who’s who – Albania – Bahri Beci

who’s who – Albania – Bahri Beci

Akademik Bahri Beci

Bahri Beci u lind më 6 mars 1936 në Shkodër. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, në fushën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe (1954-1958), ndërsa ato pasuniversitare në Institutin e Fonetikës dhe të Gjuhësisë së Zbatuar në Universitetin e Sorbonës, Paris (1975-1977), për Fonetikë e Fonologji. Nga viti 1958 deri në vitin 1997 ka punuar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Gjatë viteve1966-1969 është dërguar në Shkodër me qarkullim. Më 1997 është pedagog i Gjuhës Shqipe në Institutin Kombëtar të Gjuhëve dhe Kulturave Orientale të Parisit (INALCO).

Veprimtaria e tij shkencore është shtjelluar në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të historisë gjuhës dhe të gramatikës.

Objekt kërkimi në fushën e dialektologjisë ka qenë struktura dialektore e gjuhës shqipe, historia e formimit të dy dialekteve të shqipes në kontekstin ballkanik. Në fushën e fonetikës ka sjellë të dhëna me interes për strukturën fonetike të gegërishtes veriore dhe të gjuhës letrare shqipe duke u mbështetur në të dhënave e fonetikës eksperimentale. Ka trajtuar probleme të historisë së formimit të shqipes standarde.

Pedagog në kurse të nivelit universitar e pasuniversitar në universitetet e Tiranës, Shkodrës, Prishtinës, Napolit, Kozencës, Shkupit, St. Petersburgut, Parisit etj., për dialektologji, fonetikë, fonologji, gjuhësi e përgjithshme. Ka drejtuar diploma e doktorata për gjuhën shqipe të studiuesve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Drejtues, autor dhe bashkautor i programeve mësimore dhe i serive të plota të teksteve shkollore për mësimin e gjuhës amtare për sistemin shkollor të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Malit Zi, si edhe ekspert ndërkombëtar pranë UNICEF për këto probleme.

Më 1977 ka marrë gradën shkencore “Doktor i universitetit të Parisit” me disertacionin “Le système vocalique et consonantique du parler de la ville de Shkodra (Albanie du Nord)” (“Sistemi i zanoreve dhe i bashkëtingëlloreve të së folmes së qytetit të Shkodrës”). Më 1979 ka marrë gradën shkencore “Kandidat i shkencave” me disertacionin “Të folmet e gegërishtes qendrore” dhe titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” në Shqipëri. Më 1984 ka marrë gradën tjetër shkencore “Doktor i shkencave” për disertacionin “Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës” dhe më 1994 titullin “Drejtues kërkimesh” ose “Profesor”. Më 2008 i është dhënë titulli “Akademik”.

Është bashkautor i “Atlasit dialektologjik të gjuhës shqipe” dhe i “Atlasit gjuhësor evropian”, autor i rreth 150 artikujve studimorë për dialektologjinë, fonetikën, historinë e shqipes standarde dhe historinë e gjuhës shqipe e marrëdhëniet e saj me gjuhët ballkanike në revista e përmbledhje studimesh brenda e jashtë vendit, si në Austri, Gjermani, SHBA, Greqi, Francë, Itali, Maqedoni, Poloni, Rusi e Kosovë.

Autor i fonetikës së shqipes standarde, i gramatikës së gjuhës shqipe për të gjithë dhe i gramatikës për mësuesit e gjuhës amtare; bashkautor i një metode për mësimin e shqipes nga të huajt, botuar në gjuhët anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht etj.

Ka dhënë ndihmesën e vet për organizimin e punës shkencore: sekretar shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (1974-1975), dhe anëtar i Këshillit shkencor të po këtij Instituti; anëtar, sekretar shkencor (1984-1993) dhe kryeredaktor (1993-1997) i redaksisë së revistës “Studime filologjike” (1984-1993); sekretar shkencor i revistës “Studia albanica” (1993- 1997); shef i Sektorit të Gramatikës dhe Historisë së Gjuhës Shqipe (1991-1993) dhe drejtor i këtij Instituti ( 1993-1997); anëtar i Këshillit drejtues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1993-1997), nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve të Evropës Juglindore (AIESSE, 1993-1997) dhe koordinator i Shqipërisë në projektin evropian për inxhinerinë e gjuhës (TELRI, 1993-1997), anëtar i Këshillit të Politikës Shkencore dhe të Zhvillimit Teknologjik pranë Këshillit të Ministrave (1995-1997).

Sot anëtar i Asamblesë së Përgjithshme të Qendrës së Studimeve Ballkanike të Parisit dhe anëtar i redaksisë së revistës shkencore “Hylli i Dritës”.

Akorduar urdhëri  “Naim Frashëri” (1973), urdhërin “Naim Frashëri” (1986) dhe “Për Merita të veçanta civile” (2015). Biografia e tij shkencore është përfshirë në “Who’s Who in the World”, USA dhe në Fjalorin enciklopedik shqiptar (2008).

VEPRA SHKENCORE TË BOTUARA

  • 2016 “Struktura dialektore e shqipes”, Tiranë.
  • 2010 “Historia e standardizimit të shqipes”, Tiranë.
  • 2007 “Gegërishtja qendrore dhe grupimi të folmeve të saj”, Tiranë.
  • 2004“Gramatika e gjuhës shqipe për të gjithë”,Shkup.
  • 2004 “Gramatika e gjuhës shqipe për të gjithë”, Tiranë.
  • 2004 “Fonetika e gjuhës shqipe”, Tiranë.
  • 2004 “Fonetika e gjuhës shqipe”, Prishtinë.
  • 2002 “Probleme të lidhjeve të shqipes me gjuhët e tjera ballkanike”, Pejë.
  • 2002 “Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre”, Tiranë.
  • 2001“Gramatika e gjuhës shqipe për të gjithë”,Prishtinë.
  • 2000 “Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri”, Pejë.
  • 2000 “Gramatika e gjuhës shqipe për të gjithë”,Shkodër.
  • 1998 (ribotuar, 2002) Gramatika e gjuhës shqipe, për mësuesit e gjuhës shqipe”, Prishtinë.
  • 1997 (ribotuar, 2004) “Gramatika e gjuhës shqipe, për mësuesit e gjuhës shqipe”, Tiranë.
  • 1995 “Të folmet veriperëndimore të gjuhës shqipe dhe sistemi fonetik i së folmes së Shkodrës”, Tiranë.

Vepra shkencore me bashkautorë

  • 2007 “Atlasi dialektologjik gjuhës shqipe”, I-II. Napoli.
  • 1975- 2007  “Atlasi Gjuhësor Evropian”, (ALE), Vëllimi I.

Libra me karakter shoqëror

  • 2015 “Homo ideologjikus” në shkencën shqiptare. Tiranë.
  • 2013  “Një libër që nuk do të doja ta shkruaja”, Tiranë.
0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.