Si të arrijmë të bëjmë shokë të mirë? Konfuci

Njerëzit kanë shokë të ndryshëm në faza të ndryshme të jetës.

Si të arrijmë të bëjmë shokë të mirë, krejtësisht të përshtatshëm për ne, në çdo fazë?

Shkëputur nga libri “Konfuci sipas zemrës”, nga Yu Dan

Shqipëroi: V. Nathanaili

Konfuci thotë se shtatëdhjetë ose tetëdhjetë vjet në jetën e një qenie njerëzore janë një kohë e gjatë, por ajo mund të ndahet në tre faza të rëndësishme: rinia, maturia dhe mosha e vjetër. Në çdo fazë ka gjëra për të cilat duhet të tregojmë kujdes të veçantë, të cilat shpesh herë i quajmë edhe gracka. Nëse ia dilni të kaloni secilën prej këtyre grackave, atëherë nuk do të ndesheni me pengesa serioze në jetë. Por kalimi në secilën prej këtyre grackave, nuk mund të bëhet pa ndihmën e shokëve.

Konfuci thotë: “Në rini, kur gjaku dhe qi, ose forca e jetës, janë ende të paqëndrueshëm, duhet të mbrohemi nga tërheqja e bukurisë femërore”. Të rinjtë janë shumë të prirur të sillen impulsivisht, kështu që duhet të tregojnë kujdes e të shmangin vështirësitë romantike. Vërtet, shohim shpesh studentë të shkollave të mesme ose universiteteve, të shqetësuar për shkak të problemeve emocionale që kanë kaluar. Në këtë fazë të jetës, një shok i mirë është në rolin e vëzhguesit, pra i sheh gjërat me më objektivitet dhe qartësi, kështu që mund të ofrojë zgjidhje për problemet e vështirat, të cilat personalisht mund të mos jemi në gjendje t’i zgjidhim.

Kur kalojmë këtë grackë, arrijmë në moshën e mesme. Për këtë fazë të jetës, Konfuci thotë: “Kur gjaku dhe qi, ose forca e jetës, bëhen të qëndrueshëm, duhet të mbrohemi nga armiqësitë”.

Kur njerëzit arrijnë në moshën e mesme, e kanë stabilizuar jetën familjare dhe kanë arritur të kenë një profesion, kështu që çfarë është më e rëndësishme në këtë kohë? Dëshira për të bërë hapësirë për veten, për të zgjeruar sferën e ndikimit. Nga ana tjetër, kjo është arsye shumë e mirë për të krijuar kontradikta me të tjerët dhe, në rrjedhojë, për të dyja palët, punët të shkojnë gjithnjë e më keq. Kështu që Konfuci na paralajmëron se gjëja më e rëndësishme për njerëzit në moshën e mesme është të tregohen të kujdesshëm që të mos përfshihen në konflikte. Më mirë se të hapësh luftë me të tjerët, është të luftosh me veten, me synim gjetjen e metodave për përmirësim. Nëse, në përfundim, përsëri ju nuk ia arrini ta realizoni një synim të tillë, duhet t’i thoni vetes edhe pse nuk ia dolët, të paktën, në një farë mënyre, jeni bërë njeri më i mirë.

Akoma, në këtë fazë duhet të bëni shokë njerëz që janë të qetë dhe praktikë. Ata do ju ndihmojnë të ndërtoni një perspektivë më të gjerë për fitoret e përkohshme, të ndërtoni strategji më të mira mbrojtjeje, të tejkaloni tundimin e gjërave materiale, të fitoni rehati shpirtërore dhe të gjeni një vend pushimi e prehjeje për shpirtin.

Por për çfarë duhet të jemi të ndërgjegjshëm kur arrijmë në një moshë të mëvonshme? Sipas Konfucit, “Kur gjaku dhe qi, ose forca e jetës, fillojnë të perëndojnë, duhet të mbrohemi nga etja për fitim”.

Në moshën e vjetër, mendja njerëzore ka prirjen për të punuar më ngadalë dhe të jetë më e qetë. Filozofi Bertrand Russell e krahason këtë fazë me ujin e lumit, i cili pasi rrjedh me furi në luginën ndërmjet maleve, sapo i afrohet detit, bëhet i ngadaltë, i gjerë dhe i paqtë. Në këtë fazë të jetës, njerëzit duhet të kenë mësuar të përballen në mënyrë të ndjeshme me zotërimet dhe arritjet.

Kur jemi të rinj, jetojmë një jetë që shton, por në një farë pike të saj, kur arrijmë një moshë të caktuar, duhet të mësojmë të jetojmë një jetë që heq.

Shoqëria na jep mundësinë të kemi miqësi, para, lidhje njerëzore e arritje, të cilat në kohën kur bëhemi të vjetër, të gjitha bashkë, bëjnë shumë, për shembull zotërojmë një shtëpi, mbushur plot me objekte të akumuluar, gradualisht, në vite. Nëse zemra shndërrohet në llojin që lidhet shumë pas gjërave të arritura, do të përfundoni i kapur fort pas tyre.

Për çfarë diskutojnë njerëzit e vjetër me njëri-tjetrin, kur mblidhen bashkë? Pjesën më të madhe të herëve për grindjet e pakënaqësitë që kanë. Ata ankohen se vajzat e djemtë e tyre nuk kanë kohë t’i takojnë, në një mënyrë pak a shumë të tillë: “Kam punuar aq shumë për t’i rritur. Kam bërë gjithçka! Ju kam fshirë të prapmet dhe u kam ndërruar pelenat. Por tani janë të zënë me punë! Nuk kanë kohë të vinë as edhe për një vizitë të shpejtë!” Ata ankohen se shoqëria është e padrejtë: “Në ditët tona ishim të zënë të bënim revolucione dhe gjithë sa fitonim ishin disa jenë në fund të muajit. Vështroni tani nipërit e mbesat tona! Punojnë në një kompani të huaj dhe fitojnë tre deri në katër mijë jenë, menjëherë! A është e drejtë kjo, për njerëz si ne, që kanë punuar me shpirt e me zemër?”

Më mirë se të hapësh luftë me të tjerët, është të luftosh me veten, me synim gjetjen e metodave për përmirësim.

Nëse vazhdoni të flisni në mënyrë të tillë, atëherë edhe gjërat që një herë e një kohë ju kanë dhënë gëzim, do të shndërrohen në burim dhimbjeje, dhe pesha e tyre do ju vejë përfund. Në këtë kohë, keni nevojë për shokë t’ju ndihmojnë të përballeni me termat e rinj të jetës, të mësoni të leni shumë gjëra të kalojnë – në këtë mënyrë, do mund të hidhni pas shpine mërzitë dhe frustrimet.

Një konkluzion tjetër që mund të nxjerrim ndërsa lexojmë, në mënyrë kritike, Analects është se aktualisht nuk ka shumë shembuj që kanë si fabul thjesht miqësinë, por zgjedhjen e miqësisë si një mënyrë jetese. Lloji i shokëve që kemi varet, së pari, nga mençuria dhe aftësia jonë për t’u vetëkultivuar dhe, së dyti, nëse janë të dëmshëm ose na ndihmojnë në jetën tonë.

Thënë shkurt, sapo kemi arritur të fokusohemi në zemrën e shpirtin tonë, si dhe te ata që na rrethojnë, duhet të shqetësohemi se çfarë synimesh duhet të vendosim, ndërsa përpiqemi të bëjmë përpara në jetë.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.