who’s who – Dhimitër BERATI

who’s who – Dhimitër BERATI (1888-6 shtator 1970)

Përgatiti: Valbona Nathanaili 

U lind në Korçë. Shkollën e lartë e mbaron në Bukuresht, Rumani, për shkenca politike e administrative, pranë Universitetit të Bukureshtit. Deri në vitin 1912 jeton në Rumani dhe është pjesë e kolonisë shqiptare të Bukureshtit që kishte kryetar Pandeli Evangjelin. Një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë, si përfaqësues i kolonisë së Bukureshtit, nën siglën “D. Beratti”. Shkrues i kryetarit të qeverisë së përhershme, së bashku me Kemal Berati, në qeverinë e parë të Ismail Qemalit.

Nga 24 gushti 1913 deri më 1914 botues i gazetës së Vlorës Përlindj’ e Shqipëniës, periodik një herë në dy javë dhe që shumë shpejt bëhet zëri i qeverisë, ose një lloj fletoreje zyrtare e saj. Sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Paris.

Në Francë boton librin me titull “Shqipëria dhe shqiptarët” (anglisht) (Paris, 1920) me 69 faqe dhe, pak më vonë, në të njëjtin vit, një të dytë të ngjashëm në frëngjisht me titull “Çështja shqiptare”, me synim ndërgjegjësimin dhe njohjen, sa më mirë, të çështjes shqiptare.

Më 1923, Dhimitër Berati është sërish pjesë e Ministrisë së Jashtme, në postin e drejtorit politik, si dhe anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Kufijtë. Më 1924 emërohet kryekonsull në Bullgari dhe, në fund të dhjetorit të po këtij viti, zëvendëson Xhemil Dinon, si i ngarkuar me punë në Paris, duke qenë i akredituar edhe në Londër. Pushohet nga puna dhe vendoset përsëri në Rumani. Kthehet në Shqipëri, më 1927.

Po në këtë vit, Ministria e Arsimit e ngarkon me detyrën e hartimit të fjalorit të gjuhës shqipe. Sipas shkresës së MAS, “Hartimi i fjalorit duhet mbështetur mbi atë të Kostandin Kristoforidhit, duke shtuar fjalët që, në këtë fjalor, mungojnë. Shpjegimi i fjalëve do të jetë në gjuhën shqipe, por edhe në frëngjishte, për me shtue domethënien e tyre. Puna juaj mund me u paraqit pjesë-pjesë edhe këtu në Ministri”. Sipas së njëjtës shkresë, “z. Berati i vihet në dispozicion fjalori i G. Mayer, për ta pasur si model”.

Më mars të vitit 1929, caktohet përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Për një periudhë kohore mbajti edhe postin e ministrit fuqiplotë në Romë. Më 1934 është Ministër i Ekonomisë dhe Zëvendësisht Ministër i Arsimit (në qeverinë e tretë të kryesuar nga Pandeli Evangjeli, mbas datës 30 gusht 1935).

Gjatë pushtimit, nga dhjetori i vitit 1941 deri më janar 1943, shërben si Ministër dhe Sekretar Shteti i Kulturës Popullore. Po në këtë periudhë, më 1942, i luten të marrë kryesinë e Shoqatës “SASTEB”, me seli në Firence, Itali. Më 12 prill 1940 përurohet Instituti Shqiptar i Studimeve dhe me dekret të Mëkëmbësit Mbretëror, Dhimitër Berati është anëtar efektiv i tij. Më 28 mars 1944, Ministri i Punëve të Jashtme, Bahri Omari, me shkresën nr. 1293, e njofton për emërimin si anëtar i Këshillit të Administratës pranë kësaj ministrie. Këshilli Administrativ kishte për detyrë të procedonte, “menjëherë, me inkuadrimin e personelit të kësaj Ministrie që ka qenë në shërbim para datës 7 prill 1939”.

Mbas luftës jeton në Itali. Ndërron jetë, në një aksident me makinë, më 1970.

Foto kryesore: Vendime të mbledhjes së radhës së Këshillit të Ministrave të Qeverisë së Vlorës. Një nga vendimet (Nr. 4) është emërimi i z. Dhimitër Berati si shkrues i Kryetarit të Qeverisë së Përhershme të Vlorës. Burimi: AQSh. Fondi: Kryesia e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës (kopje të nxjerra nga Lef Nosi, shqip).

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.