who’s who – Kostaq Kotta

who’s who – Kostaq Kotta (1889-1949)  

Burimi: AQSh. Fondi: 763, dosja nr.121, fl. 1-2.

Nga Valbona Nathanaili 

U lind në një familje antike dhe fisnike, në Korçë. Shkollën fillore dhe gjimnazin-liceun i kryen në qytetin e lindjes. Familja e dërgon në Athinë për të ndjekur studimet në mjekësi. Patriotizmi i tij goditet rëndë nga intrigat greke dhe shumë shpejt niset për në Paris, qendra e refugjatëve shqiptarë të kohës.

Për një periudhë kohe zhvendoset në Amerikë. Sipas Ikonomi (2011: 58), “është korçar fjalëpakë, që ka bërë shkollë në Amerikë dhe ka punuar si gjellëbërës në një restorant të Bostonit. Konica e akuzon për njeri të korruptuar.” Me njohjen e Federatës Panshqiptare “Vatra” nga shteti i Masacusetit (karta u mor më 13 qershor 1912), një nga emrat që gjenden në kartën e njohjes është edhe ai i Kosta Kotta.

Gjatë pushtimit grek të viseve jugore të Shqipërisë, është pjesë e grupeve që luftojnë kundër bandave pan-epiriote. Vitet e para të punës punon si mësues në shkollë fillore. Shumë aktiv në çështje që lidhen me kulturën. Më 1913 është sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit (nën drejtimin e Luigj Gurakuqit) dhe në kohën e Princ Wied (1914) është përsëri funksionar në administratën e Arsimit. Inspektor i shkollave për Beratin gjatë pushtimit austro-hungarez.

Më 5 nëntor 1919, Kotta, i shqetësuar rreth evoluimit të marrëdhënieve ndërmjet Italisë e Shqipërisë, i drejtohet me një letër të tillë Terenc Toçit (Caccamo, F., 2012. Odiseja arbëreshe. Terenc Toçi midis Italisë dhe Shqipërisë. Dituria: Tiranë, f. 112.):

Qeveria italiane ende nuk po bën një politikë të ndershme, të sigurt dhe të saktë … Ndërkohë në Shqipëri po formohen komitete për një mbrojtje kombëtare edhe me armë … Nëse Italia nuk do të vendosë rreth asaj që duhet të bëjë në mënyrë të sinqertë për Shqipërinë, unë parashikoj që ne do të shkatërrohemi dhe Italia do të humbasë po kështu, duke favorizuar interesat e armiqve të vet.

Më 1920 merr pjesë aktive në Kongresin e Lushnjës; më tetor 1920 është një nga themeluesit e Partisë së Popullit, parti pro-zogiste. Gjatë periudhës 1921-1923 është prefekt i Beratit. Më 1923 është deputet i Korçës, anëtar i Asamblesë Kushtetuese.

Në kabinetin e Iliaz Vrionit është Ministër i Punëve Botore dhe Bujqësisë dhe anëtar i parlamentit. Gjatë revolucionit të qershorit arratiset në Greqi dhe organizon trupat në Follorinë e Janinë për të hyrë përsëri në Shqipëri në dhjetor të vitit 1924.

1925-1927 Ministri i Punëve Botore dhe zv. Ministër i Punëve të Brendshme dhe më vonë Ministër i Punëve të Brendshme; Kryeministër gjatë periudhës 1928-1930 dhe më 1937. Në vitin 1932 është Kryetar i Parlamentit. Në këtë kohë kërkon të shesë një pronë te një shtetas italian. Në letrën e shkruar në italisht që gjendet në fondin e tij personal, bëhet fjalë për një kontratë shitje-blerje të një hoteli me shtetasin italian, Marchese di Soragna, në prani të noterit Mumtaz Kokalari, në shifrën 60 000 franga ar shqiptare.

Me rënien e qeverisë së Nolit kthehet në postin e tij ministeral në qeverinë e Zogut dhe në janar 1925 është Ministër i Arsimit. Më tej, është Ministër i Punëve të Brendshme dhe kryeministër.

Gjatë periudhës që është Kryeministër në fondin e tij personal gjendet letra e një të panjohuri, por mik personal i tij, ku i shkruan rreth një projekti bashkëpunimi dhe ndihme me Italinë. Po në këtë fond gjendet edhe skeda personale e aktivitetit dhe veprimtarisë së tij sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, të dyja të paraqitura në vijim.

I dashtur Kostaq 

  • Mbrëmë pata një bisedë të gjatë dhe shumë interesante me ministrin e Italisë, i cili më foli me nderë të madhe për personin tënd e më tha se e gjen krejt të arsyeshme projektin e institutit tim. Më shpjegoi se programi i tij është plotësisht ekonomiko-financiar, me një shtesë studimesh mbi historinë. Kemi, pra, një fat të mirë ke dera që Shqipnia të zhvillohet e që kabineti yt të shkruajë fletët më të bukura të rilindjes e të organizimit si edhe të konsolidimit të Mbretërisë. Fat ky që s’ka me u paraqitë kurrë më. Ai mendon pikërisht si ne! Shtoi vetë se është mik me të vërtetë i sinqertë i N.M. së tij Mbretit, për të cilin shkrojti një Milo Shini në revistën më të madhe të Italisë, Nova Antologia, 1927 dhe në Enciklopedinë Treccani, 1935, që është më e madhja enciklopedi moderne. Prej Musolinit, siç kuptova, ka karta bianka e pra duhet që të bëjmë medoemos punë me të! Do dukem pas darke nja 5 minuta që të tregoj edhe të tjera me rëndësi edhe më të madhe. Vëllazërisht (?? nuk ka emër)

Biografi Koço Kotta – sipas skedës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë

  • Gjatë invazionit grek në Shqipërinë meridionale lufton kundër bandave panepiriote. Më 1914 gjatë kohës së Vidit është pjesë e Ministrisë së Arsimit. Më 1920 është pjesë aktive në Kongresin e Lushnjës. Më tej është senator i Korçës dhe deputet e asamblesë kushtetuese (1923). Revolucioni i Qershorit i vitit 1924 që solli në fuqi qeverinë bolshevike të Fan Nolit, e gjen Koço Kottën si ministër të Punëve Botore dhe organizator të palodhshëm të kundërrevolucionit që fiton më 24.12.1924. Në kongresin e Lushnjës zgjidhet sekretar i kongresit. Inspektor i përgjithshëm i ministrisë së Arsimit, prefekt, deputet, asambleist, ministër i punëve botore, president i senatit, ministër i brendshëm, shkruan në shtypin shqiptar artikuj në favor të partisë nacionaliste, vullnetar në luftën kundër grekut dhe kryetar i bandave të armatosura kundër qeverisë së Fan Nolit.

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, në prill të 1939-ës kthehet në Greqi dhe kërkon azil. Me pushtimin gjerman kthehet përsëri në Shqipëri dhe është anëtar i Legalitetit. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjen përsëri në Greqi. Sipas Elsie (Elsie, R. (2012). A Biographical Dictionary of Albanian History. New York: I. B. Tauris & Co. Ltd., f. 253-4.), në Greqi rrëmbehet nga forcat komuniste dhe sillet përsëri në vend.

Më 1 mars 1945 në Tiranë hapet Gjyqi special kundër 60 personave të cilësuar si “kriminelë të luftës”, me akuzën se kanë përgatitur pushtimin fashist dhe kanë bashkëpunuar me pushtuesit për shtypjen e Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Më 13 prill 1945, Gjykata Speciale e Tiranës, me kryetar Koçi Xoxe, e dënon me burgim të përjetshëm.

Vdes rreth viteve 1947 ose 1949.

Njihet edhe si Koço Kota.

Në foto kryesore: Faksimile e dekretit për emërimin e Kostaq Kottës si inspektor shkollash në Berat, datë 3 prill 1917, fleta 1. Në fletën 2 shkruhet: “Betimi u dha. Në Berat, më 14.04.1917. Me urdhër të Korps- kommandatit, rroga u shtua në 320 korona nga data 1.11.1917.

Foto e dytë dhe e tretë: Kostaq Kotta, në periudha të ndryshme të jetës.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.