Si të gjykojmë një libër edhe nga kopertina Intervistë me Valbona Nathanaili

Si të gjykojmë një libër edhe nga kopertina

Intervistë me MAPO, janar 2015

Mapo: Si vendosen kopertinat?

Valbona Nathanaili Kopertina duhet të paraqesë me sa më shumë besnikëri e integritet përmbajtjen e librit, ndryshe: është ekuivalentja grafike e të gjithë bashkësisë së fjalëve, figurave, fotove e ilustrimeve që përbëjnë tekstin. Nga ana tjetër, duhet t’i bëjë përshtypje e të tërheqë blerësin e mundshëm, ta bëjë të hapë faqen e parë, ta shfletojë të gjithë librin e në fund të vendosë ta blejë. Në një farë mënyre kopertina është ura që lidh tekstin me lexuesin. Për këto arsye, duhet të plotësojë dy kushte: të jetë estetike dhe të komunikojë mesazhin e duhur me sa më pak elemente. Ballina e parë ka të domosdoshme titullin, autorin, shtëpinë botuese. Çdo gjë tjetër pastaj është dëshirë, por e qëllimshme: matet çdo hapësirë, peshohet çdo shenjë, vlerësohet çdo marrëdhënie që krijohet. Fotoja është një mënyrë shumë e mirë për të komunikuar dhe pothuaj të gjitha kopertinat e librave përmbajnë foto. Por, në ndryshim nga marrëdhënia që ekziston ndërmjet fotos dhe diçiturës (diçitura shoqëron foton, është rrjedhim dhe e varur nga ajo), në kopertinën e librit varësia është e reflektuar, fotoja është vetë “diçitura” e titullit. Për mendimin tim po aq e rëndësishme është edhe pjesa e prapme e kopertinës. Një botues i kujdesshëm përpiqet që, veçanërisht kur autori është emër i ri, të bëjë pjesë të saj vlerësime që i kanë bërë librit ose autorit emra të njohur e të besueshëm për publikun, pak përmbajtje ose ndonjë paragraf domethënës nga parathënia.

 Mapo:  A ka një politikë apo filozofi të përcaktuar nga shtëpia botuese?

Valbona Nathanaili Të gjitha shtëpitë botuese përpiqen të krijojnë identitetin, ose brandin e tyre edhe nëpërmjet kopertinave. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për logon, ose për kopertinën në tërësi, por për detaje, shpesh të padukshme, por që gjithsesi mund të kapen nga syri i një lexuesi të vëmendshëm

Mapo:  Është dëshirë e autorit apo diskutohet edhe me botuesin?

Valbona Nathanaili Autorët do i ndaja në dy grupe kryesore: ata që vinë me ide të qarta se si e duan kopertinën dhe ata që ja lenë gjithçka në dorë shtëpisë botuese. Gjithsesi, në të dyja rastet, ky është vetëm hapi i parë, pasi në bazë të standardeve që ne kemi për kopertinat, konkludojmë në një të mesme të përbashkët që i kënaq të dyja palët. Por ndonëse kopertina asnjëherë nuk shkon për shtyp pa pasur aprovimin e autorit, herë pas here përsëri ka pakënaqësi. Fituesi i Çmimit Nobel në Letërsi, 1975, Eugenio Montale, i shkruan një miku të ngushtë: “Së shpejti del botimi i tretë i librit tim me poezi Ossi di seppia. Kopertina është bërë nga Scipione (pseudonimi i Gino Bonichi, poet, ilustrator dhe piktor), por më vjen për të qeshur kur e shoh. Më duket si libri i dikujt tjetër”.

 Mapo: Po në rastin e letërsisë së  huaj si veprohet?

Valbona Nathanaili UET Press nuk ka asnjë libër të përkthyer nga letërsia e huaj, por kemi shumë përkthime nga fusha të tjera, kryesisht në fushën e arsimit të lartë. Në raste të tilla përpiqemi të ruajmë, në përgjithësi, paraqitjen që ka libri në gjuhën origjinale. Nisur nga dy parime/kushte kryesore: së pari, njëlloj sikundër ne përpiqemi të bëjmë më të mirën për paraqitjen e librit, edhe shtëpia botuese ku kemi marrë të drejtat për botimin e librit ka po këtë synim. Kështu që respektojmë e promovojmë krijimtarinë e tyre; së dyti, kur “shesin” të drejtat e autorit, shtëpitë botuese janë shumë të vëmendshme ndaj çdo detaji që përmban ribotimi i librit, si kopertina, formati, cilësia e letrës dhe e lidhjes e, sigurisht, e përkthimit. Për të shmangur korrespondenca të tepërta që lidhen me miratimin e paraqitjes që merr libri gjatë botimit në gjuhën tjetër, shpesh kërkojnë që libri i përkthyer të jetë kopje e origjinalit, kështu që për të ruajtur bashkëpunimin u përshtatemi kërkesave të tyre.

 Mapo: Keni një politikë për t’i bërë të dallueshme kopertinat e botuara prej jush, apo çdo gjë vendoset sipas rasteve specifike?

Valbona Nathanaili Kopertinat tona janë shumë të dallueshme e të veçanta: kanë një shirit karakteristik, ngjyra e të cilit ndryshon në varësi të kolanës dhe, shumë prej tyre, janë me foton e autorit. Realizuesi i këtyre formateve është “Vatra”. Ne punojmë mbi bazën e tyre të cilat, për hir të së vërtetës, na e kanë pakësuar shumë punën, ose më mirë puna jonë është t’i përshtatemi formateve të krijuar. Politika në këtë drejtim është shumë rigoroze: të gjitha njëlloj, – duhen negociata të gjata me Henrin për të dalë jashtë modelit. Formati i ballinës së kopertinës, sipas modelit të “Vatrës”, përcakton vendin ku do vendosen: emri i autorit, titulli i librit (nëntitulli kur ka), logoja, kujt kolane i përket, numrin që ka në kolanë. Më tej ballina plotësohet, rast pas rasti, në varësi të përmbajtjes e synimeve që ka autori me foto, kompozim artistik, diagrama, figura etj. Pjesa e prapme e kopertinës është më fleksibël, por elementet kryesore janë: një foto e vogël e autorit, një përshkrim narrativ i aktivitetit profesional e krijues të tij, ISBN, çmimi, përmbajtja, 2-3 fjali nga parathënia dhe vlerësime për librin nga lexues, kolegë të autorit apo media të ndryshme etj. Sigurisht që të gjitha bashkë bëhen shumë, por rast pas rasti vendosim çfarë do zgjedhim (përveç ISBN e çmimit që edhe ato kanë vendin e tyre e janë statike).

 Mapo: Duke cituar shprehjen e famshme që një libër nuk duhet gjykuar nga kopertina, për ju si botues a është e rëndësishme kjo e fundit dhe sa peshë zë në procesin e botimit të një libri?

Valbona Nathanaili Si botues më pëlqen ta perifrazoj pyetjen tuaj në: “Si të gjykojmë një libër edhe nga kopertina” dhe citoj një thënie të Umberto Ecos: “Dizajni i kopertinës së librit është akti i përkthimit të përmbajtjes tekstuale të librit në mënyrë të tillë që ‘sintetizon’ në mënyrën e duhur interpretime të caktuara me imazhe të caktuara”. Kopertina për ne është shumë e rëndësishme. Kur merremi me kopertinën përpiqemi të dallojmë një libër akademik, ku ka rëndësi vetëm titulli dhe autori, nga një autor i njohur, për të cilin lexuesi ka dijeni për veprën e punën e tij dhe nga një tjetër krejtësisht i panjohur. Pesha ose balanca ndërmjet elementëve të ndryshëm të kopertinës ndryshon në varësi sa më lart, por gjithmonë në përputhje me standardin.

Mapo: UET Press bashkëpunon edhe me fotografë, të paktën për libra që kanë portretet e autorëve. A është kjo një dëshirë e autorëve, apo një politikë që ndjek UET Press?

Valbona Nathanaili Kolana “Monografi, ese & studime” ka në ballinë foton e autorit dhe është pjesë e brandit tonë. Pjesa më e madhe e autorëve kanë rezerva për këtë lloj paraqitje, përfshirë edhe mua. Shpesh jam në siklet kur më duhet të paraqes një nga librat e mi që është pjesë e kësaj kolane, pasi më duket pak si e tepruar, ndonëse fotot janë të realizura me shumë mjeshtëri. Por ka efekt pozitiv te lexuesi dhe e promovojmë përtej dilemave që mund të kemi.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.