Të drejtat e autorit në një vend në zhvillim Nga Valbona Nathanaili

Të drejtat e autorit në një vend në zhvillim

Nga Valbona Nathanaili

Dija dhe informacioni kanë potencialin të ndikojnë, në një masë të madhe, procesin e vendimmarrjes, sikundër të bëhen burim për ndryshime të çdo lloji. Që nga vitet e largëta ‘950 dhe deri në kohën që jetojmë, të modernitetit të vonë ose postmodernitetit sikundër kanë dëshirë ta etiketojnë disa, këto burime gjithmonë janë cilësuar si condicio sine qua non për zhvillimin. Por në një botë të pabarabartë ekonomikisht, me vende të zhvilluara dhe vende në zhvillim, duket se edhe raportet me dijen e informacionin janë po njëlloj: “magazinat” e tyre gjenden në vendet e zhvilluara, ndërkohë që në vendet në zhvillim, nëse do vazhdojmë të ruajmë të njëjtën metaforë, ndodhen, me raste, “depo” të vogla. Dija kontrollohet dhe manipulohet, jo në sensin negativ, nga vendet e zhvilluara.

Në këtë mënyrë, për vendet në zhvillim, varësia nga vendet e zhvilluara bëhet edhe më e madhe sepse, përpos të tjerave, duhet të “importojnë” edhe dijen. Në këtë marrëdhënie që krijohet ndërmjet këtyre dy niveleve, të drejtat e autorit dhe pronësia intelektuale janë faktorë kyç; kur bëhet fjalë për dije të shprehura dhe të transmetuara nëpërmjet librave, argumenti është edhe më i prekshëm pasi lidhet direkt me ecjen përpara të arsimit, kulturës e shkencës dhe, në një këndvështrim edhe më të gjerë, me përmirësimin e kushteve të jetës së përditshme. Sigurisht që botuesit shqiptarë janë më shumë se të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka blerja e këtyre të drejtave.

Me pak ose aspak përjashtime, pothuaj të gjithë botuesit kanë hyrë, të paktën një herë, në marrëdhënie me një shtëpi botuese të huaj për të marrë e blerë të drejtat e autorit për përkthimin e një vepre në shqip duke kontribuar, direkt ose indirekt, për arsye biznesi dhe, pse jo, edhe për arsye patriotizmi, në pasurimin e fondit intelektual që i vihet në dispozicion publikut shqiptar. Është e rëndësishme të theksojmë që botimi i një libri të mirë është me më shumë vlerë këtu te ne se në vendet e zhvilluara, edhe për shkak të aksesit të kufizuar që ka në median elektronike, ose nuk e ka fare, një pjesë e madhe e popullsisë.

***

Sa janë të gatshëm botuesit, në vendet e zhvilluara, të negociojnë për dhënien e të drejtave të autorit? Dhe sa janë të gatshëm të tolerojnë në sasinë e parave që duhen paguar për marrjen e këtyre të drejtave nga vendet në zhvillim? Pyetjes së parë është e thjeshtë për t’ju përgjigjur: pothuaj nuk ka asnjë pengesë. Një botues serioz gjithmonë arrin ta marrë të drejtën e autorit. Pyetja e dytë është ajo që na dhëmb: sa është masa e tolerancës? Botuesit, ndonëse vijnë nga vende me nivele të ndryshme zhvillimi, ju duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për realizimin e një kontrate biznesi, jo kontrate sociale: publiku dhe interesat e tij përjashtohen ekskluzivisht. Duke qenë se çmimet e librave reflektojnë kostot e mënyrat e jetesës dhe, bashkë me to, sigurisht, edhe vlerat që mbartin, ato janë normale për vendin e zhvilluar dhe shumë të larta për vendin në zhvillim. Këtu fillon pengesa e parë dhe më kryesorja. Zakonisht çmimet e të drejtave të autorit variojnë nga 500 deri në 1800 euro (flasim për Shqipërinë, për tirazhe 500-1500 kopje dhe çmim libri nga 900 – 2000 lekë) si shumë paraprake dhe, më tej, me shitjen e librit, përqindje që luhaten nga 6-9 të çmimit të kopertinës. Pagesa më e lartë që ka bërë UET Press për blerjen e të drejtave të autorit ka qenë pikërisht 1800 euro për librin “E drejta penale. Teori, kazuse dhe materiale”, autor Jonathan Herring, botues Oxford Press.

Ndonëse vendet në zhvillim akuzohen shpesh se, për shkak të mungesës së edukimit dhe traditës, e kanë të varfër kulturën e “copyright”-it, në gjykimin tim, problem kryesor, janë mungesa e parave. Botuesi vështirë se fiton diçka nga botimi i një libri të përkthyer në Shqipëri. Por jo vetëm botuesi ka mungesë fondesh! Edhe blerësi është pjesë e bashkësisë. Të blesh një libër kërkon një mjedis social që zakonisht gjendet ose nxitet në tre grupe kryesore: studentë e nxënës, profesionistë dhe ata që kërkojnë të kalojnë kohën e lirë duke lexuar një libër. Sigurisht që grupet nuk janë të prerë me thikë dhe, zakonisht, ata që janë profesionistë blejnë jo vetëm libra për profesionin e tyre, por edhe libra për të kaluar kohën e lirë (grupi i dytë ndërthurret me të tretin), gjë që e bën problemin më të mprehtë, nuk e lehtëson. Për më tepër, mjedise të tilla janë shumë të kufizuara këtu te ne ose me kërkesa tejet modeste. Pasoja është që pengesa për të sjellë librin në shqip rritet në mënyrë eksponenciale. Libri mbetet stok në librari!

***

Ndonëse ekzistojnë konventa e protokolle që nxisin aksesin në dije e ide që prodhohen në vendet e zhvilluara dhe ndihmojnë në reduktimin e parave që duhen paguar kur librat kanë vlera të veçanta, duhen politika aktive shtetërore, nisma individuale dhe institucionale, që pavarësisht perspektivës aspak premtuese të prezantuar sa më sipër, të sigurojnë pronësinë intelektuale të atyre veprave që u shërbejnë më së miri interesave të publikut të gjerë, që ndihmojnë aksesin në prodhimin dhe shpërndarjen e ideve, dijeve e informacionit, si dhe nevojave për zhvillim social e arsimor të grupeve të ndryshëm, veçanërisht fëmijëve e të rinjve.

 

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.