who’s who – Rexhep MITROVICA

who’s who – Rexhep MITROVICA (18 janar 1888 – 21 maj 1967) 

Nga Valbona Nathanaili

U lind në Mitrovicë. Mësimet e para i merr në gjuhën turke në vendlindje. Shkollën e mesme e kryen në Selanik dhe të lartën në Paris, por këtë të fundit detyrohet ta ndërpresë me vdekjen e të atit. Veprimtar i lëvizjes kombëtare për pavarësi. Bashkëpunoi për mbajtjen e Kongresit të Manastirit dhe për jetësimin e alfabetit latin.

Pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës më 1912, si përfaqësues (delegat) i Pejës dhe një nga firmëtarët e aktit të Pavarësisë. Më 1914 themelon Partinë Kombëtare në Durrës. Më 1918, me formimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” është anëtar i tij. Anëtar i parlamentit të parë shqiptar (Deputet i Këshillit Kombëtar), dalë nga zgjedhjet e para të zhvilluara në Shqipëri, më 5 prill 1921.

Ministër i Arsimit gjatë periudhës 1921-1923 dhe anëtar i grupimit demokrat antizogist. Më 1923, Ministria e Arsimit kërkon krijimin e “rendeve foshnjore nëpër lagjet e qytetit për fëmij të vegjël”. Po ashtu, kërkohet edhe ndihma e bashkive dhe prefekturave për sigurimin e ndërtesave dhe orendive përkatëse. Fëmijët që mund të ndjekin “kinder-garden” janë të moshës 8 vjeç e poshtë, – shkruhet në vendimin që u dërgohet drejtorive arsimore dhe jepet porosia:

  • Lajmëroni të interesuarit për dërgimin e fëmijëve n’ato shkolla ku do të plotësohen dëshirat dhe nevojat e tyre.

Për Ministrin e Arsimit, Rexhep Mitrovica, një nga shqetësimet që duhet të gjejë zgjidhje është ndarja e shkollës nga feja. Në një shkresë dërguar Kryeministrisë, “Mbi largimin e mësimit të fesë”, më 12.6.1922, ndër problemet që ngre lidhur me zhvillimin e këtij mësimi në shkolla, është edhe ajo e fondit të konsiderueshëm që duhet për pagat e mësuesve të besimit, “a thua se jemi Ministri e fesë”, dhe vazhdon:

  • Jemi të mendimit që Ministria e Arsimit të mbajë një paanësi të plotë ndaj besimeve të ndryshme të popullit shqiptar, paanësi që do t’u mbante tue mos marrë aspak në kujdes mësimin e fesë, por tue u a lanë bashkive të qyteteve, sikurse janë tue veprue qeverit e tjera të botës, që kanë besime të ndryshme. Në këtë mënyrë kishim për t’u shpëtuar kritikave që mund të na vinë nga anë të ndryshme, veçanërisht nga ana e zonat e Jugut. Tue largue mësimin e besimit kishim për të pasë një fitim të madh në orë, që kishin për t’u kushtue landëve të tjera e kishim për të shpëtue një kakofoni që çudit tue këndue nëpër lista të mësuesvet se në një shkollë fillore kemi tre mësues besimi, bie fjala në Durrës.

Një çështje tjetër që është në qendër të veprimtarisë së tij si ministër është edhe forcimi i masave për hapjen e shkollave, veçanërisht ato të minoriteteve – sipas urdhërit të ministrit, duhet të marrin leje.

Me kthimin e Zogut, në fundin e vitit 1924, largohet nga vendi. Në Paris udhëheq të ashtuquajturin “Grupi i Parisit”, në të cilin bënin pjesë të mërguarit politikë antizogistë.

Gjatë periudhës janar-shkurt 1930, inspekton shkollat grekofone të nënprefekturës së Libohovës, Gjirokastër, si dhe përpilon një raport për gjendjen e tyre, të cilin ja paraqet, më 23 mars 1930, Ministrit të Arsimit, Hil Mosi.

Me pushtimin e vendit nga Italia, zgjidhet anëtar i Këshillit të Shtetit. Komandant i forcave shqiptare në Kosovë.

Kryeministër gjatë pushtimit gjerman, në periudhën 5 nëntor 1943 – 16 qershor 1944. Sipas Caccamo (2012:174), gjatë kohës që ishte kryeministër, Mitrovica u dha një status të privilegjuar ushtarakëve dhe qytetarëve italianë me origjinë arbëreshe, të cilët u krahasuan e u barazuan me qytetarët shqiptarë, duke i shpëtuar, në këtë mënyrë, nga rreziku i burgut ose i dhunimit.

Më datë 21.3.1944, Këshilli i Ministrave, nën kryesinë e Rexhep Mitrovica, kryeministër dhe me anëtarë:

  • z. Rrok Kolaj, Ministër i Drejtësisë, Bahri Omari, Ministër i Punëve të Jashtme, Xhafer Deva, Ministër i Punëve të Brendshme, Sokrat Dodbiba, Ministër i Financave, Koço Muka, Ministër i Arsimit, Kol Tromara, Ministër i Kulturës Popullore, Ago Agaj, Ministër i Ekonomisë Kombëtare, Musa Gjylbegaj, Ministër i Punëve Botore, shqyrton shkresën e Ministrit të Arsimit, nr. 69/262, datë 24.11.1943, nëpërmjet së cilës, sipas vendimit të Këshillit Administrativ të kësaj ministrie, kërkohet “të dërgohen në viset e lirueme një sasi mësuesish” dhe argumentohet për mënyrën e trajtimit ekonomik të këtij personeli.

Në përfundim, Këshilli i Ministrave vendos:

  1. Të autorizojë Ministrinë e Arsimit me dërgu në viset e lirueme të Kosovës e të Dibrës, si të transferuem përkohësisht, të gjithë ata mësues që do të dëshirojnë me vullnet të vet, me krye detyrën në shkollat e atyre viseve.
  2. Vendet që do të mbesin të hapta mbas transferimit të këtyre mësuesve, do të plotësohen me atë pjesë mësuesish që nuk kanë me qenë në gjendje, për arsye të forta të justifikuara nga autoritetet arsimore të qarqeve, me e krye shërbimin në viset e Kosovës e të Dibrës dhe që u përkasin shkollave që do të mbeten të mbyllura për këtë vit shkollor se janë dëmtuar nga operacionet ushtarake a për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të disa krahinave ku ndodhen shkollat e tyre.
  3. Secili prej mësuesve që do të shkojë me shërbye në viset e lirueme përveç pagimit të shpenzimeve të udhëtimit e të dietave që do t’i përkasin për ditët e udhëtimit, do të gëzojë edhe nga një shpërblim që do t’u jepet nga ana e ministrisë në marrëveshje me ministrinë e kulturës popullore.
  4. Nga trajtimi ekonomik që u caktua më lart do të përfitojnë edhe mësuesit që janë dërgue në Kosovë e në Dibër prej viseve të Shqipërisë së Vjetër brenda dy viteve të kaluar, duke përjashtuar ata që kanë origjinë kosovare e dibrane e që kanë familjet e tyre me banim të rregullt në ato vise.

Në nëntor 1944, largohet nga Shqipëria drejt Austrisë, ku qëndron për pak kohë. Jeta në mërgim përbëhet edhe nga një qëndrim i shkurtër në Itali, për t’u vendosur përfundimisht në Stamboll, ku edhe ndërron jetë.

Foto kryesoreRexhep Mitrovica

Foto e dytë: Përcjellje e vendimit të ministrit të Arsimit, Rexhep Mitrovica, për moslejimin e hapjes së shkollave private. Burimi: Rregullore dhe ligje, viti 1924.

 

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.