“Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”  Autor Sami Frashëri

“Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”  Autor Sami Frashëri

Botimi i referuar: Frashëri, S. (1962). Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë. Tiranë: N. Sh. Botimeve “Naim Frashëri” – kopertina në të majtë.

Programi për arsimin 

Në veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”, mendime për shpëtimt të mëmëdheut nga reziket që e kanë rethuarë botuar të parën herë në Bukuresht, mars 1899), krye e tretë, “Ç’do të bëhetë Shqipëria” gjejmë një program të mirëfilltë për arsimin shqiptar.

Në programin e Frashërit shtjellohet ideja e një arsimi të detyruar dhe pa pagesë, për të gjitha shtresat e popullsisë; mësimi duhet të zhvillohet në gjuhën shqipe, si për djemtë dhe për vajzat, si për shqiptarët dhe për pakicat kombëtare. Sistemi shkollor i propozuar prej tij përmban këto hallka kryesore: fillor, të mesëm e të lartë, duke u kushtuar kujdes edhe nevojave për arsim profesional: një shkollë ushtërije, një për metaletë e për pyjetë, një për bujqësinë edhe shumë e shumë të tjera për dituri e për mjeshtëri të veçanta apo për krijimin e një biblioteke kombëtare. Frashëri ishte për një shkollë laike, e varur krejtësisht vetëm nga shteti; një kujdes të posaçëm, në programin e tij, ai i kushton edhe mësimit të fëmijëve të minoriteteve në gjuhën e tyre, por pasi të kenë mësuar shqipen.

Më tej, sipas Frashërit, në administratën e shtetit shqiptar nuk mund të punësohet dikush që nuk flet e shkruan gjuhën shqipe: po s’ditnë të shkruajn’ e të këndojnë shqip, në nonjë punë të qeverisë s’hyjnë dot, as në këshillat mundinë të xgjidhenë si mise. Sa më poshtë, vijon një paragraf nga vepra në fjalë e S. Frashërit.

Diturija (shkëputur nga vepra e cituar,  f. 79)

Në ka një gjë, për të cilënë Shqipëtarëtë duhetë të kujdesenë me të teprë, ajo pa ndryshim është Diturija. Gjithë katundetë e gjithë pshatratë a dy tre pshatra t’afërta bashkë duhetë të kenë shkolla të para dhe qytetetë të kenë nga më shumë se një, pas madhërisë së tyre. Gjithë djemt’ e vashatë që më 7 vjeç e gjer më 13 do të jenë të shtrënguarë të venë domosdo në shkollë edhe ata prindërë, që të mos dërgojnë fëmijënë në shkollë, do të qërtohen’ e të shtrëngohenë t’i dërgojnë fëmijënë në shkollë, do të qërtohen’ e të shtrëngohenë t’i dërgojnë. Mësimi do të jetë pa nonjë pagesë, edhe të varfëret do t’u epenë edhe fletoretë e karta etj. pa pagesë. Në mes të çdo nënëgastre do të jetë një shkoll’ e dytë për djemt edhe një për vajzat. Në mest të çdo gastre do të jenë veç shkollavet të dyta (ryshdije, skolion), edhe të treta (i’dadije, gjimnasion) për djem e për vajza veçan edhe shkolla për mjeshtëri pas vëndit a për bujqësi etj.

Në kryeqytett të Shqipërisë, përveç shkollavet të dyta e të treta do të jetë një gjithëmësime (dar-yl-fynun, panepistimion), një shkollë ushtërije, një për metaletë e për pyjetë, një për bujqësinë edhe shumë shumë të tjera për dituri e për mjeshtëri të veçanta. Më pastaj edhe dy gjithëmësime duhetë të hapenë: një në Shqipëri të Sipërme e një në të Poshtërmet. Shkoll’ e aniërisë duhet të jetë mb’anë të detit, tek të jen’ edhe aniat’ e luftësë, në Durrësë a në Ujët-të-Ftohtë (afrë Vlorësë).

Një këshillë diturije (akademie) duhet të jetë në kryeqytett, e cila të kujdesetë për gjuhët’ e për livratë, që duhenë etj. Një shtypëtore e qeverisë do të meretë me të shtypurë livratë, që duhenë për shkollatë edhe të nxjerrë fletore fletore diturije, të përkohëshme e çdo gjë, që duhetë për të xgjuarë Shqipëtarëtë. Disa shoqërira do të bëhenë me ndihmët të ministrisë së diturisë për të shpënë përpara dheshkronjënë, istorinë, dhekërkonjënë (gjeologjia), metalet’ e të tjera punëra të Shqipërisë; edhe cilado nga këto do të nxjerrë një herë në muajt a më pakë një fletore të përkohçime, në të cilat të rrëfehetë gjithë ç’ka gjetur’ a çpikurë shoqërija.

Në kryeqytett të Shqipërisë do të jenë dy shkolla të mbëdha për gjuhërat; në njërët nga këto do të mësohenë gjuhërat’ e ra t’Evropësë: francishtja, gjermanishtja, italishtja, ingjlishtja, slavishtja, greqisht’e re etj.; në tjatërët gjuhërat’ e vjetëra: Greqisht’ e vjetërë, latinishtja, arabishtja, persishtja, sankrishtja, etj. Cilado nga këto shkolla do të ketë një këshillë, e cila do të jetë e mbledhurë prej njerëssh, që dinë këto gjuhëra, edhe do të përpiqenë të shkruajn’ e të shtypinë livra mësimi etj. në këto gjuhë, edhe shtypëtore e qeverisë do të ketë shkronjat e gjithëve këtyre gjuhe për të shtypurë ato.

Një musië e përgjithçime do të jetë në kreqytett për gjithë sa gjërëra të vjetëra, shtaturëra, fytyrëra, gurë të shkruarë, etj., që do të gjendenë në Shqipëri e gjetkë edhe qeveri’ e kësaj musie do të mihnj’ e të rëmojë gjithë vëndet e qytetevet të vjetërë për të kërkuarë antikëra. Një tjatrë musië do të jetë për istori të naturtë edhe këshill’ e kësaj do të bënjë kërkimenë për të tërë Shqipërit për barëratë, drurëtë, metaletë, gjërërat’ e gjalla etj. të Shqipërisë, si edhe gjërërat’ e vjetra të dhetregonjësë e të njeritregonjësë. Cilado nga këto të dy këshilla të musiëvet do të nxjerë një fletore një herë në muajt, në të cilat të shkruajnë kërkimetë e gjendjet’e tyre edhe shumë diturirëra prej ç’bëhenë n’Evropë e gjetkë për këto punëra. Një bibliothek’ e madhe do të bëhetë e të ketë brënda livra etj. të shkruara të nevojta e të vyera në gjithë gjuhët, që munt të merenë vesh në Shqipëri.

N’ata vënde të Shqipërisë, që flitenë edhe të tjera gjuhë përveç shqipesë, si bullgarisht, greqisht, vllahisht, ata që flasinë këto gjuhë do të mësojnë në shkollat e para gjuhën’ e tyre edhe shqipenë bashkë: shkollat’ e dyta e të lartëta do të jenë shqip; po në dashçinë, munt të bëjnë edhe shkolla të mbëdha në gjuhët të tyre për vehte; po, po s’ditnë të shkruajn’ e të këndojnë shqip, në nonjë punë të qeverisë s’hyjnë dot, as në këshillat mundinë të xgjidhenë si mise.

Shënim

 

Më 1878, në shtypshkronjën Courrier d’Orient u shtyp abetarja e parë e përgatitur nga Sami Frashëri.

 

 

Në foton në krah të majtë është kopertina e botimit të vitit 1886. Foto kredit: Koleksione private shqiptare. Faleminderit.

 

 

Foto kryesore: Dardhë, qershor 2015.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.