Sonata e lisit. Poezi nga Thimjo Nathanaili

Sonata e lisit. Poezi nga Thimjo Nathanaili

Botues: Streha, Tiranë, janar 2015 F. 48 Çmimi 500 lekë

Foto e ballinës kryesore: “Le chene”, Paul Cezanne

Për redaktorin e përmbledhjes me poezi, z. Zimo Krutaj, metafora udhëton në kohë, një udhëtim i nisur që nga koha e grekërve të lashtë. Thimjo ka qenë, me sa duket, në stacionin e duhur për ta bërë pjesë të krijimtarisë së tij. Poezitë përçojnë dashuri, mendim të thellë e filozofi. Në këtë përmbledhje veçojmë Ti yll nuk jeLisiShpirti si detidhe Koha e njeriut ose “Fati i njeriut“. Poezitë janë shkruar gjatë vitit 2014.

 TI YLL NUK JE…

Kur i dehur nga dashuria

Mes pasionit “yll” të thashë,

Isha i çmendur nga lumturia

Dritë pashë në sytë e tu, o vashë.

Por tek shkruaj mbi të bardhën kartë

Fjala “yll” tani  s’më pëlqen;

Se është thjesht një masë e zjarrtë

Që mes territ të natës shkëlqen.

Sa larg prej nesh ndrin ylli! Miliona vjet

dritë për të shkuar tek ai;

Por ne të dy s’kemi veç një jetë

Dhe brenda saj vetëm një dashuri…

Si yllin nga larg nuk dua të të shikoj

Por dëshiroj të jesh përjetësisht me mua:

Të prek, të përqafoj, me puthje të të mbuloj

E zjarrin e mijëra yjeve të ndjej në buzët e tua.

                                               Mars 2014

LISI

Nga lisi i lartë, i vjetër

Një gjethe e verdhë u shkëput,

U end, vallëzoi në ajër

Dhe u preh mbi tokën e butë.

Një erë e lehtë pas pak nisi,

Lisin e futi në drithërimë,

“Nuk ju mbaj dot” u ankua lisi

dhe gjethen e dytë nisi fluturim …

Ditë më pas lisi ish i zhveshur

Tokës ia kish falur gjethet një nga një,

E prapë i drejtë, krenar e i bukur,

Kur gjethe të blerta s’kishte më asnjë!

Në lisin e moçëm, të pafund, të Jetës,

Si gjethet e blerta jemi edhe ne:

Zverdhemi, vyshkemi nga ligji i Kohës,

Biem aty ku lisi ka rrënjët, në dhe…

                                             Mars-prill 2014

 SHPIRTI SI DETI

I madh, i pafund është ky det…

Kufijtë e shpirtit vallë kush i njeh?

Ngjyrat që deti përçon janë shumë

E kaltra është veç një, të tjerat pa fund!

Kështu dhe ngjyrat e shpirtit njerëzor

Larmi e pa fund, mozaik trillesh a s’janë?

Ja tani deti është i qetë, sikur fle

Në një heshtje solemne ai dremit.

Dhe befas sërish nga gjumi ai zgjohet

Fryhet, shkumëzon, oshëtin e tërbohet,

Si shpirti njerëzor që nga qetësia e paqja ikën

Tronditet, me shkulme, përzien gëzimin me frikën.

Deti, kryevepër e natyrës, sa i bukur:

Një mrekulli e shtrirë në pafundësi.

Ashtu dhe Zoti i madh tej vdekjes, o njeri

Krijoi shpirtin tënd që rron në përjetësi.

                                         Prill 2014

KOHA E NJERIUT ose “FATI I NJERIUT”

Në viset e bukura buzë një deti të magjishëm

Na ishte një kohë, një kohë tepër e gjatë

Njerëzit jetuan siç mundën, jo siç deshën

Më thotë një mik: “ish kohë e zezë, veç natë…”

 

Mbase ke te drejtë miku im, fati yt,

jeta jote, vërtet ka qenë e zezë, veç natë

U dhunove, u burgose, të morën lirinë

Ndaj mendon se populli ish rob, ish sakat;

 

Nuk dua të ta shtoj në shpirt mërzinë,

Pse jeta me ty u tregua brutale, e egër.

Të mori gëzimet, ëndrrat, rininë

Mëshira tash s’ka vlerë, se s’ka jetë tjetër.

 

Koha e errët është e shekullit që kaloi

Në histori është gjysma e dytë e saj

Në këto troje ky popull eci e dikur vrapoi

Endërroi të ardhmen që do vinte paskëtaj.

 

Por koha që iku s’ishte veç e zezë

Për shumë prej njerëzve ish e bardhë;

Se e tillë, miku im, jeta është

Kohët me fat janë si të detit valë.

 

E thjeshtë, e varfër, e bukur, intime

Fëmijëria jonë ka qenë, me lojëra pa fund;

Pastaj shkolla, me libra, fletore, provime

Ashtu siç jetohet kjo moshë gjithkund.

 

Rininë, ah, rininë, i dashur mik

E jetuam siç mundëm, jo siç deshëm

Me pak hapësirë, dashuri, sport…

Veç njerëzit i deshëm vërtet, jo rrejshëm.

 

Sa herë kam qeshur, fort, me shpirt,

Kur ti, zemërplasur me lot ke qarë.

Kam përjetuar veç jetën time, të miat ditë

Jetën e tjetërkujt s’kam prekur, s’kam ngarë.

 

Në gëzime e dasma kemi kënduar, kërcyer

Të dehur nga rakia, hequr këmbën zvarrë;

Ashtu, si në heshtje, kokulur, me lot, zemërthyer

Të dashurit e shokët kemi përcjellë në varr.

 

Me ty dua të jem i sinqertë i dashur mik:

Të keqen, padrejtësinë, e kam urryer kaherë,

Ata që pas krahëve ty të quanin “armik”,

Sot prap’ gënjejnë, për kohën vjellin “vrer”!

 

Të lutem, mos kërko asnjëherë

“Kohën” qe jetuam ta shaj, ta përbalt;

Ato që thamë, i menduam dhe i bëmë

“Mirë” apo “keq” i gjykon veç Ai lart!

 

Më në fund të jesh i qetë, miku im:

Të kam dashur në “kohën” dje dhe sot.

Të keqen e kam luftuar tërë jetën me fjalë

Ndoshta kot, se me dritë e errësirë është kjo botë.

                                                          Shtator 2014

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.