Tregu i Pejës dhe djegia e tij nga fashistët italianë, datë 21.3.1943  

Tregu i Pejës dhe djegia e tij nga fashistët italianë, datë 21.3.1943  

Sipas, zëvendës inspektorit të arsimit për Pejën, Rexhep Shpendi, i cili përshkruan djegien e qytetit të Pejës.

Përgatiti: Valbona Nathanaili

Tregu i Pejës u dogj nga ushtria italiane në mbrëmjen e së dielës, më 21 mars 1943. Djegia u provokua nga ish-inspektori federal, z. Severino Riccottini, në këtë mënyrë. Ish inxhinieri i shoqërisë SIMONCINI, i quajtur Laterzza ishte martuar me një vajzë bullgare, të quajtur Donka, eksponente e Partisë Komuniste në Pejë. Mbas kësaj martese, thuhet se edhe inxhinieri u bë antifashist dhe simpatizonte gjithmonë ideologjinë komuniste. Inspektori federal Riccottini, për me ngarkuar shqiptarët e Pejës me faje të rënda shtetërore, shtini besnikët e vetë malazezë në mbrëmjen e datës 21 mars 1943 dhe atentatorët vranë inxhinierin në fjalë tue mos u diktue prej askujt. Po në këtë natë të kobshme, në hotelin “Savoja” të Pejës ndodheshin gjenerali i divizionit “Puglia”, z. Frederico D’Arlen, ish-komandanti i sektorit “Kosova”; gjenerali i divizionit të Shkodrës F. Negri, dhe gjenerali i Pejës, z. Baduino Carlo. Thuhet se këta të gjithë e paskan ditë se do të bëhej djegia e Pejës më datë 21 mars 1943, mbasi çështja ishte me plan më përpara.

Sapo vritet inxhinieri, me një herë lajmërohen gjeneralët, të cilët urdhërojnë ushtrinë të dalë nga kazermat e të shpërndahen në qytet. Pa humbur kohë, thyejnë dyert e dyqaneve, plaçkitin krejt pasurinë e tundshme të tregtarëve dhe hedhin bomba djegëse nëpër godinat e dyqaneve. Në këtë kohë zjarri përhapet me shpejtësi në gjithë qytetin, ndërsa gjeneralët vështronin me kënaqësi nga katet e sipërm të hotel “Savoja”, pikërisht si Neroni që kënaqej duke parë djegien e Romës, ashtu kënaqeshin edhe ata me djegien e Pejës.

Në dritën e këtij zjarri shiheshin oficerë të lartë (si për tregim, kapiteni i karabinierisë, z. Giusseppe Misuraca), të ngarkuar me topa stofrash gjithfarë llojesh me vlerë, të cilat i dërgonin në shtëpitë e malazezëve, ku kishin të dashurat e tyre. Mos të harrojmë se kjo pasuri ishte fituar me djersën e ballit të tregtarëve të varfër shqiptarë.

Godinat e djegura të dyqaneve dhe të shtëpive private kapin shifrën 161. Veç vrasjeve dhe djegieve të shkaktuara nga djegia, vetëm pasuria e plaçkitur nga ushtarët italianë është çmuar, nga Komisioni i Posaçëm i deleguar nga qeveria, në 4 416 540 franga shqiptare.

Të nesërmen, datë 22 mars 1943, gjeneralët shohin gabimin që kanë bërë dhe për të justifikuar këtë katastrofë shkatërrimtare përpara botës së qytetëruar, duan t’i ngarkojnë shqiptarët edhe me më shumë veprime atentative. Kështu, më datë 25 mars 1943, ditën e enjte, në orën 7.50 të mëngjesit, gjeneralët e lartpërmendur organizojnë, me njerëzit e tyre besnikë, vrasjen e Severino Riccottini, ish-inspketor federal në Pejë. Ky atentat i papritur u ngarkohet shqiptarëve, ndërsa familjet shqiptare, të mbetura në rrugë të madhe, pa plang e pa shtëpi, dëneseshin e qajshin për kobin që i kishte gjetë më datë 21 mars 1943. Kinse me kërkesën se duan të gjejnë atentarët e vrasjes, përdoren tortura ndër shqiptarë.

Foto kryesore: Pamje e sotme e qendrës së Pejës

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.