Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria

Pjesë nga historia e marrëdhënieve diplomatike

Pas Luftës së Parë Botërore, qeveria amerikane ngurronte ta njihte de jure shtetin shqiptar. Më 27 prill 1922, Sekretari i Shtetit, Charles Evans Hughes, njoftoi Konsullin e Përgjithshëm amerikan në Tanger, Maxwell Blake, se Departamenti i Shtetit po studionte mundësinë e njohjes së Shqipërisë. Ai i kërkoi zotit Blake të shkonte në Shqipëri dhe t’i raportonte mbi gjendjen e vendit, mbi qëndrueshmërinë e qeverisë shqiptare dhe mbi interesat amerikane atje.

Sipas Ilir Ikonomit (Pushtimi, UET Press), ka shumë mundësi që nxitja përfundimtare për njohjen të ketë ardhur nga një letër e 26 prillit 1922 e Sekretarit të Tregtisë, Herbert Hoover, i cili më vonë do të bëhej president. Në letrën dërguar Departamentit të Shtetit, Hoover sugjeronte që t’i kushtohej vemendje çështjes së njohjes së Shqipërisë, duke patur parasysh se kompania amerikane Sinclair Oil po zhvillonte bisedime për një koncesion nafte në Shqipëri.

Blake shkoi në Shqipëri në fillim të qershorit dhe përgatiti një raport mjaft pozitiv për vendin:

  • “Megjithëse shteti shqiptar ende nuk ka dalë përfundimisht nga fazat e eksperimentit shpresëdhënës, – shkruante Blake, – ai është forcuar mjaftueshëm për të patur mbështetje ndërkombëtare. Qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj interesave amerikane është veçanërisht i favorshëm.”

Blake i rekomandon Departamentit të Shtetit njohjen e Shqipërisë. Si argument të parë për rekomandimin e tij, Blake rendit se njohja do të ishte një nxitje morale për popullin shqiptar, “i cili ndodhet në një fazë kritike të luftës së tij për pavarësi”. Sipas Blake, faktorët materialë janë në vend të dytë. Herët a vonë, – shkruante ai, – njohja do të vijë, por do të ishte mirë nëse ajo bëhet menjëherë.

Nga fundi i korrikut 1922, Departamenti i Shtetit i dërgoi një telegram të ngutshëm komisionerit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Maxwell Blake, ku thuhej:

  • “Më 28 korrik, ju mund ta njoftoni me shkrim ministrin e Punëve të Jashtme për njohjen de jure të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara. Me këtë rast, mund të deklaroni se Qeveria e Shteteve të Bashkuara njeh faktin se Shqipëria ka arritur të mbajë me sukses një qeveri kombëtare. Në pritje të veprimit legjislativ nga ana e Kongresit për të vendosur përfaqësi të rregullt diplomatike, ju do të vazhdoni të luani rolin e komisionerit në rangun e ministrit. Fakti i njohjes do të jepet për botim në gazetat e mëngjesit të datës 28 korrik.”

Faik Konica, si kryetar i Vatrës, falënderoi menjëherë nga Bostoni Sekretarin e Shtetit, Hughes. Telegramin e dërgonte “në emër të shqiptarëve që rrojnë n’Amerikë, disa prej të cilëve luftuan e derdhën gjakun e tyre në rreshta t’Ushtrisë Amerikane”.

Gazeta The Christian Science Monitor, në një artikull me titull “Greetings to Independent Albania,” shkruan:

  • “Duke njohur Shqipërinë e pavarur, Departamenti i Shtetit i jep përkrahje morale një race që vlen ta dëgjosh me vëmendje dhe që meriton përkrahje. Për shkaqe të rrjedhura nga luftrat ballkanike dhe pothuajse e harruar fare gjatë Luftës së Madhe, Shqipëria, duke ngritur kokën tani prapë nga greminat, ka probleme të vështira dhe të çuditshme për të zgjidhur. Por megjithë këto vështirësi e pengesa, shqiptarët janë një popull liridashës, trim dhe energjik. Ata meritojnë të kenë ndihmën dhe simpatinë e botës.”

Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve vendosen më 4 dhjetor 1922. Sipas Valbona Nathanaili, ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i akredituar në Tiranë si “I dërguar i jashtëzakonshëm dhe Ministër i plotfuqishëm” është Ulysses Grant-Smith, zyrtar i shërbimit të huaj. Emërimi është bërë më 22 shtator 1922. Letrat kredenciale i paraqet më 4 dhjetor 1922. Më 8 shkurt 1925 përfundon misionin. Më 17 Shkurt, 1930 emërohet Herman Bernstein, nga New-Jorku, i cili bën prezantimin e letrave kredenciale më 28 prill 1930 dhe e përfundon misionin më 24 shtator, 1933.

Më 8 prill 1939 forcat italiane pushtojnë Tiranën. Në këtë periudhë, misionin e drejtonte Hugh G. Grant (i emëruar si “I dërguar i jashtëzakonshëm dhe Ministër i plotfuqishëm” më 9 gusht 1935 dhe paraqitur letrat kredenciale më 8 nëntor 1935).

Marrëdhëniet u ndërprenë më 5 qershor 1939, kur ministri i Jashtëm shqiptar Xhemil Dino e njoftoi ministrin fuqiplotë amerikan Hugh Grant se Italia kishte marrë në kontrollin e saj punët e jashtme të Shqipërisë, si pasojë e pushtimit italian të 7 prillit. Legata u mbyll më 16 shtator 1939.

Legata mbyllet zyrtarisht më 16 shtator 1939. Grant largohet nga Shqipëria më 27 shtator 1939.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ShBA dërgojnë në Shqipëri, në vitin 1945, një mision jozyrtar për të studiuar mundësinë e rivendosjes sëmarrëdhënieve me regjimin e Frontit Nacional-Çlirimtar, por për shkak të mosmarrëveshjeve, Shtetet e Bashkuara e tërheqin misionin në nëntor të vitit 1946.

Marrëdhëniet diplomatike Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Shqipëri rivendosen përsëri më 15 mars 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh, me nënshkrimin në Uashington të memorandumit të mirëkuptimit mes ministrit të Jashtëm shqiptar Muhamet Kapllani dhe ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit Raymond Seitz. Ambasada në Tiranë rihapet më 1 tetor 1991.

Kristofer Hill është “I ngarkuar me punë, ad interim”, i pasuar nga Uilliam Eduin Rajerson, Ambasador i Jashtëzakonshën dhe Fuqiplotë. Rajerson i paraqet kredencialet e tij, qeverisë së Shqipërisë, më 21 dhjetor 1991.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.