Tekstet mësimore  – sa efikase janë ndryshimet e bëra nga MAS Nga Valbona Nathanaili

Tekstet mësimore  – sa efikase janë ndryshimet e bëra nga MAS

Nga Valbona Nathanaili

8 gusht 2017

Në vitin shkollor 2013-2014, numri total i teksteve mësimore që ofroheshin në sistemin parauniversitar shqiptar ka qenë më shumë se i frikshëm, afro 1074, ndërkohë që për çdo lëndë, ofroheshin, mesatarisht, nga tetë deri në dymbëdhjetë tekste të ndryshëm të autorëve të ndryshëm, pothuaj të gjithë shqiptarë – me përjashtim të metodave për mësimin e gjuhës së huaj, ku në përgjithësi ishin të huaja. Falë kritikave të shumta dhe gjendjes absurde e mizerabël ku po shkonte ky nivel arsimimi, edhe për shkak të teksteve të panumërt e ndër të cilët rrallë qëllonte ndonjë i mirë (për më shumë, lexo edhe Përtej zgjidhjeve të çastit në arsim, 16 korrik 2014, www.valbonanathanaili.com), MAS mori vendimin e shumëpritur dhe normal për të ulur numrin e teksteve të ofruar për çdo lëndë, në një klasë të caktuar, në jo më shumë se tre, ndërkohë që për shumë prej këtyre lëndëve, kryesisht ato të shkencave të natyrës, u shtua edhe një kusht shumë i rëndësishëm: autori duhej të ishte i huaj dhe vetë teksti të ishte pjesë e titujve të një shtëpie botuese të huaj të rëndësishme a prestigjioze. Pra, në shqip, të themi teksti i fizikës së klasës së dymbëdhjetë, duhet të vijë si përkthim nga një autor i huaj dhe e gjithë seria të përbëhet nga libri i nxënësit e libri i mësuesit dhe, për nivelet e ulëta të shkollimit, edhe një fletore pune përsëri për nxënësin.

Në mënyrë të përmbledhur, për vitin shkollor 2017-2018, tekstet e ofruara janë sipas kësaj filozofie: jo më shumë se 3 autorë për çdo lëndë të çdo klase, ndërsa për shkencat e natyrës, vepron edhe kushti plus: përkthim nga një autor i huaj. Sigurisht që, sot, analiza sasiore e situatës së teksteve paraqitet shumë më cilësore dhe më e pranueshme. Më pak tekste dhe më shumë aftësi për ta pasur në kontroll situatën. Por si çdo nismë që merret në fushën e arsimit dhe në përgjithësi që karakterizon nismat që merr administrata jonë publike, çështja është parë vetëm përciptazi dhe për të kënaqur vetëm kritikën a çështjen kryesore për të cilën u ngrit: konkretisht, reduktimin e numrit absurd të teksteve që ‘prodhoheshin’ në nivelin arsimor parauniversitar. Pra, nga një kah i spektrit (shumë tekste, të shumë autorëve të ndryshëm, për një lëndë) u kalua në tjetrin (tre tekste të përkthyer, nga tre autorë të ndryshëm, për një lëndë), ose thënë me gjuhën e popullit, u tentua të kapërcehej ylberi, a thua se çdo gjë do ndryshonte vetë për mirë. Por jo.

Propozimi dhe vendimi për të mbajtur tekste të përkthyer rezulton të jetë jo aq i suksesshëm sa është trumbetuar në shumë aspekte, ndërkohë që vazhdimi me këtë filozofi vë në pikëpyetje cilësinë e dijeve që do të marrin nxënësit në këto fusha të rëndësishme të arsimimit, të cilat shtuar nivelin përgjithësisht të dobët të mësimdhënies, bëhet edhe më kërcënues për përgatitjen e duhur shkencore.

Së pari, tekstet e ofruara si përkthim – janë marrë si referencë tekstet bazë, jo ata me zgjedhje – zgjedhur nga Shtëpitë Botuese Shqiptare, sipas udhëzimeve të MAS dhe nën ndikimin e drejtpërdrejt të saj, janë shkruar e përpiluar për një nivel arsimor parauniversitar të modelit anglo-sankson, i cili në ndryshim nga i yni, nuk të çon direkt në universitet, por kryesisht në kolegj. Thënë thjesht, ky nivel njohurish që merr nxënësi ynë në shkencat e sakta, pavarësisht se nuk do vazhdojë universitetin në asnjërën prej këtyre degëve a degëve që kërkojnë një përgatitje serioze në këto lëndë, nuk është mjaftueshëm i kënaqshëm, përkundrazi, është shumë i përgjithshëm, në mos i përciptë. Është për të ardhur keq që nxënësit tanë e fillojnë universitetin sot me një nivel shumë më të ulët dijesh në këto fusha se sa e fillonin, të themi, dhjetë vjet më parë. Dhe të gjithë jemi dëshmitarë të cilësisë së të diplomuarve sot, sa i takon dijeve, kuptohet.

Së dyti, tekstet e ofruara si përkthim, nuk marrin parasysh bazën laboratorike që ofrojnë a disponojnë shkollat tona, shqiptare, sot. Ndoshta ka njerëz që nuk e vlerësojnë ende krejtësisht pa vend pretendimin tim që në këto shkenca duhet të punohet me bazë materiale, pra që çdo fenomen a dukuri, mësuesi duhet ta ilustrojë në klasë, edhe nga pikëpamja eksperimentale. Tekstet e përkthyer janë përpiluar për klasat dhe infrastrukturën e shkollave anglishtfolëse, shumë të ndryshme nga ato tonat.

Së treti, tekstet e shkencave të sakta të shumë viteve më parë, ndërtuar kryesisht në referencë të shkollës ruse, kanë pasur një metodikë të shkëlqyer, metodikë e cila përbënte bazën kryesore të ndërtimit të dijeve në klasë orë pas ore, metodikë e cila edhe në variantin më të keq të teksteve të këtyre fundviteve përsëri ishte e pranishme. Tekstet e përkthyera nga anglishtja nuk dallohen për ndonjë metodikë të veçantë në shtjellimin e atyre pak dukurive që marrin përsipër të trajtojnë, përpos faktit që për shumë koncepte, shkolla jonë ka një perceptim tjetër, e cila për syrin e një profesionisti është shumë më e mirë, në mos edhe më e saktë. Për të mos mërzitur lexuesin, por që më duhet gjithsesi të sjell një shembull, fizika jonë i ka pasë shpjeguar shumë bukur konceptet e peshës dhe të forcës, ndërkohë që në librat aktualë këto koncepte nuk kanë më të njëjtin nivel përgjithësues.

Së katërti, një tekst jo shumë i mirë nga pikëpamja metodike kërkon tre gjëra: ose mësues shumë të mirë, ose libra në ndihmë të mësuesit shumë të mirë, ose një infrastrukturë mbështetëse në burime njerëzore dhe materiale shumë të mirë. E para, mësues shumë të mirë e të mirë ne kemi shumë shumë pak sot, për shumë arsye që dihen dhe për shumë arsye të tjera që lidhen me indiferentizmin dhe mungesën e fondeve nga ana e MAS për kualifikimet e mëtejshme të mësuesve, a nxitjen e mbështetjen e botimeve në mbështetje të rritjes cilësore të tyre. Burimet njerëzore mbështetëse dhe infrastruktura skualifikohen automatikisht. Mbeten tekstet në ndihmë të mësuesit. Por shtëpitë botuese shqiptare që kanë fituar tenderin për botimin e teksteve të përkthyer, të cilat duhet ta pohoj se gëzojnë respektin tim për punën që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë, janë në kuadrin e një ndërmarrjeje private, kështu që çdo botim përtej tekstit bazë për nxënësit përbën një shpenzim të pajustifikuar që zvogëlon në mënyrë të ndjeshme fitimin e planifikuar. Kështu që tekstet për mësuesit, përpos që zakonisht paguhen shumë pak për autorin, mësuesve u ofrohen falas dhe përpilohen vetëm në mënyrë të tillë që të kënaqin sa më shumë kërkesat e mësuesve, sepse janë ata që do të zgjedhin tekstin me të cilin punojnë nga 3 që u ofrohen. Pra, duke qenë se tekstet për nxënësit, në bazë të vendimeve të reja, zakonisht janë pak a shumë e njëjta gjë, dallim bën vetëm teksti për mësuesin. Shtëpitë Botuese kanë problem që mësuesit kërkojnë tekste që t’u minimizojë sa më shumë përgatitjen formale për orën e mësimit, pra duhet të jenë në formën e ditarëve për çdo orë mësimore. Paradoksi është se ndërsa kërkojmë që nxënësit të mësojnë në mënyrë krijuese dhe sa më të decentralizuar, sipas trendit “dije për çdo nxënës”, pothuaj të gjithë mësuesit e Republikës së Shqipërisë e bëjnë ditarin njëlloj, sipas modelit që gjejnë të gatshëm në librin e mësuesit.

Së pesti, nëse vazhdojmë me argumentin që shtëpitë botuese janë ndërmarrje private, ngritja e grupeve të punës që ndjekin punën me tekstet në vijimësi, si priten në shkolla, çfarë të metash kanë, çfarë kërkohet të ndryshohet a të ofrohet ndryshe, është shpenzim që MAS nuk u a njeh. Për rrjedhojë, sigurisht që mungon. Ndërkohë që kur të bëhet tenderi i radhës, duke qenë se politika tek ne është më e fortë se profesionalizmi, edhe tenderi për tekstet hyn në të njëjtat shina. Kështu që pse duhet të vazhdojmë të investojmë për një produkt i cili nuk i dihet se sa e ka jetën të gjatë?

Së gjashti, vërtet janë pak tekste, por mund të ndodhë që në një shkollë tekstet e lëndëve të ndryshme të shkencave të natyrës të zgjidhen nga shtëpi të ndryshme botuese, autorët e të cilave, duke qenë ndoshta krejtësisht të panjohur për njëri-tjetrin, ose të edukuar e ndikuar nga shkolla të ndryshme, të përdorin filozofi, koncepte e simbole që nuk janë sinkron nga lënda në lëndë. Për shembull, edhe gjëra në dukje të thjeshta, si për shembull simbolet e energjisë a të ngarkesës, mund të jepen ndryshe orën e parë, që nxënësi mëson fizikë dhe ndryshe orën e dytë, kur mëson kimi.

Së shtati, mjaft me eksperimente në fushën e arsimit dhe në çdo fushë tjetër.

Jemi vend aq i vogël, sa zbatimi i nismave të ndryshme, sado të mira e tërheqëse të duken në vështrim të parë, kërkojnë një analizë që shkon përtej synimeve të çastit. Ka njëzet e shtatë vjet që në arsim vetëm eksperimentohet. Asnjë nismë e ndërmarrë në këtë institucion nuk i ka rezistuar kohës. Edhe kjo me tekstet duhet të ndryshojë përsëri. Në shumë vende të vogla dhe shumë më të zhvilluara se ne, disa tekste bazë janë ekskluzivitet i MAS dhe i grupeve të punës që ngrihen nga ajo për hartimin e ndjekjen e tyre. Një praktikë e ndjekur deri në fundin e viteve 1990 edhe këtu te ne, por që u la pas si një praktikë e gabuar, pa argumentuar me interes shoqëror, por vetëm me dorën në kuletë, në lidhje me të mirat dhe të metat e këtij sistemi. A nuk kemi vepruar me të njëjtën mendësi në çdo fushë? Por problemi me arsimin është se pasojat e një sistemi të keq ndihen deri në 70 vjet. Në fakt kanë filluar të ndihen.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.