UDHËTIM ME NJË VARKË PREJ LETRE

UDHËTIM ME NJË VARKË PREJ LETRE

Refleksione për përmbledhjen me poezi të Zimo Krutaj “Hojëza fryme”

Botues: Ombra GVG

Nga Riza Braholli

Tiranë, gusht 2012

Të kodifikuara me shtresime të shumta shprehëse e kuptimore: figurative, melodike e ideore, poezitë e librit “Hojëza fryme” të poetit Zimo Krutaj, një pas një, vijnë me mjaft finesë si zbulesë e sinqertë, duke u materializuar në tinguj, ngjyra, gjendje, figura, ide e kuptimësi. Një nga poezitë më të arrira të këtij vëllimi, megjithëse në dukje pa pretendime të mëdha, është vjersha “Varka prej letre”

Varka prej letre

E shtrirë në brinjë

Lundron drejt meje

Një e qarë fëmije

Dielli i bardhë

Si kandil deti

Fshihet nën mol

Kalamendet

Bova e ndryshkur

Mbi anijen e mbytur.

Kjo poezi nuk merr përsipër të përçojë një mesazh të dallueshëm, pos asaj që vjen nga përgjimi i vetvetes e i heshtjes; si një shpërfaqje lirike, e kushtëzuar nga detaje, imazhe e objekte mjaft të kursyera. Ato kthehen në piketa të mirëfillta zbulimi estetik e poetik, duke ndërtuar një çast përjetimi e konkludimi liriko-dramatik, që shkon përtej caqeve të një subjektiviteti poetik individual, drejt një zbulimi më të gjerë, ontologjik universal.

Poezia ngrihet mbi detajin e varkës prej letre. E kush nuk e ka ndërtuar një varkë prej letre në fëmijërinë e tij… Anijet apo varkat janë ngulitur në memorien e qenies njerëzore si objekte e mjete të lidhura ngushtë me përpjekjet që kanë kërkuar të pafundmen, të panjohurën, për të lundruar në udhët e viset e ëndrrave të krejt njerëzimit. Ato janë të lidhura me largësitë, me hapësirën, kohën, aventurën dhe etjen e përjetshme të njeriut për njohjen e zbulimin e të vërtetave apo të pavërtetave që fsheh bota, në të gjitha kuptimet e saj, fizike e metafizike. Nuk duhet të harrojmë se zhvillimi i tërë qytetërimeve është mbartur pikërisht nga anijet e këtyre udhëtimeve fizike e metafizike.

Në këtë poezi, pikërisht varka prej letre, një objekt fizik, sendërton një udhëtim metafizik, atë të rrugëtimit e hulumtimit, në dukje alogjik, të qenies drejt qenies e prej qenies. Vëreni, varka prej letre, një ëndërr e përmbysur, – e shtrirë në brinjë, – lundron drejt një caku të pafund udhëtimi, të vetë këtij njeriut të ëndrrës. Le të përpiqemi të udhëtojmë edhe ne me këtë varkë prej letre, të shtrirë në brinjë.

Që në fillim të poezisë, me anën e këtij kuadri kinematik, në dukje realist e përshkrues, por në thelb mjaft simbolik, paralajmërohemi se kjo ëndërr është plagosur apo vrarë; ajo është e shtrirë në brinjë. Njeriu, gjëja e gjallë, por edhe sendi shtrihet në brinjë kur vritet, rrëzohet, thyhet, pëson disfatë. Këtë lojë, kaq të zakonshme, të çdo të vogli, me varka e anije prej letre, poeti e shndërron në një analogji metaforike të dhimbjes, thyerjes, rënies, sa të fëmijës, aq edhe poetit. Por, duhet theksuar, jo një entuziazëm intim, që prodhon ngashërim; loja poetike sofistikohet, vetjakja shndërrohet në mendim poetik, duke e parë në marrëdhënie të ngushtë me koncepte që shkojnë përtej intimes së një individi, siç dhe e thamë më lart, drejt universalitetit.

Strukturalisht, ky varg vjen fill pas titullit të poezisë dhe, në çastin e parë, të krijon përshtypjen se është një vazhdim i tij dhe ka një përshkrim deskriptiv. Fare mirë ai mund të qëndrojë si një distik, Varka prej letre/ e shtrirë në brinjë, që edhe pse nuk na thotë shumë, ka një përkim logjik si tërësi, pra duket se vjen si vazhdim i titullit. Përveçse në titull, fjala varkë nuk përmendet më në tekstin poetik. Por vargjet, që vijnë më pas, e tërheqin drejt vetes, duke e shndërruar në një hallkë zinxhiri strukturore e kuptimësie tërësore, po dhe duke plotësuar një strofë unike si imazh, si mendim figurativ me kuptimësi polivalente. Titulli-varg: Varka prej letre, i metonimizuar me vargun një e qarë fëmije, mbetet, jo vetëm si kontekst i strofës, por dhe i krejt poezisë; shndërrohet në një koncept figurativ të së tërës; objekti rreth së cilës ndërtohet gjithçka dhe bëhet mjeti dhe udhëtimi i tij vizional. Është kjo e qarë fëmije, që lundron e shtrirë në brinjë, që shkon drejt poetit, tashmë në moshë të pjekur, i cili kundron tek vjen drejt tij fëmijëria, kjo, varka prej letre – një e qarë fëmije. Pra, distiku, që thamë më lart, nuk mbetet më deskriptiv, por kthehet e bëhet pjesë e shprehjes artistike, si një unicitet harmonik. Kjo, gjithashtu, nuk mund të shkëputet nga kjo lëvizje e brendshme alogjike: nuk është fëmija që e nis varkën për lundrim; është vetë objekti, varka prej letre, e metonimizuar me vargun një e qarë fëmije, që lundron drejt, po themi, heroit lirik, që dhe vetë ai është një cak pa fund.

Kjo nuk është në dorën e tij. Poeti, tashmë, sheh të lundrojë drejt tij, të shtrirë në brinjë, një të qarë fëmije dhe kjo është pjesë e një fataliteti të pakundërshtueshëm, një fati që s’i ikën dot. E qara – varka, i vjen poetit në këtë moshë të pjekur, me tërë kuptimësitë e ngjyresat, që ngërthen fjala në hapësirë e gjithëkohë, dhe jo vetëm si nostalgji. Fëmijëria, kjo përmbajtje artistike, e mbartur metonimikisht nga ky varg, vjen si një përgjim i vetes, detit dhe objekteve të lidhura ngushtë me të kaluarën dhe të sotmen dhe marrëdhëniet që rrjedhin prej tyre. Sintagmat analogjike: varka prej letre – një e qarë fëmije, shkojnë drejt njëra-tjetrës, si një simbiozë e përjetshme e njeriut me rrënjën e tij, fëmijërinë; dhe, më tepër se gjithçka, ne shohim aty dramën e tij ekzistenciale, që është sa universale, aq edhe vetjake. Zaten, i tërë ky udhëtim, siç do ta shikojmë dhe më poshtë, është i tëri një udhëtim ontologjik, ku heroi lirik është edhe varka prej letre, edhe udhëtari, edhe stacioni pritës, i dënuar prej fatit me pasivitet.

Strofa e parë mbaron me një të qarë fëmije. Por le t’i mbetemi besnikë konceptit të këtij udhëtimi abstrakt e metafizik, që ne kemi përftuar nga vetë ky tekst poetik. Në strofën e dytë, udhëtimi, me një teknikë kinematike, të një vështrimi tridimensional, dhe që vihet re te poezia popullore, te hajku, por dhe te mjaft poetë të përmendur, si Lorka, Kuazimodo apo me shumë sukses edhe te Frederik Rreshpja ynë (vini re si ndërron fokusi: nga e qara e fëmijës, te Dielli i bardhë që si kandil deti/ fshihet nën mol dhe në strofën e tretë Kalamendet/ Bova e ndryshkur/ Mbi anijen e mbytur) vazhdon si një udhëtim i dhimbjes dhe trishtimit. Mjetet shprehëse bëhen paksa të sofistikuara, si në lojën e pasqyrave; në vend të shohim objektin, e ndërtojmë atë me anën e këtyre pasqyrimeve. Ne nuk e shohim varkën; shohim vetëm reflekset e dhimbjes te poeti, por tashmë të sendërtuara me një kuadër tjetër, që është, Dielli i bardhë. Nuk do jemi të gabuar nëse këtë varg-sintagmë do ta çkodifikojmë si udhëtimin e ëndrrës dhe dhimbjes së varkës prej letre – një e qarë fëmije. Konteksti e logjika artistike poetike, na çon në të njëjtën vijimësi perceptimi e përfundimi. Nuk duhet të harrojmë se simbolika e diellit dhe e mbiemrit i bardhë, edhe pse i qëndrojnë arketipit të tyre kuptimor, shërbejnë për të thurur kontrastin, që ndërtohet me dy vargjet e tjerë:

Dielli i bardhë

Si kandil deti

Fshihet nën mol.

Por, tashmë, kjo është një kohë e dytë, e tashme, e parë në një këndvështrim të ri. Dielli shndërrohet në kandil deti, një specie, që dallohet veçanërisht për djegiet që shkakton, por edhe për të bardhën e zbehtë, që sa mezi duket në ujë e që fshihet nën mol. Vini re edhe njëherë pasivitetin. Folja fshihet është vetëm konstatim i refleksit të asaj që ai përjeton dhe ne nuk mund të mos aludojmë, pikërisht se me të sendërtohet pikërisht dhimbja – kjo varkë prej letre, kjo e qarë, ky diell si kandil deti që fshihet. Ujërat dhe drita përthyhen me një rezonim të brishtë të ngjyrave e tingujve duke plotësuar e sendërtuar, jo vetëm një kujtim, një nostalgji të së shkuarës; ajo që është më e rëndësishmja dhe që i jep vlera bashkëkohësie, është se i tërë ky rezonim lirik tingujsh e ngjyrash bëhet reagent i fuqishëm, për të zbuluar realen e tij ontologjike, që është i tëri ky udhëtim vetëndijimi e përjetimi ekzistencial.

Le të shohim edhe strofën e tretë:

Kalamendet

Bova e ndryshkur

Mbi anijen e mbytur.

Sipas asaj që pohuam më sipër, duke e quajtur si teknikë kinematike, mendojmë se strofa e tretë e plotëson më së miri këtë vështrim tredimensional të qenies. Kjo strofë vjen si përfundim logjik i tërë atij alogjizmi përjetues dhe perceptues poetik, edhe i të dy strofave të tjera, duke mbërritur në një unicitet harmonik kuptimor dhe artistik. E tërë strofa është një fjali. Por secili varg është një fjali e plotësuar me heshtje, me ato që quhen njësi mungesore. Kalamendet, kjo është folja, por që mund të merret edhe si një fjali më vete. Paksa aliterative e gërshetuar me tingulloren l dhe grupin bashkëtingëllor nd merr ngarkesë dhe fuqi shprehëse e tingullore në sintoni dhe rezonim, paksa dhe ironik, me tërë kuptimësinë e kësaj poezie si një e tërë. Bova e ndryshkur është një element tjetër që i jep thellësi jo vetëm përmbajtjes, por edhe formës. Ajo kthehet në një kuadër, një imazh më vete, i cili ndjell dhe të jep etje për përsiatje; një përsiatje paksa e komanduar dhe në harmoni me mesazhin e mendimin poetik, i cili vjen nëpërmjet këtyre ndjesive dhe përjetimit të këtyre tingujve e ngjyrave. Ndërsa vargu i fundit, mbi anijen e mbytur, më në fund shfaq një përfundim të trishtuar, të gjithë këtij udhëtimi, që është rrjedhim dhe gjenezë njëherësh i tërë atij konkludimi e përgjithësimi poetik. Nëse i shikojmë me vëmendje ato pak fjalë të kursyera, priren të ndërtojnë në sintoni e tonalitet, pikërisht një bjerrje, nga e cila ngrihet (nuk gjej dot fjalë tjetër më të mirë se një metaforë) “ulërima e heshtjes.” Ky është pikëvështrimi, por dhe realja e kësaj qenieje poetike, sipas së cilës është ndërtuar dhe e gjithë poezia.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.