Si ta bëjmë draft-strategjinë për arsimin parauniversitar më të mirë (Replikë) Nga Valbona Nathanaili

Si ta bëjmë draft-strategjinë për arsimin parauniversitar më të mirë

Nga Valbona Nathanaili

“Një strategji për fëmijët tanë” (“Mapo”, 20 prill 2015 http://www.mapo.al/nje-strategji-per-femijet-tane/) titullohet artikulli me të cilin z. Pëllumb Karameta, i përgjigjet shkrimit tim me titull “Draft-strategjia për arsimin parauniversitar 2014-2020”, ose “A mund t’i bëjmë të gjitha shkollat e mira?”, botuar po në gazetën “Mapo”, më 17 prill 2015 (http://www.mapo.al/draft-strategjia-per-arsimin-parauniversitar-2014-2020/).

Pse kjo replikë me z. Karameta? Së pari, për ta përshëndetur dhe falënderuar për reagimin e menjëhershëm në fjalë dhe, pse jo, edhe në vepra, ndaj mendimeve e sugjerimeve që shtroheshin në artikullin tim. Së dyti, sepse drafti ka ende pika të cilat duhen shtruar për diskutim publik dhe z. Karameta është në krye të listës së kontribuuesve për hartimin e dokumentit të strategjisë. Së treti, një apel për të çliruar nga fryma e propagandës, për fat të keq e pranishme edhe në artikullin e z. Karameta, çdo dokument që i referohet arsimit.

  • Falënderim. Sa i takon vizionit, drafti i përditësuar pas shkrimit tim, të datës 17 prill 2015, që gjendet në ueb-in e MAS, është disi më i pranueshëm, por sigurisht jo më i miri që mund të pretendojmë.

Nëse vizioni i mëparshëm ishte: “Sistem arsimor që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rrit konkurrencën në rajon e më gjerë dhe konsolidon shoqërinë demokratike”, në draftin e ri, ky vizion merr këtë trajtë, f. 32 (citoj): “Sistem arsimor që ka në qendër nxënësin, mbështet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe i shërben konsolidimit të shoqërisë demokratike”. Një ndryshim i tillë e bën strategjinë nga kolektive dhe hartuar për të gjithë nxënësit e Republikës së Shqipërisë, në individuale, për çdo nxënës të veçantë, ose një “strategji për secilin prej fëmijëve tanë”, duke perifrazuar, jo pa qëllim, titullin e artikullit të z. Karameta. Për t’u përshëndetur është edhe heqja e pjesës “rrit konkurrencën në rajon e më gjerë”. Një hap pozitiv përpara, po të kemi parasysh edhe inercinë konstante që ka treguar MAS ndaj çdo mendimi ndryshe këto kohët e fundit. Sa i takon formulimit “që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, mbetem në konstatimin e parë, pra duhet hequr nga vizioni.

  • Pika të tjera për diskutim. Parashtesa “draft” që i është vënë strategjisë, sigurisht e bën të diskutueshëm çdo aspekt të saj, që nga parimet e politikat e përgjithshme, e deri te detaje teknike. Zhgënjimi im lidhet edhe me ekzistencën e këtyre të dytave, nga të cilat kam veçuar disa: Gabime drejtshkrimore që gjenden edhe në tituj, si për shembull f. 66 e f. 70. 2. Gjatë gjithë kohës strategjia flet për arsim të mesëm, ndërkohë që në Republikën e Shqipërisë, kemi arsim të mesëm të ulët (në draft është përfshirë në arsimin bazë) dhe të mesëm të lartë (në draft ky i fundit reduktohet thjesht në “të mesëm”): f. 15, citoj: “Arsimi i mesëm, aktualisht, ofrohet si arsim i mesëm i përgjithshëm (gjimnaz), arsim profesional dhe arsim i orientuar (artistik, sportiv etj.)”. Ose të ndryshojmë ligjin aktual, ose drafti duhet të japë vizionin edhe për ndryshime që lidhen me çështje të tilla, në dukje të thjeshta. 3. Nuk kuptoj pse kjo strategji, që është ende në fazë diskutimi, ka edhe fuqi paravepruese? Sipas titullit, përfshin periudhën që nga viti 2014 (?) dhe, shumë rezultate të pritshme, fillojnë nga viti 2015. Konkretisht, nga 16 rezultate kryesore të pritshme për objektivin e parë të politikave, 3 realizohen në vitin 2015; nga 12 rezultate kryesore të pritshme për objektivin e dytë të politikave, 2 realizohen në vitin 2015; nga 9 rezultate kryesore të pritshme për objektivin e tretë të politikave, 4 realizohen në vitin 2015; nga 11 rezultate kryesore të pritshme për objektivin e katërt të politikave, 2 realizohen në vitin 2015. Pra, 23 % e totalit të rezultateve kryesore të pritshme, ose pak më shumë se 1/4 e tyre, marrin jetë në këtë vit, 2015! Sigurisht që nuk kemi kohë për të humbur, por nisur nga afatet që paraqet për zbatim, dokumenti shton argumentet në favor të teorisë se “politikat në sistemin arsimor nuk zgjasin më shumë se një mandat qeverisës”.

 

Sa i takon çështjeve parimore, në mjedisin aktual shkollor që kemi, është e qartë se, për shumë nga ne, nuk bëhet fjalë thjesht vetëm për të hartuar dokumente të rinj, por për të gjetur mënyra e forma që i përfshijnë të gjithë në punët e shkollës, ose “Si t’i bëjmë të gjitha shkollat e mira”. Nisma për hartimin e një dokumenti kombëtar është shumë e mirë. Por, nëse është punuar deri tani për një strategji për të gjithë fëmijët, sipas z. Karameta, atëherë, mendoj, se na duhet urgjentisht edhe një strategji për të gjithë mësuesit dhe, një tjetër, për të gjithë drejtuesit. Ose ndryshe “Si t’i rijapim një kuptim fjalës mësues?”; ose “Si t’i rijapim një kuptim fjalës drejtues?” Cilësia e mësuesve ka ndikim shumë të madh, më të madh se cilësia e kurrikulës, metodat e mësimdhënies, prindërit apo vetë shkolla si ndërtesë. Aktualisht, sot kemi arritur që mësuesi të rrijë në shkollë deri rreth orës 13.45. Pra, e kemi zhvendosur, në një farë mënyre, nga klasa, deri në sallën e mësuesve. Më përpara largohej nga shkolla me të mbaruar orët e mësimit; sot i drejtohet sallës së mësuesve. Dita e punës së tij ndahet ndërmjet orëve të mësimit që zhvillon në klasë dhe qëndrimit në sallën e mësuesve, ku në rastin më të mirë, ose korrigjon provime e detyra shtëpie, ose plotëson regjistrin a përgatitet për të nesërmen. Puna e tij me nxënësin fillon e mbaron, kryesisht, brenda një ore mësimi të mbingarkuar, ndërsa filozofia e punës ndërtohet, kryesisht, mbi vlera e besime individuale. Ky nuk duhet të jetë i njëjti model edhe në vitin 2020. Në zinxhirin e aktiviteteve që e bën një shkollë të mirë, të gjitha janë të lidhura me njëra-tjetrën. Kur “përzë” fëmijën në shtëpi sa mbaron ora e mësimit, çdo arsyetim apo përpjekje tjetër është e kotë. Suksesi i nxënësit, më shumë se i mësuesit dhe i shkollës, do vazhdoj të jetë i familjes.

Me pak fjalë, një strategji që shtrihet deri në vitin 2020, duhet të planifikojë, sot, tiparet e shkollave “të mira” të vitit 2020 dhe të tregojë mënyrat se si suksesin e këtyre shkollave ta replikojmë kudo ku kemi shkolla publike, – gjithmonë nëse synimi është të vazhdojmë t’i mbajmë të hapura ato. Kjo është, ndoshta, në mendim tim subjektiv, edhe një nga detyrat që duhet të zgjidhë kjo strategji. Të na bëjmë të besojmë se ëndrra jonë për shkolla të mira ka gjasa të bëhet realitet.

Dhe, sigurisht, pa bërë me faj prindin kur shkolla nuk realizon objektivat e saj. Citoj: “Deri tani, komunitetet lokale dhe prindërit janë përfshirë shumë pak në planifikimin e veprimtarive arsimore dhe në zgjidhjen e problemeve që shoqërojnë procesin e të nxënit, prandaj ata nuk e ndjejnë si duhet përgjegjësinë që kanë për zhvillimin dhe ruajtjen e cilësisë së shërbimeve që ofron IA (f. 37)”. Mënyra e përfshirjes së prindërve në punët e shkollës është një çështje e shumë diskutuar: në terma individualë, pra prindër që punojnë më shumë me fëmijën për të rritur arritjet; në terma kolektivë, prindër që përpiqen të bëjnë ndryshim në shkollën e komunitetit të tyre; përpjekje të përbashkëta shkollë-prindër, duke ndarë rolet; kufizim i prindërve vetëm në rolin e këshilluesit, pasi prioritetet e nevojat e prindërve jo gjithmonë janë në përputhje me ato të shkollës. Drafti vetëm konstaton dhe ofron, ndoshta si alternativë, “Shkolla qendër komunitare”. Por mbeten argumentet sa më sipër.

Në përgjithësi, i gjithë drafti është si një lloj mozaiku, ku mungojnë pjesë të shumta. Alternativa që ofrohet është se “mund të zëvendësohen” me ato të mëparshmet.

  • Propagandë. Artikullin e tij z. Karameta e mbyll me një citim të Ministres aktuale të Arsimit dhe të Sporteve. Fjala shumë e gjetur e znj. Ministre gjendet edhe në hyrje të draftit, një praktikë, në fakt, e zbatuar edhe në draftet e mëparshme, e trashëguar, ndoshta, që nga koha e para viteve ‘90 (mendoj se në këtë rast referencat janë të tepërta). Akoma, po në këtë aspekt, ekziston edhe një ndërlikim tjetër që do të duhej t’ia nënshtronim argumentit. Citoj (f. 37): Nga viti 2016, ekziston legjislacioni i nevojshëm arsimor, i krahasueshëm me atë të vendeve të BE-së. Në fakt, legjislacioni aktual është bërë në përputhje me Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian (2000/C 364/01), datë 18 dhjetor 2000, Numri CELEX 32000X1218(01) Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria C, Nr 364, datë 18.12.2000, faqe 1-22 (gjendet në hyrje të ligjit aktual).

Draft-dokumenti i paraqitur është thjesht kombëtar dhe duhet të përpiqet të zgjidhë problemet e arsimit shqiptar. Sa kohë që ka këtë karakter, le të merret me problemet kyç të tij dhe të mos bëjë propagandë.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.