Si qytetar global paqedashës. Dashuri, paqe botërore Autor Sun Myung Moon

Si qytetar global paqedashës. Dashuri, paqe botërore.

Autor Reverendi Sun Myung Moon

Botues: Federata e Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim & U.F.O Press

Botimi i parë në shqip nga Shtëpia Botuese Universitare UFO Press, qershor 2011

Botimi origjinal, në gjuhën koreane, nga Gimm-Young Publishers, Inc. Seul, Republika e Koresë, 9 mars 2009

Nga Valbona Nathanaili 

Fjala e mbajtur me rastin e promovimit të librit, në mjediset e “Albanian University”, dt. 31.10.2011  

Afro shtatë muaj më parë pata kontaktin e parë me dy nga përfaqësuesit shqiptarë të Federatës së Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim, zotërinjtë Gani Rroshi dhe Sokol Rexhepi. Qëllimi ishte ky për të cilin jemi mbledhur: botimi në shqip i librit “Si qytetar global paqedashës”. Që nga ajo ditë, takimet u bënë periodike, për të diskutuar dhe monitoruar të gjithë procesin e botimit. Me synimin për t’i qëndruar sa më besnikë jo vetëm kopjes anglisht, por edhe perceptimeve të autorit apo këndvështrimit me të cilin ai e sheh botën, zgjodhëm gjuhën dhe terminologjinë që do të përdorej, formatin e librit apo deri edhe letrën me të cilën do të shtypej, detaje që të gjitha së bashku japin procesin e bukur të botimit të një libri. Jam krenare që jam pjesë e kësaj iniciative! Dua t’i falënderoj për bashkëpunimin e frytshëm dhe, akoma më shumë, për rezultatin: kemi në dorë një titull shumë të mirë shqip, që transmeton vlera ndryshe!

Përmes këtij libri autobiografik, reverendi Moon jep misionin e jetës së tij: dashuri dhe paqe globale, gjë e cila duket që në titullin e librit. Në fakt, tema është sa e re dhe e vjetër, por në gjuhën e autorit, në kujtimet që sjell, në mënyrën si e transmeton tek lexuesi, tingëllon ndryshe. Ai ka dashuri për njerëzit që e rrethojnë, për bashkëpunëtorët, për familjen, për natyrën, për bimët e kafshët, ndërkohë që paqja e Moon është më shumë. Perceptimi i tij për paqen fillon në vitet e para të jetës, e thjeshtë dhe i kuptueshme për një fëmijë, që sikundër shprehet në f. 3 të librit është një ndërthurje e lirisë me sigurinë: kur në shpinë të të atit, ndjen, për herë të parë, siguri totale dhe liri në zemër, si dhe një harmoni me natyrën dhe çdo gjë përreth. Paqja që ofron Moon zgjerohet nga faqja në faqe, thellohet nga rreshti në rresht dhe është dinamike. Në mënyrë simbolike udhëtimi i Moon nis në shpinën e të atit, për të vazhduar në të katër anët e globit, një udhëtim pothuaj një shekullor (mos harroni se aktualisht është mbi 90 vjeç) për t’i bërë synimet e veta synime të të tjerëve, për ta shndërruar misionin e tij në mision të të tjerëve, në përpjekje për të hedhur bazat e një paqeje globale dhe për të falur dashuri. Në botën e shekullit të njëzet e një, këto duhet të jenë dy karakteristikat dalluese të qytetarëve të saj.

Idesë së paqes si jetë në harmoni, siguri dhe liri, Moon i kthehet vazhdimisht. Duke qenë me origjinë nga Koreja e Veriut është tepër konkret në mënyrën e perceptimit të kësaj ideje. Pasi merr në analizë ngjarjet kryesore që kanë ndodhur në vende të ndryshme në këta dhjetëvjeçarët e fundit, në Europë, Amerikë e Azi, në një pjesë të mirë të librit do të gjeni përpjekjet për bashkimin e Koresë së Veriut me atë të Jugut.

Nga shkencat e natyrës dimë se ajo që shohim varet nga pozicioni ku ndodhemi. Falë Galileut jemi në gjendje të themi se ndonëse Hëna dhe Dielli duken me të njëjtat përmasa nga Toka, nëse do të ishim në Hënë nuk do mund ta pohonim diçka të tillë. Pra, perspektiva pozicionale, që në fizikë njihet thjesht si sistem referimi, është diçka shumë e rëndësishme. Ajo që shohim, duke mos qenë e pavarur nga pozicioni ku gjendemi, ndikon në besimin tonë, ndikon në zgjedhjet tona. Të ndryshosh vendndodhjen është një mënyrë e mirë për të parë gjërat ndryshe, për të zbuluar të fshehtat, për të zgjeruar e thelluar vëzhgimin dhe, mbi bazën e tyre, për të ndryshuar zgjedhjet e besimin. Duke lëvizur nga një shtet në tjetrin, duke takuar personalitete dhe njerëz të thjeshtë në të katër anët e botës, Moon na jep një perspektivë  të re, duke u përpjekur që atë që sheh ai, ta fusë në optikën e syve tanë.

Autori ka arritur të kuptojë nevojën për të shkuar përtej kufizimeve që të imponon shkalla e ulët e njohjes, duke na dhënë një pamje tjetër, më të gjerë, më të bukur, më shpresëdhënëse dhe duke na ftuar, në të njëjtën kohë, për të qenë pjesë e saj, ndoshta edhe duke na vënë në dukje shpirtin pragmatist të tij: është themeluesi i gazetës Washington Post dhe ka biznese në shumë vende të botës. Në f. 314 dhe 315 kalon në këshilla praktike sa i takon mënyrave që duhen zbatuar për zgjidhjen e varfërisë.

Në tragjedinë “Mbreti Lir”, diku, mbreti i thotë shërbëtorit të tij besnik, se një njeri duhet ta kuptojë si funksionon kjo botë edhe kur është i verbër. Në mënyrë figurative, në f. 277, autori shprehet: “Të zgjuarit duhet ta rreshtojnë veten në anë të ligjeve dhe të ritmit të universit” dhe, disa rreshta më tutje: “Peshqit kanë shtigjet e tyre dhe kohë të caktuara kur kalojnë në to. Nëse nuk i dimë këto rrugë, nuk mund t’i kapim. Vetëm fakti që ka ujë, nuk do të thotë se ka peshq”. Kjo është ajo që propozojnë shumë ekonomistë: zgjedhjet e njerëzve duhet të kenë doza të theksuara racionaliteti, duke u përpjekur për të krijuar një lidhje logjike ndërmjet atyre që kemi arsye për t’i zgjedhur dhe atyre që janë racionale nga ne për t’i zgjedhur. Në këtë frymë, Moon propozon zgjidhje të ndryshme për mjedisin, për lirinë e besimit dhe për vetë konceptin e bamirësisë.

Në mënyrë simbolike, libri mbyllet me idenë e ndërtimit të autostradës së paqes botërore. Si do të ndërtohet kjo autostradë? Sigurisht me punë. Në f. 343 Moon shprehet: “Ka ardhur koha t’i kthejmë shpatat në plugje dhe heshtat në drapinj”.

Në punën tonë, kur botojmë një libër, një nga pse-të që duhet t’i japim përgjigje është: Kujt i duhet libri? Kush është lexuesi i tij? Përgjigja fillon zakonisht me klasifikimin e lexuesve sipas interesave, grupmoshave, edukimit ose profesionit. Në rastin e librit që keni në dorë, po ofroj një klasifikim të ri: për të gjithë. Kjo për të vënë në dukje një element tjetër të rëndësishëm në ndihmë të të kuptuarit të librit dhe të interesit për ta lexuar atë.

Në jetën e përditshme njerëzit udhëhiqen nga motive të ndryshme, motive që shpesh gjenden përtej interesave të ngushta private ose vetjake, si: humanizmi, bujaria, drejtësia, shpirti dhe dëshira për të punuar për të tjerët, bashkëpunimi. Për ne, nuk është shumë e vështirë të pranojmë se njerëz të tillë, ekskluziviteti i motiveve të të cilëve është jashtë sferës së interesave vetjake, ekzistojnë. Reverendi Moon është një prej tyre. Por edhe më skeptikët duhet të pranojnë se ideja e bashkëpunimit është një normë grupi me përfitime dypalëshe. Reverendi Moon ofron bashkëpunim. Për këto arsye, libri ka të ofrojë për të gjithë.

PËRMBAJTJA

PARATHËNIE / KAPITULLI I: USHQIMI ËSHTË DASHURI Çfarë mësova për paqen, ndërsa babai më mbante në shpinë; Gëzimi që ndien kur u jep ushqim të tjerëve; Të jesh shok me të gjithë; Një busull e saktë për jetën time; Një fëmijë kokëfortë, që nuk heq dorë nga e vetja; Të duash natyrën që të mësosh prej saj; Të flasësh rreth universit me insektet; Student entuziast. KAPITULLI II: ZEMRA IME RRJEDH BASHKË ME NJË LUMË LOTËSH Midis frikës dhe frymëzimit; Sa më shumë të lëndoheni, aq më shumë duhet të doni; Një thikë që nuk mprihet bëhet e mpirë; Një çelës që hap një sekret të madh; Si një top i zjarrtë që digjet; Punëtorë që bëhen miq, duke vuajtur së bashku; Deti i qetë i zemrës; “Të lutem mos vdis˝; Një urdhër që duhet zbatuar; Një kokërr orizi është më e madhe se Toka; Burgu i Hungnamit në dëborë; Forcat e OKB-së hapin portën e burgut. / KAPITULLI III: E BRENDSHMJA PASUROHET PËRMES VUAJTJEVE DHE VËSHTIRËSIVE “Ju jeni mësuesi im shpirtëror˝; Burri i pashëm, i çmendur pranë burimit; Një kishë pa përkatësi; Dy universitete përjashtojnë studentë dhe profesorë; Sythe të reja çelin mbi degët e djegura; Ne stërvitemi prej plagëve tona; Më e rëndësishmja nga të gjitha është zemra e sinqertë. / KAPITULLI IV: FILLIMI I MISIONIT BOTËROR Të ndjekësh vullnetin e Zotit pa menduar për veten; Para të fituara me nder dhe të shpenzuara me pastërti; Fuqia e vallëzimit mallëngjen botën; Engjëjt hapin një shteg në mes të pyllit të errët; Turneu botëror / FOTO NGA JETA IME / Aeroplani i fundit për në Amerikë; E ardhmja jonë lidhet me oqeanin; Shpresa ime për një revolucion të ri amerikan; Monumenti i Uashingtonit, 1976; “Mos qani për mua, por qani për botën”; ˝Pse duhet të shkojë në burg babai im?˝/ KAPITULLI V: FAMILJET E DASHURA MUND TA NDRYSHOJNË BOTËN Bashkëshortja ime, Hak Ja Han Moon; Një bukuri e brendshme e pakrahasueshme; Premtime që nuk duhet të thyhen kurrë; Të dashurosh, do të thotë të japësh dhe të harrosh; Familjet paqësore janë tullat për ndërtimin e Mbretërisë së Qiellit; Lotët e dhjetë viteve zbutën zemrën e një vjehrri; Domethënia e vërtetë e martesës; Dashuria e vërtetë gjendet në familjet e vërteta; Të lësh pas dashurinë, si trashëgimi / KAPITULLI VI: DASHURIA DO TË SJELLË BASHKIMIN Fuqia e fesë për t’i kthyer njerëzit drejt mirësisë; Lumi nuk i pengon ujërat që rrjedhin drejt tij; ˝Lejo lirinë e besimit në Bashkimin Sovjetik˝; Bashkimi i Koresë do të sjellë bashkimin e botës; Takimi me Presidentin Kim Il Sung; Toka edhe mund të ndahet, por njerëzit e saj jo; As me pushkë dhe as me shpata, por me dashuri të vërtetë / KAPITULLI VII: E ARDHMJA E KORESË, E ARDHMJA E BOTËS Harmonia botërore fillon në Gadishullin Korean; Prej vuajtjes dhe lotëve, në paqe dhe dashuri; Qëllimi i fesë së shekullit të njëzetenjëtë; Projektet kulturore shprehin krijueshmërinë e Zotit; Zotërimi i deteve dhe e ardhmja e botës; Shansi i madh në ‘epokën e oqeanit’; Edhe një luleradhiqe është më e çmuar se ari; Zgjidhja e problemit të varfërisë dhe urisë; Përtej bamirësisë për t’i dhënë fund urisë / KAPITULLI VIII: VIZION I RI PËR RININË Gjej qëllimin, ndrysho jetën tënde; Përqafo botën; Gjithçka që kemi na është huazuar nga Zoti; Lumturia është jetë e jetuar në shërbim të të tjerëve; Të ëndërrosh një botë paqësore.

Foto kryesore: Nga promovimi i librit në mjediset e “Albanian University”, dt. 31.10.2011. Foto credit: Federata e Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.