Spartanëve, heroi ynë Skënderbeu (me luftërat që bëri) inspiroi shumë vjershëtorë të mëdhenj, të huaj dhe të vendit.

Së bashku me Petro Nini Luarasin dhe Fan Nolin luajnë rol të rëndësishëm në formimin e shoqërisë “Besa-Besë” më 1907 në Boston dhe të “Lidhjes” në St. Lui. Më 1908 kthehet në Shqipëri, ndërsa drejtimin e revistës “Kombi” e merr Fan Noli.

Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, 14-22 nëntor 1908, si anëtar i delegacionit të shqiptarëve të kolonisë së Bukureshtit, (sipas relacionit të kryekonsullit austro-hungarez në Shkodër, dërguar Ministrit të punëve të Jashtme në Vienë, Baron Fon Erental, Demiraj & Prifti, 2008:182) me dy vota, ndërsa sipas revistës “Dituria”, viti 1909, është delegat i Shkodrës (Demiraj & Prifti, 2008:184).

Më 1909, pjesëtar i trupës pedagogjike të Normales së Elbasanit ku jep lëndët e matematikës dhe të shkencave të natyrës. Në periudhën 1911-1912 emërohet drejtor i shkollës “Mësonjëtorja shqipe” dhe drejtor për arsimin në Korçë. Më 1916-1917 është anëtar i Komisisë Letrare, Shkodër. Drejtor për arsimin në Tiranë, më 1919, nga qeveria e Durrësit. Merr pjesë si delegat në mbledhjen e Kongresit Kombëtar të Lushnjës (1920) dhe një nga hartuesit kryesorë të Statutit të Lushnjës.

Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, më 21 janar 1920, të kryesuar nga Sulejman Delvina, gjatë periudhës 30 janar – 14 nëntor 1920 zgjidhet Ministër i Arsimit, post që e mban edhe në kabinetin e Iliaz Vrionit (11 korrik – 16 tetor 1921).
Një nga iniciatorët e thirrjes së Kongresit të Parë Arsimor që u zhvillua në qytetin e Lushnjës më 15 gusht 1920 dhe pjesëmarrës në Kongresin e Dytë Arsimor më 1922.

Anëtar i Këshillit të Naltë më 1922 dhe në qeverinë gjashtëmujore të Fan Nolit, 16 qershor – 24 dhjetor 1924, ndonëse kishte konflikte të vjetra me Nolin. Qëndrimi i Pecit në këtë post, sipas Austin (2012: 56), më shumë se besnikëri ndaj udhëheqjes së re dhe besimit në metodat revolucionare, ishte bindja se në këtë mënyrë i shërbente më së miri interesave të vendit. Për patriotë si Peci, rreziku më i madh për Shqipërinë janë fqinjët e saj, veçanërisht Jugosllavia. Peci qëndron në Tiranë me shpresën se do të arrinte të bindte Nolin për legjitimizmin e qeverisë së re nëpërmjet organizimit të zgjedhjeve të reja, ose thirrjes së Asamblesë së zgjedhur më Dhjetor 1923. Me dështimin e qeverisë së Nolit, mërgon jashtë shtetit. Ndërron jetë në Follorinë, Greqi. Nga kontributet e tij në fushën e arsimit citohen shumë tekste shkollore, si dhe futja e eksperimentit në lëndët e shkencave të natyrës. “Mësues i Popullit”

Botime

1906 “Methodë për të mësuar ghuhën engleshche”, autor Sotir Peci, Boston: Shtypshkronja “Kombi”, 110 f. Botimi me shënime nga autori.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.