who’s who – Mirash IVANAJ

who’s who – Mirash IVANAJ (12 mars 1891 -22 shtator 1953)

Burimi: Valbona Nathanaili

U lind në Podgoricë, 12 mars 1891, djali i Dodës dhe i Zogës. Shkollën fillore e kryen në qytetin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme në Beograd, më 1910. Po në Beograd ndjek, rregullisht, 3 vite në fakultetin e letërsisë.

Aktiviteti i patriotik i Mirash Ivanaj është i lidhur ngushtë me atë të kushëririt të tij, Nikollë Ivanaj dhe të vëllait. Në vitet 1906-1908, së bashku me Nikollën, drejtojnë, në Raguzë, (Dubrovnik) dhe, më vonë, në Trieste, revistën “Shpnésa é Shcypenis”. Zhvendoset në Itali më 17 nëntor 1913 dhe fillon studimet në drejtësi pranë Universitetit të Romës. Nga dhjetori 1913 i akordohet një bursë studimi. Shumë shpejt, së bashku me vëllain, zhvendosin edhe selinë e revistës në Romë, duke ja besuar detyrën e kryeredaktorit Terenc Toçit. Në Itali formohet një grup filoshqiptar dhe ndër drejtuesit kryesorë të tij janë edhe Mirash e Nikollë Ivanaj. Në prill të vitit 1914, për shkak të situatës së krijuar, dëbohet nga Italia.

Qeveria e Giovanni Giolitti vendosi të spastronte terrenin nga çdo ekuivok, duke vendosur patrullimin e brigjeve shqiptare për të evituar zbarkimin e vullnetarëve shqiptarë ose arbëreshë, duke u përkujdesur të dëbonte vetë Mirash Ivanajn. Këto zhvillime nxorën në dritë të gjitha kufizimet dhe pasiguritë e grupit filoshqiptar që ishte krijuar në muajt e mëparshëm (Caccamo, F. ,2012, Odiseja arbëreshe. Terenc Toçi midis Italisë dhe Shqipërisë. Tiranë: Dituria).

Më 18 korrik 1923 mbron diplomën dhe diplomohet me rezultate shumë të mira (në të majtë: Faksimile e faqes së parë së diplomës së Mirash Ivanaj, Universiteti i Romës, Itali). Shpërngulet në Shkodër.

Më vitin 1924, në moshën 33 vjeçare, merr lejen e avokatisë së klasit II nga ministria e drejtësisë së shtetit shqiptar. Po në këtë vit i bashkohet kushëririt të tij, Nikollë Ivanaj, për botimin e gazetës “Republika”, Shkodër. Mësues dhe drejtor i gjimnazit të Shkodrës nga marsi i viti 1925 deri në tetor 1930. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunon ngushtësisht me Ministrinë e Arsimit, si pjesëtar në komisionet kombëtare për vlerësimin e teksteve shkollore.

Në qershor 1929, dekorohet me urdhrin “Komanduer i Urdhnit Skënderbeg”, për punë të shquar në dobi të shkollës shqip.

Gjatë mbretërimit të Zog I, për një periudhë punon si zëvendës ministër i Punëve të Jashtme dhe për periudhën 1933-1935 është Ministër i Arsimit dhe vazhdues i reformave të nisura nga Mosi, të cilat i pasuroi me ide dhe teza të reja; kryetar i Federatës Sportive Shqiptare. Nga posti i Ministrit të Arsimit jep dorëheqjen më 30 gusht 1935, kur del qartë se reforma e ideuar prej tij, nuk mund të zbatohet në të gjitha pikat. Kryetar i Këshillit të Shtetit deri më 1937.

Është kundra vendimit të qeverisë për shpronësimet dhe dhënien me koncesion të shfrytëzimit të disa prej pasurive të vendit. Duke qenë anëtar i komisionit për marrjen e vendimit, Ivanaj shprehet kundër për këto arsye (AQSh. Mirash Ivanaj, fondi personal, dosja nr. 41):

  1. Sikurse dihet, shpronësimi, si një send ose veprim në vetvete, është një fyerje që i bëhet së drejtës së pronësisë, por meqënëse e drejta e përgjithshme fitohet dhe mbahet me çdo mjet, që don me thanë edhe me sakrificën e të gjitha të drejtave vetjake të posaçme, kuptohet edhe shpronësimi është një e drejtë që e ka çdo bashkim njerëzor me e ba në çdo rast që e kërkon e mira e përgjithshme e tij. Në këtë mënyrë, begatia e një ose më shumë personave, tërthorazi e furnizon gjendjen e ekonomisë së përgjithshme të popullit, por prapë se prapë nuk mund të konsiderohet si një e mirë e përgjithshme që të futet në radhën e atyre utiliteteve botërore sa në emër të saj të mund të bëhet edhe çdo lloj shpronësimi për zgjerimin e një të tillë begatie. Duke pasur parasysh këto që u thanë më sipër dhe duke shtuar se e mira e përgjithshme, ose utiliteti botëror, është një gjë e ndryshme nga madhësia ose vogëlsia e një fabrike ose industrie private, kuptohet që është e jashtëligjshme që për dobinë e një të tillë privati të bëhet çdo lloj shpronësimi.
  2. Meqenëse në çdo zeje, ose mjeshtëri, ose industri, ekskluzivitet do të thotë monopolizim i saj dhe meqenëse monopolizimi është kufizimi dhe jo përkrahja e një shtrese ose e industrisë, kuptohet se gjithë pjesa e projektit të paraqitur prej Qeverisë që i përket dhënies së koncesioneve, qofshin këto që të jepen për një ose dy prefektura, duhet të shtyhet prej këtij projekti me qenë se sipas përmbajtjes së tij, ligji e ka për qëllim ndërrimin, që do të thotë zgjerimin dhe kufizimin e industrisë sonë kombëtare.

Prandaj, për sa u përket këtyre arsyetimeve, unë e kundërshtoj vendimin e shumicës.

Largohet nga Shqipëria më 1937 dhe jeton për pak kohë në Turqi. Gjatë pushtimit italian i konfiskohen pronat. Kthehet përsëri në Shqipëri më 1945, me ftesë të Enver Hoxhës.

Në pasaportën e lëshuar nga konsullata jonë në Stamboll, për udhëtim drejt Shqipërisë, më 14.7.1945, ka këto karakteristika: i gjatë, me fytyrë vezake, flokë të thinjur, sy gështenjë, lëkurë ngjyrë gruri. Më 15 nëntor 1945 emërohet profesor pranë Institutit Femëror, Tiranë.

Në maj të vitit 1947 burgoset me akuzën “agjent i imperializmit” dhe vdes pak ditë para se të lirohej, në spitalin e burgut.

Foto kryesore: Faksimile e emërimit të Mirash Ivanaj, si profesor, pranë Institutit Femëror, Tiranë, 15 nëntor 1945.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.