who’s who – Hil MOSI

who’s who – Hil MOSI ( 22 prill 1885 – 21 shkurt 1933) 

Ministër i Arsimit 

Përgatiti: Valbona Nathanaili 

Mësimet e para i merr në vendlindje, në Shkodër, fillimisht në një shkollë fillore italiane dhe, më vonë, ndjek Kolegjin Saverian. Studimet e mesme i kryen në Austri, në shkollën normale të Klagenfurtit, një lloj shkolle pedagogjike ku studentët përgatiteshin për të qenë mësues (afërsisht 1904-1908). Gjatë qëndrimit në Austri, nën udhëheqjen e Gjergj Pekmezit, përfshihet në organizimin e studentëve shqiptarë që studiojnë në Austri, në klubin patriotik “Lirija”, i njohur më vonë si “Dija”.

Më 1908 kthehet në Shqipëri. Për një periudhë kohore jeton në Korçë dhe pak kohë edhe në Shkodër, ku formon shoqërinë “Gegnija”. Sekretar i Kongresit të Manastirit dhe delegat i Shkodrës, si përfaqësues i shoqërisë “Gegnia”, me dy vota. Më 1909 zhvendoset në Stamboll dhe, së bashku me Dervish Himën, botojnë dhe është redaktor i gazetës “Shqiptari”, – artikujt janë në shqip, turqisht dhe frëngjisht. Më 1911 kthehet në Shqipëri dhe, për afro një vit, jep mësim në Shkollën Normale të Elbasanit. Gjatë kësaj periudhe është anëtar veprimtar i Komitetit të Kryengritjes së Malësisë së Veriut (1909-1912). Në fund të vitit 1912 zhvendoset përsëri, për pak kohë, në Austri.

Një nga eksponentët më aktivë të emigracionit shqiptar në Itali dhe iniciatorët për të thirrur një kongres në Trieste, në mbështetje të çështjes shqiptare dhe njohjes së pavarësisë, më 1 mars 1913, ku së bashku me Fazil Toptanin, Faik Konicën, Dervish Himën e Pandeli Evangjelin përbëjnë grupin drejtues të Kongresit. Delegatët zgjedhin Hil Mosin kryetar. Në këtë periudhë fillojnë t’i shfaqen probleme shëndetësore. Kthehet në Shqipëri dhe qëndron përsëri në vendlindje, Shkodër.

Më vitin 1913 themelon dhe boton revistën e përjavshme, “Shqypnia e Re”. Drejtor Hil Mosi, kryeshkrojës Risto Siliqi dhe arkëtar Karlo Suma (sipas arkivit të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë, Vjenë.

Në gusht të vitit 1913 është pjesë e grupit që pret në Shkodër përfaqësuesit e qeverisë së Vlorës. Në shkurt të vitit 1914, në qeverinë e drejtuar nga Esat Pashë Toptani, caktohet Drejtor i Përgjithshëm i Sigurisë së Shqipërisë. Pas pushtimit malazez të Shkodrës, më 1915, internohet në Podgoricë dhe kthehet, përsëri, më 1916.

Më 1916 është anëtar i “Komisisë Letrare” të Shkodrës. Nën drejtimin e Hil Mosit, më 16 prill 1917, iniciohet, në Shkodër, krijimi i një biblioteke. Më 1920 biblioteka shpërngulet në Tiranë, në mjediset e Ministrisë së Arsimit. Biblioteka Kombëtare, sikundër quhej që në atë kohë, në momentin e përurimit kishte rreth 6000 vëllime.

Në shkurt të vitit 1919 zgjidhet kryetar i shoqërisë “Vllaznia”, shoqëri që synonte, në programin e saj, “Zgjimin e djelmërisë shqiptare në fushën letrare, theatrore, muzikore e gjimnastikë”. Në programin e kësaj shoqërie ishte dhe botimi i një të përkohshme me këtë program, “Agimi”, por pa u përzi në politikë. Një nga tekstet e poezive të tij përdoret për krijimin e himnit të shoqërisë “Vllaznia”.

Anëtar i delegacionit të qeverisë shqiptare në Gjenevë, më 1920, për njohjen e kombit shqiptar.

Ministër i Arsimit në qeverinë e kryesuar nga Pandeli Evangjeli (16 tetor 1921 – 6 dhjetor 1921). Hil Mosi është iniciator i disa prej reformave më të rëndësishme në fushën e arsimit shqiptar.

Kësaj periudhe i takon “Rregullorja e Ministrisë së Arsimit”, datë 26.11.1921, botuar, më 1922, nga shtypshkronja “Elbasani”. Ndonëse ka emrin rregullore, është një nga ligjet më të rëndësishme në fushën e arsimit të kësaj periudhe, i cili përmbledh: “ligj mbi organizimin qendror të ministrisë së arsimit (94 nye), ligj mbi organizimin themelor të arsimit (84 nye), ligj mbi të nshkruemit e të ndjekunit të detyrueshëm të shkollës (15 nye), ligj mbi emërime dhe shpërngulje mësuesisht (4 nye), ligj mbi vendzani mësuesish për shkak sëmundjesh (5 nye), ligj mbi të ngrehunit dhe të mbajtunit e ndërtesave shkollore (9 nye), ligj mbi pranimin e përdorimin e teksteve shkollore të arsimit fillor dhe të mesëm (10 nye) dhe ligj mbi bursat kombëtare (36 nye)”. Ligji urdhërohet për zbatim nga anëtarët e Këshillit të Naltë: Aqif Elbasani, Luigj Bumçi dhe Abdi Toptani.

Sipas këtij ligji, (Nye 1) arsimi në Shqipëri është pa të holla dhe i detyrueshëm, si për femra ashtu edhe për meshkuj, në të gjitha ato vende ku ka shkolla, “tue fillue prej moshës 6 vjeç plot”. Ligji i ndan shkollat e arsimit kombëtar në dy tipe: shkolla fillore dhe shkolla të mesme (Nye 2). Sipas Nye 4, arsimi fillor ka dy shkallë: shkallën e ulët dhe shkallën e sipërme. Shkalla e ulët përfshin shkollat fillore të para dhe shkollat fillore të plota (ose plotoret); shkalla e sipërme përmban shkollat qytetse. Shkollat fillore të para përfshijnë nga 1-3 vite shkollore; shkollat fillore të plota “përfshijnë të katërtin dhe pestin vit shkollor”.

Ligji kërkon të zbatohet sistemi i përzier i ndjekjes së shkollave fillore në të gjithë ato katunde ku nuk mund të hapen shkolla femërore të veçanta (Nye 13): “Ndër katundet ku nuk mund të ngrihen shkolla femnore të veçanta, shkollat fillore do të jenë të përzieme”, por nuk ka të njëjtën kërkesë edhe për qytetet (Nye 14): “Ndër qytete, shkollat fillore do të jenë mashkullore e femnore”.

Po ashtu, aprovohet Ligjë “Mbi të nshkruemit e të ndjekunit të detyrshëm të shkollës” dhe Ligjë “Mbi pranimin e përdorimin e tekstevet shkollore t’Arsimit filluer e të mesëm”. Arsimi fillor është i detyrueshëm:

Nye 1. Të nshkruemi të detyrushëm të nxanësvet në shkollë parashikohet prej Nenit 2 të Ligjës mbi organizimin themeluer t’Arsimit.
Nye 2. Për aplikimin e të nshkruemit të detyrshëm të fëmivet në shkollë do të kujdeset Këshilli Shkolluer i çdo Prefekture a ndënprefekture tue u marrun vesht edhe me Bashkit e vendit. Në krahinat këtë detyrë e kryen krahinari në marëveshtje me Kryepleqt e me antaret e katundevet.

Përfaqësues i Shkodrës, në parlament, gjatë periudhës 1920-1924. Gjatë qeverisjes së Fan Nolit shërben si prefekt i Korçës, deri më 5.7. 1924. Me largimin nga kjo detyrë, një grup qytetarësh i shprehin keqardhjen Ministrit të Arsimit për largimin e tij. Me ardhjen në fuqi të Zogut zhvendoset në Brindizi. Me amnistinë e shpallur nga Zogu kthehet në Shqipëri dhe shërben si ministër i Punëve Botore, për pak kohë, në kabinetin e dytë republikan të kryesuar nga Ahmet Zogu (24 tetor 1927-10 maj 1928). Zgjidhet përsëri Ministër i Arsimit në të dyja qeveritë e kryesuara nga Pandeli Evangjeli (6 mars 1930 – 11 prill 1931; 20 prill 1931 – 7 dhjetor 1932).

Ndërron jetë, mbas një sëmundje të rëndë, më 21 shkurt 1933. Ceremonia mortore zhvillohet në Shkodër, më 22.2.1933. “Trupi i të ndjerit u shoqërua deri jashtë qytetit nga një kortezh madhështor” – sipas telegramit që i dërgohet Diellit, Boston (402, Massachussets Ave.), më 22.2.1933.

Botime 

  • 1909 Kengat Shqipe. Mblodhi Hil Mosi. Parathënia nga Hil Mosi. Korçë; Selanik : Shtypshkronja “Mbrothësia”, 1909, f. 64.
  • 1913 Zan’ i Atdhet: vjersha atdhetare. Autor Hil Mosi. Trieste : Shtypshkronja “Dolenc”, 1913, 94 f.1908 Kalendari i Shoqënisë “Dija” për vjeten 1908 : mot’ i III. Vjenë, 128 f., me ilustrime dhe një hartë e veriut të vendit. Shkruan me pseudonimin “Sakoli”. Një kopje e botimit të të njëjtit vit gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë, Vjenë.
  • 1915 Lotët e dashtnisë: vjersha dashtnore 1915. Autor Hil Mosi. Shkodër, 1915, 120 f. Një botim i vitit 1916 i të njëjtës vepër gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë, Vjenë.
  • 1927 Lule prendvere: vjersha dashtnore & ballada. Autor Hil Mosi. Korçë, 1927. Libri, në bibliotekën Kombërae  gjendet me firmë dhe parathënie të autorit.  136 f. 1925 Libër kangësh për shkollat popullore të Shqipnis. Hil Mosi. Tiranë: Ministria e Arsimit, 1925.
  • 1928 Filja: një dramë me tri pamje sipas Theodor Korner & Shërbëtor’ i dy zotnive e Dy shërbëtorët: dy komedina sipas C. Goldon. Përshtati në shqip Hil Mosi [Adaptimi në shqip me ndryshimin e emrave të personazheve (në shqip), vendeve (në Shqipëri) dhe kohës së zhvillimit]. Tiranë: Shtypshkronja “Mbrothësija” Kristo Luarasi, 1928, 128 f.
  • 1928 Cubat. Nji dramë me pesë pamje. Autor Friedrich von Schiller. Përshtati në shqip Hil Mosi. Tiranë: Shtypshkronja “Luarasi”, 1928, 120 f.
  • 1931 Hymni i Djelmnis Shqiptare. Autor Hil Mosi. Tiranë: Shtypshkronja “Vlora”, 1931, 4 f. dhe notat muzikore.
  • 1931 Hymni i milicjes. Autor Hil Mosi. Tiranë: Shtypshkronja “Vlora”, 1931, 4 f. dhe notat muzikore.

Hil Mosi njihet edhe si përshtatës i disa veprave dramatike si Cubat e Shilerit, Shërbëtori i dy zotnive dhe Dy shërbëtorët të K. Goldon, Filja e Kërnërit ose përshtatës i disa kompozimeve klasike si këngë për fëmijë.

Foto kryesore: Hil Mosi (Në këmbë, djathtas, në Kongresin e Triestes)

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.