Thyerëset e heshtjes

Thyerëset e heshtjes

11 dhjetor 2017

Revista “Time” ka shpallur “Personin e vitit, 2017”, por në dallim nga vitet e tjera, nuk është një, por një grup grash e vajzash të reja, të cilat ngritën zërin kundër dhe denoncuan ngacmimet e dhunën seksuale që janë të pranishme në Hollivud.

Historia fillon më vitin e largët 1997, ditën kur Ashley Judd, e ftuar në dhomën e një prej hoteleve në Beverly Hills (Peninsula Hotel), nga Harvey Weinstein, një nga drejtuesit kryesor të studios Miramax i pohon të atit se çfarë i kishte ndodhur: Weinstein ishte përpjekur ta çonte në krevat, por kishte arritur të shkëputej e të dilte me vrap nga dhoma. Historinë ia tregon jo vetëm të atit. Ajo flet përpara të gjithëve.

Kohë më vonë, Rose McGowan është një aktore tjetër që i bashkohet akuzës kundër Weinstein, por këtë radhë ajo akuzon për përdhunim.

Zërat fillojnë të shtohen. Nuk janë më klithma të vetmuara. Taylor Swift hedh në gjyq David Mueller, DJ në një radio në Denver se e ka ngacmuar seksualisht.

Të gjitha folën me zë të lartë. Drejtuan gishtin në emra konkretë. Në një grup social që duket se përkrah vetëm talentin dhe profesionistin.

Artisteve u janë bashkuar edhe punonjëse e pastruese hoteli në ShBA që kanë përjetuar skena të shëmtuara gjatë orarit të punës.

Time i quan “Thyerëset e heshtjes”!

Femra që guxuan – të bukura ose jo, të talentuara ose jo, të pasura ose jo, por të gjitha kurajoze dhe të afta të iniciojnë një lëvizje sociale e të hapin dyert për një gjyq të madh social ndaj këtij fenomeni. Secila prej tyre, fare mirë mund ta arkivonte në kujtesë dhe të bënte përpara si bëjnë shumë sot. Por bashkuan zërat. Duke u shndërruar në një lëvizje sociale.

#MeToo numëron miliona gra e vajza, nga e gjithë bota, që kanë denoncuar skena e veprime të ngjashme.

Lëvizjet sociale janë ato që e shkundin shoqërinë nga apatia dhe të qënit komfort me shëmtira të tilla që drithërojnë edhe botën kafshërore.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.