who’s who – Kristo FLOQI

who’s who  

Kristo Floqi (24 maj 1872 – 1951)

U lind më 1872, në Korçë. Mësimet e para i merr në Korçë, në shkollën popullore greke dhe, për pak kohë, në një shkollë private. Në vitin 1880 e gjithë familja shpërngulet në Greqi, ku qëndrojnë për afro dy vjet. Në vitin 1886 përfundon shkëlqyeshëm vitin e parë të shkollë së mesme, përsëri në vendlindje, Korçë, ku dhe fillon të punojë me të atin. Të kësaj kohe janë edhe sprovat e para në vjershë, të cilat për fatin e mirë bien në dorë të Naim Frashërit, i cili edhe e përgëzon me një letër djalin e ri, sikundër edhe e nxit të shkruaj. Në vitin 1888 përsëri shpërngulet në Greqi, së bashku me familjen. Diplomohet për drejtësi në Athinë më 1899, ndonëse profesionin e avokatit kishte kohë që e ushtronte në Karvasara, vendi që kishte zgjedhur familja e tij për të jetuar. Për pak kohë jeton në Athinë e Patra, në kërkim të mundësive më të mira. Më pas kthehet përsëri në Korçë, ku hap zyrë avokature. Në vitin 1904 martohet me Urani Poçin. Gjatë kësaj periudhe intensifikon mbështetjen ndaj lëvizjes kombëtare: zyra e tij shndërrohet në një qendër për përhapjen e ideve atdhetare.

Më 1909 shpërngulet në Vlorë, ku vazhdon të ushtrojë profesionin e avokatit, por vetëm dy vjet më vonë, për shkak të aktivitetit të tij patriotik shpërngulet në Boston, ShBA.

Nga 21 shtatori 1911 deri më 18 korrik 1912 është redaktor pranë fletores “Dielli”, e përjavshme, që botohej nga shoqëria Besa-Besë. Në këtë periudhë, u hodh ideja për bashkimin e të gjitha shoqërive shqiptare të krijuara në qytete të ndryshme të Amerikës verilindore, numri i të cilave ishte rritur me shpejtësi. Shoqëria Besa-Besë bëhet iniciator për bashkimin. Kristo Floqi është anëtar i komisionit të punës për bashkimin, së bashku me Faik Konicën, Fan Nolin dhe Paskal Aleksin; bashkë-hartues i kanunores së funksionimit të shoqërisë, e cila me propozimin e Fan Nolit u pagëzua me emrin “Federata Pan-shqiptare Vatra e Amerikës”, si dhe organizator për funksionimin e degëve të saj. Federata Panshqiptare “Vatra” u njoh prej shtetit të Masacusetit dhe mori kartën më 13 qershor 1912. Në kartë figurojnë këta emra: Faik Konica, Llambi Chikozi, Fan S. Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere dhe Kosta Kotta. Me formimin e “Vatrës” gazeta “Dielli” bëhet organ i saj. Sipas Elsie (2001: 355), në New York boton të përjavshmen jetëshkurtër Zër’ i Popullit, në dimrin 1912-1913.

Në shtetin e parë shqiptar është Kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë dhe përgjegjës për organizimin e sistemit gjyqësor në të gjithë vendin. Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë në kohën e princ Wied-it dhe kryetar i Gjykatës së Apelit në Berat. Me krijimin e shtetit të ri shqiptar, lëvizja teatrore amatore fillon të përhapet në gjithë vendin. U ngritën një numër i madh grupesh amatore në disa qytete të Shqipërisë si Korçë, Shkodër, Berat, Vlorë, Tiranë etj. të cilat vunë në skenë shumë pjesë të shkruara nga autorë shqiptarë. Repertori kryesor i këtyre teatrove përbëhej nga krijimet e Kristo Floqit.

Me ikjen e Wied-it vendoset në Shkodër dhe për disa kohë punon në zyrën avokatore të Terenc Toçit. Ndërkohë, publicistika e tij, e botuar në gazeta të ndryshme të vendit, ngjall shpesh pakënaqësi, për shkak të tendencës për të paraqitur sa më saktë realitetin, shpesh edhe me nota satiro-humoristike. Në vitin 1919 është redaktor i “Agimit”, organ i shoqërisë “Vllaznia”, ku boton shumë shkrime për letërsinë, historinë, jurisprudencën e historinë. Në maj 1919 nis botimin e së përmuajshmes “Agimi” dhe, më 1920, është kryetar i Gjykatës së Apelit të Shkodrës.

Nëntor 1920 është ministër i Arsimit në qeverinë e udhëhequr nga Iliaz Vrioni. Një nga përpjekjet kryesore të punës së tij si ministër është të shtojë numrin e shkollave shqip. Sipas Spahos (2010: 40) “Puna shkonte bukur. Brenda 3 muajve shtuam 58 shkolla të reja të tjera, të cilat kur u largova nga ministria kishin arritur në 544 gjithsej, nga 318 shkolla që gjeta kur ardha ministër”. Për pak kohë është edhe Ministër i Financave.

Në vitin 1921 është deputet i Dibrës. Kristo Floqi njihet si një nga konstitucionalistët më të mirë të kohës. I pari proces gjyqësor në gjuhën shqipe është shkruar në fund të vitit 1912 nga Kristo Floqi. Në veprën e tij shkencore “E drejta themelore ose konstitucjonale (Hukuki-esâs): trajtim shkenzuer, për përdorim të njerësve të Shtetit, nënpunsave të Qeveris Shqyptare, gjyqtarve, avokatve, juristave, studentave të Drejtësisë e përgjithësisht gjithë nënshtetasve Shqyptarë”, (kataloguar me të njëjtin titull në Bibliotekën Kombëtare), Shkodër: Shtypshkronja Françeskane, 1920, 209 f., Floqi shtjellon njohuritë më të përgjithshme kushtetuese që lidhen me ndërtimin e shtetit të ri shqiptar sipas parimeve demokratike të konstitucionalizmit, kur merr në analizë çështje të tilla si: sa deputetë duhet të ketë Parlamenti Shqiptar në mënyrë që të arrihej një shkallë më e gjerë përfaqësimi, duke ju referuar edhe normës së përfaqësimit në shtetet evropiane si: Britania e Madhe dhe Franca, ose vendeve fqinjë, si Greqia; si duhet të zgjidhen ata; si duhet të jenë procedurat e votimit, për shembull, bën fjalë për votim të fshehtë, kur përshkruan “ndarjet e dhomave të votimit/dasitë e odave të votimit (ff. 118-9) etj. Në fund të librit gjendet edhe një fjalorth në katër gjuhë. Në vitin 1925 është drejtor i fletores “Indipedenca shqiptare”, me seli në Tiranë.

Mbas Luftës së Dytë Botërore arrestohet nga komunistët. Vdes në burg, më 1951.

Botime

  • 1914 “Fe e kombësi”. Dramë kombëtare me katër akte dhe katër tabllo. Sofje: Shtypshkronja “Mbrothësia”, 94 f. Me parathënie nga autori.
    1922 “Dhëndër me përdhuni”. Komedi në një akt. Vlorë: Shtypshkronja “G. Direttore et C.”, 36 f.
    1922 “Qethulli politik”. Rivistë satyrike. Operetë në 4 akte. Tiranë: Shtypshkronja “Tirana”, 99 f.
    1923 “Administrata ose e drejta sundimore (Hukkuki-idaré): trajtim theorik e praktik për dobi të nëpunësve e nënshtetasve shqyptarë: pjesa e përgjithshme”. Vlorë: Shtypshkronja “Vlora”, Cav. G. Direttore, 474 f., me parathënie nga autori.
    1923 “Elementa të ekonomisë politike për kursin praktik të nënëpunësve të shtetit”. Tiranë: Shtypshkronja “Nikaj”, 80 f.
    1926 “Ministri kandidat”. Komedi në një akt. Tiranë: Shtypshkronja “Mbrothësia”, 40 f.
0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.