who’s who – Luigj GURAKUQI (19 shkurt 1879 – 2 mars 1925)

who’s who – Luigj GURAKUQI (19 shkurt 1879 – 2 mars 1925)

Ministër i Arsimit në Qeverinë e Parë Shqiptare, kryesuar nga Ismail Qemali (4.12. 1912 – 22.1. 1914)

Përgatiti: Valbona Nathanaili 

U lind në Shkodër. Shkollën fillore e të mesme jo të plotë i ndoqi në Kolegjin Saverian. Arsimin e mesëm e plotëson në Kolegjin Arbëresh të Shën-Mitër Koronës ku pati mësues De Radën. Në vitet 1901-1906 vazhdon studimet universitare në Napoli (Itali). Për 2-3 vjet studion mjekësi, por diplomohet në shkenca natyrore. Po në këto vite debutoi me sukses si poet lirik, lëvrues i prozës së shkurtër e publicist.

Me veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frengjisht n’marim” (Napoli, 1906) bëri të parën përpjekje të suksesshme për kodifikimin e metrikës së poezisë shqiptare. Po atë vit botoi në Bukuresht librin “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet” e në Napoli “Fjalorth Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp i fjalëve të reja” etj.

Në verën e vitit 1907 bashkëpunoi me Bajo Topullin për organizimin e kryengritjes në veri të vendit. Nënkryetar dhe anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar shqip në Kongresin e Manastirit, më 1908, si dhe delegat i Shkodrës (1 votë) dhe shqiptarëve të Italisë (2 vota).

Luigj Gurakuqi është drejtori i parë shkollës Normale të Elbasanit, e cila hapet në fund të vitit 1909. Më 17.11.1909 me rastin e e organizimit të ceremonisë së hapjes, shpërndahen ftesat, të cilat mbajnë firmën e kryemësonjësit të komisionit të shkollës, z. Dervish Biçaku, ndërsa fjalën e hapjes, që ka hyrë në histori, e mban Gurakuqi:

Elbasani, sikundrë asht mezi i Shqypnies landore, ashtu do të jetë edhe mezi i Shqypnies mendore: do të jetë truni, do të jetë zembra e të gjithë shqyptarëve. Këtu katundari me qytetarin, malësori me fusharakun do të bashkëtrajtohen e do të bahen nji; këtu toska me gegën do të derdhen, do të treten, do të përzihen bashkë…këtu gjuha shqype… do të marrë një trajtë e një fytyrë të përbashkme, këndej do të dalin shqyptarë, vetëm shqyptarë!

Më 1911 merr pjesë në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës dhe është një nga udhëheqësit e saj. Së bashku  me Ismail Qemalin harton “Memorandumin e Greçës”.

Është shoqëruesi i Ismail Qemalit në udhën e kthimit për në atdhe. Ambasadori austriak në Stamboll, Markezi János von Pallavicini, kur i shkruan Ministrisë së tij për këtë udhëtim shprehet: “Një tjetër që e shoqëronte [Ismail Qemalin] ishte Luigj Gurakuqi, një burrë me mustaqe spicë dhe me trupin e drejtë si qiri. Ai ishte katolik nga Shkodra dhe thirrej rëndom “profesor.” Gurakuqi ishte poet i lindur, kishte një të folur të ëmbël, plot shprehje e metafora, ndonëse i mbahej pak goja. Ai ishte njeri i besës dhe me aftësi prej politikani”.

Luigj Gurakuqi është përgjegjës për pjesën veriore të Shqipërisë gjatë përgatitjes së kryengritjes së vitit 1912.

Është një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, në postin e Ministrit të Arsimit caktohet Luigj Gurakuqi, ministri i parë i arsimit në historinë e shtetit shqiptar. Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, gjuha e komunikimit zyrtar vazhdon të jetë turqishtja. Edhe qarkorja që u dërgohet gjithë drejtuesve lokalë për përkrahjen dhe bashkimin e veprimtarisë së tyre me atë të Qeverisë së Vlorës është po turqisht. Ndërsa në korrespodencat e shumta ndërmjet Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit përdoret gjuha frënge.

Më 6 shtator 1913, Ministri i Arsimit, Luigj Gurakuqi, në emër të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, i drejtohet me një thirrje “Të gjithë atyre që janë të aftë për të kryer detyrën e mësonjësit për zhvillimin e shkollës shqipe”.

  • Çështja e arsimit ka një rëndësi kryesore në rilindjen e Kombit Shqiptar, pse vetëm me një lirim të shëndoshë e me një arsim të vërtetë mund të ngjallet e mund të mkambet kombi i ynë e mund të fitonjë të drejtën me hymun në radhë të popujve të qytetëruem.
    Me gjithë këtë nuk ka ndonji degë tjetër në të cilën Shqipnia të jetë ma e varfën se në degën e arsimit. Qeveria e parë nuk la ndonji shenj të dukshëm në këtë fushë, përveç kujtimit të hidhun të kundërshtimevet e të ndjekjevet kundrë gjuhës e shkollavet tona. Duhet pra t’i përvishemi punës, të nisim nga rranja e të hedhim themele të reja.
    Mjerisht edhe në këta nandë muejt e funit nuk mundem me bamum sa lypsej për çashtjen e arësimit: shteti i mjerë i Shqipnisë, që ndodhej i shkelun nga të huejt, nuk na premtoi të mbaronim si duhej detyrën tonë. Këto të liga edhe sot nuk janë larguem të gjitha: prapë copa të mëdha t’Atdheut tonë, ndonse të njohuna si pjesë të pandame të tia, gjenden edhe sot nën thonjt e pangishëm t’anmiqvet tanë. Me gjithë këtë, duke pritun që Shqipnia të lirohet e tanë, duhet të mendohemi e të përkujdesemi për atë pjesë ma fatmirë që ndodhet sot e lirë.
    Për sivjet shkolla fillore të vogla e të mëdha do të hapen kudo nëpër qytete e nëpër fshatra e katunde, një shkollë normale, gatitore hapet në këto ditë n’Elbasan; e shkolla ma të nalta jemi prapë në mendim të hapin në qoftë se t’ardhunat do të na mjaftojnë e atdhetarët e ditun do të na ndihin me këshilla e me punë.
    Po, si çdo mjeshtëri ka nevojë për veglat e saja e si çdo vepër kërkon puntorët e saj, ashtu edhe për shkollat duhen mësonjësit.
    Kemi varun disa herë lajme nëpër sundimtarët e nëpër nënsundimtarët për të ftuer të gjithë ata që duen t’i shërbejnë Atdheut në fushën e nderëshme e të dobishme t’arësimit të përgjithshëm, po mjerisht pak vetë i janë përgjegjun gjer më sot thirrjes sonë.
    Sot e përsërisim edhe nji herë këtë ftim duke iu lutun të gjithë atyne që janë të zotët të bahen mësonjës, që të mos e kursejnë vehten e vetë, po të veprojnë e të dërgojnë lutjet e tyne në Ministri t’Arësimit me të gjitha hollësirat e nevojëshme.
    Le ta dijnë mirë të gjithë se mësonjësit, si të vegjël si të mëdhenj që të jenë, do t’i bajnë ma të madhin shërbim Atdheut e kombit tonë e se nuk ka mjeshtëri ma të ndershme e ma të dobishme se ajo e mësimit.

Luigj Gurakuqi

Akti më i rëndësishëm i qeverisë së përkohshme të Vlorës është Kanuni i Përtashëm i Administratës Civile të Shqipërisë, botuar në gazetën “Përlindja e Shqypniës”, organ zyrtar i qeverisë, Vit’i I, Nr. 25-30, dt. 22 nëndor – 13 dhjetor 1913.3 Në këtë Kanun “përcaktohen ndarja administrative, detyrat dhe administrata e prefektit, të nënprefekturës, këshillave të ndryshëm, zgjedhjet e nëpunësve në administratë e gjyqi i tyre”. Ndarja administrative në Shqipëri ka këtë hierarki: prefekturë, nënprefekturë, krahinë e katund. Çështjet që lidhen me arsimin trajtohen në të gjitha këto nivele dhe caktohen detyrat e përgjegjësitë.

Një pjesë të rëndësishme të aktivitetit të tij si Ministër i Arsimit, Luigj Gurakuqi gjatë kësaj periudhe ja kushton çështjes së bashkimit dhe shtrirjes së ndikimit të qeverisë në të gjithë territorin e banuar nga shqiptarët.

Më 1913 është anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Gjatë luftës së Parë Botërore, me pushtimin e Shkodrës nga malazezët, internohet në Podgoricë.

Në janar të vitit 1916, ushtria austro-hungareze nisi marshimin në Shqipëri, duke e çliruar vendin nga forcat pushtuese serbe dhe malazeze. Austro-hungarezët pranuan që në vend të mbahej gjuha shqipe si gjuhë zyrtare, si dhe zbatimin e shumë prej rregullave e ligjeve të nxjerra nga qeveria e Vlorës. Drejtor i përgjithshëm për arsimin caktohet Luigj Gurakuqi. Më 1916 është një nga themeluesit e Komisisë Letrare.

Merr pjesë në Kongresin e Durrësit dhe zgjidhet Ministër i Arsimit në qeverinë e përkohshme të Durrësit; është pjesë e delegacionit të kësaj qeverie në Konferencën e Paqes në Paris. Më 1921-1924 është deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar. Ministër i Brendshëm në qeverinë e Hasan Prishtinës. Ministër i Financave në qeverinë e kryesuar nga Fan Noli.

Vritet më 2 mars 1925 në Bari nga një agjent i paguar nga Zogu.

Luigj Gurakuqi ka merita në hartimin e politikave për zhvillimin e shkollës shqipe dhe është autor e bashkautor në shumë tekste mësimore; është një nga figurat më autoritare në fushën e peda­gogjisë.

Luigj Gurakuqi ishte njohës i thellë i trashëgimisë sonë kulturore dhe asaj klasike: romake e latine, si dhe i trashëgimisë arsimore pedagogjike kombëtare e europiane. Gurakuqi fliste rrjedhshëm latinisht, italisht, turqisht e frëngjisht, sikundër mund të komunikonte lirshëm në greqisht, gjermanisht e anglisht.

“Hero i Popullit” dhe “Mësues i Popullit”.

____________________________

[2]Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë (1985). Fjalori Enciklopedik Shqiptar. Tiranë: f. 328.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.