Si vdesin demokracitë Autorë Steven Levitsky & Daniel Ziblatt

Si vdesin demokracitë. E ardhmja jonë, rrëfyer nga historia

Autorë Steven Levitsky & Daniel Ziblatt

Përktheu: Dr. Valbona Nathanaili

Botimet “Pema”: Prishtinë, Kosovë, qershor 2018

Daron Acemoglu, bashkautor në librin Why Nations Fail:

Çdo njeri që është i shqetësuar për të ardhmen e demokracisë duhet të lexojë këtë libër të përmbledhur dhe të kuptueshëm. Por edhe të gjithë ata që nuk janë të shqetësuar, domosdoshmërish duhet ta lexojnë.

Francis Fukuyama, autor i librit Political Order and Political Decay:

Autorëve u detyrohemi një mal me falënderime, që të kuptuarit e tyre të thellë e kanë përdorur për të analizuar një çështje të rëndësishme politike të ditës.

Valbona Nathanaili, përkthyese e librit:

Libri pasqyron një model se si ndërtohet një sistem që vlerëson nivelin e demokracisë së çdo vendi. Sipas autorëve, ky nivel është i lidhur me politikanët dhe partive që ata u përkasin. Gjithashtu, autorët argumentojnë bindshëm se si vdesin demokracitë. Lexuesi e ka të thjeshtë të kuptojë strukturën e demokracisë në fazën e tyre embrionale, duke bërë krahasime me vendin ku jeton. Në një farë mënyre, demokracia që shtjellojnë autorët është “demokraci nga lart”, personifikuar me një kasë a elitë politikanësh të vjetër dhe profesionistë, vazhdimisht në pushtet dhe gjithnjë në drejtim. Lexuesi mund ta pasurojë argumentin me debatin politikanë të vjetër vs. politikanë të rinj, si dhe të zgjedhë të pajtohet a jo me autorët sa i takon rëndësisë dhe lavdisë që u japin politikanëve të vjetër.

Përmbajtja

1: Aleancat fatale 2. Rojtarët në Amerikë 3. Abdikimi i madh republikan 4.Sabotimi i demokracisë 5.Rojtarët e demokracisë 6. Rregullat e pashkruara të politikës amerikane 7. Shpleksja 8.Trampi kundër rojtarëve 9.Të shpëtojmë demokracinë

Pjesë nga libri

Diktaturat fjalëshumë në formën e fashizmit, komunizmit apo pushtetit ushtarak janë zhdukur nga pjesa më e madhe e botës. Grushtet ushtarake dhe format e tjera të dhunshme të kapjes së pushtetit janë rralluar. Pjesa më e madhe e vendeve mbajnë zgjedhje të rregullta elektorale. Dhe demokracitë akoma vdesin, por me mjete të ndryshme. Që nga koha e përfundimit të Luftës së Ftohtë, rrënimi i pjesës më të madhe të demokracive është shkaktuar jo në pasojë të dhunës së gjeneralëve dhe ushtarëve, por nga vetë qeveritarët e zgjedhur. Njësoj si Çavezi në Venezuelë, liderët e zgjedhur kanë shkatërruar institucionet demokratike, si në Gjeorgji, Hungari, Nikaragua, Peru, Filipine, Poloni, Rusi, Sri Lanka, Turqi dhe Ukrainë. Mëkati ndaj demokracisë sot fillon në kutitë e votimit.

Rruga elektorale e shkatërrimit të demokracisë është e rrezikshme në vellon e mashtrimit që hedh. Rasti i grushteve të shtetit, sikundër ka ndodhur për shembull me Pinoçetin e Kilit, është baras me vdekjen e menjëhershme të demokracisë dhe e dukshme për të gjithë. Pallati presidencial digjet. Presidenti vritet, burgoset ose dërgohet në ekzil. Kushtetuta pezullohet, ose griset e digjet. Në rastin sipas mënyrës elektorale, asgjë nga këto nuk ndodh. Nuk ka tanke në rrugë. Kushtetuta dhe institucionet e tjera demokratike vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e tyre. Njerëzit votojnë. Por janë ata, autokratët e zgjedhur, që nën velin e demokracisë, gërryejnë e zbrazin gjithë substancën e saj.

Shumë nga përpjekjet e qeveritarëve në shkatërrimin e demokracisë janë “ligjore”, në kuptimin që kanë miratimin e ligjit, ose pranohen nga gjykatat. Për më tepër, shpesh promovohen edhe si përpjekje në funksion të përmirësimit të demokracisë pra, që e bëjnë sistemin gjyqësor më efikas, luftojnë korrupsionin dhe ndihmojnë në transparencën e procesit elektoral. Gazetat vazhdojnë të botohen, por janë në pronësi, ose nën thundrën e vetëcensurimit. Qytetarët vazhdojnë ta kritikojnë qeverinë, por shpesh e gjejnë veten në vështirësi ligjore, a përballen me taksa të pashpjegueshme.

Një situatë e tillë e shpie publikun në shtegun e gabuar. Njerëzit nuk e kuptojnë menjëherë çfarë po ndodh. Shumë vazhdojnë të besojnë se po jetojnë nën një regjim demokratik. Në vitin 2011, kur një sondazh i barometrit latino-amerikan të vëzhgimit u kërkoi venezuelasve ta vlerësonin vendin e tyre në një shkallë nga 1 (aspak demokratik) në 10 (plotësisht demokratik), 51% e atyre që u përgjigjën ia dhanë vendit të tyre notë 8 e lart.

Për shkak të faktit se nuk mund të referojmë një moment të vetëm pra, çastin kur ndodhi grushti i shtetit, kur u shpall ligji i luftës, ose kur u zhvlerësua kushtetuta në të cilin regjimi, në mënyrë të dukshme “shkeli vijën” e kaloi në diktaturë, asgjë nuk bën të kumbojë ndonjë alarm për shoqërinë. Për më tepër, ata që denoncojnë abuzimet e qeverisë pushohen nga puna me arsyen që po e teprojnë, ose emërtohen ujku që kërkon vëmendje. Erozioni i demokracisë është, për shumë njerëz, pothuaj i paperceptueshëm.

Sa e cenueshme është demokracia amerikane nga këto mëkate? Bazat e demokracisë sonë janë, sigurisht, shumë më të fuqishme se ato të Venezuelës, Turqisë a Hungarisë. Por a janë aq sa duhet të fuqishme?

T’u përgjigjesh pyetjeve të tilla kërkon ta largojmë vëmendjen nga titujt kryesorë të gazetave dhe lajmet tronditëse, në gjendje ta ndërpresin transmetimin e emisioneve të zakonshëm, me synim zgjerimin e vizionit dhe nxjerrjen e mësimeve nga përvojat e demokracive në vende të ndryshme të botës, dhe në periudha të ndryshme të historisë. Studimi i krizave që kanë kaluar a pllakosur demokracitë e tjera na jep mundësi t’i kuptojmë më mirë sfidat me të cilat duhet të përballet demokracia jonë. Për shembull, bazuar në përvojën historike të kombeve të ndryshme, kemi mundur të zhvillojmë një test me lakmus, që na ndihmon: të identifikojmë autoritarianët e së nesërmes, ose kandidatët-për-autoritarianë, përpara se të ngjiten në pushtet; të mësojmë nga gabimet që kanë bërë udhëheqësit demokratë në të shkuarën, duke ua hapur derën ekstremistëve të pushtetit dhe, po ashtu, edhe nga mënyrat që kanë përdorur demokraci të tjera për t’i mbajtur jashtë oborrit të tyre. Në të njëjtën kohë, kjo qasje krahasuese na ndihmon të kuptojmë se si autoritarianët e zgjedhur në pjesë të ndryshme të botës kanë zbatuar strategji të ngjashme në shkatërrimin e institucioneve demokratike. Dhe ndërkohë që këto modele bëhen gjithnjë e më të qarta në sytë tanë, hapat drejt rrënimit bëhen gjithnjë e më pak të errët dhe lufta më e lehtë. Njohja se si qytetarët në demokraci të tjera kanë qenë të suksesshëm në rezistencën e zgjedhjes së autoritarëve, ose si kanë dështuar, tragjikisht, është thelbësore për të gjithë ata që kërkojnë ta mbrojnë demokracinë amerikane sot.

Të gjithë e dimë që herë pas here, edhe në demokraci që janë cilësuar si të shëndetshme, kanë mundur të lulëzojnë demagogë ekstremistë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pjesën e tyre të kontributit, me Henri Fordin, Hjui Longun, Jozef MekKartin dhe Xhorxh Uallesin. Testi kryesor për një demokraci nuk është pse arritën të dalin në krye figura të tilla, por pse udhëheqësit politikë, dhe veçanërisht partitë politike, nuk u angazhuan në parandalimin e krijimit të bazave të pushtetit të këtyre njerëzve, që në fillimet e aktivitetit duke i mbajtur larg radhës së prerjes të biletës për të qenë figurë kryesore në parti, duke ua refuzuar përkrahjen a formatimin dhe, nëse ishte e nevojshme, edhe duke u bërë palë me rivalët e tyre, në përkrahje të kandidatëve vërtet demokratë. Izolimi i ekstremistëve popullorë kërkon kurajë politike. Por nëse frika, oportunizmi, a llogaritë e gabuara janë faktorë që orientojnë edhe parti të mirëformuara për të nxjerrë në skenë ekstremistë, atëherë demokracia është në rrezik.

Sapo një kandidat-për-autoritarian vjen në pushtet, demokracitë përballen me një test të dytë shumë të rëndësishëm: Udhëheqësi i sapozgjedhur do t’i shkatërrojë institucionet demokratike, apo do të disiplinohet prej tyre? Kushtetuta mbrohet jo vetëm nga partitë politike dhe qytetarët e organizuar, por edhe me anën e normave demokratike. Pa këto norma të fuqishme, kontrolli dhe baraspesha kushtetuese nuk do të përputhej me përfytyrimin e kështjellës që kemi për demokracinë. Por shpesh institucionet shndërrohen në armë politike, të cilat iu tunden me forcë atyre që nuk e kanë mundësinë t’i kontrollojnë, nga ata që i kontrollojnë. Kjo është mënyra se si autokratët e zgjedhur shkatërrojnë demokracinë, mbushin gjykatat e agjenci të ndryshme neutrale me njerëzit e tyre dhe i “shndërrojnë në armë”, blejnë mediat dhe sektorin privat (ose i ngacmojnë, në heshtje), rishkruajnë rregullat e politikës për të qenë të favorizuar ata vetë, në fushën e lojës kundër kundërshtarëve. Paradoksi tragjik i rrugës elektorale drejt autoritarizmit është se vrasësit e demokracisë përdorin vetë institucionet demokratike në mënyrë graduale, në heshtje dhe, për më tepër, edhe ligjërisht për ta vrarë atë.

xx

Amerika dështoi në testin e parë të saj në nëntor të vitit 2016, me zgjedhjen e një presidenti që karakterizohet nga një angazhim i dyshimtë në zbatimin e normave demokratike. Fitorja surprizë e Donald Trampit u bë e mundur jo vetëm nga pakënaqësia e publikut, por edhe nga paaftësia e Partisë Republikane për të mbajtur një demagog ekstremist, angazhuar në radhët e saj, larg atyre që mund të merrnin një nominim për ta vazhduar garën.

Sa serioz është ky kërcënim sot? Në këtë situatë, shumë vëzhgues gjejnë qetësi te Kushtetuta jonë, hartuar për të qenë pengesë dhe për të frenuar demagogë si Donald Trampi. Sistemi ynë madisonian i kontrollit dhe baraspeshës ka rezistuar për më shumë se dy shekuj. I mbijetoi Luftës Civile, Depresionit të Madh dhe Skandalit “Watergate”. Sigurisht që do të jetë i zoti t’i mbijetojë edhe Trampit.

Por jemi bërë më pak të sigurt. Historikisht, sistemi ynë i kontrollit dhe baraspeshës ka funksionuar më së miri por jo, ose jo plotësisht, për shkak të sistemit kushtetues hartuar nga themeluesit. Demokracia funksionon më mirë dhe mbijeton më gjatë kur ligjet kushtetuese përforcohen nga norma të pashkruara demokratike. Sistemin amerikan të kontrollit dhe të baraspeshës e kanë ruajtur dy norma themelore, që ne shpesh i kemi marrë si të mirëqena: toleranca e dyanshme, ose të kuptuarit se partitë konkurruese e pranojnë njëra-tjetrën si rivale legjitime dhe vetëpërmbajtja, ose ideja që politikanët duhet të jenë të matur në ushtrimin e të drejtave të tyre institucionale. Këto dy norma e kanë betonizuar demokracinë amerikane në pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë. Udhëheqësit e dy partive kryesore e kanë pranuar njëri-tjetrin si legjitimë dhe i kanë rezistuar tundimit të përdorimit të kontrollit të përkohshëm të institucioneve në funksion të maksimizimit të përparësive partiake. Normat e tolerancës dhe të maturisë kanë shërbyer si një armaturë e mirë në mbrojtjen e demokracisë amerikane, dhe e kanë ndihmuar në shmangien e luftës partizane për jetë a vdekje, që kanë mundur t’i shkatërrojnë demokracitë në vende të tjera, si për shembull në Evropën e viteve 1930 dhe Amerikën e Jugut të viteve 1960 & 1970.

Por sot, kjo lloj armature përreth demokracisë amerikane është dobësuar. Erozioni i normave tona demokratike fillon në vitet 1980 dhe 1990 dhe përshpejtohet në vitet 2000. Në kohën që Barak Obama zgjidhet president, shumë republikanë në veçanti vunë në pikëpyetje legjitimitetin e rivalëve të tyre demokratë dhe braktisën tolerancën, në funksion të përvetësimit të një strategjie fitoreje që nuk përjashtonte asnjë mjet nëse do të ishte e nevojshme. Donald Tramp mund ta ketë përshpejtuar këtë proces, por nuk ishte ai që e shkaktoi. Sfidat me të cilat duhet të përballet demokracia amerikane shkojnë shumë më thellë. Dobësimi i normave tona demokratike i ka rrënjët në polarizimin ekstrem partizan që shtrihet përtej diferencave politike, deri në një konflikt ekzistencial ndërmjet racave dhe kulturave. Përpjekjet e Amerikës për ta arritur barazinë ndërmjet racave, ndërkohë që shoqëria jonë rritet me një theks të dukshëm diversiteti, kanë injektuar një lloj reagimi dyshues dhe kanë intensifikuar polarizimin. Dhe nëse ka diçka që vërtet e kemi të qartë nga studimi i rrënimeve në rrjedhën e historisë, është polarizimi ekstrem që vret demokracitë.

Thënë këto, kemi arsye për t’u alarmuar. Në vitin 2016, Amerika jo vetëm zgjodhi një demagog, por e zgjodhi në një kohë kur normat, që një herë e një kohë mbronin demokracinë tonë, pothuaj ishin çmontuar. Por nëse përvojat e vendeve të tjera na mësojnë se polarizimi mund t’i vrasë demokracitë, na mësojnë po aq se rrënimi nuk është as i paevitueshëm, dhe as i pakthyeshëm. Duke ofruar mësime të nxjerra nga demokracitë në krizë, ky libër, në të njëjtën kohë, sugjeron strategji që qytetarët duhet dhe nuk duhet të ndjekin, në mbrojtje të demokracisë. Në mënyrë plotësisht të justifikueshme, qytetarët amerikanë ndihen të frikësuar nga ajo që po ndodh në vendin tonë. Duhet të jemi modestë dhe të fuqishëm. Duhet të mësojmë nga vendet e tjera për t’i kuptuar shenjat paralajmëruese dhe t’i njohim alarmet false. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për hapat e gabuar që kanë rezultuar fatalë në frymëmarrjen e demokracive të tjera. Dhe duhet të dimë se si qytetarë të shumtë janë ngritur në denoncimin e krizave të mëdha të demokracisë në të kaluarën, si dhe përballjen me to, duke shkuar përtej ndarjeve të thella politike. Historia nuk e përsërit veten. Historia rimon. Premtimi i historisë dhe, me shumë shpresa, edhe i këtij libri është të aftësohemi në gjetjen e rimës, përpara se të jetë shumë vonë.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.