Të meta në shkollat shqiptare – sipas raportit të Ministrisë së Arsimit, datë 11.9.1936

Të meta në shkollat shqiptare – sipas raportit të Ministrisë së Arsimit, datë 11.9.1936

Shkëputur nga libri “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe” Autor: Valbona Nathanaili

Sipas një raporti përgatitur nga Ministria e Arsimit, datë 11.9.1936, të metat kryesore që vihen re në shkolla, mund të ndahen në dy grupe: mungesa teknike e materiale dhe mungesa shoqërore e kulturore.

Në mungesat teknike dhe materiale, disa nga më kryesoret janë:

  1. Mungesa e programeve të përshtatshme dhe të harmonizuara, që ta bëjnë arsimin të njësuar.
  2. Mungesa e personelit administrativ, i aftë të përgatisë mësues dhe profesorë me formim pedagogjik; mungesa e inspektorëve dhe drejtorëve të shkollave, në gjendje të marrin rolin e udhëheqësve të mësuesve nga pikëpamja profesionale.
  3. Mungesa e personelit të përgatitur nga pikëpamja didaktike, si në shkollat fillore, ashtu edhe të mesme; mungesa e disiplinës në punë dhe ndërgjegjjes profesionale.
  4. Mungon infrastruktura shkollore. Në pjesën më të madhe shkollat gjenden në ndërtesa të papërshtatshme, pa kushte higjieno-sanitare; klasat janë të vogla dhe të tejmbushura me nxënës.
  5. Mungojnë librat dhe tekstet shkollore, të unifikuara; mungon gjuha zyrtare.
  6. Mungojnë orenditë e përshtatshme, mjetet mësimore, kabinetet e fizikës e të kimisë, hartat etj.
  7. Mungon një organ teknik, në gjendje të studiojë nevojat e shkollës dhe mbi bazën e tyre të hartojë një program për marrjen e masave të duhura.

Mungesat shoqërore dhe kulturore lidhen me:

  1. Ideja e monarkisë, si forma më e përshtatshme për qeverisje, nuk është vënë në shërbim të lartësimit dhe përparimit të Shqipërisë, nuk është formuluar dhe paraqitur si duhet përpara nxënësve.
  2. Personeli i diplomuar me studime të larta universitare ka, në pjesën më të madhe, ide ekstremiste dhe revolucionare, veçanërisht ata që kanë studiuar në Francë.
  3. Arsimi fabrikon, kryesisht, një proletariat të rremë, të paaftë për t’a fituar bukën me punë dhe mjeshtëri praktike, që mbush kafenetë dhe aspiron vetëm për bursa dhe një vend pune në administratë si nëpunës. Të rinjtë që mbarojnë çdo vit gjimnazet e Tiranës, Shkodrës, Gjirokastrës dhe Liceun e Korçës harrojnë qëllimin e marrjes së bursave, dëshpërohen lehtë dhe transformohen në elemente të pakënaqur, duke mbushur me dëshpërim edhe rrethin e miqve e të familjarëve të tyre. Këta të rinj janë, vetvetiu, të ekspozuar për të pranuar çdo ide ekstremiste e përmbysëse ndaj rregullit shoqëror e regjimit monarkist dhe vetë-quhen viktima të situatës së sotme.
  4. Arsimi nuk e ka zgjidhur, radikalisht, problemin e organizimit të jetës jashtë shkollës. Mungojnë aktivitetet kulturore, sportet, kolonitë e verës, ekskursionet etj.
  5. Arsimi ynë nuk ka bërë asgjë në organizimin e një propagande kulturore; mungojnë shfaqjet teatrale, festat e manifestimet popullore.
  6. Arsimi ynë nuk ka bërë asgjë në drejtim të mbledhjes e regjistrimit të pasurisë kombëtare, gjuhës e kulturës sonë. Po humbasin shumë nga krijimet në fushën e këngës, përrallave, gojëdhënave, fjalës së urtë popullore; po humbasin zakonet e besëtytnitë, kostumet popullore e lloje të ndryshme punë dore e qëndismash etj.
  7. Arsimi ynë nuk ka bërë asgjë në drejtim të organizimit të aktivitetit mendor të intelektualëve tanë, si për shembull mungon një organ shkencor dhe pedagogjik pranë Ministrisë së Arsimit.
  8. Arsimi ynë nuk e ka përballuar integralisht problemin e pozitës juridike të arsimtarëve.

Sipas raportit, arsimi sot ka nevojë urgjente për marrjen e masave, edhe radikale, për forcimin e tij, duke filluar me eliminimin e mungesave teknike dhe materiale dhe, më tej, me organizimin me kujdes, në shkallë të gjerë, të arsimit profesional, “për t’i bërë të rinjtë tanë materialisht të lumtur, të ndjejnë gëzimin e jetës, të kenë entuziazmin e punës, të aftë të fitojnë vetë bukën e vet dhe të fëmijëve të tyre në të ardhmen”.

Në përfundimet e raportit theksohet:

Të mos harrojmë, çdo pakënaqësi krijon një situatë të atillë shpirtërore, e cila vetvetiu punon në interes të Moskës e të propagandës së kuqe, duke kërcënuar drejtpërdrejt rregullin në Shqipëri dhe regjimin tonë monarkik.

Foto kryesore dhe shënim  

Foto kryesore: Shkolla italiane “Maria Pija e Savojës”. Në Arkivin e Shtetit Shqiptar gjendet një vendim në lidhje me furnizimin me bazë materiale të kësaj shkolle:

Këshilli Ministruer
Vendim nr. 973, datë 5.6.1940-XVIII
Këshilli Ministruer, në mbledhjen e tij të sotshme të mbajtun nën kryesinë e Shefqet Vërlaci, Kryeministër e Zav. Ministër Sekretar Shteti për P. Botore, me antar Z.Z. Tefik Mborja, Ministër Sekretar Shteti i Partisë Fashiste Shqiptare, Xhafer Ypi, Ministër Sekretar Shteti për Drejtësin, Maliq Bushati, Ministër Sekretar Shteti për Punët e Brendshme, Kemal Vrioni, Ministër Sekretar Shteti për Financat, Ernest Koliqi, Ministër Sekretar Shteti për Arsimin, Anton Beça, Ministër Sekretar Shteti për Bujqësin e Pyjet dhe Zav. për Industrin e Tregtin, mbi propozimin e banum me shkresë nr. 1237/I d.30.5.1940-XVIII
Vendosi
t’autorizohet Ministrija e Arsimit me blemë me marrëveshtje prej Firmës Antonio Vallordi – Milano, mjete didaktike për nevojat e shkollës së ré “Maria Pija e Savojës” për nji shumë prej franga shqiptare 1 000 (njimij) mbassi tregohet se kjo âsht e vetmja firmë qi mund t’i përgjigjet nevojës së kësaj rase.
Sekretar’i Përgjithshëm
I. Beshiri d.v.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.