who’s who – Ernest KOLIQI

who’s who – Ernest KOLIQI (20 maj 1903 – 15 janar 1975)

Përgatiti: Valbona Nathanaili 

U lind në Shkodër. Mësimet e para i ndoqi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve të Shkodrës dhe, më pas, vijoi shkollimin në Arice të Lombardisë. Vjershat e para janë të kësaj periudhe dhe botohen në revistën “Noi, giovani”, një revistë studentore e themeluar nga vetë Koliqi, së bashku me disa bashkënxënës të tij (Elsie, 2001: 329). Kthehet në Atdhe në vitin 1922, ku integrohet shpejt në jetën kulturore dhe politike të vendit, si veprimtar i shoqërive “Bashkimi” e “Atdheu”. Së bashku me Anton Harapin dhe Nush Topallin themelojnë, në Shkodër, të përjavshmen “Ora e Maleve”, numri i parë i së cilës del më 15 prill 1923.

Më dhjetor të vitit 1924, me kthimin e A. Zogut në pushtet, internohet në Tuzla, në Bosnjën verilindore. Gjatë periudhës 1930-1933 është mësues në shkollën tregtare të Vlorës dhe në gjimnazin e shtetit në Shkodër. Me nxitjen dhe ndihmën e Koliqit, në kohën kur ishte mësues në shkollën tregtare të Vlorës, botohen shumë nga tregimet e Petro Markos, nxënësit të tij. Për shkak të aktivitetit të tij opozitar, detyrohet të emigrojë përsëri, por këtë radhë në Itali. Gjatë viteve 1933-1937 ndoqi studimet e larta për letërsi në Universitetin e Padovas, ku edhe u doktorua me tezën “Epika popullore shqiptare” (Hamiti, 2043: 391). Po gjatë kësaj periudhe, bashkëpunon me revistën mujore “Minerva”, revistë shkencore e letrare, (drejtor Nebil Çika).

Themelues e drejtues i revistave të shumta në Shqipëri dhe Itali ku botohej e trajtohej letërsia e kultura shqiptare, shkrimtar, përkthyes, studiues e botues. Nga vitet 1934-1936 bashkëpunon me revistën “Illyria” që botohej në Tiranë. Si letrar Ernest Koliqi mund të quhet si një ndër themeluesit e prozës moderne shqipe (Hamiti, ibid: 391). Por Koliqi është edhe poet, dramaturg, studiues e përkthyes letrar. Këtë veprimtari e krijimtari letrare e ushtroi gjatë gjithë jetës.

Sipas Hugh Grant, Ministrit Amerikan në Tiranë gjatë periudhës 1935-1939, Koliqi është anëtar i delegacionit shqiptar të kryesuar nga Shefqet Vërlaci, gjatë vizitës në Romë në qershor të vitit 1939. Gjatë vizitës, më datë 3, delegacionit i dorëzohet Kushtetuta e Re e Shqipërisë nga Mbreti Viktor Emanuel që njihte shkrirjen e ushtrisë shqiptare me atë italiane, mbrojtjen e interesave të Shqipërisë jashtë vendit nga Italia si dhe shtimin, në flamurin kombëtar, të emblemës së Fashios së Liktorit. Po sipas Grant “Për të mos mbetur prapa monarkut të tij, Duçja, në pritjen që dha për delegacionin atë mbrëmje, datë 11 qershor, me rastin e miratimit të Kushtetutës së Re, u shpërndau ndere disa zyrtarëve shqiptarë. Katër prej tyre, duke përfshirë Kryeministrin Vërlaci, i emëroi anëtarë të Senatit Italian, ndërsa dhëndrin e Kryeministrit, Dinon, e shpalli ambasador të Mbretit Perandor. Ministrin e Arsimit, E. Koliqin, profesor të Universitetit të Romës”, ndonëse Caccamo (Tiranë, 2012) e saktëson “Profesor ordinar i gjuhës shqipe në Universitetin e Romës.”

Në qeverinë e kryesuar nga Shefqet Vërlaci (12 prill 1939 – 3 dhjetor 1941) është Ministër, Sekretar Shteti për arsimin. Duke qenë nën pushtimin italian, Ministrisë së Arsimit i hiqen kompetencat politik-bërëse. Në bazë të këtij riorganizimi, Ministria e Arsimit e Italisë dërgon, më 14.9.1940, pranë Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, manualin e ri dhe të përditësuar të legjislacionit në arsim, botim i Ministrisë së Arsimit të Italisë, për institutet dhe shkollat e mesme, për kurset profesionale dhe ato të punës. Manuali ka afro 700 faqe dhe përpos legjislacionit, shoqërohet me artikuj të shumtë në fushën e edukimit, – ose është një lloj enciklopedie, sikundër thuhet në shkresën shqoëruese, ku jepen edhe mënyrat për blerjen e tij. Pra, pjesa më e madhe e qarkoreve vinin direkt nga Ministria e Arsimit e Italisë, qarkore që kjo ministri ua dërgonte “Seksioneve të arsimit të Mbretërisë”, pjesë e së cilës ishte edhe Shqipëria.

Më 5.11.1940 dhe 15.11.1940, Ministri, Ernest Koliqi, dërgon dy qarkore, ku në të parën, pasi thekson se “shteti ndodhet në luftë”, veçon disa nene të nevojshme për të gjithë të punësuarit në arsim, ndërsa në të dytën përpiqet të motivojë mësuesit për situatën në të cilën ndodhet vendi, përpos dëshirës për të ngritur frymën e atdhetarizmit dhe ngjallur atë të sakrificës. Po gjatë periudhës si Ministër, themelon e drejton, më 1940, revistën letraro-artistike “Shkëndija”, e përmuajshme, në Tiranë (revista botohet deri më 1943) dhe, më 1941, ndihmon në botimin e antologjisë së letërsisë shqipe, redaktuar nga Namik Resuli dhe Karl Gurakuqi. Njihen përpjekjet e Koliqit për shpëtimin e Norbert Jokl, albanologut të shquar austriak me origjinë hebreje nga duart e nazistëve, duke i ofruar punë në Shqipëri. Në përparësitë e Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi, është edhe mbledhja e folklorit nga mësuesit. Më 12 prill 1940 përurohet Instituti Shqiptar i Studimeve dhe me dekret të Mëkëmbësit Mbretëror, Ernest Koliqi është anëtar efektiv i tij.

Në nëntor 1942, me dorëheqjen e Terenc Toçit nga Kryetar i Këshillit Korporativ, emërohet Ernest Koliqi. Për Terenc Toçin, Koliqi është një nga eksponentët kryesorë kolaboracionistë me Italinë. Nga viti 1942-1943 është drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve (të sapoformuar), paraardhësja e Akademisë së Shkencave. Me kapitullimin e Musolinit, kthehet e jeton deri në fund të jetës në Itali. Merr drejtimin e katedrës së gjuhës shqipe pranë Universitetit La Sapienza të Romës, detyrë që e mban deri në fund të jetës. Gjatë periudhës 1957-1973 drejton në Romë revistën letrare e kulturore “Shêjzat”. Ernest Koliqi ndërroi jetë në Romë, më 1975.

Vepra e tij letrare gjatë periudhës së diktaturës u ndalua për shkak të veprimtarisë politike të autorit, sepse ishte ministër i arsimit në kohën e pushtimit italian gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Botime

  • 1929 Hija e maleve, novela, botuar dhe ribotuar disa herë.
  • 1932 Poetët e mëdhej t’Italis. Vëllimi i parë. Me parathënie nga At Gjergj Fishta. Autorë të zgjedhur për këtë vëllim janë: Dante, Petarca, Ariosto, Tasso. Tiranë: Shtypshkronja “Nikaj”.
  • 1933 Gjurmët e stinëve, Tiranë. Një përmbledhje me vjersha të shkruara gjatë mërgimit në Jugosllavi, ku në mënyrë filozofike e plot art derdh mallin përvëlues për Shkodrën dhe emocionet e stinëve të ndryshme.
  • 1935 Tregtar flamujsh, novela, Tiranë. Përmbledhje me tregime (16 tregime). Sipas Hamitit (2013:402), në këtë libër paraqitet jeta shkodrane me realitetin e vet të ashpër, duke zbuluar botën e fshehur të ambicieve të njerëzve, shpirtin e çelur, por edhe të mykur që përkundet në errësime të së kaluarës.

Nji ndiesi e errët, si nji neveri e paspjegueshme mbante Hilush Vilzën nga dugâja e Gaspër Tragaçit. Kështu fillon tregimi Tregtar flamujsh, duke i vënë ballëpërballë dy personazhet që i afron jeta e qytetit, kurse i largojnë idetë. I gjithë tregimi është një shtjellim i tonit që jep fraza e parë. Hilush Vilza është vetë autori, një vjershëtar, kurse Gaspëri është tregtar dhe i njohur i familjes. Mospëlqimi i tyre ndodhet jo në jetët e dy brezave, po në botëkuptimin. I pari fantazon të bukurën, i dyti ngjitet për realen, e pra që të dy domosdo jeta i shpie kah bisedat për Shqipërinë. Tregtari ngre teorinë se i lirë është ai që nuk ka nevojë për tjetrin, kurse poeti mendon se ushqimi shpirtëror është për të gjithë. Tregtari mendon se poezia nuk ka kuptim nëse nuk është e dobishme, për aq sa të shitet malli i tij.

  • 1935 Pesë maji Së bashku me Alessandro Manzoni. Shkodër: Shtypshkronja e Zojës s’Paperlyeme. 13 f.
  • 1936 Poetët e mëdhej t’Italis. Vëllimi i dytë, f. 241. Me parathënie nga Prof. Carlo Tagliavini, ordinarius i Glottologjis në Universitetin e Padovës, “me një paraqitje tepër të lavdëruarshme për Koliqin” (sipas Merxhani, revista “Përpjekja Shqiptare”, 1936, f. 276). Autorë Parini, Monti, Foscolo, Manzoni etj. Përkthyer nga Ernest Koliqi. Tiranë: Shtypshkronja “Nikaj”.
  • Pasqyrat e narçizit. Sipas Hamitit (cituar), janë shtatë poemtha në prozë, ose shtatë pasqyra: Ujët e pusit, Pasqyrë e vjetër shkodrane, Kroni i Bardhanjorvet, Prrue në Dukagjin, Një çuterr në Helveti, Vala e detit dhe Xhami i dritores sime. Në Bibliotekën Kombëtare gjendet një botim me redaktor e përgjegjës për botimin Hasan Lekaj, sipas atij të vitit 1963, nga Shejzat, Romë.

“Narçizi i mythologis, bir i lumit Çefiz, djalë me një pashi të pashoqe, u dashunue në fytyrën e vet qi ia qitte pasqyra e ujit. Kjo ndiesi e trentë e çoi në vetvrasje. Nga gjaku i tij bini lulja që sot thirret Narçiz. Ndër këto poemtha përdoret myti i Narçizit në kuptimin symbolik si kërkesë e fytyrës së shpirtit nëpër valët e jetës. Asht një lloj biografije poetike. Vëhet në spikamë orvatja qi vjershatari ban, nëpër rrethana të ndryshme të jetës, të shpirtit …” (Pjesë nga parathënia, cituar: Donika Dabishevci-Jetullahu. Universiteti i Tiranës, 2013:99 “Veçoritë e prozës poetike shqipe”).

  • Shkollë e jetë. Tekst i gjuhës shqipe, për klasat II, III dhe IV. Autorë E. Koliqi, K. Kanci & N. Paluca, botuar nga shtëpia botuese “Luarasi”.
  • 1940 Kushtrimi i Skanderbeut. Poemth dramatik. Tiranë: Shtypshkronja “Shkolla e Punës”, 7 f.
  • 1941 Pj. 1: Nga Buzuku tek arbëreshët e Greqisë: 1462-1878. Autor Namik Resuli, u kujdes Ernest Koliqi. Shtëpia Botuese Pakti: 2007. Rishtypje autentike sipas botimit të vitit 1941.
  • 1959 Kangjelat e Rilindjes.Romë: Shejzat.
  • 1960 Shija e bukës së mbrume. Roman.
  • 1963 Antologia della Lirica Albanese. Milano.
  • 1970 Symfonija e ShqipevetRomë: Instituto di Studi Albanesi.

Foto kryesore: Ernest Koliqi

Foto e dytë: Ernest Koliqi, foto që shoqëron artikullin me titull “Një vizatues me lapse ari”, botuar në Minerva, 15 shtator 1933, f. 10-1.

Foto e tretë: Faksimile e paraqitjes së veprës së Koliqit “Poetët e mëdhej t’Italis” në revistën “Përpjekja shqiptare”. Burimi: “Përpjekja shqiptare”, drejtor-pronar, Branko Merxhani. Tiranë, mars 1937.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.