UNESCO & Trashëgimia e shkruar botërore

UNESCO & Trashëgimia e shkruar botërore

Një nga synimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) është mbrojtja e trashëgimisë botërore. Historia fillon afro 70 vjet më parë, kur u vlerësua si shumë e nevojshme ndërtimi i një dige të madhe në Aswan, për të mbrojtur të gjithë luginën e Nilit – strehë e një numri shumë të madh thesaresh të hershme nubiane, si për shembull tempulli i Abu Simbel – nga përmbytjet e shumta që karakterizojnë zonën. Të vetëdijshëm se këto tempuj dhe objekte mund të jenë nën kërcënimin e vazhdueshëm të dëmtimit apo të shkatërrimit, doli me urgjencë prioriteti për të transhenduar interesat dhe krenarinë kombëtare. Brenda një kohe rekord u gjetën fondet e duhura dhe ekspertiza e nevojshme për t’i çmontuar, zhvendosur e lokalizuar në vende të reja dhe të sigurta. Thirrja e UNESCO-s për të shpëtuar këtë trashëgimi vërtet të çmuar të një prej civilizimeve më të vjetra dhe më të pasura bëri që njerëzit në të gjithë planetin të vlerësojnë dimensionin universal të trashëgimisë kulturore.

Të njëjtën filozofi të ruajtjes dhe promovimit, organizata përdor edhe për pasurinë e shkruar botërore. Ajo krijon një listë, e cila pasurohet nga viti në vit, me vepra e autorë të caktuar. Kriteri kryesor për përfshirjen e një libri ose të një autori në trashëgiminë botërore është vlera që mbart, vlerë e cila duhet të rezultojë e tillë për të gjithë globin. Për shembull, materiali i shkruar të jetë dëshmi e një kulture të lashtë, të tejçojë një mesazh të rëndësishëm, ose të ketë frymëzuar breza të tërë njerëzish.

Nga pasuria jonë e shkruar, për të fat të keq jo në gjuhën shqipe, pjesë e këtij fondi, që nga viti 2005 janë dy kodikët e Beratit, “Beratinus 1” dhe “Beratinus 2”.

“Beratinus 1” daton në shekullin VI. Në “Beratinus 1”, germat janë në ngjyrë të argjendtë; titujt e kapitujve në ngjyrë floriri, ndërsa sfondi i kodikut është e kuqja e purpurt (shpesh njihet edhe si “Kodiku i purpurt i Beratit”). “Beratinus 2” daton në shekullin IX, shkruar gjatë vitit 1013 dhe shpesh njihet edhe me emrin “Kodiku i artë i Anthimit” – e ka marrë këtë emër për nder të Bishopit të Metropolitit të Beratit, Kaninës dhe Vlorës, Anthimis Alexoudes.

Sipas UNESCOs, kriteri i përfshirjes për këto dy botime është:

“Me rëndësi të veçantë për historinë e krishterimit, një nga dëshmitë e para të kalimit nga fjala e shenjtë në shkrimin e shenjtë”.

Të dy kodikët konsiderohen si një pikë e rëndësishme referimi për literaturën biblike dhe liturgjike. Janë shkruar në pergamenë. Çdo faqe ka 16 rreshta dhe mund të numërohen 8-12 shkronja për rresht. Përmbajtja është në greqisht. Faqet kanë format 314×268 mm. Kodikët tanë janë dy ndër shtatë kodikët e purpurt që gjenden sot në botë: përkatësisht, dy gjenden në Itali dhe nga një në Francë, Angli dhe Greqi. Flitet se kur Hitleri dëgjoi për kodikët, dërgoi njerëz për t’i marrë, por dështoi. Për një kohë shumë të gjatë kanë mbijetuar të mbyllur në një pus, brenda një arke metalike. Më vitin 1968, kodikët janë bërë pronë e shtetit shqiptar dhe aktualisht sot ruhen në Arkivin e Shtetit. Më vitin 1971 janë restauruar për herë të parë në Kinë. Më vitin 1974 janë ekspozuar për herë të parë jashtë Shqipërisë, në Francë, në Petit Palas, dhe për herë të fundit kanë udhëtuar jashtë shtetit për në Vatikan, me rastin e dy mijë vjetorit të krishterimit.

Duhet të gëzohemi se një pjesë të mirë të autorëve dhe librave që janë pjesë e kujtesës botërore të UNESCOs mund t’i lexojmë në shqip. Astrid Lindgren, një nga autorët më të përkthyer në botë është në shqip me librin e famshëm “Pipi çorapegjata” – libri ka shitur më shumë se 145 milionë kopje në të gjithë botën. Po ashtu, edhe vepra e Hans Christian Andersen – kujtoni përrallat “Sirena e vogël”, “Rosaku i shëmtuar” ose përralla e mjellmës që u rrit në një familje rosakësh, “Princesha dhe bizelja” etj.

Një tjetër libër i trashëgimisë botërore që e kemi në shqip është edhe “Don Kishoti i Mançës”, ose “Sojliu mendjemprehtë Don Kishoti i Mançës”, me autor Migel de Servantes Saavedra. Në shqip libri ka ardhur nga dy pena të mrekullueshme të shqipërimit: vëllimi i parë nga mjeshtri Fan Noli dhe vëllimi i dytë nga i madhi Petro Zheji. Vëllimi i dytë është botuar për herë të parë në shqip më vitin 1977, me një parathënie të Andrea Varfit. Tirazhi ka qenë 20 000 kopje dhe kushtonte 9 lekë, botim i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”.

Pjesë e pasurisë botërore është edhe Bibla e shtypur nga Gutenberg, rreth viteve 1450. Ky botim i Biblës njihet, ndryshe, edhe si “Bibla 42”, që korrespondon me numrin e rreshtave në një faqe. Është ndër librat e parë të shtypur nga Gutenberg, shpikësi evropian i shtypshkronjës. Mendohet se Gutenbergu duhet të ketë shtypur afro 180 kopje të Biblës me makinën e shtypit të shpikur prej tij, por sot në të gjithë botën gjenden vetëm 48 kopje dhe, për fat të keq, pjesa më e madhe ose janë të dëmtuara, ose nuk janë të plota. Kopja e fundit e Biblës së Gutenbergut është shitur në një ankand më vitin 1978. Një kopje e plotë e këtij botimi të Biblës është pronë e Bibliotekës së Kongresit të ShBA.

Përgatiti: Valbona Nathanaili

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.